Një prezantuese IA drejton një radio australiane

Një program që i përket Rrjetit Australian të Radios (ARN) për 6 muajt e fundit u është drejtuar dëgjuesve me një prezantuese të krijuar nga inteligjenca artificiale.

Sipas lajmit në mediat australiane, zëri i prezantueses të programit “Workdays with Thy”, i cili transmetohet 4 orë në ditë gjatë ditëve të javës në ARN, i ka habitur njerëzit.

Stacioni CADA i ARN krijoi një server të quajtur “Thy” duke përdorur softuer të inteligjencës artificiale të zhvilluar nga kompania e klonimit të zërit “ElevenLabs”.

Dëgjuesit dëgjuan transmetimet radiofonike për 6 muaj pa vënë në dyshim identitetin e vërtetë të prezantueses.

“Nëse dita juaj po ndihet pak e shurdhër, lejoni që Thy dhe CADA të jenë energjia dhe dridhja që do t’ju përmirësojnë humorin”, thuhet në faqen e internetit të programit.

Shkrimtarja Stephanie Coombes, një dëgjuese e programit, vuri në dyshim nëse prezantuesja Thy ishte “person i vërtetë”.

“Cili është mbiemri i Thy? Kush është ajo? Nga vjen? Nuk ka biografi të gruas që supozohet se prezanton këtë shfaqje”, shkroi Coombes në blogun e saj.

Nga ana tjetër, audio analiza e programit zbuloi se prezantuesja bënte të njëjtin tingull kur thoshte fjalët e “shkollës së vjetër” në emisione të ndryshme.

Zyrtari i ARN-së, Fayed Tohme, në deklaratën e tij mbi këtë temë, pranoi se inteligjenca artificiale u përdor për të krijuar zërin e Thy-t.

Tohme tha se prezantuesja Thy “tingëllon real dhe ka fansa të vërtetë edhe pse nuk është person i vërtetë”.

Revista australiane “Mediaweek” e komentoi situatën, duke thënë: “Nuk ka mikrofonë, as studio, vetëm kod dhe dridhje. Një eksperiment nga ARN dhe ElevenLabs që sfidon kufijtë e ‘radios live’”./KultPlus.com

Si ka ndryshuar jeta e Al Pacinos “Nga ferri, në parajsë”

Alfredo James Pacino ka lindur në New York City më 25 prill 1940. Ai ishte i vetmi fëmijë i emigrantëve italianë nga Sicilia, që u ndanë kur ai ishte një foshnjë. Pasi u ndanë, babai i tij u shpërngul në California dhe Pacino u rrit nga mamaja dhe gjyshërit e tij në Bronks.

Megjithëse disi i turpshëm si fëmijë, në adoleshencën e tij të hershme, Pacino zhvilloi një interes për aktrimin dhe më vonë u pranua në Shkollën e Mesme të Arteve Përformuese, transmeton tch.

Megjithatë, ai tregoi se ishte një student i dobët, duke dështuar në shumicën e lëndëve të tij para se ai përfundimisht ta braktiste shkollën në moshën 17-vjeçare.

Më pas, Pacino punoi shumë punë përpara se të shkonte në Greenwich Village në vitin 1959, për të ndjekur ëndrrat e tij për t’u bërë aktor. Në vitin 1962, në moshën 22-vjeçare, ai humbi mamanë, e cila u nda nga jeta. Ai kaloi disa vite në varfëri ekstreme dhe depresion gati për të vrarë veten. Ishte i pastrehë dhe konsumonte shumë alkool.

Por, do të ishte shfaqja e Pacino-s në një film të njohur më 1971-in, i quajtur “Panik in Needle Park”, që do ta vendoste karrierën e tij në një rrugë drejt suksesit. Portreti i Pacino-s i një heroi të droguar kapi syrin e Francis Ford Coppola, i cili ishte duke kërkuar aktorë për filmin “The Godfather”, bazuar në romanin e Mario Puzo.

Megjithëse ai kishte konsideruar yje të tillë si Robert Redford dhe Jack Nicholson për pjesën, Coppola përfundimisht zgjodhi Pacino-n, pak a shumë të panjohur, për të luajtur Michael Corleone.

