‘Bubullimë te Shkëmbi i Kavajës’ (VIDEO)

Nazmie Hoxha është këngëtare e njohur shqiptare e muzikës popullore, shkruan KultPlus.com Ajo lindi më 25 tetor 1952 në Gjonaj të Hasit të Prizrenit.

Fillet e para të karrierës së saj si këngëtare, i pati përgjatë viteve derisa studionte shkollën e mesme, ku pjesë e aktiviteteve të lira fillon ta realizojë edhe dëshirën fëminore për të interpretuar

Në ato vite ajo bëhet pjesë e Shoqërisë Kulturo Artistike të qytetit dhe fillon karrierën e saj. Me këngën “Ylli i bardhë, djalë i dashur”, Nazmia paraqitet para publikut në një koncert në Prishtinë. Nga këtu, muzikantët e kohës e shihnin si këngëtare me perspektiv dhe më këtë i hapen dyer e inxhizimit të këngëve të saja në RTP. Këngët e para të transmetuara në mjetet mediatike pos këngës së përmendur ishin dhe “Qetësia e lartë mbretëron mbi ne”, “Sa më shpejt ma vure këmbën”.

Si dukat i vogel jeOj zogo, Bubullimë te Shkëmbi i Kavajës janë disa prej interpretimeve të saj ndër vite, të cilat vazhdojnë të dëgjohen edhe sot.

Nazmia vdiq më 5 maj 2007 në Prishtinë.

KultPlus ju sjell interpretimin e saj Bubullimë te Shkëmbi i Kavajës:

Shqipëria në listën e dëshirave të të huajve: Destinacion që duhet vizituar

Stenda e Shqipërisë në panairin ndërkombëtar të turizmit ITB Berlin 2025 tërhoqi vëmendjen e shumë vizitorëve.

Ndërthurja unike e plazheve, maleve, historisë, trashëgimisë kulturore, kulinarisë së pasur dhe mikpritja karakteristike shqiptare, janë forca e vërtetë e turizmit shqiptar.

Agjencia Kombëtare e Turizmit ndau sot në rrjetet sociale prononcimin e disa të huajve, të cilët shprehen se, Shqipërinë e kanë në listën e dëshirave të tyre për ta vizituar.

“Unë jam nga Kina, mora pjesë në ceremoninë e hapjes së panairit dhe më ka bërë përshtypje fjala e Kryeministrit, ishte shumë interesant. Mendoj se ky vend duhet vizituar. Shpresoj t’ju takoj në këtë vend të mrekullueshëm”, u shpreh një vizitore kineze.

Ndërsa një vizitor tjetër tha se, “për fat të keq nuk kam qenë më parë në Shqipëri, por është në listën e dëshirave të mia”.

“Shqipërinë e kam parë nga lartësia kur kam udhëtuar në Greqi apo Gjermani. Jam shumë kureshtar dhe me siguri është destinacioni i ardhshëm. Kryesisht jam kureshtar për  bukuritë natyrore. Kam parë që keni male, por dhe deti duket i këndshëm, uji i detit është i pastër kristal. Po ashtu trashëgimia kulturore duket mjaft interesante”, tha ai.

Një e huaj tjetër u shpreh se, është e interesuar të vizitojë fshatrat e vegjël turistikë. “Nuk dua ta vizitoj Shqipërinë në verë, por në mars dhe në prill”, tha ajo.

“Unë mendoj se në Shqipëri ka shumë gjëra për të parë, ju keni detin, keni Alpet, male dhe ushqim shumë të mirë dhe nuk është shumë larg nga Finlanda, unë jam nga Finlanda. Stenda e Shqipërisë në panair është e këndshme dhe e madhe dhe përmban të gjitha logot e Shqipërisë: ka muzikë, ushqim të mirë dhe duket shumë bukur”, pohoi vizitorja finlandeze.

Ndërsa një çift shprehu kureshtje për të vizituar Shqipërinë, pasi siç thanë ata, “kemi parë në televizor që Shqipëria ka vende shumë”.

“Është një vend i këndshëm dhe na pëlqen shumë, kemi parë shumë dokumentarë për Shqipërinë. Ju keni realizuar një stendë të madhe të bukur shumëngjyrëshe dhe mendoj se përfaqësoni kulturën e vendit tuaj. Jam kureshtar dhe dua ta vizitoj, pasi nga ajo që kam parë në televizion, njerëzit janë të sjellshëm, kostumet tradicionale janë të bukura dhe duket një vend me trashëgimi të pasur kulturore. Duam ta njohim më mirë Shqipërinë”, tha ata.

Sonte jepet premiera e filmit ‘The River’ në Athinë

Sonte, në Athinë jepet premiera e filmit “The River” nga regjisori Haris Raftogianis.

