Parlamenti Evropian miraton rezolutën për Kosovën

Parlamenti Evropian ka miratuar rezolutën për Kosovën.Në këtë dokument kërkohet që dialogu me Serbinë të përmbyllet me një marrëveshje gjithëpërfshirëse.Një marrëveshje ligjërisht obliguese – e bazuar në njohjen e ndërsjellë.

Në të njëjtin dokument, kërkohet edhe heqja e masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.
Thuhet se Kosova i ka përmbushur kriteret për këtë.

Autori i draftit, eurodeputeti Riho Terras, i ka quajtur këto masa të padrejta dhe të panevojshme që nga fillimi.

“Ne kërkojmë heqjen e menjëhershme të masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian. Ato kanë qenë të padrejta dhe të panevojshme që nga fillimi. BE-ja financon shumë projekte dhe programe të dizajnuara për të mbështetur axhendën evropiane në Kosovë. Kjo është arsyeja pse duhet t’i shfuqizojmë masat dhe ta lëmë Kosovën të përparojë me fondet që ofrojmë”, tha Riho Terras, raportues për Kosovën në Parlamentin Evropian.

Rezoluta përshëndet aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Mbështet anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe Partneritetin për Paqe të NATO-s. U bëhet thirrje pesë shteteve të BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën – që ta njohin pavarësinë e saj.

Në dokument shprehet shqetësim për situatën e sigurisë në veri të vendit, veçanërisht pas sulmit në Banjskë dhe incidentit në kanalin Ibër–Lepenc.

Parlamenti shpreh keqardhje që Serbia ende nuk i ka ndjekur penalisht autorët e sulmit terrorist në Banjskë, duke përfshirë edhe Millan Radoiçiqin.

Paralelisht, Parlamenti Evropian ka miratuar edhe një Rezolutë për Serbinë ku Serbia kritikohet për lidhjet me Rusinë dhe për përpjekjet për destabilizim të rajonit.

Kërkohet që ndihma financiare për Serbinë të rishqyrtohet – nëse ajo vazhdon bashkëpunimin me Rusinë.

“Deklaratat e udhëheqësve serbë në lidhje me angazhimin e tyre formal ndaj integrimit evropian tingëllojnë vërtet jo bindëse. Ndërsa po planifikohet një udhëtim në Moskë dhe marrëveshje të reja energjetike me Rusinë këtë javë, nuk ka në horizont reforma të nevojshme që janë thelbësore për një rrugë të suksesshme evropiane. Në fund të ditës, anëtarësimi në Bashkim është para së gjithash përgjegjësi e shtetit anëtar, jo një alibi për të shmangur përgjegjësinë e vet për problemet e vendit”, tha Tonino Picula, raportues për Serbinë në Parlamentin Evropian.

Rezoluta kritikon edhe të ashtuquajturën “politikë përkëdhelëse” të Komisionit Evropian ndaj Serbisë dhe i bën thirrje Komisionit që të flasë me një gjuhë më të qartë ndaj Beogradit zyrtar./ rtk live/ KultPlus.com

Filmi dokumentar për gruan e vetme shofere në fshatrat e Likovës merr dritën jeshile për Sheffield DocFest

Ibër Deari dhe Mirsad Abazi janë regjisorë të dokumentarit “Antigona” që në thelb ka gruan e vetme shofere të fshatrave të Likovës, e cila me furgonin e saj bën lidhjen e 11 fshatrave, shkruan KultPlus.

Por ky dokumentar tashmë është pranuar në një ndër festivalet më prestigjioze të filmave dokumentar, atë të Sheffield DocFest, e që për këtë arritje ka njoftuar vet regjisori Deari. KultPlus ju sjell të plotë njoftimin e tij.

Një grua, një taksi furgon dhe lidhja e 11 fshatrave të Likovës.

E vetmja grua që vozit taksi furgon në komunë, çdo ditë lidh njerëzit mes veti. Tash “Antigona” ka marrë rrugën më të gjatë drejt një prej festivaleve më të mëdha në botë për filma dokumentarë: Sheffield DocFest. ❤

Jemi shumë të lumtur të ndajmë me ju lajmin se filmi dokumentar “Antigona” është përzgjedhur zyrtarisht për të marrë pjesë në edicionin e këtij viti të Sheffield DocFest një ndër pesë festivalet më të mëdha dokumentare në botë, që mbahet çdo vit në Mbretërinë e Bashkuar dhe përfshin prodhime nga Netflix, BBC, ARTE, dhe National Geographic.

Film i perkrahur nga NNorth Macedonia Film Agencyi realizuar nga produksioni filmit LLumièreShkup me producent @Avdi Thaçi

në regji të Ibër Deari dhe Mirsad Abazi, drejtor fotografie Fejmi Daut muzike Darko Spasovski-Packikamera e dyte Fisnik HaliliSkenografi Ardian Kadriu

“Antigona” shkon në Sheffield bashkë me të edhe zëri i grave të fuqishme dhe të pavarura që udhëheqin vetë jetën dhe punën e tyre.

“Antigona” sjell portretin e vetmes grua shofer në komunën e Likovës një heroinë moderne që përmes drejtimit të furgonit, lidh 11 fshatra me njëri-tjetrin.

Një histori e thjeshtë, por jashtëzakonisht e fuqishme për forcën, durimin dhe rolin e grave në komunitetet rurale./ KultPlus.com

Baritoni Harris Bajraktari me rolin ‘Il Conte’ pjesë e festivalit ndërkombëtar ‘Pagues Summer Nights’

Baritoni Harris Bajraktari do të jetë pjesë e festivalit ndërkombëtar “Prague Summer Nights”, me aktivitete që do të zhvillohen në Republikën Çeke (Tábor & Pragë) dhe në Austri (Vjenë).

Baritoni Bajraktari do të interpretoj rolin e “Il Conte” në operën “Le Nozze di Figaro”, që për të përbën një nga rolet më të dashura dhe sfiduese.

“Është një privilegj i madh të jem pjesë e këtij festivali të jashtëzakonshëm dhe jam thellësisht mirënjohës për këtë mundësi. Faleminderit për mbështetjen dhe shihemi në skenë”, ka shkruar baritoni Bajraktari.

Ky produksion do të shfaqet në muajin korrik, në ambientin prestigjioz të Haus der Industrie në Vjenë./ KultPlus.com

92 vjet nga lindja e mbretëreshës së këngës shqipe, Nexhmije Pagarushës

Sot janë bërë 92 vjet nga lindja e mbretëreshës së muzikës shqipe, Nexhmije Pagarushës.

