Gjyshi e kujton Pjetër Bogdanin

Nga Hasan Dajaku

Tivar e Shkup,
Lezhë e Prishtinë
Ia njohin vlerën
Dhe mençurinë.

Shtegtonte si shqipe
Nëpër këto troje,
E mblodhi dijen
Si mjaltë në hoje.

Perlat i dijes,
Perlat i fesë,
I digjte armiqtë
Me flakë të rrufesë.

Në Ballkan atëherë,
(Edhe në Kosovë)
Lufta për çlirim
Pat marrë hov.

Në ballë të trimave
Ky perlat i ndritur,
Lum Guri i Hasit
Që e kishte rritur!

Lum bëj për të!
Për këtë pishtar drite,
“Çeta e Profetëve” –
Xhevahir rrite;

I rritës shqiptare,
I rritës shpirtërore,
Është diell i madh
I shenjtërisë njerëzore!

Shenjtëria një ditë
Terrin do ta mundë,
Paqja mbi dhe
Do të mbretërojë gjithkund.

Edhe në Ballkan
(Në këtë det me dallgë),
Do të mbretërojë
Shenjtëria e bardhë!

Do të kujtohet
Koha e prishtë:
Kur fqinji – fqinjin
E qëllonte thikë!…

Do të kujtohen
Si në përrallë,
Kohërat e egra,
Kohërat rrangallë!…

_____
Nga vepra “Gjyshërit e Kosovës” – Hasan Dajaku. / KultPlus.com

‘Si copë e shkëputun nga malet, burrëria e Prizrenit brufulloi’

Nga Hasan Dajaku

Gjyshërit e Lidhjes Shqiptare

Perandoria ofkëllonte,
Dridhej si skelet –
Gjymtyrët e këputura
Ia shisnin në treg.

Endej nëpër Berlin
Si njerkë e ligë,
Tregun ia bëjnë
Me çmim të lirë:

M’i lini këto vilajete,
I kam “fëmijë” e “xhan”!
Shtetet ndanin për qejfi,
Atë e fusnin dorëzan:

Merre këtë copë, s’ka gjë,
Vetëm të jemi miq!…
Tretej perandoria
Dhe sillej lakuriq.

Lakuriq ish shpirti i saj
Tek thërriste “fëmijë” e “xhan”,
Pranonte çdo detyrim,
Hynte paturpshëm dorëzan.

E mbaj mend si sot
Atë kohë të turbullt me re:
Ishte kohë e brengës së madhe,
Që djeg me flakë e rrufe!

Muhaxhiri ecte i menduar
Pas qerres me fëmijë,
Si ëndërr e bukur, e pikëlluar
I shfaqej në sy një çati.

E di çupa ime e dashur,
E dhjeta e djalit Qershor,
Që erdhi shpejt, si flutur,
Më foli me zë gazmor:

Ç’po ndodh në Prizren!
Eja, gjysh, ç’po ndodh…
Më tha mbesa ime,
E dhjeta e djalit Qershor.

Nga Sharri zbrita n’kala,
Në kala pushova një çikë,
Prizreni kishte dasmë,
Dasmë po bëhej atë ditë.

Prizreni madhështor
Kishte ngritur çati,
Një qiell të kuq:
Qiellin e agimit të ri!

U lidh besa e madhe:
Dora – dorën shtrëngoi,
Si copë e shkëputun nga malet
Burrëria e Prizrenit brufulloi.

E lulëzuar ishte kjo copë
Me plis e fustanellë të bardhë,
Ngjyrën e maleve e fushave
Ajo copë me vete kish marrë.

Më kujtohet Abdyl Frashëri,
Ballëlart e krenar,
Si priu në valle,
Në valle që hidhte zjarr.

Nga kreu i valles foli,
Të gjithë e ndëgjuan.
Në plaku mjekërbardhë
Lotët i rrodhën çurg.

Perandoria të mos flasë në emrin tonë!
Të mos na thërras as “fëmijë” as “xhan”,
Me të jemi prerë e grirë,
Për tokën tonë pse hyn dorëzan?

