Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka urdhëruar Agjencionin Kadastral të Kosovës që t’ia regjistrojë pronën Manastirit të Deçanit sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Tha se kjo po bëhet për të arritur një qëllim shumë më madhor, duke aluduar për anëtarësimin në Këshillin e Evropës.
Kurti në të kaluarën ka qenë njëri ndër kundërshtarët më të zëshëm që këto prona t’i jepen Manastirit.
Këtë vendim të Kurtit e ka komentuar për Front Online historiani Jusuf Buxhovi.
Ai ka thënë se Kurti vetëm është duke e respektuar ligjin pasi që ky vendim siç thotë Buxhovi është i Gjykatës Kushtetuese dhe si i tillë është dashur të zbatohej prej kohësh.
“Kryeministri paska fol si burrë shtetas, i cili e respekton shtetin dhe ligjin. Ky vendim është i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe si i tillë është dashtë të zbatohet prej kohësh. Në këtë rast unë duhet të them tash se duhet t’i kthehemi shkakut dhe jo pasojave. Kjo që ka ndodhë sot është një pasojë. Shkaku është te Pakoja e Ahtisarit”, është shprehur Buxhovi për Front Online.
Buxhovi, thotë se vendimi që tokat e Deçanit t’i jepen Manastrit është anti-kombëtar dhe kundër identitetit shpirtëror dhe kulturor të Kosovës.
Sipas tij, për krejt këtë fajin e ka politika e papërgjegjshme e Kosovës që nga viti 2010.
“Ndërkohë që politika e papërgjegjshme e jona prej vitit 2010 e tutje ka vepruar çmos që objektet e kultit të cilat i kanë takuar trashëgimisë së Kosovës t’i jepen Serbisë. Në këtë aspekt unë mund të them se vendimi që tokat e Deçanit t’i jepen Manastirit është një vendim anti-kombëtar dhe kundër identitetit shpirtëror dhe kulturor të Kosovës. Kjo, ka ndodhë për shkak se politikanët e papërgjegjshëm janë pajtuar që përmes makinacioneve të ndryshme kjo tokë t’i mbetet Manastirit të Deçanit”, ka shtuar Buxhovi.
Historiani Buxhovi, ka treguar se edhe ku buron historia e këtij problemi.
“Veprimet e tyre kanë qenë të tilla që kanë penguar që mbrojtja juridike e Komunës së Deçanit dhe dy firmave të cilat kanë menaxhuar pronën atje të mbrohen në Gjykatën Kushtetuese dhe këtu është problemi. Gjykata ka vepruar ashtu siç duhet vepruar sepse nuk e ka pas mbrojtjen juridike as nga Komuna e Deçanit dhe as nga bartësit dhe nuk i ka mbetur tjetër pos që të gjykojë si të drejtë ankesën e Kishës së Deçanit, prandaj këtu duhet shikuar çështjen”, ka deklaruar ai për Front Online.
Jusuf Buxhovi për Manastirin e Deçanit: Albin Kurti e trashëgoi problemin nga udhëheqja e kaluar
Historiani Jusuf Buxhovi ka thënë për Front Online se çështja e tokave për Manastirin e Deçanit i ka mbetur si problem kryeministrit Albin Kurti nga udhëheqja e kaluar.
Por, se thotë se ky nuk është problemi i vetëm.
Buxhovi përmend edhe çështjen e Asociacionit.
“Ky problem i ka mbet Albin Kurtit nga udhëheqja e kaluar. Unë kujtoj se ky nuk është problemi i vetëm që ka mbet e që ai është dashtë ta zgjidh me kohë, siç i ka mbet edhe Asociacioni që është dashtë menjëherë si ka ardhë në pushtet ta zbatojë sepse është kategori kushtetuese dhe jo të politizohet me to”, është shprehur Buxhovi për Front Online.
Sipas Buxhovit, vendimin për Manastirin e Deçanit e kanë marrë politikanët tjerë dhe kryeministri Kurti vetëm po e zbaton një vendim të Kushtetutës.
“Unë e di që tash shumë çka do t’i përplaset për shpine Albin Kurtit që e ka zbatu këtë vendim, por këtë vendim e kanë marrë politikanët tjerë. Albin Kurti nuk ka të bëjë asgjë me këtë vendim, por i ka ra detyra si burrështetas ta ekzekutoj një vendim të Gjykatës Kushtetuese i cili prej kohësh po e ngarkon Kosovën në raportet ndërkombëtare si shtet që nuk po i zbaton ligjet”, ka shtuar ai.
Historiani Buxhovi tregon mundësinë se si mund të merren vesh Kosova dhe Manastiri i Deçanit për tokat
Historiani Jusuf Buxhovi, ka përmendur edhe mundësinë se si Kosova mund të veproj në mënyrë që tokat mos të uzurpohen nga Manastiri i Deçanit.
“Në këtë drejtim unë mendoj këtu që duhet të gjendet vetëm një mundësi që shteti i Kosovës të bashkëbisedoj me Manastirin e Deçanit që ato prona në një farë mënyre të kthehen në shfrytëzim të përbashkët dhe jo të uzurpohen në bazë të kadastrave dhe kjo është ajo që mund të thuhet sot. Ne tash po i përjetojmë gabimet që kanë dalë me Pakon e Ahtisarit që do të ketë edhe shumë e shumë të ngjashme në të ardhmen”, ka thënë ndër të tjera Buxhovi pwr Front Online.
Autoritetet lokale në Deçan kanë refuzuar në vazhdimësi ta zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, për t’i lejuar Manastirit të Deçanit që t’i regjistrojë në kadastër 24 hektarë tokë dhe pyll, me arsyetimin se kjo pronë është e ndërmarrjeve sociale “Apiko” dhe “Iliria” dhe se nuk i ka takuar asnjëherë manastirit.
Në shtator të vitit 2021, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka nxjerrë “vendimin për mosekzekutimin e aktgjykimit”, në të cilin konstatohet se vendimi i saj i vitit 2016 nuk është zbatuar.
