Restaurohet konaku i Mahmut Begollëve në Pejë

Kryeministri Albin Kurti dhe Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, kanë vizituar konakun e Mahmut Begollëve në Pejë, me rastin e restaurimit të këtij objektit me rëndësi të veçantë.

Ministri Çeku ka thënë se konaku i Mahmut Begollëve është një nga shtëpitë më të veçanta të qytetit, e cila është shpëtuar nga rrënimi.

“Ky aset me rëndësi të veçantë për zonën, ku kombinohen elementet e kullës me ato të shtëpive tradicionale dhe një ndër shembujt e paktë që i kanë mbijetuar kohës, do të vazhdojë të bartet për brezat e ardhshëm”./ KultPlus.com

Ben Blushi e promovon ‘Parajsën Artificiale’ në Deçan, nderohet edhe si ambasador i paqes

Në Deçan u mbajt aktiviteti për ambasadorët e paqes dhe promovimi i librit “Parajsa artificiale” nga shkrimtari i njohur Ben Blushi.

Në qytetin e bukur dhe paqësor të Deçanit, pikërisht në Ditën e Verës, Komuna e Deçanit, në bashkëpunim me Federatën e Paqes Universale, organizoi aktivitetin me temën “Paqja, trashëgimia jonë e përbashkët”. Kjo ngjarje e rëndësishme synonte promovimin e vlerave të paqes dhe nderimin e personaliteteve që kanë kontribuar gjatë gjithë jetës së tyre me punën dhe përkushtimin e tyre, duke i lënë shoqërisë vlera të mëdha të paqes shpirtërore dhe morale përmes veprimtarisë së tyre.

Fjalën e mirëseardhjes e mbajti Kryesuesi i Asamblesë Komunale të Deçanit, Hajdar Sutaj, i cili theksoi:

“Deçani di të respektojë vlerat e luftës dhe të paqes, duke i parë ato si pjesë të pandashme të identitetit dhe historisë sonë. E sotmja është një dëshmi e përkushtimit tonë për të ruajtur dhe promovuar këto vlera, duke i dhënë brezave të ardhshëm një shembull të mirë të përkushtimit ndaj paqes, dijes dhe kulturës.”

Më pas, aktiviteti vijoi me një prezantim nga Ejona Içka, kryetare e Federatës së Paqes, e cila foli mbi vlerat, parimet dhe veprimtarinë e Federatës Universale të Paqes, duke përshkruar historikun e saj dhe shtrirjen në vende të ndryshme të botës.

Promovimi i librit “Parajsa artificiale” nga shkrimtari i njohur Ben Blushi

Një nga momentet kryesore të aktivitetit ishte promovimi i librit “Parajsa artificiale” nga shkrimtari i njohur Ben Blushi. Në fjalën e tij përshëndetëse, autori u shpreh:

“Deçani ka burra shumë trima dhe gra mikpritëse, një vend me vlera të mëdha të traditës. Për mua është një kënaqësi e veçantë të jem sot për herë të parë në Deçan, përpara këtij publiku kaq të madh e të dashur, për të promovuar librin tim “Parajsa artificiale.”

Ai shpjegoi se ky libër është një dialog mes dy personazheve brenda 12 orëve, i ndarë në dy pjesë: Ferri dhe Parajsa, duke ofruar një reflektim të thellë mbi jetën dhe shoqërinë. Pas prezantimit, Blushi zhvilloi një bashkëbisedim me të pranishmit, të cilët patën mundësinë të bëjnë pyetje mbi librin dhe krijimtarinë e tij letrare.

Në këtë aktivitet morën pjesë shkrimtarë, poetë, piktorë, gjeneralë, mësues, anëtarë të Asamblesë Komunale, artdashës të librit, nxënës dhe të ftuar të tjerë.

Nderimi me titullin “Ambasador i Paqes”

Një nga momentet më emocionuese të aktivitetit ishte ndarja e titullit “Ambasador i Paqes”, ku 14 personalitete u vlerësuan për kontributin e tyre në ndërtimin e një shoqërie më paqësore. Ndër të nderuarit ishin:

• Sami Cacaj – Nënkryetar i Komunës së Deçanit

• Ben Blushi – Politikan, gazetar dhe shkrimtar i njohur

• Abdyl Mushkolaj – Gjeneral i nderuar

• Musë Prelvukaj – Piktor i njohur

• Lumturie Haxhishabani Nura – Mësuese e dalluar

• Agron Mulliqi – Piktor dhe profesor në Fakultetin e Arteve

• Merita Myderrizi Maloku – Profesoreshe në Fakultetin e Arteve

• Bija Jasiqi – Piktore

• Ajete Povataj – Poete me stil unik dhe emocionues

• Mirushe Byci – Mësuese

• Merita Luzha Kuraja – Ambientaliste e përkushtuar

• Iliriana Hasaj – Mjeke që ka dhënë kontribut të madh gjatë luftës dhe vazhdon të kontribuojë në fushën e mjekësisë

• Edone Kameraj – Përgjegjëse për informimin e qytetarëve përmes uebfaqes zyrtare të Komunës

• Ismet Kukleci – Ekspert i reformave në administratë dhe i licencuar nga Ministria e Drejtësisë për negocimin dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve

Federata Universale e Paqes i vlerësoi këta individë për angazhimin e tyre në fusha të ndryshme, duke kontribuar në ndërtimin e një bote më të mirë dhe më paqësore.

Momente të veçanta nga aktiviteti

• Nxënësit e gjimnazit “Vëllezërit Frashëri” në Deçan lexuan 21 shprehje të zgjedhura nga libri “Parajsa artificiale”, duke përcjellë mesazhe të fuqishme për të pranishmit.

• Piktori Musë Prelvukaj, i cili u nderua me titullin “Ambasador i Paqes”, dhuroi pikturën e tij të paqes për shkrimtarin e njohur Ben Blushi. Në fjalën e tij, ai u shpreh:

“Deçani, për gjashtë vite me radhë që marr pjesë në koloninë e piktorëve, më ka pritur gjithmonë me mikpritjen dhe traditën që i ka hije. Këtu ndihem mirë dhe sot, pikturën time të paqes ia dhuroj politikanit, gazetarit dhe shkrimtarit të njohur Ben Blushi. Vlerat në duart e vlerave – për mua është një nder i madh.”

Në përfundim të aktivitetit, të pranishmit patën mundësinë të marrin një kopje të librit Parajsa artificiale me autografin e autorit Ben Blushi, si dhe të realizojnë fotografi me të.

Kavafisi: Kishte ardhur të lexonte

Konstandin Kavafisi u lind në Aleksandri të Egjiptit, më 29 prill 1863. Pas vdekjes së të atit, familja zhvendoset mes Liverpoolit, Londrës dhe Stambollit, deri më 1878. Pas rikthimit në Aleksandri, ndjek liceun ekonomik. Pas trazirave nacionaliste më 1882, ikën prapë në Stamboll, ku zbulon homoseksualitetin dhe prirjen për poezinë. Pasi kthehet përfundimisht në Aleksandri, bën punë të ndryshme para se të pranohet në Zyren e ujitjes në Ministrinë e punëve publike, ku qëndroi deri në pensionimin e tij, më 1922. Vdiq më 29 prill 1933

KISHTE ARDHUR TË LEXONTE

Nga Kavafisi

Kishte ardhur të lexonte. Kishte hapur

dy a tre libra: histori dhe poezi.