The River- “njihet si bashkëpunimi i parë mes Greqisë dhe Kosovës ne kinematografi”, thuhet në njoftimin e Qendrës Kinematografike të Kosovës.

Ndër rolet kryesore luan aktorja Ilire Vinca, producent është Eshref Durmishi, Besnik Krapi.

Postproduksioni i zërit është realizuar nga In My Country Post Production, Gazmend Nela dhe Labinot Sponca./KultPlus.com

UET prezanton ekspozitën: Pikëpamje dhe Prapaskena – Eleganca e Modës në Vizatime

Ekspozita ku arti dhe moda u ndërthurën në një spektakël vizual të mbushur me kreativitet dhe elegancë erdhi nga Departamenti i Arteve të Aplikuara në Universitetin Europian të Tiranës.

Në ekspozitën e titulluar Pikëpamje dhe Prapaskena – Eleganca e Modës në Vizatime, studentët e programit “Arte Pamore” prezantuan punimet e tyre artistike në hapësirat e COD, duke sjellë një qasje të veçantë ndaj ilustrimit të modës.

“Përtej kësaj ekspozite, disa prej punëve më të mira do të realizohen konkretisht në atelie. Degëzimi i modës ka marrë një rëndësi të veçantë viteve të fundit, pasi studentët janë të interesuar që punët e tyre në aspektin e dizanjit, ti konkretizojnë me produkte konkrete”, tha Belina Budini, dekane e UET.

Kjo ekspozitë shpalosi talentin e tyre të jashtëzakonshëm në interpretimin estetik të veshjeve dhe stilit, ndërsa njëkohësisht hodhi dritë mbi prapaskenat e procesit krijues nga ideja fillestare, te vizatimi i detajuar e deri te finalizimi i një kompozimi artistik unik.

“Sot është një ditë shumë e veçantë për mua pasi përmes frymëzimeve të mia kam vendosur të shpalos artin tim në disa skica”, u shpreh Sibora Mestani, studente e UET.

Çdo punim në ekspozitë përfaqësonte një histori të veçantë, ku linjat, ngjyrat dhe teksturat ndërlidheshin për të sjellë një vizion të ri mbi botën e modës.

“Më vjen mirë që shoh të rinj që kanë kaq shumë pasion për artin dhe për të bukurën. Patjetër që do realizojmë që këto skica mos të mbeten vetëm skica. Të ndihmojmë këto të rinj që të vazhdojnë pasionin për artin, modën e të bukurën”, tha Greis Petroviq nga Greis Models Aga Clothing.

Përmes kësaj ekspozite, studentët jo vetëm që ndanë interpretimet e tyre artistike, por edhe sfiduan kufijtë e dizajnit, duke eksploruar dimensione të reja të krijimtarisë./euronews/ KultPlus.com

‘Danubi blu’ tashmë valsi edhe i hapësirës ndëryjore

Filarmonia e Vjenës do të luajë “Danubin blu” të Johann Straussit në kryeqytetin austriak më 31 maj, me koncertin që do të transmetohet edhe me një sondë ”Voyager 1” në hapësirën ndëryjore.

”Antena ‘Deep Space’ e Agjencisë Evropiane të Hapësirës (ESA) në Spanjë do të transmetojë melodinë e famshme”, tha sot Norbert Kettner, kreu i Turizmit në Vjenë.

Orkestra do të luajë veprën në Muzeun e Artit të Aplikuar (MAK) të qytetit.

Kur u nis në vitin 1977, sonda mbajti 27 regjistrime muzikore nga kompozitorë duke përfshirë Bach, Beethoven dhe Mozart, por jo valsin e Straussit, i cili është bërë një melodi jozyrtare me temë për hapësirën pas filmit fantastiko-shkencor të Stanley Kubrick “2001: Një Odise Hapësinore”.

”Voyager 1” ka në bord një disk audio-vizual të veshur me ar që përfshin fotografi dhe informacione mbi Tokën, si dhe regjistrime të ndryshme, duke përfshirë muzikën.

Kjo është bërë në rast se sonda gjendet ndonjëherë nga qytetërimet aliene.

Ngjarja është pjesë e një fushate të Turizmit të Vjenës që shënon ditëlindjen e 200-të të Strauss këtë vit.

ESA feston 50-vjetorin e themelimit të saj më 31 maj.

”Voyager 1” dhe ”Voyager 2” tani janë rreth 25 miliardë kilometra larg nga Toka dhe shumë përtej sistemit tonë diellor.

Sinjali pritet të marrë rreth 23 orë për të arritur në ”Voyager 1”.

”Nëse sinjali mund të merret diku tjetër varet nga aftësitë teknike të çdo qytetërimi që e merr atë”, thanë organizatorët./atsh/ KultPlus.com

Gjithmonë do gjenden dy sy gruaje që mbysin gjithkund dhimbjen tënde

Poezi nga Evgenij Jevtushenko

Gjithmonë do gjendet një dorë gruaje,
Që vjen të perkedhel me ëmbëlsi.
Me dashurinë e butë të vëllait,
Të qetëson kur s’ke dashuri.