Prokuroria Themelore e Pejës në Kosovë, në qershor të vitit 2022, ka nisur hetime kundër Komunës së Deçanit, për shkak të moszbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese./Front Online/KultPlus.com
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqin, kanë takuar kryetarin e Leposaviqit, Lulzim Hetemin dhe nënkryetaren Marina Bogojeviq.
Hetemi e Bogojeviq e njoftuan Kurtin për arritjet e deritanishme dhe për sfidat në qeverisjen komunale.
“Në takim u fol për projektet potenciale që mund të realizohen në bashkëpunim me nivelin qendror, teksa u theksua rritja e interesimit të qytetarëve për të aplikuar për programet e komunës për subvencione”, thuhet në njoftimin e qeverisë, transmeton Klankosova.tv.
Kurti e përgëzoi Hetemin e Bogojeviqin për punën, angazhimin dhe kontributin, teksa i kërkoi qeverisje të drejtë, të mirë e demokratike.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar përvjetorin e Masakrës në Tregun e Gjelbër në Mitrovicë.
“25 vjet më parë, më 13 mars 1999, nga granatat e forcave të regjimit gjenocidal të Millosheviqit, në Tregun e Gjelbër në Mitrovicë u vranë mizorisht 7 civilë të pafajshëm, nga mosha 5-65 vjeçe. Në këtë akt makabër, u plagosën 128 persona në mesin e të cilëve fëmijë, gra, pleq e të rinj”, ka thënë Pressidentja.
Presidentja Osmani tha se kjo masakër është një nga dëshmitë më autentike të brutalitetit të një regjimi kriminal, i cili synonte shfarosjen e shqiptarëve.
“25 vjet më parë, më 13 mars 1999, nga granatat e forcave të regjimit gjenocidal të Millosheviqit, në Tregun e Gjelbër në Mitrovicë u vranë mizorisht 7 civilë të pafajshëm, nga mosha 5-65 vjeçe.
Në këtë akt makabër, u plagosën 128 persona në mesin e të cilëve fëmijë, gra, pleq e të rinj. Kjo masakër është një nga dëshmitë më autentike të brutalitetit të një regjimi kriminal, i cili synonte shfarosjen e shqiptarëve.
Sot, nderojmë kujtimin për të vrarët e asaj dite, ndërkohë që angazhimi ynë për vendosjen e drejtësisë mbetet i vazhdueshëm. Qoftë i përhershëm kujtimi për të vrarët në masakrën në Tregun e Gjelbër në Mitrovicë!”/KultPlus.com
Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal në Sarajevë, në mesin e rreth 250 nominimeve këtë vit, ka zgjedhur Hana Qerimi si ‘Gruaja e re Sipërmarrëse e Ballkanit Perëndimor’ dhe një nga gratë sipërmarrëse të vitit 2023, për kontributin e saj në ndërmarrësi dhe inovacion përmes Shkollës Digjitale dhe StarLabs.
Hana vazhdon të vlerësohet për ndikimin e saj në fushën e TIK, duke udhëhequr në zhvillimin e inovacionit në rajonin e Ballkanit dhe jo vetëm.
Juria vlerësuese e kësaj gare ishin: Andriola Kambo, drejtoreshë ekzekutive në Union of Albanian Municipalities; Brankica Rakovic, kryeredaktore e revistës Lola dhe pronare e agjencisë së marketingut digjital Dot Media; Shqipe Breznica, drejtoreshë vendore në Hilfe zur Selbsthilfe e.V.; Branimir Zugic, bashkëthemelues dhe drejtor i Programit, Industries Creative dhe Media Forum Kotor; Zagorka Blazevska, CEO Vita Nova dhe Jelena Mihajloviq-Tanasijević, shefe e Departamentit për Zhvillim Ekonomik Lokal, Asociacioni i Autoriteteve Lokale në Serbi./KultPlus.com
Sopranoja e njohur në botë, Marigona Qerkezi, ka bërë të ditur se me rolin “Abigaille” do të debutoj në operan “Nabucco” të kompozitorit Giuseppe Verdi, në Festivalin prestigjioz të Savonlinnës në Finlandë, shkruan KultPlus.
Sopranoja Qerkezi, përmes një shkrimi në rrjetet sociale ka thënë se për të personalisht është nder i madh që të debutoj me një rol aq të fuqishëm si i Abigailles në këtë operë ikonike.
“Është një nder i madh të marr një rol kaq të fuqishëm në këtë operë ikonike. Me padurim pres të sjell në jetë personazhin kompleks të Abigailles.
Shihemi në Savonlinna ”, ka shkruar Sopranoja Qerkezi./KultPlus.com
Në Qendrën e Artit “Agimi” në kryeqytet është hapur dje ekspozita “Imagine Coral Reef” e kuruar nga Lotte Kristoferitsch në bashkëpunim me Sonia Jojic.
Kjo ekspozitë u mundësua nga Ambasada e Austrisë në Tiranë, kushtuar kompleksitetit të temave të transformimit të dyfishtë digjital dhe ekologjik.
Kuratorja austriake Lotte Kristoferitsch shpjegon principet e dizajnit rigjenerues dhe një produkt shqiptar ndërtuar me këto parime.
“Koralet janë si Amazona e detit. Përmes ngjyrës së tyre ne marrim alarmin mbi ndotjen e mjedisit ndaj metafora e tyre na bën të kuptojmë vizualisht dëmin”, shprehet ajo.
“Imagine Dignity“ synon të kontribuojë në ndërtimin e së ardhmes me vizione artistike, ide kreative dhe formate ngacmuese të dialogut midis arteve dhe shkencave, duke përfshirë edhe ekonominë.
Ekspozita në kuadër të nismës “Imagine Dignity” në Tiranë do të qëndrojë e hapur deri më 1 prill./atsh/KultPlus.com
Ndërhyrja në Muzeun Historik Kombëtar duhet të ishte bërë edhe më herët. Ish-drejtori, Melsi Labi në një intervistë për Euronews, tha se punimet mund të zgjasin më tepër se afati i vendosur nga vetë ministria dhe drejtoria.
