Selena Gomez flet për shëndetin e saj mendor: Kishte njerëz që kujdeseshin për mua më shumë se unë

Selena Gomez foli për veten dhe iu referua deklaratave që ka bërë në të kaluarën, duke shpjeguar se ishte shumë mizore.

Ylli i Disney Channel foli në SXSW dhe fillimisht tha: “Më mërzit të dëgjoj gjërat që thosha për veten time në fillim të karrierës sime. Më mërzit. Unë mendoj se të gjithë mund të lidhen me atë ndjesi. Është e rëndësishme të flisni me veten me mirësi. Por nuk mendoj se e kuptova këtë në fillim”.

Ajo më pas shpjegoi se vetëm kur filloi të merrej me shëndetin e saj mendor kuptoi se sa e vështirë ishte me veten.

“Kishte njerëz që kujdeseshin për mua më shumë se unë për veten time dhe donin që unë të bëja gjëra për të cilat nuk isha gati. Isha në fundin tim. Doja të bëja gjërat në kohën që do të zgjidhja”.

Selena gjithashtu pranoi se “nuk mund ta detyrosh dikë” të marrë trajtim nëse nuk është gati ta bëjë vetë.

“U deshën disa përpjekje, por më pëlqen të mendoj dhe shpresoj se tani jam në një vend shumë më të mirë”, përfundoi artistja./KultPlus.com

Jul Cezari dhe shtatë parimet e lidershipit


Sot shënohet dita e vdekjes së një personaliteti të madh botëror, i cili pavarësisht viteve kur ka jetuar, mbetet i paharruar në historinë e njerëzimit, shkruan KultPlus.

Gaius Iulius Caesar, i njohur shqip si Jul Çezari lindi më 12 korrik 100 p.e.s. në Romë dhe ka vdekur me 15 mars te 44 p.e.s..  Ai ishte ushtarak dhe burrë shteti i Perandorisë Romake, i cili u vra nga kundërshtarët e tij politik.

Gai Jul Çezari ka luajtur një rol të rëndësishëm në transformimin e Republikës Romake, në Perandorinë Romake. Marshimi romak ne Britaninë e Madhe, prej ushtrisë së Jul Çezarit, e shtriu botën romake deri në oqeanin Atlantik. Ai konsiderohet si një prej gjenive ushtarak, më të mëdhenj të kohës dhe një prej liderëve me te fortë.

1. Rëndësia e slloganeve

Udhëheqësit më të mirë jo vetëm bëjnë veprime sensacionale – ata dinë gjithashtu të ofrojnë një histori bindëse.

Pas një lufte të shpejtë kundër një farë Farnace, Mbret i Pontos, Çezari dërgoi në Romë një raport me detajet e pushtimit të tij. Biografi grek Plutarku dhe historiani romak Svetoni pajtohen se komandanti nuk hyri shumë në detaje, por thjesht shkroi: “Veni, vidi, vici” (“Erdha, Pashë, Fitova”).

Frazat ishte aq efikase, sa e kujtojmë edhe sot, pas shumë shekujsh.

Çezari mund të ishte zgjatur në aftësitë e tij ushtarake (ishte autor i shumë shënimeve të gjata ushtarake), por ai e kuptoi se një resht i vetëm do ta dërgonte mesazhin me shumë më tepër forcë.

2. Marrja e risqeve

Në Romën e lashtë, kalimi i Rubikonit me një ushtri përbënte një sfidë të vërtetë. Ishte e barazvlefshme me shpallje lufte, gjë që ishte e ndëshkueshme me vdekje.

Kur Jul Çezari kaloi lumin me legjionin e tij, luajti gjithçka për gjithçka. Tek “Jetët e Çezarëve”, Svetoni shkruan se Çezari, kur kaloi lumin, citoi një dramaturg të Athinës, duke shpallur “vdekja është tërhequr”.

Riskoi gjithçka dhe i shkoi mirë.

3. Nuk ka asgjë të keqe të fillosh me pak

Shpesh, për t’u bërë udhëheqës, duhet të fillosh si peshk i madh në një pellg të vogël.

Çezari e kishte kuptuar dhe ia doli të marrë një pozitë pushteti, edhe pasi kishte humbur trashëgiminë e tij në rini, në një grusht shteti.

Sipas Plutarkut në veprën e tij “Jetë Paralele”, gjenerali bëri një koment kurioz kur po kalonte një fshat të vogël alpin: “Unë ju siguroj se preferoj të jem më mirë i parë këtu, se sa i dytë në Romë”.

4. Asgjë nuk është definitive

Si gjeneral, Çezari e dinte se gjërat mund të ndryshonin në një moment. Sipas “Jul Çezari: Mësime lidershipi nga pushtuesi i madh” i Bill Yonne, Çezari shkroi se “në luftë, ngjarjet me rëndësi të madhe kanë origjinë të parëndësishme”.

Të flesh mbi dafina nuk është një ide e mirë – sepse gjërat gjithmonë mund të kthehen në më të keqen.

5. Kurrë mos gënje veten

Edhe nëse je një udhëheqës i suksesshëm, kurrë mos arri në pikën që të besosh marrëzitë e tua. Tek “Gali i bukur”, që përshkruan një gabim taktik nga galët, kundërshtarë të tij, Çezari përfundon: “Në shumicën e rasteve, burrat janë të gatshëm të besojnë atë që duan”.

Udhëheqësit më të mirë sillen në mënyrë racionale dhe nuk lejojnë që ndjenjat e tyre ose nocionet e paracaktuara, të dominojnë vendimet e tyre. Instinkti është shumë i rëndësishëm, por udhëheqësit më të mirë e përdorin atë së bashku me arsyen, jo si alternativë të saj.

6. Kurrë mos u relakso, që të ulësh vigjilencën

Nuk ka rëndësi se sa gjithçka duket në rregull, udhëheqësit më të mirë gjithmonë arrijnë të parashikojnë pasojat më të këqija. Gjithmonë tek “Gali i bukur”, Çezari shkruan: “Herë pas here, perënditë e pavdekshme kanë zakonin t’u japin begati më të madhe dhe pandëshkueshmëri më të gjatë, atyre që duan të ndëshkojnë për fajet e tyre, në mënyrë që ata të mund të vuajnë më keq, në rrethana negative”.

Në praktikë, nëse kaloni një fazë pozitive, jini të kujdesshëm. Çezari vetë do të kish bërë mirë që ta ndiqte këtë këshillë. Por, nën diktaturën e tij, ai lejoi që një konspiracion të çonte në vrasjen e tij të famshme.

7. Kurrë mos u nënvlerëso

Për të marrë komandën, duhet të keni besim në aftësitë tuaja. Një gjë që Çezarit nuk i mungonte, siç e tregon edhe një incident ku, mes shumë rreziqeve të tjerë, ishin përfshirë edhe piratët! Duke rrëfyer jetën e Çezarit, Plutarku shkruan që në moshë të re, Jul Çezari u rrëmbye nga piratë, që kontrollonin Detin Mesdhe.

“Piratët kërkuan 20 talente për lirimin e tij, dhe Çezari duke qeshur u tha se nuk dinin kë kishin kapur, dhe u ofrua të pagojë pesëdhjetë”. Më pas Çezari u premtoi që, pasi ta lironin, do i vriste personalisht. Me t’u kthyer në liri, organizoi një flotë për t’i ndjekur, dhe bëri atë që kishte premtuar./KultPlus.com

Faik Konica: Gjuha shqipe është sa muskuloze aq edhe e brishtë

Faik Konica është një prej figurave më interesante të letërsisë shqiptare. Ky njeri me kulturë të lartë, eseist i shkëlqyer, stilist i përkryer, themelues teorik dhe praktik i kritikës letrare shqiptare, veprimtar politik me orientim perëndimor, siç ishte kultura e popullit që i takonte, solli një model të ri në mendësinë shqiptare.

Më poshtë po ju sjellim disa nga thëniet më briliante të tij:

1. E ashpër, e vrazhdë, si populli i fuqishëm që e flet, por edhe plot shije e hijeshi, si frutat dhe lulet e malit ku flitet, gjuha shqipe – ndonëse e varfëruar nga një palëvrim shumë herë shekullor – është e aftë të shprehë, me një ndjenjë të mrekullueshme, nuancat, konceptimet më të holla e të mprehta të mendimit njerëzor. (Albania 1, 1897).

2. Shqiptarët duan para së gjithash dritën e mendjes dhe diellin. (Albania 8, 1897).

3. Vetëm shqiptarët e kanë ndjenjën e së bukurës aq të fuqishme sa e paguajnë me jetën e tyre kënaqësinë për të qenë vetë rrufeja mes atyre furtunave njerëzore të luftës. (Albania 3, 1897).

4. Rilindja e gjuhës sonë është rilindje e jetës sonë kombëtare. (Albania 8, 1897).

5. Gjuha shqipe është sa muskuloze aq edhe të brishtë. (Albania 12, 1898).

6. Shumë duhet të punojmë ne shqiptarët, sot dhe për së shpejti; po më parë nga të gjitha, të shëndoshim dashurinë dhe vëllazërinë në mes tonë. (Albania 2, 1897).

7. Përmirësimi ekonomik është nevoja më e shpejtë dhe më e ngutshme për vendin tonë. Është pra një detyrë urgjente që interesat ekonomike të Shqipërisë t’i paraprijnë çdo vlerësimi të karakterit politik. (Albania 16, 15-30 korrik 1898).

8. Ndjenja kombëtare ka rrënjë të forta në zemrat shqiptare; dhe ndonëse më ndonjë rast, moskokëçarja dhe moskuptimi i shqiptarëve gati na shkurajojnë dhe shkurajojnë gjithë miqtë e tyre të vërtetë, duhet pranuar se ndjenja kombëtare atyre nuk u mungon, por u mungon ajo vetëdije e qëruar, aq e domosdoshme për përparimin. (Albania B, nr 2, 14, 15-30 qershor 1898).

9. Ata që do donin t’i ngopnin shqiptarët me retorikë, në vend të urojnë zhvillimin intelektual të tyre, japin provën më të qartë të armiqësisë së tyre ndaj shqiptarëve. (Albania 16, 15-30 korrik 1898).

10. Mjerimi i shqiptarëve ka qenë në tërë kohërat të kapej pas individëve dhe jo pas ideve… Historia e Shqipërisë është e mbushur fund e krye me prova të tilla të përngjashme. Të përpiqemi me të gjitha forcat tona të shërojmë shqiptarët nga dashuria për individët. Ata duhet të mësojnë të duan Shqipërinë – jo t’i bëjnë qejfin këtij apo atij shqiptari. (Albania 16, 15-30 korrik 1898).