Ajo mbetet një nga figurat më të shquara të muzikës shqiptare, e cila sot në këtë përvjetor të lindjes vazhdon të kujtohet si ‘Bilbili i këngës shqipe’ e cila la pas një trashëgimi të pashlyeshme, e cila vazhdon të frymëzojë e të prekë zemrat e shumëkujt.

Nexhmije Pagarusha nuk ishte vetëm një artiste, por një ikonë, një përfaqësuese e muzikës shqiptare. Me zërin e saj të shkëlqyeshëm dhe interpretimin e ndjeshëm, ajo arriti të kapte zemrat e publikut në mënyrë të paimagjinueshme. Këngët e saj, si “Baresha”, ”Ani mori nuse”, ”Mora testin”, “Një lule”, “Zambaku i Prizrenit” dhe shumë të tjera, nuk janë vetëm kompozime muzikore, por janë pjesë e trashëgimisë kulturore të kombit tonë.

Veprimtaria e saj muzikore 40-vjeçare është aq e gjerë, sa që është vështirë të thuhet se cilit zhanër i takon. Është e njohur për interpretimet e saj të shkëlqyera në muzikën popullore dhe opera.

Nexhmije Pagarusha ishte edhe aktore e suksesshme, si në film ashtu edhe në teatër.

Në Beograd vijoi shkollën e muzikës për solo kanto, të cilën ajo e la në vitin e tretë dhe nuk e vazhdoi më. Po ashtu në Beograd kishte paraqitjen e parë muzikore në skenë. Në vitin 1948 është pranuar soliste në Radio Prishtinë.

Bashkëpunoi edhe me këngëtarët nga Shqipëria dhe u paraqit edhe në Shqipëri me ansamblin “Shota” me rastin e një turneu.

”Baresha” është një ndër kryeveprat e interpretimit të saj. Kjo këngë u kompozua nga bashkëshorti i saj Rexho Mulliqi, me tekstin e poetit Rifat Kukaj.

Nexhmije Pagarusha interpretoi në një koncert të muzikës klasike veprat e përkthyera shqip të Bethovenit, Puçinit, Verdit, etj. Ky koncert ka qenë i pari i këtij lloji. Fatkeqësisht, asnjërit nga organizatorët teknikë nuk iu kishte kujtuar që të regjistronte këtë koncert! Për fat të keq, nuk janë evidentuar as të gjitha koncertet dhe repertori i këngëve të kënduara nga ajo, ngaqë, siç ka thënë ajo një herë, për të, vetëm muzika ishte me rëndësi; ajo dhe muzika ishin një. Mendohet se ajo ka interpretuar mbi 150 këngë.

Ajo ishte pjesëmarrëse e koncerteve në Kosovë, Shqipëri, Bullgari, etj. Karrierën muzikore e përfundoi në vitin 1984, pas një koncerti në Sarajevë.

Pas 16 vjetësh larg skenës, ajo u paraqit në vitin 2000 me këngën “Për ty” në një emision të udhëhequr nga Ardit Gjebrea, i cili e bindi të bëjë këtë.

Më 2018 Pagarusha u vlerësua me “Medaljen e Mirënjohjes” nga presidenti amerikan, Donald Trump.

Përveç talentit të saj të rrallë, Nexhmije Pagarusha ishte gjithashtu një simbol i forcës dhe rezistencës.

Me 7 Shkurt 2020, Nexhmije Pagarusha u nda nga jeta.

Nexhmije Pagarusha, me zërin dhe frymën e saj të veçantë, do të qëndrojë gjithmonë në kujtesën tonë, si një shembull i vërtetë i talentit dhe integritetit artistik. / KultPlus.com

620-vjetori i lindjes, aktivitete kulturore në nderim të Gjergj Kastriot Skënderbeut

Me rastin e 620-vjetorit të lindjes së Gjergj Kastriot Skënderbeut, janë zhvilluar një sërë aktivitetesh kulturore në mbarë vendin.

Biblioteka Kombëtare e kujtoi heroin tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, përmes një ekspozite të veçantë e shumëngjyrëshe me historikun e pullave të postës me figurën e Skënderbeut.

Koleksioni i ekspozuar me këtë rast është pjesë e koleksionit privat të filatelistit Hysen Dizdari. Ai përmban pullat postare shqiptare qysh prej vitit 1913 e deri më sot, të emetuara në nder të Heroit tonë Kombëtar.

Me pjesëmarrjen e filatelistëve më në zë të vendit tonë, studiuesve, historianëve dhe të rinjve nga Maarif Tirana Campus, ekspozita ktheu vëmendjen jo vetëm kah heroit tonë kombëtar, por edhe figurave të tjera të rëndësishme kombëtare me prani të gjerë në pullat tona postare.

Edhe Bashkia Lezhë u përfshi në aktivitetet me rastin e 620-vjetorit të lindjes së Skënderbeut.

Në nderim të kësaj dite, të pagëzuar si “Dritë- Lindje Arbënore”, të rinjtë u njohën jo vetëm me historikun por gjithashtu interpretuan artistikisht veshur me kostume kombëtare.

Ky aktivitet përkujtimor, në nderim të Skënderbeut, u realizua nën kujdesin e Bashkisë Lezhë dhe të Drejtorisë së Kulturës dhe Trashëgimisë Kulturore, në Memorialin e Heroit Kombëtar. Risi e këtij aktiviteti ishte pjesëmarrja e studentëve të Universitetit të Shkodrës dhe nxënësve të shkollave të ndryshme të qytetit. /atsh/ KultPlus.com

Koncertin e 25-vjetorit Filharmonia e Kosovës ia dedikon themeluesit të saj, dirigjentit Bahri Çela

Në kuadër të shënimit të 25-vjetorit të themelimit të Filharmonisë së Kosovës – në nderim të dirigjentit të parë kosovar dhe themeluesit të Filharmonisë, Bahri Çela, Kori dhe Orkestra sjellin interpretimin e oratoriumit “Messiah”.

Nën drejtimin e mjeshtrit Marcio da Silva, Filharmonia e Kosovës në bashkëpunim me ansamblin OrQuesta nga Anglia, do të interpretojnë oratoriumin monumental Messiah, me pjesëmarrjen e një kasti të dalluar solistësh vendorë dhe ndërkombëtarë: Kaltrina Miftari – soprano, Nathan Mercieca – kontratenor, Kieran White – tenor, Jack Lawrence-Jones – bariton si dhe instrumentistët: Cédric Meyer – leut, Stephanie Gurga – çembalo dhe Lekë Salihu – organo/tastierë.

