Librat e rinj në odeonin promovues të ”Okarinës” shqiptaro-suedeze

Për nder të 23 prillit, Ditës Botërore të Librit, më 27 prill në Malmö të Suedisë u realizua një pasdite kulturore me autorë, veprat e të cilëve u botuan kohëve të fundit. Veprat që u përzgjodhën u botuan në Prishtinë e Tiranë, ndërsa autorët e tyre gjallojnë në atdhe e mërgatë. Në sallën e mbushur përplot bashkatdhetarë- dashamirës të librit e mysafirë të ftuar nga Parisi, Uppsala, Stockholmi, Kopenhaga, Halmstadi, Vetlanda, Landskrona e Malmö, promovimi i parë filloi me veprën e autorit nga Prishtina.

Abdullah Zeneli

SALIH LUTOLLI-AGI  Kalorës i rrugës së pafund”, shtëpia botuese “Faik Konica” Prishtinë, 2023

Për këtë monografi, kushtuar jetës e veprës së piktorit Lutolli, foli shkrimtari shqiptar me banim në Paris Luan Rama. Rama, përveçse njohës i denjë i gjuhës e kulturës frënge, është edhe skenarist e kineast, është edhe njohës i hollë i artit shqiptar e botëror. Vizita e Ramës në Malmö, ishte pjekje e  tij e parë me Suedinë. Shpirtërisht, Rama ishte takuar qëmoti me vendin nordik, prejse kishte lexuar Lagerlöf-in, Strindberg-un, Tranströmer-in, apo kishte parë filmat e Bergman-it, Troell-it, aktrimin e Garbo-së e Ingrit Bergman-it. Luan Rama është gjurmues e ndriçues i fatit të familjeve elitare shqiptare në Europë (siç ishte familja Durrazo) dhe kur rasti e sjell para publikut (si në organizimin e “Okarinës”) shfaqet përrallor në kuvendim, aq sa të duket vetja se gjendesh para një orakulli. Rama ishte mbështetës i artistëve shqiptarë, rrugët profesionale të të cilëve, një ditë, përfunduan në Francë. Në Francë, Rama ishte  ambasador i shtetit shqiptar për shumë vite dhe profesor në universitetin “Denis Didero”.  Dhe jo vetëm artistëve. Në kohën e luftës në Kosovë, Luan Rama krijonte kontaktet e nevojshme mes udhëheqësve të Kosovës e shtetit të Francës. Luan Rama ftonte përfaqësuesit e UÇK-së për bashkë këshillim me shkrimtarin e madh Ismail Kadare, që jetonte në Paris në kohën e luftës në Kosovë.  

Salih Lutolli-Agi, kur u dëbua bashkë më mijëra bashkëqytetarë nga Prishtina, përfundoi në Francë. Atje gjeti Luan Ramës dhe e mori mbështetjen e tij. Këtë histori takimi, Rama ia evokoi publikut kur filloi të flasë për piktorin Lutolli. E rrëfeu edhe dramën familjare që artisti e kishte përjetuar në Kosovë (një vajzë e Lutollit ishte plagosur në Prishtinë). Pastaj nisi të vlerësojë krijimtarinë e piktorit. Përmendi teknikat e realizimit të motiveve, legjendat e subjekteve grafike, përkryerjet artistike që Agi i krijon me tush, akuarel apo guash. Veçoi edhe titujt kuptimplotë që piktori u jep tablove të veta. Titujt-pagëzimet e grafikave dëshmojnë kulturën letrare të Agit. Lutolli, për shkrimtarin Luan Rama, është piktor i realizuar dhe piktor që ka lexuar shumë njëkohësisht. Surrealizmi i Agit është ekuivalent me surrealizmin europian. Brenda arealit surrealist shqiptar Agi është origjinal dhe i pashoq. “Agi, do të duhej të bashkëpunonte me galeritë e njohura në Suedi, apo gjetkë në Europë, edhe për faktin se do të mund të internacionalizonte artin shqiptar”-tha Rama. Gjithashtu i sugjeroi Lutollit të vë në objektivin e grafikës së tij epikën suedeze ngase është e bukur dhe e kapshme për intuitën e tij krijuese.

Kur piktori Lutolli mori fjalën, kujtoi fëmijërinë, shkollimin, punën, publikimet e para dhe bashkëpunimet me revistat e shkrimtarët kosovarë që krijuan trashëgiminë gjysmëshekullore letrare të vendit gjatë shekullit XX e fillimit të shekullit XXl. Trashëgimia figurative e kësaj periudhe në Kosovë mbanë me krenari nofkën e shkurtër Agi. Monografinë për jetën e veprën e Lutollit e përgatiti Abdullah Zeneli dhe e botoi shtëpia botuese  “Faik Konica”. Botimi i monografisë është luksoz, bashkëpunimi i autorit Zeneli me “Faik Konicën” i rëndësishëm. Për monografinë foli edhe miku i Agit dhe i shqiptarëve danezi Niels Henrik Hooge  që kishte ardhur enkas nga Kopenhaga. Agi mori shumë urime për veprën nga bashkatdhetarët e miqtë suedezë, danezë e norvegjezë.

Zyrafete Kryeziu-Manaj

Dikter i urval” përktheu Ullmar Qvick, e botoi shtëpia botuese “Beqir Musliu” Gjilan.