11. Shqiptarët honxhobonxho janë të tmerrshëm për mizori e kapadaillëk. (Albania10, 28 shkurt 1898).

12. Shqiptari duket si i bërë për të qenë lodër e një mashtrimi të përjetshëm; një fatalitet i dhimbshëm rri pezull mbi këtë popull të mjerë. (Albania 15-30 janar 1899 C).

13. Përgjegjësia jonë ndaj vendit është e pamohueshme: do vuajmë me vuajtjet e Shqipërisë, do gëzojmë me gëzimet e saj. (Albania 15-30 janar 1899 C).

14. Zgjidhja ideale do të ishte për shqiptarët të zhduknin njëherë e mirë ndikimet orientale, duke shkëputur çdo lidhje, fetare, morale apo letrare, qoftë me bizantinët, qoftë me turqit. Mirëpo, gjë e bukur të ndodhte kjo në çast. Zgjidhja do ishte e realizueshme po qe se stërgjyshërit tanë do ta kishin përgatitur me kohë për ne; atëherë neve do të na duhet ta përgatisim këtë zgjidhje për nipat tanë të ardhshëm. (Albania 2, 1907).

15. Duke u ngritur përmbi egoizmat e pafuqishëm dhe mëritë e pafrytshme vetjake, le të ulim kokat e të punojmë për formimin e një Shqipërie ku poshtërsia keqbërëse e armiqve tanë trashëgimtarë t’i lërë vendin drejtësisë dhe ndershmërisë së mëkëmbur të stërgjyshërve tanë. Boll duke krasitur degë kuturu, dhe me një vendosmëri të ftohtë por të pamëshirshme, le të japim goditjen përfundimtare në rrënjët e së keqes. (Albania 12, 1909).

16. Sa e sa marrëzi, sa e sa poshtërsi e krime janë bërë në emër të së gjorës Shqipëri! (Albania 4, 1907).

17. Dëshira për hakmarrje është susta më e fuqishme e shpirtit shqiptar. (Albania 4, 1907).

18. Një e thënë latine e Kohës së Mesme, e ndryshuar pak: Homo homini lupus – Njeriu për njeriun është ujk. Femina feminae lupior – Gruaja për gruan është më ujke. Albanus Albano lupissimus – Shqiptari për shqiptarin është fare ujk [ujk e shkuar ujkut]. (Albania, qershor 1902, nr.5).

19. Letërsia jonë popullore është ruajtur dhe përcjellë vetëm nga gratë e fëmijët dhe nuk mund të mos merrte veçse formën naive të gjuhës së tyre. (Albania 1, 1905).

20. Të mbetur pa unitet fetar, e vetmja lidhje që ka mbajtur shqiptarët të bashkuar ka qenë gjuha. (Albania 4, 1906).

21. Turqit turq mbeten; të rinj a të vjetër, ata janë, siç thotë shprehja latine popullore eiusdem farinœ [të të njëjtit brum]. Në tërë perandoritë që kanë ekzistuar a ekzistojnë, janë gjendur në kombin sundues mendje bujare për të marrë në mbrojtje kombet e nënshtruara. Po a mund të përmendet që prej katër shekujsh qoftë edhe një fjalë e vetme e një turku të vetëm në favor të Shqipërisë? Kjo fjalë vërtet do të meritonte në këtë rast të shkruhej e gdhendur mbi një pllakë bronzi dhe të varej në muret e klubeve tona popullore si një relikte kurioziteti. Turqit na mohojnë edhe ato cilësi që vëzhguesit e huaj i pranojnë njëzëri… Turqit na mundën, por pa arritur të na mposhtin, edhe pasi na imponuan Muhametin e tyre. (Albania 121 , nr 12, 1909).

22. Shqiptarët janë populli më mosbesues në botë. (Kujtesë për lëvizjen kombëtare shqiptare).

23. Asgjë nuk i ftoh më shumë shqiptarët se t’u thuash që kanë të bëjnë me një copë injoranti që i drejton. (Kujtesë për lëvizjen kombëtare shqiptare).

24. Populli shqiptar është mjaft i mprehtë në të kuptuar. (Kujtesë për lëvizjen kombëtare shqiptare).

25. Grekët e shpërdorojnë si shumë heshtjen përçmuese të shqiptarëve që nuk i hanë dokrrat e tyre bajate e boshe. (artikulli “Mbi Shqipërinë”, Libre Parole).

26. Njeriu është më i lig se egërsirat, po kur vështronj shqiptarët e Stambollit, më vjen të thom që është më i lig se gjarpri dhe miu. (Letër N. Nacos, 20 mars 1896).

27. Palla ime është penda; atë pallë të dobët kam, me atë përpiqem t’i shërbej atdheut. Fiunt scriptores nascuntur heroes [shkrimtarët bëhen, heronjtë lindin]. Ti që leve trim, bëje fora një herë jataganin për nder të Shqipërisë (F. Konica, Vepra 1, f. 155).

28. Shqiptari e ka zakon që kundërshton para se të marrë vesh. (Vepra 1, f. 187).

29. Kush nuk kupton përparimin, e merr kufirin e mendjes së tij për kufirin e botës. (Vepra 1, f.198).

30. Shqiptarët janë një komb të cilit i pëlqen të lëvdojë veten. Si thonë gojë-rrumbullët tanë, kombi shqiptar është i pari nga mendja, nga sjellja e nga trimëria. Sikur shqiptarët të qenë jo kombi më i mendshmi, por thjesht një komb i mendshëm, ata do të kishin dalë me kohë nga dita e zezë ku ndodhen. (Vepra 1, f. 271).

31. Trimëria e shqiptarit nuk është e artë, është e teneqejtë… sado e madhe në vetvete, është e vogël në shkaqet që e ndezin. Për një kec të grabitur, për një fjalë të shtrembër, dhe shumë herë pa e ditur as vetë përse, shqiptarët marrin armët, hidhen, vriten. Por, ata njerëz që vriten për interes e për përralla [dokrra], ftohen dhe frikësohen në u dashtë trimëri për ndonjë mendim të bukur, për ndonjë dobi të vërtetë e të përgjithshme… Nuk kanë frikë nga plumbi, po dridhen nga Valiu! trimëria e vërtetë është ajo që vihet në shërbim të së Drejtës dhe Atdheut, në shërbim të dobisë së përgjithshme. Të tjerat punë janë punë egërsie e kafshërie, jo trimërie. (Vepra 1, f. 271-272).

32. Shqipëria është një vend i bekuar me njëmijë bukurira, shkelur nga turmë e cila ushqen njëfarë urrejtje ndaj bukurisë. (Vepra 2, 34).

33. Shkodra është pothuaj vendi më interesant i Shqipërisë së sotme, argjendarët dhe punëtorët e tjerë të saj janë të famshëm në gjithë Europën e Jugës dhe të Lindjes… Shqiptarët janë të njohur për individualitet dhe në kostumin e tyre kombëtar ka varietete dhe ngjyra. Pothuaj çdo krahinë ka kostumet e saj të veçanta. (Shqipëria, 1930).

34. Ta dini se ne në sy të Evropës së qytetëruar, jemi të prapambetur, dhe asgjë më shumë; ca na shajnë, ca na përqeshin, ca të pakëve u vjen keq. Hiqni dorë ju them, se u bëmë palaçot e dheut. Heshtni, shtrohuni, bashkohuni. Udha që shpie në nder, në liri e në shpëtim, nuk është e shtruar me lule, po me ferra; kush arrin në kulm, arrin i grisur, i djersitur, i përgjakur; dhe kur arrin në kulm, bie i vdekur nga të lodhurit, por me vetëdijen që i hapi një udhë të re popullit. (Vepra, SH.B. N. Frashëri, f. 213).

35. Bëhuni burra! Rrëmbeni kazmat! Puna është më e lartë se trimëria, kazma më fisnike se palla. E mbi të gjitha heshtni! Jo fjalë, por kazmën. Jo mbledhje, por kazmën. Jo misione, por kazmën! Dhe parmendën, dhe draprin, dhe shoshën, dhe furrën. Mjaft lëvdime. E kam zemrën aq të mbushur me lot sa s’qaj dot. (F. Konica, Vepra, SH.B. N. Frashëri, f. 214).

36. Gratë e Tiranës janë shakaxhesha të mëdha. (F. Konica, Vepra, SH.B. N. Frashëri, f. 317).

37. Ka shqiptarë që sillen si këndesa të vërtetë e zemërohen posa zë të këndojë kokorikooo ndonjë tjetër si ata. Mjerisht në Shqipëri ka pak pula. Shqiptarët me mendje të nderuar s’duan e as kanë dashur njeri që del e thërret: “Unë jam!” Historia e Shqipërisë s’është përveçse vërtetimi i kësaj që themi. (F. Konica, Vepra, 3, f. 63).

38. Është një vend në faqe të dheut ku katilin e kanë për njeri të nderuar; hapen që t’i bëjnë udhë kur kalon; e fshehin nga i vetë-thëni gjyq, në iu tektë së vetë-thënës polici të bëjë sikur e kërkon; edhe në daltë ndonjë i çmendur për të marrë anën e kanunit [ligjit], e shajnë edhe e fëlliqin me një zell të çuditshëm. Dhe prandaj ai vend ka fituar një famë shumë të shëmtuar në botë… Për cilin vend po flas, do ta kuptoni menjëherë kur t’ju them që nuk ndodhet në mes të Afrikës, po në Europë. (Vepra 3, f. 169).

39. Armiqtë e Shqipërisë janë shqiptarët, jo të tjerë. Shqiptarët kanë shkruar me gjakun e tyre më tepër se një faqe në histori të Evropës. Nga më të voglat trazira gjer në luftërat më të gjakta, shqiptari ka hequr hark, vërvitur kordhë a zbrazur pushkë. A ka gjë më të turpshme, më të ulët se historia e këtij kombi që, për pak të qelbur ergjent [të holla], shet mish njeriu në çdo luftë, edhe kujt s’i erdhi dëshirim nga aq qindra vjet që e shkelin dhe e kurvërojnë të huajt, s’i erdhi dëshirim të japë dy pika gjak për lirinë e vetvetes? Të donin shqiptarët lirinë e Shqipërisë lehtazi e bëjnë; por rrinë të patundur dhe kështu dëftojnë që s’e duan Shqipërinë, dëftojnë që janë armiqtë e saj. (Albania 1, vëllim A, 1897).

