Rama ndan pamje nga plazhi i Velipojës, i frekuentuar nga pushuesit

Velipoja, rreth 30 minuta nga qyteti i Shkodrës, edhe këtë sezon veror ka tërhequr një numër të lartë pushuesish.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale pamje nga ky plazh, ku mund të shijosh detin e pastër, rërën e imët dhe të pasur me jod.

Kjo zonë e pasur me një hapësirë të gjelbër, ofron një kontakt të drejtpërdrejtë me natyrën. Nën hijen e pemëve të larta dhe të rrethuar nga një bimësi e shumëllojshme do të keni mundësi të vëzhgoni natyrën dhe bukurinë e saj.

Për të gjithë të pasionuarit pas shëtitjeve në natyrë, kjo perlë e zonës ju ofron një aventurë interesante në ajrin e pastër, ku do ta gjeni veten të zhytur në një oaz të gjelbër.

Kjo zonë shquhet për tradita dhe histori të hershme, me fermerë dhe peshkatarë të zot, mikpritës të njohur në të gjithë Shqipërinë. Velipoja përfshihet në zonën që quhet Peizazhi Ujor-Tokësor i Mbrojtur dhe në të do të gjeni edhe rezervatin natyror, i cili kohët e fundit po shihet si një opsion për zhvillimin e turizmit.

Grykëderdhja e Bunës, pjesë e këtij peizazhi, ofron një natyrë të pasur, uji dhe bimësia i japin një panoramë këtij plazhi të vogël që e bëjnë edhe më të veçantë.

‘E piva kafen e helmët pa ty këtë mëngjes’, Timo Flloko i dedikon poezinë e ndjerë mikut të tij Ismail Kadare

Aktori i njohur, Timo Flloko, i ka dedikuar një poezi mikut të tij, shkrimtarit të madh Ismail Kadare, i cili vdiq pak ditë më parë në moshën 88-vjeçare.

Përmes këtyre vargjeve aktori Flloko shpreh dhimbjen dhe boshllëkun që ka lënë pas largimit të tij shkrimtari i shquar shqiptar Ismail Kadare.

KADARE (Requiem)

E piva kafen e helmët pa ty, këtë mëngjes,
Dhembjen, fillikat, me kë ta ndaja,
Chateau Juvenilja tek e shoh më ngjan,
Më shkretëtirë se Saharaja…

Ike heshtjes si gjigant, i menduar,
(Bëre vallë pakt të fshehtë me ikjen?!)
Le bosh pas vetes, në mijëra zemra,
Zbrazëti pa skaj, apokaliptike…

(Pse vijnë gjenitë dhe ikin nga kjo botë..?!)
Ikja jote është shtegtim qiellor,
Vdekjen s’mund as ta imagjinoj dot!

Mortin s’mund ta marr as me mend..
Një zog erdh’ a m’u faneps
Fluturimin ndali, u ul në vendin tënd,

(Të ish hij’ e Nobelit ai udhëhumbës,
Me pendesën në vete, një gjasë aq e rrallë,
U nis por mbërriti vone, nga erërat që frynin,
Korb u bë nga mërzia, se s’të gjeti gjallë…)

U përmenda ne fund, humbës në atë bosh,
Hodha sytë në qiell, përtej, te e panjohura,
Me pafundësinë u shkri, atje përjetshëm,
Shpirti yt shtegtar që kapërcen kohërat./ KultPlus.com

Vrasja e vëllezërve Bytyqi, Presidentja Osmani: Serbia glorifikon kriminelët e luftës

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, tha se familja e Yll, Agron dhe Mehmet Bytyqit, shtetas amerikanë të vrarë brutalisht 25 vjet më parë, janë ende në kërkim të drejtësisë.

Osmani, në një postim në platformën X, shkruan se regjimi i Serbisë vazhdon t’i glorifikojë kriminelët e luftës, në vend që t’i mbajë ata përgjegjës.

“Familja e Yll, Agron dhe Mehmet Bytyqit, shtetas amerikanë të vrarë brutalisht 25 vjet më parë, janë ende në kërkim të drejtësisë. Deri më sot, regjimi i Serbisë vazhdon t’i glorifikojë kriminelët e luftës, në vend që t’i mbajë ata përgjegjës. Nuk do të pushojmë derisa autorët të përballen me drejtësinë”, ka shkruar Osmani.

Kujtojmë se vëllezërit Bytyqi kanë luftuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kanë qenë shtetas të SHBA-së. Ata janë vrarë në vitin 1999, pasi paraprakisht janë arrestuar nga autoritetet serbe për shkak të, siç është thënë atëkohë, hyrjes së paligjshme në Serbi. Trupat e pajetë të tyre janë gjetur në qershor të vitit 2001 në një varrezë masive në Petrovo Sello, në lindje të Serbisë.

Presidentja Osmani takon Jim O’Brien, flasin për tejkalimin e sfidave të përbashkëta

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një postimi në Facebook ka thënë se takimet në Washington D.C. i ka filluar me ndihmës-sekretarin e Shtetit, Jim O’Brien.