Zyrafete Kryeziu- Manaj është emër i njohur i lirikës shqiptare në ekzil. Dikur ishte protagoniste e revoltës dhe e qëndresës në Kosovë. Poezisë i fali përkushtimin, lirisë idealin dhe sakrificën personale. Këto dy virtyte të larta njerëzore e shquajnë jetën e saj. Shqiptar Oseku i kishte parasysh këto dy cilësi, kur filloi të flasë për poeten në suedisht. Duke e njohur mirë poezinë e Zyrafetes e duke qenë vetë redaktor i përmbledhjes “Dikter i urval”, Oseku e kishte të lehtë t`u transmetonte të pranishmeve vlerat që fsheh poezia dhe virtytet që rrezaton njerëzia e kësaj gruaje shqiptare. Oseku e mbaroi ligjërimin e vet me një diskurs kuptimplotë që lartësonte emrin e gruas në shoqëri dhe denonconte sjelljet brutale (të kohëve të fundit) të burrave në dëm të qenies femërore.

Imri Demisai

Jam strugan”, botoi shtëpia botuese INFBOTUES Tiranë, 2023

Për përmbledhjen “Jam Strugan” të Demisait foli Qerim Kryeziu. Demisai poezinë e ka pasion, psikologjinë profesion. Poezinë e formaton me elemente të vjershërimit klasik, me strofa e rima të prera e të rregullta. Një traditë e hershme kjo në metrikë, e sprovuar me sukses nga Demisai në poezi. Ndërkaq në psikologji, Demisai demonstron metodologji krejtësisht të re dhe e aplikon atë në repartet e spitalit të psikiatrisë në Goteborg ku punon. Kërkimet dhe rezultatet e punës së vet, sivjet i publikoi në librin shkencor me titull  “Antidepressiv Kognitiv Stil” të botuar këtë vit në suedisht. Librit iu bë një prezantim i shkurtër dhe autorit iu shtruan disa pyetje interesante.

Qerim Raqi

Tregime dhe poezi nga nobelistë suedezë” të përkthyera në shqip, botoi shtëpia botuese “Armagedoni” Prishtinë, 2023

Qerim Raqi, përveçse poet, me disa përmbledhje të botuara, është edhe përkthyes i mirë i letërsisë suedeze në shqip. Ismail Rugova (veprimtar e përpilues i hershëm i fjalorëve të parë suedisht-shqip) dëshmoi aftësitë shqipëruese të Raqit në përkthimin e tekstit suedisht në shqip, qoftë ai poetik a prozaik. Duke u ndalur shkurtimisht tek secili nobelist suedez dhe duke konkretizuar tekstet suedisht- shqip, Rugova konstatoi se Raqi është mjeshtër i përkthimit dhe mësues e intelektual që i bën nder komunitetit tonë në Suedi. Raqi lexoi një poezi të Lagerkvist-it të përkthyer në shqip.

Rexhep Jashari

Figura e Isa Boletinit në këngët tona popullore epike-historike, “Figura e Bajram Currit në këngët popullore epike-historike dhe në letërsinë e shkruar”, “Shaban, Hamëz dhe Adem Jashari në këngët popullore epike-historike dhe në letërsinë artistike”, botoi shtëpia botuese “Lena Graphic” Prishtinë, 2023  

Prof. Rexhep Jashari para pensionimit ishte mësues e misionar i shqipes. Pas pensionimit, kontribuoi me koleksionimin e këngëve epike dhe studimeve historike. Në ekzil, Jasharit i peshon gjithashtu fatura e angazhimeve kombëtare për liri e pavarësi të Kosovës. Për autorin Jashari, epika historike është e veçantë. Për këtë arsye, ai mblodhi e analizoi këngët që populli ynë i këndoi për heronjtë si Isa Boletini, Bajram Curri, Shaban, Hamëz e Adem Jashari. Këto figura heroike janë strumbullar i këngëve epike, ngase të njëjtat ishin subjekte të ngjarjeve të mëdha historike. Botimet e Jasharit mundësojnë që epika historike për këta heronj të ruhet e të përcillet si trashëgimi. Edhe këngët e thonë se qëndresa e këtyre heronjve ishte madhështore e mitike. Po aq madhështore, në kuptimin estetik, është edhe lirika epike që është shkruar e kënduar për këta burra qendrestarë. Prezantimin e veprave të prof. Jasharit e bëri Gala Kryeziu.

Entela Tabaku (poete dhe profesore në Universitetin e Uppsales) theksoi rëndësinë që kanë botimet për kulturën kombëtare, veçanërisht për mërgatën. Gjuha është e rëndësishme për të gjithë, për mërgimtarët gjuha është vetë ekzistenca e tyre. Shqipja ka trojet e veta ku jeton sovrane dhe nuk ka nevojë të brengoset nëse harrohet nga dikush. Ne, mërgimtarët kemi nevojë për të, prandaj nuk guxojmë ta harrojmë. Meqë  jetojmë në trojet e huaja, GJUHËN e kemi të vetmen pasuri, të vetmin ilaç që siguron vazhdimësinë tonë si shqiptarë- përfundoi Entela Tabaku.