Por pas nja dhjetë minutash

i la anash. Tash po dremit

në divan. U përket, sigurisht, librave,

por është njëzet e tre vjeç dhe aq i bukur;

e sot pasdite e përshkoi Amori,

nëpër mishin e tij të përsosur, mbi buzë.

Mbi mishin e tij, që është bukuri e pastër,

ka kaluar ethja erotike;

pa marren qesharake për formën e kënaqësisë…

Shënim nga Andre di Gregorio:

Ka gjëra qesharake, e marrja është njëra prej tyre. Është pjesë e një panoplie të aparencave që, sidoqoftë, është e domosdoshme. Nga kjo pikëpamje, historia dhe poezia vendosen në gjysmë distancë mes kënaqësisë së vërtetë në njërën anë dhe marres qesharake në anën tjetër. Tash është e qartë se nuk janë historia dhe poezia ato që janë të rëndësishme në vetvete, por janë të tilla si mjete të dashurisë dhe kënaqësisë. Prandaj është bukur që i riu ka ardhur të lexojë, por po aq bukur është që, kur ia përshkon buzët Amori, t’i lërë anash librat.

Poezia është shkruar më 1924, në njëmbëdhjetërrokësh dhe aleksandrinë, me disa rima (katër vargjet e para ABAB dhe ca tjera të shpërndara).

/Marrë nga Constandino Kavafis, “Poesie”, Garzanti, 2017 /Përkthimi: Gazeta Express/ KultPlus.com

KQZ shpall rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit

Kreu i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka bërë shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit, i cili është miratuar me 10 vota për.

Radoniqi ka bërë sqarim se shpallja e këtyre rezultateve është bërë pas marrjes së dritës së gjelbër nga PZAP dhe Gjykata Supreme dhe ka thënë se pavarësisht problemeve dhe vonesave, në asnjë mënyrë s’është cënuar integriteti i zgjedhjeve.

Radoniqi ka treguar se më 9 shkurt kanë votuar në total 966 mijë e 283 apo 46, 54 %.

Nga këto vota, LVV me Albin Kurtin ka marrë 396 mijë e 387 vota apo 42.30 %

PDK me kandidat për kryeministër Bedri Hamzën ka marrë 196 mijë e 474 vota apo 20.95 %

LDK me Lumir Abdixhikun ka marrë gjithsejtë 171 mijë e 357 vota apo 18.27 %

AAK-NISMA ka marrë 66 mijë e 256 vota apo 7.06 % dhe Lista Serbe ka marrë 39 mijë e 915 vota apo 4.26 %./Express/ KultPlus.com

“The Time”: Shijoni verërat shqiptare që datojnë që 3 000 vjet më parë

Shesh, Vlosh dhe Pules. Këto varietete të rrushit në Shqipëri mund të mos jenë në buzët e shumicës së adhuruesve të verës, por kjo po ndryshon, shkruan faqja time.com.

Historia e vreshtarisë së këtij vendi ballkanik daton më shumë se 3000 vjet më parë; Rigjallërimi i sotëm përforcohet nga një trinitet i fuqishëm i trashëgimisë, klimës dhe inovacionit.

Në fshatin e vogël Roshnik, familja Fiska, e cila drejton ”Alpeta Agrotourism & Winery”, ka kultivuar vreshta për tre dekadat e fundit dhe ka eksperimentuar në mënyrë krijuese me varietetet Pules dhe Shesh vendas verëra shumë të shijshme si Cabernet dhe Merlot.

E kuqja e pasur dhe e bardha e saj e shijshme tani po tërheqin vëmendjen e botës së verërave, duke fituar së fundmi medalje në ”Decanter World Wine Awards”.

Vlerësimet e Alpeta-s kanë rritur gjithashtu njohjen e industrisë së verës në zhvillim të vendit: në vitin 2023, Shqipëria u bë anëtarja e 50-të e Organizatës Ndërkombëtare të Vjeshtërisë dhe Verës.

Në Alpeta, nuk ka të bëjë vetëm me atë që pini, por ofron edhe një strehë të qetë mes vreshtave dhe pemëve aromatike të fikut dhe ulliri.

Vizitorët e bujtinës mund të ecin nëpër pyllin e Lepijës dhe në ujëvarën e Sotirës, ​​ku mali i shenjtë Tomorr, një nga majat më të larta të Shqipërisë, shfaqet në distancë.

Alpeta gjithashtu bashkëpunon me fermerët vendas për përbërësit në restorantin në vend, ku të ftuarit ushqehen me byrek të shijsh ndjeëm shoqëruar nga gotat e rakisë.

Pas një drekë të qetë nën shijen e verës, të ftuarit mund të pushojnë pasdite me një gotë në dorë, ndërsa shikojnë vreshtat e ngrohura nga dielli. / KultPlus.com

Donatella Versace jep dorëheqjen si drejtoreshë kreative pas gati tre dekadash

Donatella Versace do të largohet nga posti i drejtoreshës kreative të shtëpisë luksoze të modës “Versace”, sipas abc.net.au.

Ajo do të zëvendësohet nga Dario Vitale, i cili ka punuar për “Miu Miu” që nga viti 2010.

Kjo shënon herën e parë në historinë 47-vjeçare të kompanisë luksoze të modës që do të drejtohet nga dikush që nuk mban mbiemrin Versace.

Versace e mirëpriti Vitale në këtë rol, duke theksuar në një deklaratë se “përkrahja e gjeneratës së ardhshme të stilistëve ka qenë gjithmonë e rëndësishme për mua”.

“Jam e emocionuar që Dario Vitale do të na bashkohet dhe jam e emocionuar të shoh “Versace” me sy të rinj”, tha ajo.

“Dua të falënderoj ekipin tim të jashtëzakonshëm të dizajnit dhe të gjithë punonjësit në “Versace” me të cilët kam pasur privilegjin të punoj për më shumë se tre dekada”, shtoi ajo.

Donatella Versace tha se do të merrte një rol të ri si ambasadorja kryesore e markës dhe do të mbetej mbështetësja më e pasionuar e Versace.

Ndryshimi vjen mes spekulimeve se “Prada Group” është në bisedime për të blerë “Versace” nga kompania “Capri Holdings”, e cila pagoi 2 miliardë euro për shtëpinë e modës në 2018.

Grupi amerikan zotëron gjithashtu “Michael Kors” dhe “Jimmy Choo”.

Miuccia Prada – presidentja e “Prada Group” – pranoi interesimin për markën në Javën e Modës në Milano, muajin e kaluar, ndërsa “Versace” nuk bëri asnjë koment në sfilatën e saj të fundit në pasarelë.

“Versace” kishte veshur në mënyrë simbolike një xhaketë vintage që Gianni i bëri asaj në vitin 1992, frymëzuar nga koleksioni i fuqishëm “Miss S&M”.