Presidentja Osmani ka bërë të ditur se me Jim O’Brien kanë pasur një diskutim përmbajtjesor për bashkëpunim të ngushtë me SHBA-në, me qëllim siç ka thënë ajo, për tejkalimin e sfidave të përbashkëta.

“Diskutim përmbajtjesor mbi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me aleatët tanë amerikanë për tejkalimin e sfidave të përbashkëta, si dhe për mbrojtjen e lirisë, pavarësisë dhe demokracisë sonë”, ka shkruar Osmani.

Tutje ka thënë ajo se bashkë kanë diskutuar edhe zhvillimet e fundit në dialogun me Serbinë, dhe rëndësinë e rolit të SHBA-ve për suksesin e këtij procesi.

Kujtojmë se presidentja Vjosa Osmani, me ftesë të Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken, ka udhëtuar për në Uashington. Ajo do të marrë pjesë në aktivitetin e organizuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili mbahet në kuadër të Samitit të NATO-s, në 75-vjetorin e themelimit të kësaj organizate ushtarake.

ShBA-ja i kërkon Serbisë të përfundojë hetimin për vrasjen e vëllezërve Bytyqi

Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Mathew Miller, ka bërë të ditur se i kërkojnë Serbisë që të përfundojë hetimin për vrasjen e vëllezërve Bytyqi në vitin 1999.

“25 vjet më parë, shtetasit amerikanë Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi u vranë në paraburgimin e policisë serbe”.

“Sot, autorët e këtij akti brutal mbeten të lirë. Ne i bëjmë thirrje Serbisë sërish që të përfundojë hetimin e saj dhe të sjellë para drejtësisë përgjegjësit për vdekjen e tyre”, ka shkruar Miller. /Klankosova/ KultPlus.com

Romani i fundit i Kadaresë ‘Kur sunduesit grinden’, finalist për International Booker Prize 2024

Libri i fundit i shkruar nga shkrimtari i madh Ismail Kadare “Kur sunduesit grinden” është finalist për International Booker Prize 2024. Në këtë libër bëhet fjalë për një bashkëbisedim telefonik, i cili, ndonëse ka ndodhur gati një shekull më parë, vazhdon të zbërthehet e të interpretohet ende sot në mënyrat më kundërthënëse.

Në një vështrim të parë, krijohet përshtypja se kureshtjen për librin e mbajnë gjallë dy bashkëbiseduesit: Stalini dhe Pasternaku. Nga një shqyrtim më i thellë, një personazh i tretë, më pak i njohur se ata, poeti Osip Mandelshtam, ndonëse nuk merr pjesë në bisedim, zë vendin kryesor në të.

Është fati i tij i hidhur, në të vërtetë fati i qindra shkrimtarëve të njohur e më pak të njohur, që vuajtën nën komunizmin bolshevik. E vërteta e tyre tragjike, në vend të harresës, pret ringjalljen e saj. Tani që ky rend ka rënë, hapja e arkivave dhe dosjeve të tij është çështje e ditës./ BalkanWeb/ KultPlus.com

Takimet muzikore të dy botëve, edicioni i 15-të i festivalit “zbret” në qytetin e lashtë të Apolonisë

Dy botë, një tingull , një histori. Me këtë risi vjen në edicionin e 15-të, festivali “Takimet muzikore të dy botëve” që do të shfaqet në qendrat e antikitetit, duke riprodhuar  përditshmërinë e banorëve të këtyre qyteteve, njësoj si mijëra vite më parë bazuar në të dhënat arkeologjike.

Apolonia është shndërruar  në një skenë ku rrëfenjat dhe  historitë e saj të lashta janë prezantuar nëpërmjet podkasteve dhe tingujve të lirës.

Për Parkun Arkeologjik të Apolonisë , aktivitete të tilla I shtohen tërësisë së atraksioneve për turistet dhe vizitorët veçanërisht gjatë stinës së verës.

Shfaqja në  Apoloni është mbyllur në  mbrëmje me një koncert ku të ftuar ishin edhe këngëtarë të njohur grekë.

Ndërkohë aktivitete të ngjashme do të zhvillohen në disa qytete të tjera, ku nëpërmjet podkasteve të prodhuara risillen plot jetë historitë publike të antikitetit me synim promovimin e siteve të trashëgimisë kulturore të vendit tonë./tema/KultPlus.com

Muzeu i Artit Mesjetar, fokus përcjelljen ndër breza të trashëgimisë popullore

Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar çdo muaj korrik sjell programin “Origjina dhe artizanati”, një projekt i përqendruar në përcjelljen ndër breza të punës së dorës e trashëgimisë popullore.

Një punë e shkëlqyer dhe po aq e vështirë, ka qenë ndër shekuj gdhendja e drurit. E përhapur në të gjithë Shqipërinë, prej kohëve të lashta, me specifikat e çdo vendi, gdhendja e drurit ka zënë gjithmonë një vend tepër të rëndësishëm në jetesën e popullit, duke nisur nga objektet e nevojshme, të përdorimit të përditshëm, deri tek objekte e zbukurimit.