Rikonstruksioni i Muzeut historik Kombëtar do të kushtojë 26 milionë Euro. Ndonëse për këtë ndërhyrje nevoja ishte imediate, shumë pikëpyetje fshihen pas vendimit për mbylljen e përkohshme të tij. Kështu u shpreh Melsi Labi, ish-drejtor i muzeut kombëtar për Euronews Albania.
Transferimi i objekteve, artefakteve dhe shumë sendeve që na përfaqësojnë ne si identitet, mund edhe të ketë pasoja si dëmtim apo dhe humbje për aq kohë sa deri më tani asnjë ekspert i etnografisë apo studiues i muzeve nuk është kontaktuar.
Projekti i ri i muzeut ka 6 variante por deri më tani ende nuk kemi një zyrtar nga drejtuesit apo vetë ministria ndonëse ndonëse paratë e rikontruksionit janë të taksapaguesve.
Nesër është dita e fundit kur një qytetar mund të vizitojë për herë të fundit Muzeun Historik Kombëtar me imazhin e 43 viteve që nga ndërtimi i tij. Pas marsit të 2028-ës mund të jetë i aksesueshëm, gjithmonë nëse puna ka përfunduar./euronews/KultPlus.com
Baleti Kombëtar i Kosovës, ka filluar provat për premierën e dytë për vitin 2024, shfaqje kjo e cila do të shfaqet si premierë në New York të SHBA.
Në bashkëpunim me primabalerinën dhe koreografen Chiara Ajkun, kjo shfaqje, premierën botërore do ketë me dt 31.05.2024, në teatrin St.Jean, në Manhattan të New York-ut./ KultPlus.com
13 marsi shënon ditën kur Fan Noli dha frymën e fundit në vitin 1965.
Burrë shteti, atdhetar demokrat, klerik i lartë, poet, përkthyes, publicist, dijetar, historian e muzikolog. Fan Noli është një nga figurat më të ndritura të kombit tonë.
Fan Noli lindi në Ibrik Tepe në Edrene (Turqi), ku përfundoi dhe shkollën e mesme. Më 1903 shkoi në Egjipt, ku punoi si mësues e gjatë kësaj kohe u njoh me patriotë të shquar të kolonisë shqiptare të Egjiptit. Në këtë kohë përktheu në greqisht veprën e Sami Frashërit “Shqipëria ç`ka qenë, ç`është e ç’do të bëhet”. Më 1907, pas vajtjes së tij në Amerikë, krijoi shoqërinë “Besa-besë” në Boston.
Më 9 shkurt 1908, Fan Noli u dorëzua dhjak dhe në mars 1908, kryeprifti ortodoks i Nju Jorkut e shuguroi prift ortodoks. Disa ditë më pas, Noli mbajti liturgji në gjuhën shqipe për herë të parë në Boston. Në korrik 1919, Noli u zgjodh Peshkop i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë. Përpjekjet e Nolit për një kishë kombëtare shqiptare, u përmbushën më 1937, kur Patriarkana e Stambollit njohu zyrtarisht Kishën Ortodokse Shqiptare Autoqefale.
Nga viti 1909 deri më 1911 botoi gazetën “Dielli” dhe së bashkë me Faik Konicën themeloi më 1912 Federatën Panshqiptare Vatra të Amerikës. Në vitin 1912 përfundoi studimet e larta në fakultetin e filozofisë në Universitetin e Harvardit dhe vite më vonë, më 1938 mbaroi studimet e larta në Konservatorin e Muzikës së Bostonit. Në vitin 1920 Noli u zgjodh kryetar i delegacionit shqiptar në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, ku nëpërmjet antarsimit të Shqipërisë në këtë lidhje, Shqipëria mori një njohje ndërkombëtare.
Në 1921 ai botoi veprën e rëndësishme “Historia e Skënderbeut”. Në qershor 1924, Fan Noli u bë kryeministër. Përveç veprimtarisë shumë të rëndësishme politike, poetike e publicistike, gjatë këtij dhjetëvjeçari Noli përktheu tragjeditë e Shekspirit, Rubairat Omar Khajamit, romanin Don Kishoti të Servantesit etj. Fan Noli u shua më 13 mars 1965 në Ford Laurderdale, Florida të SHBA. / KultPlus.com
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka njoftuar se mulliri i Cal Malushit në Kotradiq të Pejës është drejt funksionalizimit, përcjell KultPlus.
“Janë në përfundim punimet restauruese në këtë mulli, ndërsa është punuar duke i kushtuar rëndësi çdo detaji që ti ruhet origjinaliteti”, njoftojnë nga MKRS.
Ky aset është ndërtuar në fund të shek. XIX, ndërsa do të ruhet si i tillë edhe për brezat e ardhshëm. / KultPlus.com
Si sot më 13 mars 1940, ndërroi jetë fotografi Kel Marubi. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave solli sot momente nga jeta dhe krijimtaria e fotografit si homazh në përkujtimin e ndarjes së tij nga jeta.
Kel Marubi, zejen e përvetësoi në Lion, në shkollën e parë të fotografisë dhe të kinemasë të themeluar nga vëllezërit Lumière. Pas kthimit në atdhe në fund të viteve 20-të, nisi të punojë si fotograf profesionist në Shkodër. Përjetësoi në celuloid momente të jetës së përditshme dhe të veprimtarisë publike të liderëve politikë të kohës.
U angazhua në Rilindjen Kombëtare Shqiptare, duke marrë pjesë në themelimin e shumë shoqatave lidhur me gjuhën shqipe, si dhe në botimin e gazetës “Zëri i Shkodrës” në vitin 1908. Në aktivitetin e tij si fotograf, Marubi u bë i njohur edhe jashtë vendit kryesisht në sajë të albumit të realizuar për familjen mbretërore të mbretit të Malit të Zi. Prej veprës së tij janë botuar fotoalbumet “Gjurmë të Historisë Kombëtare në Shkodër” dhe “By the Lumière”.
