Kryeministri i Britanisë së Madhe, Keir Starmer do të vizitojë sot Shqipërinë. Kjo është hera e parë që një kryeministër britanik vjen në Shqipëri në një vizitë zyrtare.
Starmer dhe delegacioni që e shoqëron do të takohen fillimisht me presidentin Bajram Begaj në orën 10:30.
Pas takimit me kreun e shtetit, Steimer do të pritet nga kreu i qeverisë, Edi Rama, ndërsa së bashku do të dalin në konferencë për mediet në orën 12:40.
Vizita e Keir Starmer i paraprin edhe Samitit të Komunitetit Politik Evropian, i cili do të mbahet nesër në Tiranë, më 16 maj.
Sot liderët europianë dhe ata të Ballkanit Perëndimor pritet të vijnë në Shqipëri në kuadër të samitit të Komunitetit Politik Europian, i cili do të mbahet në Shtëpinë e Europës të zhvendosur në Sheshin “Skënderbej”. / KultPlus.com
Dita Ndërkombëtare e Familjes festohet më 15 maj. Ajo është shpallur si dita e familjes nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkura në vitin 1993 me rezolutën A/RES/47/237.
Ajo pasqyron rëndësinë që u jep familjeve bashkësia ndërkombëtare. Dita Ndërkombëtare e Familjes ofron një mundësi për të promovuar ndërgjegjësimin për çështjet dhe njohuritë të proceseve shoqërore, ekonomike dhe demografike që prekin familjet. / KultPlus.com
Tek ti, unë, dashuroj siluetën e anijes nisur për në pol Tek ti, unë, zbulimet aventuriere prej kumarxhinjsh Tek ti, largësinë. Tek ti, unë, dashuroj të pamundurën. Të kridhem në sytë e tu, ashtu si në një pyll plot dritë. Mes djersës, urisë e irritimit, me uri gjahtari të ta kafshoj mishin Tek ti unë, dashuroj të pamundurën, Por kurrë pesimizmin./ KultPlus.com
E para nga gratë shqiptare që studioi Shkenca Politike në Firencë gjatë shekullit XIX.
Shaqe Çoba (Shkodër, 1875 – 1954) qe e para grua intelektuale shqiptare që u përpoq për çështjen e ngritjes së grave të klasës së lartë.
U lind në Shkodër, ishte e bija e Zef Shirokës dhe halla e poetit rilindas, Filip Shiroka. Mësimet fillore i mori në vendlindje, ndërsa të mesmen në një kuvend në Zagreb, ku mesoi italishten, gjermanishten dhe serbo-kroatishten. Më 1904 shkoi në Itali që të vijonte shkollimin e lartë, në Venecia. Atje u takua me bashkëshortin e saj të ardhshëm, Ndoc Çobën, të cilit i la mbresë formimi i Shaqes dhe i kërkoi dorën familjes së saj.
Më 3 gusht të vitit 1920 themeloi komitetin “Gruaja Shqiptare”, me kryetare nderi Habibe Bekteshin, sekretare Paulina Lekën dhe llogaritare Albina Ashikun. Komiteti pati si qëllim nistor mbledhjen e fondeve në ndihmë të Ushtrisë Shqiptare që po përballej me mësymjet serbe në Koplik. “Gruaja shqiptare” mblidhte fonde në qytet e krahinë dhe ua shpërndante ushtarëve, vullnetarëve dhe familjeve që u kishte mbetur ndonjë dëshmor në luftë. Për të informuar publikun lidhur me punën e bërë nga «Gruaja Shqiptare», nga nëntori i vitit 1920 deri në korrik të 1921 komiteti botoi edhe revistën «Gruaja shqyptare». Në vitet 1925 – 1939 ishte nënkryetare e degës së Shoqërisë «Gruaja Shqyptare» për Shkodrën.