Promovomi si organizim

Për këtë organizim, anëtarët Qendrës Kulturore “Okarina” kishin menduar mirë, kishin punuar shumë dhe e kishin realizuar shkëlqyeshëm. Promovimi pati për motivacion Ditën Botërore të Librit. Në këtë organizim nderoi me pjesëmarrje edhe konsulli i Kosovës në Suedi zoti Ardian Kolaj.  

Falënderojmë RTV “Zëri i Danimarkës” z. Ibrahim Xhemajli dhe z.Bedri Bytyçi për mbeshtetje mediale, Lulzim Ramën për mbeshtetje me tekniken e zërimit dhe shoqatën kulturore “Kosovarja” të Malmös për gostitjen./KultPlus.com

                                                                               

25 vite nga masakra e Studimes, aty ku serbët për dy orë vranë 116 shqiptarë

Më 2 maj 1999, civilë shqiptarë të fshatit Studime të Vushtrrisë u morën dhe vranë nga forcat serbe. Sot e asaj dite ende nuk është vënë drejtësi për viktimat.

Brenda dy orëve ishin pushkatuar nga paramilitarët serb 116 persona civil që ishin në kolonë për tu shpërngulur në drejtim të Shqipërisë. Shumë tjerë ishin plagosur e me mijëra tjerë pas arrestimit nga forcat serbe ishin depërtuar për në Shqipëri.

Familjarë dhe qytetarët nderojnë çdo vit viktimat nga forcat serbe, duke përkujtuar luftën e Kosovës./ KultPlus.com

Kujtohet aktori Pjetër Gjoka, “Artist i Popullit”

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujtoi sot, në ditën e ndarjes nga jeta, Pjetër Gjokën (1912-1982).

Pjetër Gjoka lindi në Ulqin, në një familje të varfër, e cila u detyrua të emigronte për shkak të gjakmarrjes, e megjithë vështirësitë ai arriti të bëhej një nga aktorët e regjisorët më të njohur të skenës dhe ekranit.

Aktivitetin në teatër, në lëvizjen amatore e filloi që vitet ’30 në Shkodër. Në vitin 1947 vjen si aktor në Teatrin Popullor, pasi kishte debutuar me Teatrin e Ushtrisë. Roli i parë ishte në komedinë “Tartufi”, por Pjetër Gjoka arriti të interpretonte mbi 90 role në këtë teatër, dhjetëra role kryesore nga dramaturgjia botërore, ndërsa në skenë qëndroi 52 vjet rresht, duke interpretuar edhe krejtësisht i verbër. Disa nga kryerolet e tij janë: Haritonov, Shpend Gjeta, Plaku, Mac Donald, Miler, Zabeliku, Klaudi, Mbreti Lir, Ali Pashë Gucia etj.

Në vitin 1961 ai është ndër katër aktorët që u nderua me titullin e lartë “Artist i Popullit”. Ka interpretuar edhe në disa filma artistikë, duke krijuar figura të arrira. Roli i fundit i tij në Teatrin Kombëtar ishte në dramën “Epoka para gjyqit”./atsh/KultPlus.com

Shtëpitë e huaja botuese aplikojnë për Fondin e Përkthimit të Letërsisë shqipe

12 shtëpi botuese të huaja kanë aplikuar në Fondin e Përkthimit të Letërsisë shqipe në gjuhë të tjera. Çdo vit Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit mbështet përkthimin e 6 veprave shqipe në gjuhë të huaj.

Në këtë edicion të fondit, kanë aplikuar shtëpi botuese edhe nga vende përtej Europës, si p.sh shtëpia botuese egjiptiane “Al Arabi Publishing and Distributing”, e cila ka botuar në arabisht romanin “Valsi i lumturisë” të shkrimtarit Ylljet Aliçka.

Një tjetër libër i tij, “Histori njerëzish të zakonshëm”, është botuar në italisht nga “Lit Edizioni”.

Libri i shkrimtarit Ismail Kadare, “Vajza e Agamemnonit”, përkthyer nga Vasilij Tyhin, është botuar në gjuhën ruse nga Ivan Limbakh Publications, ndërsa “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” është botuar nga shtëpia botuese “Bora Babic”, me përkthimin e të mirënjohurit Esad Mekuli.

Të tjerë emra të njohur të letrave shqipe që janë botuar në gjuhë të huaja janë: Arian Leka, Ledia Dushi, Namik Dokle, Shemsi Mehmeti, Maklena Nika, Olimbi Velaj, Manjola Nasi e Artur Spanjolli./atsh/KultPlus.com

Gjakova do të bëhet me shtatore të Gjergj Kastriotit, përurimi bëhet më 4 maj

Më 6 maj është datëlindja e 619 e Gjergj Kastriotit e kjo festë do të shënohet me përurimin e shtatores në Gjakovë, përurim që do të bëhet më 4 maj, shkruan KultPlus.

Për këtë organizim është njoftuar në rrjetet sociale nga Bajram Kabashi, dhe më poshtë e keni të bashkangjitur njoftimin e plotë.

Me 4 maj 2024 në Gjakovë përurohet përmendorja e Gjergj Kastriotit, e fiancuar nga Gjergj Prenkoçaj.