Deklarata e “Capri Holding” nuk përmendi ndonjë plan për të shitur “Versace”, por zëvendësimi i Donatella Versace nga një stilist i “Miu Miu” – një markë e zotëruar gjithashtu nga “Prada Group” – ka të ngjarë të nxisë spekulimet për një marrëveshje të mundshme./ KultPlus.com

Shpella e shkruar e Lepenicës drejt shpalljes monument kulture i kategorisë së parë

Shpella e shkruar e Lepenicës ka marrë statusin e mbrojtje paraprake, një hap drejt shpalljes Monument Kulture i kategorisë së parë.

Lajmi u bë i ditur nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë duke theksuar se ky vendim erdhi pas propozimit të kësaj drejtorie, Drejtorisë së Shërbimit Arkeologjik (IKTK) dhe Institutit të Arkeologjisë së Tiranës, Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale.

Piktura shkëmbore e “Shpellës së Shkruar të Lepenicës” është një dëshmi e rrallë e artit shkëmbor prehistorik, e vetmja e identifikuar deri më tani në Shqipërinë Jugperëndimore.

Propozimi u bë mbi bazën e punës së realizuar nga arkeologu Prof. Dr. Muzafer Korkuti, për dokumentimin dhe studimin e pikturës në vitin 1984, si dhe mbi bazën e punës për ridokumentimin e saj, të realizuar nga projekti shqiptaro-spanjoll “Lepenica” bashkëpunim i DRTK Vlorë, Institutit të Arkeologjisë dhe Escola Superior de Conservación e Restauración de BBCC de Galicia, Spanjë.

Sipas Akademikut Muzafer Korkuti, piktura shkëmbore e Shpellës së Shkruar në Lepenicë është vepër origjinale me një bazë konceptimi të sajën dhe përfaqëson një stad të caktuar të artit prehistorik, ku përfytyrimi abstrakt i kohës është paraqitur në mënyrë monumentale.

Piktura është krijim i rrallë i artit neolitik, që me ideogramat e tij dhe me mjetet dhe mënyrën e vet, ka paraqitur një “mesazh” të banorëve të kohës./ KultPlus.com

150 vite nga lindja e intelektualit të shquar shqiptar, Faik Konica

Sot përkujtohet 150 vjetori i lindjes së Faik Konicës, shkrimtar, kritik letrar, publicist, eseist, përkthyes, një nga personalitet më të shquara të kulturës, letërsisë, e jetës politike shqiptare, një intelektual i dimensioneve evropiane.

Faik Konica lindi më 15 mars 1875 në Konicë. Pasi mori mësimet e para në vendlindje, ndoqi Kolegjin Jezuit Saverian të Shkodrës e më pas studimet e liceut perandorak francez të Stambollit. Pasi kreu shkollën e mesme në Francë, vazhdoi studimet në Dizhon për filologji romane dhe më pas u diplomua në universitetin e Harvardit të SHBA-së, ku mori gradën “Master of Arts”.

Më 1897, në Bruksel botoi numrin e parë të revistës politike kulturore e letrare “Albania”. Pas vajtjes së tij në Boston, së bashku me Fan Nolin, themelojnë gazetën Dielli, një organ i rëndësishëm i Federatës Panshqiptare “Vatra”.

Më 1912 në emër të Federatës Vatra, shkon në Londër për të mbrojtur interesat kombëtare shqiptare në Konferencën e Ambasadorëve në Londër. Më 1921, Konica zgjidhet kryetar i Federatës Vatra dhe me rimarrjen e drejtimit të gazetës Dielli, ai shkruante në një rubrikë të tijën “Shtylla e Konitzës”.

Më vitin 1926, Faik Konica emërohet Ministër Fuqiplotë i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara. Vdiq në Uashington më 15 Dhjetor 1942. Në vitin 1995, pas rënies së diktaturës komuniste, eshtrat e tij u sollën në Tiranë.

Me veprën e tij letrare e me shkrimet kritike, Konica pasqyron një njohje të thellë të mendësisë shqiptare, e jetës politike shqiptare. Gjatë veprimtarisë së tij është përpjekur për një gjuhë letrare të përbashkët dhe ndihmoi në pasurimin e zhvillimit të stilit letrar dhe publicistik të shqipes së shkruar. Krijimtaria e tij ka mbetur në pjesën më të madhe e botuar në shkrime të shtypit të kohës dhe në dorëshkrime.

Faik Konica mbetet një figurë qendrore dhe një pikë referimi në ecurinë e kulturës sonë moderne. / KultPlus.com

Mustafa Kruja, patrioti i mohuar nga diktatura komuniste

Përkujtohet sot firmëtari, mësuesin, patriotin dhe politikanin Mustafa Merlika-Kruja, një figurë e mohuar dhe anatemuar nga regjimi komunist, të cilit edhe firma në Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë, ju fshi.

Lindi më 15 mars 1887 në qytetin e Krujës. Ndoqi mësimet e para në shkollat turke, respektivisht në Krujë dhe në Durrës. Vazhdoi studimet e larta në Stamboll, në shkollën e administratës. Si nëpunës, u caktua fillimisht drejtor i arsimit në Elbasan. Gjithashtu, punoi si mësues matematike e turqishteje në shkolla të ndryshme në Durrës.

Ishte ndër njerëzit që organizuan pritjen e Ismail Qemalit në Durrës pasi vinte nga Trieste dhe e shoqëron drejt Vlorës. Mori pjesë në Kuvendin e Vlorës më 28 nëntor 1912 si delegat i Krujës dhe është një nga firmëtarët e Deklaratës së Shpalljes së Pavarësisë. Me krijimin e qeverisë së re, u caktua sekretar i parë. Më 1913, u vendos si nënprefekt i Vlorës. Ushtroi dhe detyra të tjera të larta në fushën e arsimit.

U rikthye në politikë me anë të Kongresit të Durrësit më 1918. Në kabinetin e Turhan pashë Përmetit, Mustafa Kruja mbante postin e Ministrit të Postë-Telegrafit. Ishte pjesë e delegacionit qeveritar në Konferencën e Paqes në Paris më 1919. Ndonëse nuk mori pjesë në punimet e Kongresit të Lushnjës, Mustafa Kruja u angazhua në politikë si deputet i prefekturës së Kosovës i zgjedhur më 1921.

Mbështeti Revolucionin e Qershorit të 1924 dhe mbeti një kundërshtar politik i Ahmet Zogut, edhe gjatë kohës kur qëndronte në ekzil në Zara të Dalmacisë. U rikthye në Shqipëri me pushtimin italian, si një ndër themeluesit e Institutit Mbretëror të Studimeve Shqiptare, së bashku me figura të shquara si Ernest Koliqi, Ilo Mitkë Qafëzezi, Eqrem bej Vlora, Aleksandër Xhuvani, Patër Anton Harapi etj.

Më 1941, caktohet kryeministër i Shqipërisë, post të cilin e mbajti deri në vitin 1943. U largua nga Shqipëria në shtator të 1944 për shkak të sëmundjes të së birit në Austri, për t’u mos u rikthyer më në vendlindje.