Mori pjesë në luftë bashkë me të shoqin, Ndoc Çobën. Pas luftës u dënua për qëndrimin kundër pushtetit komunist. / Albanian Women – Instagram / KultPlus.com
Oh! kurrë mos e fyeni ju një grua që bie! E di dot sa ka hequr? Sa ka vojtur urie? Sa net si ferr ka gdhirë në ankth e drithërim? Virtytin kur ua tund Mjerimi me tërbim, E kush nga ne s’ka parë të tillë gra të mjera Si rreken që të mbahen, me ngulm, me duar të ndera? Sikundër buzë degës shohim varur tek ndrin Një pikë shiu si lot, kur dielli vetëtin, Q’e tundin tok me pemën e që dridhet, po mbahet, Perlë, pa rënë akoma, dhe baltë, passi ndahet!
Fajin e kemi ne. Ti kamës! Ari yt! Po uji i pastër gjindet dhe aty në llom të ndyt. Dhe që kjo pikë loti të dalë nga ka rarë, Të bëhet prapë perlë me atë shkëlqim’n e parë, Mjafton – Ja kështu rihet e ngrihet, passi bie – Një rreze djelli ose një rreze dashurie!
Me kënaqësi ju njoftojmë se “Zbardhje”, filmi i regjisores Kaltrina Krasniqi dhe producentit Ares Shporta, do të jetë pjesë e Producers Network në Marché du Film, në kuadër të Festivalit të Filmit në Cannes 2025.
Kjo përfshirje në një prej platformave më të rëndësishme të industrisë ndërkombëtare të filmit përfaqëson një mundësi të çmuar për zhvillimin e mëtejshëm të projektit dhe për afirmimin e kinematografisë kosovare./KultPlus.com
Themeluesi dhe drejtori ekzekutiv i rrjetit social Facebook, Mark Zuckerberg, sot feston ditëlindjen e 41-të, shkruan KultPlus.
Mark Elliot Zuckerberg ka lindur më 14 Maj,1984. Ai është një sipërmarrës amerikan i teknologjisë dhe filantropist.
Lindur në White Plains (New York), Zuckerberg ndoqi studimet në Harvard. Ai nisi të themelojë Facebook-un nga dhoma e tij e konviktit më 4 Shkurt të vitit 2004 me shokët e dhomes Eduardo Saverin, Andrew McCollum, Dustin Moskovitz dhe Chris Hughes.
Fillimisht i nisur për të zgjedhur kampuset universitare, websajti u përhap shpejt duke arritur një miliard përdorues në 2012-ën. Zuckerberg e çoi kompaninë në bursë në Maj 2012 me shumicën e aksioneve.
Të ardhurat e tij neto vlerësohen të kenë qenë 55 miliardë dollar, deri në 30 Nëntor 2018, duke rënë gjatë vitit të fundit bashkë me aksionet e Facebook-ut në tërsi. Në 2007-ën, në moshën 23 vjecare ai u be miliarderi më i ri i vetërealizuar.
Në Dhjetor 2016, Zuckerberg ishte në vëndin e 10-të të listës së personve më të fuqishëm në botë nga revista Forbes.
Zuckerberg e braktisi shkollën në vitin e dytë në mënyrë që të mbaronte projektin e tij. Në Janar të 2014, ai do kujtonte:
“Më kujtohet atëherë një ose dy ditë pasi fillova Facebook, po haja pica me shokët dhe po mendoja Dikush duhet të krijoj një shërbim të tillë për botën. Por kurrë nuk mendoja se do ishim ne ata që do e bënim një gjë të tillë.Ne ishim më të predispozuar për ta realizuar.”
Në 28 Maj 2017, Zuckerberg mori një diplomë honorare nga Harvard.
Historiku i krijimit të facebook:
Në 4 Shkurt 2004, Zuckerberg hodhi në Internet Facebook, foto nga dhoma e tij e konvinktit në Harvard. Një inspirim për krijimin e Facebook mund të ketë ardhur që nga Philips Exeter Academy,shkolla para-universitare ku Zuckerberg kishte diplomuar në vitin 2002. Aty shkolla kishte publikime “Libri me Foto”,të cilin studentët e quanin si “The Facebook”. Foto të tilla ishin një pjesë e rëndësishme e eksperiencave sociale në shumë shkolla private. Me anë të tyre,studentët mund të shënonin detaje si viti i mbarimit, shokët dhe numrat e telefonit.