Gjithmonë do gjendet një sup gruaje,
Ku ti mbështet kokën mendjelehtë.
Dhe, duke marrë frymë me zjarr,
Ajo të beson ëndrrën e vet.

Gjithmonë do gjenden dy sy gruaje,
Që mbysin gjithkund dhimbjen tënde.
Dhe, nëse të mbetet pakëz vuajtje,
Ata, të paktën, të shohin me dhembje.

Por ka dhe të tilla duar gruaje,
Që të sjellin mrekullinë.
Dhe kur të prekin ballin e lodhur,
Ke gjetur fatin, përjetësinë.

Por ka dhe të tilla supe gruaje,
Që do të duheshin përgjithmonë.
Që ti në to veç një natë u mbështete,
Gabimin e kuptove shumë vonë.

Por ka dhe të tillë sy gruaje,
Që të shohin me pikëllim gjithnjë.
Dhe mbeten për ty, sytë e shpirtit,
Deri në çastin kur ti s’je më.

Por ty, kundër dëshirës tende,
Të duken pak ato duar dhelëse.
Të duken pak supet dhe sytë,
Dhe i tradhton në ndjenja dehëse.

Dhe ja,
Ato hakmarrëse ngrihen kundër teje:
Tradhtar! – të thotë shiu nëpër lotë:
Tradhtar! – Era të përplaset në fytyrë:
Tradhtar! – pylli të thotë.

Dhe ti, me shpirt të penduar,
Ndjen turp dhe vetes kurrë s’ia fal.
Vetëm ato duar që ke tradhtuar,
Të falin gjithçka, thjesht pa fjalë.

Dhe vetëm ato supe të lodhura,
Të falin dhe janë gati të falin gjithmonë.
Dhe vetëm ata sy të trishtuar,
Të falin atë që as vetes s’ia lejon./ KultPlus.com

“Zërat e Kujtesës”, të rinjtë rrëfejnë përmes artit krimet e komunizmit

Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit hapi sot në mjediset e Piramidës së Tiranës ekspozitën “Zërat e Kujtesës”, me punime të nxënësve të Shkollës së Mesme Artistike “Jan Kukuzeli”, Durrës.

Punimet e nxënësve (vizatime, piktura, instalacione) janë frymëzuar nga dëshmitë e personave të persekutuar gjatë regjimit komunist, të cilat i ka botuar ISKK në kolanën “Zërat e Kujtesës”.

Drejtori ekzekutiv i ISKK, Çelo Hoxha, e konsideroi ekspozitën një konkretizim të gjallë të nevojës për njohjen e së shkuarës nga brezat e rinj, me qëllim që krimet e ndodhura gjatë regjimit komunist të mos harrohen.

Ideatorët e ekspozitës, përgjegjësja e Sektorit të Kërkimit Shkencor në ISKK, Brisejda Lala, dhe pedagogu i pikturës në Shkollën e Mesme Artistike, “Jan Kukuzeli” në Durrës, Franc Priska, shpjeguan për të pranishmit punën me nxënësit të cilët mundën që të sillnin për vizitorët përvojën në njohjen e së shkuarës, e cila tashmë është jetësuar në telajot e ekspozuara.

Më pas ishin vetë nxënësit, autorët e punimeve, që treguan përvojat personale të njohjes së të shkuarës gjatë regjimit komunist, duke treguar se prindër apo gjyshër të tyre i kishin përjetuar këto krime që tashmë nxënësit i kanë sjellë në pamjet vizuale në këtë ekspozitë./atsh/KultPlus.com

Ikona e vitit 1860, në proces restaurimi dhe konservimi

Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë tregoi përmes rrjeteve sociale procesin e restaurimit dhe konservimit të ikonës së Johan Pagëzorit.

Ikona “Johan Pagëzori” ka qënë në një ikonostas për të cilin nuk ka shumë informacion. Ajo është pikturuar në vitin 1860 dhe kishte pësuar dëmtime të mëdha. Ishte rrëzuar një pjesë e konsiderueshme e shtresës pikturale duke zbuluar gruntin e bardhë. Verniku ishte errësuar dhe oksiduar.

Pas konsolidimit të shtresës së gruntit dhe pikturës dhe pas largimit të vernikut të degraduar, ikona është në procesin e ndërhyrjeve estetike që kapin një pjesë të konsiderueshme të sipërfaqes së saj.