Dhe foli: Berlini gumëzhin
Si treg i keq…
Brohoritën vasha e trima,
Si Drini gjëmuan ca pleq.

Perandoria le ta shesë
Veten dhe çallmen e vet!
Foli Abdyli ballëlart,
Zemrat gufuan përpjetë.

Perandoria është helmatisur,
E helmatisur çdo gjë e saj,
Plane tinëzare ka kurdisur,
O vëllezër, të na përçaj’.

Trimat shtinin me malherë,
Kë qëllonin plumbat, vallë?
Qëllonin perandorinë tinëzare
Dhe qiellin e errët të saj!

____

Vepra “GJYSHËRIT E KOSOVËS” / KultPlus.com

“Kur s’u duhesh më, kur t’ua prishësh terezinë, do të të hedhin si letrën e ndyrë”

(Duhet të bëhesh i butë si lepuri, duhet të përtypësh si bualli, si sojka duhet ta ndërrosh gjuhën. – Mundesh?…)

– Si shpërblim do të të japin mish të butë, pa eshtra; do të lahesh në bazene qumështi, do të të dëfrejnë me lavire barkbuta; pallati yt do t’ia kalojë qindra herë kullës sime, por do të lodhesh duke pritur diellin tënd, qielli yt mund të mbetet sterrë i zi dhe, siç është e natyrshme, do të vijë fundi. Mund të ndodhë edhe një gjë, para se të vijë fundi: Kur s’u duhesh më, kur t’ua prishësh terezinë, do të të hedhin si letrën e ndyrë. Çka do të ndodhë me të vërtetë nuk e di, por e di se do ta kesh vështirë, mundet edhe t’u lakmosh të vdekurve…

Pastaj të pyesin: Pse jetove?
Të pyesin: Pse e zgjodhe këtë rrugë?
Do të pyesin: Çka bëre?
Do të të akuzojnë për netët e gjata të robërisë,
Do të të akuzojnë për vuajtjet që u kanë rënë mbi kokë,
Do të të fajësojnë për çdo gjë që ke bërë
Dhe për atë që ke pasur mundësi ta bësh
E nuk e ke bërë.
Mund t’i përballosh akuzat, komandant i ri?

Do të të pyesin:
Pse flisje kur duhej të heshtje?
Pse heshtje kur duhej të flisje?
Pse e lavdëroje dreqin?
Pse i shaje pëllumbat?
Pse i trembje zogjtë?
Pse? Pse? Pse?
Rrebeshi i pyetjeve nuk do të ketë të sosur.
Gjyqi yt do të zgjasë shumë.
Mundesh, o komandant i ri?

Dhe mund të të akuzojnë për tradhti, për shëmtinë më të madhe me të cilën akuzohet njeriu.
Mund të qëndrosh, komandant?
Mund të qëndrosh, o njeri?…

Pjesë nga monodrama “Komandanti” 1996 – Hasan Dajaku . /KultPlus.com

Gjyshërit e Lidhjes Shqiptare

Nga Hasan Dajaku

Perandoria ofkëllonte,
Dridhej si skelet –
Gjymtyrët e këputura
Ia shisnin në treg.

Endej nëpër Berlin
Si njerkë e ligë,
Tregun ia bëjnë
Me çmim të lirë:

M’i lini këto vilajete,
I kam “fëmijë” e “xhan”!
Shtetet ndanin për qejfi,
Atë e fusnin dorëzan:

Merre këtë copë, s’ka gjë,
Vetëm të jemi miq!…
Tretej perandoria
Dhe sillej lakuriq.

Lakuriq ish shpirti i saj
Tek thërriste “fëmijë” e “xhan”,
Pranonte çdo detyrim,
Hynte paturpshëm dorëzan.

E mbaj mend si sot
Atë kohë të turbullt me re:
Ishte kohë e brengës së madhe,
Që djeg me flakë e rrufe!

Muhaxhiri ecte i menduar
Pas qerres me fëmijë,
Si ëndërr e bukur, e pikëlluar
I shfaqej në sy një çati.