Ndërsa pas dy ditësh, me 6 maj 2024 , në Prishtinë, sidomos para përmendores së Kryeheroit, do të organizohet një festë e madhe gjithëkombëtare për ditëlindjen e 619 të Gjergj Kastriotit, festë që e tejkalon përmasën e festimit të ditëlindjes së Arbërorit më të madh që e njef historia jonë.

Përpos organizatorëve Pal – Islam Idrizit, Basri Bekës e Raif Gashit , që shihen në këtë foto , organizimi do të ketë karakter mbarëkombëtar dhe do të përfshihet në të mbarë atdhetaria Shqiptare.

Pothuaj 25 vite pas çlirimit të Kosovës nga UÇK dhe NATO, më në fund populli Shqiptar po i merr punët e kombit në duartë e veta…!

Gëzuar…!/ KultPlus.com

Kori Siparantum edhe me një paraqitje në skenën prestigjioze të Vjenës

Kori Siparantum është shndërruar një prej përfaqësime më dinjitoze të Kosovës, shkruan KultPlus.

Pas paraqitjeve të shumta dhe të suksesshme nëpër gara të ndryshme botërore, Kori Siparantum do të paraqitet në Vjenë, në Wiener Konzerthaus.

Për këtë prezantim të radhës ka njoftuar Memli Kelmendi i cili ka shtuar se ky prezantim do të transmetohet edhe në televizionin ARTE.

Më poshtë e keni njoftimin e plotë të Kelmendit.

Të dashur miq,

Po fillojmë një lajm të jashtëzakonshëm për ne!

Nga data 4 – 8 MAJ 2024, Kori Siparantum do të udhëtojë për në Vjenë, ku do të ngjitet përseri në skenën prestigjioze për koncertin e datës 7 Maj në Wiener Konzerthaus, Großer Saalme me Orkestren Simfonike të Vjenës, Wiener Symphoniker me korin e njohur Wiener Singakademie me rastin e 200 vjetorit të Premierës së Simfonisë së Nëntë të Ludwig van Beethoven (Ludwig van Beethoven Symphonie Nr. 9 d-moll op. 125) Koncerti do të dirigjohet nga dirigjentja botërore Joana Mallwitz dhe do të transmetohet në ARTE.

Për detaje të tjera do të ju informojmë gjatë ditëve në vijim./ KultPlus.com

Mentor Latifi emërohet ambasador i Kosovës në Zvicër

Mentor Arifi është emëruar ambasador i ri i Kosovës në Zvicër.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani i ka uruar suksese në detyrën e tij, gjersa është shprehur i bindur se ai do të vazhdojë të punojë drejt forcimit të lidhjeve ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës.

“Ambasadorit të emëruar Mentor Latifi i urova suksese në detyrën e tij si ambasador i ri i Republikës së Kosovës në Konfederatën Zvicerane.

Jam e bindur se ai do të vazhdojë të punojë drejt forcimit të lidhjeve ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës, një aleat i vjetër dhe shtëpia e shumë anëtarëve të diasporës sonë të gjallë”, tha Osmani.

Nis sot Festivali Ndërkombëtar i Akuarelit, Tirana mbledh piktorë nga e gjithë bota

Nis sot në Tiranë, Festivali Ndërkombëtar i Akuarelit, një ngjarje e artit pamor që sjell piktorë nga e gjithë bota dhe që është kthyer në një traditë. Me mbështetjen e Bashkisë Tiranë dhe Ministrisë së Kulturës, ky aktivitet artistik do të zgjasë nga data 2-10 Maj 2024, duke shënuar kështu vitin e 11-të të organizimit të këtij festivali të rëndësishëm për botën e akuareleve.

Qëllimi i këtij festivali është jo vetëm të prezantojë talentet më të mira botërore të akuarelit, por edhe të promovojë pasurinë kulturore, historike dhe turistike të Shqipërisë. Gjatë ditëve të festivalit, nëpër vende të bukura të Tiranës dhe përreth saj do të zhvillohen ngjarje interaktive, demonstrime live dhe itinerare artistike, duke sjellë piktorët në kontakt me peizazhet dhe traditat e vendit.

Një pjesë e rëndësishme e festivalit do të jetë ekspozita në Galerinë Fakultetit të Arteve të Bukura në Universitetin e Arteve në Tiranë, e cila do të prezantojë veprat e mjeshtërave të njohur të akuarelit. Ky moment do të mbledhë nën një çati profesorë, studentë, dashamirës të artit dhe përfaqësues të mediave, për të ndjekur shfaqjen e këtyre veprave të jashtëzakonshme.

Nëpërmjet demonstrimeve live dhe ekspozitave, festivali synon të promovojë Tiranën në arenën ndërkombëtarë, si edhe të edukojë e frymëzojë brezat e ardhshëm nëpërmjet artit dhe kulturës.

“Traveling Lifestyle”: Shqipëria mes destinacioneve më të lira evropiane për t’u vizituar në 2024

A po shtrëngohet buxheti juaj, por udhëtimi është gjëja e fundit që do të dëshironit të hiqnit dorë? Mos u shqetësoni, ne kemi një zgjidhje. Në fakt, kemi disa, shkruan Daniela Kankova në revistën amerikane “Traveling Lifestyle”.

Pas disa kërkimesh ne hartuam një listë me gjashtë destinacionet më të lira në Evropë për pushime në 2024 ku mund të pushoni si ‘Mbret’.