I publikuar në vitin 1972, “The Godfather” ishte një sukses masiv dhe konsiderohet gjerësisht të jetë ndër filmat më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Pas këtij suksesi, karriera e tij dihet nga të gjithë si ka shkuar. / KultPlus.com

Presidentja Osmani në Vatikan, merr pjesë në homazhet për Papa Françeskun

Presidenjta e Kosovës, Vjosa Osmani, po qëndron këto ditë në Vatikan ku po merr pjesë në homazhet për Papa Françeskun.

Në vijim KultPlus ua sjell postimin e presidentes Osmani:

Sot, në bazilikën “Shën Pjetri” në Vatikan, së bashku me Presidentin Begaj, kardinalin e vetëm shqiptar, Ernest Simonin dhe delegacionet tona, bëmë homazhe për Shenjtërinë e Tij, Papë Françeskun, për të shprehur respektin e qytetarëve tanë ndaj përkushtimit të tij frymëzues për paqe, harmoni dhe dinjitet njerëzor në mbarë botën./KultPlus.com

Arkiva “Marubi” në UNESCO, Rama: Shkodra i ka dhënë botës një kontribut të drejtpërdrejtë për kulturën e saj

Arkiva e negativëve, objekteve dhe dokumenteve të Pietro dhe Kel Marubit u shpall para disa ditësh pjesë e Regjistrit Ndërkombëtar të Kujtesës së Botës nga UNESCO, duke e renditur kështu ndër trashëgimitë më të çmuara të njerëzimit.

Gjatë prezantimit të projektit të rilindjes së shkollës “Ismail Qemali” në Shkodër, kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, e cilësoi këtë një lajm shumë të bukur.

Rama theksoi se tashmë jo vetëm me zakon, por edhe me ligj Shkodra i ka dhënë botës një kontribut të drejtpërdrejtë për kulturën e saj.

“Dua të ndaj një lajm të para disa ditëve, që besoj që ju e keni marrë, por është një lajm shumë i bukur për të mos u përsëritur. Është lajmi që arkivi i Dinastisë Marubi u vendos përfundimisht në fondin e trashëgimisë kulturore botërore dhe paskëtaj mund të thuhet jo vetëm me zakon, por edhe me ligj që Shkodra i ka dhënë botës një kontribut të drejtpërdrejtë për kulturën e saj”, tha Rama.

Programi “Memory of the World” i UNESCO-s synon të ruajë dhe promovojë dokumentet më të rëndësishme të historisë njerëzore në të gjithë globin./atsh/KultPlus.com

“Kur do t’pushojë kjo këngë”

Këtë muaj shënohet Dita Kombëtare e Personave të Pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë, shkruan KultPlus.

Në Kosovë ende nuk janë gjetur edhe 1641 persona të zhdukur në luftën e fundit.

KultPlus sot ju sjell këngën e njohur “Kur do t’pushoj kjo këngë” nga rock-grupi kosovar Jericho e cila ju kushtohet viktimave të pagjetura të luftës së fundit.

Teksti i këngës:

Kur do të pushoj ma kjo kangë
Mërzinë kjo bukuri dot nuk e thanë

2x
Sytë mu kan ronu
Zemër rri me mu

Në vena gjaku i djallit po më lëviz
Duart i hap e muret po i grithë

2x
Syte mu kane ronu
Zemer ri me mu

na na na na na. / KultPlus.com

Ndryshimi do të vijë

Nga Sam Cooke
Përktheu: Nuhi Sadiku

Jam lindur pranë lumit
Në një tendë të vogël
Dhe porsi lumi, që atëherë
Kam lëvizur.

Ka kaluar shumë
Shumë kohë e gjatë, por e di
Ndryshimi do të vijë
Po, do të vijë.

Është bërë e vështirë jetesa
Ama frikësohem të vdes
Se nuk e di ç’ka atje
Qiellit përmes.

Shkoj në kinema
Dhe zbres në qytet
Dikush vazhdon të më thotë:
“Mos u sorollat!”.