E di çupa ime e dashur,
E dhjeta e djalit Qershor,
Që erdhi shpejt, si flutur,
Më foli me zë gazmor:

Ç’po ndodh në Prizren!
Eja, gjysh, ç’po ndodh…
Më tha mbesa ime,
E dhjeta e djalit Qershor.

Nga Sharri zbrita n’kala,
Në kala pushova një çikë,
Prizreni kishte dasmë,
Dasmë po bëhej atë ditë.

Prizreni madhështor
Kishte ngritur çati,
Një qiell të kuq:
Qiellin e agimit të ri!

U lidh besa e madhe:
Dora – dorën shtrëngoi,
Si copë e shkëputun nga malet
Burrëria e Prizrenit brufulloi.

E lulëzuar ishte kjo copë
Me plis e fustanellë të bardhë,
Ngjyrën e maleve e fushave
Ajo copë me vete kish marrë.

Më kujtohet Abdyl Frashëri,
Ballëlart e krenar,
Si priu në valle,
Në valle që hidhte zjarr.

Nga kreu i valles foli,
Të gjithë e ndëgjuan.
Në plaku mjekërbardhë
Lotët i rrodhën çurg.

Perandoria të mos flasë në emrin tonë!
Të mos na thërras as “fëmijë” as “xhan”,
Me të jemi prerë e grirë,
Për tokën tonë pse hyn dorëzan?

Dhe foli: Berlini gumëzhin
Si treg i keq…
Brohoritën vasha e trima,
Si Drini gjëmuan ca pleq.

Perandoria le ta shesë
Veten dhe çallmen e vet!
Foli Abdyli ballëlart,
Zemrat gufuan përpjetë.

Perandoria është helmatisur,
E helmatisur çdo gjë e saj,
Plane tinëzare ka kurdisur,
O vëllezër, të na përçaj’.

Trimat shtinin me malherë,
Kë qëllonin plumbat, vallë?
Qëllonin perandorinë tinëzare
Dhe qiellin e errët të saj!

____

Vepra “GJYSHËRIT E KOSOVËS” / KultPlus.com

“Sado e trashë të jetë maska, e vërteta të gjitha do t’i çjerr”

Nga Hasan Dajaku

– Në emër të shqiponjave flas,
Dëgjuam ç’tha dhelpra me lot e gaz,
Dashka mirënjohje, të derdhet ne bronz,
Dashka, sa shumë dashka, ç’tifoz?!

Vërtet hyri ne shpella dhe ka dalë,
Vërtet u end errësirave, jo për pallë,
As për ndonjë qëllim të lartë si thotë
Dhe nuk di pse derdh lot e lot?!

Flet. E pse të flasim kot se ç’qe dje?
Vepra e bërë të tregon sinqerisht cili je,
Lustra e fjalëve asgjë nuk të mbulon, jo,
E ajo do, kot o tepër do.

Kot, sado e madhe të jetë lustra e territ;
Kot, sado e trashë të jetë maska;
E vërteta të gjitha do t’i çjerri,
Del në shesh tmerri e maskra;

Kot që maskohesh,
Kot që masakrohesh!

Kush i vodhi zogjtë e ketrit mbrëmë?
Ç’ka bilbili si natë pa hënë?
Pse foletë mbeten pa zogj?

Nderi i takon fisit speriolog,
Edhe tmerri,
Edhe sherri,
Edhe kurtha,
Edhe fjalët e buta,
Edhe sytë pa ujë,
Edhe fjalët me bujë…

  • Nga “Poema e Dardanit” (Kuvendi i Dhelprës), vitet 70′ – Hasan Dajaku. / KultPlus.com

Miqësia e lidhur me litar

Nga Hasan Dajaku

Një bretkocë e pakokë,
Në lumë si s’gjeti shokë?!
Doli në breg,
Te një shelg
Me një mi zuri miqësi,
Shtruan sofrën, bënë gosti.

Miu u kujtua njëherë:
“Malli, bretkë, kur t’më merr
Si të thërras,
Ku të trokas?
Ti nuk ke shtëpi, as derë…

Lidhemi, motër, me litar,
Si në dimër, si në behar
Te ky breg,
Te ky shelg
Dalim kur të na merr malli,
Edhe kur të na zë halli!”