Riviera Shqiptare

Shpesh i referuar si Bali Evropian, Riviera Shqiptare ka tërhequr vëmendjen e shumë udhëtarëve vitet e fundit.

Shqipëria ofron plazhe mahnitëse dhe ujëra të kthjellët bruz, dhe vija bregdetare është gjithashtu e veshur me resorte të shkëlqyera, restorante dhe atraksione kulturore.

E gjithë kjo me një kosto të përballueshme në krahasim me destinacionet e njohura mesdhetare.

Çmimi mesatar për një dhomë hoteli shkon nga 40 deri në 90 dollarë.

Një vakt në një restorant të lirë kushton 10 dollarë.

Një birrë në një bar kushton 3 dollarë.

Për më tepër, plazhet e Shqipërisë nuk janë ende të mbipopulluara me turistë.

Ndaj nxitoni të rezervoni udhëtimin tuaj përpara se udhëtarët të njihen me këtë perlë të fshehur mesdhetare, Rivierën Shqiptare.

Shqipëria është renditur mes gjashtë destinacioneve më të lira në Evropë për t’u vizituar në verën e vitit 2024:

Riviera Shqiptare
Alanya, Turqi
Sunny Beach, Bullgari
Algarve, Portugali
Budva, Mali i Zi
Kretë, Greqi/atsh/KultPlus.com

Sot shënohet 75 vjetori i lindjes së shkrimtarit Arif Demolli

Arif Demolli lindi më 2 maj 1949 në Gllogovicë të Prishtinës.

Demolli la pas shumë vepra letrare të njohura si: “Lushi si askushi”, “Pëllumbat e kujtimeve”, “Ballkonet e një qyteze” e shumë të tjera.

Mësimet e para i mori në vendlindje, kurse në Prishtinë mbaroi shkollën e mesme normale dhe fakultetin filozofik, grupin e gjuhës dhe letërsisë shqiptare.

Pos në arsim, punoi në revistën “Bota e Re”, Televizionin e Prishtinës, “Fjala”, “Pionieri”.

Tregimet e tij janë përfshirë në panorama dhe në antologji të ndryshme të prozatorëve shqiptare. Librat “Ballkonet e një qyteze” dhe “Pëllumbat e kujtimeve i janë ribotuar edhe në Tiranë”.

Më 1981 u burgos dhe u dënua me dy vjet burg, kurse deri më 1990 mbeti pa punë dhe pa të drejtë botimi të veprave të tij.

Për romanin “Të gjallët dhe të vdekurit e një fëmijërie” mori Çmimin “Pjetër Bogdani” të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, kurse për librin “Pse gjirafa ka qafë të gjatë” mori çmimin letrar “Vehbi Kikaj”. /KultPlus.com

Begaj në Firmo: Diversiteti kulturor, burim pasurimi dhe harmonie

Pasditen e sotme, në vijim të vizitës në rajonin arbëresh të Kalabrisë, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, zhvilloi një takim me banorët e komunës Firmo.

Presidenti Begaj përcolli mesazhin për ndërveprim mes komuniteteve me kultura të ndryshme dhe në këtë aspekt vlerësoi rolin e arbëreshëve për fuqinë e identitetit, trashëgiminë kulturore, traditën popullore dhe folklorin. Duke iu referuar traditës së përvitshme të “Valljes”, që në këtë fshat ruhet si simbol i fitores së Skënderbeut, Presidenti Begaj theksoi se ajo mbetet gjithnjë frymëzuese. Ai iu drejtua pjesëmarrësve në këtë festë të “Valljes” të promovojnë njohjen e identitetit dhe diversitetin kulturor.

“Sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë të shohim të “vallëzojnë lirshëm” veçanërisht të rinjtë, të cilët duhet të luajnë një rol thelbësor në ruajtjen e kësaj trashëgimie. Të rinjtë janë ambasadorët e ardhshëm të kulturës sonë dhe mbajtësit e flamurit të identitetit arbëresh dhe shqiptar”, – u shpreh Presidenti Begaj, i cili tha se duhen përgatitur brezat për të përballuar sfidat e globalizimit, si dhe duke ruajtur unikalitetin e trashëgimisë.

“Kultura dhe tradita arbëreshe, si pjesë shumë e rëndësishme e kulturës shqiptare, – vlerësoi Presidenti Begaj, janë dëshmi e fuqisë së lirisë për të mbijetuar përmes shekujve, edhe në kushte të vështira dhe ndryshime të mëdha historike”.
Sikurse në takimet e mëparshme me arbëreshët, edhe në Firmo Kreu i Shtetit përcolli mesazhin për ruajtjen e traditave, kulturës e gjuhës, si një mënyrë për të kujtuar origjinën, por dhe për të ndërtuar një të ardhme të qëndrueshme./KultPlus.com

Loena Mehmeti nga shkolla e Muzikës ‘Prenk Jakova’ mban koncert recital në Prishtinë

Violinistja Loena Mehmeti nga shkolla e muzikës ‘Prenk Jakova’ do të mbajë koncert recital në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Koncerti do të mbahet më 3 maj nga ora 17:00 në sallën Diamond Club në Swiss Diamomd Hotel.