Figurës së Johan Pagëzorit i janë dedikuar një numër i madh ikonash. Vitin e kaluar MKMA, në kuadër së Ditës së Muzeve, organizoi një ekspozitë me 13 ikona të cilat rrëfejnë ngjarjet kryesore në jetën e Johan Pagëzorit. Disa prej këtyre veprave nuk u njihet autori, ndërsa të tjera janë realizuar nga Kostandin Jeremonaku dhe Vangjel Zengo. Ikonat janë realizuar në periudha të ndryshme prej shekullit të 14-të deri në shekullin e 20-të.

Johan Pagëzori është një ndër figurat më të rëndësishme të krishtërimit, i njohur ndryshe si “pararendësi”./atsh/KultPlus.com

Hija ime

Poezi nga Teodor Keko

Me hijen time ik në rrugë,
Ajo e sheshtë gjith aq e zezë.
E di saktësisht se ç’mendoj unë,
Pjerrtas më sheh si një të mjerë.

Unë hijen time nuk e njoh,
S’ia di mirësitë e as tradhëtitë,
Nuk di as kur do më lëshojë,
Kur do të më ngarkojë në shpinë. / KultPlus.com

“Tales of time”, shfaqje e baletit kontemporan në Teatrin Eksperimental

“Tales of time” (Rrëfimet e kohës) ishte shfaqja e vënë në skenë gjatë fundjavës, nga Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.

“Tales of time” ishte një prodhim i Teatrit Eksperimental në bashkëpunim me Ambasadën Austriake në Tiranë, me koncept e skenografi të Anna Possarnig. Në skenë performuan: Valentina Myteveli, Mariel Brahimllarid dhe Semela Skënderasi nën tingujt e Joel Diegert.

Baleti kontemporan preku historitë që përbëjnë përvojën njerëzore, narrativat e ndryshme mbi të cilat ne e bazojmë jetën dhe identitetin tonë. Shfaqja erdhi si një eksplorim i rrëfimeve tradicionale popullore të të dy vendeve dhe i kontekstualizoi ato me realitetin tonë të perceptuar.

Performanca rreket t’u japë përgjigjje pyetjeve të tilla si: Kush jemi ne dhe sa prej nesh është ndërtuar përmes përvojës së paraardhësve tanë? Cilat janë ngjashmëritë midis historive tona personale? Si është e ndryshme jeta jonë moderne? Nga çfarë jemi krijuar? Dhe mbi të gjitha, a nuk po funksionojmë ende sipas të njëjtave rregulla, edhe pse dixhitalizimi ndryshoi jetën tonë të përditshme?./atsh/KultPlus.com

Luigj Gurakuqi më 1912: Shqiptarët nuk do të bëhen sllavë

“La Petite République” ka botuar të martën e 19 nëntorit 1912, në faqen e tretë, një shkrim në lidhje me intervistën e Luigj Gurakuqit dhënë gazetës “Neues Wiener Tagblatt”.

Shkrimi është si më poshtë:

“Neues Wiener Tagblatt boton një intervistë të Dr. Luigj Gurakuqit, një shqiptar i shquar, i cili udhëtoi nëpër Vjenë për t’u nisur për në Vlorë. Çështja e Lindjes nuk do të zgjidhet përfundimisht, thotë ai, nëse Serbia ose Mali i Zi pushtojnë qoftë dhe një pjesë të vetme të Shqipërisë”.

“Shqiptarët nuk duan të bëhen sllavë, ata duan të jenë të pavarur dhe do ta fitojnë pavarësinë ose do të vdesin duke luftuar për të”./ KultPlus.com

Më 10 mars 1907 botohej gazeta e parë satirike shqiptare

Në kryeqytetin Bullgar, Sofje më 10 Mars 1907, u botua numri i parë i gazetës satirike “Stick” (Shkopi), drejtuar nga patrioti i madh shqiptar Athanas Tashko.

Gazeta u shpërnda falas duke pasur në fokus pavarësinë shqiptare dhe duke mbrojtur të drejtat e kombit shqiptar.

Përmbajtja u përgatit nga kolonia shqiptare e Egjiptit. Gazeta kishte ngjyra satirike dhe trajtonte çështje shoqërore dhe politike.

Si gazeta e parë satirike shqiptare pati një jehonë të madhe. Në faqet e saj, ajo mbrojti të drejtat kombëtare, lirinë dhe pavarësinë e njerëzve, çështjen e gjuhës shqipe dhe të shkollave. / KultPlus.com

Ishujt fatlumë

Poezi nga Fernando Pesoa

Cili zë vjen mbi tingullin e valëve
Që nuk është zëri i detit?
Është zëri i dikujt që na flet,
Po, nëse nderim veshin, hesht,
Pikërisht sepse zumë të përgjonim.

E vetëm nëse, gjysmë të përgjumur,
Dëgjojmë pa e ditur që dëgjojmë,
Ai na flet për shpresën
Drejt së cilës, si një fëmijë
Që fle, duke fjetur buzëqeshim.