DPA publikoi edhe një letër të Lasgush Poradecit dërguar nga Marubi me kërkesën për stampimin dhe dërgimin e disa fotove kundrejt pagesës. Po ashtu, në foto tregohet një fletëpalosje reklame e stabilimentit fotografik “Marubi”. / atsh / KultPlus.com
Ministri Çeku ka pritur sot në takim boksieren Donjeta Sadikue cila u kualifikua në Lojërat Olimpike Paris 2024.
Diskutuan për ndeshjet dhe rrugëtimin e saj për të fituar normën olimpike, emocionet e ndeshjes së fundit e gjithashtu përgatitjet që do të jenë intensive për Lojërat Olimpike:
Ministri Çeku i siguroj Donjetën dhe ekipin e saj për mbështetje të plotë në përgatitjet për Lojërat Olimpike Paris 2024.
Të pranishëm në këtë takim ishin edhe presidenti i Federatës së Boksit Enver Krasniqi, sekretari Latif Demolli si dhe trajnerja Marjola Sallauka. / KultPlus.com
Sopranoja shqiptare Elbenita Kajtazi e cila ka shënuar një sukses të madh nëpër teatro të njohura evropiane, në shtatorin e sivjetmë do të shijojë edhe magjinë e skenës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shkruan KultPlus.
Ajo ka njoftuar se do të paraqitet në rolin e Marzelline të shfaqjes operistike “Fidelio” e që do të shfaqet në Lyric Opera të Çikagos.
Më poshtë po sjellim të plotë njoftimin e sopranos Kajtazi.
Të dashur miq
Si vajzë e vogël ëndërrat e mia të mëdha i ëndërrova në Mitrovicën time, qytetin i cili më mësoi së çfarë është dhimbja, lumturia, dashuria, sakrifica, qytetin i cili më mësoi ti përballoj të gjitha dallgët e jetës ashtu si i përballonim dallgët e digës së Ujmanit duke notuar nëpër Ibrin tonë të shenjtë.
Lajmi që më në fund mund ta shpërndaj me të gjithë ju meriton këtë foto nga ura e cila na jep forcë dhe shpresë, foto e realizuar para disa viteve nga i mrekullueshmi Atdhe Mulla.
Sezonin e ardhshëm operistik do të bëjë debutimin tim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Jam e stërlumtur që në fund të shtatorit në fillim të tetorit do të ngjitem në skenën e teatrit të mrekullueshëm Lyric Opera në Çikago.
Nën dirigjimin e të mrekullueshmit Enrique Mazzola unë do të interpretoj rolin e Marzelline nga opera e vetme e kompozuar nga Beethoven , Fidelio.
Ëndrrat gjithmonë bëhen realitet nëse ti nuk tërhiqesh por punon fort dhe me përkushtim për ti realizuar ato.
Për më shumë informacione mund të klikoni linkun e mëposhtëm.
Shfaqjet do të jenë me 26, 29 Shtator dhe 2, 5, 10 Tetor 2024
Një projektligj që mund të çojë në ndalimin e aplikacionit të njohur TikTok në Shtetet e Bashkuara të Amerikes pritet të miratohet sot në Dhomën e Përfaqësuesve, pas shqetësimeve se struktura e platformës është një kërcënim për sigurinë kombëtare, sipas AP.
Projektligji kërkon që kompania kineze, “ByteDance” të heqë dorë nga TikTok dhe aplikacionet e tjera që zotëron brenda gjashtë muajve nga miratimi i projektligjit ose ato aplikacione do të ndalohen.
Ligjvënësit pretendojnë se “ByteDance” i nënshtrohet qeverisë kineze, e cila mund të kërkojë akses në të dhënat e konsumatorëve të TikTok në SHBA në çdo kohë që dëshiron.
Shqetësimi buron nga një sërë ligjesh të sigurisë kombëtare kineze që detyrojnë organizatat të ndihmojnë shërbimet sekrete.
Miratimi i projektligjit do të ishte vetëm hapi i parë. Senati do të duhet gjithashtu të miratojë masën që ajo të kthehet në ligj.
Udhëheqësi i shumicës në Senat, Chuck Schumer, D-N.Y., tha se ai do të duhet të konsultohet me kryetarët e komisioneve përkatëse për të përcaktuar rrugën e projektligjit.
Anëtarët e Kongresit kanë qenë prej kohësh kritikë ndaj platformave të teknologjisë dhe ndikimit të tyre të gjerë, shpesh duke u përplasur me drejtuesit për praktikat e industrisë. /atsh / KultPlus.com
1. Kuptimi i parë i fjalës Zot-i është: forca e mbinatyrshme që drejton botën, sipas besimit fetar. Perëndia, Hyu. Te myslimanët Allahu. Te jobesimtarët: Natyra. Themi: Besoj në Zot; I lutem Zotit; Zoti ju bekoftë!. Përdoret edhe shprehja: Zotat e tokës dhe të qiellit, në kuptimin “të fortët, ata që vendosin”.
2. Përdoret për të thirrur me nderim një burrë. Zoti Hasan, zoti Hysen, zoti Hashim, zoti Pjetër.
3. Për t’iu drejtuar në mënyrë zyrtare personave zyrtarë: Zoti Kryetar (ose President, siç ka hyrë në përdorim te ne); Zoti Kryeministër; Zoti Ministër; Zoti Ambasador etj. (Nga ky aspekt fjala zot ka zëvendësuar fjalën e dikurshme shok).
Fjala zoti përdoret rëndom e shoqëruar me emrin, mbiemrin a funksionin e personit që i drejtohemi. P. sh. Zoti Eqrem, zoti Demiraj, Zoti Kryeministër etj., ndërsa kur nuk shoqërohet me emrin a mbiemrin ose funksionin e personit që i drejtohemi, përdoret trajta zotëri. (Në të folur përdoret edhe trajta gege: zotni).
