Aleksandër Xhuvani, gjuhëtari që u emërua si Mësues i Popullit

Veprimtarinë e nisi si mësues në Kolegjin Arbëresh të Shën Dhimitër Koronës, për t’u kthyer më pas në Shqipëri, ku filloi të jepte mësim në Normalen e Elbasanit.

Aleksandër Xhuvani lindi në Elbasan më 14 mars 1880 në një familje të njohur për kontributin kombëtar e kulturor. Mësimet e para i kreu në vendlindje, të mesmet, në Çatillë të Maqedonisë. Më pas studioi filologji në Athinë, ku edhe u diplomua. Është një nga pionierët e arsimit dhe të gjuhësisë shqiptare.

Qe anëtar i Komisisë Letrare të Shkodrës, sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit, anëtar i Institutit për Studime Shqiptare, dekan i Seksionit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë pranë Institutit të Studimeve, anëtar i redaksisë së Buletinit të Shkencave Shoqërore. Në kulmin e veprimtarisë si gjuhëtar e pedagog, Universiteti Shtetëror i Tiranës i dha titullin Profesor Doktor honoris causa.

Që nga viti 1905, kur botoi artikullin e parë në revistën “Albania” të Faik Konicës e deri në fund të jetës, vijoi shkrimet publicistike, gjuhësore, pedagogjike dhe letrare. Për një farë kohe drejtoi organin e Elbasanit “Kopshti letrar”; më pas botoi shumë studime mbi veprat e letërsisë së viteve ’30. La një trashëgim të çmuar veprash gjuhësore, pedagogjike, teoriko-letrare. Po kujtojmë disa prej tyre:

“Libri i gjuhës shqipe” 1924; “Njohuritë e para të sintaksës shqipe” 1925; “Fillimet e pedagogjisë didaktike” 1926; “Pestaloci” 1927; “Fillime të stilistikës dhe të letërsisë së përgjithshme (me Kostaq Cipon) 1930; “Fillimet e psikologjisë 1933 etj.

Me studimin e jetës së tij janë marrë Bardhyl Graceni në monografinë “Aleksandër Xhuvani: jeta, vepra” Tiranë 1980 dhe Hajrullah Koliqi në monografinë “Aleksandër Xhuvani”.

Po të krahasojmë shkrimet e para, që na zbulojnë bindjet e tij të formuara, e shkrimet më të vona, do të vërejmë menjëherë se edhe ai, pavarësisht nga rrethanat, që e shpëtuan nga prangat dhe i krijuan kushte të favorshme pune, duhet ta ketë ndjerë thellë në shpirt peshën e tmerrshme të diktaturës, që për njerëz si ai donte të thoshte vdekje e mendimit të lirë e e krijimtarisë së lirë. Këtë e dëshmon fakti se miqtë më të mirë i pat në radhët e intelektualëve me formin perëndimor, ndërmjet të cilëve, me gjuhëtarin e madh të panjohur, Atë Viktor Volajn, asokohe Rektor i Kishës françeskane në Tiranë, me të cilin takohej rregullisht për të diskutuar mbi probleme gjuhësore e letrare, ndonëse asokohe takimet me një frat mund të konsideroheshin veprimtari armiqësore. Falë Profesor Xhuvanit, Atë Viktori vijoi, fshehurazi e pa emër, bashkëpunimin me Akademinë e Shkencave duke dhënë një kontribut të madh për Fjalorin e shqipes.

Mjafton të kujtojmë këtu fjalimin që Xhuvanit mbajti mbi varr të Atë Gjergj Fishtës, për të treguar qartë vlerësimin e e tij të thellë për kontributin e klerit katolik e personalisht të Kangëtarit të Lahutës:

“Si vetimë u përhap an’ e kand të Shqipnisë lajmi i hidhët i vdekjes së poetit t’onë Kombëtar, At Gjergj Fishtës dhe e mahniten mbeti sot mbarë bota shqiptare, tue kujtue emnin zamadh të autorit të “Lahutës së Malcisë” që ka këndue, si dikur Omeri, burrnin e besën e fisit tonë, që ka ndezë zemrat e Shqiptarëvet, si dikur Tirteu, i vjetërsisë. E me të drejtë i kan thënë Fishtës “Tirteu i Shqipnisë, se sikurse ai me elegjitë e tij ndezi zemrat e Spartanëve për luftë, njashtu dhe epopeja e “Lahutës”, odet dhe elegjitë e “Mrizit të Zanave” e të poezive të tjera kanë mbledhë në zemër të djelmnisë sonë dashuninë e pamasë për truellin e të parëve dhe për gjuhën amtare. Këto dy ideale: Atdhedashunia dhe rujetja e gjuhës si dritë e synit, lavrimi dhe përdorimi e saj kanë qenë polet rreth së cilave shtrihej vepra e çmueshme e Fishtës. E s’ka kush tjetër veçse ne arsimtarëve që kemi pasë e kemi nëpër duer edhe ua kemi mësue nxënësve poezitë e tij, që e çmon ma mirë veprën zamadhe të tij, e cila sot si një far i madh dritëdhanës ka ndriçue mendjen e djelmënisë sonë, si një Ungjill shkëndimadh morali ka zbutë e ka edukue zemrën e saj”. Prof. Aleksandër Xhuvani vdiq më 2 nëntor 1961. / KultPlus.com

‘Express’: Shqipëria, vendi i bukur plot me plazhe të pabesueshme

Vija bregdetare e thyer, ujërat e kristalta bruz dhe çmimet e perballueshme e bëjnë këtë vend, destinacionin e përsosur për pushime, shkruan Alice Scarsi në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “Express”.

Pavarësisht nga vija e saj bregdetare prej 279 miljesh, e mbushur me plazhe me rërë të artë dhe pyje të bukur, Shqipëria mbetet një Perlë e Evropës, e cila deri para disa vitesh nuk njihej nga turistët si një destinacion pushimi.

