Vdes Yuri Grigorovich, koreografi legjendar i ”Balshoi”-t

Koreografi i njohur rus, Yuri Grigorovich, i teatrit të famshëm rus ”Balshoi” të Moskës, ka ndërruar jetë në moshën 98-vjeçare.

Vdekja e tij u njoftua sot nga Muzeu Qendror i Teatrit Shtetëror ”Bakhrushin” në Moskë, i cili shpesh ka organizuar ekspozita mbi jetën dhe veprën e mjeshtrit të baletit.

I lindur më 2 janar 1927 në Leningrad (tani Shën Petërburg), Grigorovich formësoi baletin sovjetik dhe rus për dekada në teatrin e famshëm botëror ”Balshoi” në Moskë.

Grigorovich koreografoi “Spartakun” e Khachaturian dhe “Romeon dhe Zhuljetën” e Prokofiev në teatrin ”Balshoi”, ndër shumë vepra të tjera.

Përshtatjet e tij të baleteve “Liqeni i mjellmave” dhe “Bukuroshja e fjetur” janë legjendare.

Ai drejtoi kompaninë më të madhe të baletit në botë për më shumë se 30 vjet.

Në vitin 1991, ai themeloi çmimin e baletit ”Benois de la Danse”, i cili nderon shfaqjet më të rëndësishme të vallëzimit të vitit të kaluar në një gala madhështore.

“Për një kohë të gjatë, emri i tij ishte praktikisht sinonim në botën perëndimore me koreografinë bashkëkohore në Bashkimin Sovjetik”, shkroi Opera Shtetërore e Bavarisë në një homazh të mëparshëm.

“Vepra e tij është karakteristikë e një stili që përcakton epokën”, shtoi ajo.

Në vitin 2008, në moshën 81 vjeç, Grigorovich u kthye në ”Balshoi” për të marrë një pozicion të përhershëm duke udhëhequr solistët e rinj, duke vënë në skenë prodhime të reja dhe duke ruajtur repertorin.

Grigorovich kishte dhënë dorëheqjen në vitin 1995, pas një mosmarrëveshjeje mbi drejtimin artistik të ”Balshoi”-t./KultPlus.com

’Çliroje mendjen’, FemArt prezanton imazhin e edicionit të 13-të

FemArt ka prezantuar imazhin e këtij edicioni i cili do të mbahet më 16-31 qershor.

Në edicionin e 13-të, FemArt prezantohet me moton ‘Çliroje mendjen’ si një thirrje për guxim, përballje, shërim, përcjell KultPlus.

Në vijim gjeni njoftimin e Femart:

Ju prezantojmë imazhin e çlirimit tonë të përbashkët!

FEMART13 nis rrugëtimin e tij me këtë krijim të Tadit—një thirrje për guxim, përballje, shërim.

Më 16-21 Qershor 2025, Prishtina shndërrohet në altar të artit, aktivizmit feminist dhe çlirimit të mendjes.

“ÇLIROJE MENDJEN”

Çlirimi nuk është arratisje. Është guxim! Të çlirosh mendjen është të shohësh qartë. Të zhveshësh frikën. Të dëgjosh veten përtej zhurmës së botës. Është përballje me demonët që kanë zënë qoshet e mendjes dhe shpirtit tonë. Heshtjet rëndojnë më shumë se zinxhirët. Plagët bëhen gurë, e gurët mure. E çlirimi është guximi e forca për të rrënuar këto mure.
Mendja është fushë betejë. Është strehë. Është altar i të vërtetës sonë. Në FEMART ne zgjedhim të mos luftojmë me veten, por ta njohim atë. Ta shërojmë, e ta lëmë të vallëzojë. Kur mendja çlirohet, trupi e ndjek. Jeta merr frymë, e arti bëhet pishtar i çlirimit.

Në këtë edicion të 13-të të FEMART ne nuk qendërzojmë vetëm artin dhe aktivizmin, por edhe shëndetin mendor si akti më i thellë i çlirimit. Kur mendja çlirohet, shpirti gjen paqen dhe jeta rilind.

Ndaj, për gjashtë ditë me radhë, 16-21 qershor, 2025 FEMART bëhet një hapësirë e çlirimit për të krijuar, përkujdesur, dashuruar, e për t’u shëruar me guxim të palëkundur./ KultPlus.com

Dita Ndërkombëtare e Lojës së Ndershme

19 maji shënon Ditën Ndërkombëtare të Lojës së Ndershme (World Fair Play Day), një festë kushtuar promovimit të sporteve të praktikuara në frymën e miqësisë, solidaritetit, tolerancës, përfshirjes dhe mosdiskriminimit.

Kjo është e para herë që kremtohet kjo ditë pas miratimit të rezolutës përkatëse nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, më 1 korrik 2024.

Loja e ndershme, njohur botërisht si “Fair play”, nxit respektin e ndërsjellë midis pjesëmarrësve, duke na mësuar të vlerësojmë dhe nderojmë njëri-tjetrin. Ajo promovon barazinë, lidh ndarjet kulturore dhe fuqizon të rinjtë duke treguar se si sportet mund të nxisin ndryshime sociale dhe të ndërtojnë komunitete më të forta dhe më kohezive.

OKB thotë se, të gjithë përfitojnë duke përqafuar parimet e lojës së ndershme, ku përfshihen respektimi i rregullave, respekti për kundërshtarët dhe lufta kundër dhunës dhe dopingut.

Duke njohur frymën e Fair Play dhe vlerat që ajo mishëron si në sport ashtu edhe në jetën e përditshme, rezoluta thekson rolin e sportit, përfshirë për personat me aftësi të kufizuara, në nxitjen e paqes, zhvillimit, kohezionit të komunitetit, barazisë gjinore dhe fuqizimit të grave dhe vajzave.