Koncerti mbahet më 9 dhe 10 maj, prej orës 19:30, në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit./ KultPlus.com

Presidentja Osmani përkujton Betejën e Çabratit: Piedestal i qëndresës dhe lavdisë

Presidentja Vjosa Osmani ka përkujtuar sot Betejën e Çabratit, në të cilën betejë kanë rënë heroikisht 26 luftëtarë të UÇK-së, janë vrarë mizorisht 100 banorë dhe janë rrëmbyer me dhunë mbi 300 të tjerë.

Presidentja Osmani ka thënë se Beteja e Çabratit është piedestali i qëndresës dhe lavdisë.

“Në ballë të historisë, aty ku gjaku i lirisë u bë flamur, qëndruan vajzat dhe djemtë e Brigadës 137 “Gjakova”, të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Me zemër e besë, ata mbrojtën Gjakovën nga barbaria e regjimit gjenocidal serb.

Në atë betejë të lavdishme ranë heroikisht 26 luftëtarë të UÇK-së, u vranë mizorisht afër 100 banorë dhe u rrëmbyen me dhunë mbi 300 të tjerë.

Çabrati është betim për liri, kujtesë e përhershme dhe thirrje për drejtësi.

Lavdi dëshmorëve! Nderim për të rënët! Drejtësi për të pagjeturit!”, ka thënë Presidentja Osmani./ KultPlus.com

80-vjetori i Teatrit Kombëtar, Gonxhja: Gjurmë në kujtesën e publikut me qindra shfaqje

Në prag të 80-vjetorit të Teatrit Kombëtar, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, kujtoi përmes një postimi online, këtë ngjarje të shënuar për një nga institucionet më të dashura dhe më të rëndësishme të kulturës shqiptare.

“Për tetë dekada, Teatri Kombëtar ka mbajtur gjallë frymën e artit dhe ka formuar breza të tërë aktorësh, regjisorësh, dramaturgësh, skenografësh e krijuesish përmes qindra shfaqjeve që kanë lënë gjurmë në kujtesën e publikut. Sot, më shumë se kurrë, ndjejmë mirënjohje të thellë për të gjithë ata që, me përkushtim, pasion dhe profesionalizëm, kanë ndërtuar dhe mbajtur gjallë këtë institucion”, shkroi ministri Gonxhja.

Kreu i MEKI-t ka theksuar se kjo histori nuk duhet vetëm të festohet, por të mbështetet dhe të forcohet më tej. Ai ka premtuar se do të punohet shumë për të krijuar kushte më të mira për artistët, për të nxitur krijimtarinë bashkëkohore, dhe për të garantuar që teatri të jetë gjithmonë një hapësirë e gjallë, dinamike dhe e hapur për të gjithë.

“80 vjet më vonë, përgjegjësia jonë është të ndërtojmë të ardhmen e këtij institucioni me të njëjtin pasion që ka ndërtuar historinë e tij”, e mbylli mesazhin e tij ministri Gonxhja./atsh/ KultPlus.com

90-vjetori i lindjes së piktorit e studiuesit Maks Velo

 Më 7 maj të vitit 2020 u nda nga jeta Maks Velo, piktor, arkitekt, studiues dhe shkrimtar i njohur.

Viti 2025 që përkon me 90-vjetorin e lindjes së tij, është shpallur nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit si “Viti Maks Velo”.

Maks Velo lindi në Paris, më 31 gusht të vitit 1935. Pas lindjes së tij, familja Velo u kthye përsëri në qytetin e Korçës, ku Maksi kaloi fëmijërinë. Pas gjimnazit ai vazhdoi studimet pranë Institutit Politeknik, në degën e Inxhinierisë së Ndërtimit. Më pas u specializua për arkitekturë dhe në vitin 1960 mori pjesë në projektimin e parë që u bë në Tiranë.

Vitet ’78-’79 përkojnë edhe me periudhën më të vështirë të jetës së tij, pasi gjatë kësaj kohe, ai arrestohet dhe dënohet me dhjetë vjet burg. Maks Velo vuajti dënimin në burgje gjatë regjimit komunist dhe një pjesë e krijimtarisë së tij i është dedikuar dimensionit të lirisë në diktaturë. Gjatë viteve të fundit mori pjesë gjerësisht në debatet për menaxhimin e hapësirës publike përmes artikujve publicistikë dhe aktiviteteve të tjera

Velo është autor i një sërë botimesh si “Kokëqethja”, “Palltoja e burgut”, “Thesi i burgut”, “Paralele për arkitekturën”, “Kohë antishenjë”, “Betonizimi i demokracisë”, “Hetimi”, “Spaçi”, “Jeta ime në figura”, “Klubi Karavasta” “Përkthyesi”, “Jetë paralele” etj. /atsh/ KultPlus.com

26 vite nga rënia e luftëtares 17 vjeçare, Yllka Domi

Janë bërë 26 vite nga rënia heroike e luftëtares 17 vjeçare, Yllka Domi, e cila ra dëshmore në Betejën e Çabratit, më 7 maj të vitit 1999.

Yllka u vra bashkë me disa bashkëluftëtarë dhe ushtria serbe, për të fshehur gjurmët, trupin e Yllkës bashkë me trupat e tjerë të vrarë, i dërguan në një varrezë masive në Batajnicë, për t’u gjetur e rivarrosur më 23 dhjetor 2003 në Kodrën e Çabratit, në Gjakovë.

Në kohën kur ajo u vra, ishte në vitin e fundit të shkollës së mesme “Mazllom Këpuska” dhe nuk arriti ta përjetonte diplomimin e saj. Por, Yllka ishte shumë më tepër se kaq. Ajo ishte poete që premtonte të sillte një frymë të re në poezinë shqiptare.

Sipas profesorëve dhe njerëzve që e njohën, vdekja e Yllkës ishte humbje e një kuadri intelektual, e një atdhetareje dhe poeteje, e cila do të ishte prijatare e proceseve te ndërtimit të shtetit, por edhe shtyllë e kulturës dhe letërsisë.

