“The Best European Show” vjen së shpejti në Prishtinë

Teatri Kombëtar i Kosovës ka njoftuar se më 25 dhe 26 prill do të shfaqet premierë në Prishtinë “The Best European Show”, që është një bashkë prodhim i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Teatro Due – Parma, Teatri Kombëtar Slloven – Nova Gorica, Teatr Opole dhe Teatru Malta.

Shfaqja do të shfaqet në Kosovë pas turneut në Poloni, Itali, Maltë e Slloveni.

“The Best European Show” me regji të Haris Pašovic, bashkëprodhuar nga pesë teatro evropiane, ndër ata Teatru Malta (MT), JK Opole Theatre (PL), Teatri Kombëtar Slloven Nova Gorica (SI), Teatro Due (IT) dhe Teatri Kombëtar i Kosovës (KS), është një komedi satirike për një juri eklektike evropiane që duhet të përcaktojë fituesit e festivalit të fundit teatror duke i hapur përfundimisht rrugën dixhitalizimit të teatrit”, thuhet në njoftimin e teatrit.

Juria përbëhet nga një kritik teatri, një zyrtar shtetëror, një divë, një drejtor teatri, një menaxher teatri dhe një shkrimtar, që formulojnë mendimet e tyre dhe kritikojnë çdo performancë gjatë një procesi rraskapitës të vlerësimit.

Teksti është shkruar nga Marko Bratush dhe Haris Pashoviq, regjisor është Hris Pashoviq, ndërsa do të luajnë Armend Smajli, May-Linda Kosumovic, Davide Gagliardini, Ana Facchini, Gianni Selvaggi, Philip Leone Ganado, Felix Römer, Weronika Kozakowska, Blazej Stencel, Jammeh Diangana, Paola de Crescenzo dhe Lumnije Sopi.

Kompozitor është Trimor Dhomi, dramaturg është Sean Buhagjar, koreografia nga Robert Nua dhe skenograf e kostumograf është Krystian Szymcak.

Shfaqja është në gjuhen angleze dhe do të jepet me titra në gjuhen shqipe./KultPlus.com

Tragjedia “Elektra”! Shfaqet premierë në Durrës me regji të Kiço Londos

Në teatrin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit po shfaqet premierë tragjedia e Sofokliut “Elektra” me regji të Kicco Londos.

E sjellë nga teatri shëtitës “Çajupi”, “Elektra” vjen para publikut durrsak me mesazhet e forta që mbërrijnë aktuale nga kohët antike në ditët e sotme.

“Është rol shumë i vështirë. Tragjeditë në vetvete janë të vështira dhe është përgjegjësi e madhe t’i luash. Elektra ka mjaft karakteristika për t’u admiruar. Është një luftarake e padorëzuar deri në fund. Ajo jeton për hakmarrjen e saj dhe e realizon duke vënë drejtësi”, u shpreh aktorja Laura Nezha.

“Është e guximshme për shkak të peshës së madhe artistike që ka Sofokliu është një gjë e rëndë. Elektra gjithashtu. Megjithatë jam i lumtur, krenar për këtë staf që bën gjithçka dhe përtej moshës së re që kanë për të mbajtur një vepër kaq të madhe”, tha regjisori Kiço Londo.

Gjatë të gjithë shfaqjes, tragjedia përfshiu emocionalisht publikun që e vlerësoi gjatë me duartrokitje trupën e aktorëve dhe regjisorin.

“Mbeta shumë i kënaqur dhe i surprizuar jo vetëm nga konceptimi regjisorial, por edhe loja e mrekullueshme e aktorëve. Një lojë ansambël, në veccanti Elektra shkëlqente. Duhen thënë fjalë jashtëzakonisht të mira për regjisorin që tregoi dhe njëherë tjetër se është regjisor i talentuar i vendit tonë”, tha Enver Plaku.