40. Dua të marr shpatën e t’u çajë kokën gomarëve, edhe në vend të trurit të kllasë këtë: ç’është liria?… Më mirë të shesë pleh njeriu, se të shkruaj për shqiptarët… ç’është liria: Liria është të mundet njeriu: 1. të besojë ç’i do zemra; 2. të thotë ç’i do zemra; 3. të shkruaj ç’i do zemra; 4. të bëjë ç’i do zemra, veç jo ato që janë kundër lirisë së tjetrit njeri. Por shqiptarët, më të shumtë janë shpirtrobër… sundon në shpirtrat e tyre feja… Vëllezër shqiptarë: Mjaft rrojti e mjera Shqipëri jetën e Kurmit. Duhet edhe ajo të nisë tani të rrojë jetën e mendjes. Jeta e mendjes është të hapim tërë zemrat tona, të flasim vëllazërisht njëri kundër fjalës së tjetrit, të kuvendojmë si njerëz të qytetëruar, që mblidhen e luftojnë me fjalë [shoqërisht] për idetë e tyre… kështu do njihemi më mirë, s’do kemi mendime të fshehura, dhe do të KUPTOJMË që të tërë jemi të lidhur me dy lidhje të arta: dëshirimi i së Vërtetës dhe dëshirimi i Shqipërisë. (Albania 2, 25 prill 1897).

41. Ç’ka të bëjë myslimanëria apo krishterëria me shqiptarësinë? Myslimani të jetë mysliman, i krishteri i krishterë; po Shqipëria është e ne të gjithëve dhe e të gjithëve është detyra të mendohemi e të bëjmë si është më mirë për të. (Albania 2, 25 prill 1897).

42. Shqiptarët nuk ndahen në të krishterë e në muhamedanë, po ndahen në dy anë: ana e kombëtarëve, në të cilën ka shqiptarë nga të gjitha besimet, dhe ana e zuzarëve. (Vepra 3, f. 75).

43. Duhet të mësohen shqiptarët të mos shohin prapa atdhetarit fenë e njeriut. (Vepra 3, f. 127).

44. Ne duam të bëjmë një komb shqiptar, dhe për këtë punë kemi nevojë për bashkim të të gjitha pakicave të Shqipërisë me shumicën shqiptare. As që mund, një shqiptar që duket sot për sot i kulluar, të lëvdohet se 1000 a 2000 vjet më parë, fëmijëria e tij ish shqiptare. Ndofta po, ndofta jo. S’mund të hipim gjer te Adami a gjer te protistet e profesorit Haeckel. Si ka mijëra e mijëra shqiptarë të sllavizuar, ashtu ka pasur prej racash të tjera të tretur në racën shqipe. (Vepra 3, f. 136).

45. Duke parë dhe duke dëgjuar, bota mësojnë mend dhe ndërtohen. Ne shqiptarët, s’marrim dot mësime; malet të tunden dhe të rrëkëllehen, ne nuk këmbejmë mënyrën tonë. Mbani mirë këtë që po ju them: në njëqind vjet, në vafshim si po vemi, do të jemi aq poshtë sa edhe sot. (Vepra 3, f. 15).

46. Shqiptarët e mjerë presin që Evropa të vijë sot a nesër t’i shpëtojë. Është nevojë të themi, të bërtasim të vërtetën: Evropa shqiptarët i ka për të egër e për të humbur… Le të themi pra të vërtetën, gjithnjë të vërtetën,… të përpiqemi t’i fryjmë popullit tonë pak jetë e pak guxim. (Vepra 3, f. 81).

47. Të mos humbasim kohë të kërkojmë bashkim me anën e atyre që përpiqen të mbushin taskën, që tallen me mjerësinë e popullit shqiptar dhe që kanë vetëm një vesë: fitimin, dhe një dashuri: argjendin [paranë]. Me këta, jo vetëm bashkimi nuk bëhet, por është edhe i rrezikshëm. … Këta duhet t’i godasim pa pushim e pa mëshirë. Një miqësi me të poshtrit, nuk duam. (Vepra 3, 83).

48. Ne jemi një komb i ftohtë, ku secilido mendon për veten e tij… Ata shqiptarë për të cilët bota thonë se janë “të egër”, shqiptarët e maleve e të pyjeve, ata s’janë të ftohtë, por përkundrazi, janë shqiptarë të mirë e do të ishin atdhetarë sikur të kish njerëz t’u jepnin të kuptonin [t’i ndërgjegjësonin]. (Vepra 3, f. 100).

49. Dëshiri i nxehtë i grave është një sëmundje fort e rrallë në Shqipëri: e kanë vënë re të gjithë se kombi shqiptar mund të quhet i ftohtë në këtë punë. (Vepra 3, f. 143).

50. Frika, kur është e madhe, në vend që ta mposhtë njeriun, ia forcon, ia galvanizon nervat dhe frikaçi sillet (jashtërisht) posi trim i vërtetë…. Edhe trimëria, s’është trimëri e vërtetë pa frikë: se trimi pa frikë, s’bën ndonjë punë të rëndë, të çuditshme, me vlerë a me meritim… Le t’u japim bashkatdhetarëve tanë të kuptojnë shumësinë e formave të trimërisë. Trimëria me pallë, trimëria e luftëtarit nuk është e vetmja trimëri… Është trim çdo njeri që ka zemrën të sillet sipas mendimeve të tija, të bashkojë punët me fjalët… Një formë trimërie që e kemi përditë në sy është trimëria e grave. Numri i nënave trimëresha është i habitshëm – dhe ndofta pak vende mund të lëvdohen të kenë nga ajo farë trimërie aq sa ka Shqipëria. (Vepra 3, 149-151). / KultPlus.com

Nënahkruhet memorandum bashkëpunimi mes MKRS-së dhe Komunës së Prizrenit me qëllim të ruajtjes së aseteve të trashëgimisë kulturore

Është nënshkruar memorandum bashkëpunimi mes Ministrisë së Kulturës dhe Komunës së Prizrenit, qëllimi i të cilit është sigurimi, ruajtja, funksionalizimi dhe zhvillimin i qëndrueshëm i aseteve të trashëgimisë kulturore dhe institucioneve publike kulturore në Prizren.

Bëhet fjalë për gjashtë asete me rëndësi dhe vlera të veçanta të trashëgimisë jo vetëm të qytetit të Prizrenit por edhe të Kosovës, si: muzeu i “Nënë Terezës”, kinemaja e parë, konsullata Austro-Hungareze, Lokaliteti Arkeologjik në sheshin Adem Jashari, shtëpia e Musa Shehzades dhe Shtëpia e Kulturës.

Kjo marrëveshje në veçanti koordinon veprimet për zhvillimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e monumenteve të trashëgimisë kulturore në Qendrën Historike të Prizrenit, duke i shndërruar në hapësira multi-funksionale kulturore në shërbim të qytetarëve.

Memorandumi i bashkëpunimit është nënshkruar në Prizren ndërmjet u.d sekretarit të përgjithshëm të MKRS-së, Xheladin Krasniqi dhe kryetarit të Prizrenit, Shaqir Totaj./KultPlus.com

Ditari i Sadijes: 11 vjet punë në Lidhje kanë lënë gjurmë në jetën dhe shëndetin e Dritëroit

40 vite më parë, më 15 mars 1984 Sadije Agolli atëherë vetëm 40 vjeç, shkruan nga Vlora, në një faqe ditari letrën e mëposhtme…Ndërsa në një tjetër letër më 1982-shin, kur Sadija ndodhej në spital për një ndërhyrje kirugjikale, Dritëro Agolli i shkruan asaj një letër plot humor. 

Të dyja letrën shqiponline po i sjell më poshtë për lexuesin: 

“Vlorë 15 mars 1984 Erdhëm me Dritëroin. Ai do të punojë për raportin e Kongresit të tretë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. 11 vjet punë në Lidhje kanë lënë gjurmët e veta në jetën dhe shëndetin e Dritëroit.

Është i lodhur fizikisht dhe mendërisht. Në ditët dhe netët që shkruante poezi, sytë i shkëlqenin, ndërsa tani sytë i janë hapur, supet i ka si të ngrira. Shpesh herë , duke punuar, shtrëngon tëmthat. Ai nuk do të pranojë se është i lodhur, por unë e kuptoj nga çdo lëvizje që bën, nga çdo fije floku që i dridhet, nga fleta e letrës që mban në dorë . Të shtrirë në krevat i thashë: -Dritëro, sa të mbarosh Kongresin, do të pushosh një dyjavësh? Vetëm të lexosh, çfarë të lexohet.

Të shëtitësh. Të shkruash poezi, në qoftëse të shkruhet. Të pushosh plotësisht. -Po , do të pushoj. -Edhe fjalët i thua me kursim. Kaq i ri, të jesh kaq i lodhur. Ke bërë një jetë shumë intensive. Qëndruam gjithë ditën në dhomë. Ai redaktonte raportin , ndërsa unë lexova katër kumtesa të aktorëve të trupës së teatrit të Vlorës. Nga këto katër, vetëm një është për botim. Mua më dhembin kockat.

Sikur ka hyrë një krimb dhe m’i gërryen ca nga ca. Kjo gjendje më bën shpesh pesimiste. Është gjynah që edhe mjekët tanë më të mirë nuk kanë logjikën e mprehtë të një gazetari të mirë. “Është gjendja klimaterike, prandaj duhet të durosh Sadije. Pi valium, kalçium, vitaminë C!” Duron gruaja shqiptare, duron shumë.” E dashura ime, Tani në orën 8:00 jam në mbledhje , në Komitetin e Partisë të Rajonit Nr. 1, pasi del në analizë organizata bazë e Partisë.

Këto gjërat që kërkoje e të tjera po t’i dërgojmë me Spiron. Unë do të vij pas mbledhjes. Mos u mërzit dhe mos u tremb se të gjitha do të kalojnë mirë. Bile për të kaluar mirë e më mirë disa po luten dhe kanë filluar t’i besojnë Perëndisë, duke u përpjekur të mos e fyejnë me fjalë ateiste , edhe ndonjë lypsari i japin lëmoshë! Unë mbrëmë kam ndenjur vonë natën.

E kështu , mos u mërzit dhe veçanërisht mos u tremb, por shko para litarit si një nga të trembëdhjetë Bilbilenjtë. Merr shembull nga Çoti që para operacionit këndoi: Trembëdhjetë Bilbilenjtë Vanë në litarë vetë! Dhe pastaj tha në këngë: Dale bej , të dredh mustaqet, Dale, bej, se kam një fjalë , Se nuk jam çanak me dhallë, Po jam Bilbili me pallë. Ti thuaj: Dal, Glozhen , se kam një fjalë Dal,Glozhen , të krihem pakë, Se nuk jam çanak me dhallë Po jam Sadija me pallë! Kështu duhet të këndosh para operacionit që të çuditen doktorët me gjithë namin e tyre të madh . Të përqafoj e të puth Dritëroi 30.9. 1982./KultPlus.com

Inteligjenca artificiale ndihmon njerëzit me çrregullime zanore

Një teknologji e re që përdor inteligjencën artificiale, mund të ndihmojë individët me çrregullime zanore që të flasin natyrshëm me zërin e tyre. Ky përparim mund të ofrojë një shans për miliona njerëz që të zhvillojnë biseda më të qarta.