Miu brente nëpër tokë,
Bretka në lumë pa shokë…
Ishin lidhur me litar,
Miqësi, vërtet, e paparë.

Një skyftër krahëlehtë,
Që i kalon malet e retë,
E zë miun,
Fatziun,
Pas miut bretkoca shkoi
Se litari nuk e lëshoi…

Foli bota, qeshi bota:
– Ja, fluturoi bretkoca…                                                                       
– E pësoi ashtu si deshi…
– Lidhi këmbë te i keqi…

(Makinëshkrim, e gjetur te letrat e Hasan Dajakut, botuar për herë të parë pas 30 vitesh, 2015 ) / KultPlus.com

Gjyshi ynë foli kështu: E dua Kosovën për qëndresë, e për të bardhën besë!

Poezi nga Hasan Dajaku

“Gjyshi ynë foli kështu”

E dua Kosovën për qëndresë
E për të bardhën besë!

E dua me trimninë e Mic Sokolit,
Me dashurinë e Hasan Prishtinës,
Me urtinë e Shtjefën Gjeçovit,
Me bukurinë e Shote Galicës!…

E dua për bjeshkët harkore
Që e qarkojnë,
E mbajnë në gji
Këtë djep dashuri!

E dua për begatinë,
Për bujarinë,
Për blerimin dhe dashurinë!

Drini rrjedh dashuri,
Ibri rrjedh dashuri,
Lepenci e Nerodimja rrjedhin dashuri
Që nga dardanët,
Dhe përtej tyre
Rrjedhin ëmbël, ëmbël
Si këngët ilire…

Thjesht: Kosovën e dua!

– Gjyshërit e Kosovës – / KultPlus.com

Jo, nuk matet vargu me hap

Nga Hasan Dajaku.


Ç’ka Dardani që rri menduar?
Ç’hall ka ai? Kush e di?…
Ka hyrë në kopsht të madh
Dhe po zgjedh lule për poezi.

Për temë zgjodhi jetën në shkollë,
Marsin e nisi thjesht, me mollë:
Dikush kaloi telat, ulet, përkulet,
Tinëzisht këput frutat pa u rënë lulet,
Dega e këputur rrjedh qumësht të bardhë,
N’mes shoqesh qëndron e zhgrehur n’vaj…

Kush, vallë, që ai
Që s’e pa asnjë sy?!

Dardani mendoi se e kaloi marsin:
“Po hyj në shqoten e prillit mirë…”
Pesë dy herë i kishte fshirë,
Domosdo i kishte shkruar prapë.
“Jo, nuk matet vargu me hap,
Nuk shkruhet vjersha me një frymë!

E sheh se këtu mungon një rimë?…”

Vargu i tetë sikur thirri: ” Hopa… Hopa.
Vjersha nuk i duron gjithë këto gropa!”
“Durim, thirri Dardani, Durim,
Të ëmbëlsoj, o vargu im…”

Nga Droja e Dardanit – Hasan Dajaku / KultPlus.com

“E di, si thitë do të ma buçkasin livadhin që të mos kenë ku të dalin lulet, por nga trimat nuk ndahem”

 

 (Heshtje e gjatë. Sikur i dëgjon fjalët e dikujt).

…E di, e di… do të ma rrethojnë kullën, këtë kullë e kam ngritur me gurë të zgjedhur, një nga një si xhevahirët i mblodha gurët në Qyqavicë e Kosmaq, kam vajtur edhe në Dreth, atje i nxora qemerët, i kam gdhendur ngadalë e me kujdes, i kam përkëdhelur si djemtë, si vajzat e mia, i kam uruar… e di, e di: gurët e vatrës do t’m’i nxijnë, do të ma shkretërojnë truallin; në vend të luleve do të mbijnë ferrat; do të ma presin blirin, në vend të tij do të mbijë kaçë e dreqit… e di, e di: do të ma shterrin kroin, një kohë të gjatë nga ai nuk do të rrjedhë ujë – brevat mbi të do të bëjnë roje; do të m’i përmbysin arat; do të ma thajnë pyllin; si thitë do të ma buçkasin livadhin që të mos kenë ku të dalin lulet, ku të enden fluturat, që të mos kenë delet çka të kullosin… por nga trimat nuk ndahem. Më kanë dhënë besën. Ua kam dhënë besën se do t’i dua siç më donë, se do t’i dëgjoj siç më dëgjojnë, se do t’i mbroj siç më mbrojnë. Nga trimat nuk ndahem!…