Janë ishuj fatlumë,
Janë toka që nuk kanë vend,
Ku Mbreti jeton duke pritur.
Por, nëse atje shkojmë duke u zgjuar,
Hesht zëri; dhe mbetet vetëm deti.

Aktorja ikonë, Sharon Stone sot feston ditëlindjen e 67-të

Sharon Stone, aktorja ikonë e njohur për bukurinë mahnitëse dhe performancat e saj të fuqishme, sot feston ditëlindjen e 67-të, shkruan KultPlus.

Nga roli i saj kryesor në “Basic Instinct” deri tek puna e saj e fundit në “The Laundromat”, Stone ka mahnitur audiencën me talentin dhe karizmën e saj për dekada.

Stone lindi më 10 mars 1958 në Meadville, Pensilvani. Ajo nisi në aktrim në fillim të viteve 1980, duke u shfaqur në role të vogla në shfaqje televizive si “Remington Steele” dhe “Bay City Blues”. Vetëm në vitin 1992 Stone u bë një emër i njohur, falë kthesës së saj të paharrueshme si Catherine Tramell në “Basic Instinct”. Performanca e saj e guximshme, e cila përfshinte një skenë tashmë të famshme të marrjes në pyetje, i dha asaj një nominim për Golden Globe dhe e bëri atë një nga aktoret më të përfolura të vitit.

Karriera e Stone vazhdoi të lulëzonte gjatë gjithë viteve 1990, me role në filma si “Sliver”, “The Specialist” dhe “Casino”. Ajo fitoi një nominim për çmimin Oscar për punën e saj në “Kazino”, duke forcuar statusin e saj si një nga aktoret më të talentuara të Hollivudit. Stone gjithashtu u bë e njohur për punën e saj filantropike gjatë kësaj kohe, duke rritur ndërgjegjësimin për HIV/AIDS dhe duke mbështetur organizata bamirëse si amfAR dhe Elton John AIDS Foundation.

Vitet e fundit, Stone ka vazhduar të shfaqë shkathtësinë e saj si aktore. Ajo luajti në serialin e HBO-së “Mozaik” në vitin 2018, duke luajtur rolin e një autori të librave për fëmijë të kapur në një mister vrasjeje. Ajo u shfaq gjithashtu në filmin e Netflix “The Laundromat” në vitin 2019, duke fituar vlerësime kritike për performancën e saj si një e ve e pasur që kërkon drejtësi, pasi iu mashtruan paratë e sigurimit të burrit të saj.

Ndërsa Stone feston ditëlindjen e saj, fansat dhe kolegët dhe adhuruesit e saj po reflektojnë mbi ndikimin e jashtëzakonshëm që ajo ka pasur në industrinë e artit. Talenti, bukuria dhe shpirti i saj i patrembur e kanë bërë atë një ikonë të vërtetë dhe puna e saj vazhdon të frymëzojë breza të tërë aktorësh dhe aktoresh. / KultPlus.com

Arsye mos kërkoni

Jose Saramago

Mos më kërkoni arsyet, nuk i kam,     
ose do t’i jap me bollëk: ne e dimë.
Arsyet janë fjalë të lindura të gjitha
nga mitet prej të cilave mësojmë.

Mos kërkoni arsyet për të kuptuar
forcën e baticës që më mbush gjoksin,
të ndodhurit keq në botë dhe në këtë ligj:
ligjin s’e kam bërë unë, botën s’e pranoj.

Mos kërkoni arsyet, as të falurat.
Sipas meje të dashuruarit dhe të rrënuarit:
kur nata është e gjatë arrin agimi
i pranverës që do të dojë të lindë

Përktheu: Faslli Haliti. / KultPlus.com

18 vjet nga mbarimi i bisedimeve për statusin e Kosovës

Në Vjenë të Austrisë më 10 mars 2007, mbarojnë bisedimet për statusin përfundimtar të Kosovës mes shqiptarëve dhe serbëve pa marrëveshje.

Të pranishëm ishin krerët e Kosovës Fatmir Sejdiu, Agim Çeku, Kolë Berisha dhe të tjerë dhe Serbisë, Boris Tadic, Vojislav Kostunica dhe të tjerë, si dhe i dërguari i OKB-së për statusin, Martti Ahtisaari.

Ahtissari shprehu keqardhje që nuk është arritur asnjë marrëveshje. Ai edhe njoftoi se dokumenti përfundimtar për statusin e Kosovës do t’i dërgohet Këshillit të Sigurimit të OKB-së në fund të këtij muaji.

Albert Rohan, bashkëpunëtor i Martti Ahtisaari i dorëzon OKB-së propozimin e Ahtisaarit për statusin e Kosovës, 15 mars 2007. Plani direkt propozon pavarësi për Kosovën. / KultPlus.com

114 vjet më parë botohej në Sofje gazeta “Liri e Shqipërisë”

Si sot, më 10 mars 1911, u botua në Sofje gazeta “Liri e Shqipërisë”.