Joris Casterman ka një çrregullim zanor dhe i merret goja. Në një intervistë për Zërin e Amerikës ai thotë se kur pëshpërit e folura e tij është e rrjedhshme dhe e qartë.

“Sepse kur jeni duke pëshpëritur nuk i përdorni kordat vokale”, thotë Joris Castermans, themelues i firmës “Whispp”.

Kjo shpjegon se pse individët që kanë probleme me të folurit mund të ulin çrregullimet e të folurit me rreth 85% nëse pëshpërijnë.

Ky fakt mahnitës e frymëzoi zotin Castermans që të zhvillojë aplikacionin Whispp, i cili përdor inteligjencën artificiale për të përmirësuar të folurën e individëve që kanë çrregullime të theksuara.

Një prej tyre është George Coster, i cili ka paralizë të kordave zanore. Por falë teknologjisë Whispp, zoti Coster ishte në gjendje të dëgjonte përsëri zërin që kishte para çrregullimeve shëndetësore.

Përdoruesit mund të zgjedhin ta personalizojnë zërin e tyre duke bërë regjistrime brenda aplikacionit Whispp, ose të përdorin regjistrime të hershme të zërit të tyre.

Ruud van Noorden është operuar dhe ka hequr laringun ‘kutinë e zërit’.

Por teknologjia e avancuar që ndërthur inteligjencën artificiale në aplikacionin Whispp, i ka kthyer atij në kohë reale zërin e dikurshëm dhe natyral. Përdoruesit mund të bëjnë telefonata dhe lidhje me video brenda aplikacionit.

​“Situata ideale është për një bisedë të qetë dhe të rrjedhshme, pa vonesa. Synimi është që aplikacioni ynë të jetë në çdo telefon dhe kompjuter në të gjithë botën”, thotë Joris Castermans, themeluesi i firmës Whispp.

Ai thotë se aplikacioni është ndërtuar me synimin për të transformuar jo vetëm të folurën, por edhe cilësinë e jetës së individëve me çrregullime zanore./voa/KultPlus.com

Chris Pine bën debutimin regjisorial me filmin e ri ‘Poolman’

Chris Pine po bën debutimin e tij regjisorial!

Aktori 43-vjeçar luan dhe drejton filmin e ri të zhanrit komedi “Poolman”, të cilin ai e shkroi gjithashtu bashkë me Ian Gotler.

Këtu është përmbledhja: “Poolman tregon historinë e Darren Barrenman (Pine), një vendas në Los Angeleno, i cili i kalon ditët e tij duke u kujdesur për pishinën e bllokut të apartamenteve Tahitian Tiki dhe duke luftuar për ta bërë qytetin e tij të lindjes një vend më të mirë për të jetuar”.

“Kur ai ngarkohet nga një femme fatale për të zbuluar të vërtetën pas një marrëveshjeje të dyshimtë biznesi, Darren kërkon ndihmën e miqve të tij për të përballur një politikan të korruptuar dhe një sipërmarrës tokash i pangopur. Hetimi i tij zbulon një të vërtetë të fshehur për qytetin e tij të dashur dhe veten”.

Në film luajnë gjithashtu Annette Being, Danny DeVito, Jennifer Jason Leigh, DeWanda Wise, Stephen Tobolowsky, Clancy Brown, John Ortiz dhe Ray Wise./KultPlus.com

Shqipëri-SHBA, shënohet 33-vjetori i rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike

Më 15 mars 1991 u rivendosën marrëdhëniet diplomatike Shqipëri-SHBA.

Pas një shkëputjeje 52-vjeçare prej perëndimit, Shqipëria nënshkroi në Uashington Memorandumin e Mirëkuptimit, që parashihte çeljen e ambasadës shqiptare përtej Atlantikut. Për këtë arsye, në organikën e Ministrisë së Punëve të Jashtme shtoheshin 5 punonjës, një ambasador i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë, dy diplomatë dhe dy punonjës teknikë (shifranti dhe shoferi).

Shpenzimet e nevojshme prej 270 mijë dollarësh për hapjen dhe funksionimin e ambasadës dhe për pajisjen e saj me autovetura dhe me orendi të ndryshme, duheshin përballuar brenda planit të miratuar për vitin 1991 (lexo dokumentin). Ndërsa, ambasada e SHBA-së në Tiranë u hap më 1 tetor 1991, me Kristofer Hill të Ngarkuar me Punë “ad interim”. Hill u pasua nga ambasadori Uilliam Eduin Rajerson, i cili ia paraqiti kredencialet e tij qeverisë shqiptare më 21 dhjetor 1991./KultPlus.com

Faik Konica: Veset e pandreqshme të shqiptarëve

Rrëfimet e mbetura në letër mbi karakterin e shqiptarëve. Shënimet e grekëve, italianëve, turqve apo francezëve mbi shqiptarët.

Faik Konica

(Nga Uashingtoni, ai vazhdonte të hidhte në letër historinë e shqiptarëve, frymëzuar nga gjithë librat që kishte lexuar, por dhe nga përvoja personale. Fati nuk deshi që Konica t’i përfundonte këto shënime, por ato janë sot si dëshmi jo vetëm e një kohe dhe një mendjeje që ka kontribuar aq shumë për çështjen shqiptare, por dhe një mënyrë për të parë një tablo të jetës sonë në ato vite. Këto shënime do të botoheshin shumë më vonë në një libër “Shqipëria, kopshti shkëmbor i Europës Juglindore”, një libër që ia vlen t’i rikthehesh shpesh për të takuar idetë përparimtare të tij.)

Për të nisur hulumtimin në karakterin e shqiptarëve, Konica ndalet te një nga gjestet që mund të quhet i rëndë për një shqiptar dhe ai është ta quash “i pabesë”. “Më së pari duhet ditur se fyerja më e rëndë në Shqipëri, është ta quash tjetrin ‘i pabesë’. Shumë gjaqe kanë pasur si pikënisje akuzën për pabesi. Kjo s’do të thotë se në Shqipëri nuk ka njerëz të pabesë, por tregon nivelin e sjelljes dhe idealin që parapëlqehet më shumë. Është interesante të vihet në dukje se në Greqinë moderne fyerja më e rëndë është ta quash tjetrin “analfabet” ose “të trashë” a “të plogët”: ideali i fqinjëve jugorë të Shqipërisë nuk është karakteri, por zgjuarsia, shkathtësia. Një fjalë e urtë e përhapur në të gjithë Shqipërinë thotë: “Shqiptari për një plesht djeg jorganin”. Kjo tregon padurimin dhe rrëmbimin, vrullin e shqiptarit. Ndoshta proverbi e ka zanafillën tek këshilla e ndonjë udhëheqësi për të mos nisur luftime të kushtueshme për punë të kota. Një sjellje edhe më fisnike shpreh fjala e urtë “Kokë e falur nuk pritet”, që do të thotë se armiku i nënshtruar ose i zënë rob nuk vritet”, shkruan ai.

Historiani bizantin, Nikiforos Gregoras, i cili nuk mund të dyshohet për simpati ndaj shqiptarëve, e përforcon faktin se shqiptarët nuk i vrasin, as nuk i shndërrojnë në skllevër, armiqtë e mundur. Është e vërtetë se Gregorasi përmend edhe emrat e disa kombësive të tjera të Perandorisë Bizantine që ndjekin po atë etikë luftarake, por edhe shembuj të ndryshëm, që dëshmojnë të kundërtën, mund të gjenden në kronikat e Bizantit. “Sidoqoftë në kohët e reja, në mes të kombeve të Europës Juglindore, vetëm shqiptarët i kanë qëndruar besnikë traditës kalorësiake që ta falin armikun e mundur”, Duke folur për femrën, ai shkruan se “është diçka e ditur dhe e vërtetuar që në Shqipëri ‘gruaja gëzon paprekshmërinë’”. “Edhe në luftimet e gjaqet më të egra, gruan s’e trazon njeri. Kur dikush ka një armik, i cili ruan rastin t’i marrë hak, kur i duhet të udhëtojë, e ndien veten më të sigurt po të jetë i shoqëruar nga ndonjë grua; megjithëse kjo mënyrë veprimi quhet si jo burrërore. Edhe hajdutët e rrugëve i përmbahen këtij qëndrimi ndaj grave”, shkruan Konica.

Ai sjell në kujtesë një ngjarje që duhet të ketë ndodhur në vitet 1900 ku në shtypin botëror shkruhej për një ngjarje: treni ndërkombëtar “Orient Ekspres”, që udhëtonte nga Parisi në Stamboll, u sulmua nga kusarët e Thrakisë. Udhëtarët meshkuj u detyruan të linin trenin me gjithë plaçkat e veta. Ndërkaq kryetari i bandës u tha grave të zinin vendet ku ishin më parë në tren dhe disa herë me radhë u kërkoi të falur për shqetësimin. Nga urdhrat që u jepte shokëve të vet në gjuhën shqipe, u mor vesh kombësia e hajdutëve. “Shqiptarët, kur flasin për veten e tyre, krenohen duke thënë se kanë shumë cilësi të mira e virtyte. Kjo është një pikë e dobët që e ka çdo komb dhe opinione të tilla nuk kanë ndonjë vlerë. Përkundrazi thëniet dhe shprehjet popullore janë gjykime spontane; ndër to, si të thuash, një komb zihet në befasi. Ne do ta vazhdojmë gjurmimin tonë po në atë vijë dhe do të përpiqemi të japim mendimin e popujve të tjerë për shqiptarët”, shkruan Konica.

Ai veçon mendimin e turqve, për shkak të afërsisë së tyre pesëqindvjeçare me shqiptarët. “Të gjithë historianët turq bëjnë fjalë për kokëfortësinë shqiptare: ‘Arnaud iunud’ do të thotë ‘shqiptari kokëfortë (i papërkulshëm)’” dhe është një shprehje e zakonshme në kronikat e vjetra turke. Turqit mendojnë gjithashtu se shqiptarët janë gjaknxehtë. “E ka një dell shqiptari”, është një shprehje turke mjaft e përhapur. Sir James Sedhouse, që e ka përfshirë këtë shprehje në fjalorin e vet monumental turqisht-anglisht, jep këtë përkufizim në botimin e ri të vitit 1921: “Arnautligi tuttu” – filloi t’i lëvizë gjaku, flet a vepron, siç bën zakonisht një shqiptar, me vrull. Sipas mendimit të komandantëve të vjetër turq, është me të vërtetë trim dhe shumë i zoti për të sulmuar, për të pushtuar ndonjë vend me mësymje, por qëndron indiferent kur kushtet kërkojnë taktikë mbrojtëse. Shqiptari vlerësohet nga turqit si tip i zgjuar, por një historian turk i shekullit XVII, Ibrahim Peçevi, thotë se “Ajaz Pasha i përkiste racës shqiptare, e megjithatë ishte shumë i zgjuar”, shkruan ai.