Ata që e kanë zbuluar, shpesh e kanë krahasuar me “Maldivet e Evropës” falë ujërave jashtëzakonisht të pastra dhe vendpushimeve të qeta.

Riviera Shqiptare, me pamje nga detet Adriatik dhe Jon, është më pak se tre orë larg me fluturim nga Britania e Madhe dhe kushton shumë më pak se një udhëtim në Azinë Jugore.

Në të vërtetë, ky destinacion është i përsosur për turistët me buxhet të limituar. Fluturimet nga Londra në Tiranë kushtojnë më pak se 100 paund në pikun e sezonit, ndërsa një vakt kushton mesatarisht 5 paund.

Ndërsa një krikëll birrë kushton rreth 1,10 paund, një gotë verë është pak më e shtrenjtë, mesatarisht 1,70 paund.

Shqipëria mbetet e përballueshme edhe kur bëhet fjalë për akomodimin, pasi dhomat buzë plazhit kushtojnë deri në 25 paund.

Në varësi të nevojave dhe preferencave të turistëve, ka zona të ndryshme për t’u eksploruar në vend.

Një nga perlat e Rivierës Shqiptare është Vlora, e cila ndodhet midis deteve Adriatik dhe Jon dhe ofron ujëra të pastër dhe plazhe të bukura me rërë.

Ky qytet ka gjithashtu një rëndësi të jashtëzakonshme historike, pasi është vendi ku Shqipëria shpalli pavarësinë e saj në vitin 1912.

Një tjetër destinacion i jashtëzakonshëm për turistët është Dhërmiu, një fshat ku ndodhet një nga plazhet më të njohura dhe më të gjata të Shqipërisë, me çadra të ndërtuara nga gjethet e palmës dhe shezlongët me pamje nga deti.

Ata që kanë nevojë të shkëputen nga plazhi mund të vizitojnë Kanionin mbresëlënës të Gjipesë, i cili ndodhet midis Dhërmiut dhe Vunoit dhe të çon në plazhin mahnitës të Gjipesë.

Më në jug ndodhet Ksamili, i cili  po tërheq vëmendjen e turistëve të huaj përmes promovimit të tij në median sociale, shumë prej të cilëve e kanë përshkruar atë si “Maldivet e Evropës”.

Plazhet si Pema e Thatë po shfaqen gjithnjë e më shumë në platformat ku shpërndahen videot, jo vetëm për bukuritë e tyre, por edhe falë kasolleve luksoze por edhe të lira të disponueshme me qira në plazh./KultPlus.com

Art me riciklim, ekspozita me veprat e krijuara nga mbetje të ricikluara

Të krijosh dhe ndërtosh objekte arti, duke u bazuar në materiale të grumbulluara, të riciklueshme, si për shembull shishe, karton, letër, etj, është një mision për artisten Shegushe Bebeti, që prej 40 vitesh aktron me kukullën, dhe sot na sjell një ide ndryshe, duke krijuar skulptura, instalacione që lëvizin dhe ndërtohen me një mision të caktuar, atë të edukimit të fëmijëve me objekte përdorimi të përditshmërisë dhe në mënyrë kreative.

Ekspozita ‘Arti i Riciklimit’ është një art më vete, i cili i shërben komunitetit për arsyen kryesore, mbrojtjen e ambientit duke ricikluar ne krijojmë vepra arti.

Format e thyera të përdorura nga artistja janë metafora, janë personazhe që ajo ka në memorien e saj, dhe këto personazhe ajo do t’i kthejë në mënyre kreative dhe interpretative, që më vonë këto vepra të flasin me zërin e saj, si një skenë teatrore./TopChannel/KultPlus.com

Prindërit e Ajnshtajnit supozonin se ai mund të ishte me nevoja të veçanta, më vonë u shfaq si gjeni

Kur Ajnshtajni lindi në 14 Mars 1879, prindërit e tij kishin frikë se ai mund të ishte me nevoja të veçanta sepse koka e tij ishte shumë e madhe. 

Mjeku i tyre nuk ishte i shqetësuar dhe brenda disa javësh, koka e Ajnshtajnit u formua normalisht. 

Më vonë, prindërit e Ajnshtajnit menduan se ai mund të ishte i vonuar sepse nuk foli derisa ishte katër vjeç. 

Ai e theu heshtjen një natë në darkë duke thënë: “Supa është shumë e nxehtë”. Kur prindërit e tij e pyetën pse nuk kishte folur më parë, i riu Ajnshtajn u përgjigj: “Sepse deri tani gjithçka ishte në rregull”.

Në fotografi është Ajnshtajni me motrën e tij të vogel Maria. /KultPlus.com

Shkolla Finlandeze për të tretin vit me radhë në CNN, promovon Kosovën para qindra miliona shikuesve nëpër botë 

Si testament i përkushtimit për promovimin e lirisë dhe edukimit, Shkolla Finlandeze në Kosovë ka marrë përsëri vëmendje ndërkombëtare, me shfaqjen e saj të tretë në CNN, në kuadër të iniciativës së CNN të quajtur “Dita Ime e Lirisë” (My Freedom Day). 

Prishtinë, 14 Mars – Medium prestigjioz amerikan CNN të cilin e shikojnë mbi 300 milionë njerëz në ditë mesatarisht, vazhdon të jetë zë i fuqishëm kundër skllavërisë moderne e cila prekë vendet e ndryshme të botës. CNN ka shënuar kampanjën e saj të përvitshme “My Freedom Day” me të cilën mundohet të vetëdijesoj njerëzit se çfarë është skllavëria moderne, si manifestohet ajo në vende të ndryshme të botës dhe si mund të ndalohet. 