Rezoluta riafirmon më tej pavarësinë e sporteve dhe rolet drejtuese të Komiteteve Ndërkombëtare Olimpike dhe Paralimpike në lëvizjet e tyre përkatëse, duke i kërkuar komunitetit global të njohë dhe të rrisë ndërgjegjësimin për Ditën Botërore të Lojës së Ndershme./KultPlus.com

“Jam rritur dhe mësuar të trajtoj njerëzit pikërisht ashtu si do të doja të trajtohesha unë nga të tjerët”

Nga Keanu Reeves

Jam rritur dhe mësuar që të tregoj respekt.
Jam mësuar që të trokas përpara se të hap një derë.
Të them përshëndetje kur hyj në një dhomë. Të them ‘Të lutem’ dhe ‘Faleminderit’, dhe të kem respekt për më të moshuarit. Nëse u nevojitet, do i lija të tjerët ta merrnin vendin tim. Të them “Po zotëri” dhe “Jo zotëri”, dhe të ndihmoj të tjerët kur u duhem, jo të rri në skaje e të shoh. Të mbaj derën për personin që është prapa meje, të them “më falni” kur nevojitet dhe të dua njerëzit për ata që janë, dhe jo për atë që unë mund të marr prej tyre.
Më e rëndësishmja, jam rritur dhe mësuar të trajtoj njerëzit pikërisht ashtu si do të doja të trajtohesha unë nga të tjerët. Quhet respekt.
KultPlus.com

Komiteti Paralimpik i Kosovës forcon bashkëpunimin me vendet e Azisë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe

Presidentja e Komitetit Paralimpik të Kosovës, Njomza Emini, ka zhvilluar vizitë zyrtare në Emiratet e Bashkuara Arabe, ka zhvilluar takime të rëndësishme me përfaqësues të lartë të lëvizjes paralimpike në këtë rajon.

Gjatë qëndrimit të saj, Emini u prit nga CEO i Komitetit Paralimpik të Azisë, Tarek Souei. Në këtë takim u trajtuan mundësitë konkrete të bashkëpunimit ndërmjet profesionistëve të disiplinave paralimpike nga Kosova dhe shteteve aziatike. 

Souei shprehu vullnetin e tij për të lehtësuar ndërlidhjen me partnerë potencialë nga vende si: Emiratet e Bashkuara Arabe, Japonia, Koreja e Jugut, Malajzia dhe vendet e tjera të rajonit.

Për më tepër, Presidentja Emini realizoi një takim të veçantë edhe me Presidentin e Komitetit Paralimpik të Emirateve të Bashkuara Arabe në Emiratin e Sharjah. 

Palët u dakorduan për thellimin e bashkëpunimit dhe për zhvillimin e projekteve të përbashkëta që përfshijnë trajnime, shkëmbime përvojash dhe pjesëmarrje në ngjarje sportive rajonale dhe ndërkombëtare.

Ky zhvillim paraqet një hap të rëndësishëm për përfshirjen e sportistëve paralimpikë të Kosovës në rrjetin më të gjerë ndërkombëtar dhe për avancimin e standardeve të sportit paralimpik në vend./ KultPlus.com

Dita e Bibliotekës “Ernest Koliqi” në Prishtinë do të shënohet me shumë aktivitete

Nesër, në orën 19:00, do të shënohet DITA E BIBLIOTEKËS e Bibliotekës “Ernest Koliqi”, që gjendet në Qendrën “BogdaniPolis” në Prishtinë, në ditëlindjen e 122 të Ernest Koliqit, shkrimtar e kontribues i madh i arsimit shqip në Kosovë, emrin e të cilit e mban biblioteka brenda Katedrales “Nënë Tereza” në Prishtinë.

Organizatorët kanë njoftuar se programi për këtë ngjarje është si më poshtë:  

Programi:

LECTIO MAGISTRALIS:

Prof. dr. Vehbi Miftari, “Shêjzat” – monument kulture dhe atdhdashurie

EKSPOZITË

Ekspozita me koleksionin e periodikut “Shêjzat”, nxjerrë nga Fondi i Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, me kurator Andreas Dushi, i cili edhe do jetë përfaqësues i BKSH-ut, me një paraqitje për Koliqin.

PARAQITJE LIBRI

Ditë më parë, Sh. B. “Drita” ka botuar librin “Libri i Mallit. Poezia e Ernest Koliqit”, të autorit Vehbi Miftari, të cila do të paraqitet në këtë ditë feste.

Dita e bibliotekës do të shoqërohet me një program artistik!

Pas ekspozitës do të ketë një koktej në Agorà.

Hyrja është e hapur për të gjithë!/ KultPlus.com

“Nga bohemizmi, te përjetësia”, Rama: Ekspozitë unikale në COD

Qendra për Hapje dhe Dialog sjell në Tiranë një nga ekspozitat më të rëndësishme të çelura ndonjëherë në kryeqytet.

Ekspozita e titulluar “Nga bohemizmi, te përjetësia”, ekspozon veprat e disa prej artistëve më të famshëm të artit pamor ndërkombëtar si: Amedeo Modigliani, Henri Matisse, Edgar Degas, Tamara de Lempicka, Kees van Dongen etj.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale disa pamje nga kjo ekspozitë e cila do të hapet pasditen e sotme për publikun.

“Për një ekspozitë unikale në COD, Qendra për Hapje dhe Dialog në Kryeministri”, shkruan Rama për ekspozitën, e cila vjen në bashkëpunim me Fondacionin MTA dhe Ambasadën e Izraelit.

Koleksioni që paraqitet në COD ka vepra nga Arti Modern, Fovizmi, Art Deco, Avant-Garde etj., pa të cilat do të ishte e pamundur të imagjinohej historia e artit botëror.

Holandezi Kees van Dongen dhe italiani Amedeo Modigliani ishin të lidhur ngushtë me Francën dhe përfaqësohen me kryeveprat e tyre: Van Dongen me një portret spektakolar të Marcelle Léoni, dhe Modigliani me portretin e suedezes së re, Annie Bjarne.

Skulpturat zënë gjithashtu një vend të veçantë në koleksion, duke filluar me bronzin e bukur “Vallëzuesja e vogël katërmbëdhjetëvjeçare”, e veshur me tutu prej pëlhure, nga Edgar Degas, i cili krijoi shumë kryevepra me temën e baletit.

Një eksperiment skulpturor i guximshëm nga Henri Matisse, Aurora prej allçije të lyer me bronz, është një vepër e rëndësishme në koleksion.

Diversiteti i koleksionit pasurohet nga grupi i shquar i artistëve përparimtarë hungarezë, përfshirë Bela Kadar, Lajos Tihani, Csaky dhe Hugo Scheiber. Edhe përfaqësuesit e avangardës gjermane janë të shumtë: Hanns Bolz, Henrich Nauen, Max Ackermann, Friedrich Gotsch, Boris Kleint, Oscar Moll dhe e famshmja Gabrielle Münter./ KultPlus.com

TIFF, i hapur për aplikime deri më 21 maj

Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Tiranë (TIFF) rikujtoi sot se thirrja për aplikime në edicionin e 23-të të tij është ende e hapur. Kineastët që synojnë pjesëmarrjen në këtë edicion, kanë kohë të aplikojnë deri më 21 maj 2025.

Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Tiranë është akredituar si një festival kualifikues nga AMPAS – Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit dhe Akademia Evropiane e Filmit për të nominuar Filmin më të Mirë të Shkurtër, i cili do të kualifikohet për çmimet Oscar 2026 dhe filmi më i mirë i shkurtër evropian për Çmimet e Filmit Evropian 2025.

Filmat studentorë të përzgjedhur zyrtarisht në TIFF kanë të drejtë të konkurrojnë dhe të aplikojnë për Çmimet e Akademisë Studentore (SAA).

Edicioni i 23-të i TIFF 2025 do të mbahet në datat 21-27 shtator 2025. Një nga kriteret për t’u përzgjedhur është që regjisorët, producentët dhe distributorët duhet të dorëzojnë filmat që kanë përfunduar pas janarit 2024.

Gjithashtu, të gjithë filmat në konkurrim duhet të jenë premierë në Shqipëri.

Thirrja është e hapur edhe për edicionin e 4-të të Konkursit të Skenarëve TIFF 2025, që konsiston në aplikimin e skenarëve origjinalë live-aksion dhe të filmave të shkurtër të animuar ose skenarë të tjerë të shkurtër të të gjitha zhanreve (maksimumi 20 faqe) përmes platformës online Filmfreeway./ KultPlus.com

QKLL shpall fituesit e Fondit të Përkthimit Letrar nga Gjuha Shqipe në Gjuhë të Huaj

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit shpalli sot veprat fituese për “Fondin e Përkthimit Letrar nga Gjuha Shqipe në Gjuhë të Huaj”.

Nga 11 aplikime, juria, e kryesuar nga përkthyesja Maklena Nika dhe me anëtarë studiuesin Ben Andonin dhe përkthyesin Erion Kristo, vlerësoi për të mbështetur financiarisht 6 autorë dhe vepra.

Diana Çuli, Virgjil Muçi, Bashkim Hoxha, Ardian Vehbiu, Besnik Mustafaj dhe Preç Zogaj janë autorët shqiptarë që “do të flasin” në greqisht, serbisht, gjermanisht dhe arabisht.

  1. “Engjëj të armatosur” i Diana Çulit do të përkthehet në greqisht;
  2. “Piramida e shpirtrave” i Virgjil Muçit do të përkthehet në serbisht;
  3. “Kronikat e mjegullës” nga Bashkim Hoxha do të përkthehet në gjermanisht;
  4. “Sende që nxirrte deti” nga Ardian Vehbiu do të përkthehet në greqisht;
  5. “Midis krimeve dhe mirazheve” nga Besnik Mustafaj do të përkthehet në arabisht;
  6. “Poema të gjedhura” nga Preç Zogaj do të përkthehet në greqisht.

Drejtoresha e QKLL, Alda Bardhyli u shpreh se ky fond synon promovimin e letërsisë shqipe përtej kufijve dhe se përkthimi i librit shqip në gjuhë e kultura të tjera vijon të mbetet një prioritet.

Këtë vit, thirrjes së QKLL-së iu përgjigjën 11 shtëpi botuese për përkthimin e veprave të autorëve tanë, përkatësisht në gjuhët italisht, serbisht, spanjisht, greqisht, maqedonisht, anglisht, gjermanisht, frëngjisht dhe arabisht.

Aplikantët kishin përzgjedhur autorë, të tillë si: Ylljet Aliçka, Besnik Mustafaj, Virgjil Muçi, Migjeni, Petro Marko, Haki Stërmilli, Ardian Vehbiu, Shemsi Ahmeti, Stefan Çapaliku, Diana Çuli, Bashkim Hoxha, Preç Zogaj, Fatmira Aliaj./ KultPlus.com

Galeria Kombëtare e Arteve njeh fëmijët me trashëgiminë kulturore

Projekti “Arti nën Re“ i realizuar nga Galeria Kombëtare e Arteve iu drejtua nxënësve të shkollave 9-vjeçare të Tiranës me artin bashkëkohor shqiptar dhe të huaj.

“Arti nën re” i njeh nxënësit me trashëgiminë kulturore, ku përfshihen veprat e arteve pamore të periudhës së Rilindjes dhe ato të Realizmit Socialist në Shqipëri, por edhe bën një prezantim të arteve pamore në botë për publikun shqiptar.

Ky program edukimi nxit pasurimin e njohurive mbi botën, jetën, individin, idetë përmes artit pamor dhe organizimin e ekspozitave.

Projekti kishte si qëllim nxitjen e imagjinatës e të krijimtarisë me anë të realizimit të punimeve dhe njëkohësisht të dhuronte kënaqësi e të zbaviste pjesëmarrësit.

Punimet e nxënësve pjesëmarrës në projektin e Galerisë Kombëtare të Arteve do të ekspozohen tek instalacioni “Reja”./ KultPlus.com

Gonxhja: Mbi 5 mijë vizitorë në sitet kulturore në Ditën Ndërkombëtare të Muzeve

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ndau sot në rrjetet sociale një album fotografik nga Dita Ndërkombëtare e Muzeve, e cila ishte një ditë plot aktivitete në sitet tona kulturore.

Ministri Gonxhja tha se, ditën e djeshme sitet kulturore në të gjithë vendin pritën mbi 5 mijë vizitorë.

Aktivitetet kushtuar Ditës Ndërkombëtare të Muzeve u organizuan në sitet arkeologjike, qendrat muzeore etj. DRTK Gjirokastër në bashkëpunim me Bashkinë Gjirokastër si dhe studentë të Historisë, Antropologjisë dhe Gjeografisë, Fakultetit Ekonomik pranë UGJ, organizuan aktivitetin me temë: “E ardhmja e muzeve në komunitetet që po ndryshojnë shpejt”, nē Muzeun Etnografik Gjirokastër.

Qendra Kombëtare e Muzeumeve Berat gjatë kësaj dite pati takime të hapura reflektimi dhe bashkëpunimi me akademikë, artistë e të rinj, me qëllim forcimin e lidhjeve midis muzeut dhe aktorëve lokalë që ndajnë pasionin për historinë, artin dhe trashëgiminë kulturore kombëtare.