Sipas mendimit të turqve, interesi për para është një karakteristikë tjetër e shqiptarit, i cili është gati të futet në aventurat më të rrezikshme, mjaft që të nxjerrë ndonjë përfitim. E kishin zakon të tregonin një anekdotë në kohën e Perandorisë së vjetër turke: E pyetën shqiptarin një herë “a do të shkosh në ferr?” dhe ai u përgjigj “Sa është rroga atje?”.

Ndërsa grekët kanë një tjetër mendim për shqiptarët. Në gjuhën popullore greke, takojmë dy shprehje për shqiptarët. “Një kokë shqiptari” thuhet për një njeri të papërkulshëm e kryeneç. Kur dikush vuan nga hallet që i kanë rënë përsipër, miqtë e ngushëllojnë duke i thënë “hajt se Zoti nuk është shqiptar”, që do të thotë se Zoti është i mëshirshëm.

“Kjo akuzë për mizori kuptohet fare mirë po të shikohet në dritën e historisë: grekët për qindra vjet me radhë i kanë njohur shqiptarët vetëm si pushtues, si kusarë që u plaçkitnin qytetet bregdetare, si ushtarë të dërguar ndër ekspedita ndëshkimore, si xhandarë ose si mbledhës taksash. Grekët nuk patën rast të njohin anën njerëzore të shqiptarëve”, shkruan Konica.

Ajo çfarë e çudit atë janë italianët. “Italianët – dhe kjo të çudit shumë – megjithëse kanë pasur vazhdimisht marrëdhënie të ngushta dhe të afërme me shqiptarët, kanë vetëm një shprehje në lidhje me këtë popull. Edhe kjo nuk është diçka në favor të shqiptarëve. Shprehja “far l’albanese” mund të gjendet në të gjithë fjalorët e mirë të italishtes, si për shembull, në atë të Nikola Zingarelit (Nicola Zingarelli). Përkthimi fjalë për fjalë i shprehjes është “të hiqesh si shqiptar”, kurse kuptimi është tjetër “bëj sikur s’kuptoj; hiqem sikur nuk di gjë”, shkruan ai.

Ndërsa francezët gjithnjë kanë pasur marrëdhënie të ngushta me shqiptarët, princat e familjes së Kapetëve kanë mbretëruar në Shqipëri për afro njëqind vjet. Një shprehje që mund të takohet në kronikat e vjetra është kjo: “fier comme un albanais” – krenar si shqiptar. Edhe banorët e Ishujve Britanikë do ta kenë vizituar shpesh Shqipërinë në kohën e kryqëzatave, gjatë rrugës së tyre për në Tokat e Shenjta. Këtë itinerar ndiqnin edhe popujt e tjerë, mbasi rruga që kalonte nëpër Shqipëri ishte më e sigurta në atë kohë, kur udhëtimi për det, me anije të vogla, paraqiste rrezik.

Por këto vizita, në kalim e sipër, nuk kanë lënë gjurmë në histori. Për një grup anglezësh në Shqipëri bëhet fjalë vetëm në vitin 1457. Në këtë vit, një fisnik anglez me një kompani detarësh, erdhi në Shqipëri për të ndihmuar Skënderbeun në luftën kundër turqve. Nga këta ushtarë të guximshëm anglezë një pjesë e mirë u kthyen të gjallë në atdhe, i cili në atë kohë ishte i trazuar nga Lufta e dy Trëndafilave dhe nuk dihet çfarë përshtypjesh u la Shqipëria. Por, tre a katërqind vjet më vonë, anglezët, pasi pushtuan ishujt e Detit Jon, hynë në marrëdhënie të mira për një kohë të gjatë me Shqipërinë.

“Ata na kanë lënë disa vëzhgime të mprehta dhe të shkëlqyeshme mbi karakterin e shqiptarëve. Këto përshtypje, herë janë, herë nuk janë në favor të shqiptarëve, por vlejnë për sinqeritetin e tyre, mbasi shqiptarët për të cilët bëhej fjalë në ato studime ishin analfabetë e prandaj të paaftë të falënderonin ose të protestonin për sa thuhej rreth tyre”, shkruan Konica.

Villiam Martin Lik , i cili e filloi karrierën e vet si inxhinier ushtarak dhe e mbylli si arkeolog klasik, studimet e të cilit edhe pas një shekulli studiohen me nderim nga dijetarët, flet më se një herë në librat e vet për karakteristikat e shqiptarëve. “Plutarku na vë në dijeni. – thotë Lik, – se Pirroja ishte një oborrtar i shkathët dhe që në rini përpiqej të fitonte miqësinë e njerëzve të fuqishëm. Ky është në përgjithësi karakteri i shqiptarëve. Ata përpiqen me çdo mënyrë të sigurojnë mbrojtjen e eprorëve të tyre dhe u qëndrojnë besnikë, kur paguhen rregullisht. Kryengritjet e tyre të shpeshta zakonisht shkaktohen nga sjellja e pabesë e zyrtarëve, të cilët ndërmarrin disa punë pa siguruar më parë mjetet e duhura financiare. Shqiptarët, duke qenë zakonisht më të varfër se turqit, janë të kufizuar në kërkesat e veta, janë më të qëndrueshëm e të durueshëm, janë më të regjur me vështirësitë që në moshë të njomë”.

Në një vend tjetër, koloneli Lik shpreh këtë mendim: “Ndërsa turku krenar dhe përtac dhe fshatari i varfër grek paraqiten shpeshherë pa pikë energjie, si pasojë e shtypjes dhe e varfërisë së vazhdueshme, këta shqiptarët dallohen për veprimtarinë e tyre të palodhur. Ata i zinin të parët pikat më të larta anës udhës, sikur ishin në garë cili do të ngjitej i pari. Të gjitha pyetjeve në lidhje me topografinë u përgjigjeshin me zgjuarsi, lejen për të shikuar me teleskopin tim e quajnë si një shpërblim të madh. Nuk ka dy gjëra në këtë botë që ndryshojnë më tepër në mes tyre se sa zakonet, (sjelljet) e shqiptarëve me ato të osmanllnëve. Këta të fundit janë qeniet më flegmatike dhe të plogëta të njerëzimit, përveç rasteve kur i nxit diçka e jashtëzakonshme.

Por, për Konicën, një ndër karakteristikat kryesore të shqiptarëve, që asnjë studiues i huaj nuk e ka vënë re, është individualizmi.

Një dijetar gjerman, dr. Herbert Louis, i cili, siç e kemi thënë edhe më parë, ishte ngarkuar nga qeveria shqiptare të studionte topografinë e vendit, deklaron se në Shqipëri nuk ekziston kuptimi i fjalës turmë. “Një nga përshtypjet më të forta, – deklaron dr. Louisi – që më ka mbetur nga shqiptarët, është ajo që te secili prej tyre, vihet re një njeri me besim të madh në vetvete. Çdo individ, qoftë i zgjuar ose budalla, ka një aftësi të dukshme për të vendosur vetë dhe është mësuar të trajtojë pasurinë dhe jetën e vet në mënyrë praktike. Në një situatë të paqartë, secili jep një gjykim dhe është i gatshëm për nisma të guximshme. Me fjalë të tjera, në Shqipëri nuk ekzistojnë masa indiferente”.

“Kjo mungesë e frymës së turmës ka pasur pasoja fatale për unitetin e Shqipërisë, pasi secili përpiqej të merrte pjesë drejtpërsëdrejti personalisht, pa ndërmjetës ose të deleguar, në diskutimin e punëve publike. Ideja e shtetit për shqiptarin nuk kalonte përtej caqeve të qytetit ose përtej maleve ku banonte. Ashtu si për grekët e vjetër dhe për italianët e mesjetës, ideali i shqiptarit ishte ai i një qyteti shtet. Në rastet kur çështja kombëtare kërkonte unitet veprimi, vetëm mbas diskutimesh pa fund arrihej të merreshin masa të përbashkëta, por edhe këto shumë herë tepër me vonesë. Nëse Shqipëria u nënshtrua nga të huajt në të kaluarën, gjithmonë ndodhte për fajin e një qëndrese të pakombinuar”, shkruan Konica.

Ajo çfarë është interesante sipas tij, është dhe fakti se shqiptari, megjithëse shumë i pavarur dhe individualist, për të mos iu nënshtruar ndikimit të huaj kundër vullnetit të vet, prapëseprapë ka besim të madh në përparësinë që i takon atij që ka lindur në një familje të fisme. Ai sjell si shembull një ngjarje nga historia e kryengritjeve shqiptare, kur trazirat shkaktoheshin vetëm për shkak se caktohej si sundimtar ndonjë njeri nga familje e panjohur (pa emër). “Jo shumë kohë më parë (për të qenë të saktë, në vitin 1896) Sulltani kishte emëruar një sundimtar të përgjithshëm në Shqipërinë e Veriut, por popullsia ngriti krye, rroku armët dhe shprehu pakënaqësinë që do të sundohej nga një njeri me prejardhje familjare të rëndomtë. Një gazetar frëng i kohës vuri në dukje se “këta shqiptarët kanë një mënyrë të menduari si Montomorensia” (Duka i Montmorency, të cilit ia prenë kokën më 1632).Por qëndrimi shqiptar e ka burimin gjetiu: mbështetet në përvojën që “njeriu i ri”, njeriu i pafis (homo novus), shpesh nuk di ta përmbajë veten. Në Shqipëri dëgjohet ky proverb popullor “Kur bëhet jevgu pasha, më parë vret të atin”. Kjo shprehje popullore e shqipes është varianti i proverbit të anglishtes “Po i hipi kalit një lypës, do t’i grahë sa t’i nxjerrë shpirtin”.

Urrejtja është një tjetër. Prandaj përzierja e një autoriteti qendror në liritë lokale dhe individuale shikohet si një dhunë, ligjet që nxjerr ai autoritet qendror quhen në esencë si të padrejta dhe shkelja e tyre, sado e rëndë që të jetë, konsiderohet vetëm si një sjellje e pahijshme. Për më tepër, prej njëfarë qëndrimi patriarkal ndaj jetës, ngurron të marrë masa të rënda ndëshkimore. Dënimi me vdekje shikohet kudo si diçka e urryer, dhe është për t’u vënë në dukje se edhe në ditët tona, ashtu si në të kaluarën, nuk gjen dot njeri në Shqipëri që të bëjë punën e xhelatit. Për të zbatuar dënimet me vdekje të gjykatave, policia detyrohet të pajtojë ndonjë jevg, i cili, pas shumë protestash, e kryen detyrën, natyrisht jo si profesionist, por si diletant, gjë kjo që ia zgjat vuajtjet viktimës”, shkruan Konica.