Urdhëroni, zotëri!; Ç’dëshironi, zotëri?; Për se angazhoheni ju, zotëri?.
Te poetët e Rilindjes trajta zot përdoret edhe e pashoqëruar nga emri, njësoj sikurse edhe fjala zotëri.
Urdhëroni, zot, në fshatin tonë Me shtëpi të bardha si gjithmonë… Portën miqve ne gjithmonë ua çelim Se zakonet, zot, ne nuk i shkelim….
(Asdreni, “Letrë prej katundit tem”, Psallme murgu, Bukuresht 1937, f. 22-24).
Fjala “zotëri” (sikurse dhe trajta gege “zotni”) kur shquhet merr mbaresën –a:zotëria e jo zotëriu. Të thuash zotëriu është njësoj si të thuash Perëndiu. Non sens!
Fjala zotëri ka edhe kuptimin e njeriut të pasur ose me pushtet; pronar i një shtëpie a pasurie tjetër, i një biznesi a posti sot. Zotëria ka shumë para; Ky është djali i zotërisë etj.
Në shumës fjala zotëri bën zotërinj (trajta e pashquar), zotërinjtë (trajta e shquar), por jo zotërinjët!
Në gjininë femërore barasvlerës i fjalës zotëri është fjala zonjë (për vajzat e reja thuhet zonjushë, dikur edhe për gratë e pamartuara, por sot po përdoret gjithnjë e më dendur zonjë për çdo grua në moshë – dukuri e përhapur edhe në gjuhë të tjera). Në mbledhje a takime të tjera publike të pranishmëve u drejtohemi rëndom me fjalët: Zonja dhe zotërinj!
Fjala zotrote (nga zotëria jote) përdoret në shenjë nderimi, por edhe kur i drejtohemi dikujt me ironi. P. sh. Ç’punë bën, zotrote?” (ç’profesion ke?), por edhe: E paske kënaqur, zotrote! (kur personi në fjalë nuk ka punuar mirë).
Për sot kaq, zonja dhe zotërinj!
Ju falemnderit!
(Nxjerrë nga një fletore e shënimeve e viteve 2002-2004, kur në Kolegjin AAB mbaja lëndën Kulturë gjuhësore dhe letrare). / KultPlus.com
Emisari amerikan, Gabriel Esocbar, i është drejtuar presidentes Vjosa Osmani me disa fjalë në fillim të fjalimit të tij në konferencën e përbashkët për media pas një takimi që mbajtën.
“Faleminderit zonja Presidente për mikpritjen e ngrohtë në Kosovë. Ju jeni karakteri kryesor dhe trashëgimia e marrëdhënieve bilaterale mes SHBA-së dhe Kosovës dhe dua të them se kjo trashëgimi është ee bazuar në një përkushtim të qëndrueshëm për sigurinë, integritetin territorial dhe pavarësinë e Kosovës”./ KultPlus.com
Akademia e Shkencave nderoi dje në 92 vjetorin e lindjes, shkrimtarin Naum Prifti ku organizoi konferencën shkencore “Naum Prifti, mjeshtër i prozës së shkurtër”.
Pas një krijimtarie afro 70-vjeçare, ai ndërroi jetë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ishte për shumë vite sekretar i Federatës Vatra dhe redaktor i gazetës Dielli.
Në këtë aktivitet morën pjesë Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Skënder Gjinushi, dhe anëtarë të Kryesisë së ASHSH-së, punonjësit kërkimorë-shkencorë të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, të departamenteve të letërsisë në universitete, kineastë, miq të autorit, studiues e studentë.
Të pranishme ishin edhe vajzat e Naum Priftit, Julka dhe Rafaela.
Akademiku Gëzim Hoxha, kryetar i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike në Akademinë e Shkencave vlerësoi Naum Priftin si mjeshtër të prozës së shkurtër dhe që përfaqëson një figurë shumëdimensionale të artit dhe letërsisë shqipe si novelist, tregimtar, dramaturg, skenarist, kritik letrar, fabulist, qëmtues i folklorit, shkrimtar i dashur i letërsisë për fëmijë dhe mjeshtër i shqipërimit.
Hoxha përmendi disa nga veprat e shkrimtarit Naum Prifti dhe më pas foli edhe për dashurinë e Naum Priftit për fjalën shqipe, që mund të vërehet më së miri edhe në përkthimet mjeshtërore të dy veprave poetike të Roald Dahl-it “Gjiganti i madh i mirë”, (1990), dhe “Çarli dhe ashensori i madh prej xhami”(2018). Nga frëngjishtja, ai ka përkthyer “Princin e vogël” të Exupéry-së, kurse nga gjuha italiane ka përkthyer vëllimin me përralla “Katër stinët”.
Hoxha kujtoi më tej edhe kontributin në letërsinë për fëmijë. Duke e mbyllur fjalën e tij me një profil shumëdimensional të shkrimtarit Naum Prifti, ai theksoi, ndër të tjera, se me tërësinë e veprës së tij Naum Prifti e konfirmoi veten si një ndër vazhduesit më besnikë të traditës së rrëfimit, të krijuar në Shqipërinë Juglindore me përfaqësues të tillë si Milto Guri, Sotir Andoni etj.
“Kjo traditë rrëfimi shumë e koncentruar, e realizuar me cilësi shumë të lartë në veprat e tij, ka çuar në vlerësimin objektiv të Naum Priftit nga kritika letrare, si prijësi i shkrimtarëve shqiptarë në gjininë e prozës së shkurtër, me mesazhe të ngjeshura dhe shumë domethënëse”, tha akademiku Hoxha.
Profesor Ymer Çiraku e vlerësoi Naum Priftin si tregimtarin e kapërcimeve estetike zhanrore. Ai theksoi se Naum Prifti (1932-2023) mbetet tregimtari sui generis në letërsinë shqipe, jo vetëm për qëndrimin besnik ndaj këtij zhanri letrar, por edhe se e përfaqësoi atë në nivele të larta.