Pastaj shkoj te vëllau im
I them: “Më ndihmo të lutem, vëlla”
Por, nuk i intereson
Më godet
Dhe në dy gjunj më rrëzon.
Ka kohë që kam menduar
Se shumë gjatë s’mund të duroj
Por, tash jam i kalitur
Të vazhdoj.

Ka kaluar shumë
Shumë kohë e gjatë, por e di
Ndryshimi do të vijë
Po, do të vijë. / KultPlus.com

Ermal Meta bën rrëfimin emocionues: Kemi adoptuar 2 vajza nga një jetimore në Shqipëri, jam babai i tyre

Në një intervistë për Vanity Fair, këngëtari Ermal Meta ka ndarë për herë të parë një histori shumë intime të jetës së tij: rrugëtimin për t’u bërë baba i dy vajzave nga një jetimore në Shqipëri, të cilat së shpejti do të jetojnë me të dhe partneren e tij, Chiara.

Ai tregon se për vite kishte frikë të bëhej baba, ngaqë kishte frikë se mos përsëriste modelin e të atit të tij. “Për vite me radhë kam menduar se nuk doja fëmijë, sepse kisha frikë se mos bëhesha si im atë. Nuk doja të riprodhoja atë model” ka thënë ai.

Por jeta kishte plane të tjera për të. Fillimisht, lidhja e tij me një shtëpi për vajza në Shqipëri nisi si pjesë e një angazhimi human. Aty njohu dy adoleshente që do t’i ndryshonin jetën përgjithmonë.

“Unë dhe Chiara, partnerja ime, për pak kohë do të kemi me vete dy vajzat tona të tjera, që deri tani kanë qenë në një jetimore në Shqipëri. I kemi njohur kur ishin 15 vjeçe, por për shkak se nuk jemi të martuar, nuk mund t’i adoptonim. Në qershor mbushin 18 vjeç dhe do të mund të vijnë të jetojnë me ne. Por, po ju them, ato janë vajzat tona prej tre vitesh. Nuk kam folur kurrë më parë për këtë…”

Për të ishte një lidhje që ndodhi natyrshëm, pa plane, pa skenarë. Ishte zemra që foli.

“Një verë, vajzat u larguan për të qëndruar me familje të tjera për disa javë. Kur ikën, unë dhe Chiara mbetëm në një heshtje totale. Bënin një zhurmë të madhe kur ishin aty, dhe papritur gjithçka u bë e heshtur. Fillova të qaj si fëmijë, nuk ndalesha dot. U mbylla në banjë sepse ndieja dhimbje”

Një nga momentet më prekëse ishte ai kur njëra prej vajzave, e cila ka një karakter të ftohtë dhe është shumë e mbyllur i dha atij një gjest të vogël, por me kuptimin më të madh.

“Njëra nga dy vajzat, ajo më e mbyllura, nuk pranonte kontakt fare. Me Chiaran ishte pak më mirë, me mua – hiç. E kuptova menjëherë çfarë traume kishte. Kur u ndamë, ajo doli nga shtëpia… dhe pastaj u kthye. E pyes: ‘Ke harruar diçka?’. ‘Jo’, tha. ‘Atëherë pse u ktheve?’. Dhe në atë moment, pa thënë asgjë, më vendosi kokën këtu (tregon gjoksin – dhe emocionohet). Aty unë u bëra babai i saj.”

Për shkak të pamundësisë ligjore për të adoptuar pa qenë të martuar, nuk mund t’i merrnin me vete menjëherë, por gjithçka ka ndryshuar. Tani vajzat janë gati të fillojnë një jetë të re me ta.

“Kemi ndjekur këshillat e murgeshës që kujdesej për to. Vajzat kanë mbaruar shkollën e mesme në Shqipëri, dhe tani që bëhen madhore, do të mund të jetojnë me ne. Nuk është statusi civil që të bën një prind të mirë – por dashuria.”

Kur partnerja e tij Chiara mbeti shtatzënë dhe lindi vajzën e tyre biologjike, Fortuna, reagimi i vajzave ishte emocional, i përzier me frikë dhe gëzim.