Kur nisi Facebook, Zuckerberg mendoi se do ishte thjeshtë ” një gjë Harvardi”, derisa vendosi që ta përhapte edhe nëpër shkolla të tjera, duke u ndihmuar nga shoku i dhomës Dustin Moskovitz. Ata filluan me universitet Columbia University,New York, University, Standford, Dartmouth, Cornell.
Më pas Zuckerberg, Moskovitz dhe disa shok u transferuan në Palo Alto, Kaliforni, në Silicon Valley ku morën me qera një shtëpi të vogël që shërbente si zyrë. Gjatë verës, Zuckerberg u takua me Peter Thiel, i cili investoi në kompani. Ata morën zyrën e tyre të parë diku nga mesi i 2004-ës. Sipas Zuckerberg-ut, grupi planifikonte të kthehej në Harvard, por përfundimisht vendosën të qëndronin në Kaliforni. Ata kishin refuzuar oferta nga korporatat kryesore për të blerë kompaninë. Në një intervistë të 2007-ës, Zuckerberg shpjegoj arsyen: “Nuk ishte për sasinë e parave. Për mua dhe kolegët e mi, gjeja më e rëndësishme ishte të krijonim fluks informacioni të hapur për njerëzit. Të pasurit e korporatave të mediave që zotëroheshin nga konglomeratët nuk ishte një ide tërheqse për mua.”
Ai i ritheksoi këto qëllime edhe në 2010-ën në gazetën Wired: “Gjëja që me të vërtet më intersonte ishte misioni,të bërit një botë të hapur. Në 21 Korrik 2010, Zuckerberg deklaroi se kompania kishte arritur kuotën e 500 milion përdoruesve.I pyetur nëse kompania mund të gjeneronte më shumë të ardhura nga reklamat si pasojë e rritjes galopante,ai shpjegoj:
“Them se po…nese shikon se sa faqet tona klikohen krahasuar me faqet e zakonshme.Kjo është gjeja më e thjeshtë që mund të bënim.Por nuk jemi për të tilla gjëra.Ne bëjmë para mjaftueshëm.Dua të them se po e menaxhojmë mirë dhe se po rritemi aq sa duam.”
Revista Vanity Fair e emëroi Zuckerberg si numrin 1 në listën e 2010-ës të 100 njerëzve më me influencë të epokës së informacionit. Zuckerberg ishte në vendin 23-të në po të njëjtën listë të një viti më parë (2009). Në 2010-ën, Zuckerberg u zgjodh në vendin e 16-të në sondazhin vjetor të ew Statesman si një ndër 50 personat më me infuencë në botë./KultPlus.com
Sot bota e muzikës dhe kinemasë ka përkujtuar 27-vjetorin e ndarjes nga jeta të këngëtarit të paharrueshëm për shumë breza, Frank Sinatra, sipas britannica.com.
Sinatra, emri origjinal i të cilit është Francis Albert Sinatra, u lind më 12 dhjetor 1915, në Hoboken, SHBA dhe vdiq më 14 maj 1998, në Los Anxheles.
Sinatra e filloi karrierën e tij si këngëtar në mesin e viteve 1930 dhe u zbulua nga trumpetisti Harry James, i cili e rekrutoi menjëherë.
Sinatra arriti popullaritet të gjerë kombëtar në vitet 1940-42, ndërsa këndonte me orkestrën ”Tommy Dorsey”.
Ai këndoi në programin radiofonik ”Your Hit Parade” (1943-45), ndërsa u bë një interpretues i preferuar në teatro dhe klube nate.
Në vitet 1940 ai luajti bashkë në një numër filmash muzikorë me balerinin Gene Kelly.
Popullariteti i tij ra papritur rreth vitit 1948, por performanca e tij në filmin “From Here to Eternity” (1953, Çmimi i Akademisë) ia ringjalli karrierën në rënie dhe më vonë ai luajti në shumë filma të vlerësuar, duke përfshirë “Guys and Dolls’’ (1955) si dhe dramën “The Manchurian Candidate” (1962).