Yllka u rrit në një frymë atdhetare dhe po përballej gjithmonë me padrejtësitë që po i bëheshin atë kohë kombit shqiptar. Prandaj, ajo ishte e interesuar gjithmonë që të informohet saktë se si po lëvizin gjërat.  Kudo ishte aktive, në shkollë, në grupe humanitare, në ndihmë banorëve të zhvendosur dhe aty ku e kërkonte nevoja. Si e tillë, ra në kontakt me shumë të rinj e të reja, të cilët ishin kyçur në bërthamat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ka kryer kurset për ndihmë të plagosurve në luftë dhe ka ushtruar përdorimin e armëve dhe pastrimin e tyre.

Dita Botërore e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe

Dita Botërore e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe mbahet çdo vit më 8 maj, në shenjë kremtimi të parimeve bazë të Lëvizjes Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe.

Kjo ditë nderon përvjetorin e lindjes së fituesit të parë të çmimit Nobel për Paqe dhe themeluesit të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq – Henry Dunant.

Vullnetarët e guximshëm të Shoqatave të Kryqit të Kuq Kombëtar dhe Gjysmëhënës së Kuqe kanë qenë në vijën e parë të fatkeqësive të shumta natyrore dhe artificiale.

Së bashku me nderimin e trashëgimisë shekullore paqeruajtëse të lëvizjes, dita gjithashtu rrit ndërgjegjësimin e publikut për parandalimin dhe kurimin e sëmundjeve si tuberkulozi, HIV/AIDS dhe malaria në komunitetet e privuar.

Ideja për një “aksion të përvitshëm që mund të mbahej në të gjithë botën … që do të ishte një kontribut i madh për paqen” u prezantua menjëherë pas Luftës së Parë Botërore.  Kjo iniciativë, e njohur si “Armëpushimi i Kryqit të Kuq”, u studiua nga një Komision Ndërkombëtar i krijuar në Konferencën e 14-të Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq.

Raporti i tij, i paraqitur në Konferencën e 15-të Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq në Tokio në vitin 1934, edhe u miratua nga organet përkatëse. Vetëm pas Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1946, propozimi i Tokios u ri-shqyrtua nga Lidhja e Shoqërive të Kryqit të Kuq (LRCS), (riemërtuar në Federatën Ndërkombëtare të Shoqërive të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe (IFRC) në vitin 1991).

Dy vjet më vonë, propozimi i një Dite Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq u miratua dhe Dita e parë e Kryqit të Kuq u festua më 8 maj 1948.  Titulli zyrtar i ditës ndryshoi me kalimin e kohës dhe u bë Dita Botërore e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe në vitin 1984.

Mbreti dhe Mbretëresha e Anglisë zbulojnë portretet e Kurorëzimit

Mbreti Charles dhe Mbretëresha Camilla kanë zbuluar portretet e tyre të reja shtetërore në Galerinë Kombëtare në përvjetorin e dytë të ditës së kurorëzimit të tyre.

Pikturat do të ekspozohen në Sallën Qendrore të galerisë përpara se të zhvendosen në Pallatin Buckingham në qershor.

Portreti i Mbretit e tregon atë të veshur me Rrobën e Shtetit së bashku me uniformën e tij me medalje, dhe Mbretëresha është portretizuar e veshur me fustanin e saj të kurorëzimit.

Pati duartrokitje në galeri të martën ndërsa çifti hoqi mbulesat për të zbuluar të dy portretet. 

Mbreti u pikturua nga Peter Kuhfeld, i cili e njeh atë për më shumë se 40 vjet, ndërsa Mbretëresha u pikturua nga Paul S. Benney.

PA Media Portreti i Mbretit
PA Media Mbretëresha shikon portretin e saj

Sulltani i Bruneit i ndan Presidentes Osmani Urdhrin Mbretëror që i kishte ndarë Mbretëreshes Elizabeth

Presidentja Vjosa Osmani është nderuar nga Sulltani i Bruneit me Urdhrin e Familjes Mbretërore “Laila Utama” dhe titullin e nderit “Datin Laila Utama”, me një nga vlerësimet më të larta që u jepet udhëheqësve të huaj.

Lajmi është bërë i ditur nga Presidentja Osmani përmes një shkrimi në Facebook, ku edhe ka shprehur mirënjohje të thellë për nderimin dhe respektin.

“Nder i jashtëzakonshëm që nga Sulltani i Bruneit mu nda Urdhri i Familjes Mbretërore “Laila Utama” dhe titulli i nderit “Datin Laila Utama”.

Ky është një nga vlerësimet më të larta që u jepet udhëheqësve të huaj, prandaj e konsideroj si një nderim për popullin e Kosovës dhe një dëshmi e miqësisë që po forcojmë me shtetin dhe popullin e Bruneit.

Mirënjohje të thellë për këtë nderim e respekt!”, ka shkruar Presidentja Osmani./ KultPlus.com

Kardinalët katolikë nisin sot votimet për Papën e ri

Kardinalët katolikë nga e gjithë bota nisin këtë të mërkurë (7 maj) procesin e votimit për një papë të ri, nën afreskun e famshëm të Michelangelo-s, “Gjykimi i Fundit”, në Kapelën Sistine.

Ky është një konklav i veçantë dhe ndoshta më i paparashikueshëm që ka ndodhur ndonjëherë, pas vdekjes së Papa Françeskut në moshën 88 vjeçare.

Një nga trashëgimitë kryesore të Papa Françeskut ishte krijimi i një kolegji kardinalësh të larmishëm dhe shpesh të përçarë, me disa që mbështesin vizionin progresiv të tij dhe të tjerë që dëshirojnë të rihapin diskutimin mbi shumë nga ndryshimet që ai solli në Kishën Katolike.

Termi Konklav rrjedh nga latinishtja “cum clavis”, do të thotë “vend i mbyllur me çelës” ku kardinajtë takohen për të zgjedhur Papën e ri, pasardhësin e 267-të të Pjetrit, në fshehtësi dhe pa asnjë mundësi për të kontaktuar me botën e jashtme. Strehimi është vendosur në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan. Mbeten vetëm pak ditë deri në fillimin e Konklavit, ndaj pritja për Papën e ri po shtohet. “Populli i Zotit” do ta njohë emrin e tij falë tymit të bardhë dalë nga oxhaku i Kapelës Sikstine.

Shfaqja “Të Negociosh Paqen” më 8 dhe 9 maj do të jepet në Firence

Komedia `Të Negociosh Paqen`, në të cilën luajnë aktorët nga Kosova e Shqipëria: Shkumbin Istrefi, Meli Qena, Ema Andrea, Dukagjin Podrimaj etj., do të prezantohet në Teatrin e Pergolas në Firencë, më 8 dhe 9 maj.