Aktivitete të tilla ndërgjegjësuese janë mbajtur në Shkollën Finlandeze me një theks të veçantë tek liritë dhe të drejtat e fëmijëve. CNN ka përzgjedhur aktivitetet e Shkollës Finlandeze si me të veçantat në Evropë dhe ka shfaqur ato në disa edicione televizive, duke bërë jehonë të jashtëzakonshme tek qindra miliona shikues në mbarë botën. Kosova në baza ditore promovohet në CNN përmes projekteve të Shkollës Finlandeze, të cilat shfaqen në rrjetin më të madh televiziv kombëtar amerikan. Nxënësit e shkollës janë dalluar për qëndrimin e tyre në përkrahje të kësaj iniciative. 

Iniciativa e cila shënohet çdo herë me 14 mars, i inkurajon shkollat dhe komunitetin të përfshihen në diskutime dhe aktivitet që dënojnë çdo formë të skllavërisë moderne. Për këtë iniciativë nxënës nga shkolla të ndryshme në botë bëhen bashkë për të informuar komunitetin përreth tyre në lidhje me skllavërinë moderne dhe trafikimin e qenieve njerëzore.   

Shkolla Finlandeze e Kosovës çdo herë përmes programeve të saj edukative dhe iniciativave të ndryshme ka theksuar rëndësinë e lirisë, respektimit të të drejtave të njeriut dhe rëndësinë e përgjegjësisë shoqërore. Edhe këtë vit nxënësit e shkollës morën vëmendjen e CNN, që tregon dedikimin e vazhdueshëm të tyre për liri.   

Përmes diskutimeve deri të projektet inovative, nxënësit dhe stafi i shkollës kanë dëshmuar dedikimin e tyre të plotë për të ndryshuar botën për të mirë.  Me përfshirjen e moshave të reja në iniciativa të tilla dhe informimin e duhur të tyre, shkollat si ajo finlandeze në Kosovë luajnë rol jetik në formimin e një botë më të mirë për të gjithë.  

Projekti “My Freedom Day” u jep zë të mbijetuarve të skllavërisë moderne dhe kërkon nga qeveritë e të gjitha shteteve në botë që të mbajnë përgjegjësi dhe të veprojnë në ndalimin e të gjitha formave të saj.    

Së fundmi, Shkolla Finlandeze ka lansuar edhe programin IMPACT i cili ua mundëson gjithë familjeve në Kosovë tí shkollojnë fëmijët e tyre në sistemin #1 të edukimit në botë, atë finlandez për kosto të përballueshme mujore, duke filluar nga 195 EUR në muaj. Për më shumë detaje, vizitoni faqen e programit IMPACT. /KultPlus.com

Nji natë e dogja

Poezi e shkruar nga Leonard Cohen.
Përkthyer nga Fatbardha Statovci
.

Nji natë e dogja shtëpinë që doja,
Ndriti nji rreth t’përsosun
Ku pashë ca barna t’këqija dhe gurë
E asgjë jashta kësaj.

Disa krijesa të ajrit
Prej natës t’frikësueme,
Erdhën botën prapë me e pa
Dhe nëpër dritë u zhdukën.

Tash prej qielli n’qiell lundroj
Dhe e gjithë errësina këndon
Kundër varkës prej krahësh sakatë
Që e kam ba./KultPlus.com

‘Oppenheimer’ i solli regjisorit Christopher Nolan rreth 100 milionë dollarë

Christopher Nolan fitoi dy Oscar të dielën mbrëma si regjisor dhe producent i “Openheimer”, ndërsa filmi fitoi gjithsej 7 çmime. Po aq i madh ishte suksesi financiar i projektit, pasi i solli britanikut një shumë të madhe parash.

Fitimi i fundit i Nolan për filmin, i cili ndjek jetën e shkencëtarit me emër J. Robert Oppenheimer dhe roli i tij në krijimin e bombës atomike, është pak më pak se 100 milionë dollarë, sipas një raporti në Variety. Kjo shifër përfaqëson një kombinim të pagës, kompensimit të prapaskenës, fitimeve dhe shpërblimeve për dy çmimet e Akademisë.

Filmi Universal, i cili fitoi gjithsej shtatë Oscar, duke përfshirë aktorin më të mirë për Cillian Murphy dhe aktorin më të mirë dytësor për Robert Downey Jr. u realizua me një buxhet prej 100 milionë dollarësh.

Pas shfaqjes së tij më 19 korrik, që ishte gjysma e fenomenit kinematografik “Barbenheimer”, filmi fitoi 958 milionë dollarë në mbarë botën, një shifër madhështore duke marrë parasysh gjatësinë e filmit prej tre orësh dhe jo i përshtatshëm për të mitur. Është gjithashtu filmi me fitimin më të madh që nga “Lord of the Rings: The Return of the King”, i cili fitoi Oscarin për filmin më të mirë në 2004. Në fakt, “Oppenheimer” do të ri-lansohet në 1000 kinema amerikane këtë fundjavë pas fitore e madhe. Kjo pritet të kalojë bruto përfundimtare të filmit mbi 1 miliard dollarë, duke shkaktuar një bonus shtesë për regjisorin./KultPlus.com

Përkujtohet poeti dhe qëndrestari Zyhdi Morava

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” përkujtoi sot shkrimtarin, poetin, intelektualin, qëndrestarin Zyhdi Morava (14 mars 1946 – 9 korrik 2010).

Morava lindi në Gracë të Devollit më 14 mars 1946. Në moshë të vogël u zhvendos në Tiranë familjarisht ku u detyrua të punonte për të siguruar sadopak jetesën. Falë pasionit ndaj letërsisë, ai arriti të botojë poezitë e para në gazetën “Puna” dhe revistën “10 Korriku”.

Në vitin 1971, në kuadër të përndjekjes së “Grupit armiqësor të letrarëve të rinj” që kryesohej nga Bedri Myftari, u akuzua dhe Zyhdi Morava, së bashku me të rinj të tjerë të talentuar si Ahmet Golemi, Konstandin Dhamo, Roland Gjoza etj.