Ndërsa një nga karakteristikat fatkeqe të shqiptarëve dhe që zë vend të dukshëm, është mungesa e plotë e idealizmit tek ata. Në një vend ku njeriu vdes aq me lehtësi në grindje të ndryshme, nuk është dëgjuar të vdesë kush për një ideal a për një çështje (kauzë). Kjo ndihmon të shpjegohet fakti përse Shqipëria nuk e fitoi lirinë më parë dhe ka një numër kaq të paktë dëshmorësh të rënë për pavarësinë kombëtare. Aktet e devotshmërisë dhe të guximit, që kanë shkaktuar vdekjen e mijëra njerëzve, mund të përdoren si argument për të përgënjeshtruar thënien time. Por, devotshmëria e egër ndaj traditave të vendosura dhe ndaj kanunit shekullor të nderit, janë më tepër veprime mekanike dhe për t’i kryer nuk nevojitet të vihet në rrezik jeta në mënyrë të vullnetshme për një ideal të zgjedhur lirisht. Ndërsa mikpritja është një virtyt tashmë i pranuar nga të gjithë.

Konica thotë, se “shqiptarët nuk kanë prirje të flasin shumë”. Këtë gjë e vë re dhe shkrimtari frëng Hiasent Hekar (Hyacynthe Hecquard), i cili, si konsull i Francës në Shkodër për shumë vjet me radhë, arriti ta njihte mirë Shqipërinë e Veriut, e vë në dukje shkurtësinë plot dinjitet të fjalimeve në kuvendet popullore.

Jeta seksuale e shqiptarëve

Për jetën seksuale të shqiptarëve mund të thuhet fare pak në një libër të destinuar për publikun e gjerë. Disa vese nuk janë të panjohura ndër qytete, megjithëse janë fryti i ndikimeve të huaja; porse vështirë të gjendet në botë një popullsi me zakone më të pastra se ajo e fshatarëve dhe malësive të Shqipërisë. Pafajësia e popullit të thjeshtë dëshmohet edhe nga një zakon i çuditshëm që ka mbetur deri vonë e nuk është zhdukur ende plotësisht. Përpara martesës (dhe nusja është zakonisht pesëmbëdhjetë deri më shtatëmbëdhjetë vjeçe, kurse dhëndri nëntëmbëdhjetë deri njëzetenjë) një burrë i moshuar, pjesëtar i familjes, do t’i shpjegonte bashkëshortit të ardhshëm anën fizike të martesës, ku do të shënonte me shkumës, me qymyr ose me ndonjë lëndë tjetër ngjyruese një rreth të vogël përqark “depilata virginis pudenda, ut iuvenis inexpers introitum facilius inveniat”.

Në disa krahina të Shqipërisë ekziston një besëtytni në lidhje me seksin e ujërave. Disa ujëra quhen “mashkullore” dhe besohet se kanë veti afrodiziake për burrat; disa ujëra të tjera janë “femërore” dhe mendohet se ushtrojnë të njëjtin efekt te femrat; kurse një lloj uji tjetër është “asnjanës”. Një burrë, me arsim, më tregoi se një herë kishte shkuar për punë nga qyteti i lindjes Gjirokastër në një fshat gjashtë orë larg. Sapo arriti aty piu një gotë ujë nga një burim dhe menjëherë pas kësaj diçka e shtyu të kthehej në shtëpi dhe të takohej me të shoqen. Ai ua tregoi shokëve këtë ndjenjë të çuditshme dhe ata e pyetën, duke qeshur, nëse kishte pirë ujë nga një farë burimi. Unë e ndërpreva bashkëbiseduesin, duke e pyetur a e dinte më parë çfarë mendohej për ato ujëra. “E mora vesh çfarë doni të nxirrni me këtë pyetje, ma ktheu ai – doni të dini se mos isha ndikuar nga sa kisha dëgjuar për ato ujëra; jo, deri atë ditë nuk kisha dëgjuar asgjë për efektin e tyre”. Ai shtoi se, meqë e kishte kthyer kalin në Gjirokastër dhe i kishte urdhëruar shërbyesit të vinin e ta merrnin pas tri ditësh, u kthye më këmbë në qytet sa më shpejt që mundi. /Konica.al/ KultPlus.com

Danimarka vendos kryerjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak edhe për gratë


Nga viti 2026 në Danimarkë, gratë do të duhet të kryejnë gjithashtu shërbimin e detyrueshëm ushtarak, shkruan il messaggero.it.

Kohëzgjatja e rekrutimit do të jetë nga 4 në 11 muaj (për të dy gjinitë). Danimarka bëhet vendi i tretë evropian (së bashku me Norvegjinë dhe Suedinë) që u kërkon grave të shërbejnë në forcat e armatosura.

“Ne po riarmatosemi sepse duam të shmangim luftën”, theksoi kryeministrja Mette Frederiksen, duke shtuar se ”qeveria po përpiqej të arrinte barazinë e plotë midis gjinive”.

Në Danimarkë, gratë aktualisht mund të bëhen vullnetare për shërbimin ushtarak. Vitin e kaluar, 4 700 persona shërbyen në ushtri, rreth 25 për qind e të cilëve ishin gra.

Ky numër do të rritet në 5000 në vit.

Forcat e Armatosura daneze aktualisht kanë rreth 20 000 personel aktiv, duke përfshirë rreth 9 000 trupa profesionistë.

Objektivat e qeverisë përfshijnë rritjen e buxhetit të mbrojtjes me 6 miliardë dollarë gjatë 5 viteve të ardhshme për të arritur objektivat e NATO-s. /atsh / KultPlus.com

‘Imazhet e përjetshme Ulëritëse’, ekspozita përkujtimore e 25 vjetorit të luftës në Kosovë

Ekspozita ‘Imazhet e përjetshme Ulëritëse’ nga fotografi Afrim Hajrullahu do të hapet me datën 1 prill në ora 20:00, në ‘Termokiss’.

Nëpërmjet kësaj ekspozite pritet të shfaqet ngjarja 24 orëshe gjatë së cilës do të shfaqen pandërprerë 99 imazhe fotografike nga ngjarjet historike të Kosovës në vitin 1999.Kjo natë përkujtimore shënon 25 vjetorin e luftës në Kosovë.

IMAZHET E PËRJETSHME ULËRITËSE
Para rilindjes së fundit të ‘skenës së artit pamor kosovar’, Afrim Hajrullahu prodhoi boshtin e dritës që depërtoi në errësirën e komunikimit që ishte e lidhur me ditët e errëta të luftërave të Prishtinës/Jugosllavisë. Për herë të parë e hasa veprën e tij në faqet e ,,Liberation”. Në përputhje me politikën e asaj gazete të madhe dhe serioze piktoreske, artisti strukturoi lajmet më të errëta.

Dëshmia e Afrimit për deportimin e kosovarëve ishte ngjarje ulëritëse dhe njëherit i dha bukuri shfaqjes të çnjerëzores së njeriut ndaj njeriut. Francezët dhe disa prej nesh më larg (unë nga Londra) e dalluan atë pranëvënie. Kishte njohje të gjallë të dëbimit në historinë e shekullit njëzet, por megjithatë bukuria e hirshme e njerëzimit ka mbërthyer shpirtrat tanë. Ishte një moment i rrallë i koincidencës së artit në lajmet më të këqija. Ishte një ulërimë, ama megjithatë ishte sinjal i asaj që u bë Kthimi (me shkronjën K të madhe) i familjes kosovare në atdheun e tyre, më shpejt se sa mund të ishte parashikuar. Megjithatë, për të mos u artikuluar si një ngjarje njerëzore, ajo u regjistrua nga një artist i madh.

Artisti ishte i ri, por i parrahur. Kombi i tij ishte familja e tij dhe kjo ishte natyra e ngjarjes së fotografuar: mijëra nuk u bënë kurrë abstrakte të propagandës. Ata u regjistruan familje pas familjes.

Në artin anglez, unë mund ta krahasoj atë me vizatimet e Henry Moore-it gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai dilte në mes të natës për të regjistruar jetimët të mbështjellë në krahët e njëri-tjetrit, që përpiqeshin të flinin në platformat e stacioneve të trenave të metrosë së Londrës, derisa forcat ajrore gjermane bombardonin qytetin.

Këto imazhe janë të përjetshme, gjithmonë do të jenë të varura në Galerinë Tate të Artit Britanik pranë veprave të William Blake-ut dhe Turner-it. Vepra e Hajrullahut ka të njëjtën cilësi të përjetësisë universale. Njerëzimi shkëlqen dhe unë mbetem pa frymë nga kënaqësia që më ofrojnë këto vepra.

David Gothard CBE (Komandant i Urdhërit të Perandorisë)

Ekspozita është e përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Republika e Kosovës./Express / KultPlus.com

Ylli i “Oppenheimer” bëhet imazh i ri në shtëpinë italiane të modës ‘VERSACE’

Ikona e kinematografisë Cillian Murphy, është zgjedhur nga marka e famshme botërore ‘VERSACE’ si imazhi më i ri.

Themeluesja e markës, Donatella Versace është shprehur në një deklaratë se ndihet e kënaqur që aktori tani është një pjesë e familjes.

“Ai është një aktor i jashtëzakonshëm dhe çmimi i tij në Oscar është absolutisht i merituar” tha ajo duke shtuar se ai është edhe mjaft tërheqës në ekran. / KultPlus.com

Kori dhe Orkestra e fëmijëve të Prishtinës “Amadeus” do të paraqiten me koncert në Shkup

Në datën 30 Mars, salla e Filharmonisë së Maqedonisë së Veriut do të shndërrohet në një fushë të magjisë muzikore, pasi në atë skenë do të ngjitet Kori dhe Orkestra e fëmijëve të Prishtinës “Amadeus” për të dhuruar një koncert të mrekullueshëm, shkruan KultPlus.

Kjo ngjarje paraqet një moment të veçantë për të gjithë dashamirësit e muzikës klasike dhe për ata që janë të interesuar të eksplorojnë talentin e rinisë në muzikë.

Nën dirigjimin e Vehbi Shoshollit, ky koncert po vjen pas një pune të mrekullueshme dhe një viti të filluar mbarë me nxënës të talentuar nga shkollat e ulëta të muzikës në Prishtinë “Prenk Jakova” & “Amadeus” & Tony Drum Studio të cilët janë gati të ndajnë pasionin e tyre për muzikën me publikun.

Kjo është një mundësi e rallë për të kuptuar dhe për të vlerësuar punën e palodhshme dhe talentin e këtyre fëmijëve që, përkundër moshës së tyre të re, kanë arritur të bëhen pjesë e një koncerti të tillë të nivelit të lartë.