“Kur u thamë vajzave që Chiara ishte shtatzënë, u panë me njëra-tjetrën… Unë i sigurova menjëherë: ‘Nuk ndryshon asgjë. Do keni një motër më shumë’. Ato përpiqeshin të tregonin gëzim, por e kuptoj… në jetimore, kur vijnë çifte, vajzat më të mëdha rrinë gjithmonë në një cep, sepse e dinë që askush nuk i zgjedh. Ma kishin thënë vetë: ‘Të mëdhatë nuk i do askush’. Dhe unë iu përgjigja instinktivisht: ‘Po unë ju dua ju’.”

Sot, ndërsa përgatitet t’i presë në shtëpi, Ermal Meta ndan emocionin e këtij kapitulli të ri: “Jemi shumë të emocionuar. Nuk shohim dot më gjatë. Dhoma janë gati. Ka shumë dashuri që i pret.”/Living.al/ KultPlus.com

Ag Apolloni sjell librin e tij më të ri, “Predikimet e Pragës” do të promovohet në Tiranë

Shkrimtari i njohur Ag Apolloni ka nxjerr librin e tij më të ri. “Predikimet e Pragës” është libri i fundit i shkrimtarit Ag Apolloni dhe promovimi i këtij libri do të bëhet në Tiranë, shkruan KultPlus.

Në “COD” të kryeministrisë do të bëhet promovimi i këtij libri e që do të mbahet më 29 prill prej orës 15:00.

Librat e deritanishëm të Ag Apollonit përpos që kanë shënuar një sukses brenda vendit, ato tashmë janë përkthyer në disa gjuhë të botës./ KultPlus.com

‘O ti, dashnija e eme e andrrueme, ke mbetun veç e gjallë në lotin tonë’

Poezi nga Robert Shvarc 

O ti, dashnija e eme e andrrueme
ke mbetun veç e gjallë në lotin tonë,
ke mbetun si dëshira e plagueme
ndrydhë n’nji varrë të vjetër që më dhemb…

Kush je, ku je, kur vjen e kur po shkon –
pse shkon si vjen, e prap ti mue më len
n’nji terr të zi, ku drita nuk agon,
n’nji vuejtje prore, që vuejtje t’tjera m’bjen.

A thue kanë me kalue dhe shumë agime
tue t’thirrë ndër andrrat, vash’e mallit tem,
me shpresa që veniten si gjetht në vjeshtë?…

A thue gjithmonë e trishtë kanga ime,
Si kanga e bylbyl-qytetit n’gem
ka me tingllue n’kte shekull kaq të thjeshtë?!… / KultPlus.com

Festivali i Arkitekturës dhe Mikpritjes, Rama: Për herë të parë në Tiranë, më 6 qershor

Tirana do të mirëpresë më 6 qershor edicionin e parë të Festivalit të Arkitekturës dhe Mikpritjes, “Bread & Heart/ Bring some salt, please”.

Lajmi u bë i ditur nga Kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale.

“Në këtë festival do të marrin pjesë mbi 150 grupe ndërkombëtare të arkitektëve, të cilët janë duke kontribuar në disa projekte madhore në të gjithë Shqipërinë, por edhe në praninë e të tjerë kuriozëve për zhvillimet arkitekturore në Shqipëri, të cilët besojmë se do të jenë të shumtë në numër”, tha Rama.

Dita e Hapur e Festivalit do të zhvillohet në ndërtesën “Book Building” një vepër arkitektonike pranë “Sheshit Skënderbej”, ku do të ekspozohen projekte dhe dizenjo eksperimentale të frymëzuara nga Shqipëria dhe njerëzit e saj.

“Ky festival është një mundësi për të lidhur me njëri-tjetrin mendjet vizionare, për të shkëmbyer ide dhe për të përjetuar ndërthurjen e arkitekturës, artit dhe kulturës”, tha Rama./atsh/KultPlus.com

‘Asgjë s’e ruan përherë shndritjen’

Poezi nga Robert Frost

Ngjyra e parë e natyrës ishte e arta,
nuanca e saj më e fortë, e flakta.
Gjethja e saj më e parë, një lule,
por vetëm për një orë, e dukshme.
Pastaj gjethja mbeti prapë gjethe,
kështu Edeni ra prapë në heshtje.
Dhe agimi venitet drejt ditës.
Asgjë s’e ruan përherë shndritjen.

