Gjinushi pret ambasadoren e Zvicrës në prag të simpoziumit të përbashkët shkencor

Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Skënder Gjinushi, priti sot në një vizitë zyrtare ambasadoren e Zvicrës, Ruth Huber. Takimi u organizua me rastin e përgatitjeve të simpoziumit të përbashkët shkencor për figurën e Eugéne Pittard që do të mbahet më 9 tetor 2024.

Sipas njoftimit për mediat, nga Akademia e Shkencave, gjatë takimit u bisedua rreth figurës shumëdimensionale të Eugéne Pittard në rrethet akademike të Shqipërisë, për rolin e tij në njohjen e Shqipërisë si shtet dhe anëtarësimin në Lidhjen e Kombeve (1920), si dhe për kontributin e tij si arkeolog, antropolog dhe si bashkëthemelues i Kryqit të Kuq Shqiptar me gruan e tij Helene Pittard.

Gjatë këtij takimit u theksua se Eugene Pittard është zbuluesi i parë i sitit të lashtë arkeologjik të Trenës në Korçë (1924).

Puna e tij ka nxitur studiues dhe arkeologë të tjerë, ku u përmend kontributi i studiuesit zviceran prof. Albert Hafner që udhëheq ekipin shqiptaro-zviceran të kërkimeve arkeologjike në këtë zonë dhe që do të jetë i pranishëm dhe në ditën e konferencës më 9 tetor 2024.

Bashkëorganizimi i një veprimtarie shkencore jubilare në nderim të figurës dhe kontributit të studiuesit Eugene Pittard mes Ambasadës së Zvicrës dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë do të shërbejë dhe si një urë për të tjera nisma dhe organizime të përbashkëta.

Mes këtyre nismave, me rëndësi është edhe përfshirja e studiuesve e albanologëve të të dyja vendeve në projektin madhor të “Enciklopedisë shqiptare”./atsh/KultPlus.com

“Mes lotëve zbulova brenda vetes një buzëqeshje të pathyeshme”

Poezi nga Albert Kamy

E dashura ime,
në mes të urrejtjes
zbulova brenda vetes një
dashuri të pathyeshme.

Mes lotëve zbulova brenda vetes një buzëqeshje të pathyeshme.
Mes kaosit zbulova brenda vetes një qetësi të pathyeshme.
Në mes të dimrit kam kuptuar, më në fund, se brenda vetes kam një behar të pathyeshëm.

Dhe kjo më bën të lumtur.
Sepse kjo vërteton se s’ka rëndësi se sa ashpër
më kundërvihet bota
ngase brenda vetes
kam diç më të fortë,
diç më të mirë që sakaq
më shtyn të shkoj përpara.

/KultPlus.com

1959 – Albert Camus Directs His Play ‘Les Possedes’. Les répétitions au théâtre Antoine de la pièce ‘Les possédés’ d’Albert Camus, mise en scène par l’auteur : attitude d’Albert CAMUS sur la scène du théâtre, un pied sur une chaise et une cigarette à la main, sous la lumière des projecteurs. (Photo by Jack Garofalo/Paris Match/Getty Images)

“Travel and Tour World”: Një arratisje e qetë, zbuloni bukurinë e fshatrave të Korçës

Korça, së bashku me fshatrat përreth – Voskopojën, Dardhën dhe Boboshticën – vazhdon të tërheqë turistë të huaj gjatë gjithë muajit shtator, sipas një artikulli të botuar në “Travel and Tour World” (TTW).

Vizitorët, kryesisht nga Evropa Perëndimore, tërhiqen nga trashëgimia e pasur kulturore dhe vendet arkeologjike të vendit mesdhetar.

Një grup turistësh spanjollë – për herë të parë – shprehën admirimin e tyre për mikpritjen e ngrohtë dhe natyrën e pacënuar që hasën në zonë.

“Kjo është hera ime e parë në Shqipëri. Është me të vërtetë një vend i bukur dhe i pastër, dhe unë jam i mahnitur nga dashuria dhe paqja që na ofron ky vend”, tha një turist.

“Kam dëgjuar kaq shumë për Shqipërinë, por ta shohësh nga afër është mbresëlënëse. Njerëzit janë jashtëzakonisht të sjellshëm dhe gjithmonë të buzëqeshur”, shtoi një turist tjetër.

Guida, e cila shoqëronte turistët, theksoi se vizitorët e huaj janë shumë të tërhequr nga historia e pasur e Shqipërisë.

Operatorët e turizmit në Shqipërinë juglindore kanë bërë të ditur se muaji tetor është tashmë i rezervuar me turistë të huaj, duke shënuar një rritje të dukshme të interesit krahasuar me vitin e kaluar.

Nga Riviera Shqiptare, Alpet veriore madhështore dhe deri te kështjellat historike dhe monumentet kulturore, Shqipëria ofron një shumëllojshmëri destinacionesh për vizitorët që duan të eksplorojnë.

Sipas të dhënave të fundit, vendi i vogël mesdhetar mirëpriti 8,5 milionë vizitorë deri në fund të gushtit të këtij viti krahasuar me 7,5 milionë të vitit të kaluar./atsh/KultPlus.com

Nga fillimi i rrugëtimit akademik në Kosovë tek rrugëtimi përtej kufijve: Efektet transformuese të globalizimit në sistemin e arsimit

UNI-Universum International College vazhdon të jetë lider në fushën e ndërkombëtarizimit dhe krijimit të përvojave ndërkulturore për studentët e tij. Në epokën e globalizimit, cilësia e arsimit të lartë dhe përvoja akademike po transformohen ndjeshëm. Kjo është veçanërisht e dukshme në UNI, falë partneritetit strategjik me Arizona State University, Universiteti më i madh publik në SHBA dhe nr. 1 për Inovacion. 

#UNI ju ofron studentëve mundësinë për të marrë diploma të fuqizuara, diploma të dyfishta ndërkombëtare, si dhe shkëmbime semestrale në bashkëpunim me 221 universitetet partnere në Evropë. Këto mundësi të jashtëzakonshme pasqyrojnë ndikimin e thellë të globalizimit në edukim, duke u ofruar studentëve përvoja unike që i përgatisin ata për sfidat dhe mundësitë e një bote të ndërlidhur.

Bëhu pjesë e #UNI dhe dhe fillo rrugëtimin tënd akademik përtej kufijve, duke klikuar këtu!

Partneriteti strategjik me Arizona State University është një shembull konkret i mënyrës si globalizimi ndikon në arsimin e lartë dhe ofron mundësi të jashtëzakonshme për studentët. 

Çka nënkupton një diplomë e fuqizuar?

Një diplomë e fuqizuar është një dokument që pasqyron kontributin dhe burimet e dy institucioneve të shquara, UNI – Universum International College dhe Arizona State University. Kjo lloj diplome garanton se studentët përfitojnë nga një përvojë të pasur arsimore, të njohur globalisht, duke iu dhënë qasje në njohuri dhe burime të avancuara. 

Çka nënkupton një diplomë e dyfishtë?