Koncerti do të mbahet më datë 30 Mars, në ora 19:30, në sallën e Filharmonisë së Maqedonisë së Veriut në Shkup. / KultPlus.com

Pulla postare më e rrallë amerikane do të dalë në ankand, pritet të shitet për miliona

Këtu ka diçka vetëm për koleksionistët seriozë të pullave. Këtë verë, filatelistët do të kenë një mundësi për të kapur pullën më të rrallë të SHBA-së ndonjëherë: pullën e vitit 1868 me vlerë një sent “Z-grill.”

Më 14 qershor, pulla me vlerë një cent “Z-grill” do të vendoset në shitje nga Salla e Ankandit Robert A. Siegel, shënuar për herë të parë që prej vitit 1998 që pulla e rrallë ka qenë në ankand. Ekspertët nga shtëpia e ankandit në New York thonë se ajo mund të arrijë nga katër deri në pesë milion dollarë, çka do ta bënte atë pullën më të shtrenjtë të SHBA-së që kurrë është shitur. (Ajo është tejkaluar ndërkombëtarisht nga Gjykatësi i Guianës së Britanisë, i cili u shit në vitin 2021 për 8.3 milion dollarë.)

Arsyeja për koston e jashtëzakonshme është e thjeshtë. Nga dy kopjet e njohura të pullës me vlerë një sent Z-grill, njëra mbahet nga Biblioteka Publike e New York-ut. Kjo lë vetëm një Z-grill të disponueshme për koleksionistët privatë. Që nga viti 2005, pulla e dëshiruar i përket investitorit miliarder dhe “mbretit të bondeve” Bill Gross.

“Ajo konsiderohet kupa e koleksionimit të pullave të SHBA-së,” tha Charles Shreve, i cili ka menaxhuar dhe ndërtuar koleksionin e gjerë të pullave të Gross për vite dhe shërben si drejtor i ankandit ndërkombëtar në Sallën e Ankandit Robert A. Siegel.

“Ka vetëm një. Nëse dëshironi të bëni xhelozi, kjo është pulla.” / KultPlus.com

Italia gjobit TikTok me 11 milionë dollarë për dështimin në mbrojtjen e të miturve

Autoriteti i konkurrencës në Itali ka gjobitur TikTok-un me 10 milionë euro ($11 milionë) për moskontrollimin e përhapjes së përmbajtjes që, sipas tij, kërcënon sigurinë e të miturve dhe të personave të tjerë të ndjeshëm.

Agjencia kundërmonopolike, AGCM, tha të premten se TikTok-u, i cili është në pronësi të ByteDance-së së Kinës, dështoi të marrë parasysh ndjeshmërinë specifike të adoleshentëve që përdorin platformën e saj, siç është një tendencë për të kopjuar sjellje grupore.

Ndërsa inspektuesi njoftoi një hetim në praktikat e moderimit të përmbajtjes së TikTok-ut në marsin e kaluar.

Në një deklaratë të premten, tha se platforma e ndarjes së video-ve “nuk ka marrë masa të mjaftueshme për të parandaluar përhapjen e përmbajtjes (të dëmshme),” duke shtuar se algoritmet e saj do të thotë që përmbajtja e tillë mund të “propozohet sistematikisht përsëri tek përdoruesit.”

Një shembull i përmbajtjes së dëmshme përmendur nga AGCM është ai që njihet si trendi i “shenjës franceze”, i cili përfshinte përdoruesit e TikTok-ut që pinçonin faqet e tyre për të lënë një gjymë që zgjaste.

Një zëdhënës i TikTok-ut tha CNN se nuk pajtohej me vendimin e AGCM-së. “Përmbajtja e quajtur ‘shenjë franceze’ kishte mesatarisht vetëm 100 kërkime ditore në Itali para njoftimit të AGCM-së vitin e kaluar, dhe ne kohë më parë kishim kufizuar shikueshmërinë e kësaj përmbajtjeje për (nën-18-vjeçarë).” / KultPlus.com

Ndahet nga jeta piktori dhe shkrimtari Remzi Limani

Është ndarë nga jeta piktori dhe shkrimtari, Remzi Limani.

Lajmin për vdekjen e tij e ka bërë djali i tij, Uran Limani i cili është shprehur se ai ka qenë forca dhe mbështetja e tyre për gjatë gjithë jetës.

“Me dhimbje të thellë ju njoftojmë se sot nderroi jetë më i dashuri ynë, babi Remzi Limani.

Babi, ke qenë forcë dhe mbështetje për ne gjatë gjithë jetës. Ne vazhdojmë të fortë të ruajmë kujtimin për ty!

Për kohën e varrimit do t’ju njoftojmë me kohë”, ka shkruar Urani.

Remzi Limani (1955) u lind në Shalë të Drenicës. Pas fillores në Prishtinë, mbaroi shkollën e artit në Pejë dhe më pastaj u diplomua në Fakultetin e Arteve, Dega e Dizajnit në Universitetin e Prishtinës.

Në krijimet artistike, kryefjalë dhe kallëzues i ka artet e bukura me intensitet të ndryshëm përmes shprehjeve artistike në fushën e dizajnit, pikturës, poezisë, prozës, eseve, aforizmave, por edhe përmes kuptimeve për artet pamore dhe muzikës artistike. Në të gjitha këto krijime, Remziu ruan baraspeshën e arsyes që arti që shtrihet gjerë e gjatë në rrafshin e vlerave kombëtare në fushën e kulturës.

Për punën e tij krijuese në fushën e arteve figurative dhe aplikative, zënë vend trembëdhjetë shpërblime e mirënjohje vendore dhe ndërkombëtare. Në vitin 1999 nga Senati i Akademisë Internacionale “Qyteti i Romës” u nominua kryetar artistik për Kosovë. Deri më tash ka të realizuara dymbëdhjetë ekspozita personale, nga të cilat dy në Itali dhe një me karakter humanitar në Namibi. Nga fusha e letërsisë ka të botuara 13  vepra. Nga këto dy romane. Libri me poezi “Tinguj të humbur” (Sonete Pierdute) i është përkthyer në gjuhën rumune, Bukuresht 2010. Po ashtu, poezia e tij është përfshi edhe në antologjinë poetike “Pagjumësia e fjalëve” (Insomnia cuvintelor) e botuar në gjuhën rumune, Bukuresht, 2010. / KultPlus.com

Fitim Haziri hapë sot ekspozitën “Reagimi i përsosur”

Shtëpia e Evropës në Prishtinë sot merr një pamje të re me ekspozitën “Reagimi i përsosur” të artistit Fitim Haziri, shkruan KultPlus.

Me vizatime me ngjyrë të kaltër, laps dhe të zezë në letër, Fitim Haziri portretizon silueta njerëzore, raportin e tyre me njerëzit, hapësirat dhe mendjen.

Në ekspozitën “Reagimi i përsosur”, përpjekjet skulpturore të artistit ndërthuren me thelbin të cilin e paraqet në vizatime, duke krijuar një eksplorim të thellë të përmbajtjes dhe teknikës. Përdorimi i nuancave të kaltërta me ndërveprimin strategjik të dritës është përcaktues i ndikimit të këtyre punëve. E karakterizuar si një kërkim i vetvetes, ekspozita ”Reagimi i përsosur” shpaloset përmes siluetave ndjellëse të figurave njerëzore dhe, herë pas here, përmes gjuhës, duke lënë një gjurmë të pashlyeshme – duke formuar një rrëfim sa personal aq edhe kolektiv.

Fija e përbashkët në mediume të ndryshme e natyrës instinktive të vizatimit, qoftë në letër, në mënyrë dixhitale ose me ngjyrë, përdorimi i qëllimshëm i një ose dy ngjyrave në imazhe simbolizojnë konvergjencën e trupit dhe mendjes, duke i dhënë një cilësi të qetë portretizimit të siluetave njerëzore. Pjesa qendrore e ekspozitës, “Reagimi i përsosur”, zhytë shikuesit në një ndërveprim dinamik midis trupit dhe mendjes. Figurat njerëzore, të përshkruara në forma dhe pozicione të ndryshme, shfaqen si pika qendrore, duke lënë një energji të pashlyeshme të perceptuar në nuancat e kaltërta  – një simbol i lirisë së pakufishme dhe këndvështrimeve të pafundme. 

Teknika e Hazirit shpalos natyrën e brendshme të vizatimit, duke kapur elementë të mbetur që pësojnë një transformim vizual. Ngjyrat monokromatike bëhen një vegël e qëllimshme. Ekspozita kalon në fushën e skulpturës, duke paraqitur një rrëfim vizual të procesit, që e pozicionon shikuesin si një pjesëmarrës aktiv. Kjo përmbledh përvojën e kapërcimit të realitetit, duke kultivuar një vetëdije akute të realitetit që ne jetojmë sot, duke i ftuar shikuesit t’i rezistojnë mbikonsumimit të sugjerimeve algoritmike dhe në vend të kësaj të zhyten në aktin e përjetimit, duke lejuar lojën e dritës të artikulojë narrativen e saj.

Ekspozita e cila vjen e kuruar nga Laureta Hajrullahu dhe Shkamb Jaka, hapet sot, më datë 15 mars, në ora 19:00 në Europe House Kosovo. / KultPlus.com

Tekno futet në listën e trashëgimisë kulturore të UNESCO-s

Gjatë viteve 1980 skena e klubeve të Berlinit u zhvillua në një nga bërthamat kryesore të subkulturës tekno të asaj kohe në botë.

Zhanri i muzikës elektronike u bë një lloj kolone zanore e viteve të ndryshimit pas ribashkimit të Gjermanisë.

Si simbole të saj mund të përmenden klubi legjendar “Tresor”, i cila u hap në vitin 1991 si dhe Parada vjetore e Dashurisë.

Tani skena e famshme e teknos së Berlinit përfshihet në listën e trashëgimisë kulturore jomateriale të UNESCO-s.

Berlini njihet në botë për gjallërinë e klubeve, megjithatë shumë prej tyre po vuajnë ende nga pasojat e pandemisë COVID-19. / KultPlus.com

Rama: Kalaja e Rozafës, mirëseardhja e parë drejt mikpritjes shkodrane

Kryeministri Edi Rama përcolli sot pamje nga kalaja e Rozafës të cilën e cilësoi si “mirëseardhje e parë drejt mikpritjes shkodrane”.

Tashmë e ndriçuar edhe gjatë mbrëmjes dhe e mirëmbajtur, kalaja tërheq vizitorë në çdo stinë.

Vitin e kaluar, Rozafati u vizitua nga 125737 turistë vendas e të huaj nga 94260 vizitorë në vitin 2022.