Përkthyer nga Kujtim Morina/ KultPlus.com

Valdrin Thaqi hap programin e ri të Galerisë Kombëtare – Qafa, me ekspozitën “Shtëpia Mbi Kodër”

Galeria Kombëtare e Kosovës ka njoftuar se të mërkuren, me datë 30 prill, duke filluar nga ora 19:00 do të hapet ekspozita personale e artistit Valdrin Thaqi, e titulluar “Shtëpia Mbi Kodër”.

Në njoftim thuhet se “Shtëpia Mbi Kodër” është ekspozita e parë që nis programin e Galerisë Kombëtare të Kosovës – Qafa.

“Si pjesë e përbërëse Galerisë Kombëtarë të Kosovë, kjo hapësirë do të shërbej si një platformë
eksperimentale dhe avangarde për artin bashkëkohor, me fokus në mbështetjen e artistëve të rinj, komisionimin e veprave të reja dhe organizimin e ekspozitave të para personale ndër të tjera– duke krijuar mundësi të reja për zhvillimin dhe prezantimin e praktikave te ndryshme artistike”, thuhet në njoftimin e galerisë.

Në ekspozitën e tij, Valdrin Thaqi nuk ndërton një narrativë, por zbërthen një dimension të
mbushur me reflektime të thella mbi ekzistencën, identitetin dhe nocionin e asaj që njohim si
shtëpi. Të krijuara gjatë dy viteve të fundit, veprat e paraqitura artikulojnë një gjuhë mes pikturës
dhe skulpturës. Ato përfshihen në një dialog të heshtur, duke ndërtuar terrene të ndërlikuara për
vizitorët që orientohen mes tyre./KultPlus.com

Robert Shvarc: Kur përktheja Remarkun

Romani i Erih Maria Remarkut “Tre shokë” u botua për herë të parë në shqip në vjeshtë të vitit 1961. Ishte koha kur shoku im i rinisë, Drago Siliqi, drejtor i N.Sh. Botimeve “Naim Frashëri”, me guximin e tij prej intelektuali, u hapi lexuesve shqiptarë një dritare të madhe për të njohur letërsinë botërore. Kur iu futa punës për të përkthyer romanin “Tre shokë”, isha 27 vjeç dhe nga ky autor kisha lexuar vetëm librin e tij të parë “Asgjë e re nga fronti i Perëndimit” i cili më pat lënë një përshtypje të thellë. Pra, nuk dija shumë gjëra as për Remarkun, as për librat e tij. Kisha lexuar vetëm se nazistët ia patën hequr nënshtetësinë gjermane dhe ia kishin djegur veprat publikisht më 1933. E kisha fjalën, pra, si e përktheva romanin “Tre shokë”.

E mora librin dhe lexova 2-3 faqet e para. Fillonte me një ditëlindje, me atë të heroit kryesor, që i rrëfente ngjarjet në vetën e parë. Edhe kësaj radhe më mahniti stili tepër i ngjeshur dhe tej mase i kursyer i këtij shkrimtari, që komunikonte kaq bukur dhe kaq natyrshëm me lexuesin. I përpiva ato 2-3 faqet deri në fund dhe sakaq mora një vendim: nuk do ta lexoja librin deri në fund, por do t’i futesha punës menjëherë dhe do ta përjetoja gjithë romanin rresht për rresht, ashtu siç e kishte përjetuar autori në procesin e tij të krijimit. Ishte një vendim paksa i çuditshëm, por mua më ndihmoi jashtëzakonisht shumë pa ditur as vetë, u futa në shpirtin e autorit, hyra si të thuash nën lëkurën e tij, i provova të gjitha ndjesitë, emocionet, problemet, gëzimet dhe tronditjen e tij dhe them se arrita t’ia përçoj besnikërisht lexuesve mesazhin e tij. Të paktën nuk e dëgjova asnjëherë akuzën aq të njohur, që përkthyesi qenkej tradhtar i autorit…