Pjesë e koncertit janë edhe profesoresha Shqipe Bajraktari, korepetitori Melos Buza dhe klarinetisti Diellor Gajtani./KultPlus.com

‘Përpara se të flasësh për jetën, së pari duhet ta jetosh atë’

Thënie nga Ernest Heminguej

“Jeta e çdo njeriu përfundon në të njëjtën mënyrë. Janë detajet se si ai njeri jetoi dhe se si vdiq që dallojnë njërin person nga tjetri”.

“Mënyra më e mirë për të kuptuar, nëse e beson dikë, është duke i besuar atij/asaj”.

“Përpara se të flasësh për jetën, së pari duhet ta jetosh atë”.

“Gjëja më e dhimbshme është të humbasësh veten në procesin e të dashurit shumë të dikujt dhe të harrosh se edhe ti vetë je special/e”.

“Asnjë mik nuk është aq besnik sa një libër”

“Lumturia tek njerëzit inteligjentë është gjëja më e rrallë që njoh”.

“Përpara se të flasësh, dëgjo. Përpara se të reagosh, mendo. Përpara se të shpenzosh, kurse. Përpara se të lutesh, fal. Përpara se të heqesh dorë, përpiqu”.

“Mjaft ndoqe nga pas personin e gabuar. Personi i duhur nuk ka për ikur kurrë nga ty”.

“Është me rëndësi që të arrish në fund të një udhëtimi, por gjëja më me rëndësi, është vetë udhëtimi”.

“Vetëm ata që janë të përgatitur për të shkuar shumë larg, mund ta kuptojnë më mirë se sa larg mund të shkojnë”. / KultPlus.com

Javët Kulturore Ndërkombëtare, Gonxhja-Veliaj: Programe të pasura me aktivitete nga 20 shtete pjesëmarrëse

 Edicion i tretë i Javëve Kulturore Ndërkombëtare çeli sot siparin përmes një ceremonie të zhvilluar në sheshin “Skënderbej”.

Në ceremoninë festive ishin të pranishëm ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, ambasadorë të huaj të akredituar në vendin tonë, qytetarë, etj.

Në fjalën e tij, ministri Blendi Gonxhja tha se “Javët Kulturore Ndërkombëtare do të rrokin gjithë vendin për 7 muaj rresht deri në nëntor, nisur nga Tirana për të mbushur salla, teatro, galeri arti, sheshe dhe qytete me programe të pasura aktivitetesh nga 20 shtete”.

“Nga nesër merr jetë “Java e Evropës” si rrënjë dhe perspektivë e jona, e para jo pa qëllim e shtrirë në Gjirokastër, Shkodër dhe Tiranë. Kalendari vijon me Francën, Greqinë, Italinë, Izraelin, Brazilin, Hungarinë, Holandën, Turiqinë, Mbretërinë e Bashkuar, Kinën, Gjermaninë, Japoninë, SHBA,  Austrinë, Spanjën, Malin e  Zi, Meksikën e Kosovën, fqinj e miq të largët në sofrën shqiptare ditë e natë si në shtëpinë tuaj”, nënvizoi Gonxhja.

Ministri Gonxhja u shpreh se “kodi ynë gjenetik na thotë se shtëpia jonë është edhe Zotit, pavarësisht besimit të robit, e mikut pavarësisht prejardhjes racës, ngjyrës. Ndaj Shqipëria promovon manifestimet mbarëkombëtare, ndërkombëtare dhe nxit diversitetin”.

Kryebashkiaku Veliaj tha se “ne do t’i fillojmë javët e kulturës me atë që është bashkëpunëtori më i madh, adresa jonë destinacioni ynë, ambicia jonë e madhe me Javët e Bashkimit Evropian. Pastaj do të vazhdojmë me javën e Francës, ku do të kemi aktivitete të ndryshme“.

“Ftesa imë është që secili prej jush në vendin e tij të punës, në një institucion, në një shkollë, në një biznes që ka partneritet me një nga vendet të organizojë një minijavë të kulturës. Besoj se kultura, muzika, arti, teatri i bashkon njerëzit më shumë se politika”, tha Veliaj.

Javët Kulturore Ndërkombëtare nisin kështu rrugëtimin e tyre të tretë në Shqipëri. Dy edicionet e tjera kanë sjellë në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit, qindra artistë nga bota.

JKN filloi si një nismë e ish-Ministrisë së Kulturës në vitin 2022, me dëshirën për të përçuar vlerat dhe traditat e për të nxitur shkëmbimin kulturor dhe frymëzuar inovacionin.

Nëpërmjet këtij projekti vendet njihen më mirë, forcohen marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë, si dhe rritet oferta e aktiviteteve kulturore në Shqipëri për të gjitha shijet dhe moshat. JKN e shndërron skenën e aktiviteteve kulturore në vend në një arenë ndërkombëtare shumëkulturore dhe shumëdisiplinore./KultPlus.com

Ka kohë që yjet s’ulen përmbi tokë

Poezi nga Robert Shvarc

Ka kohë që yjet s’ulen përmbi tokë,
ka kohë që njerëzit s’rrijnë me krye përpjetë
tue pritë me u ra ndër dhambë kafshat’e shkretë –
dhe vjershat janë lirue: pesë groshë një okë…

Me duer ndër xhepa poetët trokë
shetisin rrugve t’errta, krejt të qetë;
askush s’i nget, askush s’po don me i pyetë
ç’ka kanë në zemër e ç’ka kanë në kokë…