Atij iu hoq e drejta e botimit dhe u dërgua në fermën Gjergj-Dimitrov e më pas i internuar në fshatin Yrshek, ku punoi në kushte tejet të vështira. Në mars të 1978, Zyhdi Morava arrestohet dhe dënohet me 8 vjet për “agjitacion dhe propagandë kundër pushtetit popullor”. Dënimin e kreu në kampin e punës së detyruar në Spaç për 4 vjet dhe u lirua më 1982 falë një amnistie. Deri në vitin 1991 ka punuar në ngarkim-shkarkim, në ferma, si roje nate etj.

Me ardhjen e demokracisë, Zyhdi Morava u angazhua në Sindikatat e Pavarura, duke qenë gjithashtu redaktor i gazetës “Sindikalisti”, dhe më pas duke drejtuar gazetën “E vërteta”. Ka punuar si zëdhënës në Bashkinë e Tiranës. Më pas u caktua sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë e më pas kryetar i saj në vitin 2005. Derisa ndërroi jetë më 9 korrik 2010, Zyhdi Morava botoi 21 libra, ku ndër më kryesorët janë “Autoportret”, “Shpirtra të uritur”, “Ujku i natës së fundit”, “Hingëllimat e shiut”, “99 poezi dashurie”./KultPlus.com

Picasso u përpoq ta shkatërronte, tani Françoise Gilot ka galerinë e saj në muzeun e tij

Françoise Gilot u largua nga Picasso, kështu që ai u përpoq t’i shkatërronte jetën e saj. Tani ajo më në fund po merr njohjen që meriton me një hapësirë ​​të dedikuar galerie në Muzeun Picasso në Paris.

Françoise Gilot ishte e vetmja grua që refuzoi Pablo Picasson, ndërsa ai premtoi se do t’i shkatërronte karrierën, shkruan euronews, transmeton Klankosova.tv.

Një artiste e suksesshme më vete, arritjet e Gilot janë lënë në hije për një kohë të gjatë nga marrëdhënia e saj romantike me Picasson, i cili përdori fuqinë dhe ndikimin e tij brenda skenës së artit të Francës për ta vendosur në listën e zezë pas ndarjes së tyre.

Më në fund, Muzeu i Pikasos shpreson t’i korrigjojë këto gabime me një galeri kushtuar Gilot, e cila vdiq vitin e kaluar në moshën 101-vjeçare, si pjesë e ekspozitës së përhershme të rinovuar rishtazi./KultPlus.com

Starship i SpaceX niset për fluturimin e tretë testues

Starship-i pa pilot, sistemi më i madh i raketave i ndërtuar ndonjëherë, u ngrit sot nga porti i “SpaceX”në Teksas për një fluturim të tretë testues pas dy përpjekjeve të mëparshme të dështuara.

Fluturimi testues i sistemit të zhvilluar nga kompania hapësinore e miliarderit, Elon Musk ishte planifikuar të zgjaste rreth një orë, me të dyja fazat e raketave të caktuara për të kryer një ulje të kontrolluar në det më pas.

Gjatë testit të parë prillin e kaluar, i gjithë sistemi raketor shpërtheu pas disa minutash.

Ndërsa gjatë testit të dytë në nëntor, dy shkallët e raketës u ndanë dhe shkalla e sipërme vazhdoi të fluturonte, por më pas të dyja shpërthyen veçmas.

Starship-i,  i përbërë nga përforcuesi “Super Heavy” afërsisht 70 metra i gjatë dhe shkalla e sipërme afërsisht 50 metra e gjatë, e quajtur gjithashtu “Starship” u projektua për të mundësuar misione me njerëz në Hënë dhe Mars.

Sistemi është zhvilluar në mënyrë të tillë që anija kozmike dhe raketa të ripërdoren pas kthimit në Tokë.

“Starship” rreth 120 metra i gjatë në total, duhet të jetë në gjendje të transportojë mbi 100 tonë mallra në të ardhmen.

Agjencia amerikane e hapësirës NASA dëshiron të përdorë sistemin për të çuar astronautët në Hënë, ndërsa “SpaceX” shpreson të arrijë Marsin një ditë./KultPlus.com

Japonezët nuk mund ta shikojnë ende filmin “Oppenheimer”

Qytetarët e Hiroshimës reaguan ndaj çmimit Oscar të filmit “Oppenheimer”, i cili përshkruan garën për të zhvilluar bombën atomike që shkatërroi qytetin e tyre 78 vjet më parë.

Një film biografik për fizikantin J. Ai fitoi Robert Oppenheimer, shtatë Oscar, dhe më parë fitoi 954 milionë dollarë në arkat botërore. Në Japoni, i vetmi vend që ka pësuar një bombardim bërthamor amerikan, filmi nuk është shfaqur ende.

“Oppenheimer” do të fillojë të shfaqet në Japoni më 29 mars, afërsisht tetë muaj pas debutimit të tij. Polemika rreth përmbajtjes së filmit, e kritikuar nga disa për fshehjen e viktimave të bombardimeve dhe një fushatë pozitive marketingu, nxiti dyshimet nëse filmi do të shfaqej edhe në Japoni.

Shumë japonezë u ofenduan nga fushata në internet “Barbenheimer”, e cila lidhte filmin për bombën bërthamore me Barbie, një argëtim i rastësishëm i filmit veror.

Teruko Yahata, e cila i mbijetoi bombardimit të Hiroshimës, i tha Reuters se mezi priste të shihte filmin “Oppenheimer” dhe shpresonte që ai të rindezte debatin rreth armëve bërthamore. Kjo ndjenjë u bë ‘jehonë’ nga disa banorë të Hiroshimës të intervistuar nga Reuters pasi filmi fitoi 7 çmime Oscar./KultPlus.com

Aktivitetet festive “pushtojnë” rrugët e Tiranës në Ditën e Verës

Në Tiranë, po mbahen aktivitetet të shumta artistike dhe kulturore të organizuara nga Bashkia e Tiranës për Ditën e Verës.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga atmosfera festive në rrugët e kryeqytetit, të cilës i janë bashkuar edhe qytetarë të shumtë të të gjitha moshave.