Me romanin “Tre shokë” më lidhin kujtimet më të bukura të punës sime si rikrijues; por më lidhin edhe disa nga ato rastësitë e çuditshme që ndodhin në jetën e njeriut. Autori e kish botuar këtë vepër në vitin 1938, në emigracion, si refugjat dhe si shkrimtar që, megjithëse mjaft i famshëm në të gjithë botën ishte pa identitet, i përzënë nga atdheu. Dhe pikërisht, atë vit, më 1938, unë, ende fëmijë, erdha nga vendlindja ime, Sarajeva, në atdheun e nënës sime, në Shqipëri, ku gjithashtu gjeta mbrojtje dhe shpëtova kokën nga murtaja naziste. Isha pra, një çun i vogël, që në atë kohë nuk dinte asnjë fjalë shqip dhe asnjë fjalë gjermanisht. Dhe kush mund ta parashikonte atëherë që plot 23 vjet më vonë, do t’i jepja lexuesit tonë një libër të tillë në gjuhën time amtare!…

Përkthimi dhe suksesi që pati “Tre shokët “pas botimit në shqip, më dhanë shtysën që të vazhdoja të merresha me përkthime letrare. Edhe sot e kësaj dite takoj shokë e miq të brezit tim, të cilët këtë libër të Remarkut e mbajnë dhe e ruajnë si Bibël, sepse jo vetëm që mbahet si himn kushtuar miqësisë së sinqertë, fisnike e pa asnjë lloj interesi midis shokësh, por konsiderohet edhe një nga historitë më të bukura e më mallëngjyese të dashurisë. Romani i dytë që përktheva ishte “Shkëndija e jetës”. Edhe kjo vepër më ngjiti menjëherë, jo vetëm për faktin se lidhej edhe me diçka personale, por më tepër nga forca e penës së këtij shkrimtari, i cili, pa qenë kurrë në një kamp përqendrimi nazist, arriti, vetëm përmes shfrytëzimit të një dokumentacioni, sa të pasur aq edhe ngjethës, të na japë një dëshmi të tillë të një vërtetësie të mahnitshme historike, duke ia kaluar plot e plot shkrimtarëve të tjerë që e trajtuan këtë temë. I treti roman i këtij autori ishte “Asgjë e re nga fronti i Perëndimit”.

Ky roman, i cili qe botuar edhe një herë tjetër në shqip në vitin 1936, më vuri përpara një përgjegjësie të madhe. Ai ishte një roman kujtimesh autentike dhe tronditëse, i njohur në të gjithë botën, ishte, siç shkruan Kadare në hyrjen e tij – një libër i qetë e modest, por edhe një kambanë alarmi kundër histerisë së luftërave; brenda një kohe të shkurtër ai u bë thesar i tërë njerëzimit…Por pikërisht thjeshtësia e këtij libri ishte aq e vështirë për t’u ridhënë. Dhe përsëri u futa në lëkurën e atij maturanti 18-vjeçar, e atij ish-ushtari të frontit të Luftës së Parë Botërore, që e rrëfente aq prekshëm historinë e vet dhe moshatarëve të tij, historinë e rinisë së vrarë nëpër llogoret e një lufte të çmendur e të kotë. Romani i katërt i Remarkut, “Harku i Triumfit, që doli në qarkullim në prill të vitit 1988, mbahet nga kritika si kryevepra e tij e dytë. Ai, natyrisht, më hapi më shumë punë dhe telashe; e kam mbajtur pothuajse 7 vjet ndër duar, duke i vënë vetes si detyrë që ta përktheja vetëm në ato periudha kohe ku mund t’i kushtohesha plotësisht atij. Dhe meqë censura e bekuar nuk ma lejonte botimin e këtij libri aq human e aq të shtrenjtë për mua, m’u desh ta mbaja për 20 vjet rresht në sirtar.

Këto ishin pak a shumë kujtimet e mia për këtë shkrimtar kaq njerëzor dhe të dashur për lexuesin, i cili me atë gjerdan vezullues të librave që shkroi u la një dëshmi të trishtueshme, por jashtëzakonisht bindëse dhe tronditëse të dukurive më të egra të shekullit tonë. /KultPlus.com

Shkolla e muzikës “Prenk Jakova” feston 75-vjetorin me koncert në Kroaci

Mbrëmjen e djeshme, në ambientet e “Novinarski Dom” në Zagreb të Kroacisë, është mbajtur një koncert me rastin e 75-vjetorit të Shkollës së Muzikës “Prenk Jakova” nga Prishtina.