Disa prej këtyre objekteve MKMA ka ndarë përmes një postimi në rrjetet sociale, ku përfshihen: motive gjeometrike, floreale dhe zoomorfe, të gdhendura me mjeshtëri.

Në kuadër të programit mbi trashëgiminë kulturore, traditën dhe artizanatin do të ekspozohen:

-Koleksioni i gdhendjeve në dru në Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar,

-Ekspozita nga artizanë të cilët ende vazhdojnë traditën me fanatizëm,

-Biseda me artizanin për të mësuar më shumë rreth punës së tij.

-Do të zhvillohen punëtori të ndryshme ku në fokus do të jenë fëmijët. Njohja me artizanatin dhe mënyrat e jetesës.

-Ekspozitë në bashkëpunim me Muzeun e Manastirit, ku kemi shumë të përbashkëta midis kulturës së gdhendjes së drurit, traditës dhe trashëgimisë.

MKAM, në fondet e tij përmban shumë elementë popullorë, të cilat do të ekspozohen si një shembull i mirë, i pasurisë sonë kombëtare. Nje prej tyre eshte ikonostasi me origjinë nga fshati Rehovë, Kolonjë (Nr. 7477) i shek. të 19-të dhe që qëndron madhështor i ekpsozuar në MKAM duke treguar mjeshtërinë e gdhendjes së drurit dhe realizimin e lartë artistik të motiveve floreale dhe zoomorfe./atsh/KultPlus.com

Shqipëria mirëpriti për herë të parë “Nastro Rosa Tour”

Për herë të parë, Shqipëria mirëpriti në Durrës “Nastro Rosa Tour”.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi i cili ndau foto nga kjo garë, u shpreh se, kjo është një përvojë unike e Xhiros së Italisë me varka me vela.

“Qeveria shqiptare urë lidhëse e ngjarjeve të tilla që nxisin miqësinë, bashkëpunimin ndërkombëtar, turizmin, si dhe përforcojnë sigurinë dhe stabilitetin”, theksoi Peleshi.

Ky event u organizua nga Bashkia Durrës, në bashkëpunim me Marinën italiane dhe Autoritetin Portual Durrës.

Ky aktivitet sportiv, i organizuar nën përkujdesjen e Kryeministrit Edi Rama, i bashkëngjitet një serie veprimtarish për promovimin e turizmit dhe bukurive të qytetit dhe vendit tonë.

Gara ka nisur në Xhenova të Italisë dhe varkat me vela pjesëmarrëse, me ekuipazhe nga Marina italiane dhe Guardia di Finanza, ndalojnë në 10 qytete, 9 italiane, dhe për herë të parë në Durrës./atsh/KultPlus.com

Përkujtohet Pjetër Arbnori, figurë e shquar e politikës shqiptare

Muzeu “Shtëpia me gjethe” përkujtoi sot shkrimtarin, përkthyesin dhe politikanin Pjetër Arbnori, i quajtur gjithashtu “Mandela i Ballkanit”, për shkak të kohës prej 28 vitesh kaluar në burgjet e diktaturës komuniste.

Pjetër Arbnori lindi më 18 janar të vitit 1935 në qytetin e Durrësit. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, forcat partizane vranë babain e tij dhe qëndrimi antikomunist i familjes së tij do të ishte shkak që Pjetër Arbnorit t’i mohohej e drejta për të vazhduar shkollën e lartë, edhe pse të mesmen e kishte përfunduar me rezultate të shkëlqyera.

Duke mos u pajtuar asnjëherë me vijën politike të regjimit komunist, ai dhe intelektualë të tjerë krijuan në fshehtësi Lëvizjen Social-Demokrate, e cila u zbulua nga Sigurimi i Shtetit.

Fillimisht atij iu dha dënimi me vdekje, por ky dënim iu kthye në 25 vjet burg, sepse autoritetet shpresonin akoma që nëpërmjet Arbnorit të zbulonin pjesëtarë të tjerë të organizatës së fshehtë ku ai bënte pjesë. Pas përfundimit të dënimit, ai u ridënua, duke vuajtur 28 vite në burgun e Burrelit.

U lirua në vitin 1989, vit ku tashmë ndihej era e ndryshimit. Ishte mjaft aktiv në luftën për rrëzimin e regjimit komunist si dhe bashkëthemelues i Partisë Demokratike në Shkodër. Në vitet 1992-1997 shërbeu si Kryetar Kuvendi.

Pas vitit 1997 ai bëri përpjekje që censura e shtetit në media të eleminohej. Ndryshimet në ligj që pasuan në këtë fushë u quajtën “Amendamenti Arbnori”.

Pjetër Arbnori shkroi: “Kur dynden vikingët”, “Bukuroshja me hijen”, “E bardha dhe e zeza”, “E panjohura”, “Vdekja e Gebelsit” “Shtëpia e mbetur përgjysmë”, “Letër nga burgu”etj.