“Tirana tani”, shkruan Rama, teksa tregon pamje nga banda frymore e cila po performon në Bulevardin kryesor të Tiranës.

Ndërkaq, fotoreporteri i ATSH-së Florian Abazaj ka sjellë foto nga atmosfera e gëzueshme dhe eventet që po mbahen në  akset kryesore në Tiranë për Ditën e Verës si në sheshin “Skënderbej”, “Dëshmorët e Kombit”, “Nënë Tereza”, te parku “Rinia” por edhe  te “Reja”.

Me një program të plotë, për rreth 24 orë janë 34 evente të ndryshme që do e shoqërojnë ditën e sotme që nga koncertet, ekspozitat, performancë artistike nëpër qytet, deri te aktivitete sportive dhe shfaqje të ndryshme kulturore.

Aktiviteteve të shumta festive u është bashkuar edhe Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural me stendën “Farming Zone”, ku qytetarët do të gjejnë më shumë njohuri për specialitetet e prodhimeve shqiptare dhe do mund të provojnë shijet e tyre fantastike.

Gjatë gjithë ditës, edhe fëmijët e të rinjtë do të kenë mundësi të përjetojnë piktura në fytyrë, muzikë në sfond dhe lojëra të ndryshme për fëmijët.

Edhe Pazari i Ri në Tiranë do të shndërrohet në qendrën e festimeve për Ditën e Verës me karnavalet e Shkodrës që do të zbresin në kryeqytet për të duke performuar stilin e tyre unik.

Dita festive do të mbyllet me një ceremoni të veçantë të zjarrit në ora 21:00, ku do të performojë Elton Deda dhe banda e tij muzikore./KultPlus.com

Revista franceze “Grazia”: Shqipëria – një eksperiencë unike pa qenë e nevojshme të shpenzoni shumë

Shqipëria është një destinacion ëndrrash ku mund të shijoni bukuritë e një fshati të vendosur në mal! Për më tepër, çmimet sfidojnë të gjithë konkurrencën, shkruan Dallo Dramé në një artikull të botuar në të përditshmen franceze “Grazia”.

Shumë gurë të çmuar janë fshehur në kontinentin e vjetër! Mes fshatrave të saj me bukuri që nuk gjenden askund, plazheve mahnitëse dhe qyteteve të saj të lashta, Evropa nuk ka asgjë për t’u pasur zili në botë.

Shqipëria ofron eksperienca të papërshkrueshme dhe përveç bukurisë së natyrës, çmimet në disa pika turistike janë të përballueshme.

Vizitoni vendin e ri ekzotik dhe përjetoni një eksperiencë unike pa qenë e nevojshme të shpenzoni shumë!

Gjirokastra, një qytet plot hijeshi që nuk e sheh çdo ditë

Nëse dëshironi të vizitoni një mjedis mitik, një arratisje në qytetin e Gjirokastrës do të ishte ideale.

Ky qytet shtrihet në majat e Malit të Gjerë, në jug të Shqipërisë.

Qyteti karakterizohet nga shtëpitë tipike ballkanike dhe për këtë arsye është përfshirë në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s në vitin 2005.

Sipas përshkrimit të bërë nga UNESCO, qyteti historik i Gjirokastrës është një shembull i rrallë i një qyteti te stilit osman të ruajtur mirë, i ndërtuar nga fermerë që zotëronin prona të mëdha, rreth kështjellës së shekullit të XIII.

Shtëpitë e qytetit të kujtojnë fortesa të vogla të grupuara. Përveç bukurisë së saj, Gjirokasta konsiderohet si një nga qytetet e vetme në botë, e vendosur në shpatet e pjerrëta të një mali, kështu që shëtitjet janë shumë të këndshme, por kërkojnë edhe pak mundim.

Përveç kësaj, ajo ka shumë ndërtesa kulturore dhe historike.

Vendet e paharrueshme në Gjirokastër

Gjirokastra ofron shumë vende për të zbuluar, si Shtëpia e Zekatëve dhe disa muze që tregojnë historinë e së kaluarës së lavdishme të qytetit.

Mos humbisni kalanë e shekullit të XIII, e cila u shndërrua në një burg gjatë periudhës komuniste në vend.

Gjithashtu, vizitoni Pazarin e Gjirokastrës që daton në shekullin e XVII.

Ky qytet historik, gjithashtu ofron shumë ndërtesa të vjetra fetare, si një xhami e vjetër që daton nga koha e Perandorisë Osmane, disa kisha të vjetra si dhe një Bazilikë të madhe që ndodhet jo shumë larg qytetit.

Pse është i favorshëm qëndrimi në këtë qytet?

Përveç ekskursioneve historike dhe pamjeve që të lënë pa frymë, jetesa në këtë zonë të Ballkanit është shumë e lirë.

Hotelet që ofrojnë pamje të perëndimit të diellit nga mali, kushtojnë mesatarisht 40 deri në 75 euro për person për 5 netë.

Këto çmime, më shumë se të favorshme, përfshijnë gjithashtu mëngjesin.

Nga bregu i Sarandës mund të shijoni bukuritë e ishullit të Korfuzit. Në të vërtetë, ky ishull ndodhet jo shumë larg Gjirokastrës.

Për shkak të vendndodhjes së tij, ky qytet ofron pamjet më befasuese në Evropë.

Një gastronomi që e shijojmë rrallë

Ushqimi është veçanërisht i bollshëm. Gjirokastra ndodhet në udhëkryq të kulturave të ndryshme të kuzhinës, prandaj gastronomia e saj është e pasur dhe unike.

Ajo është e ndikuar nga trashëgimia e saj osmane me ndikimet mesdhetare, por edhe nga kuzhina dominuese ballkanike.

Por, Gjirokastra ofron edhe specialitetet e veta që nuk mund të shijohen askund tjetër.