“Ky përvjetor i rëndësishëm u shënua me një ngjarje kulturore të nivelit të lartë, duke sjellë pranë publikut shqipëtar në Kroaci artin dhe përkushtimin që kjo shkollë ka kultivuar ndër vite”, thuhet në njoftimin e Unionit të Shqiptarëve në Kroaci.

Në koncert kanë performuar kori dhe orkestra e shkollës, me një repertor të përzgjedhur mjeshtërisht, duke përfshirë vepra të kompozitorëve klasikë si Bach, Mozart, Elgar, Bruckner, Saint-Saëns, Rudi dhe Abreu.

“Emocionin dhe hijeshinë e mbrëmjes e shtuan edhe solistët Princ Fanaj, Elton Syla, Vesa Berisha, Bleta Martinaj dhe Eris Laçi, nën dirigjimin plot pasion të Lirjona Sylejmanit. Ky koncert është dëshmi e fuqisë së bashkëpunimit kulturor, me mbështetjen e institucioneve nga Prishtina dhe Unionit të Shqiptarëve në Kroaci, që mundësuan prezantimin e talenteve më të mirë të muzikës klasike shqiptare në një nga qendrat më të rëndësishme kulturore në Kroaci”, thuhet tutje në njoftim.

Shkolla e Muzikës “Prenk Jakova” është një institucion që, për më shumë se shtatë dekada, ka qenë shtyllë e fortë e edukimit muzikor dhe ka nxjerrë gjenerata të tëra artistësh të talentuar./KultPlus.com

Eni Vasili zgjidhet Drejtoreshë e Përgjithshme e RTSH-së

Eni Vasili, moderatorja e emisionit qëndror në News24, një ndër emrat më të njohur te ekranit shqiptar, është zgjedhur drejtoreshë e përgjithshme e Radio Televizionit Shqiptar me mandat 5 vjeçar. Vendimi është marrë me shumice votash gjatë votimit të dytë të bordit drejtues të RTSH-së, ku në garë ishin tre figura të njohura, Eni Vasili, Xhoi Jakaj dhe Engjëll Musai. Eni Vasili siguroi 3/5 e votave të nevojshme, duke u bërë kështu gruaja e parë që votohet në këtë detyrë në historinë e transmetuesit publik shqiptar.

Eni Vasili ka një karrierë të gjatë dhe të konsoliduar në gazetari, e njohur për stilin e saj serioz, profesional dhe të paanshëm në intervista dhe debate politike. Ajo ka drejtuar për vite emisionin politik “Open” në News24, i cili është kthyer në një nga platformat më të rëndësishme të debatit politik dhe shoqëror në vend.

Përgjatë punës së saj, Vasili ka intervistuar figura të rëndësishme të politikës shqiptare dhe ndërkombëtare, dhe ka fituar respektin e publikut. Ajo ka qenë gjithashtu pjesë e shumë projekteve që lidhen me lirinë e medias dhe etikën profesionale. Eni Vasili do të përcjellë profesionalizmin dhe përvojën e saj nga një media private si News24 në drejtimin e një institucioni me ndikim kombëtar./ KultPlus.com

Filmi që Robert De Niro është penduar që ka bërë me Al Pacinon

Al Pacino dhe Robert De Niro kanë krijuar magji sa herë që kanë punuar së bashku, veçanërisht në filma të tillë si “Heat” i Michael Mann, ku ata dhanë disa nga performancat më të paharrueshme të karrierës së tyre të shquar. Megjithatë, De Niro beson se ekziston një përjashtim që ‘njollos’ trashëgiminë e tyre të përbashkët, transmeton KultPlus.

Krahas karrierës së tyre të aktrimit, të dy kanë një miqësi prej gati 50 vitesh tashmë. Ndërsa kujtonte takimin e tyre të parë, Al Pacino pohoi se ishte mahnitur nga prania magnetike e De Niros që në fillim, edhe pse ky i fundit nuk kishte luajtur në ndonjë produksion të madh në kohën e takimit të tyre të parë.