Kontributi i Mustafa Krujës në fushën shkencore dhe publicistike është i konsiderueshëm. Ka botuar dhjetëra artikuj në revistat dhe organet e ndryshme të shtypit si Ora e Maleve, Leka, Përpjekja Shqiptare, Mbrojtja Kombëtare, Shqipëria e Re, Hylli i Dritës etj. Punoi për 15 vite për “Fjaluerin kritik të Gjuhës Shqipe” si dhe kreu një studim analitik mbi “Fjalorin e Frang Bardhit”. La shenjën e tij në historiografi duke përpiluar monografinë “Anthologji historike” dhe “Shkrime historike”, si dhe veprën “Aleksandr’i i madh”. Ka përkthyer veprën voluminoze nga gjermanishtja në shqip “Vëzhgime iliro-shqiptare” nga trio-ja e mirënjohur e albanologëve Thalloczy-Shuflaj-Jireçek.

Vdiq në Niagara të ShBA-së më 1958. / atsh / KultPlus.com

KQZ mblidhet sot në orën 16:00 për shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mblidhet sot në orën 16:00 për të bërë shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të mbajtura më 9 shkurt.

Orën e këtij takimi e ka konfirmuar zëdhënës i KQZ-së, Valmir Elezi.

 “Ju njoftoj se sot (e shtunë, 15 mars 2025, ora 16:00) Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbajë mbledhjen e radhës dhe në rend dite është shpallja e rezultateve përfundimtare të Zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës, 9 shkurt 2025”, ka thënë Elezi për Express./ KultPlus.com

Jul Cezari dhe shtatë parimet e lidershipit

Sot shënohet dita e vdekjes së një personaliteti të madh botëror, i cili pavarësisht viteve kur ka jetuar, mbetet i paharruar në historinë e njerëzimit, shkruan KultPlus.

Gaius Iulius Caesar, i njohur shqip si Jul Çezari lindi më 12 korrik 100 p.e.s. në Romë dhe ka vdekur me 15 mars te 44 p.e.s. Ai ishte ushtarak dhe burrë shteti i Perandorisë Romake, i cili u vra nga kundërshtarët e tij politik.

Gai Jul Çezari ka luajtur një rol të rëndësishëm në transformimin e Republikës Romake, në Perandorinë Romake. Marshimi romak ne Britaninë e Madhe, prej ushtrisë së Jul Çezarit, e shtriu botën romake deri në oqeanin Atlantik. Ai konsiderohet si një prej gjenive ushtarak, më të mëdhenj të kohës dhe një prej liderëve me te fortë.

1. Rëndësia e slloganeve

Udhëheqësit më të mirë jo vetëm bëjnë veprime sensacionale – ata dinë gjithashtu të ofrojnë një histori bindëse.

Pas një lufte të shpejtë kundër një farë Farnace, Mbret i Pontos, Çezari dërgoi në Romë një raport me detajet e pushtimit të tij. Biografi grek Plutarku dhe historiani romak Svetoni pajtohen se komandanti nuk hyri shumë në detaje, por thjesht shkroi: “Veni, vidi, vici” (“Erdha, Pashë, Fitova”).

Frazat ishte aq efikase, sa e kujtojmë edhe sot, pas shumë shekujsh.

Çezari mund të ishte zgjatur në aftësitë e tij ushtarake (ishte autor i shumë shënimeve të gjata ushtarake), por ai e kuptoi se një resht i vetëm do ta dërgonte mesazhin me shumë më tepër forcë.

2. Marrja e risqeve

Në Romën e lashtë, kalimi i Rubikonit me një ushtri përbënte një sfidë të vërtetë. Ishte e barazvlefshme me shpallje lufte, gjë që ishte e ndëshkueshme me vdekje.

Kur Jul Çezari kaloi lumin me legjionin e tij, luajti gjithçka për gjithçka. Tek “Jetët e Çezarëve”, Svetoni shkruan se Çezari, kur kaloi lumin, citoi një dramaturg të Athinës, duke shpallur “vdekja është tërhequr”.

Riskoi gjithçka dhe i shkoi mirë.

3. Nuk ka asgjë të keqe të fillosh me pak

Shpesh, për t’u bërë udhëheqës, duhet të fillosh si peshk i madh në një pellg të vogël.

Çezari e kishte kuptuar dhe ia doli të marrë një pozitë pushteti, edhe pasi kishte humbur trashëgiminë e tij në rini, në një grusht shteti.

Sipas Plutarkut në veprën e tij “Jetë Paralele”, gjenerali bëri një koment kurioz kur po kalonte një fshat të vogël alpin: “Unë ju siguroj se preferoj të jem më mirë i parë këtu, se sa i dytë në Romë”.

4. Asgjë nuk është definitive

Si gjeneral, Çezari e dinte se gjërat mund të ndryshonin në një moment. Sipas “Jul Çezari: Mësime lidershipi nga pushtuesi i madh” i Bill Yonne, Çezari shkroi se “në luftë, ngjarjet me rëndësi të madhe kanë origjinë të parëndësishme”.

Të flesh mbi dafina nuk është një ide e mirë – sepse gjërat gjithmonë mund të kthehen në më të keqen.

5. Kurrë mos gënje veten

Edhe nëse je një udhëheqës i suksesshëm, kurrë mos arri në pikën që të besosh marrëzitë e tua. Tek “Gali i bukur”, që përshkruan një gabim taktik nga galët, kundërshtarë të tij, Çezari përfundon: “Në shumicën e rasteve, burrat janë të gatshëm të besojnë atë që duan”.

Udhëheqësit më të mirë sillen në mënyrë racionale dhe nuk lejojnë që ndjenjat e tyre ose nocionet e paracaktuara, të dominojnë vendimet e tyre. Instinkti është shumë i rëndësishëm, por udhëheqësit më të mirë e përdorin atë së bashku me arsyen, jo si alternativë të saj.

6. Kurrë mos u relakso, që të ulësh vigjilencën

Nuk ka rëndësi se sa gjithçka duket në rregull, udhëheqësit më të mirë gjithmonë arrijnë të parashikojnë pasojat më të këqija. Gjithmonë tek “Gali i bukur”, Çezari shkruan: “Herë pas here, perënditë e pavdekshme kanë zakonin t’u japin begati më të madhe dhe pandëshkueshmëri më të gjatë, atyre që duan të ndëshkojnë për fajet e tyre, në mënyrë që ata të mund të vuajnë më keq, në rrethana negative”.

Në praktikë, nëse kaloni një fazë pozitive, jini të kujdesshëm. Çezari vetë do të kish bërë mirë që ta ndiqte këtë këshillë. Por, nën diktaturën e tij, ai lejoi që një konspiracion të çonte në vrasjen e tij të famshme.

7. Kurrë mos u nënvlerëso

Për të marrë komandën, duhet të keni besim në aftësitë tuaja. Një gjë që Çezarit nuk i mungonte, siç e tregon edhe një incident ku, mes shumë rreziqeve të tjerë, ishin përfshirë edhe piratët! Duke rrëfyer jetën e Çezarit, Plutarku shkruan që në moshë të re, Jul Çezari u rrëmbye nga piratë, që kontrollonin Detin Mesdhe.