Një diplomë e dyfishtë nënkupton marrjen e dy diplomave nga dy universitete të ndryshme për të njëjtën fushë studimi. Studentët e UNI fillojnë studimet në UNI dhe më pas të transferohen në Arizona State University, ose në ndonjërin nga universitetet tjera përkatëse ose të vazhdojnë studimet online nga Kosova, duke marrë diploma nga të dy institucionet. Ky model studimi u ofron atyre një avantazh të konsiderueshëm në tregun ndërkombëtar të punës.

Programi Erasmus+ është një tjetër mënyrë si studentët e UNI-Universum International College, përmes shkëmbimeve Erasmus, mund të kalojnë një semestër apo edhe një vit duke studiuar në një nga 221 universitetet partnere në Evropë. Kjo përvojë u lejon studentëve të përjetojnë sisteme të ndryshme arsimore, ku mësojnë prej kulturave të ndryshme dhe mundësitë e rrjetëzimit.

Në UNI, globalizimi është një pjesë e pandashme e përvojës akademike. Studentët kanë mundësinë të eksplorojnë kultura të ndryshme, të zgjedhin lëndë të larmishme dhe të përgatiten për karriera që kërkojnë një perspektivë globale.

TI JE UNIK! Krijo suksesin tënd, me edukim amerikan. Fuqizohu nga Arizona State University, Universiteti më i madh publik në SHBA. Studio në UNI duke aplikuar këtu! /KultPlus.com

Zbulohet murali kundër femicidit në Kosovë

Një grua me kokën lartë, me lule në dorë dhe rreth saj këpucë të kuqe të shpërndara, është murali i punuar nga disa të rinj përmes të cilit përçohet mesazhi për luftim të femicidit dhe garantimit të barazisë gjinore.

Ky mural përmes të cilit janë përkujtuar viktimat e dhunës në baza gjinore u zbulua sot në hapësirat e shkollës të mesme të lartë “Xhevdet Doda”, me rastin e  shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Paqes.

Murali është krijuar nga artistë të rinj të komuniteteve të ndryshme shqiptar, serb, rom, ashkali dhe egjiptian.

Për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Paqes tema për këtë vit është “Kultivimi i një kulture të paqes”./kp/KultPlus.com

Gjyshi e kujton Pjetër Bogdanin

Nga Hasan Dajaku

Tivar e Shkup,
Lezhë e Prishtinë
Ia njohin vlerën
Dhe mençurinë.

Shtegtonte si shqipe
Nëpër këto troje,
E mblodhi dijen
Si mjaltë në hoje.

Perlat i dijes,
Perlat i fesë,
I digjte armiqtë
Me flakë të rrufesë.

Në Ballkan atëherë,
(Edhe në Kosovë)
Lufta për çlirim
Pat marrë hov.

Në ballë të trimave
Ky perlat i ndritur,
Lum Guri i Hasit
Që e kishte rritur!

Lum bëj për të!
Për këtë pishtar drite,
“Çeta e Profetëve” –
Xhevahir rrite;

I rritës shqiptare,
I rritës shpirtërore,
Është diell i madh
I shenjtërisë njerëzore!

Shenjtëria një ditë
Terrin do ta mundë,
Paqja mbi dhe
Do të mbretërojë gjithkund.

Edhe në Ballkan
(Në këtë det me dallgë),
Do të mbretërojë
Shenjtëria e bardhë!

Do të kujtohet
Koha e prishtë:
Kur fqinji – fqinjin
E qëllonte thikë!…

Do të kujtohen
Si në përrallë,
Kohërat e egra,
Kohërat rrangallë!…

_____
Nga vepra “Gjyshërit e Kosovës” – Hasan Dajaku. / KultPlus.com

116 vjet nga themelimi i shoqërisë “Diell’ i Shqipërisë” në Boston

Si sot, më 19 shtator 1908 u themelua shoqëria “Diell’ i Shqipërisë” me qendër në Sauthbrixh, Boston, SHBA.

Themeluesit ishin, siç thotë vetë kanonizma (rregullorja), shqiptarë të krishterë e myslimanë, toskë e gegë.

Synimi i shoqërisë ishte hartimi, shumëfishimi dhe shpërndarja e librave në gjuhën shqipe, kurse të ardhurat e mbledhura nga shitja do të ripërdoreshin për shtypjen e librave të tjerë. Shoqëria do të kishte stemën dhe vulën e saj. / KultPlus.com

Konferencë mbi politikat kulturore novatore, në Javën e Kulturës Britanike

Në Tiranë u zhvillua konferenca “Drejt Politikave Kulturore Novatore”, ku u diskutua për strategjitë për të përmirësuar sektorin kulturor në Shqipëri.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ambasadori i Britanisë së Madhe, Nicholas Abbott dhe ambasadori i Suedisë, Nicklas Strom, ndanë vizionet dhe perspektivat e tyre për përmirësimin e politikave kulturore.

Konferenca vijoi me një panel diskutimi mbi sfidat dhe përmirësimin e politikave kulturore, ku ishin pjesemarrës Lira Pipa, Zv. Ministre e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Keti Luarasi, nënkryetare e Bashkisë Tiranë, Gilly Campbell, drejtore e Zhvillimit në Këshillin e Arteve të Irlandës së Veriut, Florent Mehmeti, drejtor i Teatrit ODA të Prishtinës si dhe Sabina Lalaj, avokate.

Ky takim bëri bashkë zëra kryesorë nga qeveria, partnerët ndërkombëtarë, arti e kultura për të eksploruar rrugë të reja për zhvillimin kulturor, gjithëpërfshirjen dhe qëndrueshmërinë./atsh/KultPlus.com

Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Shkurtër në Korçë, pjesëmarrës nga 22 vende

Në kinema “Majestic” në Korçë, u çel edicioni i 11-të i Festivalit Ndërkombëtar i Filmit të shkurtër në “Korça Film Fest 2024”, i cili mbështetet për të 7-in vit radhazi nga Bashkia Korçë.

Janë 45 filma nga 22 vende të ndryshme të botës, që konkurojnë në kategoritë: filma kombëtarë, ndërkombëtarë, studentorë dhe dokumentarë.

Festivali synon të bëjë së bashku në Korçë regjisorë nga e gjithë bota, të cilët do të shfaqin filmat e tyre, do të krijojnë lidhje të reja dhe do të zhvillojnë projektet e tyre të ardhshme. 5 prej kineastëve pjesëmarrës janë shqiptarë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.

Kategoria e filmit të shkurtër dokumentar është shtuar në edicionin e këtij viti. Drejtori Gledis Bica deklaroi për mediet se, bëhet një seleksionim rigoroz për filmat kombëtarë edhe pse nuk është shumë e lehtë që çdo vit të ketë një numër të madh filmash shqip, pasi nuk ka mundësi që të prodhohet mjaftueshëm.

Festivali u çel me një film nga Palestina që erdhi si reflektim për situatën në Lindjen e Mesme./atsh/KultPlus.com

Sonte hapet ekspozita personale e Dren Maliqit “Dren Maliqi – SPÄTWERK“

Në Galerinë Kombëtare të Kosovës, sonte do të hapet ekspozita personale e Dren Maliqit “Dren Maliqi – SPÄTWERK“ e cila është e kuruar nga Catherine Nichols.