Kalaja e Rozafës ngrihet mbi një kodër shkëmbore në perëndim të qytetit, e rrethuar nga ujërat e tre lumenjve: Drinit, Bunës dhe Kirit. Kështjella Rozafa është monumenti historik më antik. Në muret rrethuese të kalasë, të cilat përfshijnë rreth 9 ha tokë, dallohen qartë ndërtimet e katër periudhave: Balshajve (shek. XIV), zotërimi venecian (shek. XV), pushtimi osman (shek. XVI-XVII), dhe e Bushatlinjve (shek. XVIII-XIX).

E ndërtuar gjatë mbretërisë Ilire, përfaqësohet nga një legjendë që tregon mbajtjen e një premtimi, të Besës legjendare. / atsh / KultPlus.com

Ministrja Haxhiu shqyrton themelimin e Qendrës për trajtimin e dhunimeve seksuale

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në konferencën “Zbatimi i Konventës së Stambollit përmes praktikës gjyqësore: Dialogu gjyqësor për përgjigje gjyqësore efektive” ka thënë se janë në shqyrtim të themelimit të Qendrës së parë referuese për trajtimin e rasteve të dhunimeve seksuale.

“Momentalisht jemi duke bërë një vlerësim për themelimin e Qendrës së parë referuese për trajtimin e rasteve të dhunimeve seksuale si dhe zhvillimin e procedurave standarde të veprimit”, ka thënë Haxhiu.

Departamenti për politika sociale ka kaluar në kuadër të MD-së tash e një vit, për shkak të mungesës së burimeve dhe protokolleve për të mbuluar të gjitha format e dhunës në Qendrat për Punë Sociale. Haxhiu këtë ndryshim e ka cilësuar si reformë të thellë për trajtimin e këtyre rasteve.

“Në vitin 2020 Kosova përfshiu në Kushtetutën e saj Konventën e Stambollit. Që nga ajo kohë ka pasur përpjekje për adresimin e obligimeve që dalin nga e njëjta. Në tetor të vitit të kaluar, Kuvendi miratoi ligjin për parandalim dhe mbrojtje nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna me bazë gjinore. Ministria e Drejtësisë ka ofruar mbështetje për komisionin përkatës të Kuvendit dhe i njëjti ligj është në frymën e Konventës së Stambollit dhe ka zgjeruar fushëveprimin nga ligji i kaluar edhe nga dhuna ndaj grave dhe dhuna me bazë gjinore”, ka thënë ministrja Haxhiu.

“Si qytetare e këtij vendi, si grua, si nënë por edhe si ministre refuzoj të jetoj në një shoqëri ku vajzat dhe gratë shihen si qytetare të dorës së dytë, prandaj edhe po angazhohem për ditë që ta thyej këtë mentalitet patriarkal”, ka thënë ajo, transmeton RTK

Caka-Nimani: Inicialet e grave të vrara, dështim i shtetit

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese , Gresa Caka-Nimani, në konferencën “Zbatimi i Konventës së Stambollit përmes praktikës gjyqësore ‘Dialogu gjyqësor për përgjigje gjyqësore efektive”, ka deklaruar se inicialet e grave të vrara janë dështimi i shtetit dhe shoqërisë.

“Inicialet e grave të vrare nuk janë thjesht statistika, ato reflektojnë histori të trishta të grave kosovare që iu janë nënshtruar dhunës në familje, histori plagësh të familjeve e fëmijëve të cilët shumicën e rasteve kanë qenë dëshmitarët e vrasjes së nënave të tyre, reflektojnë dështimin e shtetit e shoqërisë”, ka thënë ajo.

Ajo ka përmendur disa raste të ndryshme të femicidit, teksa edhe ka potencuar që institucioni që drejton ka konstatuar dështim të shkeljes së të drejtës në jetë në raste të ndryshme, raporton RTKlive.

“Që në fillet e themelimit të saj, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar dështimin e përmbushjes së detyrimeve pozitive të shtetit, përkatësisht shkeljen e së drejtës në jetë në rastin e Diana Kastratit. Një dekadë më tej Gjykata sërish konstaton të njëjtën në rastin e Sebahate Morinës”, ka thënë ajo.

Caka-Nimani i ka cilësuar ato si thirrje për bashkërendim e mobilizim.

“Sigurisht që praktika gjyqësore e Gjykatës Kushtetuese, duhet të ketë rol parësor në zbatimin e Konventës së Stambollit. Kjo praktikë gjyqësore përtej që është e konsoliduar në kontekst të parimeve që ndërlidhen me barazitë gjinore, ajo gjithashtu ka vendosur parimet që ndërlidhen me detyrimet pozitive për mbrojtjen e së drejtës për jetë”, ka thënë deklaruar kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Gresa Caka-Nimani./ KultPlus.com

Petrit Çarkaxhiu sjell “Kangë muzgu”, një tjetër melodi plotë ndjeshmëri (VIDEO)

Këngëtari Petrit Çarkaxhiu është rikthyer me një tjetër këngë plotë ndjeshmëri, shkruan KultPlus.

Titulluar “Kangë muzgu”, kjo këngë është një përpjekje e fortë nga artisti për të sjellë një emocion të thellë tek dëgjuesit. Melodia është e kompletuar me një tekst që reflekton një thellësi dhe një kuptim domethënës.

Për të bërë këtë këngë të jetë sa më autentike, Petriti ka realizuar vetë muzikën dhe tekstin e këngës. Kjo sjell një dimension shtesë të ndjeshmërisë dhe autenticitetit në interpretimin e saj. / KultPlus.com

149 vjet nga lindja e Faik Konicës, personalitet i shumë dimensioneve

Faik Konica kujtohet sot në149-vjetorin e lindjes (15 Mars 1875-15 Dhjetor 1942).

Shkrimtar, kritik letrar, publicist, eseist, përkthyes, një nga personalitet më të shquara të kulturës, letërsisë, e jetës politike shqiptare, një intelektual i dimensioneve europiane.

‪‎Faik Konica lindi më 15 mars 1875 në Konicë, në një familje të vjetër koniciote. Pasi mori mësimet e para në vendlindje, ndoqi Kolegjin Jezuit Saverian të Shkodrës e më pas studimet e liceut perandorak francez të Stambollit.

Pasi kreu shkollat e mesme në Francë, vazhdoi studimet në Dizhon për filologji romane dhe më pas u diplomua në universitetin e Harvardit të SH.B.A, ku mori gradën “Master of Arts”.

Me 1897, në Bruksel botoi numrin e parë të revistës politike kulturore e letrare “Albania”.

Pas vajtjes së tij në Boston, së bashku me Fan Nolin, themelojnë gazetën Dielli, një organ i rëndësishëm i Federatës Panshqiptare “Vatra”. Me 1912 në emër të Federatës Vatra, shkon në Londër për të mbrojtur interesat kombëtare shqiptare në Konferencën e Ambasadorëve në Londër.

Më 1921, Konica zgjidhet kryetar i Federatës Vatra dhe me rimarrjen e drejtimit të gazetës Dielli, ai shkruante në një rubrikë të tijën “Shtylla e Konitzës”.

Më vitin 1926, Faik Konica emërohet Ministër Fuqiplotë i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara.

Vdiq në Uashington më 15 Dhjetor 1942. Në vitin 1995, pas rënies së diktaturës komuniste, eshtrat e tij u sollën në Tiranë.

Me veprën e tij letrare e me shkrimet kritike, Konica pasqyron një njohje të thellë të mendësisë shqiptare, e jetës politike shqiptare. Gjatë veprimtarisë së tij është përpjekur për një gjuhë letrare të përbashkët dhe ndihmoi në pasurimin e zhvillimit të stilit letrar dhe publicistik të shqipes së shkruar. Krijimtaria e tij ka mbetur në pjesën më të madhe e botuar në shkrime të shtypit të kohës dhe në dorëshkrime. Faik Konica mbetet një figurë qendrore dhe një pikë referimi në ecurinë e kulturës sonë moderne. / atsh / KultPlus.com

Sot shënohet Dita Botërore e të Drejtave të Konsumatorit

15 marsi shënon ditën Botërore të të Drejtave të Konsumatorit.

Kjo ditë shënohet si një mjet për të rritur ndërgjegjësimin global për të drejtat dhe nevojat e konsumatorëve.

Festimi i kësaj dite është një shans për të kërkuar që të respektohen dhe mbrohen të drejtat e të gjithë konsumatorëve, si dhe për të protestuar kundër abuzimeve të tregut dhe padrejtësive

Dita Botërore e të Drejtave të Konsumatorit njihet globalisht me mbështetjen e Kombeve të Bashkuara dhe aktorëve ndërkombëtarë.

Më 15 mars 1962, presidenti amerikan Xhon F. Kenedi miratoi “Ligjin për të drejtat e konsumatorëve”. / atsh / KultPlus.com

Çezma me kupolë, kroi i Selckës monument kulture i Lunxhërisë

“Çezma me kupolë” ose “Kroi i Selckës” ndodhet në fshatin Selckë dhe është monument kulture i kategorisë së parë.

Drejtoria rajonale e trashëgimisë kulturore sjell disa detaje në lidhje me këtë monument duke zgjuar interes të vizitorët që ndodhen në zonë.

Kroi me kupolë i Selckës ndodhet në qendër të fshatit Selckë. Ky fshat konsiderohet i fundit në radhën e fshatrave të Lunxhërisë. Ekspertët e monumenteve e konsiderojnë si monument unikal. Si për nga tipologjia, edhe nga teknika e realizimit. Ai daton i shekullit të XVIII. Kohë kur zona ishte nën administrimin e Ali Pashë Tepelenës.

Gryka e Selckës është shtegu i vetëm për të udhëtuar nga Lugina e Drinos në krahinat malore të Pogonit e Zagorisë.

Kroi është shpallur monument i kategorisë së parë. Fshati Selckë është pjesë e njësisë administrative Pogon të bashkisë Dropull. Historikisht njihet si fshati i Pandeli Sotirit, mësuesit të Shkollës së Parë Shqipe në Korçë.

Kroi ka një volum kubik transparent  me tre qemere anësore, i cili mbulohet me një kupolë sferike guri. Uji del në murin verior pas të cilit ndodhet rezervuari i grumbullimit të ujit nga burimi. Volumi që mbulon krojet (4,85 x 5 m) është punuar me mure me gurë gëlqeror pak a shumë të gdhendur.

Kroi ka afër tij dhe një bend për mbledhjen e ujit dhe më pas për t’u përdorur në vaditje

Kroi me kupolë është realizuar me material guri dhe lidhës llaç gëlqere por gjithashtu ka përdorimin e brezave të drurit të cilët vendosen në brendi të tij dhe lidhin faqen e jashtme me atë të brendshëm./ atsh / KultPlus.com