E frymëzuar nga libri i Richard Holbrooke ‘To End a War’ dhe ‘Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur’ i Kadaresë, shfaqja ‘NEGOTIATING PEACE’ tenton të ballafaqojë publikun me prapavijat, sfidat, frikërat dhe shpresën që e shoqërojnë arritjen e një marrëveshjeje të paqes.

E shkruar nga Jeton Neziraj dhe me regji të Blerta Nezirajt, shfaqja pati udhëtime nëpër Evropë duke u prezantuar në vende të ndryshme. Në festivalin Mittelfest në Cividale del Friuli në korrik të vitit të kaluar, aktorja Ema Andrea u shpërblye me çmimin ‘Adelaida Ristori’./KultPlus.com

Zbulohen dy site të reja arkeologjike në Gjirokastër

Dy site të reja me vlera të rëndësishme arkeologjike janë identifikuar në Zagori të Gjirokastrës.

Ka qenë investimi në rrugën Çajup – Zagori, pranë fshatit Sheper, ajo që ka nxjerrë në pah të dhënat arkeologjike për këtë zbulim të rëndësishëm.

Deri më tani raportohet për identifikimin e gjurmëve të një tempulli antik dhe struktura banimi, që datojnë në shekullin 3-2 pas erës sonë.

Ndërsa brenda Majit në këtë zonë do të nisin gërmimet e shpëtimit për të nxjerrë në pah një tjetër sit që pasuron trashëgiminë tonë historike./tvklan/KultPlus.com

Zigmund Frojd: Vetëm duke u parë sy më sy me demonin që të mban të nënshtruar mund t’ia dalësh të fitosh vetveten

Sa të vërteta përballon një mëndje, sa të vërteta guxon te thote ajo? Për mua kjo është bërë gjithnjë e më tepër masa e vërtetë e vlerave njerëzore. Gabimi, besimi në një ideal nuk është verbim, gabimi është paburrëri. Çdo ide, çdo hap përpara drejt njohjes rrjedh nga guximi, nga rreptësia ndaj vetvetes, nga pastërtia ndaj saj, kumton Fridrih Niçe. Nëpër këtë synaps kalon gjithçka që përshkruan simbolikën e këtij gjeniu, kësaj shkrepëtime drite të fillimshekullit.

Masa me e sigurt e çdo force ështe qëndresa që ajo mposht. Kështu, veprimi fillimisht përmbysës, pastaj rindërtues i Zigmund Frojdit kuptohet me të vërtetë vetëm po të përfytyrojmë moralin e një periudhe të mëhershme dhe të tashmes kur merr zë guximi i një mjeku që do të shkundte nga themelet jo vetëm pikpamjet e deriatëhershme për psikoanalizën por do të shtangte gjithë botkuptimin akademik që strukej pas panevojës për ta njohur njeriun me atë çfarë ai është.

“Instinktet nuk lejohen t’i shtypësh, dhe është e kotë të supozosh se kur i shtyp, ata ikin e zhduken përgjithmonë. E shumta, mund t’i ndrydhësh, duke i kaluar nga vetëdija në pavetëdije.

Por duke iu nënshtruar kësaj shmangieje të rrezikshme, ata grumbullohen në thellësi të shpirtit dhe, duke fermentuar vazhdimisht, krijojnë shqetësime nervore, çrregullime dhe sëmundje.

Forca e instinkteve të epshit, të damkosura nga morali, përbëjnë një pjesë të pashkatërrueshme të qenies njerëzore që rilind në çdo embrion, se ky element nuk mund të shmanget kurrë, por në disa raste arrin të zbutet veprimi i tij duke kaluar në vetëdije.

Instinktet mund t’i disiplinojë vetëm ai që i njeh, demonët mund t’i zbusë vetëm ai që i nxjerr nga honi i tyre i errët në dritë dhe i sheh në fytyrë. E rëndësishme nuk është t’i mbytësh në heshtje të fshehtat më të mistershme të njeriut, por t’i detyrojë ata të flasin.”

… dhe ai Zigmund Frojd (6 maj 1856 – 23 shtator 1939) mjeku, neurologu udhe pionieri i psikanalizës, i vetëm kundër të gjithëve, i’a arriti kësaj sfide, e çliroi njeriu nga robëria e kahershme për t’i dhënë lirinë e themeltë si shpërblim.

Idetë e Frojdit për shumë vite vazhuan të trajtoheshin si blasfemi. Ai kishte nxjerrë nga terri një ushtri të pamatë ligësie që fshihej brenda “homo sapiens”. Ai çliroi njeriun nga alogjizmi trashanik sipas së cilës, kur një gjë e fsheh, ajo nuk ekziston. Sipas tij vetëm duke u parë sy më sy me demonin që të mban të nënshtruar mund t’ia dalësh të fitosh vetveten.

***

Në vitin 1923 Zigmund Frojdi u diagnostikua me kancer në gojë dhe për këtë shkak ai bëri me dhjetera operacione që në fillimet e para të sëmundjes në Austri. Pak pasi ai mbërriti në Angli, dhimbjet u rritën aq shumë saqë ndikuan që te kërkonte nga mjeku i tij aplikimin e një doze morfine vdekjeprurëse. Më 23 shtator të vitit 1939 ai shpëtoi nga dhimbjet dhe vuajtja që zgjatonte me agoninë e një fati pa shpresë, duke u shuar.

Ai është në gjithçka i përkorë, edhe në guximin për të ngritur zërin, dhe në kushtrimin që lëshon përbindshëm në kllapinë ku dergjet vetëdija e kohës.

Ai ishte i vetmi që mundi të depërtonte më thellë se askush tjetër më parë në vetëdijen dhe nënvetëdijen e njeriut. Nuk qe aspak e lehtë udha që do të merrte ky Odise i shpërfaqjes së fatit dhe fatalitetit, ku padija e kishte kyçur njeriun, këtë krijesë sa prepotente aq dhe inferiore.

Kaluar mbi një energji të pashtershme angazhimi vetëmohues, ai do të rrëmonte zhguallin e trashë ku njeriu strukej e të nxirrte që andej, ta ç’burgoste prej misterit dhe bestytnishë, frikës për të hyrë brenda vetes dhe ndjellakeqes për ta nxjerrë prej skutave të errëta e për ta shpaluar faqe dritet. Si asnjëherë më parë, si të vetmen shtangie që bota do ta kundronte gojëhapur dhe anatemuese, ai guxoi dhe triumfoi. E denoncoi njeriu e nënvetëdijes dhe vetëdijes, para vetvetes. E shfletoi atë si një libër të dënuar të mbetej i mbyllur. E tregoi me gisht. E përzuri me shqelma nga skutat ku kishte shekuj që strukej. I dha dritë që i duhej për të parë dhe të vërtetën e tronditëse për të ardhur në vete.