Gjirokastra është një destinacion që ia vlen të viziohet për çmimet e pakrahasueshme, pikat turistike unike dhe gastronominë mahnitëse. /atsh / KultPlus.com

https://www.grazia.fr/lifestyle/voyages/cette-destination-paradisiaque-et-loin-des-touristes-est-pourtant-lune-des-moins-cheres-deurope-1072554.html#item=1

Trashëgimisë kulturore të Kosovës i shtohen edhe 11 asete

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka njoftuar se trashëgimisë kulturore në Kosovë i janë shtuar edhe 11 asete.

“Vazhdojmë me pasurimin e listës së trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përhershme”, shprehen nga MKRS.

 Këto janë 11 asetet e reja që i shtohen kësaj liste: Tuma e Shpenadisë – Prizren; Tuma e Gjinocit – Suharekë; Vendbanimi shumështresor i Topanicës – Kamenicë; Vendbanimi prehistorik i Hisarit – Suharekë; Sahat Kulla dhe Muzeu Arkeologjik – Prizren; Shtëpia e familjes Pomaku – Prizren, Kroi i Beledijes – Prizren; Shtëpia e Adem Aga Gjonit – Prizren; Shtëpia e Zekirja Sokolit – Prizren; Ndërtesa e Kuvendit të Vjetër, Beledije – Prizren; Kompleksi i Sarajit të Vjetër – Prizren. / KultPlus.com

Hapet konkursi për sheshin dhe monumentin e Adem Jasharit, Rama: Komandant Prishtina të pret

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se është hapur konkursi për krijimin e sheshit monumental të komandantit legjendar Adem Jashari.

Sipas Ramës, ky shesh do të shërbejë jo vetëm si një simbol i sakrificës së tyre të madhe, por edhe si një vend ku brezat e sotëm dhe të ardhshëm mund të mësojnë një prej kapitujve më të rëndësishëm në historinë e kombit tonë.

“Komandant, Prishtina të pret!

Kemi hapur konkursin për krijimin e sheshit monumental të komandantit legjendar, Adem Jashari, që do ta ketë pjesë thelbësore monumentin e qëndresës, guximit dhe lavdisë së heroit të kombit dhe familjes Jashari, si një prej themeleve më të rëndësishme të lirisë së vendit.

Ky shesh do të shërbejë jo vetëm si një simbol i sakrificës së tyre të madhe, por edhe si një vend ku brezat e sotëm dhe të ardhshëm mund të mësojnë një prej kapitujve më të rëndësishëm në historinë e kombit tonë”, shkruan Rama. / KultPlus.com

https://shak.archi/hapet-konkurs-per-sheshin-monumental…/

Besart Zhuja vjen me ekspozitën e parë personale

Artisti Besart Zhuja ka njoftuar se do të hapë ekspozitën e tij të parë personale të titulluar “Eks – 180 shkallë – Pozitë”, përcjell KultPlus.

Në këtë ngjarje do të shpalosen disa prej poezive të librit “Ri-zgjohem”, disa poezi të reja e konstalacione artistike – të gjitha të mishëruara në temën “180 shkallë”.

Ngjarja do të mbahet më datë 21 mars, në ora 20:00, në ambientet e banesës personale të artistit Besart Zhuja, lokacionin e të cilës mund ta gjeni në këtë link.KultPlus.com

Christopher Nolan, regjisori më i paguar i të gjitha kohërave

Pa asnjë fije dyshimi, Christopher Nolan tashmë mban titullin e regjisorit më të paguar të të gjitha kohërave. Pas triumfit të filmit të çmuar me 7 çmime nga akademia e Oscars, Nolan arketoi nga fitimi i “best picture” 100 milionë dollarë.

Christopher Nolan tashmë kryeson listën e regjisorëve më të paguar të të gjitha kohërave. Lajmi nuk përbën surprizë për industrinë dhe dashamirësit e kinematografisë pas suksesit që arriti  filmi “Oppenheimer”. Në ndarjen e 96-të të çmimeve Oscar të dielën e 10 marsit, Oppenheimer mori shtatë çmime, duke përfshirë dhe filmin më i mirë i vitit. Cylian Murphy fitoi aktorin më të mirë në Oscar, ndërsa Nolan fitoi dy çmime, duke përfshirë regjisorin më të mirë.

Teksa pagesa e arkëtuar nga Nolan mbetet një mister për kuriozët, mediat amerikane bëjnë me dije se regjisori britanik ka fituar 100 milionë dollarë për regjinë e filmit më të mirë, duke përfshirë dhe kompensime të tjera në formë pagesash dhe bonusesh për triumfin e tij në OSCAR. Nolan konfirmoi se buxheti total i realizimit ishte rreth 100 milionë dollarë, duke e bërë atë filmin e gjashtë më të shtrenjtë të regjisorit pas Batman Begins (150 milionë USD), Interstellar (165 milionë USD), The Dark Knight (185 milionë USD), Tenet (200 milionë USD) dhe The Dark Knight Rises (250 milionë USD). Oppenheimer e justifikoi buxhetin duke kthyer gati 10-fish investimet. Arkëtimet e deritanishme flasin për 958 milionë dollarë fitime në mbarë botën.

Filmi i vitit 2023 ndjek historinë e shkencëtarit J. Robert Oppenheimer, të luajtur nga Cillian Murphy, dhe rolin e tij në zhvillimin e bombës atomike e cila u përdor në Luftën e Dytë Botërore. / KultPlus.com

Fehmi Kupina zgjidhet kryesues i Kuvendit Komunal të Prishtinës

Kuvendi Komunal i Prishtinës ka zgjedhur kryesuesin e ri.

Me 22 vota për, Fehmi Kupina është zgjedhur  kryesues i ri i Kuvendit Komunal të Prishtinës, për të dytën herë në këtë pozitë, shkruan Reporteri.net.

Ai tek në rundin e tretë të votimit ka arritur të marrë votat e mjaftueshme.