Vdiq në Itali, në korrik të vitit 2006./atsh/KultPlus.com

Kryeministri Kurti publikon listën e aseteve të trashëgimisë kulturore që janë restauruar

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, përmes rrjeteve sociale ka treguar për investimet që Qeveria e Kosovës ka bërë për trashëgiminë kulturore, duke i vlerësuar si më të lartat ndonjëherë.

“Në tri vjet qeverisje, janë restauruar mbi 100 asete të trashëgimisë kulturore — më shumë se në dy dekadat pararendëse bashkë.”,  ka shkruar Kurti nqë Facebook, duke publikuar listen e monumenteve të restauruara:

“Në pjesën e parë të këtij viti, kanë përfunduar restaurimet në:

Kullën e familjes Tafolli në Çadrak të Suharekës

Shkollën historike shqipe “Ismail Qemali” në Ferizaj

Mullirin e fshatit Majac të Podujevës i ndërtuar në shek. XIX

Mullirin e Cal Malushit në fshatin Kotradiq të Pejës

Ndërtesën e shkollës së parë shqipe në Pejë

Muzeun e Hidroelektranës në Prizren

Hamamin e Gazi Mehmed Pashës në Prizren – faza e parë

Kullën e Gjyle Kadrisë në fshatin Rastavicë, Deçan, e ndërtuar në shek. XIX

Shtëpinë Kullë të Vesel Godenit në Viti

Kullën e Zeqë Ramë Sadrisë në Brovinë në Gjakovë.

Ndërkaq punimet po vazhdojnë e janë drejt përfundimit në:

Shtëpinë e Hynilerëve në Prishtinë

Rezidencën e Presidentit Ibrahim Rugova

Shtëpitë tradicionale të Janjevës

Shtëpinë e familjes Kryeziu në Gjakovë, e cila karakterizohet me arkitekturë tradicionale të fundit të shek. XVIII

Shtëpinë e Adem Aga Gjonit në Prizren, e karakterizuar nga arkitektura tradicionale e shek. XVIII

Shtëpitë tradicionale të familjes Hajdini, në lagjen e quajtur Terziaj në Gjilan

Shtëpinë e familjes Safqi në Prishtinë, e ndërtuar rreth vitit 1800

Shtëpinë tradicionale të familjes Sylejmani brenda qendrës historike në Prishtinë, e ndërtuar në vitin 1880

Shtëpinë e familjes Kirajtani, një prej shtëpive më të veçanta të Prizrenit

Shtëpinë e familjes Munik në Prizren

Qendrën Kulturore Hebraike në Qendrën Historike të Prizrenit

Shtëpitë tradicionale në rrugën Marin Barleti në Prizren

Kishën Katolike në Ferizaj

Xhaminë në Turbohovc të Istogut

Kullën e Tal Belit në Krelan të Gjakovës

Postën e Vjetër në Mitrovicë./KultPlus.com

Inva Mula risjell në Korçë “MIK Festival”, me edicionin e shtatë

“MIK Festival” vjen së shpejt me edicionin e shtatë te tij, me një program të pasur artistik. Festivali muzikor i themeluar nga sopranoja e njohur Inva Mula nis më 11 korrik në Korçë, ku do të bëjë bashkë artistë të njohur shqiptarë e ndërkombëtarë.

Një nga pikat e forta të këtij edicioni do të jetë opereta shqiptare “Agimi”. Me festivalin rikthehet pas 70 vitesh në qytetin e Korçës opereta e parë skenike “Agimi”.

MIK Festival tashmë ka krijuar traditë në një qytet si Korça, ku kultura është shumë e rëndësishme. Do të jenë katër mbrëmje të dedikuara për të përcjellë tek publiku muzikën e kultivuar dhe emrat më në zë të skenës lirike. Festivali nis nga teatri “Andon Zako Çajupi” me “Udhëtim artistik me pianistin dhe muzikologun Red Radoja”, me “Nën tingujt e trios nga Maqedonia e Veriut”, që vijnë Dëshira Ahmeti soprano, George Petrushevski në oboe dhe Jordan Petrushevki në piano.

Më 12 korrik po te teatri i Korçës do të jetë opereta me 3 akte, “Agimi”, me muzikë nga Kristo Kono, libreti nga Kol Jakova, regjia Inva Mula, dirigjente Suzana Turku, koreografia Bardhi Pojani.

Më 13 korrik vjen tek Poli i Jugut në Drenovë koncerti gala “Inva e Friends” që prezanton romantikët e muzikës franceze. Nën dirigjimin e maestros Jean Michel Ferran, të ftuar janë Blerta Zhegu, Ramona Tullumani, Dëshira Ahmeti, Simona Karafili, Gjergji Mani, Ionela Mani, Igli Tuta.

Më 14 korrik festivali MIK do të zhvendoset në oborrin e kishës së Shën Kollit në Voskopojë, me një tjetër aktivitet./atsh/KultPlus.com

“Rozafa” kthehet në skenë filmi për dokumentarin e Robert Budinës e Luigjina Shkupës

Kalaja Rozafa është shndërruar në një skenë filmi, ku po xhirohet dokumentari “Gjej Za”.