Pas vitit 1953, ai performoi dhe regjistroi duke përdorur aranzhime nga Nelson Riddle, Billy May dhe Gordon Jenkins, duke arritur kulmin në albume si “Only the Lonely” (1958).
Në vitin 1961, ai themeloi “Reprise Records”.
Interpretimet e tij mjeshtërore, të alternuara me ritëm të lartë dhe melankoli prekëse, i sollën një sukses të pakrahasueshëm në historinë e muzikës amerikane.
Sinatra vdiq më 14 maj 1998 në Los Anxheles, pasi pësoi një atak në zemër.
Në pllakën e varrit të tij janë shkruar fjalët “Më e mira ende nuk ka ardhur”./ atsh/ KultPlus.com
Emma Goldman lindi më 27 qershor të vitit 1869 dhe vdiq më 14 maj të vitit 1940. Goldman ishte një anarkiste e njohur për aktivizmin e saj politik, me shkrime dhe fjalime, shkruan KultPlus.
Ajo luajti një rol të rëndësishëm në zhvillimin e filozofisë politike anarkiste në Amerikën e Veriut dhe Evropë në gjysmën e parë të shekullit të 20. Lindur në Kovno, Perandoria Ruse (sot Kaunas, Lituani), Goldman emigroi në Shtetet e Bashkuara në vitin 1885.
E tërhequr nga anarkizmi pas aferës Haymarket, Goldman u bë një shkrimtare dhe një lektore e njohur në filozofinë anarkiste, të drejtat e grave, dhe çështjet sociale, duke tërhequr mijëra turma.
Më poshtë po i sjellim disa thënie të kësaj aktivisteje të njohur:
“Njerëzit kanë aq liri sa guxojnë për ta kërkuar dhe për ta marrë”
“Më shumë do të doja të kisha trëndafila në tryezën time sesa diamante në qafë”
“Para se ta falim njëri-tjetrin, duhet ta kuptojmë njëri-tjetrin”
“Elementi më i dhunshëm në një shoqëri është injoranca” /KultPlus.com
Poezi e shkruar nga Maya Angelou. Përktheu: Beti Njuma
Kam mësuar se çfarëdo që të ndodhë, apo sado e padurueshme të ngjajë sot, jeta vazhdon dhe e nesërmja më e mirë do jetë.
Kam mësuar se mund të kuptosh mjaftueshëm nga një njeri nga mënyra sesi i përballon këto tri gjëra: një ditë me shi, humbjen e bagazheve dhe dritat lëmsh e li të pemës së Krishtlindjes.
Kam mësuar, sa i takon marrëdhënieve me prindërit, se malli për ta do t’na marrë kur të jenë larguar nga jetët tona. Kam mësuar se të jesh gjallë s’është njësoj si të jetosh.
Kam mësuar se jeta ndonjëherë të jep një mundësi të dytë. Kam mësuar se jeta s’mund të përballohet me doreza beisbolli në të dy duart: gjithmonë duhet të jesh e aftë të hedhësh diçka pas krahëve…
Kam mësuar se sa herë marr një vendim me zemër, përgjithësisht bëj zgjedhjen e duhur. Kam mësuar se edhe kur jam ligsht, s’kam pse rri vetëm.
Kam mësuar se çdo ditë duhet të dalësh për t’u pjekur me dikë. Njerëzve ua ka ënda një përqafim, ose thjesht një rrahje supesh….
Kam mësuar se kam ende shumë për të nxënë. Kam mësuar se njerëzit do ta harrojnë ç’ke thënë, apo ç’ke bërë, por s’do ta harrojnë kurrë si i ke bërë të ndihen./ KultPlus.com
Edicioni i gjashtë i Bienales Art Encounters në Timișoara zhvillohet nën titullin Bounding Histories. Whispering Tales., një propozim kuratorial i formësuar nga një lexim i afërt i strukturës urbane të qytetit të Timișoarës dhe historive të shumta të shtresuara në të. Kuruar nga Ana Janevski dhe Tevž Logar, Bienalja aktivizon tre hapësira ekspozimi—Komanda e Garnizonit (një ndërtesë e mëparshme ushtarake), FABER (një fabrikë e transformuar), dhe Fondacioni Art Encounters (një ish-kopsht)—si dëshmitarë të gjallë të transformimeve sociale, kulturore dhe politike të qytetit.