Kjo ekspozitë prezanton punë nga viti 2003 deri në vitin 2023. Duke përfshirë fotografi, video, piktura, instalacione, postera, pjesë të bazuara në tekste si dhe forma të ndryshme të praktikave pjesëmarrëse shoqërore, punët dëshmojnë vazhdimësitë dhe shkëputjet, periudhat e pjesëmarrjes dhe tërheqjes dhe mbi të gjitha tensionin ndërmjet mendimit dhe veprimit që e karakterizon punën e Maliqit. 

Parapremiera për media dhe gazetarë mbahet nga ora 18:00 deri në 19:00./ KultPlus.com

394 vite nga lindja e Pjetër Bogdanit

Më 19 shtator 1630, në fshatin Gur të zonës së Hasit lindi Pjetër Bogdani, i njohur në italisht si Pietro Bogdano, kleriku dhe shkrimtari më origjinal i letërsisë së hershme shqiptare.

Ai mund të cilësohet si një mjeshtër i gjuhës shqipe dhe një nga poetët më të përndritur të poezisë së stilit barok në Shqipëri dhe në Evropë në shekullin XVII. Bogdani ka hyrë në kujtesën shqiptare edhe duke qenë teologu më i madh i krishterë në gjuhën tonë.

Pjetër Bogdani shkollimin fillor e kishte marrë në Bullgari. Veprimtaria e tij si klerik fetar kishte nisur më 1651, kur kishte filluar të punoj si meshtar në Pult dhe në fshatrat e Prizrenit.

Në vitin 1656 thirret në Romë për të vazhduar studimet e larta teologjike në Kolegjin e Propagandës së fesë. Aty mëson gjuhët e Lindjes, teksa diplomoi më 1658 për teologji dhe filozofi dhe morri titullin doktor.

Më pas emërtohet ipeshkiv i Shkodrës dhe administrator i Tivarit. 1663–1664: Njihet dhe i bën shërbime Kardinal Barbarigos, i cili në atë kohë jetonte e punonte në Romë.

Më 1675  fillon rrugëtimi i librit të tij “Çeta e profetëve”, të cilën e shkruan në atë kohë dhe ia paraqet Kongregatës së Vatikanit “Propagandës së Fidesë” për botim. Pastaj, ai filloi ta përkthej librin. Veprën e tij të përgatitur për botim ai e merr me vete më 1658 kur shkoi në Venedik.

Vepra e ipeshkvit Pjetër Bogdani “Cuenus Prothetarum de Christo Salvatore Mundi” e njohur me titullin shqip “Çeta e Profetëve” shkruar në gjuhën shqipe dhe italiane u rishtyp më 1691 dhe 1702 në Venedik me titull ndryshe.

 Libri “Cuneus Prophetarum”, apo sipas përkthimit të Justin Rrotës “Çeta e profetëve”, është një nga veprat më të rëndësishme të trashëgimisë sonë të vjetër letrare. Fakti që është e para vepër origjinale në gjuhën shqipe, në krahasim me veprat e autorëve paraardhës që ishin kryesisht përkthime, e bën tepër të rëndësishëm këtë libër.

Vepra “Çeta e profetëve ka në krye një seri kushtimesh e poezish shqip, latinisht, italisht, sllavisht, shkruar për nder të Pjetër Bogdani nga miq e të njohur të tij. Dy vjershat shqipe të L. Bogdanit e të L. Sumës dhe ato të vetë autorit të shpërndara në kapituj të ndryshëm të librit, me teknikën poetike përgjithësisht të sigurt janë tregues të lëvrimit të mbarë të vjershërimit shqip në këtë kohë.

Ai ishte i përkushtuar për gjuhën shqipe, të cilën e shkroi me një dashuri të madhe. Bogdani në kohën e pushtuesit osman kërkoi lejimin e librave në gjuhën amtare, teksa punoi vazhdimisht për zhvillimin e kulturës shqiptare dhe çlirimin e vendit.

Me veprat e Pjetër Bogdanit letërsia dhe gjuha letrare shqipe shënuan hapa të rëndësishëm përpara.

Murtaja ia sjell vdekjen në Prishtinë më 6 dhjetor 1689. / KultPlus.com

Shtatë çmime për shfaqjet nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në  “Summer Cult XI”

Festivali “Summer Cult XI” është përmbyllur të mërkurën në mbrëmje në Prishtinë, me sukses, me ndarjen e çmimeve.

Shfaqja më e mirë e Festivalit është shpallur “Pacienti i Dr. Frojdit”, e Teatrit të Tetovës.  Aktori më i mirë në rol kryesor luan në këtë shfaqje, Adrian Aziri. Çmimin “Regjia më e mirë” e mori regjisorja e re, Erletë Rexhepi për shfaqjen “ Katër Trëndafilat”.  Ndërsa aktorja me e mirë në rol kryesor është vlerësuar Fitore Jashari.  Aktori më i mirë në rol dytësor fitoi Blendi Arifi, ndërsa aktorja më e mirë në rol dytësor, Linda Shabani. Ndërsa Çmimi Special iu nda shfaqjes nga Shqipëria, “Impromptu”.  

Festivali “Summer Cult” , nga ky vit do të japë disa çmime për shfaqjet dhe artistët më të dalluar. “Summer Cult XI” u është dedikuar regjisorëve të rinj dhe kontributit që po japin ata në skenën teatrore. Gjashtë shfaqje nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Kosova, janë mirëpritur nga publiku në skenën e Teatrit “Dodona” me 16,17 dhe 18 shtator.

Në natën e fundit, është dhënë shfaqja nga Teatri i Gjilanit, “Një dorëzim në Spokan” . Regjia: Blendi Arifi , Aktorë: Alban Shahiqi, Florent Salihu, Djellza Dema, Blendi Arifi.

Ndërsa prej orës 20:00 u shfaq “Impromptu” nga Shqipëria. Autor: Tad Mosel, Regjia: Artemis Beluli. Luajnë: Erina Lazi, Klodian Çelmeta, Eva Gjika, Ronaldo Kolgjokaj, Shandi Ismailaj.

Programin e ka përmbyllur  premiera e leximit skenik “Anija nuk kthehet më”, që trajton dramën e emigracionit. Autore, regjisore: Eli Nura. Interpretuan me plot emocion: Hazir Haziri dhe Anisa Ismajli.  

Drejtoresha e Cult Club dhe e Festivalit, regjisorja Eli Nura ka thënë se ky ishte edicioni më i suksesshëm i “Summer Cult”. Sipas saj, vitin e ardhshëm, do të ketë risi të tjera që do ta pasurojnë edhe më tej këtë ngjarja tradicionale.