Nē Ditën Ndërkombëtare të Muzeve hyrja në Parkun Arkeologjik Shkodër dhe Lezhë ishte falas për të gjithë vizitorët vendas dhe të huaj prej orës 09:00 deri më 19:00.

Aktiviteti “Kreativitet idesh të ilustruara në tablo” u organizua me bashkëpunimin e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Vlorë, Muzeut Kombëtar të Pavarësisë dhe nxënësve të shkollës 9-vjeçare “Naim Frashëri” Vlorë.

Ky bashkëpunim frymëzues dëshmon edhe një herë rëndësinë e edukimit përmes kulturës dhe rolin e pazëvendësueshëm që muzetë luajnë në krijimin e një shoqërie më të vetëdijshme dhe më krijuese./ KultPlus.com

Xiaomi sfidon Teslan, gati për të prezantuar makinën elektrike luksoze YU7

Gjiganti kinez i teknologjisë, Xiaomi, më 23 maj do të prezantojë modelin e shumëpritur YU7, një SUV elektrik që analistët e cilësojnë si një sfidues serioz ndaj Tesla Model Y.

Sipas Reuters, CEO dhe themeluesi i kompanisë, Lei Jun, ka konfirmuar se YU7 do të prezantohet krahas edhe produkteve të tjera të reja, përfshirë smartfonin e ri Xiaomi 15S Pro dhe çipin mobil të zhvilluar vetë nga Xiaomi, Xring O1.

Sa i përket makinës luksoze, bëhet e ditur se YU7 – pasardhës i sedanit SU7 që u lançua vitin e kaluar – vjen si një tentativë për të rritur praninë e Xiaomit në tregun e automjeteve elektrike luksoze.

Kujtojmë se, SU7 ka pasur sukses komercial, duke tejkaluar në shitje edhe Tesla Model 3 që nga dhjetori, megjithatë pas një aksidenti fatal në mars, porositë kishin pësuar ulje.

Ndërkohë, raportohet se modeli i ri YU7 synon të rikthejë momentumin e markës dhe të rivalizojë drejtpërdrejt Model Y, makinën më të shitur të Tesla-s.

Në anën tjetër, në sektorin e teknologjisë mobile, Reuters shkruan se Xiaomi ka rindezur ambiciet për zhvillimin e çipave, duke nisur me çipin Xring O1 – rezultat i një investimi prej 1.87 miliardë dollarësh. Bëht e ditur se Xiaomi do të investojë edhe miliarda të tjera në zhvillimin e çipave për të krijuar një ekosistem të integruar, duke rivalizuar markat si Apple dhe Huaëei.

E me lançimi e YU7 dhe Xring O1, Xiaomi po sinjalizon se nuk e sheh më veten vetëm si një prodhues telefonash, por edhe si një aktor i fuqishëm në industrinë globale të teknologjisë dhe automjeteve./ KultPlus.com

Jehona e romanit “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” në mediet italiane

Një roman i madh nga një periferi letrare

-Radio Vatikani sjell një intervistë me kuratorin e botimit, publicistin Giovani Cederone, i cili veprën e Buxhovit të përkthyer në italisht e quan një momentum të rëndësishëm letrar që nxjerr në pah identitetin shpirtëror dhe kulturor shqiptar me rrënjë në antikitet. Por, ngaqë toka e tyre gjendet në pjesët e skajshme të perandorisë, i bën të papelqyeshëm si nga Osmanët ashtu edhe nga Perëndimi dhe për këtë arsye ata janë ndeshkuar. Ky fakt paraqitet mjaft mirë në këtë libër.

RADIO VATIKANI: Fotografia e ditës: Një vajzë e vogël me një prind përkulen për t’u mbrojtur nga sulmi me bomba. Ndoshta në Gaza, ndoshta në Izrael. Viktimat janë të gjitha njësoj ashtu si dhe luftërat, edhe atëherë kur zhvillohen kundër epidemive. Është pikërisht kjo tema që trajtohet në romanin e bukur të Jusuf Buxhovi. “Për ty toka ime”. Ngjarjet e romanit zhvillohen në tokën shqiptare në shekullin XVIII. Ky roman sapo u botua nga shtëpia botuese “Armando” në Romë. Për librin që ka zgjuar kureshtjen do flasim me kuratorin e botimit, publicistin Giovanni Cedrone. Në roman trajtohet një histori ambicioze ndodhur gjatë vitit 1747. Romani është botuar për herë të parë në vitin 1982. Ndërsa tash vjen i përkthyer në gjuhën italiane nga Liljana Cuka- Maksuti.
Historia tregohet nga protagonisti Gjon Nikollë Kazazi, njeri i perëndisë, i cili kërkon të nxjerrë në dritë identitetin kombëtar të popullit të tij, por mund të thuhet se protagonisti i vërtetë i kësaj historie bëhet një epidemi, një epidemi murtaje që e sjellë këtë histori shumë afër me kohën tonë.

GIOVANI CEDRONE: Historia e këtij romani na kujton se qeniet njerëzore sa herë janë përballur me pandemi gjatë shekujve kanë mbajtur të njëjtën qëndrim, si ky që po mbajmë edhe ne me covidin aktualisht. Protagonisti i romanit, Gjon Nikollë Kazazi në fakt gjendet duke komentuar lajmin e epidemisë së murtajës, e cila, mund themi se për atë kohë nuk ishte një gjë aq e pazakontë, por perceptohet menjëherë si një armë, një armë biologjike që mund të themi është përdorur nga pushtuesit osmanë, në të vërtetë për të ndëshkuar një popullsi, sepse haptazi nuk ishte e përshtatshme për interesat osmane. Këtë pretendim e kanë të gjitha perandoritë e mëdha mbikombëtare. Ndër të tjera në librin e tij Buxhovit na tregon, se perandoria otomane synonte krijimin e një njeriu të ri perandorak, një njeri pa rrënjë krejtësisht e kundërta ma atë që ndihej Kazazi dhe miqtë e tij, ata ndiheshin thellësisht shqiptar, me kujtimet dhe gjuhën e tyre të shtrenjtë. Dokumenti i parë i shkruar i gjuhës shqipe është i vitit 1555, ku ekziston prova e shkruar. Të ballafaquar me këtë situata, kjo popullsi e provon mbi shpatullat e saj çfarë i ka sjellë posaçërisht Perandoria Osmane.