Mendimet ushqehen po aq me përgënjeshtrime sa me vërtetime, një vepër ekziston jo më pak nga urrejtja sesa nga dashuria që zgjon. I vetmi triumf vendimtar i një ideje, i vetmi gjithashtu që jemi të gatshëm edhe ta adhurojmë, është shkrirja e saj në jetë. Sepse asgjë, në kohën tonë të një drejtësie të pasigurt, nuk e rindez dhe aq besimin në epërsinë e mendjes sesa shembulli i gjallë i njeriut të vetëm që ka gjithnjë guxim të thotë të vërtetën për ta përhapur në tërë gjithësinë.

Ai ishte Zigmund Frojd. / Nga Albert Vataj / KultPlus.com

Shkolla e Muzikës ‘Amadeus’ nënshkruan marrëveshjen për projektin ‘Musikos’, mbështetur nga Ambasada e Gjermanisë dhe Francës

Sot u nënshkrua marrëveshja për projektin “MUSIKOS” i cili ka filluar te implementohet nga Shkolla e Muzikës “Amadeus” dhe me mbështetjen e Ambasadës Gjermane në Kosovë, Ambasadës së Francës, Institutit Francez dhe Goethe-Zentrum.

Projekti “MUSIKOS” momentalisht është duke përfshirë në mësime të këndimit koral nxënës të talentuar nga shkollat fillore të Prishtinës.
Faza e dytë e projektit do të fillojë në muajin Gusht 2025.

Me Ambasadorët e dy vendeve dhe drejtoreshën Hana Petrovci u diskutua edhe për fazën momentale të implementimit dhe planet e të ardhmes së afërt./KultPlus.com

Kurti: Gjergj Kastrioti ishte hero për së gjalli dhe do të mbetet heroi kombëtar i shqiptarëve në të gjitha kohërat

Sot përkujtohet dita e lindjes së heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti Skëndërbeu, përcjell KultPlus.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nëpërmjet një postimi në Facebook ka shkruar se Skënderbeu është shqiptari për të cilin është shkruar më së shumti në histori dhe njëri nga personalitetet historike në përgjithësi për të cilin janë shkruar më së shumti libra.

Në vijim KultPlus ua sjell postimin e kryeministrit Kurti:

Gjergj Kastrioti ka lindur para 620 vitesh, me shumë gjasë në një ditë sikur sot, në Ditën e Shën Gjergjit, siç na bën të besojmë emri i tij, prej nga mund të jetë pagëzuar “Gjergj”, sipas traditave mesjetare të krishtera. Me origjinë fisnike nga familja e Kastriotëve, Gjergj Kastrioti do të bëhej një nga figurat më të njohura ushtarake dhe politike në Evropë, në shekullin e fundit të epokës së mesjetës.

Për një çerekshekulli, ai i priu kryengritjes dhe rezistencës kundërosmane të arbërve, duke dhënë shembull se si luftohet për liri, atdhe dhe bashkim politik. Ndër shekuj, emri i Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, u bë referencë për strategji ushtarake, ideale politike, guxim në veprime dhe konsistencë në rezistencë.

Në këtë ditëlindje të tij, Skënderbeun po e kujtojmë me këtë portret të punuar në vitin 1533. Kjo gravurë është realizuar nga artisti gjerman Hans Weiditz, për të ilustruar botimin e parë në gjermanisht të biografisë për Skënderbeun që e shkroi Marin Barleti.

Skënderbeu është shqiptari për të cilin është shkruar më së shumti në histori dhe njëri nga personalitetet historike në përgjithësi për të cilin janë shkruar më së shumti libra. Në historinë e kombformimit te shqiptarët, figura e Skënderbeut është një nga shtyllat mbi të cilat është ngritur dhe qëndron kombi shqiptar. Gjergj Kastrioti ishte hero për së gjalli dhe do të mbetet heroi kombëtar i shqiptarëve në të gjitha kohërat. U kujtoftë dhe u nderoftë me lavdi Skënderbeu ndër breza!/KultPlus.com

Shpallen fituesit e edicionit të 4-t të panairit “Kamza Lexon”

Ka mbyllur siparin edicioni i katërt i panairit ”Kamza Lexon”.

Aktiviteti u organizua nga Bashkia e Kamzës, ndërsa u zhvillua dhe një ceremoni për shpalljen e fituesve të “festivalit” letrar, të kurorëzuar nga juria e përbërë nga Ermir Nika, Alda Bardhyli dhe Arta Marku (Qëndro).

Në aktivitetin e organizuar, kryebashkiaku i Kamzës, Rakip Suli theksoi rëndësinë e promovimit të jetës kulturore në qytet, ndërsa nisma të shumta për mbështetjen e shkrimtarëve të rinjë, por edhe atyre të afirmuar.

Në fjalën e tij kryetari i bashkisë Kamëz, Rakip Suli theksoi se është i vendosur që të vazhdojë ta mbështesë këtë panair, si dhe arsimin në tërësi në territorin e Kamzës.

“Janë mbi 40 objekte arsimore të ndërtuara me të gjithë parametrat bashkëkohore shoqëruar dhe me infrastrukturën e duhur përfshi dhe bibliotekat apo dhe sallat ku mund të bëhen promovime librash apo të llojeve të ndryshme”, bëri të ditur Suli.

Shkrimtari dhe publicisti Ben Blushi kërkoi nga kryetari i bashkisë Kamzë një rrugë të dedikuar për shkrimtarët.

Blushi tha se në Kamëz sot “gjen një panair, shumë lexues, debat për librin, stenda, shkolla të angazhuara, mësues letërsie të qeshur, vajza që kërkojnë autografe, dhe mbi të gjitha një respekt për shkrimtarët të cilët nderohen me çmime. I frymëzuar nga kjo atmosferë e bukur, i propozova kryetarit të këtij qyteti Rakip Sulit, t’i zerojë taksat për libraritë dhe mundësisht të krijojë në këtë qytet të ri një rrugë shkrimtarësh”.

Nata e tretë e Panairit IV të Librit “Kamza Lexon” 2025 u kurorëzua me ndarjen e çmimeve letrare.