Gjatë netëve të tjera u dhanë disa shfaqje të tjera. Katër trëndafilat” , shfaqje nga Kosova. Autore: Julia Cameron, Regjia: Erleta Rexhepi. Luajnë: Donikë Zeqiri, Gresë Gashi, Uratë Shabani, Albana Gashi, Fitore Jashari, Erza Sejdiu.  “ Në të njëjtën kohë, vitin tjetër” nga Kosova. Autor: Bernard Slade, Regjia: Blerta Cakaj. Luajnë: Blerta Cakaj & Elton Tahiri. Shfaqja “Shërbëtoret” nga Shqipëria. Autor: Jane Genet, Regjia: Klajdi Malollari. Interpretojnë:  Xhoana Karaj. Erina Lazi. Fabiana Proi. Pushteti, është lajtmotivi i veprës. Solange dhe Claire janë dy motra që janë shërbyese shtëpie.  “Pacienti i doktor Frojdit” nga Maqedonia e Veriut. Autor: Miro Gavran,Regjisor: Gent M. Çajani. Interpretojnë: Muzafer Etemi, Adrian Aziri dhe Linda Shabani. Publikun e ka argëtuar në fund grupin muzikor “Third Stream”.

Në jurinë e Festivalit sivjet ishin : Besar Zahiti, aktor dhe producent, Profesor në Fakultetin e Arteve – Kosovë, Suela Konjari, aktore -Shqipëri, Ylber Nuredini, aktor, regjisor-Maqedonia e Veriut.

Në Programin e Festivalit, si edhe vitet e kaluara, nuk munguan as aktivitetet e tjera interesante. Dy punëtori me emra të njohur të koreografisë dhe pikturës, do të mbahen me 16 dhe 17 shtator në CNP, në Prishtinë (Center for Narratives Practices). Dhjetëra të rinj, kanë shprehur interesimin e tyre për të mësuar më tepër rreth këtyre zhanreve të artit.  Arjan Syknej, profesor universitar dhe koreograf i njohur si dhe Adriana Sedaj, piktore e shpërblyer me çmime për veprat e saj, kanë ndarë me pjesëmarrësit përvojën e tyre të gjatë.

Ndërkohë u mbajt edhe Konferenca Teatrore-Edicioni VI. Tema e konferencës sivjet ishte – Orientimi në të Ardhmen: Sfidat dhe Mundësitë për Gjeneratën e Re të Regjisorëve të Teatrit. Në dy sesione, profesorë të Fakultetit të Arteve, artistë të njohur të teatrit, regjisorë të rinj, aktivistë nga shoqëria civile, diskutuan dhe nxorën disa rekomandime për mbështetjen e qëndrueshme të regjisorëve dhe krijuesve të rinj.

Festivali “Summer Cult”, është  pjesë e Programit Vjetor të organizatës kulturore Cult Club, që mbështetet nga MKRS dhe komuna e Prishtinës./ KultPlus.com

Posta e Kosovës nderon periudhën e artë të pop-rokut kosovar të viteve ’80-ta

Posta e Kosovës, përmes Filatelisë së saj, ka lëshuar sot në qarkullim një emision të ri të pullave postare kushtuar periudhës së artë të muzikës pop-rok në Kosovë gjatë viteve të ’80-ta, për të nderuar grupet dhe artistët që kanë kontribuar në formimin e skenës muzikore të asaj periudhe.

Gjatë viteve të ’80-ta, në Kosovë u formuan disa grupe muzikore të njohura, si: “Gjurmët”, “Ilirët”, “403”, “Telex”, “Minatori”, “Fisnikët”, “Seleksioni 039”, “Menkis” dhe “Babilon”. Këto grupe krijuan këngë që vazhdojnë të jenë të dashura për publikun. Disa prej tyre përmes këngës kanë shprehur revoltin ndaj gjendjes sociale, censurës dhe situatës politike të kohës.

Përveç ritmeve të muzikës folklorike dhe këngës së vjetër qytetare që ishin frymëzim për këto grupe, periudha e viteve të ’80-ta është e njohur edhe për baladat e paharrueshme të muzikës rok. Këto ritme dhe ndikime kanë kontribuar në krijimin e një trashëgimie të pasur muzikore në rajon.

Posta e Kosovës është e nderuar të përjetësojë këtë periudhë të artë të pop-rokut kosovar me imazhin e dy pullave postare, duke ofruar edhe një mundësi të shkëlqyer për koleksionistët, bizneset dhe adhuruesit e muzikës për të ruajtur këtë trashëgimi të çmuar./ KultPlus.com

Muzeu “Marubi” kujton Rrok Zojzin, themeluesin e etnografisë institucionale shqiptare

Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” terhoqi sot vëmendjen e artdashësve ndaj një personaliteti si Rrok Zojzi, falë të cilit mendohet që koleksioni i negativëve prej xhami të Kolë Idromenos i përbërë prej 1296 fotografish, u bë pjesë e Institutit të Antropologjisë. Koleksioni tashmë është digjitalizuar krejtësisht dhe me një cilësi të lartë, kjo falë bashkëpunimit ndërmjet Muzeut “Marubi” dhe Institutit të Antropologjisë.

Rrok Zojzi lindi në Shkodër më 1910 dhe vdiq në Tiranë më 1995. Në vitin 1947 u emërua në krye të Sektorit të Etnografisë, të cilin e drejtoi deri në vitin 1976. Historianët e etnografisë shqiptare e konsiderojnë Zojzin si babanë e etnografisë institucionale shqiptare.

Ai u mor me studimin, mbledhjen dhe arkivimin e kulturës tradicionale shqiptare, e cila sot përbën fondin më të pasur të kësaj gjinie. Nën drejtimin e tij u krijuan pjesa dërrmuese e muzeve etnografikë në të gjithë Shqipërinë.

Fushat e kërkimit, ushtruar nga Zojzi, prekin thuajse të gjithë gamën e kulturës tradicionale. Kontribut të vazhdueshëm Zojzi dha në mësimdhënie dhe në publicizimin e dijes etnografike në median e kohës. Nën drejtimin e tij u formuan pjesa më e madhe e breznisë së etnografëve shqiptarë të periudhës së komunizmit./atsh/KultPlus.com

Gruaja me lule, murali në Shkollën “Xhevdet Doda” i realizuar nga Argjenda Azemi

Është realizuar një mural në shkollën “Xhevdet Doda” në Prishtinë, i cili është punuar nga Argjenda Azemi e që ka paraqitë një grua me lule, shkruan KultPlus.

Për këtë prurje artistike ka njoftuar drejtoresha e Drejtorisë për Kulturë në Komunën e Prishtinës, Sibel Halimi.

“Poetja e piktorja e jashtëzakonshme Frida Kahlo e shihte artin si një mjet për të ndryshuar botën dhe për të mbjellë shpresën.

Në Ditën Ndërkombëtare të Paqes, shkolla “Xhevdet Doda” është pasuruar me muralin e mrekullueshëm të një gruaje me lule në duar si simbol i forcës dhe shpresës.

Artistja Argjenda Azemi ka krijuar këtë vepër frymëzuese, për të dhënë një mesazh të fuqishëm: për t’i thënë ndal, femicidit!

Garantimi i barazisë gjinore është domosdoshmëri për një shoqëri të lirë e të drejtë”, ka shkruar Halimi./ KultPlus.com

Udhëtim artistik në skutat e errëta njerëzore

Albana Beqiri

Shfaqja e tretë që u shfaq në teatrin “Dodona” në kuadër të “Summer Cult XI” ishte “Shërbëtoret” e Jane Genetit, produksion nga Tirana. Regjisori i ri Klajdi Malollari kishte guxuar të zgjidhte për të inskenuar një nga kryeveprat e francezit Jane Genet, dramë kjo e cila ka në spikamë sjelljen e deformuar të të rinjve, të cilët e gjejnë veten bash në kulmin e krizës së modernitetit, krizë e cila u krijon njerëzve probleme me identitetin e tyre dhe lëkund raportin e tyre me vlerat që bart moderniteti e që lë gjurmë edhe në (de)formimin e karaktereve njerëzorë.