RADIO VATIKANI: Ne nuk duam të bëjmë komplotizëm për komplotizëm, por muajt e fundit kemi dëgjuar të flitet edhe për këtë, në një farë mënyre, por ky virus që po na shkatërron si një armë, si një gjest i kërkuar nga dikush, këtu në këtë roman ‘gjithashtu nxit të njëjtin dyshim’, madje edhe kur Protagonisti, një njeri i Zotit, ai është prift, rrethuar nga ankthi, ndërsa dokumenton sëmundjen, ai gjithashtu gjen edhe zgjidhjen, ai ka një ilaç me të vërtetë superior, i cili është i pagabueshëm?

GIOVANNI CEDRONE: Po, ai ka një ilaç metafizik,që është shpresa. Kazazi thotë se nëse heqim dorë, ne kemi vdekur që në fillimi prandaj ne duhet të kemi shpresë, për të mos u asgjësuar nga kjo epidemi në radhë të parë, dhe pastaj ata madje të fillojnë të kërkojnë një lloj anti-litteram, në se mund ta themi ata kërkojnë vaksinën. Dhe ata kanë edhe metodën e saj, të cilën Kazazi e sipas përkthimit letrar e quan “gërvishtje”, por në thelb është një inokulim i virusit brenda njerëzve të shëndetshëm. Sigurisht këtu kemi të bëjmë me një roman, ku mbi të gjitha shpresa te njerëzit theksohet fuqishëm. Kazazi duke qenë një njeri i kishës, dhe konkretisht ai është peshkop ka përgjegjësi ndaj besimtarëve të tij. E gjejmë atë të ndodhet në një udhëkryq: duhet të kundërshtojë urdhërat e sovranëve osmanë pushtues, apo tu nënshtrohet vullnetit të tyre? Ata që do të lexojnë këtë libër do të mësojnë se çfarë zgjidhje gjen peshkopi Kazazi.

RADIO VATIKANI: por ekziston edhe një element tjetër që ndihmon protagonistin dhe miqtë e tij, botën e tij për t’i rezistuar kësaj katastrofe kundër epidemisë dhe sugjerohet nga vetë nëntitulli, kur përmendëm identitetin kombëtar, hulumtimin dhe ruajtjen e identitetit kombëtar, pikërisht ndërgjegjen etnike-kulturore shqiptare, kjo vëmendje ndaj gjuhës që kthehet shpesh nuk është rastësi, që romani ka si nëntitull “Për ty toka ime” ne jemi në zonën shqiptare, Jusuf Buxhovi njihet si eksponent i entitetit kosovar, a mund të na ndihmoni për të kuptuar përfundimisht në këtë drejtim kufirin kulturor- gjuhësor midis Kosovës dhe Shqipërisë?

GIOVANNI CEDRONE: Në realitet, kosovarët dhe shqiptarët të gjithë ndihen pjesë e një populli të madh, pikërisht atij shqiptar, padyshim që mund të ketë dallime shumë të vogla, por me pak fjalë ata ndihen i njëjti popull që flasin të njëjtën gjuhë. Në libër motivohet plotësisht ky fakt. Një poet i madh shqiptar është shprehur: ” Feja e shqiptarit është shqiptarizmi”. Libri e pasqyron këtë fakt në Kosovë, por i njëjti fenomen ekziston edhe në Shqipëri. Papa Françesku në vizitën e tij në Shqipëri disa vite më parë, ndër të tjera tha: “Shqipëria është një shembull i bashkëjetesës së besimeve”, pikërisht për këtë arsye, domethënë, bashkëjetesa e besimeve është vetë një element dallues i popullit shqiptar, në libër këtë e gjejmë si “Polikromi fetare”, ne e quajtëm në këtë mënyrë disi ekzotike nëse duam, por gjejmë këtë bashkëjetesë edhe në familjet e tyre, mund të themi edhe në të njëjtin person. Toka e tyre ndodhet në ekstremet e perandorisë, si i tillë duhet parë dhe analizuar, ky element që i bënë ata të papëlqyeshëm si nga Osmanët ashtu edhe nga Perëndimi në një farë mënyre dhe për këtë arsye ata janë të penalizuar, ky fakt pasqyrohet mjaft mirë në këtë libër.

RADIO VATIKANI: dëshira e tyre për ndërgjegjesim të identitetit kombëtar, veçanërisht sot që nacionalizmat shihen me dyshim, nuk është kjo një veçori që i bënë ata të jenë të papëlqyeshëm dhe të shikohen me dyshim si nga lindja ashtu dhe nga perëndimi?

GIOVANNI CEDRONE: është shumë e vërtetë,por ne duhet të kontekstualizojmë botën ballkanike e cila është një botë shumë e veçantë, akoma më tepër Kosova ka një histori vuajtjesh, të cilën ne e tashmë e njohim shumë mirë, që çoi në rezultatin e bombardimeve të Serbisë në vitin 1999, sigurisht nuk kemi të bëjmë me një libër me pretendime nacionaliste, por gjejmë thjesht një pretendim kulturor, në realitet.

(Radio Vatikani, ditari, më 18.05.2021)./ KultPlus.com

Kurti: Qendra Kinematografike e Kosovës edhe këtë vit me përfaqësim në Kanë

Qendra Kinematografike e Kosovës ka ngritur përsëri shtandin në Marketin e Festivalit të Filmit në Kanë për vitin 2025, përsëri së bashku me Shqipërinë.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se shumë vite punë në prapaskena kalohen në bashkëpunim, rrjetëzim, ngritje fondesh, përshtatje vizioni artistik për distribuim dhe promovim ndërkombëtar e vendor, në mënyrë që produkti kinematografik një orësh e gjysmë të shfaqet i përfunduar në ekranin e madh. Sipas tij, këtë vit, QKK me kineastët tonë gjenden në Kanë për të kryer pikërisht disa nga këto punë.

Më poshtë gjeni postimin e plotë:

Qendra Kinematografike e Kosovës ka ngritur përsëri shtandin në Marketin e Festivalit të Filmit në Kanë për vitin 2025, përsëri së bashku me Shqipërinë. Mirëmbajtja e bashkëpunimeve të vjetra e fillimi i atyre të rejave është synimi. Ndërsa, për kineastët, Samir Karahoda, Kaltrina Krasniqi dhe Sami Mustafa, ky edicion i Kanës shërben për të shtyer përpara zhvillimin e projekteve të tyre filmike, respektivisht, “Imazhe të Humbura”, “Bleach” dhe “Symphony of Season”.