_____

Nga monodrama “KOMANDANTI” – Hasan Dajaku. / KultPlus.com

Trembem për njerëzit, Genc

Poezi nga Hasan Dajaku

Trembem për njerëzit, Genc!

Lumi i lotëve nuk ka të sosur.
Armiqësitë e kanë ngrënë botën, mik.
Rri me zemrën tënde, Genc.
Të shtypet zemra është mekat!
Tiranët s’bëjnë gjë tjetër:
Shtypin zemrat,
Shkelin ëndrrat,
Copëtojnë popuj,
Nisin lufta të përgjakshme.
Tiranët s’bëjnë gjë tjetër në këtë botë;
Shkelin, shtypin
E njerëzit heqin të zinjtë!
Trembem për njerëzit, Genc!…

Mohimi


Hasan Dajaku

U nisën kafshët vargan – vargan
Me plagë në shpirt, plot dëshpërim,
Erdhën… si erdhën në Ballkan,
Në det të egër, ku s’ka shenjtërim!

Ku mbytet paqja me gjak fëmijësh,
Urrejtja e egër mirësinë mohon,
Qyqja vashëmbushur – pikëllim,
Nuk gëzon, bre kurrë – vetëm qyqon!

Djall e i bir’ mbollën urrejtje,
Lubia e egër mbolli çmendi.
Gogolë, fantazmë ngriten pushtet,
Shuhet në lindje agimi i ri.

Ora Shqiptare sogjon nga Alpet,
Flokët diellorë era ia kreh,
Hëna e argjendtë i shpalon plagët:
Do derdhet gjak siç u derdh dje?! / KultPlus.com


Gjyshi i Mesjetës

Poezi nga Hasan Dajaku.

Disa kishin fustanellë,
Disa tirq e xhamadanë:
Edhe atëherë kishte dasma,
Çupëzat thurnin gjerdanë;

Gjerdanë me flutura e lule,
Gjerdanë me lule ëndrrash,
Mbretërit të egër vinin,
Nxirrnin ligje të rënda:

– Beso si të them unë!
Kryqi im sjell dritë,
Të godas, të djeg në fytyrë,
Të përzë, të djeg shtëpinë…

Si janë mbretërit, si janë…
Pse t’mos besoj si më pelqën?!
Kam parë me sytë e mi
Njeriu – njeriun duke e djeg’!

Gjyshërit e Mesjetës hodhën valle,
Ata shpaluan shumë kujtime:
Kosova ka dragoj e zana,
Kosova do të presë gëzime!
____________
“Gjyshërit e Kosovës” – Hasan Dajaku

Dollia

Poezi nga Hasan Dajaku.

Nata qiellin kishte qëndisur
Me yj shkëndijë.
Qiejve të viteve vetëtin
Kujtimet si yj.

Në yjët e kujtimeve
Si hark i kuq
Vetëtin kujtimi i shqipeve
Dhe qiellin skuq.

I kuq qielli i kujtimit,
Kuq si tokë.
Gjithë këtë kuqëlim kish marrë
Në gjak heronjsh.

Dh, tek ngrisnin dollinë,
Gjyshërit e heshtur,
Plagët e tyre mu si diej
N’gjoks u kanë mbetur.

Dhe ja, po hyjnë në valle
Radhë e radhë:
Gjyshërit e Lidhjes Shqiptare
Vrullin zjarr!

“Gjyshërit e Kosovës” – Hasan Dajaku

Nji kangë për ty

Poezi e shkruar nga Hasan Dajaku.

U farkove n’latë e kohnave,
Flamujt e gjakut i qëndise n’ballë,
N’krah të shekujve lule u rrite
Me gjak në zjarr të valë.