Ky film dokumentar përbën një thirrje personale për të reflektuar mbi përvojën e emigracionit dhe sfidat që ka përjetuar si pjesë e një diasporës, vajza shkodrane Luigjina Shkupa e cila ka emigruar nga Shkodra qysh në moshën tre vjeçare dhe aktualisht po përfundon studimet në Universitetin e Filmit në Mynih, Gjermani.

Nën drejtimin e regjizorit, Robert Budina, si produksion i ERA Film, dokumentari “Gjej Za” fokusohet në eksplorimin e identitetit dhe trashegimisë kulturore. Përmes një rrugëtimi nëpër historinë dhe kulturën e Shqipërisë, Luigjina synon të zbulojë rrënjët e identitetit të saj kulturor dhe thelbin shpirtëror të popullit shqiptar.

Nën një kontekst historik, me në sfond Kështjellën e Shkodrës, ajo dëshiron të kuptojë vetveten përmes kontekstit kulturor dhe të shpalosë dilemën se a është e mundur të shpëtojmë nga strukturat kulturore që na janë trashëguar.

Dokumentari “Gjej Za” zbulon thellësinë e identitetit të saj në kontekstin e një Shqipërie të shkuar dhe të sotme./atsh/KultPlus.com

Akademia e Shkencave, konferencë shkencore për 200-vjetorin e vdekjes së Bajronit

Akademia e Shkencave të Shqipërisë zhvilloi sot konferencën shkencore “Bajroni dhe bajronizmi në botën shqiptare”. Kjo konferencë iu kushtua 200-vjetorit të vdekjes së poetit anglez G. G. Bajron, paraprirësit të romantizmit europian, që, me veprën e tij, zgjoi interesin kulturor të kontinentit të vjetër për popujt e vjetër të Ballkanit, shqiptarët e grekët para së gjithash, dhe trashëgiminë e tyre të kryehershme.

Në fjalën e tij të hapjes, sekretari shkencor Shaban Sinani tha se, ardhja e romantizmit europian në botën shqiptare pas disa shekujve harrimi në fatin e saj të braktisur, në përbërje të supershtetit otoman, ishte një faktor rizgjimi.

“Shqiptarët, grekët, spanjollët, popujt e lashtë të Mesdheut që ai njohu, iu paraqitën Perëndimit si lavdi e historisë, model i virtytit dhe shkëlqim i trashëgimisë. Përmes veprës së Bajronit Europa ritakoi e rinjohu gjuhën shqipe, identitetin e shqiptarëve, folklorin dhe veshjet e tyre, virtytet dhe cenet, rendin shoqëror e jetesën tradicionale, që ajo vetë i kishte humbur prej zhvillimit industrial”, u shpreh Sinani.

Në konferencë përshëndeti edhe akademik Mehmet Kraja, kryetar i ASHAK -ut, bashkorganizuese e konferencës shkencore ndërkombëtare. Kreu i Akademisë së Shkencave e Arteve në Kosovë u shpreh se, ky përvjetor është një homazh për këtë figurë të jashtëzakonshme të letërsisë botërore dhe po ashtu homazh për përkthyesin Skënder Luarasin, të cilit i takon merita kryesore që Bajronit i dha një vend kaq të rëndësishëm në letërsinë shqipe, si të ishte pjesë e saj.

Në konferencë ishin të pranishëm përmes kumtesave edhe akademikë arbëreshë si Altimari e Mandala./atsh/KultPlus.com

57 vite nga vdekja e Vivien Leigh, aktores fituese të çmimit Oscar

Sot, 8 korrik 2024, është 57 vjetori i vdekjes së Vivien Leigh.

Aktorja britanike pati një karrierë të jashtëzakonshme në Hollywood, duke luajtur në filma kaq të mrekullueshëm si Gone with the Wind, A Tramcar Named Desire dhe Tovarich për të përmendur vetëm disa, transmeton KultPlus.

Mirëpo, mes karrierës së saj të shquar të aktrimit, jeta e saj ishte e mbushur me skandale. Dhe gjithçka filloi në vitin 1937 kur ajo takoi për herë të parë Sir Laurence Olivier.

Olivier dhe Leigh patën një lidhje të menjëhershme. Dy aktorët e rinj u takuan pak para se të mbërrinin në xhirimet e filmit të vitit 1937, Fire Over England.

Leigh u pushtua nga “sharmi dhe magnetizmi” i tij, sipas biografisë së saj. Olivier ndihej i “tërhequr” ndaj saj si “asnjë grua tjetër”.

Megjithatë, kishte dy probleme të mëdha: të dy ishin të martuar.