“Piratët kërkuan 20 talente për lirimin e tij, dhe Çezari duke qeshur u tha se nuk dinin kë kishin kapur, dhe u ofrua të pagojë pesëdhjetë”. Më pas Çezari u premtoi që, pasi ta lironin, do i vriste personalisht. Me t’u kthyer në liri, organizoi një flotë për t’i ndjekur, dhe bëri atë që kishte premtuar./KultPlus.com

FSHF prezanton fanellat e reja të Kombëtares

Federata e Futbollit dhe Macron kanë prezantuar fanellat e reja që lojtarët e Kombëtares do të veshin në ndeshjet kualifikuese për Kampionatin Botëror FIFA 2026. Lojtarët e drejtuar nga Silvinjo do të veshin fanellat e reja që në ndeshjen e parë të fazës së kualifikimeve që do të zhvillohet më 21 mars kundër Anglisë.

Fanellat e reja (fanella e parë e kuqe, fanella e dytë e bardhë dhe fanella e tretë e zezë) përbëhen nga një grafikë e veçantë e stampuar, e cila, duke nisur nga simboli i shqiponjës dykrenore, përfshin një seri të pasur referencash të elementëve natyrorë dhe kulturorë karakteristikë të Shqipërisë.

Brenda dizajnit të shqiponjës, e cila është e pranishme në mëngë, në pjesën e përparme dhe të pasme të fanellës, janë përfshirë shumë simbole, secili me një kuptim specifik: Shqiponja jonë dykrenore, e ndërtuar nga detaje që pasqyrojnë bukurinë, natyrën dhe shpirtin e pasur shqiptar, mban në krahët e saj malin, lumin, diellin dhe detin, simbole të fuqisë dhe bukurisë së jetës sonë.

Kjo shqiponjë mban lart guximin historik të Skënderbeut, duke na kujtuar traditat tona më të thella, me kundërshtarin në mes, përballë syve të shqiponjës.

Një shqiponjë që simbolizon zemrën, bashkimin, krenarinë, pak dinakëri dhe një pasion të thellë për lojtarët tanë, heronjtë modernë që vijnë nga katër anët e botës për të përfaqësuar me krenari Shqipërinë në çdo sfidë në fushë.

Një skuadër e bashkuar fort, një shpirt i mbushur plot, një komb që mbetet gjithmonë krenar.

Fanella e parë për ndeshjet në shtëpi është në ngjyrën tradicionale të kuqe (ngjyrën e flamurit shqiptar) me një shirit kuq e zi në pjesën e qafës dhe skajet e mëngëve. Grafika karakteristike është e stampuar në pjesën e përparme dhe të pasme, duke formuar një shqiponjë të plotë, e përbërë nga elementë si Skënderbeu, mali, deti, anija, yjet, dhelpra etj., elementë të historisë dhe folklorit shqiptar ndër shekuj.

Në gjoks, të dyja të printuara në silikon, janë të pranishme në të djathtë Macron Hero dhe në të majtë logoja e FSHF-së. Në pjesën e pasme të qafës, brenda, është personalizuar me një etiketë me ngjyrë të kuqe dhe detajet në ngjyrën e grafikës së pranishme në fanellë, mbi të cilën është logoja e FSHF-së, shkrimi “Federata Shqiptare e Futbollit”, logoja e Macron dhe shkrimi “Designed in Bologna” që certifikon se çdo pjesë është projektuar, krijuar dhe zhvilluar në kampusin Macron.

Në pjesën e pasme të qafës, është shtypur në ngjyrë të zezë shkrimi “SHQIPËRI”. Një detaj tjetër personalizuar i fanellës së re të Kombëtares shqiptare është shiriti i brendshëm, i vendosur pas, me frazën “Ti Shqipëri, më jep nder” e ndjekur nga simboli i shqiponjës dykrenore. Fanella e parë përfshin gjithashtu pantallona të zeza, të cilat, për shkak të një grupi ngjyrash të kuqe dhe të zezë në fundin e kofshës dhe profilit të segmentuar në anë, i japin stil të dizajnit të pantallonave klasike të basketbollit. Çorapet janë gjithashtu të zeza me një vijë të kuqe lart dhe një vijë të zezë në mes.

Fanella e dytë dhe e tretë pasqyrojnë saktësisht grafikën e fanellës së parë dhe dallohen për ngjyrën dominuese: Fanella e dytë është e bardhë me detaje kuqezi (pantallona të bardha me vijë anësore të kuqe dhe të zeza, çorape të bardha me vijë anësore të zeza dhe një vijë horizontale të kuqe); Fanella e tretë është e zezë me detaje të kuqe (pantallona të zeza dhe çorape të zeza me vija anësore kuqezi).

Si të gjitha produktet e realizuara nga Macron, edhe ato të Kombëtares shqiptare janë prodhuar në Eco Fabric, një material poliestër 100% i krijuar nga riciklimi i plastikës pas konsumit. Në veçanti, materiali i përdorur është Eco Sirena (pjesa e përparme dhe mëngët) dhe prania e panelit të pasmë në Eco Micromesh dhe përbërjet në Eco Mesh sigurojnë lehtësi dhe frymëmarrje të lartë. Fanellat e reja të Kombëtares shqiptare mund t’i gjeni në dyqanin online në faqen e FSHF, faqen zyrtare të Macron dhe dyqanet e Intersport. /KultPlus.com

Lojërat Olimpike Speciale Dimërore, Rama: Shqipëria merr medaljet e para të arta

Shqipëria ka arritur të marrë dy medaljet e para të arta në Lojërat Olimpike Speciale Botërore Dimërore që po mbahen në Torino të Italisë.

Kryeministri Edi Rama e ka konsideruar fantastik këtë moment për Shqipërinë që tashmë ka marrë medaljet e para të arta në Lojërat Olimpike Speciale Dimërore.

“Në debutimin e saj në këtë turne prestigjioz në Torino të Italisë, Skuadra Olimpike Speciale e Shqipërisë ka shkëlqyer me paraqitjen e sportistëve tanë me aftësi të veçanta, duke siguruar dy medalje ari”, shkruan Kryeministri Rama në Facebook.

Me medalje të arta janë vlerësuar Elizon Kacanja në Ski Alpine dhe Stela Salla në Cross Country Skiing, një medalje Argjendi për Elizon Kacanja në Giant Slalom, dy medalje bronzi për Joanis Myrtollaris në Ski Alpine dhe Joel Gërmenji në Snowshoeing (50m).

Në këtë event Shqipëria po përfaqësohet me 6 atletë me aftësi të kufizuara intelektuale në 3 disiplina sportive dimërore, për herë të parë në historinë e sportit shqiptar.

Nga kompeticioni i Lojërave Olimpike Speciale Botërore Dimërore në Napoli./ KultPlus.com

Sportistët shqiptarë, medalje të arta në Lojërat Olimpike Speciale Dimërore

Shqipëria merr medaljet e para të arta në Lojërat Olimpike Speciale Dimërore që po zhvillohen në Torino, Itali.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu njoftoi në një postim në rrjetet sociale se “në debutimin e saj në këtë kompeticion prestigjioz, Skuadra Olimpike Speciale e Shqipërisë ka shkëlqyer me paraqitjen e sportistëve tanë me aftësi të veçanta, duke siguruar dy medalje ari Elizon Kacanja në Ski Alpine dhe Stela Salla në Cross Country Skiing, një medalje Argjendi Elizon Kacanja në Giant Slalom dhe dy medalje bronzi Joanis Myrtollaris në Ski Alpine dhe Joel Gërmenji në Snowshoeing (50m)’.