Duke reflektuar mbi atë që këto vende na tregojnë sot dhe se si ato mund të banojnë në një kontekst të një ekspozite ndërkombëtare arti, koncepti i jehonës udhëhoqi qasjet kuratoriale dhe artistike të këtij edicioni. Konsideruar si një tingull që është njëkohësisht përsëritje dhe përgjigje e ndryshuar, një jehonë është një agjent ndryshimi dhe krijimtarie i formësuar nga mjedisi i saj—një sinjal marrëdhënieje më shumë sesa një transmetim i drejtpërdrejtë. Si metaforë dhe metodë, jehona nxit lidhje të reja ndërmjet veprave të artit, hapësirave të ekspozitës dhe publikut.
Artistët pjesëmarrës: Lawrence Abu Hamdan, Ana Adam, Alle Dicu, Marina Abramović & Ulay, Bora Baboçi, Maja Bajević, Mona Benyamin, Željka Blakšić, Pavel Brăila, Geta Brătescu, Brief Histories (Isak Berbic, Fawz Kabra), Cian Dayrit, Christine Cizmaș, Marieta Chirulescu, Clément Cogitore, Lorena Cocioni, Moriah Evans, Simone Forti, Jošt Franko, Robert Gabris, Alicia Mihai Gazcue, Ladislava Gažiová, Jean Genet, Liam Gillick & Anton Vidokle, Karpo Godina, Maria Guțu, Petrit Halilaj, Veronika Hapchenko, Sky Hopinka, Loredana Ilie, Siniša Ilić, Joan Jonas, Hassan Khan, Dana Kavelina, Belinda Kazeem-Kamiński, Kapwani Kiwanga, Ana Kun, David Maljković, Jumana Manna, Teresa Margolles, Silvia Moldovan, Alban Muja, Oscar Murillo, Andrei Nacu, Marina Naprushkina, Eduardo Navarro, Christian Nyampeta, Mila Panić, Manuel Pelmuș, Gavril Pop, Raluca Popa, Ghenadie Popescu, Komiteti i Ringjalljes (Ovidiu Țichindeleanu, Raluca Voinea), Larissa Sansour, Ștefan Sava, Selma Selman, Larisa Sitar, Bojan Stojčić, ŠKART, Nora Turato, Johanna Unzueta, Mark Verlan, Cecilia Vicuña, Rosario Zorraquin.
Edicioni i gjashtë i Bienales Art Encounters Biennial 2025 i titulluar “Bounding Histories. Whispering Tales, do të mbahet nga 30 maj deri më 13 korrik./ KultPlus.com
Në një shtëpizë tradicionale në lagjen e vjetër “Dunavat” në zemër të Gjirokastrës, qëndistarja Hëna Gega mishëron frymën e një qyteti me histori, tradita dhe elegancë të rrallë.
E lindur dhe rritur në këtë lagje, ajo përfaqëson gruan me një pasion të veçantë për artin e punimeve me gjilpërë, një teknikë delikate që ka zbukuruar për shekuj veshje, perde, mbulesa dhe çarçafë në shtëpitë gjirokastrite.
“Unë këtë zanat e kam mësuar që në moshën 6-vjeçare. Është një punë e veçantë që duhet ta duash, ta dashurosh dhe ta bësh. Nuk bëhet sepse është një punë që duhet të tërheqë për ta bërë. Nuk është si punët e tjera që mund t’i bëjë çdo njeri. Kjo është një gjë shumë e veçantë që duhet ta duash me shpirt për ta mësuar”, thotë Hëna Gega.
Qëndisjet tradicionale me gjilpërë kërkojnë orë të tëra përkushtimi dhe mjeshtëri të lartë. Kjo ka bërë që ndër vite, artizania e saj të jetë simbol i finesës, por gjithashtu një produkt i kërkuar kryesisht nga të huajt.