“Me të vërtetë sot ndihem me fat dhe krenar, qoftë si politikan apo si individ sepse për mua nuk ka nder e vlerësim më të lartë që mund të më bëhet sesa vlerësimi i qytetarit të Prishtinës.

Sot zotohem para jush dhe para qytetarëve se do të vazhdoj të punoj për të mirën e përgjithshme dhe publike në përmirësimin e jetës së qytetarëve. Do të jem i hapur për bashkëpunim me të gjithë”, ka thënë Kupina pas rizgjedhjes në këtë post.

Kujtojmë se Kuvendi i Komunës së Prishtinës, më 27 shkurt në një seancë të të thirrur nga VV-ja, ka shkarkuar kryesuesin e kuvendit komunal, Pëllumb Bajqinovcin.

Inicimi për shkarkim të kryesuesit ka ardhur pas prishjes së koalicionit LDK-PDK në nivelin ekzekutiv, duke e lënë në pushtet LDK-në, që tashmë është pakicë në Kuvendin e Komunës. / KultPlus.com

Ç’është Dita e Verës, sipas Faik Konicës?

“Gëzim të kulluar pastë në shtëpinë e çdo shqiptari!”

Është dita në të cilën stërgjyshit tanë, kur s’kish lindur edhe krishtërimi, kremtonin bashkë me romakët dhe me grekët e vjetër, perënditë e luleve, të shelgjevet.

Kur shkrin dimri, kur qaset vera buzëqeshur, e hollë dhe e gjatë si në pikturë të Boticelit, zemra e njeriut shkarkohet nga një barrë, shijon një qetësi, një lumtëri të ëmbël. Në këtë gëzim, stërgjyshërit tanë ndienin një detyrë t’u falen perëndivet që sjellin këto mirësira. Dhe ashtu leu festa hiroshe që e quajnë Dita e Verës.

Në pak ditë në Shqipëri, besnikët e fundmë të paganizmit, besnikët pa dashur dhe pa ditur, do të rrethojnë me verore degët e thanave, të dëllinjavet, të dafinavet, të gjitha shelgjevet të nderuara. Do të këputin degë të gjelbëra dhe do t’i vënë përmbi kryet e shtëpivet.

Të mos i lëmë të humbasin këto festa të vjetra të racës sonë. Nuk i bëjnë dëm njeriut. Sjellin një gëzim të kulluar në shtëpi. Një vend ku jeta e të vegjëlvet është aq e trishtuar, djelmuria dhe vajzat kanë një rasë të rrallë për të dëfryer. Për të mëdhenjtë, Dita e Verës ka një shije poetike të hollë e të rrallë”. / Albert Vataj / KultPlus.com

Dita e Verës, mbahet në Tiranë panairi i makinave “Retro”

Me rastin e Ditës së Verës, po mbahet sot në Tiranë panairi i makinave “Retro”.

Në sheshin “Skënderbej” vijojnë festimet për Ditën e Verës me muzeun lëvizës të mjeteve historike të Koleksionit Retro dhe Punishten e Targave Suvenir.

Në këtë panair qytetarët mund të gjejnë festë, muzikë dhe plot supriza të bukura.

Dhjetëra mjete historike kanë zbritur në sheshin kryesor të qytetit, duke krijuar një atmosferë magjike dhe duke tërhequr vëmendjen e qytetarëve të shumtë.

Në këtë ambient të veçantë, nuk kishte si të mungonte Punishtja e Targave Suvenir, ku qytetarët kanë mundësinë të personalizojnë targën e tyre unike.

Gjithashtu në këtë ditë të gjithë nuk duhet të harrojnë të vendosin veroret, simbol i kësaj dite të veçantë, për të pritur ndryshe dallëndyshet këtë vit. / atsh / KultPlus.com

Festivali Glastonbury 2024, Dua Lipa, Coldplay, SZA dhe Shania Twain në skenën më të madhe të West Holts

Dua Lipa, Coldplay dhe SZA do të kryesojnë Festivalin Glastonbury të këtij viti, njoftuan sot organizatorët, sipas BBC.

Kjo është hera e parë në historinë e festivalit që gjatë ngjarjes dominojnë këngetaret.

Gjithashtu, të dielën pasdite një hapësirë e veçantë do t’i kushtohet edhe yllit të muzikës “Country”, Shania Twain. Këngëtarja tha se ishte jashtëzakonisht e lumtur që do të merrte pjesë.

Në formacionin e këtij viti do të performojnë ylli i Afrobeats, Burna Boy, i cili po bën hapin e tij të parë në Skenën e Piramidës; dhe reperi, fitues i çmimit “Little Simz”, i cili do të shfaqet përpara Coldplay.

Ndërkohë, “Thirteen-piece boyband Seventeen” do të bëhet grupi i parë K-pop që do të zbukurojë skenën kryesore, një tregues se sa dominues është bërë zhanri gjatë pesë viteve të fundit.

Gjithashtu në Glastonbury, arena e dytë më e madhe e festivalit do të performojnë “Idles”, “Disclosure” dhe “The National”.

“Sugababes”, të cilët mbyllën ngjarjen me një shfaqje ribashkimi në 2022, do të kthehen këtë herë në skenën më të madhe të West Holts.

Yjet e Pop-it, Avril Lavigne, Cyndi Lauper dhe Camila Cabello do të bëjnë debutimin e tyre në Glastonbury, gjithashtu. /atsh / KultPlus.com

6 vite nga vdekja e fizikantit të njohur Stephen Hawking

Sot bëhen gjashtë vite prej se Stephen Hawking, një prej fizikanëve më të njohur në botë, dha frymën e fundit. Ai vdiq në moshën 76-vjeçare në shtëpinë e tij në Cambridge.

Anglezi ishte i njohur për punën e tij me vrimat e zeza dhe relativitetin, po ashtu ka shkruar disa libra të njohur shkencor duke përfshirë “Një histori e shkurtër e kohës”.