“Kjo është një arritje e jashtëzakonshme e sportistëve tanë specialë”, tha Manastirliu.

Në këtë event Shqipëria po përfaqësohet me 6 atletë me aftësi të kufizuara intelektuale në 3 disiplina sportive dimërore, për herë të parë në historinë e sportit shqiptar./ KultPlus.com

Rritet çmimi i kafes në të gjithë botën

Rritet çmimi i kafes në nivel global. Në vitin 2024 ka pësuar rritje prej 40% në krahasim me mesataren e vitit 2023. Shkaku kryesor janë kushtet meteorlogjike dhe problematikat e lidhura me to që kanë goditur vendet prodhuese.

Sipas FAO, Organizatës së Kombeve të Bashkuara për ushqimin dhe bujqësinë, pritet që rritja të vijojë edhe gjatë vitit 2025. Në nivel botëror industria e kafes gjeneron mbi 200 mld $ në vit dhe SHBA e BE janë importuesit më të mëdhenj.

Sipas raportit, në Dhjetor të 2024, kafja arabike që është edhe kualiteti më i mirë e më i preferuar, shënoi një rritje prej 58%, ndërkohë që kafeja që përdoret për kafet e makinetave dhe përzierjet, pësoi rritje prej 70%.

Për shkak të ndryshimeve të klimës dhe problemeve me motin, në Vietnam klima e thatë e tejzgjatur jashtë normales solli një reduktim të ekporteve me rreth 20% për të dytin vit rradhazi. Edhe Indonezia shënoi ulje të tregtisë së kafes si vend prodhues, me rreth 17% si pasojë e shirave të tepërt të muajve Prill-Maj, ndërsa Brazili nga rritje që regjistronte çdo vit, në 2024 shënoi rënie të prodhimit me 1.6%.

Aktualisht, Brazili dhe Vietnami mbulojnë 50% të prodhimit botëror të kafes, ndërsa fermerët e vegjël përbëjnë 80% të prodhimit global./ KultPlus.com

Sot pritet të shpallen rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) sot pritet t’i shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

Zëdhënësi i KQZ-së, Vlamir Elezi, ka thënë se KQZ pritet ta mbajë një mbledhje të shtunën, ku në rend dite është shpallja e rezultateve përfundimtare.

Shpallja e rezultateve përfundimtare u vonua për shkak të telasheve të numërimit të votave, si dhe për shkak të rinumërimit të dhjetëra kutive të votimit dhe ankesave.

Shpallja e rezultateve përfundimtare dhe certifikimi i tyre do t’i hapë rrugën formimit të institucioneve të reja të Kosovës.

Me ligjet e Kosovës, brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve, presidentja e vendit duhet të thërrasë mbledhjen konstituive të Kuvendit të Kosovës. Nëse zgjidhen kryetari dhe nënkryetarët, atëherë Vjosa Osmani duhet të kërkojë nga partia fituese ta propozojë mandatarin për formimin e Qeverisë.

Lëvizja Vetëvendosje doli e para në këto zgjedhje me 40.90 %, PDK e dyta me 22.04 %, LDK e treta me 17.64 %, ndërsa koalicioni AAK-Nisma me 7.46 %./ KultPlus.com

‘Ca pika shiu ranë mbi qelq, për ty unë befas ndjeva mall’

Poezi nga Ismail Kadare

Ca pika shiu ranë mbi qelq.
Për ty unë befas ndjeva mall.
Jetojmë të dy në një qytet,
Dhe rrallë shihemi, sa rrallë.

Edhe m’u duk pak e çuditshme
Si erdh kjo vjeshtë, ky mëngjes.
Qiejt e ngrysur pa lejlekë
Dhe shirat pa ylberë në mes.

Dhe thënia e vjetër e Heraklitit
Seç m’u kujtua sot për dreq :
« Të zgjuarit janë bashkë në botë,
Kurse të fjeturit janë veç ».

Në ç’ëndërr kemi rënë kaq keq,
Që dot s’po zgjohemi ne vallë ?…
Ca pika shiu ranë mbi qelq
Dhe unë për ty seç ndjeva mall.

1976./ KultPlus.com

Tre libra për ta njohur më mirë Stephen Hawking

I lindur në Oxford në vitin 1942, Stephen Hawking është një prej mendjeve më të ndritura në botë.

Bashkë me Roger Penrose ai tregoi se Teoria e Relativitetit e Ajnshtajnit konsideron se koha dhe hapësira kanë pasur pikënisjen në Big Bang ndërsa përfundojnë në vrimën e zezë. Hawking ka pranuar 12 diploma të fuqishme botërore ndërsa edhe ka shkruar disa libra gjatë jetës së tij, të cilët edhe sot lexohen për të kuptuar ideologjinë dhe pikëpamjet e tij.

Po i sjellim këtu tre libra të cilët mund ti lexoni nëse dëshironi të kuptoni më shumë për këtë fizikan dhe kozmolog të njohur. Disa prej librave mund ti gjeni edhe në gjuhën shqipe.

“A Brief History of Time”

Rreth 9 milion kopje të shitura të këtij libri të përkthyer në 40 gjuhë të botës tregojnë më shumë për rëndësinë dhe fuqinë e librit të botuar në vitin 1988. Libri është shkruar për fillestarët, për ata që nuk kanë njohuri për teoritë shkencore, ndërsa flet për universin, për kohën dhe për hapësirën, dhe për gravitetin si forcë . Në libër diskutohen relativiteti gjeneral dhe mekanika kuantike dhe për teorinë unifikuese, e cila përshkruan çdo gjë në hapësirë në mënyrë koherente. Hapësirat e zeza janë yjet që kanë kollapsuar në një pikë shumë të vogël.

“The Grand Design”

Si dhe kur nisi universi? Pse jetojmë? Pse jemi këtu në këtë botë? Cila është natyra e realitetit? Pse natyra na pranon dhe pse ligjet e saj janë kaq të pranuara nga ekzistenca jonë? Shkenca, apo Zoti? Pyetjet e shumta janë pjesë e këtij libri që konsiderohet si kryevepra e Hawking. Në libër, mes tjerash përshkruhet se si kozmosi nuk e ka vetëm një histori dhe ekzistencë, por se si çdo histori e mundshme e universit ekziston rastësisht. Një gjuhë brilante dhe shumë e thjeshtë e ka bashkuar Hawking dhe Mlodinow për të shkruar këtë libër.