Urdhno, zotni, pak dritë n’mos daç errsinë!
Pesë groshë një okë . – Nji andërr e tanë rinije!
Tridhet vjet – e tridhet okë dashnije!
Urdhno, zotni, nji kangë për njerëzinë!
Pesë grosh nji okë – nji jetë e tanë dlirsije!
Tridhet vjet – e tridhet okë marrije!…/KultPlus.com

Ermal Meta këndon ‘Haleluja’ në shi, por më pas del dielli! Duartrokitet nga publiku

Shiu pushoi dhe doli dielli… teksa këngëtari shqiptar Ermal Meta po këndonte në shi këngën ‘Haleluja’, (Lavdi Zotit), në një koncert në Romë.

Për shkak të reshjeve të shiut koncerti i ‘1 Majit’ ishte ndërprerë për disa minuta, pas performancës së Giusi Ferrerit.

“Mendoj se kitara akustike është e vetmja gjë që funksionon”- tha Ermal Meta teksa u ngjit në skenë dhe u përpoq që të argëtonte publikun.

Këngëtari shqiptar nisi të këndojë në shi këngën “Hallelujah” të Leonard Cohen dhe gjatë performancës doli dielli. Ky moment solli edhe duartrokitje nga publiku./shqiptarja.com/KultPlus.com

Tridhjetë vjet pa Ayrton Senna, ikona e garave vdiq në pistë më 1 maj 1994

Ylli brazilian Ayrton Senna vdiq më 1 maj 1994, pasi u përplas në San Marino Grand Prix 1994 – garat e Formula 1 – piloti i dytë që humbi jetën gjatë asaj që Bernard Charles Ecclestone, një ish-manjat britanik i biznesit e quajti – një fundjavë katastrofike.

Një nga tre pilotët brazilianë të “Formula 1” që u bë Kampion Bote, Senna fitoi 41 “Grand Prix” dhe vendosi 65 “pole position”, me këtë të fundit duke thyer rekordin deri në vitin 2006.

Senna filloi karrierën e tij në garat me “karting” dhe me pas në garat “open-wheel racing” në 1981 dhe fitoi Kampionatin Britanik të Formula 3 në vitin 1983.

Ai bëri debutimin e tij në Formula 1 me Toleman-Hart në 1984, përpara se të transferohej te Lotus-Renault për sezonin e 1985 dhe të fitonte gjashtë Grand Prix gjatë tre sezoneve të ardhshme.

Në vitin 1988, ai iu bashkua francezit, Alain Prost në McLaren-Honda. Ata fituan të gjitha garat, përveç njërit nga 16 Grand Prix atë vit, dhe Senna pretendoi Kampionatin e tij të parë Botëror.

Prost fitoi kampionatin në 1989, dhe Senna kampionatin e tij të dytë dhe të tretë në sezonet e 1990 dhe 1991.

Në vitin 1992, kombinimi Williams-Renault filloi të dominojë në Formula 1.

Senna arriti të përfundojë sezonin e 1993 si nënkampion, duke fituar pesë gara dhe duke negociuar një zhvendosje në Williams në 1994.

Senna u be i njohur për shpejtësinë e tij kualifikuese mbi një xhiro.

Nga viti 1989 deri në vitin 2006, ai mbajti rekordin për shumicën e “pole positions”.

Ai u vlerësua gjithashtu për performancat e tij në mot të lagësht duke fituar garat të tilla si, “Monaco Grand Prix 1984”, “Portuguese Grand Prix 1985” dhe “European Grand Prix 1993”.

Ai arriti një rekord me gjashtë fitore në “Monaco Grand Prix”, dhe është piloti i gjashtë më i suksesshëm i të gjitha kohërave për sa i përket fitoreve në “Grand Prix”, dhe ka fituar më shumë gara për McLaren se çdo pilot tjetër./Kultplus.com

Edhe një buzëqeshje

Poezi nga Pol Elyari

E plotë nata kurrrë s’mundet të jetë,
Besomëni për çka po ju them,
Besomëni për çka ju betohem.
Çdo hidhërim ka një dritare të hapur,
Një dritare të ndezur,
Ka një ëndërr që lind,
Ka një dëshirë që pret të përmbushet,
Ka një uri që pret të shuhet,
Ka një zemër fisnike,
Ka edhe një dorë të zgjatur,
Ka edhe dy sy në pritje,
Ka edhe një jetë që hyn në një jetë./KultPlus.com

Rritet me 100% numri i vizitorëve në parkun arkeologjik të Apolonisë, 10 mijë vizitorë vetëm në muajin prill

Këtë 1 Maj parku i Apolonisë pati një fluks të pazakontë vizitorësh, jo vetëm vendas por edhe të huaj.

Të ardhur nga Franca, Spanja, Danimarka, Finlanda, republika Çeke,  Italia, Polonia, Britania shijuan këtë ditë pushimi historinë dhe natyrën.

Në përshtypjet e vizitorëve të huaj, Shqipëria është një vend me natyrë të mrekullueshme dhe njerëz mikpritës.