Shtandin e QKK-së në festivalin e Kanës mund ta vizitoni në International Village Riviera, Pavijoni numër 137, deri të mërkurën, me 21 maj 2025./ KultPlus.com

Von der Leyen: Kjo javë do të jetë vendimtare për përfundimin e luftës në Ukrainë

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se kjo javë do të jetë vendimtare për krijimin e kushteve që mund t’i japin fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës.

Deklarata u bë gjatë një takimi trepalësh në Romë mes saj, kryeministres italiane Giorgia Meloni dhe zëvendëspresidentit të Shteteve të Bashkuara, J.D. Vance. Takimi u fokusua në sfidat globale, përfshirë agresionin rus në Ukrainë.

“Do të doja të ngrija edhe temën e Ukrainës. Ajo që na bashkon është dëshira për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme. E di sa shumë jeni të angazhuar në përfundimin e kësaj lufte, dhe ju falënderoj për këtë”, tha Von der Leyen, duke iu drejtuar zëvendëspresidentit amerikan.

Ajo shtoi se momenti aktual kërkon veprim dhe vendosmëri: “Ajo që është sigurisht e rëndësishme tani është të shtyjmë përpara që gjërat të ecin drejt zgjidhjes. Mendoj se java e ardhshme do të jetë vendimtare në këtë drejtim.”

Ndërkohë, është paralajmëruar se të hënën, më 19 maj, ish-presidenti amerikan Donald Trump pritet të zhvillojë një bisedë telefonike me presidentin rus Vladimir Putin, e më pas edhe me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

Ky zhvillim ngjall shpresa për lëvizje të reja diplomatike në përpjekje për t’i dhënë fund konfliktit që ka tronditur Evropën dhe botën prej më shumë se dy vitesh./ KultPlus.com

”Makbethi” rikthehet në Teatrin Kombëtar të Kosovës

Teatri Kombëtar i Kosovës këtë muaj do të risjellë në skenë shfaqjen “Makbethi” të William Shakespeare, me regji Qëndrim Rijanit, shkruan KultPlus.

Shfaqja “Makbethi” vjen e realizuar në bashkëpunim me Filharmoninë e Kosovës. Reprizat e shfaqjes shfaqen më 22, 23 dhe 24 maj.

Aktorët të cilët luajnë në këtë shfaqje janë: Adrian Morina, Gresa Pallaska, Shkelzen Veseli, Luan Jaha, Shkumbin Istrefi, Ilire Vinca, Semira Latifi, Faris Berisha, Ermal Sadiku, Tristan Halilaj, Flaka Latifi, Fiona Abdullahu, Basri Lushtaku, Shpejtim Kastrati, Ismet Azemi dhe Yzeir Meha.

Pjesa tjetër e stafit është si në vijim: Dramaturge: Zoga Çeta Çitaku, Skenograf: Valentin Sfetozarev, Kostumografe: Maca Papuçevska, Kompozitor: Trimor Dhomi, Orkestra: Filharmonia e Kosovës, Koreograf: Artan Ibërshimi, As. Regjisor: Erleta Regjepi, Video: Rehan Abdulovski, Operator i audios: Arben Aliu, Video operator: Bujar Bekteshi, Inspicente: Nazmije Krasniqi dhe Dizajni i dritave: Mursel Bekteshi.

Premiera e shfaqjes “Makbeth” qe më 1 tetor, 2024./ KultPlus.com

Nga sot 5G funksionon edhe në Samsung, në Kosovë

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizavnolli përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka bërë të ditur se “5G i Vala” tani do të jetë funksional edhe në “Samsung”.

Ajo theksoi se “5G” është aktivizuar për disa modele te telefonave të Samsung, ndërsa për të tjerët do të aktivizohet gjatë ditëve e javëve në vazhdim.

“5G i VALA tani edhe në telefon Samsung, pas çertifikimit nga Samsung pasi kanë përfunduar analizat teknike të sigurisë kibernetike.

5G është aktivizuar për disa modele të telefonëve të Samsung, ndërsa për të tjerët do të aktivizohet gjatë ditëve e javëve në vijim. Krejt çfarë duhet është të përfundoni përditësimin e rregullt të telefonit.

Vazhdojmë me rimëkëmbjen e Telekomit të Kosovës me teknologji moderne 5G e 4G+ në tërë territorin e Republikës së Kosovës”, shkroi ajo./ KultPlus.com

Dardhë me bisht

Poezi nga Blinera Hajdari

Dikur dojsha me u rritë
E me i hângër krejt frutat e botës

E kam andrru krejt jetën, rritën
Sa herë jam gjend nën at’ pemë,
Nisun nga nji tregim i fëminisë
Aty e kam pre qiellin.

I kam dashtë ato lulet e pranverës
Që mbushnin stinën në mars.
Të tillë (kështu) e kam mendu jetën
Të tillë (ashtu) kam dashtë me e pasë.

Fletat e shpresës ranë,
Pema e ambël u bâ pemë vjeshte.
E thatë, e zhveshun, e vyshkun,
N’vend t’petaleve – acar.
As dimër jo, se nuk shoh kurrgjâ t bardhë.

Pema u pre, qysh prehen shpresat
Andrrat, qejfet, e çdo merak
Frutat e jetës, dardhat e pemës
i shijuem fare pak

Trungu i saj, që mban kujtime
Me t’qeshuna e vajtime që s’kishin fund
Ka me u djegë n’stufë pa u kursye
T’pakursyem qysh na pa jeta,
Krejt jetën!/ KultPlus.com

Çfarë fiton një shtet kur merr çmimin e parë në Eurovision?

Kur një vend fiton Eurovisionin, nuk është thjesht një trofe i bukur që zbukuron zyrat e televizionit kombëtar. Fitorja sjell një sërë avantazhesh të mëdha që ndikojnë në shumë aspekte të jetës së një vendi – nga ekonomia e deri te imazhi ndërkombëtar. Le t’i hedhim një sy përfitimeve më të rëndësishme:

1. Mundësia për të organizuar spektaklin e ardhshëm

Fitorja në Eurovision nënkupton se vitin tjetër, vendi fitues është mikpritës. Kjo është një ngjarje gjigante: qindra mijëra vizitorë, delegacione nga e gjithë Evropa dhe miliona sytë e botës drejtuar te vendi pritës.