“The Universe in a Nutshell”

Një mendimtar i denjë, Hawking në këtë libër ka përfshirë nocionet e librave të kaluar. Gati në secilin libër që ka shkruar, ai nuk ka lënë jashtë vrimat e zeza (black holes) apo gravitetin, apo mekanikën kuantike dhe Teorinë M. Në libër vjen edhe “Teoria e Gjithçkaje” – që shtrihet në zemër të universit. Në libër provohet të bashkohen Teoria e Ajnshtajnit dhe ajo e Feynman për të krijuar një teori e cila do të përshkruante gjithçka që ndodhë në kozmos. Libri është botuar në vitin 2001 ndërsa është vazhdimësi e librit të parë që propozuam sot. / KultPlus.com

‘Ditët tona më të mira janë ato që ende nuk i kemi përjetuar’

Poezi nga Nazim Hikmet

Deti më i bukur:

është ai në të cilin akoma askush nuk ka shkuar.

Fëmija më i bukur:

Ende nuk është rritur.

Ditët tona më të mira:

Janë ato që ende nuk i kemi përjetuar.

Dhe fjala më e mirë që dua të them:

Është ajo që nuk e kam thënë ende …

Përktheu nga turqishtja: Batjar Halili / KultPlus.com

Unë jam thjesht një fëmijë që nuk është rritur kurrë, unë ende vazhdoj të pyes pyetje të tipit ‘si’ apo ‘pse’

Stephen Hawking ishte shumë më tepër se një fizikan teorik me një film fitues të çmimit Oscar dedikuar për të. Ai ka dhënë kontribute të çmuara jo vetëm për botën e shkencës, por edhe për vetë jetën për të gjithë ata që donin të mësonin diçka prej tij.

Përgjatë karrierës së tij, Hawking na ka ndihmuar të kuptojmë më mirë planetin, dhe në të njëjtën kohë, edhe veten tonë. Këto janë disa mendime që ai i ka ndarë me të gjithë dhe që kanë pasur një ndikim të madh tek unë. Ndoshta do të ndikojnë po aq fuqishëm edhe tek ty.

“Unë jam thjesht një fëmijë që nuk është rritur kurrë. Unë ende vazhdoj të pyes pyetje të tipit “si” apo “pse”. Ndonjëherë gjej përgjigje e ndonjëherë jo”.

Hawking na kujton se duhet të qëndrojmë po aq kuriozë sa ishim, kur ishim fëmijë. Ai na tregon se si të jemi guximtarë. Jo çdo gjë është e mundur dhe përgjatë gjithë pamundësive, ne mund të marrim përgjigje thjesht duke bërë pyetje. Ndonjëherë mund të mos marrim përgjigjen që duam, ose të mos marrim fare përgjigje, por kjo gjë nuk duhet të na pengojë që të mos bëjmë pyetje. Vetë jeta është një pikëpyetje e madhe, për të cilën asnjëherë nuk do të ndalesh së i pyeturi të tjerët dhe veten për të marrë përgjigje.

“Nëse do të duhet të zgjidhja të isha një superhero, do të zgjidhja Supermenin. Ai është gjithçka që unë nuk jam”.

Hawking, në mesin e më të suksesshmëve dhe më të zgjuarve në botë, sërish ka ëndrra si çdokush tjetër. Dëshira e tij për të bërë gjëra që nuk i ka bërë më aprë, apo për të qenë si dikush tjetër, e bën atë njësoj si të gjithë ne. Ne të gjithë jemi njerëz në fund të fundit, dhe si njerëz ne mund të bëjmë aq sa na lejojnë mendja dhe trupi ynë.

Hawking mund të mos kishte superfuqi për të fluturuar si Supermeni (ai vuante nga sëmundja e Lou Gehrig, ose e njohur ndryshe si ALS – skleroza amniotrofike laterale), por ai kishte një inteligjencë shumë më të madhe se çdo personazh superhero nëpër libra apo filma.

Ai arriti të tejkalonte barrierat dhe të mahniste botën me zbulimet e tij. Çdokush në gjendjen e tij do të ishte ndalur, nuk do të donte më të jetonte, por Hawking na tregon se njerëzimi i gjithë ka të bëjë me ëndrrat dhe synimet që i vendos vetes dhe për të cilat punon fort t’i arrish.

“E shkuara, ashtu si e ardhmja, është e pafundme dhe ekziston si një pasqyrë mundësish”.

Nga ky përfundim i shkencëtarit, unë arrij të kuptoj edhe një herë rëndësinë e të jetuarit në të tashmen. Ndërsa jetojmë ditë pas dite, ne vihemi përballë një numri të madh mundësish. Ne kemi fuqinë të bëjmë gjëra të mëdha, por të cilat mund t’i arrijmë në të tashmen.

Ne mund të shohim nga e shkuara duke menduar për mundësitë që na janë ofruar dhe të mendojmë për mundësitë që mund të na ofrohen në të ardhmen. Në këtë moment na është falur e tashmja dhe është detyrë e jona ta shfrytëzojmë në mënyrën e duhur”.

“Cilësia që dua të veçoj, është empatia. Ajo na mbledh së bashku dhe na jep një ndjesi më të paqtë, më të dashur”.

Hawking ka thënë: “Cilësia më e keqe e njeriut, të cilën do doja ta ndryshoja, është agresiviteti”. Ai vuri në dukje se agresioni ka qenë një cilësi që i lejonte njerëzit të mbijetonin në ditët e urisë, por që tashmë është një dëm për njerëzimin. Që në vitin 2015, ai ka mbështetur gjithmonë e më tepër rëndësinë e empatisë.

Shkencëtari ka shpjeguar se vetëm empatia mund ta luftojë siç duhet agresivitetin. Koncepti i empatisë është duket tepër i thjeshtë, por sërish mbetet një cilësi, për të cilën vënia në zbatim has tepër vështirësi. Empatia është ndjesia e mirëkuptimit dhe aftësisë për të ndarë me të tjerët eksperiencat dhe emocionet. Vetëm duke u vënë në praktikë, ajo mund të na çojë në ndryshime të mëdha dhe pozitive. /filozofia.al/ KultPlus.com

Zyra e Albert Einstein, e fotografuar menjëherë pas vdekjes së tij (FOTO)

Einstein vdiq në Prill të vitit 1995, në Princeton.

Fotografi i njohur Ralph Morse, i cili në atë kohë punonte për revistën e mirënjohur ‘Life’, sapo u informua për vdekjen e gjeniut, u nis për në Princeton, ku hasi në shumë gazetarë e foto-reporterë dhe duke mos mundur të deportojë përmes turmës, u nis drejt Institutit të Studimeve të avancuara, aty ku edhe ishte zyra e Einstein-it.

Më vonë fotografi ka treguar për mediat amerikane se të hynte në zyrën e Einstein-it nuk kishte qenë edhe aq e vështirë, ai kishte korruptuar sigurimin me një shishe pije alkoolike.

Fotografia e shkrepur u publikua në revistë një ditë pas vdekjes së Einstein-it, ku vërehen dokumentet dhe gjërat personale ashtu siç edhe i kishte lënë ky i fundit. / KultPlus.com

Fjalimi i gjuhëtarit Aleksandër Xhuvani mbi varr të Atë Gjergj Fishtës

Veprimtarinë e nisi si mësues në Kolegjin Arbëresh të Shën Dhimitër Koronës, për t’u kthyer më pas në Shqipëri, ku filloi të jepte mësim në Normalen e Elbasanit.