Kjo gazetë ishte një e përjavshme me karakter politik, shoqëror dhe kulturor.

Gazeta u drejtua nga botuesi Kristo Luarasi. Ai trajtoi me interes të veçantë lëvizjen patriotike dhe çlirimtare në Shqipëri dhe kolonitë e mërgimtarëve shqiptarë gjatë viteve 1911-1912, duke dhënë një kontribut të madh në jehonën e çështjes shqiptare në arenën ndërkombëtare dhe ndërgjegjësimin e opinionit publik.

Bashkëlidhur, publikimi i Luigj Gurakuqit në faqet e gazetës “Liri e Shqipërisë”. / KultPlus.com

Monumente të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në Vithkuq

Vithkuqi është një prej fshatrave më të bukur turistikë në Korçë, me një pasuri të rrallë kulturore, të cilën e dëshmojnë edhe kishat, monumente të veçanta me vlera arkitektonike dhe artistike.

Kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo, ndau në rrjetet sociale pamje nga kisha e Shën Mëhillit, një nga monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të qarkut Korçë dhe dëshmi e gjallë e pasurisë kulturore dhe historike të kësaj zone.

Kisha e Shën Mëhillit është një shembull i shkëlqyer i arkitekturës dhe artit fetar që ka karakterizuar këtë zonë për shekuj me radhë.

“Nga Kisha e Shën Mëhillit në Vithkuq deri tek qyteti i Korçës, trashëgimia kulturore e kësaj zone është një pasuri që vazhdon të jetojë, duke kontribuar në ruajtjen e identitetit dhe kulturës shqiptare”, shkruan Filo.

Vithkuqi është vendtakimi mes natyrës mbresëlënëse, artit mesjetar dhe mikpritjes.

Vizitorët vendas e të huaj e identifikojnë Vithkuqin si fshatin e kishave e manastireve, sepse dikur ka pasur më shumë se 24 të tilla, mes të cilave Manastirin e Shën Pjetrit, Kishën Shën Mërisë, Kishën e Shën Mëhillit, Kishën e Shën Thomait dhe Kishën e Shën Gjergjit.

Kishat e Vithkuqit të tipit bazilikë janë të pasura me afreske dhe ikonastase të punuar nga mjeshtërit e pikturës, vëllezërit Zografi./atsh/KultPlus.com

Dita Ndërkombëtare e Grave Gjyqtare

Sot është Dita Ndërkombëtare e Grave Gjyqtare. Organizata e Kombeve të Bashkuara thotë se, përfaqësimi i grave në gjyqësor është i rëndësishëm për shumë arsye. Përveç garantimit që sistemi ligjor të zhvillohet duke pasur parasysh të gjithë shoqërinë, ai gjithashtu frymëzon gjeneratën e ardhshme të gjyqtareve femra dhe i motivon ato për të arritur qëllimet e tyre.

“Vetëm përmes pjesëmarrjes aktive të grave, në kushte të barabarta me burrat, në të gjitha nivelet e vendimmarrjes, ne do të arrijmë të arrijmë zhvillim të qëndrueshëm, paqe dhe demokraci”, thekson OKB-ja.

Gratë gjyqtare sjellin këndvështrime dhe përvoja të ndryshme, duke forcuar sistemet gjyqësore. Gratë në role drejtuese ndihmojnë në prishjen e rrjeteve të marrëveshjeve të fshehta, duke i dhënë një goditje korrupsionit.

Pavarësisht angazhimit të shtuar të grave në jetën publike, ato mbeten dukshëm të nënpërfaqësuara në pozitat vendimmarrëse, veçanërisht në pozita të larta drejtuese gjyqësore.

OKB bën thirrje për më shumë vëmendje ndaj Ditës Ndërkombëtare të Grave Gjyqtare, e cila këtë vit kremtohet me temën “Gratë në Drejtësi, Gratë për Drejtësi” për të promovuar pjesëmarrjen e plotë dhe të barabartë të grave në të gjitha nivelet e gjyqësorit, për të festuar progresin që është bërë dhe për të rritur ndërgjegjësimin për sfidat e ardhshme./atsh/KultPlus.com

24 vjet nga vdekja e piktorit të shquar, Fatmir Haxhiu

Fatmir Haxhiu është njëri ndër piktorët më të shquar shqiptar, shkruan KultPlus.

Ai lindi në vitin 1927 në qytetin e Gjirokastrës. Më pas familja e tij u zhvendos në Tiranë, aty ku piktori do të jetëoj deri në ditën e vdekjes, më 10 mars të vitit 2001.

Haxhiu kryen me sukses studimet në Zagreb për t’u kthyer në atdhe me pasion të madh për pikturën. Fatmir Haxhiu do të marrë pjesë në aktivitete artistike e festa kombëtare.