Bishat me dhëmbë shkëmbi e duar zjarri
U vërsulën më t’thurë n’robëri,
Grushtat e shtërnguar kulluan pika gjaku,
Dielli buzëqeshi në liri.

Koha bluajti lot, theu kokrra gjaku
Me gurë të saj zemrat i bani hi,
Drita s’e humb forcën…
Zgjidhet laku,
Merrët haku,
Dielli agon prapë në liri…

Punëtor je, zemra e tokës,
Dritë e diellit që s’fiket kurrë;
Punëtor je, shpresë e botës,
Zemër e qiellit që s’shkelet kurrë!

N’gjiun tënd gjej shpirtin e jetës –
Dy vargje pa i thurë për ty… (?)
N’gjiun tënd thuri këngën e shpresës –
Unë, biri yt i vogël, që rritem me ty…

Me rastin e 17 vjetorit të vdekjes së shkrimtarit Hasan Dajaku./KultPlus.com

“Kur s’u duhesh më, kur t’ua prishësh terezinë, do të të hedhin si letrën e ndyrë”

(Duhet të bëhesh i butë si lepuri, duhet të përtypësh si bualli, si sojka duhet ta ndërrosh gjuhën. – Mundesh?…)

– Si shpërblim do të të japin mish të butë, pa eshtra; do të lahesh në bazene qumështi, do të të dëfrejnë me lavire barkbuta; pallati yt do t’ia kalojë qindra herë kullës sime, por do të lodhesh duke pritur diellin tënd, qielli yt mund të mbetet sterrë i zi dhe, siç është e natyrshme, do të vijë fundi. Mund të ndodhë edhe një gjë, para se të vijë fundi: Kur s’u duhesh më, kur t’ua prishësh terezinë, do të të hedhin si letrën e ndyrë. Çka do të ndodhë me të vërtetë nuk e di, por e di se do ta kesh vështirë, mundet edhe t’u lakmosh të vdekurve…

Pastaj të pyesin: Pse jetove?
Të pyesin: Pse e zgjodhe këtë rrugë?
Do të pyesin: Çka bëre?
Do të të akuzojnë për netët e gjata të robërisë,
Do të të akuzojnë për vuajtjet që u kanë rënë mbi kokë,
Do të të fajësojnë për çdo gjë që ke bërë
Dhe për atë që ke pasur mundësi ta bësh
E nuk e ke bërë.
Mund t’i përballosh akuzat, komandant i ri?

Do të të pyesin:
Pse flisje kur duhej të heshtje?
Pse heshtje kur duhej të flisje?
Pse e lavdëroje dreqin?
Pse i shaje pëllumbat?
Pse i trembje zogjtë?
Pse? Pse? Pse?
Rrebeshi i pyetjeve nuk do të ketë të sosur.
Gjyqi yt do të zgjasë shumë.
Mundesh, o komandant i ri?

Dhe mund të të akuzojnë për tradhti, për shëmtinë më të madhe me të cilën akuzohet njeriu.
Mund të qëndrosh, komandant?
Mund të qëndrosh, o njeri?…

Pjesë nga monodrama “Komandanti” 1996 – Hasan Dajaku . /KultPlus.com

Vitet si njerëzit

Poezi e shkruar nga Hasan Dajaku.

Unë kam ca vite.
Dhe ti ke ca.
Kosova, vallë
Sa vite ka?

Sa gurëz lumi,
Sa valë në det
Kosova vite,
Aq mund të ketë.

Shpesh qeshin vitet,
Herë – herë lotojnë,
Ato, si njerëzit,
Ndiejnë, kuvendojnë.

Njësoj si njerëzit
Hedhin ca valle,
Vallja e tyre
Është shumë e madhe.

Ato shpesh’herë
Bien në mendime –
Vitet e luftës
Veç psherëtime…

Unë kështu mendoj,
Ti mendon ndryshe?!
Kush, ore Gëzim,
Është Dallëndyshe?