Në moshën 22-vjeçare mjekët i kishin dhënë vetëm disa vite jetë, pasi u diagnostikua me një sëmundje të rrallë nervore. Sëmundja e la atë në karrocë me rrota dhe po thuajse të pa aftë për të folur.

Hawking gradualisht kishte humbur përdorimin e dorës së tij, dhe me 2005 ai filloi të kontrollojë pajisjen e tij të komunikimit me lëvizjet e muskujve të faqeve, me një normë prej rreth 15 fjalë për minutë.

Stephen William Hawking, u lind më 8 janar të vitit 1942 në Oksford, Britani e Madhe dhe ishte një prej fizikanëve teorik më te njohur në botë.

Ai ishte astrofizikan dhe që nga viti 1979 pronar i katedrës lukasiane dhe profesor matematike në Universitetin e Kembrixhit, detyrë që mbahej dikur nga Isak Njutoni. / KultPlus.com

140 vjet nga vdekja e Karl Marxit, themeluesi i teorisë marksiste, lëvizjes revolucionare të shekullit 19-të

140 vjet më parë u nda nga jeta një prej intelektualëve më të njohur të historisë – Karl Marxi.

Marx ishte një filozof, ekonomist dhe shkrimtar gjerman i njohur për kontributin e tij në fushën e shkencës politike dhe ekonomisë.

Në fillim të karrierës së tij, Marx u bë një gazetar i njohur dhe i respektuar në Gjermani, shkruante për çështje sociale dhe politike në revistën radikale “Rheinische Zeitung” dhe më vonë në “Deutsch-Französische Jahrbücher”. Ai u bë edhe një autor i njohur për veprat e tij kritike mbi kapitalizmin, si “Kapitali” dhe “Manifesti i Partisë Komuniste”.

Marx u bë një nga themeluesit e teorisë marksiste, e cila u bë një lëvizje revolucionare në gjysmën e dytë të shekullit të 19. Marx vlerësohej për analizën e tij të thellë të kapitalizmit dhe teorinë e tij se ekonomia dhe politika janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Ai argumentoi se sistemi i kapitalizmit do të thyhej përmes një revolucioni proletar të klasës së punëtorëve.

Megjithëse ideologjia marksiste është kritikuar dhe kundërshtuar, është e rëndësishme të përmendim kontributin e tij në zhvillimin e teorisë ekonomike dhe politike moderne. Gjithashtu, ai ka qenë një ndër personazhet më të diskutuara të historisë, dhe ai vazhdon të jetë studiuar dhe diskutuar nga shkencëtarët dhe intelektualët e sotëm.

Në ditëlindjen e tij të 205-të, vazhdojmë të shohim ndikimin e tij në lëvizjet sociale dhe politike në të gjithë botën, dhe do të vazhdojmë të diskutojmë idetë dhe thesaret që ai ka lënë pas. / KultPlus.com

Violina e Paganinit i nënshtrohet trajtimit me rreze X në kërkim të sekreteve të tingullit

Ekspertët francezë përdorën rreze X në një violinë të shekullit të XVIII me vlerë miliona euro këtë fundjavë me shpresën për të zbuluar sekretin e tingullit të saj magjik, sipas Phys.org.

Violina, e quajtur “Il Cannone” për shkak të tingullit të saj të fuqishëm, ishte e preferuara e kompozitorit dhe virtuozit italian, Niccolo Paganini.

Mjeshtri italian i lindur në Genoa luajti në violinë për dekada me radhë para se të bëhej pronë e qytetit pas vdekjes së tij në vitin 1840.

Violina u krijua nga mjeshtri i instrumenteve, Giuseppe Bartolomeo Guarneri del Gesu në vitin 1743.

Pajisja Evropiane e Rrezatimit Sinkrotron- ESRF, një strukturë e përbashkët kërkimore e vendosur në Grenoble, Francë, e skanoi instrumentin deri në strukturën qelizore të drurit të tij.

Ideja është të krijohet një model 3D i violinës brenda dhe jashtë të cilit njerëzit mund ta shohin të zmadhuar, deri në një mikron, ose e milionta e një metri.

“Qëllimi i parë është ruajtja”, tha Paul Tafforeau i ESRF.

“Nëse ndonjëherë ndonjë defekt ka nevojë për riparim, ne do t’i kemi të gjitha detajet”, shtoi ai.

Por, ata gjithashtu shpresojnë se analiza “jo-shkatërruese” do të ndihmojë për të hedhur dritë mbi arsyen pse violina luan kaq bukur.

“Është një instrument i jashtëzakonshëm për sa i përket cilësive të tingullit. Me këto të dhëna, ne shpresojmë të kuptojmë më mirë arsyen”, tha Tafforeau.

Analiza e detajuar e rrezeve X do të zgjasë disa muaj.

“Të punosh për të zbuluar këtë violinë është si një ëndërr”, tha Tafforeau.

Luigi Paolasini, i cili ishte në krye të projektit në ESRF, tha se violina sigurohej me një vlerë prej 30 milionë euro (32 milionë dollarë) për të udhëtuar nga Genoa në Grenoble.

“Logjistika ishte shumë e komplikuar sepse ne nuk jemi një muze që do të kishte përvojë në lëvizjen e veprave të artit”, tha Paolasini.

“Sido që të jetë rezultati i analizës, parimi udhëzues për çdo punë restaurimi në instrument është të ushtrohet një kujdes ekstrem ose të abstenohet plotësisht”, tha Alberto Giordano, një kurator i instrumenteve të çmuara në Xhenova.

“Unë plakem, por violina mbetet e njëjtë dhe kështu do të jetë”, tha ai.

“Ashtu si fotografia e Dorian Gray, ajo qëndron e freskët si një trëndafil,” shtoi Giordano duke iu referuar një romani të Oscar Wilde në të cilin piktura e një njeriu plaket në vend të tij në një papafingo, duke e lejuar atë të mbetet përjetësisht i ri. /atsh / KultPlus.com