“Ishte një bum i madh, që nga Greqia kërkonin shumë prodhim të tillë, bënin këllëfë, çentro tabakaje, dhe mua më vinin porositë në shtëpi. Unë i bëja, por nuk është punë që vlerësohet. Është një punë që do shumë kohë dhe nuk ka shumë lekë”, thotë ajo.
Megjithëse e pranon se është vështirë të nxjerrësh të ardhura duke ndjekur pasionin, qëndistarja ende vazhdon të përcjellë këtë vlerë të traditës. Ajo shpreson se interesimi në rritje i turistëve për kulturën dhe artizanatin do të japë frytet e veta dhe do t’u japë kuptim dekadave të punës me gjilpërë ndër breza.
“Unë e kam pasion, unë këtë e kam jetë. Nuk mund të rri nëse jam e shqetësuar apo kam një mërzitje. Nuk mund të rri pa punëdore, nuk mund të rri një ditë pa punëdore. Edhe do ta vazhdoj patjetër”, thotë Hëna Gega.
Artizania gjirokastrite e qëndisjes karakteristike dëshiron që kjo mjeshtëri të mos harrohet, por të transmetohet në breza si një vlerë e çmuar e traditave të Gjirokastrës./euronews./ KultPlus.com
Emma Goldman lindi më 27 qershor të vitit 1869 dhe vdiq më 14 maj të vitit 1940. Goldman ishte një anarkiste e njohur për aktivizmin e saj politik, me shkrime dhe fjalime, shkruan KultPlus.
Ajo luajti një rol të rëndësishëm në zhvillimin e filozofisë politike anarkiste në Amerikën e Veriut dhe Evropë në gjysmën e parë të shekullit të 20. Lindur në Kovno, Perandoria Ruse (sot Kaunas, Lituani), Goldman emigroi në Shtetet e Bashkuara në vitin 1885.
E tërhequr nga anarkizmi pas aferës Haymarket, Goldman u bë një shkrimtare dhe një lektore e njohur në filozofinë anarkiste, të drejtat e grave, dhe çështjet sociale, duke tërhequr mijëra turma. /KultPlus.com
Rrethimi i parë i Krujës ka ndodhur në vitin 1450, kur një ushtri Osmane prej rreth 100.000 trupash janë caktuar që të rrethojnë Krujën në Shqipëri.
Lidhja e Lezhës, e udhëhequr nga Skënderbeu, pësoi moral të ulët pas humbjes të Svetigradit dhe të Beratit në vitet 1448-1450. Megjithatë, thirrjet e Skënderbeut dhe mbështetja e klerit, të cilët pohuan se kishin vizione të engjëjve dhe fitores, i motivoi shqiptarët për të mbrojtur kryeqytetin e Lidhjes, Krujën, me çdo kusht.
Pasi la një garnizon mbrojtës prej 4,000 burrash nën togerin e tij të besueshëm Vrana Konti (i njohur edhe si Kont Urani), Skënderbeu i bastisi kampet osmane rreth Krujës dhe sulmoi karvanët e furnizimit të ushtrisë së Sulltan Muradit II. Deri në shtator, kampi otoman u shndërrua në një rrëmujë ndërsa morali u fundos dhe sëmundja u përhap.
Ushtria osmane pranoi që kalaja e Krujës nuk do të binte me forcë të armëve, hoqi rrethimin dhe morri rrugën e saj drejt Edirnes. Shumë shpejt pas kësaj, në dimrin e vitit 1450-51, Muradi vdiq dhe u pasua nga djali i tij, Mehmed II./ KultPlus.com
Kanë nisur në Vlorë aktivitetet në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Muzeve, e cila kremtohet më 18 maj.
Nxënësit dhe mësuesit e shkollës “Rilindja” realizuan një vizitë edukuese në Muzeun Historik të Vlorës, në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Vlorë.
Ky aktivitet kishte si qëllim forcimin e lidhjes së nxënësve me historinë kombëtare dhe rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë kulturore.