2. Turizëm në rritje dhe reklamë falas për vendin

Të gjithë duan të jenë aty ku ndodh “show”-u. Qyteti ku mbahet Eurovisioni kthehet për disa javë në qendrën më të gjallë të Evropës. Hotelet, restorantet dhe bizneset lokale përjetojnë një bum të vërtetë. Dhe, sigurisht, mediat ndërkombëtare flasin për vendin në mënyrë pozitive.

3. Ekonomia merr frymë thellë

Organizimi i një eventi të tillë kërkon shumë duar pune: ndërtues, teknikë, artistë, sigurim, marketing. Kjo do të thotë më shumë punësim dhe më shumë të ardhura për ekonominë lokale. Në pak fjalë: para që qarkullojnë brenda vendit.

4. Vendi prezantohet para botës në dritën më të mirë

Eurovisioni është një mënyrë e shkëlqyer për të treguar anën më të bukur të një vendi – kulturën, historinë, mikpritjen dhe potencialin modern. Është një mjet i fortë i asaj që quhet “diplomaci kulturore”.

5. Një trampolinë për artistët vendas

Fitorja rrit interesin për muzikën e atij vendi. Artistët lokalë kanë më shumë mundësi për të dalë në skenë, për të bashkëpunuar me talente ndërkombëtare dhe për të fituar audiencë të re.

Prandaj Eurovisioni nuk është vetëm këngë dhe drita. Është një mundësi e artë për të ndërtuar një imazh të ri, për të tërhequr turistë, për të gjallëruar ekonominë dhe për të përforcuar krenarinë kombëtare. Një fitore në këtë skenë, është shumë më tepër se një trofe i artë.

Adam Smith: Çdo njeri jeton duke shkëmbyer

Një ndjer mendjet më të mëdha të politikës ekonomike, Adam Smith është ende sot referencë e mënyrës sesi pasuri e botës krijohet, shkëmbehet e zhvendoset.

Disa prej thënieve të tij janë:

Ne nuk e presim darkën tonë nga kasapi, prodhuesi i birrës apo bukëpjekësi,
ngaqë ata janë dashamirës, por ngaqë ata i shërbejnë interesit të tyre vetjak. Ne nuk i drejtohemi humanizmit të tyre, por dashurisë që ata kanë për veten dhe nuk u
flasim kurrë për nevojat që kemi ne, por për avantazhet që kanë ata.

Qeveria civile, për aq sa është krijuar për sigurinë e pronës, është në të vërtetë e krijuar për mbrojtjen e të pasurve kundër të varfërve, ose të atyre që kanë ndonjë pronë kundër atyre që nuk kanë fare.

Gjëja e parë që duhet të njihni është vetvetja. Një njeri që e njeh veten mund të dalë jashtë vetes dhe të shikojë reagimet e tij si një vëzhgues.

Asnjëherë mos u anko për diçka nga e cila është në dorën tënde të shpëtosh prej saj.

Nuk ka asnjë art që një qeveri e mëson më shpejt nga një tjetra, përveç atij të zhvatjes së parave nga xhepat e njerëzve.

Mëshira ndaj fajtorëve është mizori ndaj të pafajshmëve.

Asnjë shoqëri me siguri nuk mund të jetë në lulëzim dhe e lumtur, për sa kohë që pjesa më e madhe e saj është e varfër dhe e mjerueshme.

Taksa që çdo individ është i detyruar të paguajë duhet të jetë fikse, dhe jo arbitrare. Koha e pagesës, mënyra e pagesës, sasia që duhet paguar, të gjitha duhet të jenë të qarta dhe të ditura për kontribuesin, dhe për çdo person tjetër.

Çdo taksë duhet të merret në atë kohë, dhe në atë mënyrë e cila është më e përshtatshmja për kontribuesin që ta paguajë.

Nuk është shumë e paarsyeshme që të pasurit të kontribuojnë në shpenzimet publike, jo vetëm në proporcion me të ardhurat e tyre, por diçka më shumë sesa në atë proporcion.

Virtyti është për t’u patur frikë më tepër sesa vesi, sepse teprimet e tij nuk i nënshtrohen rregullimit të ndërgjegjes.

Ambicia individuale shërben për të mirën e përbashkët.

Kudo që ka prona të mëdha, ka pabarazi të madhe.

Çdo njeri jeton duke shkëmbyer.

Njeriu është një kafshë që bën pazare: asnjë kafshë tjetër nuk e bën këtë – asnjë qen nuk shkëmben kocka me një tjetër.

E gjitha për veten tonë, dhe asgjë për njerëzit e tjerë, duket se në çdo epokë të botës, kanë qenë maksima e poshtër e zotërve të njerëzimit.

Të diturit injorojnë provat e shqisave të tyre për të ruajtur koherencën e ideve të imagjinatës së tyre.

Përmirësimi më i madh i fuqive prodhuese të punës dhe pjesa më e madhe e aftësisë, zotësia dhe gjykimi me të cilat drejtohet apo zbatohet duket se janë rrjedhojë e ndarjes së punës.

Ajo që është maturi në sjelljen e çdo familje private mund të jetë e pakuptimtë në atë të një mbretërie të madhe./shkollaesuksesit/KultPlus.com

Mesha inauguruese, Papa Leone XIV apel për unitet, dënon kapitalizmin dhe luftën

Papa Leone XIV bëri thirrje për unitet më të madh global dhe dënoi dëmet e kapitalizmit dhe pushtetit të pakontrolluar – gjatë meshës inauguruese sot në Sheshin e Shën Pjetrit – përpara dhjetëra mijëra njerëzve, përfshirë të ftuarve shtetërorë.

“Ne ende përjetojmë shumë mosmarrëveshje, shumë plagë të shkaktuara nga urrejtja, dhuna, paragjykimet, frika nga të tjerët dhe një model ekonomik që shfrytëzon burimet e Tokës dhe margjinalizon më të varfrit”, tha Papa i ri në Vatikan.

Papa Leone, ish-kardinali 69-vjeçar Robert Francis Prevost i Çikagos, tha se shpresonte që Kisha Katolike të mund të bëhej një forcë për shërim dhe pajtim.

Mesha inauguruese shënon fillimin zyrtar të tij si Papa i Vatikanit.

Që nga zgjedhja e tij si Papa i 267-të më 8 maj, ai u ka bërë vazhdimisht thirrje udhëheqësve botërorë të punojnë për t’i dhënë fund konfliktit global.