Në leximin që regjisori i kishte bërë tekstit të Genetit e trajton dhe e shpërfaq atë si një metaforë të deformimeve psikologjike, mentale e emocionale të njerëzve modernë, çka edhe funksionoi mirë në skenë.

Një dramë psikologjike, e cila ka në epiqendër dy shërbëtoret motra Solange dhe Claire, të cilat kur zonja e tyre, Madame nuk është në shtëpi “luajnë” me njëra- tjetrën duke alternuar imitimin që i bëjnë zonjës së tyre ndaj së cilës kanë ndjenja të përziera ku dallohet qartë urrejtja, lakmia e mbase mbase edhe dashuria (e sëmurë) për të. Ato performojnë para njëra tjetrës sjellje e rituale gati sadomazokiste, të cilat para së gjithash tregojnë gjendjen e tyre mentale e psikologjike që korrespondon me atë të njerëzve që jetojnë në ambiente të mbyllura e ndaj të cilëve ushtrohet dhunë veçmas psikologjike, imponim, arrogancë e pse jo edhe poshtërim. Gjithçka duket si një eksperiment social: dy shërbëtoret që fillojnë të luajnë rolin e zonjës së tyre, të cilës i shërbejnë prej vitesh (veshin rrobat e saj, imitojnë sjelljet e qëndrimin e saj, fyejnë si ajo, flasin si ajo, bërtasin si ajo) përmes kësaj loje që vetëm e pafajshme nuk është, shfryjnë gjithë urrejtjen e tyre të akumuluar prej vitesh e kur e fitojnë këtë lloj “lirie” sadomazokiste iu shpërthejnë instiktet vrasëse, çoroditjet seksuale apo edhe çfarëdo lloj tërbimi i dhunshëm.

Zonja shfaqet shumë pak në shfaqje, por ajo është e pranishme gjatë gjithë kohës, ndoshta edhe më shumë se dy shërbëtoret, pasi ajo grua ka pushtuar mendimet, sjelljet dhe jetën e dy shërbëtoreve të veta. Duket sikur ato janë në kërkim të vetes tjetër, të vetes së munguar dhe e cila me shumë mundësi është jeta e zonjës së tyre. Prandaj e duan dhe e urrejnë me të njëjtën forcë, e mbi të gjitha kanë frikë prej saj, frikë e cila kur kombinohet me urrejtjen që pjell kjo frikë i bën bashkë rreth një qëllimi final: ta vrasin zonjën e tyre që në sytë dhe mendjen e tyre është shndërruar në fatkeqësinë më të madhe të jetës së tyre.

Në jetën reale janë dy shërbëtore të shkreta që jeta u ka shkuar më papafingo dhe duke larë enët e duke pastruar, e vetmja jetë të themi dashurore e tyre është joshja e shitësit të qumështit, por ato duan më shumë, duan jetën që nuk e kanë, duan jetën e zonjës së tyre. Prandaj kthehen në dy personazhe që luajnë perfekt shndërrimin e vetvetes, shprishjen morale e emocionale të vetvetes, njëra prej tyre kthehet në personazhin e zonjës e tjetra në atë të shërbëtores, këto role i realizojnë me alternim e veçmas kur fshihen nën petkun e futen në botën e zonjës së tyre ato e bëjnë këtë në perfeksion. Është vështirë të besosh se nuk janë zonja e vërtetë. Zonja të cilën nuk e vranë dot me atë çajin prej bliri që ia përgatitën enkas, ato vazhdojnë atë lojën e tyre sadomazohiste e cila duket se është revolta e tyre e madhe. E duan këtë revoltë ndoshta ngaqë kështu ndodh me rastet e çrregullimit të personalitetit apo personalitetit të shumëfishtë. Por asgjë nuk ndodh, ato nuk arrijnë ta realizojnë dot vrasjen e zonjës, madje as me imagjinatë. Intrigat e tyre nuk japin rezultat, zotëria kundër të cilit kishin shkruar letra doli nga burgu për mungesë provash, zonja duke vrapuar për të pirë shampanjën e fitores nuk e piu çajin e helmuar të blirit dhe në këto rrethana ato nuk do të mund të kenë më as papafingon e ndyrë e as dashurinë e shitësit të qumështit. Prandaj…

Loja e aktoreve ( Xhoana Karaj, Erina Lazi dhe Fabiana Proi) ishte e arrirë, shquhej për plastikë komunikimi, gjithçka ishte shprehëse në lojën e tyre, urrejtjen mund t’ua dalloje së pari në mimikë e gjeste. Edhe dashurinë, edhe dyzimin e endjen e pavetëdijshme brenda atij personaliteti të shumëfishtë që shpërfaqnin.

Kostumografia që mbante firmën e Bora Demajt ishte në funksion të plotë të shfaqjes e cila ishte ndërtuar mbi një skenografi të kursyer.

Parë në secilin komponent të vetin shfaqja erdhi si një udhëtim teatror në skutat më të errëta të shpirtit dhe mendjes njerëzore, ku mungesa e kufijve moralë çon deri te shprishja e individit./ KultPlus.com

Pacienti i doktor Frojdit ose pacienti që nuk pranonte të shërohej

Albana Beqiri

Një burrë i fshehur poshtë një tavoline duke kërkuar mes librave dhe dosjeve të shumta, të cilat bien nga tavolina kur troket dera. Pas trokitjes në dhomë hyn një burrë i ri, i cili ende pa folur asnjë fjalë vërehet se ka probleme, të cilat reflektohen deri te gjestet dhe pamja e tij. Shpejt publiku e kupton se ambienti ku ndodhin këto është zyra e psikoanalistit të famshëm Zigmund Frojdit, ndërsa burri i ri që ngulmon që Frojdi ta dëgjojë, është Adolf Hitleri…, po po bëhet fjalë pikërisht për diktatorin e Gjermanisë, një nga njerëzit më famëkeq të njerëzimit. Ai ngul këmbë që psikoanalisti i famshëm të cilin duket se e adhuron, ta trajtojë si paciente Kristinën, vejushën Kristinë pas të cilës është dashuruar fort e me të cilën pret të martohet. Këmbëngulja mbresëlënëse e Adolfit të ri që mjeku i famshëm i cili nuk ka termine të lira për një kohë të gjatë, ta trajtojë medoemos të dashurën e tij me probleme, është fillesa e një grotesku teatror që e mban mbërthyer publikun deri në fund të shfaqjes.

Kështu nis shfaqja “Pacienti i doktor Frojdit produkt i teatrit të Tetovës, që u shfaq në kuadër të festivalit të XI “Summer cult 2024”.

Ndonëse takimi mes Frojdit të famshëm dhe Hitlerit të ri është imagjinar, i sjellë në teatër nga regjisori Gent M. Çajani tingëllon si një histori tejet intriguese. Sendërtimi teatror i një teksti të tillë si ai i kroatit Miro Gavran para së gjithash dëshmoi vizionin dhe kreativitetin e regjisorit Çajani.

Ajo çka mund të themi më tej për shfaqjen “Pacienti i doktor Frojdit” është se ajo ishte një shfaqje e aktorëve, të cilët përmes dialogëve të gjallë e situatave në pamje të parë komike, por që në thellësinë e tyre përkundrazi tingëllonin tejet dramatike e interpretuan veprën në mënyrë shterruese duke eksploruar deri në qelizë tema që kishin të bënin me vetëdijen dhe nënvetëdijen, me ndërgjegjen, me ëndrrat, me pasiguritë, me traumat e bartura nga fëmijëria si dhe me konfliktet e brendshme e luhatjet emocionale. Adrian Aziri që interpretonte rolin e Hitlerit, Muzafer Etemi atë të doktor Frojdit dhe Linda Shabani atë të Kristinës me ekspresivitetin, kreativitetin dhe energjinë që përcollën te publiku e dominuan skenën, e eklipsuan atë në mënyrë dhe formë të tillë saqë edhe sikur skena të ishte bosh pa kurrfarë skenografie, pa dekor e rekuizita, sërish publiku nuk do e vërente këtë, por do e përjetonte shfaqjen sikur vërtetë ngjarjet të zhvilloheshin në zyrën e psikoanalistit të famshëm apo edhe në një dhomë hoteli.

Shfaqja është një dramë psikologjike e veshur me tone apo elemente grotesku e humori që e mbajnë të ngërthyer publikun që nga sekonda e parë deri në të fundit.

Një farë Adolf Hitleri që siç thotë kishte udhëtuar gjatë nga Hamburgu për në Vjenë kërkon ndihmë nga psikoanalisti i famshëm për të dashurën e tij Kristinën, për siç thotë ai ta shëruar nga lidhja e saj me babain që e determinon edhe lidhjen e tyre dhe ndikon në jetën e tyre seksuale të pakonsumuar ende. Kristina e cila e di se nuk ka kurrfarë problemi te ajo, në fillim kundërshton të trajtohet nga psikoanalisti, por në fund bindet dhe pranon. Ngjarjet që zhvillohen më pas, kahja që marrin e zhyt publikun në përjetimin e një drame të thellë psikologjike e cila eksploron natyrën njerëzore dhe sekretet e mendjes.

I shtrirë në divanin e doktor Frojdit, veçmas kur i nënshtrohet hipnozës, Hitleri 30 vjeçar do të zhytet thellë e do humbasë në honet e thella të psikikës, seksualitetit, frikërave dhe zhgënjimeve të tij, të cilat do t’ia determinojnë jetën dhe psikologjinë, duke e shpënë drejt deformimit të karakterit që do dëshmohet te aftësia e tij për të hipnotizuar një popull të tërë me dogmat e tij e për të nisur një nga luftërat më të mëdha botërore.

Por lufta është larg, në shfaqje ai lufton vetëm me frustrimet e veta seksuale të cilat e çojnë në shpërthime emocionale, kriza inati dhe gënjeshtra qesharake me të cilat mundohet të mbulojë impotencën. Në të vërtetë ai është pacienti që nuk do të shërohet.

Gjetja e autorit të veprës që një dramë të tillë psikologjike ta “zbusë” me nuanca grotesku e humori e bënte atë më të lehtë për t’u perceptuar nga publiku, pavarësisht ngarkesës negative që mbarte në vete emri i personazhit kryesor. Dhe publiku e mirëpriti dhe duartrokiti gjatë./ KultPlus.com

“Enciklopedia shqiptare” mbledh redaksitë përgjegjëse në Prishtinë

Puna për “Enciklopedinë shqiptare” po vijon, ku redaksitë e ngritura sipas fushave zhvilluan takime në Prishtinë për të diskutuar e vendosur për fjalësin e përzgjedhur.

Takimet e redaksive të Shqipërisë dhe Kosovës do të vazhdojnë deri më 26 shtator. Akademia e Shkencave bën me dije se të gjitha redaksitë (27 në Shqipëri dhe 29 në Kosovë) deri atëherë duhet të kenë përfunduar njësimin e fjalësit.

Akademia e Shkencave shprehet se puna e grupit u përqendrua në probleme të njësive të diskutueshme, në shmangien e moskoherencave.

“Në takim u diskutua dhe u morën vendime për fjalësin e përbashkët të këtyre dy fushave, në procesin e kalimit nga fjalës i bashkuar në fjalës të stabilizuar, të unifikuar”, thuhet nga Akademia e Shkencave. Dy redaksitë gjegjëse për letërsinë, bënë saktësime e plotësime në punën drejt fjalësit të përbashkët të fushës.

Sipas ASHSH, redaksitë për arkeologjinë dhe lashtësinë (prof. Neritan Ceka, akad. asoc. Gëzim Hoxha, dr. Arianit Buçinca) kanë tashmë një fjalës të përbashkët, por përzgjedhja dhe stabilizimi do të vazhdojë edhe më tej. Në takimin e dy redaksive të historisë (Mesjeta, Bizanti, periudha osmane) u këmbye informacion për përgatitjen e fjalësve të fushës. Sipas Akademisë së Shkencave, redaksia e Tiranës (akad. P. Xhufi, prof. Ferit Duka, prof. Edmond Malaj), e cila e ka filluar me vonesë relative punën, ka tashmë një listë emrash e emërtimesh prej mbi njëmijë njësish, përgatitur nga Edmond Malaj.

Redaksia gjegjëse e Prishtinës ka tashmë fjalësin e vet, të gatshëm për ta këmbyer me kolegët e më tej për të kaluar nga fjalësi i bashkuar në fjalës të përbashkët.

Përfaqësuesi i redaksisë vendore të Prishtinës akad. J. Bajraktari propozoi që fjalësi i përbashkët i kësaj fushe të realizohej deri më 8 tetor, ndërsa drejtuesi i redaksisë së Tiranës akad. Pëllumb Xhufi kërkoi pak më shumë kohë.

Deri në fund të vitit edhe kjo redaksi do të jetë sinkronizuar me të tjerat./atsh/KultPlus.com

GjakovART Festival prej 22 deri më 27 shtator, prezanton gjashtë shfaqje

GjakovART Festival po shënon edicionin e parë, dhe pikërisht më 22 shtator të ketë ceremoninë e hapjes me shfaqjen “Dredhit’ e Patukut” për të vazhduar me shfaqje të tjera deri më 27 shtator, shkruan KultPlus.

Ky festoval do të mbahet në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi” në Gjakovë, dhe të gjitha shfaqjet do të jepen prej orës 19:00.

KultPlus ju sjell programin e plotë të këtij festivali.

1. Dredhit’ e Patukut (22 Shtator)

2. Babai dhe Babai (23 Shtator)

3. Audienca (24 Shtator)

4. Fluturimi mbi Folenë e Qyqes (25 Shtator)

5. Na Ishte Njëherë (26 Shtator)

6. Togeri nga Inishmori (27 Shtator)/ KultPlus.com

‘Jam pasioni i heshtur, në vatër pa oxhak, në luftë pa shpatë’

Poezi nga Hermann Hesse (Nobel, 1946)

Jam një yll

Jam një yll në universin qiellor,
Që vëzhgon dhe përçmon botën,
Dhe tretet brenda dritës së vet.

Jam deti që tërbohet natën,
Deti që ankohet, rënduar nga viktimat,
Bashkë me mëkatet e vjetra, mbledh edhe të reja.

Kam mërguar nga bota juaj,
I rritur në krenari dhe i tradhtuar prej saj,
Jam mbret pa atdhe.

Jam pasioni i heshtur,
Në vatër pa oxhak,
Në luftë pa shpatë,
I sëmurur nga vetë forca ime. / KultPlus.com

95 vite më parë botohej gazeta “Arbënia”

Më 19 shtator 1929, botohet në Tiranë gazeta “Arbënia”.

Ky organ shtypi u shqua për oponencën ndaj administratës së vjetër të trashëguar nga Perandoria Osmane. Këta funksionarë qenë objekt i penës shpotitëse të së përditshmes, në faqet e të cilës, ata cilësoheshin si “analfabetë” dhe “anadollakë”.

Sipas gazetës, përmes këtyre individëve kishte depërtuar në makinën shtetërore korrupsioni galopant dhe stanjacioni intelektual, duke e katandisur administratën, sipas fjalëve të Mehmet Konicës (gazeta “Arbënia” , dt. 08.05.1930) “…në një makinë të bërë me vegla të ndryshme, të shtrembra dhe këtu-atje ndonjë vegël e re”.

Për nga ndikimi në opinionin shoqëror dhe nga fryma antiqeveritare që përçonte, gazeta u ndalua nga ministri i Brendshem i kohës, Musa Juka. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave sjell foto nga korrespondenca mes Legatës Italiane dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë, mbi ndalimin e botimeve të gazetës “Arbënia”./atsh/KultPlus.com

81 vite nga vdekja e profesorit dhe veprimtarit shqiptar Safet Butka

Sot janë bërë 81 vite nga vdekja e profesorit, publicistit dhe veprimtarit kombëtar, Safet Butka, shkruan KultPlus.

Safet Butka u lind në Butkë, të Kolonjës, më 10 gusht, 1901. Pasi mbaroi shkollën fillore në fshatin e tij të lindjes, ai shkoi për studime të mëtejshme në Linz, Austri, ku përfundoi shkollën e mesme.

Gjatë qëndrimit të tij në Linz ai mori me vehte kushëririn e tij të, të riun Qemal Butka, një arkitekt i famshëm shqiptar, i cili më vonë do të bëhej kryetari i bashkisë së Tiranës. Pas shkollës së mesme, Safet Butka shkoi për të studiuar në Universitetin e Gracit, ku ai u diplomua me nderime në filozofi në vitin 1928.

Në Austri, ai ishte organizatori i shoqatës studentore “Shoqëninë e studentëve shqiptarë Albania” bashkë me Aleks Budën, Eqerem Çabejn, Krist Malokin, Lasgush Poradecin, kushuririn Qemalin, Skënder Luarasin, etj.

Botoi një koleksion të poezisë së zgjedhur të Naim Frashërit (“Naim Frashëri, vjershëtori dhe edukatori kombëtar“)dhe në vitin 1925 një studim mbi veprën e Naim Frashërit (“Naim Frashëri një shëmbull, një udhëheqës dhe një ideal për djalërinë shqiptare”).

Ai u kthye në Shqipëri në vitin 1928 dhe u emërua profesor në Liceun Francez të Korçës. Në vitin 1929 ai u martua me Hatixhe Lubonjën, me të cilin ai kishte 4 fëmijë.

Nga 1928 në 1939 ai punoi si mësues dhe drejtor në shkolla të ndryshme të mesme në qytetet shqiptare të Korçës, në Instutin Tregtar të Vlorës dhe në Normalen e Gjirokastrës, ku shërbeu dhe si drejtor.

Ai ishte edhe drejtori i Klubit të parë Shqiptar të Mesimdhënësve dhe ishte një nga profesorët e parë që zbatoi metodat perëndimore në procesin e mësimdhënies në vendin e tij.

Bashkëorganizator me ministrin e Arsimit Faik Shatkun, për kthimin e eshtrave të Naim Frashërit nga Turqia në Shqipëri. Në këtë kohë ai shkruajti artikuj në revista pedagogjike, sociale dhe filozofike. Botoi mjaft shkrime problemore në shtyp si: “Për të nesërmen shqiptare”, “Për zhvillimin e gjuhës”, “Mbi edukatën kombëtare”, “Po shqiptarizmit dhe Perëndimit” etj.

Kulmin si edukator në shërbim të brezit të ri, ai e arriti gjatë kohës që punonte si drejtor i Gjimnazit të Tiranës, ku iu priu intelektualëve dhe studentëve në demostratave të para antifashiste në prag të pushtimit të vëndit, më 4 prill 1939 duke kërkuar armë dhe si mësues i shqipes në Gjimnazin e Shkodrës më 28 nëntor 1939 dhe 30 janar 1940. Për këto aktivitete ai u arrestua, i akuzuar si antifashist u arrestua më 2 shkurt dhe u internua në ishullin e Ventotenes në Itali, nga autoritetet fashiste./KultPlus.com

25 vite nga themelimi i TMK-së

Sot bëhen 25 vite nga themelimi i TMK-së, ku sipas marrëveshjes së Kumanovës dhe në pajtim me marrëveshjen e Rambujesë, ishte paraparë çarmatimi i ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe transformimi i saj në Trupat Mbrojtëse të Kosovës.

Me hyrjen e trupave ushtarake të NATO-s, KFOR-it, në Kosovë në vitin 1999 filloi edhe transformimi i UÇK-së, duke përfunduar në vitin 2000.

Udhëheqësi i parë i TMK-së u emërua Gjeneral-lejtnant, Agim Çeku. Sipas marrëveshjes, detyrat dhe të drejtat e TMK-së në atë kohë ishin veprimi për ndalimin dhe zvogëlimin dëmeve nga katastrofat natyrore dhe aksidentet, ofrimi i ndihmës në zona të rrezikuara, ndihma në pastrimin e fushave të minuara, ndihma për ri-ndërtimin dhe komunitetet.

TMK-ja u themelua në kohën e fillimit të organizmit institucional të vendit, që po ndodhnin jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon, e cila rritej e forcohej por në kushte jo të mira dhe paga të ulëta.

Më 2 shkurt 2007 i dërguari special për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, dorëzoi propozimin e tij në Prishtinë dhe Beogradi, “Standardet për Kosovën”, në të cilën parashihej edhe shpërbërja e TKM-së, dhe krijimi i një force të re.

“Do të krijohet një forcë e re, profesionale dhe shumë-etnike për sigurinë e Kosovës, e cila do të jetë e armatosur lehtë dhe do të jetë e aftë të mbulojë nevoja të caktuara të sigurisë sipas Shtesës VII të kësaj marrëveshje. Trupat Mbrojtëse të Kosovës, pasi e arritën qëllimin e tyre, duke përfshirë këtu lehtësimin e rindërtimit pas lufte të Kosovës. Ato do të shpërndahen 1 vit pas miratimit të kësaj marrëveshjeje”, shkruhej në Planin e Ahtisaarit.

Shpërbërja e TMK-së është bërë me pajtimin e të gjithë faktorëve relevantë vendorë dhe të huaj. Më 21 janar 2009 u krijua Forca e Sigurisë së Kosovës, e cila fillimisht kishte përgjegjësi që të përballet me katastrofat e rënda, siç janë tërmetet, vërshimet ose zjarret që mund të kërcënojnë Kosovën.

Para pesë vjetësh FSK është shndërruar në ushtri të Kosovës, kurse Ministria e FSK-së në Ministri të Mbrojtjes. / Express / KultPlus.com

Media franceze “Stars Insider”: Lëreni mënjanë Italinë dhe Cote d’Azur, drejtohuni në Shqipëri!

Lëreni mënjanë Italinë dhe rivierën franceze Cote d’Azur, drejtohuni në Shqipëri!

Bregdeti shqiptar është padyshim sekreti më i mirë i ruajtur në Evropë. Zbulimi i një perle të fshehur në Evropë është bërë gjithnjë e më i vështirë, sipas një artikulli të publikuar në të përditshmen franceze “Stars Insider”.

Planifikoni një udhëtim në vendin e vogël mesdhetar me çmime të përballueshme! Në fund të fundit, Evropa është kontinenti më i vizituar në botë.

Dhe dëshira është edhe më e fortë kur bëhet fjalë për një destinacion buzë detit.

Pra, nëse planifikoni të udhëtoni – drejtohuni drejt Ballkanit, i cili ka shumë për të ofruar dhe për arsye shumë të vlefshme.

Zbuloni më të mirën e kësaj perlë të fshehur evropiane.

E vendosur në veriperëndim të Greqisë, Shqipëria ka jo një, por dy dete: Detin Jon, i cili kalon nga bregu perëndimor i Greqisë, dhe Adriatikun në veri.

Dëshmi e vendndodhjes së privilegjuar të Shqipërisë, – vendi, i cili ka një vijë bregdetare prej 426 kilometrash – ndodhet afërsisht 96 kilometra nga rajoni italian i Pulias, i famshëm për plazhet dhe ndërtesat e saj.

Fluturimi drejt vendit ballkanik është shumë më i lehtë se disa vite më parë. Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës “Nënë Tereza” ofron fluturime ndërkombëtare përmes linjes ajrore “Air Albania”.

Riviera Shqiptare

E njohur si bregdeti jugor i vendit, me pamje nga deti Jon është vendi ku ndodhen plazhet më të njohura të vendit.

Duke qenë se bregdeti është ende relativisht i panjohur për turistët e huaj, mënyra më e mirë për të eksploruar plazhet është me makinë.  Marrja me qira e një makine në qytet është e lehtë dhe e përballueshme.

Akomodimi

Qyteti i Himarës është një opsion perfekt për turistët me buxhet të kufizuar.

Për diçka më të pasur, Dhërmiu është alternativa ideale. Mos prisni hotele me 5 yje, por nëse jeni duke udhëtuar drejt bregdetit shqiptar, me siguri do të përpiqeni të shmangni këtë lloj turizmi plazhi.

Nëse jeni më aventurier dhe kërkoni një akomodim të thjeshtë, fshati i Vunos është vendi duhur për t’u vendosur.

Nëse dëshironi të kombinoni sa më shumë opsione, qëndroni në Sarandë, zona turistike e vendit që ndodhet pranë kufirit me Greqinë.

Kamping

Pse të mos zgjidhni një plazh dhe kampingun? Kampinget në natyrën e egër lejohen në pjesën më të madhe të vendit.

Plazhet më të mira

Bregdeti shqiptar është i mbushur me plazhe që ndërthuren me fshatra piktoreskë, rrugë me kalldrëm dhe kisha ortodokse që presin të eksplorohen.

Vlora

Qyteti i tretë i më i madh Shqipërisë është gjithashtu një destinacion i jashtëzakonshëm plazhi.

Duke marrë një varkë nga porti, mund të arrini në gjiret e pacënuara të Karaburunit dhe Sazanit.

Nartë, Vlorë

E vendosur 15 minuta me makinë nga Vlora, ky fshat ka një lagune të mrekullueshme blu.

Nga këtu mund të udhëtoni edhe në Zvërnec, një ishull me një manastir ortodoks të shekullit të XVIII të fshehur në pyll.

Plazhi i Dhërmiut

I ndodhur në afërsi të Dhërmiut, ky plazh është ndoshta më i famshmi në mesin e plazheve shqiptare. Me një rrip të gjatë me rërë të bardhë dhe ujëra bruz, rrallë është i mbushur me njerëz.

Gjiri i vogël që ndodhet pranë fshatit ka një formacion piktoresk shkëmbor që ndan plazhin me guralecë nga plazhi me rërë.

Plazhi i Jalës

Shpesh i quajtur “plazhi i qelqtë” për shkak të ujërave të tij të pastra kristal, Plazhi i Jalës është gjithashtu një vend i njohur për kamping.

Për të shkuar në plazh do t’ju duhet të ecni 3 kilometra në këmbë, ndaj merrni me vete ujë dhe ushqime.

Në fund të shtegut do të gjeni ujëra të ngrohta, të pastra dhe një rrjet shpellash që presin për t’u eksploruar.

Plazhi Himarës

I klasifikuar më parë si një vend ideal, Himara është gjithashtu një vend i përsosur për argëtim në plazh.

Plazhi i Livadhit

I ndodhur në afërsi të Himarës, ky plazh është i aksesueshëm në këmbë. Me bare, restorante, shezllone dhe çadra me qira, është një nga plazhet më të pajisur në zonë.

Porto Palermo

Nëse doni të plotësoni aventurën tuaj në plazh me një vizitë në një kështjellë, mos kërkoni më tej.

Kalaja – e cila daton nga sundimi venedikas në Shqipëri – shërbeu si bazë nëndetëse gjatë sundimit komunist dhe tani është gjysmë e braktisur.

Plazhi i Borshit

Plazhi më i madh në Shqipëri shtrihet në një vijë bregdetare prej 7 kilometrash. I rrethuar nga ullishte dhe maja malesh, Borshi është një perlë e vërtetë e paeksploruar.

Saranda

Kryeqyteti jozyrtar i Rivierës Shqiptare, Saranda është shtëpia e Plazhit të Pulëbardhës, një plazh me guralecë i mbuluar nga ujera blu dhe natyra e paprekur.

Plazhi i Pasqyrave

Plazhi i Pasqyrave është arratisja e përsosur për ata që kërkojnë ujëra të pastra kristal pa turma.

Syri i Kaltër

Edhe pse nuk është një zonë plazhi, Syri i Kaltër është i përkryer për not – i rrethuar nga peizazhe të bukura natyrore.

Plazhi i Ksamilit

I vendosur në jug të Sarandës, pranë kufirit me Greqinë, Ksamili njihet si “perla e Jonit” për shkak të bukurisë së tij natyrore./atsh/KultPlus.com