Gjatë vizitës, nxënësit patën mundësinë të njihen nga afër me periudha të ndryshme të historisë së Shqipërisë, që nga antikiteti e deri në kohët moderne, përmes objekteve, dokumenteve dhe ekspozitave të pasura që ndodhen në muze.
Falë udhërrëfimit të specialistëve të muzeut dhe informacionit të dhënë në mënyrë të kuptueshme për moshën e tyre, fëmijët patën një përvojë mësimore të veçantë, jashtë mjedisit të zakonshëm të klasës. Ata treguan interes, bënë pyetje dhe ndanë përshtypjet e tyre mbi ato që mësuan./ KultPlus.com
Gipsy Kings do të paraqitet me koncert në Prishtinë, dhe kryetari i Komunës së Prishtinës Përparim Rama kishte paraparë që të organizonte një pritje zyrtare për këtë grup të njohur por kjo pritje është anuluar.
Sipas një njoftimi zyrtar thuhet se kryetari Rama e ka anuluar këtë pritje për shkak të përshkallëzimit të situatës me mbeturinat në kryeqytet.
KultPlus ju sjell të plotë njoftimin.
Njoftim për anulim – pritja e Gipsy Kings
Ju njoftojmë se pritja e paralajmëruar për sot, më 14 maj 2025, në ora 16:00, e bendit të njohur ndërkombëtar Gipsy Kings tek Kryetari i Kryeqytetit Përparim Rama, është anuluar.
Anulimi vjen si pasojë e prioritizimit të zhvillimeve të fundit lidhur me problemin emergjent të menaxhimit të mbeturinave dhe ndërmarrjes “Pastrimi”, që ka kërkuar vëmendjen e menjëhershme të Kryetarit.
Ambasada e Francës në Shqipëri në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit (QKLL) shpallën thirrjen drejtuar botuesve shqiptarë, të cilët kanë projekte botimi të autorëve të gjuhës frënge në shqip për vitin 2025-2026.
Ambasada e Francës dhe QKLL ftojnë botuesit të marrin pjesë në thirrjen për projekte të programit të ndihmës për botim 2025. Data e fundit për dorëzimin e dosjeve është 22 maji 2025, deri në orën 24:00. Botuesit ftohen të çojnë projektet e tyre njëherazi në dy adresat: [email protected] dhe [email protected].
Rezultati i thirrjes për projekte do të komunikohet para datës 12 qershor 2025.
Prioritet për t’u përzgjedhur do të kenë: librat për fëmijë dhe të rinj, librat që kanë fituar çmime si edhe esetë në fushën e shkencave sociale dhe humane mbi mjedisin dhe çështjet evropiane.
Në njof\timin e publikuar në faqen online të Ambasadës franceze thuhet se, kjo veprimtari përbën një nga akset e forta të partneritetit me Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit (QKLL)./ KultPlus.com
“Kalorësi i Babunjës”, skulptura 2600-vjeçare e zbuluar pranë Apolonisë (Fier) është ekspozuar në Muzeun e Historisë Natyrore të Vjenës, ku do të qëndrojë deri më 31 korrik.
“Kalorësi i Babunjës” është një statujë e jashtëzakonshme prej bronzi që paraqet një kalorës të armatosur mbi kalë. Kjo është hera e parë që kjo vepër unike shfaqet para komunitetit shkencor austriak dhe studiuesve ndërkombëtarë, në një nga muzetë më të rëndësishëm në botë.
“Kalorësi i Babunjës” do të qëndrojë pranë Venusit të famshëm të Willendorf-it. Prezantimi i këtij zbulimi të jashtëzakonshëm të arkeologjisë u ideua dhe u organizua nga Ambasada e Shqipërisë në Vjenë në bashkëpunim me Institutin e Arkeologjisë, pjesë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Muzeu i Historisë Natyrore në Vjenë.