Çiraku e vlerësoi shkrimtarin për një regjistër ligjërimi të veçantë, origjinal, në letërsinë shqipe, duke e radhitur përkrah tregimtarëve të suksesshëm të kohës si Mitrush Kuteli, Dhimitër S. Shuteriqi, Sotir Andoni, Jakov Xoxa, Vath Koreshi, Teodor Laço, Faik Ballanca etj.
Çiraku bëri një analizë estetike të tregimeve dhe të galerisë së personazheve në krijimtarinë letrare të Naum Priftit. Ai i vlerësoi tregimet për intensitet të dukshëm nga aspekti rrëfimtar, si dhe për galerinë e pasur të personazheve me karaktere të përkundërt e shfaqje të befta.
“Tejkalimi” estetik i kufijve të poetikave të zhanreve, është një nga tiparet e dallueshme të këtij tregimtari”, – tha prof. Çiraku.
Çiraku e vlerësoi Naum Priftin edhe për intensitetin emocional, ritmin e brendshëm të rrëfimit, si dhe për teknikat e shtjellimit kompozicional në nivel të sigurt intuitiv, për dialogun ekspresiv dhe dukshëm të pranishëm, veçori që tërhoqën vëmendjen e regjisorëve kineastë apo atyre të teatrit, si te filmat “Pylli i lirisë” dhe “Tokë e përgjakur”, që janë mbështetur në tregimet mjaft të njohura si “Ndjekësi i kuajve”, “Litar i zjarrtë” apo edhe skenarët e filmave të tjerë si: “Kush vdes në këmbë”, “Fejesa e Blertës”, “Pika e ujit” (film vizatimor), të mbështetura po në tregimet e këtij autori dhe ku ai shpesh është dhe bashkëskenarist.
Ai tha se shkrimtari nuk reshti së krijuari e së angazhuari plot përkushtim me veprimtari letrare e atdhetare, edhe në periudhën e dekadave të fundit, kur ai u vendos që të jetojë familjarisht në SHBA, ku qëndroi deri sa u nda nga jeta, këtu e një vit më parë.
Akademiku Shaban Sinani, sekretar shkencor në Akademinë Shkencave, paraqiti një kumtesë të përgatitur së bashku me prof. Tomor Plangaricën, “Memuaristika dhe eseistika, si dy profile të vlerta të shkrimësisë së Naum Priftit”.
“Një personalitet si Naum Prifti i përket letërsisë si institucion, me kontribute të shumanshme në trashëgiminë letrare të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar e më pas: prozator në shumicën e llojeve e nënllojeve letrare, por veçmas mjeshtër i prozës së shkurtër; me 16 vëllime me tregime e 40 të tjera me novela e përralla; po aq i shquar në llojet e dramatikës, me 15 drama, komedi e dramatizime; me vend të shënjuar për skenarë të filmit artistik, dokumentar e vizatimor (jo pak, por 12 skenarë të tillë); përkthyes a shqipërues i disa kryeveprave të letërsisë botërore për fëmijë e të rinj; autor jetëshkrimesh, monografish dhe krijimesh didaktike; me disa vepra të përkthyera në gjuhët anglisht, frëngjisht, rusisht, italisht, gjermanisht, arabisht, bullgarisht, greqisht; zë vend natyrshëm në hapësirat qendrore të saj”, tha Sinani.
Përmes kumtesës së akademikut Sinani dhe prof. Plangaricës u paraqit angazhimi në publicistikë, eseistikë e memuaristikë i Naum Priftit, angazhim i nxitur fillimisht si plotësim i kërkesave të përditshmërisë e më pas bëhet pjesë e përmbushjes së misionit që shkrimtari duhet të luajë në shoqëri. Kjo trashëgimi është një anë e panjohur ose jo aq e përmendur e Naum Priftit si krijues. Ajo është produkt kulturor i përftuar kryesisht përgjatë viteve të para nëntëdhjetës; që mbeti i pabotuar, sepse ishte jashtë konteksteve kufizuese ideologjike të asaj periudhe; një produkt i përftuar me pengun e pamundësisë së botimit, por njëherazi me entuziazmin e përmbushjes së misionit të intelektualit.
Eleni Karamitri mbajti një kumtesë, ku spikati modernitetin e veprës së Naum Priftit. Ajo vuri në dukej se letërsia e Naum Priftit vjen moderne edhe në kohën e sotme, novatore dhe e pandashme nga letërsia bashkëkohore shqiptare dhe ajo e diasporës.
Dr. Kastriot Gjika përgëzoi Akademinë e Shkencave dhe kryesinë e saj për rivlerësimin e shkrimtarit, dramaturgut dhe kineastit Naum Prifti.
Ai u ndal te kontributet në letërsinë për fëmijë, të cilat sipas tij janë të nënçmuara.
Naum Prifti është angazhuar në disa zhanre të letërsisë për fëmijë, – tha Gjika, – dhe e vlerësoi shkrimtarin si një zë origjinal, mjeshtër të prozës shqipe. Dr. Gjika kujtoi veprën “Legjenda dhe rrëfime për Skënderbeun” dhe “Erë mali, erë fushe”, ku ndër cilësitë mjeshtërore të rrëfimit përmendi rrëfimin në vetën e parë dhe zgjerimin e tematikës së tregimeve të lidhura me problemet e zhvillimit psikologjik të moshës fëminore.
Ai vuri në dukje se novelat si “Cikoja dhe Beni” e tregime të tjera që lidheshin me Luftën Nacionalçlirimtare janë shprehje e mjeshtërisë së rrëfimit, ku më shumë se tema lë gjurmë niveli artistik.
Në përrallat për fëmijë, ai e quajti Naum Priftin ideator të krijimit të përrallave të kultivuara me karakter njohës dhe shkencor, si vëllimi “Përralla për një muaj”, “Pika e ujit”, që u bë film i animuar, por edhe “19 rrëfime për Skënderbeun”.