Çmimet e Panairit IV të librit “KAMZA LEXON” 2025:

Çmimi “PANTEON” për karrierën i jepet  Fatos Kongolit “Për kontributin e jashtëzakonshëm, me gjurmë të pashlyeshme, në shkrimin e një pjese të rëndësishme të historisë së letërsisë shqipe.

Çmimi “LITTERA” për prozën e gjatë  i jepet Ben Blushit: “Për mjeshtërinë e rrëfimit, stilin e ndërtuar mes dialogësh që udhëtojnë në të ardhmen, që e bëjnë romanin “Parajsa artificiale” një vepër ku letërsia bashkëkohore shqipe shënjon arritjen e saj më të lartë“.

Çmimi “KOLEKSION” për prozën e shkurtër i jepet  Diana Çulit: – Për lëvrimin mjeshtëror të prozës së shkurtër, ndërtimin autentik të subjekteve dhe karaktereve, për stilistikën e përkorë që ekuilibron raportin mes formës dhe strukturës së rrëfimit në vëllimin “I panjohuri”.

Çmimi “KACAMISRI” për letërsinë për fëmijë i jepet Xhevahir Spahiut: “Për muzikalitetin e fjalës, për natyrshmërinë në komunikim me lexuesit e vegjël, për filozofinë e perceptueshme prej tyre, për edukimin e ndjenjave atdhetare… përmes vjershave të librit “Një mijë dashuri””.

Çmimi ”BABEL” për përkthimin i jepet Zija Vukajt: “Për sfidën e përmbushur për të risjellë në shqip një kryevepër botërore të letërsisë për fëmijë, sikurse “Pinoku” i Carlo Collodi-t, duke i qëndruar me dinjitet ballafaqimit me përkthimet më të mira paralele“.

Çmimi “MEHR LICHT” për librin studimor i jepet Ardian Vehbiut: “Për këmbënguljen profesionale dhe intelektuale në funksion të vendosjes së ekuilibrave mbi të vërtetat shkencore lidhur me gjuhën shqipe, të shpalosura në vëllimin “Përrallëtarët e gjuhës shqipe”.

Shkrimtarit dhe publicistit të talentuar Shefqet Meko, i cili jeton dhe punon në Minneapolis (SHBA) i është dhënë “Çmim Nderi”: “Në vlerësim të kontributit të tij të jashtëzakonshëm në letërsinë shqiptare me romanin “Rënia”, një vepër që shndërron kujtesën historike në art të vërtetë, duke ndriçuar me guxim përmbysjen e regjimit komunist.

Çmimi “Shkrimtari në komunitet” i jepet Caush Kullafi për vlerat e krijuara në përshkrimin mjeshtëror të botëkuptimit njerëzor, nëpërmjet artit të fjalës”.

Çmimi Letrar “Horizont” i jepet shkrimtarit të ri Hamdi Skeja si protagonist i spikatur në letërsinë e brezit të ri, për veçanti të stilit dhe këndvështrimin origjinal në trajtimin e realitetit./KultPlus.com

“New York Times” nderohet me katër çmime “Pulitzer”, “Washington Post” vlerësohet për artikullin e Trump

Gazetat amerikane “Washington Post”, “Wall Street Journal” dhe “New York Times” ishin ndër fitueset kryesore të çmimeve “Pulitzer” të këtij viti – duke vlerësuar gazetarinë e shquar.

“Washington Post” mori çmimin për “Raportimin e Lajmeve të Fundit” për mbulimin e tentativës së vrasjes së kandidatit të atëhershëm presidencial të SHBA-së, Donald Trump.

“Wall Street Journal” fitoi çmimin “Pulitzer” për “Raportimin Kombëtar” lidhur me ngritjen e shpejtë të miliarderit të teknologjisë, Elon Musk në politikën amerikane.

“New York Times” kryesoi me katër çmime. Ekipi i saj ndërkombëtar u njoh për “Raportimin e Luftës Civile në Sudan”, ndërsa gazetarët e saj vendas u vlerësuan për “Raportimet mbi rritjen e vdekjeve nga droga midis komuniteteve me ngjyrë në Baltimor, Marilend”.

“Times” gjithashtu mori çmimin për “Raportimin Shpjegues” për një zhytje të thellë në operacionet ushtarake amerikane në Afganistan.

Doug Mills, fotografi i “New York Times”, u vlerësua për fotografitë e tij gjatë tentativës së për vrasje ndaj Trump, duke përfshirë një foto ku plumbi kapej në ajër.

Agjencia e lajmeve “Reuters” mori çmimin “Pulitzer” për “Raportimin Investigativ”, për gazetarinë hetimore lidhur me ndikimin vdekjeprurës të drogës, fentanil.

Gazetarja, Ann Telnaes u vlerësua në kategorinë e “Raportimit dhe Komentimit të Ilustruar” pasi u largua nga “Washington Post” – pas një mosmarrëveshjeje mbi një karikaturë të pabotuar kritike ndaj Trump. Telnaes punoi për gazetën për 17 vjet.

Romani i autorit amerikan, Percival Everett “James”, një riimagjinatë e “Aventurave të Huckleberry Finn”, u vlerësua me çmimin “Pulitzer” për Trillim.

Çmimi i romanit Jo-Trillim iu dha Benjamin Nathans për “Për Suksesin e Kauzës Sonë të Pashpresë”, “To the Success of Our Hopeless Cause”, një kronikë e disidentëve rusë që nga vitet 1960.

Çmimet “Pulitzer” u dhanë për herë të 109-të këtë vit. Fituesit u zgjodhën nga një juri me seli në Universitetin Kolumbia, në Nju Jork./KultPlus.com

Zigmund Frojdi babai i psikoanalizës dhe luftërat e tij të brendshme

Ka një pikë në të cilën të gjithë bien dakord: Qoftë mirë apo i sëmurë, Sigmund Frojdi, më shumë se çdo eksplorues tjetër i psiqikës njerëzore, ka hartuar mendjen e shekullit XX.

Nuk ka neutralë në luftën e Frojdit. Admirimi dhe lajkat në njërën anë; skepticizmi dhe përçmimi në anën tjetër. Nuk ka asnjë hiperbolë. Një psikoanalist që aktualisht po mundohet ta mbajë Frojdin në panteonin e heronjve kulturorë mund të kënaqet vetëm me kritika të pamëshirshme kundër atyre që e kalojnë jetën, duke e shfaqur Frojdin si një sharlatan. Por, ka një pikë, në të cilën të dyja palët bien dakord: Qoftë mirë apo i sëmurë, Sigmund Frojdi, më shumë se çdo eksplorues tjetër i psiqikës njerëzore, ka hartuar mendjen e shekullit XX. Vetë egërsia dhe qëndrueshmëria e diktatorëve të tij ishte një atribut i dhunshëm i faktit që idetë e Frojdit vazhdojnë të jenë në fuqi.