Në fjalën e saj përshëndetëse, drejtoresha e Muzeut të Historisë Natyrore të Vjenës, prof. Katrin Vohland, tha se ekspozita e veçantë “Kalorësi i Babunjës”, përbën një tjetër moment të rëndësishëm në bashkëpunimin mbi 100-vjeçar midis Shqipërisë dhe Austrisë në fushën e kulturës dhe të kërkimit shkencor. Që nga punimet e hershme në fushën e arkeologjisë në Shqipëri nga Camilo Praschniker-i dhe Arnold Schober-i, të publikuara në vitin 1919 dhe që vazhdojnë të jenë themelore edhe sot, janë realizuar një sërë projektesh të përbashkëta arkeologjike dhe kulturore-historike, si ekspozita dhe gërmime.
Në fjalën e tij, Fate Velaj, ambasador i Republikës së Shqipërisë në Austri, tha se çdo zbulim arkeologjik përfaqëson një ngjarje të rëndësishme në jetën shkencore dhe shoqërore, duke pasuruar njëkohësisht trashëgiminë kulturore dhe historinë e një vendi.
“Kalorësi i Babunjës” u zbulua në vitin 2018 në qytetin e lashtë ilir Arnisa në fshatin Babunjë pranë Apolonisë së lashtë, si pjesë e kërkimeve shqiptaro-gjermane./ KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim shefen e Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian, eurodeputeten Nathalie Loiseau, e cila i dorëzoi raportin përfundimtar të këtij misioni lidhur me zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.
Presidentja Osmani e falënderoi eurodeputeten Loiseau dhe të gjithë anëtarët e misionit për angazhimin dhe profesionalizmin e treguar gjatë gjithë procesit zgjedhor. Ajo theksoi se prezenca e këtij misioni, me kërkesë të saj, dëshmon përkushtimin e Republikës së Kosovës për transparencë, llogaridhënie, sundim të ligjit dhe përmbushjen e standardeve më të larta demokratike.
Presidentja Osmani theksoi se zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 ishin një dëshmi e pjekurisë politike dhe qytetare në Kosovë, duke theksuar se edhe ky proces zgjedhor, i zhvilluar në mënyrë të qetë dhe të rregullt, konfirmoi se demokracia në Kosovë është e gjallë, e qëndrueshme dhe në përparim të vazhdueshëm.
Nga ana e saj, Shefja e Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve Loiseau e përgëzoi Presidenten Osmani për angazhimin e Republikës së Kosovës në mbrojtje të vlerave demokratike dhe për organizimin paqësor të zgjedhjeve. Ajo vlerësoi pjekurinë e treguar nga qytetarët e Kosovës, si dhe bashkëpunimin e plotë të ofruar ndaj misionit vëzhgues.
Presidentja dhe Shefja e Misionit Loiseau po ashtu diskutuan për rekomandimet e raportit për përmirësimin e mëtejmë të proceseve demokratike në vend./ KultPlus.com
Më 15 maj në Prishtinë, artisti Gaspër Sopi do të prezantohet me ekspozitën “Women of the World”. Me portrete e grave nga 17-të vende të botës.
“Këto nuk janë thjesht imazhe. Janë histori të jetuara – të forcës, guximit dhe bukurisë së papërshkrueshme të gruas. Të gjitha fotografitë do të jenë në shitje, dhe të ardhurat do të ndihmojnë “Aksionin për Nëna dhe Fëmijë”, për të ofruar shërbime shëndetësore për nënat dhe fëmijët në nevojë. Bëhu pjesë e kësaj mbrëmjeje që është aq artistike, sa është edhe njerëzore”, thuhet në njoftimin e organizatorëve.
Ekspozita do të hapet më 15 maj, në ora 18:00 në Tartine Deli, Fehmi Agani 87, Prishtinë./ KultPlus.com
Presidentja Osmani priti në takim Shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, me të cilin diskutoi situatën aktuale politike në vend.
Presidentja Osmani e informoi ambasadorin Orav për mbajtjen e takimit konsultativ me liderët e partive politike, të planifikuar për nesër.
Gjatë takimit, u diskutua edhe për vizitat e rëndësishme të drejtuesve të lartë të Bashkimit Evropian në Kosovë, duke përfshirë vizitën e sotme të kryesuesit të Këshillit të BE-së, António Costa, si një sinjal i fuqishëm i mbështetjes së BE-së për integrimin evropian të Kosovës./ KultPlus.com