Ermira Alija paraqiti një këndvështrim të veçantë të veprës në fokusin e perceptimit të lëvizjeve dhe veprimeve në veprën e Naum Priftit, ku sintetizohen raportet psikologjike me ato emocionale, të cilat e rrisin intensitetin e tërheqjes së vëmendjes së lexuesit në shkrimet e tij.
Dr. Anxhela Çikopano mbajti kumtesën “Naum Prifti: Teatri në kohën e krizës”, të cilën e prezantoi me materiale dhe foto ilustruese nga arkivat.
Dr. Çikopano vuri në dukje se Naum Prifti në librin “Teatri në kohën e krizës” shpreh shqetësimin për zhbërjen nga të rinjtë të letërsisë së realizmit socialist, ose siç e quante ndryshe ai, të mungesës së realizmit kritik ose të realizmit afermativ. Por, nëse ka një autor puna e të cilit nuk mund të zhbëhet, tha Çikopano, edhe pse cilësohet si i autor i brezit të realizimit socialist, është pikërisht zoti Prifti. Dramaturgjia e tij është e pakohë, me vepra që mund të vihen edhe sot në skenë, gjë që nuk haset shpesh mes veprave të asaj kohe, qoftë edhe të ndaluara.
Ajo kujtoi pjesën e parë dramaturgjike “Rrethimi i bardhë”, me të cilën u çel teatri i Elbasanit, po vetë autori sado entuziast që ishte, kur e pa veprën e tij të parë të mishërohej nga aktorët në provat e tavolinës, na tregon se premiera e saj nuk e kishte ngrohur, pasi temporitmi qe i ulët dhe kërkonte shumë kohë ndërrimi i skenave.
Dr. Evalda Paci mbajti kumtesën “Receptimi në dy kohë i një autori të letërsisë për fëmijë”, ku trajtoi çështjen e imazheve e përfytyrimeve rreth një habitati që autori i letërsisë për fëmijë Naum Prifti e kishte përndarë në sa përshkrime e rrëfime të disa dimensioneve.
“Si autor i prozës së shkurtër, Naum Prifti ka transmetuar në gjallërinë përkatëse përvoja të një veçanësie të rrallë, të rezervuar nga vetë përjetimet e tij, të risjella në vite në botime e ribotime, fakt që ka pasuruar së tepërmi bibliotekën e letërsisë për fëmijë e të rinj”, tha dr. Paci.
Ajo e vlerësoi Naum Priftin si një autor që i kushtohet letërsisë për fëmijë, që bëhet vetiu transmetuesi i një bote të veçantë për lexues të një moshe gjithashtu të veçantë, të pajisur e të karakterizuar nga një kureshtje e natyrshme, gjithnjë me pikëpyetjet rreth çështjesh themelore që më tej do të përkthehen në të tjera sfida e dëshira për të ditur më shumë e më qartë.
Në fund të veprimtarisë përshëndetën dy vajzat e shkrimtarit Julka dhe Rafaela, të cilat shprehën mirënjohjen dhe falënderuan veçanërisht Kryetarin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Skënder Gjinushin, akad. Shaban Sinanin dhe akad. Gëzim Hoxhën për organizimin e veprimtarisë.
Vajzat e shkrimtarit falënderuan përzemërsisht akademikët dhe studiuesit që mbajtën kumtesat.
Veprimtarinë e mbylli administratori i minibashkisë nr. 8, Erjon Xhafa, me një surprizë të veçantë. Ai iu dorëzoi Julka dhe Rafaela Priftit, në emër të Kryetarit të bashkisë, Erjon Veliaj, “Certifikatën e mirënjohjes” për shkrimtarin Naum Prifti. / atsh / KultPlus.com
Turizmi i Kujtesës dhe krijimi i pavijoneve të dedikuara në panairet ndërkombëtare ishte një nga idetë e reja, e cila u promovua gjatë Panairit më të madh të Turizmit ITB Berlin, me qëllim mbrojtjen e kujtesës kolektive, kundër luftës dhe shkatërrimit që ajo mbjell.
“Së bashku me Ukrainën për Turizmin e Kujtesës. Pandemia e Luftës, një kërcënim real për turizmin”, u titullua aktiviteti i organizuar në mjediset e ITB Berlin nga Dritan Gremi, një nga nismëtarët e turizmit shëndetësor në Shqipëri në bashkëpunim me Mariana Oleskiv, Drejtoreshë e Agjencisë Kombëtare të Zhvillimit të Turizmit në Ukrainë.
Në këtë aktivitet u evidentua edhe një projekt për të identifikuar dhe ndërtuar një rrjet të vendeve të luftës, që do të kthehen në pika të vizitueshme për turistët, për të treguar pasojat e luftës dhe të vërtetën e saj.
“Si vend ne e ndiejmë suport nga shumë shtete, por ata që kanë një kuptim më të mirë të asaj që po ndodh janë vendet që kanë jetuar nën regjimin komunist”, tha Oleskiv./ atsh / KultPlus.com
Romani “Shitësi” i autorit Andrin Aliu do të promovohet më datë 18 mars, ora 19:00 në KultPlus Caffe Gallery.
“Shitësi” është një roman psikologjik, për të cilin autori ka punuar mbi tri vite.
Gjatë promovimit në panel do të jetë autori Andrin Aliu dhe redaktori i librit Sabit Jaha.
Përshkrimi i ngjarjes në libër
Është vera e vitit 2012, në Prishtinë, kur jeta e Zgjimit, gjimnazist dhe bir i një dëshmori, do të ndryshojë përgjithmonë. Në të njëjtën ditë që ka filluar punën si shitës në një market, rrugës për në apartamentin e tij, ai do të hasë një afishe ngjitur në murin e një pallati, ku shkruan: Kërkojmë mirëmbajtës të pallatit. Poshtë këtij shënimi është edhe një numër kontaktues. Zgjimit i bën përshtypje kjo ofertë pune dhe e fotografon afishen, teksa pas disa ditësh ai telefonon në numrin e shkruar në afishe. Shumë shpejt ky djalosh do të takohet me zotërinë që kërkon një mirëmbajtës pallati, dhe do të pranojë ofertën për punë, pa e pasur idenë se punëdhënësi i tij i ri, dikur ka qenë shoku më i ngushtë i babait të tij deri në çastet e fundit të jetës, atëherë kur kishte ndodhur një prej masakrave më të llahtarshme në luftën e vitit 1999, në Kosovë.