Nuk ka asgjë të re rreth këtyre konfrontimeve të acaruara; ata kanë ndjekur një pas një hapat e Frojdit, që kur zhvilloi vargun e tij të teorive, të cilat i quajti psikoanalizë. Ideja e tij thelbësore, që të gjitha qeniet njerëzore janë të pajisura me të pavetëdijshmen ku potenca seksuale dhe agresive dhe mbrojtja kundër tyre ndeshen me njëri-tjetrin për epërsi sikur të jetonin pas shpinës së një personi, është parë nga disa njerëz si një nocion romantik i paprovuar shkencërisht. Kundërshtimi i tij se, katalogu i sëmundjeve neurotike prej së cilave njerëzit janë shumë të prekshëm, është gati gjithmonë i lidhur me çrregullimet seksuale dhe se dëshira erotike nuk fillon në pubertet, por që në foshnjëri, është komentuar nga të respektueshmit si asgjë më shumë se një paturpësi.

Evokimi i tij dramatik i kompleksit universal të Edipit, në të cilin një djalë i vogël dashuron të ëmën dhe urren të atin, duket më shumë si një mendjemadhësi e thjeshtë se sa një tezë që ia vlen të studiohet shkencërisht nga psikologët.

Frojdi e përdori për herë të parë termin psikoanalizë në vitin 1896, kur kishte mbushur të dyzetat. Ai ishte drejtuar nga ambicia në fillim të karrierës së tij dhe ishte nxitur nga prindërit e tij të marrosur që ta mbivlerëzonte veten. I lindur më 1856, në një familje të varfër çifute në fshatin e vogël Moravian të Freiberg (tashmë Pribor e Republikës çeke), ai u zhvendos me rrymën e shpejtë të emigrantëve në Vjenë. Ai ishte fëmija i parë i nënës së tij, “Djaloshi i saj i Artë”. Pasi arritën të vinin re brilancën dhe gjenialitetin e tij, prindërit e trajtonin si të privilegjuar nga fëmijët e tjerë, duke i dhuruar një dhomë të veçantë ku të mund të studionte në paqe. Natyrisht, që ai nuk e zhgënjeu pritshmërinë e prindërve të tij. Pas një karriere të mahnitshme në shkollë, ai u diplomua në vitin 1873, në Universitetin e Vjenës… /Albert Vataj /KultPlus.com

MusArb, Muzeu i Kulturës arbëreshe si pikë referimi për ruajtjen dhe promovimin e kulturës arbëreshe

Shkruan Shqipe Bytyqi

Në Horën e Arbëreshëve (Piana degli Albanesi), një nga qendrat më të rëndësishme të kulturës arbëreshe në Sicili, ndodhet Muzeu i Kulturës Arbëreshe, i njohur si MusArb. Ky muze shërben si një pikë referimi për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore të komunitetit arbëresh.

SHTËPIA E HERSHME ARBËRESHE

( fotot nga një hapsirë banimi arberesh, ekspozuar në muzeun MusArb)

Një shtëpi e hershme arbëreshe nga brenda ishte e thjeshtë, funksionale dhe e ndërtuar për të përballuar jetesën e një familjeje fshatare në kushte të ashpra ekonomike e natyrore, por gjithnjë me një ndjenjë të fortë mikpritjeje.

– Zemra e shtëpisë ishte oxhaku (vatra), zakonisht i ndërtuar prej guri në një qoshe ose në murin qendror të shtëpisë.

Rreth oxhakut vendosej ulësja prej druri ku mblidhej familja për të ngrënë, për të biseduar, e për të kaluar mbrëmjet. Mbi oxhakun ndodhej shpesh një rafte ku vendoseshin vegla të gatimit, kanaçe uji, ose objekte simbolike si ikona fetare apo relike familjare.

– Mobilimi ishte modest: tryezë druri, karrige të punuara me dorë, arkë për ruajtjen e rrobave ose sendeve me vlerë.

Përdoreshin rafte muri për enët prej balte ose qelqi, shpesh të zbukuruara.

Muret zakonisht ishin të suvatuara me gëlqere dhe të bardha, për të ruajtur freskinë dhe pastërtinë. Në mure ndodheshin ikona ose kryqe, që dëshmonin besimin bizantin të familjes.

-Dhomat e gjumit:

Kishte zakonisht një ose dy dhoma gjumi, me krevat prej druri, shpesh me kashtë. Në këtė muze paraqitet vetëm një hapsirë banimi, ku të gjitha elementet janë të komprimuara. Përndryshe dhomat ishin të vogla, me dritare të vogla për të ruajtur nxehtësinë. Në disa raste, fëmijët flinin në dhomë më vete ose në të njëjtin ambient me prindërit, të ndarë me perde ose me mure të pjesshme.

-Ngjyrat dhe tekstilet:

Ngjyrat ishin natyrore: e bardha, kafeja e drurit, ngjyra e gurit, e kuqja e qilimave ose e rrobave popullore. Përdorej tekstil tradicional i qëndisur, i trashëguar brez pas brezi.

Kjo shtëpi, sado e thjeshtë, mbante gjallë shpirtin familjar, kulturën arbëreshe dhe ndjenjën e bashkësisë, duke ruajtur elementë të trashëguar nga Shqipëria e para shek. XV, por të përshtatur me mjedisin e Italisë së Jugut.

Dip.Ing. Shqipe Bytyqi

29.04.2025, Hora e Arbëreshëve./KultPlus.com

‘Nga palci i urrejtjes dëshiroj me dalë, si bima prej fare në pranverë’

Poezi nga Martin Camaj

Më falni diçka

Më falni diçkà që më kënaq
si puthja e nanës në ballë;
më gëzoni nji herë
si gëzohet gjethi i njomë në puhí,
më shikoni si hana nëpër rremba
e kam me u falë gjithçka:
mordjen do të puthi ndër buzët e ngrime
dhe në zgavrrat e synit të sáj
do të derdhi lòt.
Avitu, njerí!
Nga palci i urrejtjes dëshiroj me dalë
si bima prej fare në pranverë. / KultPlus.com