Vitet ’50 janë shumë të frytshme për të. Ai bëhet krijues i studios së parë ushtarake në Shqipëri, ku pasohet dhe nga artistë të tjerë, derisa në vitin 1959 merr pjesë në ekspozitën kombëtare të pikturës, ku vlerësohet me çmimin e dytë. Haxhiu ka qenë aktiv me vizatime e grafika në revistën “10 korriku”, po ashtu ka krijuar shumë ilustrime me emocion dramatik.

Gjatë karrierës së tij të pasur, Haxhiu, nderohet me shumë cmime të rëndësishme, përfshirë Çmimin e Republikës së shkallës së parë dhe të tretë. Gjithashtu atij iu ndanë titujt e lartë “Piktor i Merituar”, “Mjeshtër i Madh i Punës”.

E, veprat e tij u bënë popullore pasi që ai i botoi ato nëpër shumë gazeta të kohës si “Drita”, “Puna”, “Zëri i popullit”, “Ylli” e të tjera. / KultPlus.com

“Express”: Shqipëria, “Maldivet e Evropës”, ​​destinacioni i ëndrrave për turistët e huaj

Maldivet janë një destinacion ëndrrash për shumë turistë, por gjithashtu është një fluturim i gjatë dhe i shtrenjtë. Megjithatë, ekziston një alternativë shumë më e lirë që është më pranë – dhe po aq e bukur, shkruan Milo Boyd për të përditshmen britanike “Express”.

Maldivet, me shtrirjet e gjera të plazheve të pacenuara me rërë të bardhë dhe detin blu idilik, natyrisht tërheqin vizitorë nga e gjithë bota. Megjithatë, ekzistojnë një sërë arsyesh bindëse pse disa mund të tërhiqeni nga një udhëtim i tillë.

Udhëtimi drejt këtij arkipelagu përfshin një fluturim të gjatë, me një çmim të lartë; me të paktën 2,000 paund për një javë qëndrimi në ato vila të lakmuara mbi ujë gjatë pikut të sezonit – nga dhjetori në prill.

Shqetësimet mjedisore janë gjithashtu të mëdha pasi vendi po përballet me kërcënime ekzistenciale nga nivelet e përshkallëzuara të detit, duke i nxitur vizitorët e ndërgjegjshëm për klimën – të rishqyrtojnë planet e tyre të udhëtimeve.

Megjithatë, ekziston një alternativë më pranë për këtë parajsë të largët. Shqipëria, e quajtur “Maldivet e Evropës”, krenohet me plazhe po aq mahnitëse dhe ujërat e pastra kristal përgjatë Rivierës së saj të mrekullueshme.

Edhe pse vazhdimisht po fiton popullaritet, kjo perlë mbetet një opsion ekonomik në krahasim me pikat e tjera të nxehta evropiane.

“Qëndrimet luksoze ofrohen me çmime të përballueshme – me disa akomodime në plazh që kushtojnë 20 paund nata”, raporton “Mirror”.

Edhe ngrënia jashtë nuk do të dëmtojë buxhetin tuaj, ushqimet dhe pijet shpesh kushtojnë rreth 15 paund.

Shqipëria, me ujërat e saj të kristalta dhe plazhet e bardha të pacenuara, është bërë një temë e nxehtë mes turistëve falë videove virale në TikTok – që e krahasojnë atë me Maldivet, me Ksamilin që e shpall një nga vendet më të lira evropiane.

Dhe, për fat, fluturimet për në Shqipëri janë çuditërisht të përballueshme, me “Ryanair” që ofron bileta vajtje-ardhje për në Tiranë për 30 paund.

Linja ajrore buxhetore ofron fluturime drejt Tiranës nga Birmingham, Bristol, Mançester, Edinburg dhe Londër Stansted.

Për më tepër, “Wizz Air” ofron fluturime ditore nga Luton për në Tiranë të disponueshme për nën 50 paund në maj.

Shqipëria krenohet me kostot më të ulëta të jetesës në Evropë, me dhomat e hoteleve në qendër të qytetit në Tiranë që kushtojnë më pak se 30 paund, përfshirë mëngjesin.

Apartamentet buzë plazhit përgjatë bregut të Adriatikut ofrojnë pak më shtrenjtë.

Nëse zgjidhni të qëndroni në Dhërmi, mund të eksploroni çdo ditë një plazh të ri. Një drekë e këndshme buzë plazhit në zonë kushton vetëm rreth 10 paund për person./atsh/KultPlus.com

Pse njerëzit nuk buzëqeshnin në fotot e vjetra

Të gjithë pak a shumë i kemi lidhur fotot me buzëqeshjen. Ndoshta kjo është për shkak se ne mendojmë se dukemi më mirë kur kamera kap një anë më të këndshme prej nesh. Në veçanti, ne besojmë se një foto e buzëqeshur pasqyron mirëqenien tonë, një mendim mjaft i zakonshëm tani që mediat sociale janë të moderuara. Por nëse kapim fotot e vjetra të shekullit të 19-të apo të 20-të, e kuptojmë menjëherë se atëherë nuk ishte kështu. Por për çfarë shkaktohet kjo? Pse njerëzit, të paktën shumicën e kohës, nuk buzëqeshin në fotot e vjetra?