Rreth autorit
Andrin Aliu ka lindur më 1 dhjetor 1995 në Podujevë, kurse aktualisht banon në Prishtinë. Ka përfunduar studimet në Fakultetin Ekonomik, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”. Letërsia është pasioni i tij më i madh.
“Shitësi” shfaqet si një roman psikologjik dhe autori fton të gjithë ata që e duan letërsinë, ta lexojnë këtë libër, sepse sipas tij, nuk do t’iu duhet tepër kohë për t’u bindur se rrëfimi nuk është aspak i zakontë. / KultPlus.com
Komisioni i ngritur nga Akademia e Shkencave për konkursin e pranimit të anëtarëve të rinj të Akademisë së të Rinjve, në përputhje me kriteret bazë të Statutit dhe “Kartës themelore të ALLEA-s” ka shpallur 9 kandidatë fitues.
Pas më shumë se katër muajsh nga data e fillimit, konkursi u mbyll dhe komisioni i pranimit shqyrtoi dosjet e kandidatëve të regjistruar; bëri pikëzimin e meritave të tyre shkencore dhe renditjen; verifikoi përputhshmërinë me kriteret dhe, në mbledhjen e sotme, shpalli nëntë fitues, si dhe rikonfirmoi tre nga anëtarët e mëparshëm nën moshën 40 vjeç.
Me përbërjen e re, Akademia e të Rinjve ka quorum-in e nevojshëm për të funksionuar sipas ligjit e statutit.
Anëtarët e rinj të Akademisë së të Rinjve janë Aulon Shabani, Erald Sino, Joniada Barjaba. Jonida Llupa, Klaudio Peqini, Ledia Vasjari, Redion Luli, Resul Telaj dhe Romina Muka.
E themeluar me një vendim të Kryesisë në vitin 2017, Akademia e të Rinjve të Shqipërisë u bë një faktor shumë i rëndësishëm hapjeje ndaj studiuesve të rinj dhe ndërlidhjeje mes brezash.
Anëtarët e saj bënë më të mirën për të promovuar një grupim studiuesish të shkencave humane e të sakta; për të rritur ndjeshmëritë dhe interesin për bashkëpunim me Akademinë e Shkencave; për të afruar bashkëpunëtorë me tregues cilësorë vlerësimi e indeksimi të punimeve të tyre.
ASHSH, megjithëse në kushte të vështira në ato vite të fillimit, e vlerësoi si përparësi fuqizimin dhe afirmimin e brendshëm dhe të jashtëm të Akademisë së të Rinjve, e cila, me punën e saj, u bë anëtare e Global Young Academies dhe vendosi lidhje bashkëpunimi me ALLEA-n.
Ringritja e Akademisë së të Rinjve të Shqipërisë po është detyrim ndaj Ligjit “Për Akademinë e Shkencave në Republikën e Shqipërisë” dhe ndaj Statutit të saj që të funksionojë sipas kornizës së re juridike. Në ligj dhe në statut ka parashikime detyruese si duhet të ndërtohet dhe funksionojë Akademia e të Rinjve.
Së dyti, sepse ALLEA ka miratuar një “Kartë të re themelore” si rregullatore njësuese e mënyrës së ngritjes dhe funksionimit të akademive të të rinjve, e cila, me disa përshtatje, është miratuar nga Asambleja e ASHSH si statut i saj.
Së treti, sepse, në respekt të kufirit moshor (deri në 40 vjeç), vetëm tre nga anëtarët themelues të Akademisë së të Rinjve mund të vazhdonin më tej anëtarësinë, duke mos pasur juridikisht mundësi për të marrë vendime.
Asambleja e ASHSH, pas miratimit të “Kartës themelore” dhe kthimit të saj në statut; shpalli kriteret për pranime të reja dhe ngriti komisionin e pranimeve, të kryesuar nga akademiku Adrian Civici.
ASHSH falënderon më së pari anëtarët e mëparshëm të Akademisë së të Rinjve, që udhëtuan bashkë me të në kohë të këqija e të mira. Sipas “Kartës themelore”, ata janë edhe më tej “alumni i ASHSH”.
ASHSH falënderon gjithashtu gjithë kandidatët konkurrentë për pjesëmarrjen e denjë në garë dhe bën të ditur se në vitet e ardhshme do të ketë tjetër konkurs pranimesh të reja.
Më 8 prill, do të zhvillohet ceremonia e dorëzimit të diplomave dhe mbledhja e konstituimit të Akademisë së të Rinjve./ atsh / KultPlus.com
Në Mitrovicë sot përkujtohet masakra që ndodhi në tregun e këtij qyteti 25 vjet më parë e ku pati viktima dhe qindra të plagosur.
Atë kohë, forcat serbe sulmuan me minahedhës derisa tregu ishte përplot me njerëz, ndërsa si pasojë mbetën të vdekur gjashtë qytetarë, në mesin e të cilëve kishte fëmijë dhe gra, ndërsa u plagosën edhe 128 të tjerë.
Përfaqësues të institucioneve komunale dhe asociacioneve të tjera në Mitrovicë, familjarë të viktimave e martirëve, si dhe qytetarë tjerë, çdo vit mblidhen në vendin e ngjarjes në nderim të viktimave të masakrës së tregut në Mitrovicë, që ndodhi 25 vjet më parë.
Pasojat shëndetësore e psikologjike të këtij sulmi të ushtrisë dhe policisë serbe i vuajnë edhe sot shumë prej atyre që ishin atë ditë në treg. / KultPlus.com