Kohët e fundit, Papa Leone XIV ofroi Vatikanin si një vend për negociata paqeje midis Ukrainës dhe Rusisë.

Papa Leone konsiderohet si një ndërtues urash i moderuar, i cili mund të ndërmjetësojë midis kampeve të ndryshme brenda Kishës.

Besohet, gjerësisht se kjo është një nga arsyet pse ai u zgjodh nga konklava e kardinalëve.

Në mesazhin e tij inaugurues, Papa Leone tha se do të punonte për unifikimin e Kishës – dhe se ky kohezion mund të shërbente si shembull për të tjerët. /atsh/ KultPlus.com

 Edhe kur kujtesa

Poezi nga Ismail Kadare

Edhe kur kujtesa ime e lodhur
Ashtu si ato tramvajet e pasmesnatës
Vetëm në stacionet kryesore do të ndalojë,
Une ty s’do të harroj.

Do të kujtoj
Mbrëmjen e heshtur, të pafund të syve të tu,
Dënesën e mbytur, rrëzuar mbi supin tim
Si një dëborë e pashkundshme.

Ndarja erdhi
Po iki larg teje…
Asgjë e jashtëzakonshme,
Veç ndonjë nate
Gishtat e dikujt do të mpleksen në flokët e tu
Me të largëtit gishtat e mi, me kilometra të gjatë…/ KultPlus.com

Alice Herz-Sommer, një histori mbijetese dhe një simfoni e shpirtit njerëzor që sfidoi ferrin

Në një epokë ku errësira përpiqej të mbytte gjithçka njerëzore, historia e Alice Herz-Sommer ngrihet si një dritë që nuk u shua kurrë, një himn i heshtur, i luajtur në tastierat e një pianoje mes tmerrit në ferrin nazist.

E lindur në Pragë në vitin 1903, në një botë që i jepte frymë kulturës dhe mendimit, Alice u rrit në një familje intelektuale ku muzika nuk ishte thjesht zbavitje, por frymëmarrje. Ajo shquhej si një pianiste klasike me një ndjeshmëri të rrallë, dhe pa e ditur, përgatitej për të përballuar një stuhi që do ta fuste njerëzimin në kapitullin më të errët të historisë së tij moderne.

Në vitin 1943, në një kohë kur e gjithë Evropa përgjaket nga makineria naziste, Alice, vetëm 18-vjeçare, deportohet në Auschwitz. Por, në vendin ku gjithçka ishte ndërtuar për të zhveshur njeriun nga dinjiteti, ajo gjeti një mënyrë për të mos e humbur kurrë thelbin e vet, muzikën.

U bë pjesë e Orkestrës së Grave në kamp, një ansambël i përdorur nga nazistët për qëllime propagandistike. Muzikantet përshëndetnin me melodi të burgosurit që hynin drejt seleksionimit dhe vdekjes, një ironi tragjike, që në vend të heshtjes së natyrshme të dhimbjes, mbulonte mizorinë me nota. Por në këtë absurditet, Alice e ktheu çdo performancë në një akt mbijetese.

Për të, tastiera nuk ishte thjesht një vegël: ishte rruga për të mos u bërë asnjëherë robe e kampit. Çdo tingull që nxirrte ishte një kundërshtim i heshtur ndaj shfarosjes.

“Muzika më shpëtoi jetën”, do të thoshte më vonë. Dhe në ato orë të errëta, ajo nuk luante vetëm për të kënaqur rojet, por për të kujtuar vetes, dhe të tjerëve, se bukuria ekziston ende, se shpirti mund të këndojë edhe kur trupi është nën peshën e persekucionit dhe panikun e asgjesimit.

Pas çlirimit, ajo nuk u kthye kurrë në një jetë të zakonshme, sepse ajo nuk kishte qenë kurrë një qenie e zakonshme. E shpërngulur në Izrael dhe më pas në Londër, ajo vijoi të mësonte, të luante, të jetonte. Në çdo nxënës që i mësonte piano, i dhuronte një copëz nga ajo dritë që ajo kishte ruajtur gjallë në errësirën e Auschwitzit.

Në vitet e vona të jetës, historia e saj preku mijëra zemra përmes dokumentarit “The Lady in Number 6”. Alice nuk fliste për urrejtje; ajo fliste për bukuri, për muzikë, për falje dhe për dashuri ndaj jetës, edhe kur ajo kishte qenë shpirtrobëruar.

Vdiq në vitin 2014, në moshën 110-vjeçare, si më e moshuara e të mbijetuarve të Holokaustit. Por në të vërtetë, ajo nuk vdiq kurrë, ajo vazhdon të jetojë në çdo frymë që beson te muzika si shërim, në çdo njeri që zgjedh të mos i nënshtrohet errësirës.

Sepse historia e Alice Herz-Sommer nuk është vetëm një rrëfim i mbijetesës, është një simfoni e shpirtit njerëzor, që nuk pranon të heshtë.

Përgatiti: Albert Vataj/ KultPlus.com

‘Rrallë kam pa k’so bukurie’ nga zëri unik i Hafsa Zyberit (VIDEO)

Hafsa Zyberi është këngëtare shqiptare e cila i takon brezit të Fitnete Rexhës, Nexhmije Pagarushës, Vaçe Zelës, Fatime Sokolit, etj.

Gjatë karrierës së saj këndoi dhe kultivoi me një pasion të madh këngët e Shqipërisë së Mesme.

Disa prej këngëve të cilat ajo i këndoi ndër vite janë: Hajde Moj Malenake, S’paske Pas Një Pikë Mëshirë, Si Më Ke Sytë Më Ke Vetullat, Të Du Moj Goce E Vogel, Ti Pelqeva Ato Sy, Unë Ty Moj Të Kam Dashte, Kënga E Shoqënisë, Balluket E Tuja, Çohuni Djema Shaloni Atin, Këngë Për Kajo Karafilin, Kumuri Qafëbardhë, Kur Ke Qenë Një Herë E Re, Lum E Lum Se Ja Mërrina, Më Shikon Më Buz Në Gaz, Moj Thëllënxa Mitare, Mun Te Ara Kë Tagjia, Në Bash Të Qejfit E T’muhabetit, Rrallë Kam Pa Ksoj Bukurie etj.

KultPlus ju sjell një interpretim të saj “Rrallë Kam Pa k’so Bukurie”: