‘Krenaria ka shumë ngjyra’ është video-performanca që u paraqit mbrëmë para publikut në teatrin ‘Oda’ në Prishtinë si një formë e artit të guximshëm, si një reflektim mbi sfidat dhe rezistencën e komunitetit LGBTQ+ në Kosovë, shhkruan KultPlus.
Kjo video-performancë, me regji të Arlinda Morinës dhe e shkruar nga Uresa Ahmetit vjen në formën e gjashtë poezive të realizuara në performanca trupore e vizuele. Çdo poezi, shoqëruar me perforamancë i jep rëndësi në tërësi, dashurisë, triumfit e rezistencës duke zbërthyer shumëllojshmërinë e flamurit të krenarisë.
Poezitë e jetësuara nëpërmjet gjuhës së trupit, erdhën tek publiku si një emocion, ato pasqyruan frikën e shtypjes, rezistencës, stereotipeve, turpit, por duke i vënë theksin gjithmonë dashurisë, fuqizimit dhe frymëzimit të individëve queer për të jetuar në liri dhe krenari.
Regjisorja Arlinda Morina, shprehu mes emocionesh përpara të pranishmëve rëndësinë e këtij projekti, sidomos për të, duke theksuar krenarinë që i përket këtij komuniteti.
“Titulli i kësaj videoje është ‘Krenaria ka shumë ngjyra’, disa më pyetën pse nuk ia vure titullin ‘Dashuria ka shumë ngjyra’, unë ju përgjigja se ndihem krenare kush jam dhe me të gjitha ato që i kam, nuk më vjen më turp me atë se kush jam edhe shtypja n aka bërë që të ndihemi krenarë shpeshherë dhe kur nuk kemi dashur të ndihemi krenarë, edhe kur nuk kemi dashur t’i marrim të gjitha ato bullizime”, tha Morina, teksa falënderoi të gjithë për pjesëmarrjen.
Ndërkaq, Uresa Ahmeti, e cila ka shkruar poezitë që u paraqitën në këtë mbrëmje, tha për KultPlus se ky është minimumi i asaj se çka mund të bëjë ajo si artiste për këtë komunitet dhe sfidat e tyre.
“Krenaria ka shumë ngjyra është inspiruar dhe bazuar në atë se çka përfaqëson flamuri për komunitetin LGBTQ+, e që është shumëllojshmëria e përjetimeve, ndjenjave dhe dhimbjes e qëndresës që ky komunitet e ka përjetuar dhe që e simbolizon përgjatë kohërave. Ndihem shume mirë që gjithçka ka shkuar shumë mirë, pjesë e saj kanë qenë persona pjesë e komunitetit, persona të thjeshtë, e që është mënyra më e mirë që të kemi një audiencë që është e shumëllojshme, që t’i marrim mesazhet e kësaj videoje. Për mua është nevojë e të njëjtën kohë edhe nder e privilegj, sepse artisti duhet t’i reflektojnë kohërat dhe realiteti është se ky komunitet vuan nga një shtypje sistematike dhe për mua të jem pjesë e kësaj rezistence është një nder dhe një forcë shumë e madhe”, tha Ahmeti për KultPlus.
Ju kujtojmë, se ky projekt i cili ka për qëllim jo vetëm të edukonte dhe sensibilizonte publikun mbi të drejtat e njeriut është mbështetur nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport./KultPlus.com
Apple njofton përditësime në linjën e saj të telefonave çdo vjeshtë, por kompania shpesh e ka të vështirë t’i mbajë të fshehta detajet.
Përpara zbulimit zyrtar të iPhone 17, ne kemi dëgjuar tashmë mjaft sugjerime për atë se si mund të jetë ai.
Ja çfarë dihet dhe çfarë presim.
Kur do të prezantohet seria e iPhone 17?
Shumicën e rasteve, telefonat kryesorë prezantohen në shtator. Është pak herët për të zbuluar data specifike; disa vite, Apple jep vetëm një ose dy javë kohë ndërmjet dërgimit të ftesave dhe organizimit të ngjarjes. Por vitet e kaluara tregojnë se diku në shtator duhet të jetë koha kur iPhone 17 të bëjë debutimin.
Çfarë do të përfshijë linja e re e iPhone 17?
Rrjedhjet e dizajnit sugjerojnë se Apple po ndërton një telefon ultra të hollë, me gjasë që do të quhet iPhone 17 Air që të përputhet me përcaktimin e laptopit ultra të lehtë të Apple.
Mark Gurman i Bloomberg, shpesh një burim solid i informacionit të avancuar për Apple, raportoi në janar se iPhone 17 Air do të pajiset me një çip bazë A19 dhe do të ketë vetëm një lente të vetme kamere.
Mund të përdorë gjithashtu modemin e ri të brendshëm të Apple, i cili u prezantua në shkurt në iPhone 16e, shkruajnë mediat e huaja.
Më shumë detaje rreth këtij zhvillimi mund të dalin përpara shtatorit, por kjo është ajo që dihet tani për tani.
Çdo listë e re përfshin një model bazë, por me kalimin e viteve, Apple habit me shumëllojshmërinë e telefonave që ofron.
Me shumë mundësi do të ketë një iPhone 17 dhe një iPhone 17 Pro.
Apple gjithashtu është përkushtuar ndaj filozofisë së çështjeve të madhësisë dhe ka ndërtuar një opsion iPhone Pro Max me një ekran edhe më të madh dhe jetëgjatësi më të mirë të baterisë; seria e 17-të me siguri do të ketë gjithashtu një të tillë.
iPhone 17 Air duket se është gati të zërë vendin e një iPhone 17 Plus të mundshëm.
Si do të jetë iOS 19?
Jon Prosser në Front Page Tech hodhi një video në janar që tregon se si një aplikacion i ridizajnuar i kamerës mund të tregojë ndryshime më drastike që do të vijnë për sistemin operativ në linjën e ardhshme të iPhone.
Më herët në mars, Bloomberg gjithashtu mbështeti pohimin se një rregullim i iOS është në punë.
Ndryshe, nuk ka pasur një përditësim të dukshëm të iOS për disa gjenerata dhe mund të jetë emocionuese të shohësh Apple duke e bërë këtë.
Dhe ndërsa nuk kemi ndonjë rrjedhje zyrtare, duket krejtësisht e garantuar që Apple do të vazhdojë të ofrojë paketën e saj Apple Intelligence.
Priten ende përditësime të premtuara për Siri që kanë për qëllim të përfitojnë nga mjetet e AI, kështu që në mënyrë ideale ato do të përfundojnë plotësisht dhe do të integrohen deri në momentin që të arrijë seria 17.
Kompania zakonisht ndan më shumë detaje në lidhje me planet e saj të ardhshme gjatë Konferencës së saj të Zhvilluesve në mbarë botën.
WWDC 2025 ka shumë të ngjarë të ndodhë në fillim të qershorit, kështu që prisni të dëgjoni më shumë këtë verë.
Rrëfimet e mbetura në letër mbi karakterin e shqiptarëve. Shënimet e grekëve, italianëve, turqve apo francezëve mbi shqiptarët.
Faik Konica
(Nga Uashingtoni, ai vazhdonte të hidhte në letër historinë e shqiptarëve, frymëzuar nga gjithë librat që kishte lexuar, por dhe nga përvoja personale. Fati nuk deshi që Konica t’i përfundonte këto shënime, por ato janë sot si dëshmi jo vetëm e një kohe dhe një mendjeje që ka kontribuar aq shumë për çështjen shqiptare, por dhe një mënyrë për të parë një tablo të jetës sonë në ato vite. Këto shënime do të botoheshin shumë më vonë në një libër “Shqipëria, kopshti shkëmbor i Europës Juglindore”, një libër që ia vlen t’i rikthehesh shpesh për të takuar idetë përparimtare të tij.)
Për të nisur hulumtimin në karakterin e shqiptarëve, Konica ndalet te një nga gjestet që mund të quhet i rëndë për një shqiptar dhe ai është ta quash “i pabesë”. “Më së pari duhet ditur se fyerja më e rëndë në Shqipëri, është ta quash tjetrin ‘i pabesë’. Shumë gjaqe kanë pasur si pikënisje akuzën për pabesi. Kjo s’do të thotë se në Shqipëri nuk ka njerëz të pabesë, por tregon nivelin e sjelljes dhe idealin që parapëlqehet më shumë. Është interesante të vihet në dukje se në Greqinë moderne fyerja më e rëndë është ta quash tjetrin “analfabet” ose “të trashë” a “të plogët”: ideali i fqinjëve jugorë të Shqipërisë nuk është karakteri, por zgjuarsia, shkathtësia. Një fjalë e urtë e përhapur në të gjithë Shqipërinë thotë: “Shqiptari për një plesht djeg jorganin”. Kjo tregon padurimin dhe rrëmbimin, vrullin e shqiptarit. Ndoshta proverbi e ka zanafillën tek këshilla e ndonjë udhëheqësi për të mos nisur luftime të kushtueshme për punë të kota. Një sjellje edhe më fisnike shpreh fjala e urtë “Kokë e falur nuk pritet”, që do të thotë se armiku i nënshtruar ose i zënë rob nuk vritet”, shkruan ai.
Historiani bizantin, Nikiforos Gregoras, i cili nuk mund të dyshohet për simpati ndaj shqiptarëve, e përforcon faktin se shqiptarët nuk i vrasin, as nuk i shndërrojnë në skllevër, armiqtë e mundur. Është e vërtetë se Gregorasi përmend edhe emrat e disa kombësive të tjera të Perandorisë Bizantine që ndjekin po atë etikë luftarake, por edhe shembuj të ndryshëm, që dëshmojnë të kundërtën, mund të gjenden në kronikat e Bizantit. “Sidoqoftë në kohët e reja, në mes të kombeve të Europës Juglindore, vetëm shqiptarët i kanë qëndruar besnikë traditës kalorësiake që ta falin armikun e mundur”, Duke folur për femrën, ai shkruan se “është diçka e ditur dhe e vërtetuar që në Shqipëri ‘gruaja gëzon paprekshmërinë’”. “Edhe në luftimet e gjaqet më të egra, gruan s’e trazon njeri. Kur dikush ka një armik, i cili ruan rastin t’i marrë hak, kur i duhet të udhëtojë, e ndien veten më të sigurt po të jetë i shoqëruar nga ndonjë grua; megjithëse kjo mënyrë veprimi quhet si jo burrërore. Edhe hajdutët e rrugëve i përmbahen këtij qëndrimi ndaj grave”, shkruan Konica.
Ai sjell në kujtesë një ngjarje që duhet të ketë ndodhur në vitet 1900 ku në shtypin botëror shkruhej për një ngjarje: treni ndërkombëtar “Orient Ekspres”, që udhëtonte nga Parisi në Stamboll, u sulmua nga kusarët e Thrakisë. Udhëtarët meshkuj u detyruan të linin trenin me gjithë plaçkat e veta. Ndërkaq kryetari i bandës u tha grave të zinin vendet ku ishin më parë në tren dhe disa herë me radhë u kërkoi të falur për shqetësimin. Nga urdhrat që u jepte shokëve të vet në gjuhën shqipe, u mor vesh kombësia e hajdutëve. “Shqiptarët, kur flasin për veten e tyre, krenohen duke thënë se kanë shumë cilësi të mira e virtyte. Kjo është një pikë e dobët që e ka çdo komb dhe opinione të tilla nuk kanë ndonjë vlerë. Përkundrazi thëniet dhe shprehjet popullore janë gjykime spontane; ndër to, si të thuash, një komb zihet në befasi. Ne do ta vazhdojmë gjurmimin tonë po në atë vijë dhe do të përpiqemi të japim mendimin e popujve të tjerë për shqiptarët”, shkruan Konica.
Ai veçon mendimin e turqve, për shkak të afërsisë së tyre pesëqindvjeçare me shqiptarët. “Të gjithë historianët turq bëjnë fjalë për kokëfortësinë shqiptare: ‘Arnaud iunud’ do të thotë ‘shqiptari kokëfortë (i papërkulshëm)’” dhe është një shprehje e zakonshme në kronikat e vjetra turke. Turqit mendojnë gjithashtu se shqiptarët janë gjaknxehtë. “E ka një dell shqiptari”, është një shprehje turke mjaft e përhapur. Sir James Sedhouse, që e ka përfshirë këtë shprehje në fjalorin e vet monumental turqisht-anglisht, jep këtë përkufizim në botimin e ri të vitit 1921: “Arnautligi tuttu” – filloi t’i lëvizë gjaku, flet a vepron, siç bën zakonisht një shqiptar, me vrull. Sipas mendimit të komandantëve të vjetër turq, është me të vërtetë trim dhe shumë i zoti për të sulmuar, për të pushtuar ndonjë vend me mësymje, por qëndron indiferent kur kushtet kërkojnë taktikë mbrojtëse. Shqiptari vlerësohet nga turqit si tip i zgjuar, por një historian turk i shekullit XVII, Ibrahim Peçevi, thotë se “Ajaz Pasha i përkiste racës shqiptare, e megjithatë ishte shumë i zgjuar”, shkruan ai.
Sipas mendimit të turqve, interesi për para është një karakteristikë tjetër e shqiptarit, i cili është gati të futet në aventurat më të rrezikshme, mjaft që të nxjerrë ndonjë përfitim. E kishin zakon të tregonin një anekdotë në kohën e Perandorisë së vjetër turke: E pyetën shqiptarin një herë “a do të shkosh në ferr?” dhe ai u përgjigj “Sa është rroga atje?”.
Ndërsa grekët kanë një tjetër mendim për shqiptarët. Në gjuhën popullore greke, takojmë dy shprehje për shqiptarët. “Një kokë shqiptari” thuhet për një njeri të papërkulshëm e kryeneç. Kur dikush vuan nga hallet që i kanë rënë përsipër, miqtë e ngushëllojnë duke i thënë “hajt se Zoti nuk është shqiptar”, që do të thotë se Zoti është i mëshirshëm.
“Kjo akuzë për mizori kuptohet fare mirë po të shikohet në dritën e historisë: grekët për qindra vjet me radhë i kanë njohur shqiptarët vetëm si pushtues, si kusarë që u plaçkitnin qytetet bregdetare, si ushtarë të dërguar ndër ekspedita ndëshkimore, si xhandarë ose si mbledhës taksash. Grekët nuk patën rast të njohin anën njerëzore të shqiptarëve”, shkruan Konica.
Ajo çfarë e çudit atë janë italianët. “Italianët – dhe kjo të çudit shumë – megjithëse kanë pasur vazhdimisht marrëdhënie të ngushta dhe të afërme me shqiptarët, kanë vetëm një shprehje në lidhje me këtë popull. Edhe kjo nuk është diçka në favor të shqiptarëve. Shprehja “far l’albanese” mund të gjendet në të gjithë fjalorët e mirë të italishtes, si për shembull, në atë të Nikola Zingarelit (Nicola Zingarelli). Përkthimi fjalë për fjalë i shprehjes është “të hiqesh si shqiptar”, kurse kuptimi është tjetër “bëj sikur s’kuptoj; hiqem sikur nuk di gjë”, shkruan ai.
Ndërsa francezët gjithnjë kanë pasur marrëdhënie të ngushta me shqiptarët, princat e familjes së Kapetëve kanë mbretëruar në Shqipëri për afro njëqind vjet. Një shprehje që mund të takohet në kronikat e vjetra është kjo: “fier comme un albanais” – krenar si shqiptar. Edhe banorët e Ishujve Britanikë do ta kenë vizituar shpesh Shqipërinë në kohën e kryqëzatave, gjatë rrugës së tyre për në Tokat e Shenjta. Këtë itinerar ndiqnin edhe popujt e tjerë, mbasi rruga që kalonte nëpër Shqipëri ishte më e sigurta në atë kohë, kur udhëtimi për det, me anije të vogla, paraqiste rrezik.
Por këto vizita, në kalim e sipër, nuk kanë lënë gjurmë në histori. Për një grup anglezësh në Shqipëri bëhet fjalë vetëm në vitin 1457. Në këtë vit, një fisnik anglez me një kompani detarësh, erdhi në Shqipëri për të ndihmuar Skënderbeun në luftën kundër turqve. Nga këta ushtarë të guximshëm anglezë një pjesë e mirë u kthyen të gjallë në atdhe, i cili në atë kohë ishte i trazuar nga Lufta e dy Trëndafilave dhe nuk dihet çfarë përshtypjesh u la Shqipëria. Por, tre a katërqind vjet më vonë, anglezët, pasi pushtuan ishujt e Detit Jon, hynë në marrëdhënie të mira për një kohë të gjatë me Shqipërinë.
“Ata na kanë lënë disa vëzhgime të mprehta dhe të shkëlqyeshme mbi karakterin e shqiptarëve. Këto përshtypje, herë janë, herë nuk janë në favor të shqiptarëve, por vlejnë për sinqeritetin e tyre, mbasi shqiptarët për të cilët bëhej fjalë në ato studime ishin analfabetë e prandaj të paaftë të falënderonin ose të protestonin për sa thuhej rreth tyre”, shkruan Konica.
Villiam Martin Lik , i cili e filloi karrierën e vet si inxhinier ushtarak dhe e mbylli si arkeolog klasik, studimet e të cilit edhe pas një shekulli studiohen me nderim nga dijetarët, flet më se një herë në librat e vet për karakteristikat e shqiptarëve. “Plutarku na vë në dijeni. – thotë Lik, – se Pirroja ishte një oborrtar i shkathët dhe që në rini përpiqej të fitonte miqësinë e njerëzve të fuqishëm. Ky është në përgjithësi karakteri i shqiptarëve. Ata përpiqen me çdo mënyrë të sigurojnë mbrojtjen e eprorëve të tyre dhe u qëndrojnë besnikë, kur paguhen rregullisht. Kryengritjet e tyre të shpeshta zakonisht shkaktohen nga sjellja e pabesë e zyrtarëve, të cilët ndërmarrin disa punë pa siguruar më parë mjetet e duhura financiare. Shqiptarët, duke qenë zakonisht më të varfër se turqit, janë të kufizuar në kërkesat e veta, janë më të qëndrueshëm e të durueshëm, janë më të regjur me vështirësitë që në moshë të njomë”.
Në një vend tjetër, koloneli Lik shpreh këtë mendim: “Ndërsa turku krenar dhe përtac dhe fshatari i varfër grek paraqiten shpeshherë pa pikë energjie, si pasojë e shtypjes dhe e varfërisë së vazhdueshme, këta shqiptarët dallohen për veprimtarinë e tyre të palodhur. Ata i zinin të parët pikat më të larta anës udhës, sikur ishin në garë cili do të ngjitej i pari. Të gjitha pyetjeve në lidhje me topografinë u përgjigjeshin me zgjuarsi, lejen për të shikuar me teleskopin tim e quajnë si një shpërblim të madh. Nuk ka dy gjëra në këtë botë që ndryshojnë më tepër në mes tyre se sa zakonet, (sjelljet) e shqiptarëve me ato të osmanllnëve. Këta të fundit janë qeniet më flegmatike dhe të plogëta të njerëzimit, përveç rasteve kur i nxit diçka e jashtëzakonshme.
Por, për Konicën, një ndër karakteristikat kryesore të shqiptarëve, që asnjë studiues i huaj nuk e ka vënë re, është individualizmi.
Një dijetar gjerman, dr. Herbert Louis, i cili, siç e kemi thënë edhe më parë, ishte ngarkuar nga qeveria shqiptare të studionte topografinë e vendit, deklaron se në Shqipëri nuk ekziston kuptimi i fjalës turmë. “Një nga përshtypjet më të forta, – deklaron dr. Louisi – që më ka mbetur nga shqiptarët, është ajo që te secili prej tyre, vihet re një njeri me besim të madh në vetvete. Çdo individ, qoftë i zgjuar ose budalla, ka një aftësi të dukshme për të vendosur vetë dhe është mësuar të trajtojë pasurinë dhe jetën e vet në mënyrë praktike. Në një situatë të paqartë, secili jep një gjykim dhe është i gatshëm për nisma të guximshme. Me fjalë të tjera, në Shqipëri nuk ekzistojnë masa indiferente”.
“Kjo mungesë e frymës së turmës ka pasur pasoja fatale për unitetin e Shqipërisë, pasi secili përpiqej të merrte pjesë drejtpërsëdrejti personalisht, pa ndërmjetës ose të deleguar, në diskutimin e punëve publike. Ideja e shtetit për shqiptarin nuk kalonte përtej caqeve të qytetit ose përtej maleve ku banonte. Ashtu si për grekët e vjetër dhe për italianët e mesjetës, ideali i shqiptarit ishte ai i një qyteti shtet. Në rastet kur çështja kombëtare kërkonte unitet veprimi, vetëm mbas diskutimesh pa fund arrihej të merreshin masa të përbashkëta, por edhe këto shumë herë tepër me vonesë. Nëse Shqipëria u nënshtrua nga të huajt në të kaluarën, gjithmonë ndodhte për fajin e një qëndrese të pakombinuar”, shkruan Konica.
Ajo çfarë është interesante sipas tij, është dhe fakti se shqiptari, megjithëse shumë i pavarur dhe individualist, për të mos iu nënshtruar ndikimit të huaj kundër vullnetit të vet, prapëseprapë ka besim të madh në përparësinë që i takon atij që ka lindur në një familje të fisme. Ai sjell si shembull një ngjarje nga historia e kryengritjeve shqiptare, kur trazirat shkaktoheshin vetëm për shkak se caktohej si sundimtar ndonjë njeri nga familje e panjohur (pa emër). “Jo shumë kohë më parë (për të qenë të saktë, në vitin 1896) Sulltani kishte emëruar një sundimtar të përgjithshëm në Shqipërinë e Veriut, por popullsia ngriti krye, rroku armët dhe shprehu pakënaqësinë që do të sundohej nga një njeri me prejardhje familjare të rëndomtë. Një gazetar frëng i kohës vuri në dukje se “këta shqiptarët kanë një mënyrë të menduari si Montomorensia” (Duka i Montmorency, të cilit ia prenë kokën më 1632).Por qëndrimi shqiptar e ka burimin gjetiu: mbështetet në përvojën që “njeriu i ri”, njeriu i pafis (homo novus), shpesh nuk di ta përmbajë veten. Në Shqipëri dëgjohet ky proverb popullor “Kur bëhet jevgu pasha, më parë vret të atin”. Kjo shprehje popullore e shqipes është varianti i proverbit të anglishtes “Po i hipi kalit një lypës, do t’i grahë sa t’i nxjerrë shpirtin”.
Urrejtja është një tjetër. Prandaj përzierja e një autoriteti qendror në liritë lokale dhe individuale shikohet si një dhunë, ligjet që nxjerr ai autoritet qendror quhen në esencë si të padrejta dhe shkelja e tyre, sado e rëndë që të jetë, konsiderohet vetëm si një sjellje e pahijshme. Për më tepër, prej njëfarë qëndrimi patriarkal ndaj jetës, ngurron të marrë masa të rënda ndëshkimore. Dënimi me vdekje shikohet kudo si diçka e urryer, dhe është për t’u vënë në dukje se edhe në ditët tona, ashtu si në të kaluarën, nuk gjen dot njeri në Shqipëri që të bëjë punën e xhelatit. Për të zbatuar dënimet me vdekje të gjykatave, policia detyrohet të pajtojë ndonjë jevg, i cili, pas shumë protestash, e kryen detyrën, natyrisht jo si profesionist, por si diletant, gjë kjo që ia zgjat vuajtjet viktimës”, shkruan Konica.
Ndërsa një nga karakteristikat fatkeqe të shqiptarëve dhe që zë vend të dukshëm, është mungesa e plotë e idealizmit tek ata. Në një vend ku njeriu vdes aq me lehtësi në grindje të ndryshme, nuk është dëgjuar të vdesë kush për një ideal a për një çështje (kauzë). Kjo ndihmon të shpjegohet fakti përse Shqipëria nuk e fitoi lirinë më parë dhe ka një numër kaq të paktë dëshmorësh të rënë për pavarësinë kombëtare. Aktet e devotshmërisë dhe të guximit, që kanë shkaktuar vdekjen e mijëra njerëzve, mund të përdoren si argument për të përgënjeshtruar thënien time. Por, devotshmëria e egër ndaj traditave të vendosura dhe ndaj kanunit shekullor të nderit, janë më tepër veprime mekanike dhe për t’i kryer nuk nevojitet të vihet në rrezik jeta në mënyrë të vullnetshme për një ideal të zgjedhur lirisht. Ndërsa mikpritja është një virtyt tashmë i pranuar nga të gjithë.
Konica thotë, se “shqiptarët nuk kanë prirje të flasin shumë”. Këtë gjë e vë re dhe shkrimtari frëng Hiasent Hekar (Hyacynthe Hecquard), i cili, si konsull i Francës në Shkodër për shumë vjet me radhë, arriti ta njihte mirë Shqipërinë e Veriut, e vë në dukje shkurtësinë plot dinjitet të fjalimeve në kuvendet popullore.
Jeta seksuale e shqiptarëve
Për jetën seksuale të shqiptarëve mund të thuhet fare pak në një libër të destinuar për publikun e gjerë. Disa vese nuk janë të panjohura ndër qytete, megjithëse janë fryti i ndikimeve të huaja; porse vështirë të gjendet në botë një popullsi me zakone më të pastra se ajo e fshatarëve dhe malësive të Shqipërisë. Pafajësia e popullit të thjeshtë dëshmohet edhe nga një zakon i çuditshëm që ka mbetur deri vonë e nuk është zhdukur ende plotësisht. Përpara martesës (dhe nusja është zakonisht pesëmbëdhjetë deri më shtatëmbëdhjetë vjeçe, kurse dhëndri nëntëmbëdhjetë deri njëzetenjë) një burrë i moshuar, pjesëtar i familjes, do t’i shpjegonte bashkëshortit të ardhshëm anën fizike të martesës, ku do të shënonte me shkumës, me qymyr ose me ndonjë lëndë tjetër ngjyruese një rreth të vogël përqark “depilata virginis pudenda, ut iuvenis inexpers introitum facilius inveniat”.
Në disa krahina të Shqipërisë ekziston një besëtytni në lidhje me seksin e ujërave. Disa ujëra quhen “mashkullore” dhe besohet se kanë veti afrodiziake për burrat; disa ujëra të tjera janë “femërore” dhe mendohet se ushtrojnë të njëjtin efekt te femrat; kurse një lloj uji tjetër është “asnjanës”. Një burrë, me arsim, më tregoi se një herë kishte shkuar për punë nga qyteti i lindjes Gjirokastër në një fshat gjashtë orë larg. Sapo arriti aty piu një gotë ujë nga një burim dhe menjëherë pas kësaj diçka e shtyu të kthehej në shtëpi dhe të takohej me të shoqen. Ai ua tregoi shokëve këtë ndjenjë të çuditshme dhe ata e pyetën, duke qeshur, nëse kishte pirë ujë nga një farë burimi. Unë e ndërpreva bashkëbiseduesin, duke e pyetur a e dinte më parë çfarë mendohej për ato ujëra. “E mora vesh çfarë doni të nxirrni me këtë pyetje, ma ktheu ai – doni të dini se mos isha ndikuar nga sa kisha dëgjuar për ato ujëra; jo, deri atë ditë nuk kisha dëgjuar asgjë për efektin e tyre”. Ai shtoi se, meqë e kishte kthyer kalin në Gjirokastër dhe i kishte urdhëruar shërbyesit të vinin e ta merrnin pas tri ditësh, u kthye më këmbë në qytet sa më shpejt që mundi. /Konica.al/ KultPlus.com
Anita Desai (1937), shkrimtare indiane. Disa herë në listën e ngushtë të Booker Prize, është shpërblyer me Sahitya Akademi Award më 1978 romanin ‘Fire on the Mountain’; Guardian Prize për ‘The Village by the Sea’, më 1983. Vepra të tjera të rëndësishme: ‘The Peacock’, ‘Voices in the City’, ‘Fire on the Mountain’, dhe antologjia e tregimeve të shkrutra, ‘Games at Twilight’.
TORTË ANANASI
Nga Anita Desai
Viktori ishte një fëmijë më shumë nervoz se sa kryeneç. Por për nënën e tij nuk kishte ndonjë dallim: ajo kishte veç një mënyrë për t’u marrë me nervat dhe kryeneçët.
‘Ty të pëlqen torta me ananas, apo jo? Epo mirë, hajde pra, vishu shpejt – po, po, shorcet e kadifenjta – këpucët e reja, po – ngutu – tortë me ananas për djem të mbarë…’.
Kështu shkoi i gjithë mëngjesi dhe, duke e përdorur joshjen e tortës së ananasit, të parapëlqyerën e tij, znj. Fernandez ia veshi djaloshit këmishën me dantella, shorcet e kadifenjta dhe këpucët e reja që ia ndryshnin gishtat e këmbëve dhe e mbajtën ulur qetësisht në kishë gjatë gjithë ceremonisë së pafundme. Ose kështu mendoi ajo, me besimin në tortrën e ananasit që rivalizohej vetëm nga besimi i saj në Zonjën Tonë nga Mali Mary, Bandra Hill, Bombay. Duke shikuar Viktorin, duke u përpjekur me mundim të përmbante frymëmarrjen e tij të zëshme të ndryshur në gjoksin e tij dhe duke u anuar poshtë të shihte çka i bënte këpucët e tij aq të vrazhda, mund të mendoje se ajo ia kishte dalë me sukses, por suksesi nuk të kënaq kurrë dhe znj. Fernandez lakmoi të mendonte sa e lehtë do të kishte qenë po ta kishte pasur një vajzë në vend të djalit. Vajzat e vogla kanë qejf të luajnë dasmash, vajzat e vogla mund të vishen me të brendshme kankan dhe fustane si zilka letër krep ngjyrë rozë dhe portokall, me flokët e tyre të lyera dhe kaçurrela të mbledhura me kurora fëshfëritëse prej lulesh letre. Ajo shikoi përreth vetes pothuajse e lodhur të dëgjonte në kishë shushuritjen dhe krakëllitjen e vajzave të hallakatura, e errët dhe e pluhurosur siç ishte, e ndriçuar aty-këtu pasdite nga një dritare shndritëse me xhama të kuq dhe të kaltër, një shkrepëtimë qirinjsh ose një kambanë e argjendtë e qetë në ajrin e mbufatur.
Kjo ia kujtoi si kishte ardhur në këtë kishë të lutej, e ndezi një qiri te Zonja Jonë teksa po e priste Viktorin, shikoi poshtë kah ai dhe u habit pse ai kishte djersirë aq shumë. Po, jaka e këmishës me dantella ishte pakëz e ngushtë dhe kisha ishte pa ajër, mbytëse, por s’ishte e hijshme nga ana e tij të djersinte ashtu. Natyrisht të gjithë djemtë e vegjël në rreshtin e saj dukej të ishin në të njëjtën gjendje – secili i kërcënuar ose shantazhuar të jetë i bindur, me heshtjen e tyre të nderë në gjokset e tyre, duke bëtë potere pazëshëm. Sytë e tyre ishn sy të burgosurish, të errët dhe duke ndritur në marren, mërzinë dhe padrejtësinë e gjithë kësaj gjëje. Kur i mbyllnin sytë dhe i luanin kokat në lutje, ishte sikurse gjysma e qirinjve në kishë po shuheshin dhe bëhej terr.
E zbutur, znj. Fernandez pëshpëriti, nën mbrojtjen e lutjeve kumbuese të kryera nga ati i thinjur me purpurin e zbërdhulur, ‘Gati se u krye, Viktor. Pas pak do të shkojmë për çaj – tortë ananasi për ty’.
Viktori nuk kishte edhe aq besim në premtimet e mamasë. Kishin një zakon t’i shtynin ose anuluar pë shkak të ndonjë gabimi të vogël aksidental nga ana e tij. Mund t’i shqyente mëngët – s’ka më para xhepi. Apo të shihte një minutë më gjatë xhaxha Arturin, i cili kishte ardhur në një vizitë nga Goa dhe kishte një vrragë mbrapa kokës së tij tullace – s’ka pra më as krem karamel për puding. Kështu pra ai s’do të kryqëzonte shikimin me të ëmën, por shikoi poshtë te këpucët e tij të pastra, i lëpiu buzët e thara dhe vrau mendjen nëse do të kishte fanta ose koka-kola aty ku do të shkonin për çaj.
Pastaj ceremonisë i erdhi fundi. Si dhe pse, s’mund ta thoshte, i zhytur aq larg nën nivelin e syve në atë liqe të dëshmitarëve pa frymë të martesës së Carmen Maria Braganzës nga Goa dhe George de Mello nga Byculla, Bombay. Ai s’kishte parë asgjë, vtëm i kishte ndjekur, pangushëllueshëm dhe në pështjellim, aromat dhe tingujt e saj, si disa krijesa nëntokësore, një urith fëmijë, që mundohet të kuptojë çka po zihet jashtë strofullit të tij dhe nëse ishte për t’u alarmuar apo tërheqëse. Tash kishte marrë fund dhe mamaja e tij po e shtypte në brinjë, për ta nxjerrë jashtë, po e ngutte duke ia shkelur thembrat dhe tash ishin duke u derdhur jashtë bashkë me baticën e njerëzve. Në derë ai pa të purpurtën e mantelit të atit, të cilit po ia jepte një lule letre rozë një vajzë që ksihte një shportë të argjentë plot me lule të tilla, fytyra e së cilës ndrinte nga vetërëndësia fanatike, pastaj gjeti veten poshtë shkallëve, u mbajt aty me bërrylat e tij dhe, posa mbërriti në nivelin e tokës, pa se mamaja e tij po bënte namin që të gjente një mjet transporti për të shkuar te recepsioni i Grinit. ‘Çajin do ta pimë te Grini, apo jo’, ia kishte përsëristur shumë herë, prej një javësh tashmë. ‘Këta de Mellosët duhet të kenë para – s’duhej të hiqnin dorë ashtu – çaj te Grini, tekembramja’.
S’është punë e lehtë, e kuptoi ajo, të gjesh ndonjërin sosh, sado që aty kishte një linjë të tërë taksish buzë trotuarit, po të gjitha u takonin anëtarëve më të rëndësishëm të familjeve de Mello dhe Braganza. Kur znj. Fernandez i ra në të kësaj gjëje, i bashkoi buzët, hodhi shikimin me një zemërim të rrezikshëm, atmosfera e ndejës nisi shpejt të tretej në acidin e humorit të keq dhe në një kërcënim për dinjitetin e saj. Viktori nisi të fantazonte si budalla t’i shpëtonte asaj nga dora me të cilnë e mbante dhe t’ia behte në ndonjë dyqan cikërrimash për patina dhe të dilte fluturimthi para gjithë karavanit mbi një çift magjik, të arrinte te Grini para nuses, duke e humbur mamanë rrugës… Por ajo i gjeti dy ulëse, tamam me kohë, në një taksi në të cilën tashmë gjendej një grua të shkurtë të madhe me një fustan rrjete rozë dhe një burrë i gjatë i thatë me një mollë adami që rrekej të dilte mbi papijonin e tij të shtrënguar dhe pastaj kthehej prapë mbrapa me një krak të zhurmshëm. Që të katërt u ulën të ngjeshur për njëri-tjetrin dhe gruaja rikujtoi disi se sa e bukur kishte qenë Karmel Maria dhe se si de Mellosi nuk mund të ishte aq në nevojë, çaj te Grini tekembramja. ‘Te Grini’, u çor gruaja me fustanin rrjet rozë te veshi i shoferit të taksisë dhe i dha fundit të saj një tundje të fortë sa e përplasi Viktorin për derës. U ndje sikur do të përfundonte jashtë, se nuk ishte i dëshiruar, se nuk e kishte vendin aty. Kjo do ta ketë bërë të dukej i lënduar, ngase mamaja e tij e shtrëngoi me dorën e saj dhe i pëshpëriti, ‘Je treguar djalë për së mbari – tortë ananasi për ty’. Viktori qëndroi ulur, pa marrë frymë. Burri me mollën e adamit e zgjati qafën e tij gjatë e më gjatë, duke e rrotulluar kokën dhe nuk tha asgjë, por bretkosa në fytin e tij gërgëriti.
Kur zbritën nga taksia, Viktori shikoi rreth vetes mrekullitë e portit të Bombayt teksa më të moshuarit përpiqeshin të tregoheshin të sjellshëm dhe prapë s’po e paguanin taksinë. Po ta kishte sjellë babai i tij këtu gjatë shëtitjes së të dieles, me traget dhe me pijen e freskët të arrës së kokosit për ëmbëlsim, do t’i kishte shijuar dautë* arabe me velat e tyre të përlyera, anijet, anijet çisternë, çafkat dhe Portën e Indisë si një version me ngjyra të fotografive në librin e tij të historisë, por ishte krejt e papritshme. I ishte premtuar një tortë ananasi te Grini, mjaftueshëm e madhe në vetvete – dhe s’i kishte mjetet që t’ia dilte me Portën e Indisë.
Instinktivisht zgjati dorën të kapte dorën e mamasë së tij dhe pati një shok tjetër – ajo kishte veshur një palë dorashka, krejtësisht të reja me një lidhëse najloni krikëllitëse, si fasha të freskëta në duart e saj të purpurta. Ajo e shtrëngoi dorën e tij dhe i tha, ‘Po deshe të bësh pish-pish, ma thuaj, do ta gjejmë tualetin. Mos i lag pantallonat, mor burrë’. I tmerruar, ai u largua, por ajo e kapi për jakës, e tërhoqi kah hoteli dhe përpjetë shkallëve për në dhomën e çajit ku do të shërbeheshin pije freskuese për të kremtuar martesën e Karmen Marisë dhe Xhorxh de Mellos. Bendi ende po luante ‘Po vjen nusja’, kur Viktori dhe mamaja e tij u futën brenda. Edhe aty u përsërit skena e taksisë: këtë herë znj. Fernandez po kërkonte ulëse në një tavolinë të përshtatshme, po s’po mund t’i gjente, pastaj e pa një kamerier i shkathët, i mësuar me skena të tilla, e ktheu në anën tjetër dhe e orientoi drejt një tavoline ku ishin dy veta. Tavolinat ishin rregulluar në formë të shkrinjës E dhe ishin mbuluar me mbuloja të bardha. Vazo të vockla kufizonin qendrat e tavolinave, duke përhapur aromë të fortë ziniesh dhe një të dobët mëtrike. Mysafirët, shefi dhe të tjerët, dukeshin të trazuar nga ai mbarështim, shkonin sa andej-këndej, duke bërë ca rregullime e rirregullime, por stafi nuk dukej aq i mëdyshur përkitazi me protokollin. E organizuan ndejën mjeshtërisht, i shtruan tavolinat në mënyrë të pashoqe dhe kur bendi ia kërciti këngës ‘Do Re Mi’ nga Tungulli muzikor, e sollën brenda tortën e dasmës. Të gjithë u zgjatën të shikonin Karmen Marinë se si po e priste dhe mamaja e Viktorit e pickoi atë që fort sa e bëri të brofte nga karrigia, duke i pëshpëritur, ‘Ngritu nëse nuk mund të shohësh, mor burrë, ngritu në këmbë dhe shikoje Karmen marinë duke e prerë tortën’. Pati një shoërthim të qeshurash, duartrokitke dhe përgëzime të ngjirura me një prapavijë vulgare që e nervozoi Viktorin dhe e bëri të zhytej në karrigën e tij, pothuajse goxha i pështirosur.
Bendi po luante një version të gjallë të ‘Jam gjashtëmbëdhjetë, për shtatëmbëdhjetë’, kur Viktori dëgjoi një tingull të çuditshëm, si një gërçamë e mbetur në fyt. Edhe të tjerët e dëgjuan, ngase befas karriget po tërhiqeshin mbrapa, njerëzit po ngriheshin në këmbë, disa prej tyre bënë ca hapa mbrapa dhe gati se ranë mbi Viktorin, i cili ngutasi u çua nga karrigia e tij. Nëna e nuses, me rrjetat e saj rozë dhe të argjenda, ngarendi, duke qarë, ‘Oh jo, oh jo, jo, jo!’.
Dy karrige më poshtë ishte burri me qafën e gjatë të hollë molla e adamit e të cilit ngrihej dhe ulej në një mënyrë të trishtueshme. Vetëm se tash nuk ishte ulur. Ishte shtrirë në karrigen e tij, me kokën që varej mbi shpinore në një mënyrë të çuditshme të çlirë, si të ishte e varur në fundin e një litari. Gruaja me fustanin rrjetë të purpurt po përkulej mbi të duke bërtitur, ‘Aub, Aub, Aubrey im i dashur! Ndihmojeni të dashuri tim Aubrey!’. Viktori u rrëqesh dhe bëri një hap mbrapa derisa dikush e kapi dhe e mbajti.
Dikush kaloi përbri – me gjasë ndonjëri nga ata kamerierët e rinj vetëbesues që i dinë të gjithë ato që duhet të dihen – duke u çirrur, ‘Telefonojeni ndonjë doktor, shpejt! Thirre dr. Patelin!’, pastaj pati një ofshamë të gjatë të thekët përgjatë gjithë tavolinës që dukej se vinte nga gruaja me fustanin prej rrjete të purpurt, ose mbase nga nëna e nuses, për këtë nuk mund të ishte i sigurt Viktori: ‘Oh, po pse duhej të ndodhte bash sot?. Po a nuk mund të shkonte një ditë tjetër?’ Karme Maria, nusja, nisi të ngashërehej e lemeritur. Paskëtaj dikush e kapi të moshuarin me qafë të gjatë për gjunjësh dhe nënsqetullash dhe e nxori jashtë, me kokën dhe këpucët që vareshin si qese letre të qullura. Grupi i mysafirëve përreth tij u shpërnda dhe i bëri vend atij që pamëdyshje tashmë ishte një kufomë.
Viktori kuptoi pak gjë. Britmat dhe ngashërimat e grave të veshura për festë e vinin në pah këtë. Ashtu si edhe mënyra e mgathët dhe e hutuar si njerëzit ngriheshin nga tavolina, i shtynin mbrapa karriget dhe dilnin në ballkon, duke luajtur kokën dhe duke murmuritur: ‘Një ogur, po ta them unë, duhet të jetë ogur’. Viktori bëri një lëvizje të mëdyshur drejt ballkonit: mbase do ta shihte karrocën e mortit. Por mamaja e Viktorit ëo e mbante për krahu dhe ia ndezi një dackë të fortë. ‘Ulu, miku im’, i pëshpëriti tinëzisht, ’ja ku po vjen torta me ananas’, dhe për habinë e tij, një pjatë plot me ëmbëlsira ishte përnjëmend mbi tavolinë tash, e kremuar, e ngjyrosur dhe e hareshme. ‘Merre, merre tortën me ananas’, e nxiti, duke e shtyrë drejt pjatës dhe kur djaloshi nuk lëvizi por ia nguli sytë si të ishte kufomë në divanin e kuq Rexine, goja e saj pati një drithmë të padurueshme dhe e zgjati dorën për ta vënë tortën në pjatën e saj. E hëngri me rrëmbim. Duke e fshirë gojën, me çehren e palëkundur, tha, ‘Ma ha mendja se tash është më mirë të shkojmë’.
Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, ka përshëndetur sot aktivitetin Retro që u zhvillua në qendër të qytetit, si pjesë e vijimit të festimeve për Ditën e Verës.
“Dita e Verës nuk ka mbaruar në Elbasan, por vijon me aktivitete dhe surpriza të shumta gjatë gjithë fundjavës. Sot Retro ka ardhur në mëngjes në Elbasan, ku shumë nga ata që i pëlqejnë makinat e vjetra të stilit retro, por edhe kureshtarët, sidomos të rinjtë që nuk kanë njohuri për makinat klasike, kanë pasur mundësinë t’i vizitojnë.
Gjithashtu, në shesh vijojnë aktivitetet për fëmijët, koncerti i organizuar nga Qendra Kulturore e Fëmijëve dhe të Rinjve. Ndërsa në orën 16:00 të ditës së sotme do të vijojmë sërish me një super aktivitet, ku vetëm një natë më parë pati një aktivitet me këngë popullore, ku grupe nga të gjitha trevat shqiptare performuan në qendrën e qytetit të Elbasanit.
Aktivitete të shumta na presin edhe të dielën,” përfundoi Llatja./atsh/ KultPlus.com
Në teatrin Oda në Prishtinë, të premten e 21 marsit, nga ora 19:00 nis Java e Frankofonisë e cila mbahet në datat 21-28 mars 2025. Ky festival fillon në Prishtinë dhe vazhdon në kryeqendrën e Frankofonisë në Gjakovë.
Edicioni i 25-të i këtij festivali, do të jetë i mbushur me ngjarje kulturore ku përgjatë një jave do të ketë vallëzim, teatër, muzikë, film, gastronomi dhe shumë surpriza të tjera.
Me moton “Atmospheres”, nata e hapjes së Frankofonisë, do të festohet me gjuhën dhe kulturën franceze me muzikë dhe vallëzim, duke sjellë kështu energjinë dhe shpirtin e botës frankofone.
Më 17 Mars, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës do të promovohet libri për fëmijë “Uta në Sharr” nga Uta Ibrahimi, libër ky që paraqet një rrëfim magjik duke ndërthur aventurën, natyrën dhe edukimin.
Ky libër është një thirrje për të njohur dhe mbrojtur natyrën, për të nxitur kureshtjen ndaj shkencave natyrore dhe për të zgjuar dashurinë për malet, kafshët, bimët dhe aventurat në ambiente të hapura!
“Në këtë ngjarje keni mundësinë ta bleni librin me çmim promocional me nënshkrim nga Uta, Autorja dhe Ilustruesi”, thuhet në njoftim.
Ceremonia promovuese mbahet më 17 Mars, në ora 16:30, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës./ KultPlus.com
Kryeministri Albin Kurti dhe Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, kanë vizituar konakun e Mahmut Begollëve në Pejë, me rastin e restaurimit të këtij objektit me rëndësi të veçantë.
Ministri Çeku ka thënë se konaku i Mahmut Begollëve është një nga shtëpitë më të veçanta të qytetit, e cila është shpëtuar nga rrënimi.
“Ky aset me rëndësi të veçantë për zonën, ku kombinohen elementet e kullës me ato të shtëpive tradicionale dhe një ndër shembujt e paktë që i kanë mbijetuar kohës, do të vazhdojë të bartet për brezat e ardhshëm”./ KultPlus.com
Në Deçan u mbajt aktiviteti për ambasadorët e paqes dhe promovimi i librit “Parajsa artificiale” nga shkrimtari i njohur Ben Blushi.
Në qytetin e bukur dhe paqësor të Deçanit, pikërisht në Ditën e Verës, Komuna e Deçanit, në bashkëpunim me Federatën e Paqes Universale, organizoi aktivitetin me temën “Paqja, trashëgimia jonë e përbashkët”. Kjo ngjarje e rëndësishme synonte promovimin e vlerave të paqes dhe nderimin e personaliteteve që kanë kontribuar gjatë gjithë jetës së tyre me punën dhe përkushtimin e tyre, duke i lënë shoqërisë vlera të mëdha të paqes shpirtërore dhe morale përmes veprimtarisë së tyre.
Fjalën e mirëseardhjes e mbajti Kryesuesi i Asamblesë Komunale të Deçanit, Hajdar Sutaj, i cili theksoi:
“Deçani di të respektojë vlerat e luftës dhe të paqes, duke i parë ato si pjesë të pandashme të identitetit dhe historisë sonë. E sotmja është një dëshmi e përkushtimit tonë për të ruajtur dhe promovuar këto vlera, duke i dhënë brezave të ardhshëm një shembull të mirë të përkushtimit ndaj paqes, dijes dhe kulturës.”
Më pas, aktiviteti vijoi me një prezantim nga Ejona Içka, kryetare e Federatës së Paqes, e cila foli mbi vlerat, parimet dhe veprimtarinë e Federatës Universale të Paqes, duke përshkruar historikun e saj dhe shtrirjen në vende të ndryshme të botës.
Promovimi i librit “Parajsa artificiale” nga shkrimtari i njohur Ben Blushi
Një nga momentet kryesore të aktivitetit ishte promovimi i librit “Parajsa artificiale” nga shkrimtari i njohur Ben Blushi. Në fjalën e tij përshëndetëse, autori u shpreh:
“Deçani ka burra shumë trima dhe gra mikpritëse, një vend me vlera të mëdha të traditës. Për mua është një kënaqësi e veçantë të jem sot për herë të parë në Deçan, përpara këtij publiku kaq të madh e të dashur, për të promovuar librin tim “Parajsa artificiale.”
Ai shpjegoi se ky libër është një dialog mes dy personazheve brenda 12 orëve, i ndarë në dy pjesë: Ferri dhe Parajsa, duke ofruar një reflektim të thellë mbi jetën dhe shoqërinë. Pas prezantimit, Blushi zhvilloi një bashkëbisedim me të pranishmit, të cilët patën mundësinë të bëjnë pyetje mbi librin dhe krijimtarinë e tij letrare.
Në këtë aktivitet morën pjesë shkrimtarë, poetë, piktorë, gjeneralë, mësues, anëtarë të Asamblesë Komunale, artdashës të librit, nxënës dhe të ftuar të tjerë.
Nderimi me titullin “Ambasador i Paqes”
Një nga momentet më emocionuese të aktivitetit ishte ndarja e titullit “Ambasador i Paqes”, ku 14 personalitete u vlerësuan për kontributin e tyre në ndërtimin e një shoqërie më paqësore. Ndër të nderuarit ishin:
• Sami Cacaj – Nënkryetar i Komunës së Deçanit
• Ben Blushi – Politikan, gazetar dhe shkrimtar i njohur
• Abdyl Mushkolaj – Gjeneral i nderuar
• Musë Prelvukaj – Piktor i njohur
• Lumturie Haxhishabani Nura – Mësuese e dalluar
• Agron Mulliqi – Piktor dhe profesor në Fakultetin e Arteve
• Merita Myderrizi Maloku – Profesoreshe në Fakultetin e Arteve
• Bija Jasiqi – Piktore
• Ajete Povataj – Poete me stil unik dhe emocionues
• Mirushe Byci – Mësuese
• Merita Luzha Kuraja – Ambientaliste e përkushtuar
• Iliriana Hasaj – Mjeke që ka dhënë kontribut të madh gjatë luftës dhe vazhdon të kontribuojë në fushën e mjekësisë
• Edone Kameraj – Përgjegjëse për informimin e qytetarëve përmes uebfaqes zyrtare të Komunës
• Ismet Kukleci – Ekspert i reformave në administratë dhe i licencuar nga Ministria e Drejtësisë për negocimin dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve
Federata Universale e Paqes i vlerësoi këta individë për angazhimin e tyre në fusha të ndryshme, duke kontribuar në ndërtimin e një bote më të mirë dhe më paqësore.
Momente të veçanta nga aktiviteti
• Nxënësit e gjimnazit “Vëllezërit Frashëri” në Deçan lexuan 21 shprehje të zgjedhura nga libri “Parajsa artificiale”, duke përcjellë mesazhe të fuqishme për të pranishmit.
• Piktori Musë Prelvukaj, i cili u nderua me titullin “Ambasador i Paqes”, dhuroi pikturën e tij të paqes për shkrimtarin e njohur Ben Blushi. Në fjalën e tij, ai u shpreh:
“Deçani, për gjashtë vite me radhë që marr pjesë në koloninë e piktorëve, më ka pritur gjithmonë me mikpritjen dhe traditën që i ka hije. Këtu ndihem mirë dhe sot, pikturën time të paqes ia dhuroj politikanit, gazetarit dhe shkrimtarit të njohur Ben Blushi. Vlerat në duart e vlerave – për mua është një nder i madh.”
Në përfundim të aktivitetit, të pranishmit patën mundësinë të marrin një kopje të librit Parajsa artificiale me autografin e autorit Ben Blushi, si dhe të realizojnë fotografi me të.
Konstandin Kavafisi u lind në Aleksandri të Egjiptit, më 29 prill 1863. Pas vdekjes së të atit, familja zhvendoset mes Liverpoolit, Londrës dhe Stambollit, deri më 1878. Pas rikthimit në Aleksandri, ndjek liceun ekonomik. Pas trazirave nacionaliste më 1882, ikën prapë në Stamboll, ku zbulon homoseksualitetin dhe prirjen për poezinë. Pasi kthehet përfundimisht në Aleksandri, bën punë të ndryshme para se të pranohet në Zyren e ujitjes në Ministrinë e punëve publike, ku qëndroi deri në pensionimin e tij, më 1922. Vdiq më 29 prill 1933
KISHTE ARDHUR TË LEXONTE
Nga Kavafisi
Kishte ardhur të lexonte. Kishte hapur
dy a tre libra: histori dhe poezi.
Por pas nja dhjetë minutash
i la anash. Tash po dremit
në divan. U përket, sigurisht, librave,
por është njëzet e tre vjeç dhe aq i bukur;
e sot pasdite e përshkoi Amori,
nëpër mishin e tij të përsosur, mbi buzë.
Mbi mishin e tij, që është bukuri e pastër,
ka kaluar ethja erotike;
pa marren qesharake për formën e kënaqësisë…
Shënim nga Andre di Gregorio:
Ka gjëra qesharake, e marrja është njëra prej tyre. Është pjesë e një panoplie të aparencave që, sidoqoftë, është e domosdoshme. Nga kjo pikëpamje, historia dhe poezia vendosen në gjysmë distancë mes kënaqësisë së vërtetë në njërën anë dhe marres qesharake në anën tjetër. Tash është e qartë se nuk janë historia dhe poezia ato që janë të rëndësishme në vetvete, por janë të tilla si mjete të dashurisë dhe kënaqësisë. Prandaj është bukur që i riu ka ardhur të lexojë, por po aq bukur është që, kur ia përshkon buzët Amori, t’i lërë anash librat.
Poezia është shkruar më 1924, në njëmbëdhjetërrokësh dhe aleksandrinë, me disa rima (katër vargjet e para ABAB dhe ca tjera të shpërndara).
/Marrë nga Constandino Kavafis, “Poesie”, Garzanti, 2017 /Përkthimi: Gazeta Express/ KultPlus.com
Kreu i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka bërë shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit, i cili është miratuar me 10 vota për.
Radoniqi ka bërë sqarim se shpallja e këtyre rezultateve është bërë pas marrjes së dritës së gjelbër nga PZAP dhe Gjykata Supreme dhe ka thënë se pavarësisht problemeve dhe vonesave, në asnjë mënyrë s’është cënuar integriteti i zgjedhjeve.
Radoniqi ka treguar se më 9 shkurt kanë votuar në total 966 mijë e 283 apo 46, 54 %.
Nga këto vota, LVV me Albin Kurtin ka marrë 396 mijë e 387 vota apo 42.30 %
PDK me kandidat për kryeministër Bedri Hamzën ka marrë 196 mijë e 474 vota apo 20.95 %
LDK me Lumir Abdixhikun ka marrë gjithsejtë 171 mijë e 357 vota apo 18.27 %
AAK-NISMA ka marrë 66 mijë e 256 vota apo 7.06 % dhe Lista Serbe ka marrë 39 mijë e 915 vota apo 4.26 %./Express/ KultPlus.com
Shesh, Vlosh dhe Pules. Këto varietete të rrushit në Shqipëri mund të mos jenë në buzët e shumicës së adhuruesve të verës, por kjo po ndryshon, shkruan faqja time.com.
Historia e vreshtarisë së këtij vendi ballkanik daton më shumë se 3000 vjet më parë; Rigjallërimi i sotëm përforcohet nga një trinitet i fuqishëm i trashëgimisë, klimës dhe inovacionit.
Në fshatin e vogël Roshnik, familja Fiska, e cila drejton ”Alpeta Agrotourism & Winery”, ka kultivuar vreshta për tre dekadat e fundit dhe ka eksperimentuar në mënyrë krijuese me varietetet Pules dhe Shesh vendas verëra shumë të shijshme si Cabernet dhe Merlot.
E kuqja e pasur dhe e bardha e saj e shijshme tani po tërheqin vëmendjen e botës së verërave, duke fituar së fundmi medalje në ”Decanter World Wine Awards”.
Vlerësimet e Alpeta-s kanë rritur gjithashtu njohjen e industrisë së verës në zhvillim të vendit: në vitin 2023, Shqipëria u bë anëtarja e 50-të e Organizatës Ndërkombëtare të Vjeshtërisë dhe Verës.
Në Alpeta, nuk ka të bëjë vetëm me atë që pini, por ofron edhe një strehë të qetë mes vreshtave dhe pemëve aromatike të fikut dhe ulliri.
Vizitorët e bujtinës mund të ecin nëpër pyllin e Lepijës dhe në ujëvarën e Sotirës, ku mali i shenjtë Tomorr, një nga majat më të larta të Shqipërisë, shfaqet në distancë.
Alpeta gjithashtu bashkëpunon me fermerët vendas për përbërësit në restorantin në vend, ku të ftuarit ushqehen me byrek të shijsh ndjeëm shoqëruar nga gotat e rakisë.
Pas një drekë të qetë nën shijen e verës, të ftuarit mund të pushojnë pasdite me një gotë në dorë, ndërsa shikojnë vreshtat e ngrohura nga dielli. / KultPlus.com
Donatella Versace do të largohet nga posti i drejtoreshës kreative të shtëpisë luksoze të modës “Versace”, sipas abc.net.au.
Ajo do të zëvendësohet nga Dario Vitale, i cili ka punuar për “Miu Miu” që nga viti 2010.
Kjo shënon herën e parë në historinë 47-vjeçare të kompanisë luksoze të modës që do të drejtohet nga dikush që nuk mban mbiemrin Versace.
Versace e mirëpriti Vitale në këtë rol, duke theksuar në një deklaratë se “përkrahja e gjeneratës së ardhshme të stilistëve ka qenë gjithmonë e rëndësishme për mua”.
“Jam e emocionuar që Dario Vitale do të na bashkohet dhe jam e emocionuar të shoh “Versace” me sy të rinj”, tha ajo.
“Dua të falënderoj ekipin tim të jashtëzakonshëm të dizajnit dhe të gjithë punonjësit në “Versace” me të cilët kam pasur privilegjin të punoj për më shumë se tre dekada”, shtoi ajo.
Donatella Versace tha se do të merrte një rol të ri si ambasadorja kryesore e markës dhe do të mbetej mbështetësja më e pasionuar e Versace.
Ndryshimi vjen mes spekulimeve se “Prada Group” është në bisedime për të blerë “Versace” nga kompania “Capri Holdings”, e cila pagoi 2 miliardë euro për shtëpinë e modës në 2018.
Grupi amerikan zotëron gjithashtu “Michael Kors” dhe “Jimmy Choo”.
Miuccia Prada – presidentja e “Prada Group” – pranoi interesimin për markën në Javën e Modës në Milano, muajin e kaluar, ndërsa “Versace” nuk bëri asnjë koment në sfilatën e saj të fundit në pasarelë.
“Versace” kishte veshur në mënyrë simbolike një xhaketë vintage që Gianni i bëri asaj në vitin 1992, frymëzuar nga koleksioni i fuqishëm “Miss S&M”.
Deklarata e “Capri Holding” nuk përmendi ndonjë plan për të shitur “Versace”, por zëvendësimi i Donatella Versace nga një stilist i “Miu Miu” – një markë e zotëruar gjithashtu nga “Prada Group” – ka të ngjarë të nxisë spekulimet për një marrëveshje të mundshme./ KultPlus.com
Shpella e shkruar e Lepenicës ka marrë statusin e mbrojtje paraprake, një hap drejt shpalljes Monument Kulture i kategorisë së parë.
Lajmi u bë i ditur nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë duke theksuar se ky vendim erdhi pas propozimit të kësaj drejtorie, Drejtorisë së Shërbimit Arkeologjik (IKTK) dhe Institutit të Arkeologjisë së Tiranës, Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale.
Piktura shkëmbore e “Shpellës së Shkruar të Lepenicës” është një dëshmi e rrallë e artit shkëmbor prehistorik, e vetmja e identifikuar deri më tani në Shqipërinë Jugperëndimore.
Propozimi u bë mbi bazën e punës së realizuar nga arkeologu Prof. Dr. Muzafer Korkuti, për dokumentimin dhe studimin e pikturës në vitin 1984, si dhe mbi bazën e punës për ridokumentimin e saj, të realizuar nga projekti shqiptaro-spanjoll “Lepenica” bashkëpunim i DRTK Vlorë, Institutit të Arkeologjisë dhe Escola Superior de Conservación e Restauración de BBCC de Galicia, Spanjë.
Sipas Akademikut Muzafer Korkuti, piktura shkëmbore e Shpellës së Shkruar në Lepenicë është vepër origjinale me një bazë konceptimi të sajën dhe përfaqëson një stad të caktuar të artit prehistorik, ku përfytyrimi abstrakt i kohës është paraqitur në mënyrë monumentale.
Piktura është krijim i rrallë i artit neolitik, që me ideogramat e tij dhe me mjetet dhe mënyrën e vet, ka paraqitur një “mesazh” të banorëve të kohës./ KultPlus.com
Sot përkujtohet 150 vjetori i lindjes së Faik Konicës, shkrimtar, kritik letrar, publicist, eseist, përkthyes, një nga personalitet më të shquara të kulturës, letërsisë, e jetës politike shqiptare, një intelektual i dimensioneve evropiane.
Faik Konica lindi më 15 mars 1875 në Konicë. Pasi mori mësimet e para në vendlindje, ndoqi Kolegjin Jezuit Saverian të Shkodrës e më pas studimet e liceut perandorak francez të Stambollit. Pasi kreu shkollën e mesme në Francë, vazhdoi studimet në Dizhon për filologji romane dhe më pas u diplomua në universitetin e Harvardit të SHBA-së, ku mori gradën “Master of Arts”.
Më 1897, në Bruksel botoi numrin e parë të revistës politike kulturore e letrare “Albania”. Pas vajtjes së tij në Boston, së bashku me Fan Nolin, themelojnë gazetën Dielli, një organ i rëndësishëm i Federatës Panshqiptare “Vatra”.
Më 1912 në emër të Federatës Vatra, shkon në Londër për të mbrojtur interesat kombëtare shqiptare në Konferencën e Ambasadorëve në Londër. Më 1921, Konica zgjidhet kryetar i Federatës Vatra dhe me rimarrjen e drejtimit të gazetës Dielli, ai shkruante në një rubrikë të tijën “Shtylla e Konitzës”.
Më vitin 1926, Faik Konica emërohet Ministër Fuqiplotë i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara. Vdiq në Uashington më 15 Dhjetor 1942. Në vitin 1995, pas rënies së diktaturës komuniste, eshtrat e tij u sollën në Tiranë.
Me veprën e tij letrare e me shkrimet kritike, Konica pasqyron një njohje të thellë të mendësisë shqiptare, e jetës politike shqiptare. Gjatë veprimtarisë së tij është përpjekur për një gjuhë letrare të përbashkët dhe ndihmoi në pasurimin e zhvillimit të stilit letrar dhe publicistik të shqipes së shkruar. Krijimtaria e tij ka mbetur në pjesën më të madhe e botuar në shkrime të shtypit të kohës dhe në dorëshkrime.
Faik Konica mbetet një figurë qendrore dhe një pikë referimi në ecurinë e kulturës sonë moderne. / KultPlus.com
Përkujtohet sot firmëtari, mësuesin, patriotin dhe politikanin Mustafa Merlika-Kruja, një figurë e mohuar dhe anatemuar nga regjimi komunist, të cilit edhe firma në Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë, ju fshi.
Lindi më 15 mars 1887 në qytetin e Krujës. Ndoqi mësimet e para në shkollat turke, respektivisht në Krujë dhe në Durrës. Vazhdoi studimet e larta në Stamboll, në shkollën e administratës. Si nëpunës, u caktua fillimisht drejtor i arsimit në Elbasan. Gjithashtu, punoi si mësues matematike e turqishteje në shkolla të ndryshme në Durrës.
Ishte ndër njerëzit që organizuan pritjen e Ismail Qemalit në Durrës pasi vinte nga Trieste dhe e shoqëron drejt Vlorës. Mori pjesë në Kuvendin e Vlorës më 28 nëntor 1912 si delegat i Krujës dhe është një nga firmëtarët e Deklaratës së Shpalljes së Pavarësisë. Me krijimin e qeverisë së re, u caktua sekretar i parë. Më 1913, u vendos si nënprefekt i Vlorës. Ushtroi dhe detyra të tjera të larta në fushën e arsimit.
U rikthye në politikë me anë të Kongresit të Durrësit më 1918. Në kabinetin e Turhan pashë Përmetit, Mustafa Kruja mbante postin e Ministrit të Postë-Telegrafit. Ishte pjesë e delegacionit qeveritar në Konferencën e Paqes në Paris më 1919. Ndonëse nuk mori pjesë në punimet e Kongresit të Lushnjës, Mustafa Kruja u angazhua në politikë si deputet i prefekturës së Kosovës i zgjedhur më 1921.
Mbështeti Revolucionin e Qershorit të 1924 dhe mbeti një kundërshtar politik i Ahmet Zogut, edhe gjatë kohës kur qëndronte në ekzil në Zara të Dalmacisë. U rikthye në Shqipëri me pushtimin italian, si një ndër themeluesit e Institutit Mbretëror të Studimeve Shqiptare, së bashku me figura të shquara si Ernest Koliqi, Ilo Mitkë Qafëzezi, Eqrem bej Vlora, Aleksandër Xhuvani, Patër Anton Harapi etj.
Më 1941, caktohet kryeministër i Shqipërisë, post të cilin e mbajti deri në vitin 1943. U largua nga Shqipëria në shtator të 1944 për shkak të sëmundjes të së birit në Austri, për t’u mos u rikthyer më në vendlindje.
Kontributi i Mustafa Krujës në fushën shkencore dhe publicistike është i konsiderueshëm. Ka botuar dhjetëra artikuj në revistat dhe organet e ndryshme të shtypit si Ora e Maleve, Leka, Përpjekja Shqiptare, Mbrojtja Kombëtare, Shqipëria e Re, Hylli i Dritës etj. Punoi për 15 vite për “Fjaluerin kritik të Gjuhës Shqipe” si dhe kreu një studim analitik mbi “Fjalorin e Frang Bardhit”. La shenjën e tij në historiografi duke përpiluar monografinë “Anthologji historike” dhe “Shkrime historike”, si dhe veprën “Aleksandr’i i madh”. Ka përkthyer veprën voluminoze nga gjermanishtja në shqip “Vëzhgime iliro-shqiptare” nga trio-ja e mirënjohur e albanologëve Thalloczy-Shuflaj-Jireçek.
Vdiq në Niagara të ShBA-së më 1958. / atsh / KultPlus.com
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mblidhet sot në orën 16:00 për të bërë shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të mbajtura më 9 shkurt.
Orën e këtij takimi e ka konfirmuar zëdhënës i KQZ-së, Valmir Elezi.
“Ju njoftoj se sot (e shtunë, 15 mars 2025, ora 16:00) Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbajë mbledhjen e radhës dhe në rend dite është shpallja e rezultateve përfundimtare të Zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës, 9 shkurt 2025”, ka thënë Elezi për Express./ KultPlus.com
Sot shënohet dita e vdekjes së një personaliteti të madh botëror, i cili pavarësisht viteve kur ka jetuar, mbetet i paharruar në historinë e njerëzimit, shkruan KultPlus.
Gaius Iulius Caesar, i njohur shqip si Jul Çezari lindi më 12 korrik 100 p.e.s. në Romë dhe ka vdekur me 15 mars te 44 p.e.s. Ai ishte ushtarak dhe burrë shteti i Perandorisë Romake, i cili u vra nga kundërshtarët e tij politik.
Gai Jul Çezari ka luajtur një rol të rëndësishëm në transformimin e Republikës Romake, në Perandorinë Romake. Marshimi romak ne Britaninë e Madhe, prej ushtrisë së Jul Çezarit, e shtriu botën romake deri në oqeanin Atlantik. Ai konsiderohet si një prej gjenive ushtarak, më të mëdhenj të kohës dhe një prej liderëve me te fortë.
1. Rëndësia e slloganeve
Udhëheqësit më të mirë jo vetëm bëjnë veprime sensacionale – ata dinë gjithashtu të ofrojnë një histori bindëse.
Pas një lufte të shpejtë kundër një farë Farnace, Mbret i Pontos, Çezari dërgoi në Romë një raport me detajet e pushtimit të tij. Biografi grek Plutarku dhe historiani romak Svetoni pajtohen se komandanti nuk hyri shumë në detaje, por thjesht shkroi: “Veni, vidi, vici” (“Erdha, Pashë, Fitova”).
Frazat ishte aq efikase, sa e kujtojmë edhe sot, pas shumë shekujsh.
Çezari mund të ishte zgjatur në aftësitë e tij ushtarake (ishte autor i shumë shënimeve të gjata ushtarake), por ai e kuptoi se një resht i vetëm do ta dërgonte mesazhin me shumë më tepër forcë.
2. Marrja e risqeve
Në Romën e lashtë, kalimi i Rubikonit me një ushtri përbënte një sfidë të vërtetë. Ishte e barazvlefshme me shpallje lufte, gjë që ishte e ndëshkueshme me vdekje.
Kur Jul Çezari kaloi lumin me legjionin e tij, luajti gjithçka për gjithçka. Tek “Jetët e Çezarëve”, Svetoni shkruan se Çezari, kur kaloi lumin, citoi një dramaturg të Athinës, duke shpallur “vdekja është tërhequr”.
Riskoi gjithçka dhe i shkoi mirë.
3. Nuk ka asgjë të keqe të fillosh me pak
Shpesh, për t’u bërë udhëheqës, duhet të fillosh si peshk i madh në një pellg të vogël.
Çezari e kishte kuptuar dhe ia doli të marrë një pozitë pushteti, edhe pasi kishte humbur trashëgiminë e tij në rini, në një grusht shteti.
Sipas Plutarkut në veprën e tij “Jetë Paralele”, gjenerali bëri një koment kurioz kur po kalonte një fshat të vogël alpin: “Unë ju siguroj se preferoj të jem më mirë i parë këtu, se sa i dytë në Romë”.
4. Asgjë nuk është definitive
Si gjeneral, Çezari e dinte se gjërat mund të ndryshonin në një moment. Sipas “Jul Çezari: Mësime lidershipi nga pushtuesi i madh” i Bill Yonne, Çezari shkroi se “në luftë, ngjarjet me rëndësi të madhe kanë origjinë të parëndësishme”.
Të flesh mbi dafina nuk është një ide e mirë – sepse gjërat gjithmonë mund të kthehen në më të keqen.
5. Kurrë mos gënje veten
Edhe nëse je një udhëheqës i suksesshëm, kurrë mos arri në pikën që të besosh marrëzitë e tua. Tek “Gali i bukur”, që përshkruan një gabim taktik nga galët, kundërshtarë të tij, Çezari përfundon: “Në shumicën e rasteve, burrat janë të gatshëm të besojnë atë që duan”.
Udhëheqësit më të mirë sillen në mënyrë racionale dhe nuk lejojnë që ndjenjat e tyre ose nocionet e paracaktuara, të dominojnë vendimet e tyre. Instinkti është shumë i rëndësishëm, por udhëheqësit më të mirë e përdorin atë së bashku me arsyen, jo si alternativë të saj.
6. Kurrë mos u relakso, që të ulësh vigjilencën
Nuk ka rëndësi se sa gjithçka duket në rregull, udhëheqësit më të mirë gjithmonë arrijnë të parashikojnë pasojat më të këqija. Gjithmonë tek “Gali i bukur”, Çezari shkruan: “Herë pas here, perënditë e pavdekshme kanë zakonin t’u japin begati më të madhe dhe pandëshkueshmëri më të gjatë, atyre që duan të ndëshkojnë për fajet e tyre, në mënyrë që ata të mund të vuajnë më keq, në rrethana negative”.
Në praktikë, nëse kaloni një fazë pozitive, jini të kujdesshëm. Çezari vetë do të kish bërë mirë që ta ndiqte këtë këshillë. Por, nën diktaturën e tij, ai lejoi që një konspiracion të çonte në vrasjen e tij të famshme.
7. Kurrë mos u nënvlerëso
Për të marrë komandën, duhet të keni besim në aftësitë tuaja. Një gjë që Çezarit nuk i mungonte, siç e tregon edhe një incident ku, mes shumë rreziqeve të tjerë, ishin përfshirë edhe piratët! Duke rrëfyer jetën e Çezarit, Plutarku shkruan që në moshë të re, Jul Çezari u rrëmbye nga piratë, që kontrollonin Detin Mesdhe.
“Piratët kërkuan 20 talente për lirimin e tij, dhe Çezari duke qeshur u tha se nuk dinin kë kishin kapur, dhe u ofrua të pagojë pesëdhjetë”. Më pas Çezari u premtoi që, pasi ta lironin, do i vriste personalisht. Me t’u kthyer në liri, organizoi një flotë për t’i ndjekur, dhe bëri atë që kishte premtuar./KultPlus.com
Federata e Futbollit dhe Macron kanë prezantuar fanellat e reja që lojtarët e Kombëtares do të veshin në ndeshjet kualifikuese për Kampionatin Botëror FIFA 2026. Lojtarët e drejtuar nga Silvinjo do të veshin fanellat e reja që në ndeshjen e parë të fazës së kualifikimeve që do të zhvillohet më 21 mars kundër Anglisë.
Fanellat e reja (fanella e parë e kuqe, fanella e dytë e bardhë dhe fanella e tretë e zezë) përbëhen nga një grafikë e veçantë e stampuar, e cila, duke nisur nga simboli i shqiponjës dykrenore, përfshin një seri të pasur referencash të elementëve natyrorë dhe kulturorë karakteristikë të Shqipërisë.
Brenda dizajnit të shqiponjës, e cila është e pranishme në mëngë, në pjesën e përparme dhe të pasme të fanellës, janë përfshirë shumë simbole, secili me një kuptim specifik: Shqiponja jonë dykrenore, e ndërtuar nga detaje që pasqyrojnë bukurinë, natyrën dhe shpirtin e pasur shqiptar, mban në krahët e saj malin, lumin, diellin dhe detin, simbole të fuqisë dhe bukurisë së jetës sonë.
Kjo shqiponjë mban lart guximin historik të Skënderbeut, duke na kujtuar traditat tona më të thella, me kundërshtarin në mes, përballë syve të shqiponjës.
Një shqiponjë që simbolizon zemrën, bashkimin, krenarinë, pak dinakëri dhe një pasion të thellë për lojtarët tanë, heronjtë modernë që vijnë nga katër anët e botës për të përfaqësuar me krenari Shqipërinë në çdo sfidë në fushë.
Një skuadër e bashkuar fort, një shpirt i mbushur plot, një komb që mbetet gjithmonë krenar.
Fanella e parë për ndeshjet në shtëpi është në ngjyrën tradicionale të kuqe (ngjyrën e flamurit shqiptar) me një shirit kuq e zi në pjesën e qafës dhe skajet e mëngëve. Grafika karakteristike është e stampuar në pjesën e përparme dhe të pasme, duke formuar një shqiponjë të plotë, e përbërë nga elementë si Skënderbeu, mali, deti, anija, yjet, dhelpra etj., elementë të historisë dhe folklorit shqiptar ndër shekuj.
Në gjoks, të dyja të printuara në silikon, janë të pranishme në të djathtë Macron Hero dhe në të majtë logoja e FSHF-së. Në pjesën e pasme të qafës, brenda, është personalizuar me një etiketë me ngjyrë të kuqe dhe detajet në ngjyrën e grafikës së pranishme në fanellë, mbi të cilën është logoja e FSHF-së, shkrimi “Federata Shqiptare e Futbollit”, logoja e Macron dhe shkrimi “Designed in Bologna” që certifikon se çdo pjesë është projektuar, krijuar dhe zhvilluar në kampusin Macron.
Në pjesën e pasme të qafës, është shtypur në ngjyrë të zezë shkrimi “SHQIPËRI”. Një detaj tjetër personalizuar i fanellës së re të Kombëtares shqiptare është shiriti i brendshëm, i vendosur pas, me frazën “Ti Shqipëri, më jep nder” e ndjekur nga simboli i shqiponjës dykrenore. Fanella e parë përfshin gjithashtu pantallona të zeza, të cilat, për shkak të një grupi ngjyrash të kuqe dhe të zezë në fundin e kofshës dhe profilit të segmentuar në anë, i japin stil të dizajnit të pantallonave klasike të basketbollit. Çorapet janë gjithashtu të zeza me një vijë të kuqe lart dhe një vijë të zezë në mes.
Fanella e dytë dhe e tretë pasqyrojnë saktësisht grafikën e fanellës së parë dhe dallohen për ngjyrën dominuese: Fanella e dytë është e bardhë me detaje kuqezi (pantallona të bardha me vijë anësore të kuqe dhe të zeza, çorape të bardha me vijë anësore të zeza dhe një vijë horizontale të kuqe); Fanella e tretë është e zezë me detaje të kuqe (pantallona të zeza dhe çorape të zeza me vija anësore kuqezi).
Si të gjitha produktet e realizuara nga Macron, edhe ato të Kombëtares shqiptare janë prodhuar në Eco Fabric, një material poliestër 100% i krijuar nga riciklimi i plastikës pas konsumit. Në veçanti, materiali i përdorur është Eco Sirena (pjesa e përparme dhe mëngët) dhe prania e panelit të pasmë në Eco Micromesh dhe përbërjet në Eco Mesh sigurojnë lehtësi dhe frymëmarrje të lartë. Fanellat e reja të Kombëtares shqiptare mund t’i gjeni në dyqanin online në faqen e FSHF, faqen zyrtare të Macron dhe dyqanet e Intersport. /KultPlus.com
Shqipëria ka arritur të marrë dy medaljet e para të arta në Lojërat Olimpike Speciale Botërore Dimërore që po mbahen në Torino të Italisë.
Kryeministri Edi Rama e ka konsideruar fantastik këtë moment për Shqipërinë që tashmë ka marrë medaljet e para të arta në Lojërat Olimpike Speciale Dimërore.
“Në debutimin e saj në këtë turne prestigjioz në Torino të Italisë, Skuadra Olimpike Speciale e Shqipërisë ka shkëlqyer me paraqitjen e sportistëve tanë me aftësi të veçanta, duke siguruar dy medalje ari”, shkruan Kryeministri Rama në Facebook.
Me medalje të arta janë vlerësuar Elizon Kacanja në Ski Alpine dhe Stela Salla në Cross Country Skiing, një medalje Argjendi për Elizon Kacanja në Giant Slalom, dy medalje bronzi për Joanis Myrtollaris në Ski Alpine dhe Joel Gërmenji në Snowshoeing (50m).
Në këtë event Shqipëria po përfaqësohet me 6 atletë me aftësi të kufizuara intelektuale në 3 disiplina sportive dimërore, për herë të parë në historinë e sportit shqiptar.
Nga kompeticioni i Lojërave Olimpike Speciale Botërore Dimërore në Napoli./ KultPlus.com
Shqipëria merr medaljet e para të arta në Lojërat Olimpike Speciale Dimërore që po zhvillohen në Torino, Itali.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu njoftoi në një postim në rrjetet sociale se “në debutimin e saj në këtë kompeticion prestigjioz, Skuadra Olimpike Speciale e Shqipërisë ka shkëlqyer me paraqitjen e sportistëve tanë me aftësi të veçanta, duke siguruar dy medalje ari Elizon Kacanja në Ski Alpine dhe Stela Salla në Cross Country Skiing, një medalje Argjendi Elizon Kacanja në Giant Slalom dhe dy medalje bronzi Joanis Myrtollaris në Ski Alpine dhe Joel Gërmenji në Snowshoeing (50m)’.
“Kjo është një arritje e jashtëzakonshme e sportistëve tanë specialë”, tha Manastirliu.
Në këtë event Shqipëria po përfaqësohet me 6 atletë me aftësi të kufizuara intelektuale në 3 disiplina sportive dimërore, për herë të parë në historinë e sportit shqiptar./ KultPlus.com
Rritet çmimi i kafes në nivel global. Në vitin 2024 ka pësuar rritje prej 40% në krahasim me mesataren e vitit 2023. Shkaku kryesor janë kushtet meteorlogjike dhe problematikat e lidhura me to që kanë goditur vendet prodhuese.
Sipas FAO, Organizatës së Kombeve të Bashkuara për ushqimin dhe bujqësinë, pritet që rritja të vijojë edhe gjatë vitit 2025. Në nivel botëror industria e kafes gjeneron mbi 200 mld $ në vit dhe SHBA e BE janë importuesit më të mëdhenj.
Sipas raportit, në Dhjetor të 2024, kafja arabike që është edhe kualiteti më i mirë e më i preferuar, shënoi një rritje prej 58%, ndërkohë që kafeja që përdoret për kafet e makinetave dhe përzierjet, pësoi rritje prej 70%.
Për shkak të ndryshimeve të klimës dhe problemeve me motin, në Vietnam klima e thatë e tejzgjatur jashtë normales solli një reduktim të ekporteve me rreth 20% për të dytin vit rradhazi. Edhe Indonezia shënoi ulje të tregtisë së kafes si vend prodhues, me rreth 17% si pasojë e shirave të tepërt të muajve Prill-Maj, ndërsa Brazili nga rritje që regjistronte çdo vit, në 2024 shënoi rënie të prodhimit me 1.6%.
Aktualisht, Brazili dhe Vietnami mbulojnë 50% të prodhimit botëror të kafes, ndërsa fermerët e vegjël përbëjnë 80% të prodhimit global./ KultPlus.com
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) sot pritet t’i shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
Zëdhënësi i KQZ-së, Vlamir Elezi, ka thënë se KQZ pritet ta mbajë një mbledhje të shtunën, ku në rend dite është shpallja e rezultateve përfundimtare.
Shpallja e rezultateve përfundimtare u vonua për shkak të telasheve të numërimit të votave, si dhe për shkak të rinumërimit të dhjetëra kutive të votimit dhe ankesave.
Shpallja e rezultateve përfundimtare dhe certifikimi i tyre do t’i hapë rrugën formimit të institucioneve të reja të Kosovës.
Me ligjet e Kosovës, brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve, presidentja e vendit duhet të thërrasë mbledhjen konstituive të Kuvendit të Kosovës. Nëse zgjidhen kryetari dhe nënkryetarët, atëherë Vjosa Osmani duhet të kërkojë nga partia fituese ta propozojë mandatarin për formimin e Qeverisë.
Lëvizja Vetëvendosje doli e para në këto zgjedhje me 40.90 %, PDK e dyta me 22.04 %, LDK e treta me 17.64 %, ndërsa koalicioni AAK-Nisma me 7.46 %./ KultPlus.com