Pse nuk buzëqeshin në fotot e vjetra?

Ka disa teori që mund të japin një shpjegim të mundshëm për këtë. Sado e çuditshme të duket, në fotografitë e vjetra subjektet, pavarësisht moshës, klasës shoqërore, gjinisë, rrethanës apo gjendjes psikologjike, nuk buzëqeshnin kurrë. Ata duket se kanë fytyra të ngrysyra gjatë gjithë kohës, ndërsa herët e tjera duket se nuk kanë fare emocion. Vështrimi i tyre ishte i ngulur në hapësirë.

Por çfarë ndodhte në të vërtetë? Sipas priftit francez, John Baptist Delasalle, dhëmbët e pambuluar ishin një shenjë e pahijshme. E njëjta gjë besohej në epokën viktoriane. Por, një ndryshim i vogël në këtë teori, i jep një tjetër dimension arsyes pse njerëzit fshehin dhëmbët. Kjo për shkak se dhëmbët e tyre ishin të keq dhe për këtë arsye shmangnin shfaqjen e tyre.

Një tjetër teori është se njerëzit që pozonin për foton ishin të rraskapitur me të drejtë. Koha që duhej të qëndronin në këmbë ose të qëndronin në vend ishte objektivisht e mjaftueshme për t’i bërë ata të humbnin durimin. Kjo sigurisht me kamerat e reja që u shfaqën në vitet 1900, është diçka që ndryshoi. Shkrepja “perfekte” nuk kërkonte më shumë kohë.

Sado e çuditshme që mund të na duket që njerëzit nuk buzëqeshin në fotot e vjetra në krahasim me sot, padyshim që ka një shpjegim logjik pas kësaj. Megjithatë, këto foto gjithmonë do të kenë pak… mister./ KultPlus.com

‘Një poezi është një qytet ku Zoti kalëron nëpër rrugët si Lady Godiva’

Poezi e shkruar nga Charles Bukowski

Një poezi është një qytet plot rrugë dhe puseta
plot me shenjtë, heronj, lypësa, të marrë,
plot me banalitet dhe me gjëra për t’u pirë,
plot me shi dhe bubullimë dhe me periudha
thatësire, një poezi është një qytet në luftë,
një poezi është një qytet që pyet një lavjerrës pse,
një poezi është një qytet që digjet,
një poezi është një qytet nën bombardime
sallat e saj të berberëve plot me sarhoshë cinikë,
një poezi është një qytet ku Zoti kalëron
nëpër rrugët si Lady Godiva,
ku qentë angullijnë natën, e bëjnë flamurin
t’ia mbathë; një poezi është një qytet me poetë,
për me tepër shumë të ngjashëm mes tyre
e lakmiqarë dhe plot me ankime…
një poezi është ky qytet tani,
50 mile nga asgjëja,
9, 09 e mëngjesit,
shija e pijes dhe e cigareve,
as policë as të dashuruar që enden rrugëve,
kjo poezi, ky qytet, që kyç dyert e veta,
i barrikaduar, pothuaj bosh,
i përzishëm pa lotë, i plakur pa mëshirë,
me malet plot shkëmbinj të ashpër,
me oqeanin si një flakë trumze,
një hënë e privuar nga madhështia,
një muzikë e lehtë dritaresh të thyera…/KultPlus.com

Videoklipi i veçantë i këngës “Akoma po të pres” nga grupi 403 (VIDEO)

Grupi 403, të cilët me këngët e tyre janë kthyer në vulë të muzikës shqiptare bashkë me shumë grupe të tjera muzikore, kanë gëzuar tashmë frutet e rikthimit, shkruan KultPlus.

Hektor Gjurgjiali, tekstshkruesi dhe solisti i këtij grupi na shfaqet në forma të ndryshme në këtë këngë.

Varësisht sipas tingullit që del nga një instrument i caktuar, edhe pamja e videoklipit ndërron. Sinti, kitara klasike e ajo elektronike, fizharmonika si dhe bateritë, janë ato të cilat sjellin magjishëm këngën “Akoma po të pres”, teksa zërin e dytë e performon Arta Selimi.

Kjo këngë është komponuar nga Hektor Gjurgjiali dhe është incizuar në vitin 1995 në Tiranë dhe KultPlus më poshtë ua sjell linkun për t’a dëgjuar një mrekulli më vete./ KultPlus.com