Shani Pallaska, Safete Rugova, Afrim Kasapolli e Ragip Loxha gjatë interpretimit të radiodramës “Kallogjeri” që u ndalua nga komunistët (VIDEO)

Radiodrama “Kallogjeri” e dramaturgut Hasan Dajaku është përzgjedhur nga Radio Prishtina në konkursin e radiodramës të vitit 1980 – 81, dhe është realizuar nga stafi artistik si radiodramë në regji të regjisorit, Atdhe Gashi, shkruan KultPlus.

KultPlus po i sjellë disa fragmente të shkëputura nga kjo radiodramë e ku interpretojnë aktorët: Shani Pallaska, Safete Rugova, Afrim Kasapolli, Ragip Loxha, etj.

Pas transmetimit në valët e ish- Radio Prishtinës, kjo vepër është ndaluar me urdhër të ish- organeve të asaj kohe.

Liridon Dajaku, djali i shkrimtarit Hasan Dajakut, ka treguar për KultPlus se në këtë radiodramë kanë interpretuar edhe artistë të tjerë, por në kohën kur është ndaluar kjo radiodramë, pikërisht pjesën e fundit, aty ku tregohet stafi realizues, e kanë prerë.

Nga audioincizimi, vërehet se kjo dramë është shkëputur në disa pjesë, nuk është gjetur e plotë pranë arkives së ish- Radio Prishtinës. Gjithashtu dhe teksti origjinal i dramës, i shkruar nga Hasan Dajaku, nuk është gjetur askund.

Liridon Dajaku, ka treguar edhe arsyen se pse kjo radiodramë është ndaluar në atë kohë nga komunistët.
“Radiodrama është ndaluar nga komunistët, njerëzit e pushtetit sepse ju ka zhvesh moralin e tyre”, ka thënë Dajaku për KultPlus.

Më poshtë po ju sjellim videon e interpretuar nga aktorët e njohur. / KultPlus.com

Baresha

Vargje të shkëputura nga poezia “Baresha”, e gjetur dorëshkrim në një fletore të dramaturgut, shkrimtarit Hasan Dajaku.

Randë asht më mbajtë
peshën e zemrës së
thyeme,

Pesha e tokës besoj asht
ma e lehtë,
Shpirti randohet tepër,
lajthit… dëshiron t’mos jetë!
Kështu mendon e rënduar
n’kujtime Syzana
Bareshë!…

Të bukura kanë qenë ato
mote t’kaluara, t’fëminisë,
Me andrra e thura t’ardhmen e lumnueshme,
Jetën e qendisa me plot
lule, si këto tash n’këtë rizë,
Vallë, ç’të baj kur jeta s’mi
fali, ishin të andrrueshme.

Qyqja këndon mbi shkamb,
Baresha vrahet n’kujtime….
Lulet e bardha t’pranverës
sime…

Jeta vijë e gjatë me shtigje
e humnera,
Koprrace asht, lumninë
shpesh nuk e falë,
Kanga e vajit gufon
në zemra të shterruna,
Njerëzit gdhendin n’to pa
ditë zjarrin që djeg i valë.

Prej qiellit kah toka si rrufe
vërsulet nji korb i zi,
Qyqja e tmerruar ndal
kangën, struket poshtë në
vërri,
Zogjtë pushojnë së
kënduari, shikojnë plot
habi,
Nga zemra e vërrinit jehon
kanga e fyellit të ri.

Kokëulur ec Syzana, si lule
e vrame prej bryme,
E randë, e madhe mbi kokë
i peshon nji peshë,
Fytyrën të mbështjellë e
mban në nji kornizë
shamije,

“Anëve më shique s’asht
mirë, bota qesh!”

Vjollcë e mbetun n’vetmi
prej kohës e lanë n’harresë,
Lule e fikun n’errësi, dafinë e thame
pa vesë,
Drandafile e vyshkun, herët
e ndarë prej dijes,
” – Çikë e shtëpisë së
ndershme je, i thonë,
shkolla nuk të ka hijë!”

O diell i zjarrtë, jetë e kësaj
toke,
Gjallëri i jep çdo gjëje kur ti
ngroh, buzëqesh,
Buzët e kësaj drandofileje
që u fikën ndër mote,
Si shëron të shohim duke
qesh’.