“Një shfaqje e kompletuar me të gjithë elementet. Një Elektër tipike e ditëve të sotme. Laura kishte sjellë një figurë të kompletuar me të gjitha parametrat. I uroj shumë suksese trupës së Kicco Londos dhe pastë rrugë të gjatë “Elektra”, tha Gjergj Doçi.

“Jam shumë e kënaqur për këtë. Personalisation Elektrën, publiku e ka dashur, e ka pritur mirë. Është përlotur bashkë me të. E ka ndjerë dhembjen e personazhit. Me të vërtetë që jam e surprizuar”, tha Laura Nezha.

Përmes temave të drejtësisë, familjes dhe hakmarrjes, shfaqja zbulon pasojat e zemërimit të pakontrolluar dhe fuqinë e harruar të faljes. Pas Durrësit, Elektra do të udhëtojë nëpër gjurmën e rrugës Egnatia si një realitet që bashkon edhe sot vendet e popujt.

“Ky është një projekt që do të udhëtojë nëpër rrugën Egnatia. Është një ndërthurje e teatrit të lashtësisë, teatrit të Sokratit me një rrugë nga më të lashtat jo vetëm në rajonin tonë, po në të gjithë historinë e njerëzimit. Një rrugë që ka lidhur Romën me Lindjen”, tha regjisori Kiço Londo./topchanel/KultPlus.com

‘Hana po fluturon’, shfaqja premierë në teatrin e Ferizajt

Mbrëmë, në qytetin e Ferizajt është dhënë premierë shfaqja “Hana po fluturon” me regji të Iliriana Arifi dhe autore Arta Arifi, në teatrin ‘Adriana’, shkruan KultPlus.

Aktorët të cilët kanë luajtur në shfaqje janë: Dardane Mehmeti, Edona Berisha, Dashuri Rexhepi, Arben Marevci, Gresë Gashi, Nea Hamza dhe Nexhat Xhokli, të cilët sollën historinë e përqendruar tek Anita dhe Belina dhe përpjekjet e tyre për të mbrojtur shtëpinë nga rrënimi, kujtimet dhe sekretin e fshehur për vite të tëra.

Ministria e Kulurës, Rinisë dhe Sportit ka bërë të ditur që bashkë me publikun, shfaqjen e ndoqi edhe ministri Hajrulla Çeku/KultPlus.com

Pas rajonit dhe Kosovës, filmi “Adnan Kafazi” do të ketë premierën edhe në Londër

Pas sukseseve në kinematë vendore, Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Zvicër, Gjermani e Austri, filmi kosovar “Adnan Kafazi” më 13 Tetor do ta ketë premierën në Londër të Mbretërisë së Bashkuar, përcjell KultPlus.

Filmi “Adnan Kafazi” i cili është pjesë e trilogjisë Zonjusha-Diamanti-Adnana Kafazi përveç argëtimit, kësaj radhe potencon edhe dhunën ndaj gruas, trafikimin e qenieve njerëzore dhe luftimin e dukurive negative të shoqërisë sonë.

Filmi do të shfaqet në Phoenix Cinema në Londër.

Aktori dhe producenti, Besart Sllamniku njofton që për premierën e filmit në Londër janë përkrahur nga Besnik Sahatçiu Ora dhe The Queen’s Arms.

Në Londër do të jenë prezent edhe një pjesë e kastës së filmit si: Armond Morina, Besart Sllamniku, Edona Reshitaj, Dukagjin Podrimaj, Muhamed Arifi dhe regjisori Genc Berisha.

Për të gjithë filmdashësit në Londër, biletat për premierën i kanë në dispozicion në linkun e Eventbrite:

https://www.eventbrite.co.uk/e/adnan-kafazi-in-london-tickets-709341247767. / KultPlus.com

Shfaqja “Masë për masë” e William Shakespeare, mbrëmë u dha premierë në Gjakovë

Vinçencoja, Anxhelo, Klaudi, Zhulieta dhe protagonistët tjerë të dramës “Masë për masë” të William Shakespeare, u jetësuan mbrëmë nga trupa teatrale e Gjakovës dhe Prizrenit, përcjell KultPlus.