Aleksandër Xhuvani lindi në Elbasan më 14 mars 1880 në një familje të njohur për kontributin kombëtar e kulturor. Mësimet e para i kreu në vendlindje, të mesmet, në Çatillë të Maqedonisë. Më pas studioi filologji në Athinë, ku edhe u diplomua. Është një nga pionierët e arsimit dhe të gjuhësisë shqiptare.

Mjafton të kujtojmë këtu fjalimin që Xhuvanit mbajti mbi varr të Atë Gjergj Fishtës, për të treguar qartë vlerësimin e e tij të thellë për kontributin e klerit katolik e personalisht të Kangëtarit të Lahutës:

“Si vetimë u përhap an’ e kand të Shqipnisë lajmi i hidhët i vdekjes së poetit t’onë Kombëtar, At Gjergj Fishtës dhe e mahniten mbeti sot mbarë bota shqiptare, tue kujtue emnin zamadh të autorit të “Lahutës së Malcisë” që ka këndue, si dikur Omeri, burrnin e besën e fisit tonë, që ka ndezë zemrat e Shqiptarëvet, si dikur Tirteu, i vjetërsisë. E me të drejtë i kan thënë Fishtës “Tirteu i Shqipnisë, se sikurse ai me elegjitë e tij ndezi zemrat e Spartanëve për luftë, njashtu dhe epopeja e “Lahutës”, odet dhe elegjitë e “Mrizit të Zanave” e të poezive të tjera kanë mbledhë në zemër të djelmnisë sonë dashuninë e pamasë për truellin e të parëve dhe për gjuhën amtare. Këto dy ideale: Atdhedashunia dhe rujetja e gjuhës si dritë e synit, lavrimi dhe përdorimi e saj kanë qenë polet rreth së cilave shtrihej vepra e çmueshme e Fishtës. E s’ka kush tjetër veçse ne arsimtarëve që kemi pasë e kemi nëpër duer edhe ua kemi mësue nxënësve poezitë e tij, që e çmon ma mirë veprën zamadhe të tij, e cila sot si një far i madh dritëdhanës ka ndriçue mendjen e djelmënisë sonë, si një Ungjill shkëndimadh morali ka zbutë e ka edukue zemrën e saj”.

Aleksandër Xhuvani vdiq më 22 nëntor 1961. / KultPlus.com

“Letër babait”

Nga Franz Kafka

I dashur baba…

Isha fëmijë frikacak; por edhe kokëfortë, siç janë fëmijët.
Padyshim, mamaja m’i plotësonte tekat, por nuk mund ta besoj se kam qenë aq i azdisur, s’mund ta besoj se një fjalë e ngrohtë, një vështrim i përdëllyer, duke më marrë qetësisht për dore, të mos e platitnin qenien time dhe të arrije çka dëshiroje. Dhe ti, në thelb, je njeri babaxhan dhe i dhembshur (ato çka po them nuk bien në kundërshti, flas për përshtypjen që kisha krijuar për ty në vogëli), por jo të gjithë fëmijët janë aq këmbëngulës dhe të guximshëm që të rendin kaq gjatë pas dashurisë, derisa të gjejnë atë. Ti di ta trajtosh një fëmijë vetëm sipas midesë sate, gjithë forcë, rrapëllimë e nerva të cingërisura dhe, në rastin tim, kjo të duket kaq e qëlluar, pasi doje të shihje tek unë një djalosh të fortë e guximplotë.

Sot, është e qartë, arrij t’i përshkruaj vetëm tërthorazi metodat edukative që përdorje në hapat e parë të jetës sime, por, sidoqoftë, arrij t’i ravijëzoj sërish në mendje, duke pasur parasysh periudhat e mëvonshme dhe mënyrën se si sillesh me Feliksin. Veç kësaj, duhet mbajtur parasysh se atëherë ishe mjaft më i ri, pra më i fuqishëm, më energjik, më i shpërqendruar, ishe më pak i kujdesshëm nga ç’je tani dhe i përpirë nga puna jote; mezi të shihja një herë në ditë dhe përshtypja që ngjallje tek unë ishte e thellë dhe kurrë nuk u nemit e s’u bë monotone. Nga vitet e para të jetës ndërmendësohej vetëm një ndodhi. Ndoshta e kujton edhe ti.

Një natë qarravitesha paprerë, sepse doja ujë, sigurisht jo për shkak të etjes, por ndoshta për të të bezdisur dhe për t’u zbavitur. Meqë kanosjet fjalërënda s’kishin bërë punë, më ngrite nga shtrati, më nxore në ballkon, mbylle derën dhe më le aty, për pak çaste, vetëm, në fill të këmishës. S’dua të them se nuk veprove drejt; ndoshta atë natë, me të vërtetë, s’ia dilje dot ndryshe që të preheshe në paqe; desha vetëm të të përshkruaj mënyrat e tua edukative dhe vragat që lan mbi mua.

Ai ndëshkim, sigurisht, më bëri më kokulur, por më trallisi në thellësi të shpirtit. Kurrë nuk arrita të vë në kandar ujin që kërkoja, kokëngjeshur si mushkë, dhe frikën pa anë e fund që ndieja teksa gjendesha jashtë. Edhe vite më vonë më kallte datën fantazia brejtëse sikur burri i stërmadh, im atë, vendi i fundit ku mund të përplasja kokën, mund të vinte natën, pa kufarrë shkaku dhe të më nxirrte vrikthi, nga shtrati në ballkon; pra, për të, s’isha veçse një zero me xhufkë.

„Nuk jam i pajisur me asgjë, nuk përmbledh në vetvete, për aq sa di unë, asgjë tjetër fituar nga jeta, absolutisht asgjë, duke përjashtuar dobësinë universale njerëzore. Por me këtë gjë, e në këtë kuptim, duhet të them se ajo është për mua një forcë kolosale. Unë kam thithur me forcë negativitetin e kohës që po jetoj dhe ai, negativiteti më rri aq afër, ngjitur fare, sa që unë nuk kam të drejtë ta luftoj, bile jo vetëm kaq, në një farë kuptimi e ndjej për detyrë ta përfaqësoj”. / KultPlus.com

“Letër babait”, Franz Kafka

Prindërit e Ajnshtajnit supozonin se ai mund të ishte me nevoja të veçanta, më vonë u shfaq si gjeni

Kur Ajnshtajni lindi në 14 Mars 1879, prindërit e tij kishin frikë se ai mund të ishte me nevoja të veçanta sepse koka e tij ishte shumë e madhe. 

Mjeku i tyre nuk ishte i shqetësuar dhe brenda disa javësh, koka e Ajnshtajnit u formua normalisht. 

Më vonë, prindërit e Ajnshtajnit menduan se ai mund të ishte i vonuar sepse nuk foli derisa ishte katër vjeç. 

Ai e theu heshtjen një natë në darkë duke thënë: “Supa është shumë e nxehtë”. Kur prindërit e tij e pyetën pse nuk kishte folur më parë, i riu Ajnshtajn u përgjigj: “Sepse deri tani gjithçka ishte në rregull”.

Në fotografi është Ajnshtajni me motrën e tij të vogel Maria. /KultPlus.com