Leigh ishte martuar me Herbert Leigh Holman pesë vjet më parë në 1932. Ndërkohë, Olivier ishte martuar me Jill Esmond për shtatë vjet në atë moment. Megjithatë, ai më vonë rrëfeu se “u vendos” për Esmondin, nga frika se nuk do të gjente ndonjë “më mirë” se ajo. Marrëdhënia e tyre megjithatë u raportua se nuk ka qenë “intime” pavarësisht se kishin një fëmijë së bashku.

Dy aktorët vendosën se nuk mund të lejonin që diçka si martesa të pengonte lidhjen e tyre.

Pa kaluar shumë kohë, dyshja filluan të kalonin gjithnjë e më shumë kohë së bashku jashtë ekranit. Ata përfundimisht iu nënshtruan tërheqjes së tyre ndaj njëri-tjetrit dhe filluan një lidhje të fshehtë. Megjithatë, ata nuk mund të ishin gjithmonë bashkë.

Leigh dhe Olivier ishin së bashku për 15 vjet të tjera, por përfundimisht u divorcuan në vitin 1960 pas vitesh grindje dhe një martesë spirale.

Në maj të vitit 1967, Leigh mësoi se tuberkulozi i saj ishte kthyer dhe ishte më keq se kurrë. Ajo u detyrua të pushonte në shtrat për disa javë.

Më 8 korrik 1967, burri i Leigh në atë kohë, Jack Merivale, u largua nga shtëpia e tyre për të interpretuar në një shfaqje, duke e lënë atë në shtrat. Kur u kthye e gjeti të vdekur në dysheme.

Kur Olivier dëgjoi për vdekjen e Leigh, ai nxitoi nga spitali në të cilin ndodhej – ndërsa po trajtohej për kancerin e prostatës – për t’i nderuar.

Ai “qëndroi dhe u lut për falje për të gjitha të këqijat që kishin lindur mes tyre”./ KultPlus.com

TIFF me identitet të ri vizual në edicionin e 2024

Pas një pune të gjatë disa mujore Tirana International Film Festival (TIFF) shpalli versionin përfundimtar të identitetit të ri vizual për edicionin e 22-të të tij.

Posteri është konceptuar dhe realizuar nga Babak Safari, student i doktoraturës në fushën e Arteve të Bukura dhe Konservimit të Artit në Akademinë Polako-Japoneze të Teknologjisë së Informacionit. Autori i posterit ka mbi 13 vjet përvojë profesionale si drejtor artistik dhe dizajner grafik i pavarur duke bashkëpunuar me vende të tilla si SHBA, Italia, Polonia, Gjermania, Kanadaja, Australia, Brazili, Greqia dhe Britania e Madhe. Punimet e tij janë paraqitur ose vlerësuar në mbi 70 bienale, festivale dhe ekspozita ndërkombëtare.

Posteri zyrtar i TIFF 2024, me sloganin e ri “duket i thjeshtë, mbetet kompleks”, ndërthur artin dhe teknologjinë në një mënyrë artistike. Ai tregon një dorë të lidhur me një kamerë filmike, duke simbolizuar shkrirjen e krijimtarisë njerëzore dhe teknologjive të reja.

Duke marrë frymëzim nga “2001: Një Odisea Hapësinore” e Stanley Kubrick, përdorimi i ngjyrave të kuqe dhe blu ndihmon në balancimin e ngacmimit dhe besimi: e kuqja simbolizon energjinë dhe entuziazmin, ndërsa bluja përcjell qetësi dhe besim.

Slogani i festivalit, “duket i thjeshtë, mbetet kompleks”, flet për natyrën e dyfishtë të filmave: duken të drejtpërdrejtë në shikim të parë, por që përmbajnë shtresa të ndërlikuara mesazhesh.

Si slogani ashtu edhe dizajni vizual i kujtojnë audiencës se filmat e festivalit nuk janë vetëm tërheqës vizualisht, por edhe të pasur në thellësi dhe kuptim.

Qasja artistike dhe konceptuale e këtij posteri fton shikuesit të eksplorojnë sferën e ndërlikuar dhe krijuese të filmave. Ai përcjell me mjeshtëri mesazhin e festivalit dhe thekson rëndësinë e inteligjencës artificiale në të ardhmen e artit të filmit./atsh/KultPlus.com

Rama: Berati i një mbi një dritareve dhe mijëra turistëve çdo ditë e më shumë

Berati, qyteti i një mbi një dritareve, po mirëpret një numër gjithnjë e më të lartë turistësh, në të gjitha stinët e vitit.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje të turistëve që vizitojnë pikat më atraktive të qytetit.

“Berati i një mbi një dritareve dhe mijëra turistëve çdo ditë e më shumë”, shkroi Rama në rrjetet sociale.

Berati, tashmë qytet i UNESCO-s, të ofron ndër të tjera plot shtëpi të epokës otomane, struktura mbresëlënëse të kështjellës dhe kishave mistike dhe xhamive, të vendosura në krah të kodrave dhe maleve që kanë në mes lumin Osum.,

Kalaja e Beratit është një nga atraksionet më piktoreske në zonë. Kjo kështjellë e epokës romake ulet sipër një kodre shkëmbore në bregun e majtë të lumit Osum me pamje nga qyteti i Beratit.