Shfaqja bashkëprodhim i teatrove të dy qyteteve, “Hadi Shehu” dhe “Bekim Fehmiu” shpalosi një sinergji të jashtëzakonshme artistike, duke vënë sërish në pah potencialin e lartë të aktorëve.

Komedia erdhi nën regjinë e Altin Bashës, përderisa në të luajtën aktorët: Xhevdet Doda, Vlera Pylla, Besfort Berberi, Edmond Hafizademi, Edona Sopaj, Edonis Kastrati, Valmir Krasniqi, Alban Çela, Alban Krasniqi, Vlora Dervishi, Butrint Lumi, Valmira Hoti, Altina Kusari dhe Edi Gjakova.

Në mesin e shumë artdashësve, shfaqja u ndoq nga ministri Hajrulla Çeku, ministrja Albulena Haxhiu, deputetët Mimoza Kusari Lila, Adriana Matoshi, Agon Batusha, dhe drejtoresha e QKK-së, Blerta Zeqiri.

Mos i humbisni reprizat me 3 dhe 4 tetor, ora 20:00. / KultPlus.com

Premierë e jashtëzakonshme e “Prishtinë 2002” nga Trëndelina Halili në Clermon-Ferrand

Filmi i metrazhit të shkurtër “Prishtinë 2002” me regjisore Trëndelinë Halili dhe producent Ermal Gërdovci, shfaqi premierën në festivalin e filmit të shkurtër Clermont-Ferrand në Francë, njërin prej festivaleve më të mëdha ndërkombëtare të filmit të shkurtër në botë i kategorisë A, dhe i dyti në Francë pas festivalit të Kanës sa i përket audiencës.

“Ishte një ndjenjë shumë e mirë të përjetoj një gjë të tillë para një audience të madhe si kjo e Clermont. Filmi u prit shumë mirë dhe kjo gjë po hapë mundësi të reja bashkëpunimi edhe për projektet e radhës”, tha regjisorja Halili pas shfaqjes së premierës.

“Është një sukses jashtëzakonisht i rëndësishëm i radhës për kinematografinë dhe filmin tonë të shkurtë. Njëkohësisht edhe dëshmi për nivelin dhe kulturën e arritur nga kineastët tanë në tregimin e copëzave të jetës përmes mediumit të kinemasë” është shprehur drejtuesi i QKK-së Lum Çitaku me rastin e premierës së filmit.

“Prishtinë 2002” u shfaq në ekranet franceze në kuadër të edicionit të 45-të të festivalit, i cili ka nisur më 27 janar dhe do të vazhdojë deri më 4 shkurt 2023.

Filmi rrëfen historinë e nje adoleshenteje, e cila priret të transformojë vetveten, për t’i bërë përshtypje shoqes së saj të ngushtë. Ndërkohë që gjatë tërë këtij rrugëtimi, personazhi kryesor ndeshet me të papriturën.

Realizimi i filmit është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Komuna e Prishtinës, dhe prodhuar nga shtëpia e filmit Kandërr. /KultPlus.com

Shfaqja “Audience by Vaclav Havel” vjen premierë në Teatrin Oda

Teatri Oda do t’i hap dyert e saj për premierën e shfaqjes ‘’Audience by Vaclav Havel’’, në bashkëpunim me Qendrën Multimedia, shkruan KultPlus.

Publiku do të kenë rast të shohin shfaqjen më 18 nëntor duke filluar nga ora 16:00.

‘’Audience by Vaclav Havel’’ është shfaqje me skenar të shkruar nga Jeton Neziraj, regjisor Agon Myftari dhe me aktorë Shpëtim Selmanin dhe Dukagjin Podrimajn. /KultPlus.com