“Kam vizituar disa qytete si Tiranën, Durrësin, Beratin e Sarandën dhe jam mrekulluar nga peizazhi natyror i Shqipërisë dhe me këto përshtypje më ngjallet dëshira ta vizitoj përsëri Shqipërinë, por me destinacion Veriun dhe Alpet”, tha një turist francez.

Ndërkohë drejtuesja e Parkut Arkeologjik të Apolonisë dhe Bylis, Ornela Durmishi është shprehur se kjo periudhë shënon një fluks vizitorësh që përkon dhe me çeljen e sezonit turistik.

“Nuk kemi më një turizëm sezonal. Vetëm përgjatë kësaj periudhe është rritur me 100% më shumë numri i turistëve, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe me muajin prill numri i turistëve shënoi rekord me 10 mijë vizitor”, tha Durmishi./TopChannel/KultPlus.com

Vitet e fundit të Michelangelo, një ekspozitë arti i evoluar i artistit të Rilindjes

Një talent unik i pambrojtur nga kalimi i kohës. Një ekspozitë në Muzeun Britanik të Londrës do të tregojë punimet e fundit të Michelangelos, nga mosha 50-vjeçare deri në vdekjen e tij, 89 vjeç.

Ekspozita tregon se si krijuesi i skulpturës së Davidit dhe afreskeve të tavanit të Kapelës Sistine sfidoi vitet dhe mbeti aktiv dhe ambicioz derisa u plak.

“Mendoj se është e rëndësishme të shohim të gjithë karrierën e Michelangelos dhe kjo ekspozitë tregon vitet e fundit të tij. Duhet të kujtojmë se ai jetoi deri në 89 vjeç në një epokë kur njerëzit vdisnin 30 apo 40 vjeç. Pra, ne shohim këtu se sa pjellor ishte ai gjatë viteve të mëvonshme dhe se si stili i tij evoluoi. Ai u bë pak më i lirë dhe pak më abstrakt. Dhe kjo është një anë ndryshe e Michelangelos nga ajo që njohim”-tha Tabish Khan, kritik arti.

Veprat e tij të fundit kishin në fokus pamjet fetare dhe ikonografinë dhe ndoshta reflektonin një meditim mbi jetën dhe vdekjen. Një nga skicat e tij të fundit ishte dizajni për kupolën e Bazilikës së Shën Pjetrit në Romë, diçka të cilën ai e dinte se nuk do ta shihte kurrë të përfunduar./KultPlus.com

Fjalimi i Anton Çettës për Pajtimin e Gjaqeve (VIDEO)

Sot shënohet 30-vjetori i nismës së pajtimit të gjaqeve, periudhë kjo që konsiderohej si një ndër vitet më frytdhënëse të kombit shqiptar, shkruan KultPlus.

Më 2 shkurt 1990 me Anton Çettën në ballë në Kosovë nisi aksioni atdhetar e humanitar i faljes së gjaqeve, që mori përmasa të gjera, duke u përhapur anembanë vendit, efektet e të cilit ndihen edhe sot.

Viti 1990 njihet si viti i bashkimit dhe i pajtimit të popullit shqiptar.

Ndërsa sot KultPlus ju sjell fjalimin që Anton Çetta e mbajti për faljen e gjaqeve. /KultPlus.com

Koncerti i radhës i Filharmonisë së Kosovës më 11 maj

Orkestra e Filharmonisë së Kosovës do të mbajë koncertin e radhës më 11 maj, në Atelien e Pallatit të Rinisë dhe do të prezantohet me koncert nën drejtimin e dirigjentit britanik Chris McCracken.

Repertori i mbrëmjes përfshinë “Koncert për flaut Nr. 1” nga francezi André Jolivet në interpretim të flautistes Erëmira Çitaku dhe Orkestrës Harkore.

Një prej veprave më të njohura të shkruara për instrumentin e fagotit “Koncert për fagot Nr. 2” nga kompozitori gjerman Franz Danzi, vjen premierë për publikun e Prishtinës. Kjo në interpretim të orkestrës dhe fagotistit të parë të Filharmonisë së Kosovës Meriton Ferizi.

Në pjesën e dytë të koncertit, do të interpretohet “Simfonia Nr. 8” e kompozitorit Antonín Dvořák./KultPlus.com

Rikthehet piktura ikonë në muzeun e Luvrit

Për gati 200 vjet, kjo pikturë ka qenë simboli i republikës franceze.

Piktura ‘Liria që udhëheq popullin”, e cila përshkruan një grua duke valvitur një flamur trengjyrësh dhe duke udhëhequr njerëzit e saj mbi trupat e të rënëve gjatë Revolucionit Francez të 1830-ës, kishte humbur ngjyrat e saj origjinale për shkak të kalimit të viteve.

Për këtë arsye ajo iu nënshtrua një restaurimi 6 mujor, ndërhyrja e së cilës ka përfunduar dhe është rikthyer sërish në muzeun e Luvrit.

“Kjo pikturë  është një nga kryeveprat e mëdha që gjenden në muzeun e Luvrit, ndoshta e dyta më e  famshëme pas Mona Lizës. Për shkak të kalimit të viteve piktura kishte humbur intensitetin e ngjyrave dhe detajet.”

Muzeu i Luvrit, më i madhi në botë, ka kryer rreth 200 restaurime që nga viti 2015, duke përfshirë shumë vepra të njohura./tvklan/KultPlus.com