Numri i vizitorëve ka ardhur gjithnjë e në rritje dhe ky sezon veror ka pritshmëri të lartë jo vetëm në Berat por edhe në destinacionet e tjera turistike të vendit./atsh/KultPlus.com

Berati, 16 vjet në trashëgiminë botërore të UNESCO-s

Komiteti i Trashëgimisë Botërore në konferencën e mbajtur në Kanada, më 8 korrik të vitit 2008, e vlerësoi Beratin si një shembull të rallë të arkitekturës tipike osmane e njëkohësisht dëshmitar i bashkëjetesës së komuniteteve të ndryshme fetare dhe kulturore.

Në raportet e vlerësimit më 8 korrik 2008, UNESCO zyrtarisht u shpreh se, Berati ishte një ndër qytetet e diversitetit të shoqërive urbane në Ballkan, duke vlerësuar më tej edhe mënyrën e jetesës në banesat popullore urbane gjatë periudhës klasike osmane, në vazhdimësi me kulturat mesjetare që i kishin paraprirë.

Më 8 korrik 2008 qyteti i Beratit iu bashkangjit listës prej 600 vendesh të tjera të trashëgimisë botërore.

Berati, për shkak të objekteve muzeale me vlera të mëdha kombëtare, do të shpallej qytet-muze në vitin 1961. Kështjella, ura me 7 harqe e Goricës, katedralja “Fjetja e Shën Mërisë”, Muzeu Onufri, Epitafi i Gllavenicës, Kodiku i Purpurt i Beratit etj, përbëjnë pasurinë historike të qytetit 2400-vjeçar.

Vendi ynë aderon që prej vitit 1958 në UNESCO (Organizata për Edukim, Shkencë dhe Kulturë e Kombeve të Bashkuara)./atsh/KultPlus.com

Pajtim Statovci fiton Çmimin Ndërkombëtar të Letërsisë në Berlin

Shkrimtari i njohur shqiptar, Pajtim Statovci dhe përkthyesi i tij gjerman, Stefan Moster, kanë marrë Çmimin Ndërkombëtar të Letërsisë për këtë vit, i cili kap vlerën e 35 mijë eurove dhe i është ndarë atij për romanin “Macja ime Jugosllavi”.

Çmimi është dhënë nga Shtëpia e Kulturave Botërore në Berlin dhe Fondacioni Elementarteilchen.

Statovci ka lindur në vitin 1990 në Kosovë dhe në moshën 2 vjeçare është shpërngulur në Finlandë. Ai është bërë i njohur me disa vepra të tij letrare që viteve të fundit janë pe¨rkthyer në gjuhët e ropiane, mes tjerash, edhe në gjuhën gjermane.

Së fundmi ka pasur diskutime për punën e jurisë së Çmimit Ndërkombëtar të Letërsisë vitin e kaluar. Duke shkruar për punën konfidenciale të panelit, dy ish-anëtarë jurie patën pretenduar në gazetën javore “Die Zeit” se çmimi i vitit 2023 nuk bazohej në kritere letrare, por më tepër në kritere politike.

Shtëpia e Kulturave Botërore e hodhi poshtë këtë. Arsyeja e nominimit të librit ishte cilësia e tij e jashtëzakonshme letrare.

Në roman tregohet se si Eminja rritet në ish Jugosllavi në vitet 1980, më pas ikën në Finlandë me familjen e saj. Bekimi (protagonisti i romanit) nuk ka shumë dëshirë të merret me origjinën dhe familjen e tij. Në fund ai e bën këtë, sepse Statovci e vë përballë historinë e Bekimit (me identitet seksual “queer”) me atë të nënës së tij, e cila është rritur në Kosovën rurale dhe është martuar me një burrë të dhunshëm në moshë të re.

Është një roman tërësisht “evropian”, thuhet në laudation e jurisë, të prezantuar nga shkrimtarët Asal Dardan dhe Cia Rinne. “Një roman që thyen konvencionet e tregimeve autofiktive me temë migracionin”, shkruan gazeta gjermane Tages Zeitung.

Në Finlandë, tregimet letrare të migrimit lexohen rrallë, thotë Stefan Moster, i cili ka marrë çmimin si përkthyesi i romanit./KultPlus.com

‘Vetëm në ëndrra, ah, në ëndrra, t’i përqafoja flokët e dendura’

Poezi nga Ismail Kadare

Ti ishe për mua

Ti ishe për mua e pamposhtur si Troja
Troja që unë dot s’e pushtoja.
Ti ishe për mua e pakuptueshme,
Më e pakuptueshme se mbishkrimet etruske

Vetëm në ëndrra, ah, në ëndrra
T’i përqafoja flokët e dendura.
Gaz më shumë ndjeja tek të pushtoja
Se gjithë grekët kur ra Troja.

Vetëm në ëndrra m’ishe e kuptueshme,
Ti, e shtrenjta ime etruske. / KultPlus.com

Tri urat e Zerzebilit, monumente kulture në Gjirokastër

Tri urat e vogla mbi përroin e “Zerzebilit”, Gjirokastër, janë monumente kulture,  Kategoria I dhe shumë interesante për t’u vizituar. DRTK Gjirokastër mori masat që urat të jenë të lira nga vegjetacioni për të mikpritur vizitorë vendas e të huaj.

Ura pranë shkëmbit është e ndërtuar me gurë gëlqerorë të rregullt të lidhur me llaç gëlqere, me një hark guri në mes, parapet me mur guri gëlqeror të lidhur me llaç gëlqere, e shtruar me kalldrëm me gurë të zinj dhe të bardhë, përkatësisht nga dy radhë dhe është relativisht në gjendje të mirë.

Ura në pjesën e sipërme ka një ndërhyrje të mëvonshme ku duket prania e një trau.

Tri urat e Zerzebilit, monumente kulture në Gjirokastër

Ura në Dunavat është e transformuar tërësisht. Aty ka ndërhyrje me beton dhe ekzistojnë vetëm shpatullat e urës.

Ndërsa ura e mesit është e ndërtuar me gurë të zinj, me një hark guri në mes dhe përdoret nga kalimtarët dhe në ditët e sotme vjen mjaft e dëmtuar. Ura është e rënë në një gjatësi 2,5 m dhe gjerësi 2m.

Urat në qytetin e Gjirokastrës janë ndërtuar për të lidhur dy lagje të saj. Përrenjtë që përshkojnë qytetin kanë detyruar ndërtimin e një sërë urash të vogla, tre Urat e Vogla mbi Përroin e Dunavatit u ndërtuan nga Aqif Zerzebili, një person i kamur që donte të lidhte lagjet Manalat e Cfakë me pjesën tjetër të qytetit./oranews/KultPlus.com

A gjuhen pëllumbat

Nga Ali Podrimja

Pëllumbat a gjuhen bre?

Ulem në rend të dytë
pse shoh më larg e
dëgjoj më mirë
pse kam zë më të fortë

Vetveten s’e ha nga mëria
as shtyhem me brryla
Më shlirë e kam se në rend të parë

Si gjuhen pëllumbat bre?

Nga karrigia ima lëvizëse
për mrekulli mat kokat tullace
dhe barqet e fryra

Është rrenë e kulluar
se unë Ali Podrimja
jam qytetar i rendit të dytë
në Planetin Ka Ka

A gjuhen pëllumbat bre? / KultPlus.com

Kamy: Liria pa kufi është e kundërta e lirisë

“Vetëm tiranët mund të ushtrojnë lirinë pa limite; dhe për shembull, Hitleri ishte relativisht një njeri i lirë, i vetmi në të gjithë perandorinë e tij.

Por nëse duam të ushtrojmë një liri të vërtetë, nuk mund të ushtrohet vetëm në interes të individit që e ushtron. Liria ka patur gjithmonë si kufi, lirinë e të tjerëve.

Dua të shtoj që ajo ekziston dhe ka një kuptim vetëm nëse limitohet nga liritë e të tjerëve. Një liri që sjell vetëm të drejta, nuk do të ishte liri, por vetëm tirani. Por, nëse sjell të drejta dhe detyrime, është një liri që ka përmbajtje dhe mund të jetohet.

Pjesa tjetër, liria pa limite nuk jetohet dhe ka si çmim vdekjen e të tjerëve. Liria me limite është e vetmja gjë që bën të bashkëjetojnë atë që e ushtrojnë dhe ata në favor të të cilëve ushtrohet.” / KultPlus.com

Rama ndan pamje nga lumi i Shalës

Parku natyror i luginës së Shalës edhe këtë sezon veror vijon të jetë ndër destinacionet që nuk mungojnë në itinerarin e turistëve vendas e të huaj.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga lumi i Shalës gjatë kësaj fundjave, i mbushur me vizitorë dhe turistë, që shijojnë bukuritë natyrore dhe bëjnë plazh pranë tij.

I cilësuar nga turistët dhe mediet e ndryshme ndërkombëtare si Tajlanda shqiptare, lumi i Shalës tërheq çdo vit e më shumë vizitorë vendas e të huaj.

Lugina e Shalës, një zonë e virgjër lumore, e cila vetëm vitet e fundit është futur në guidat e agjencive turistike, po tërheq një vëmendje të jashtëzakonshme, për shkak të natyrës së paprekur dhe mundësive të shumta që ofron.

Aventurierët mund të shijojnë eksplorimin e zonës me varkë, ngjitjen në majat përreth me pamje spektakolare, si dhe zhytjen në ujin e freskët të lumit të Shalës.

Për të shkuar në lumin e Shalës duhet të udhëtoni me varkë përmes bukurive natyrore të liqenit të Komanit. Ndërkohë, shtimi i bujtinave dhe krijimi i infastrukturës së përshtatshme për pritjen e turistëve të shumtë në këtë destinacion ka rritur numrin e turistëve./ KultPlus.com