Duke folur për atë rast të paharrueshëm në një intervistë, Pacino shtjelloi: “Më kujtohet shumë qartë takimi. E pabesueshme, e pashë këtë djalë, mendova, Uau, ai ka një karizëm të tillë. Ai nuk po bënte asgjë. Ai thjesht po ecte. E mbani mend? E dini, ai ishte Bob. Por ti ndjeve diçka prej tij.”

Ekziston një projekt i veçantë që asnjëri prej tyre nuk dëshiron që ju ta shikoni pasi De Niro më vonë pretendoi se ishte penduar vërtet që ishte pjesë e atij filmi.

I titulluar Righteous Kill, prodhimi amerikan i vitit 2008 është një thriller aksioni që paraqet De Niro dhe Pacino si detektivë të NYPD-së të cilët nisin një kërkim të rrezikshëm për të gjurmuar një vrasës serial të rrezikshëm. Ndërsa nuk ishte një dështim komercial për shkak të fuqisë së yjeve të kastit, ai mori vlerësime të gjera negative për shkak të filmave të dobët dhe skenarit të paaftë.

Në një intervistë, De Niro kujtoi se sa fajtor u ndje gjatë premierës në Romë të Righteous Kill kur të dy yjet takuan fansat që prisnin me padurim filmin e tyre të ri. Aktori kujtoi premtimin që u dha atyre: “Unë thashë: ‘Ky është një reagim i mrekullueshëm, por do të ishte mirë sikur të ishin këtu për një film për të cilin ne vërtet ndihemi krenarë. Herën tjetër do të bëjmë një që na pëlqen.” /KultPlus.com

Malajzia heq vizat për qytetarët e Kosovës, Osmani: Lidhjet tona po forcohen

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur mirënjohjen e saj ndaj autoriteteve të Malajzisë për vendimin e tyre për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, për qëndrime deri në 30 ditë.

Në prag të vizitës së saj zyrtare në Malajzi javën e ardhshme, Presidentja Osmani theksoi se ky hap i rëndësishëm tregon qartë rritjen e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.

“Ky hap i rëndësishëm, i kombinuar me hapjen e ardhshme të Ambasadës sonë në Kuala Lumpur gjatë vizitës sime javën e ardhshme, është një shenjë e qartë se lidhjet midis dy vendeve tona po forcohen çdo ditë e më shumë”, është shprehur Osmani në X.

Ajo shtoi se pret me padurim takimet me liderët shtetërorë të Malajzisë, për të thelluar më tej bashkëpunimin dypalësh dhe për të avancuar interesat e përbashkëta të qytetarëve të të dy vendeve.

“I shpreh mirënjohjen time të sinqertë institucioneve të Malajzisë për këtë vendim kuptimplotë. Mezi pres të angazhohem me liderët shtetërorë javën e ardhshme ndërsa punojmë së bashku për të thelluar bashkëpunimin tonë dhe për të avancuar interesat e përbashkëta të popullit tonë”, ka shtuar Osmani./KultPlus.com

39 vite nga katastrofa nukleare e Çernobilit

Sot bëhen 39 vite nga katastrofa më e madhe nukleare në histori, nga katastrofa e Çernobilit.

Çernobili është një qytet pjesërisht i braktisur në Zonën e Përjashtimit të Çernobilit, i vendosur Rajonin Vvshhorod të oblastit verior të Kievit, Ukrainë.

Çernobili është rreth 90 kilometra (60 mi) në veri të Kievit dhe 160 kilometra (100 mi) në jugperëndim të qytetit bjellorus të Gomel. Para evakuimit të tij, qyteti kishte rreth 14,000 banorë.

Të jetosh sot kudo brenda Zonës së Përjashtimit të Çernobilit është teknikisht e paligjshme, autoritetet tolerojnë vetëm ata që zgjedhin të jetojnë brenda disa prej zonave më pak të rrezatuara, dhe rreth 1000 njerëz jetojnë sot në Pripyat.

Çernobili u zgjodh si vendi i termocentralit të parë bërthamor të Ukrainës në vitin 1972, i vendosur 15 kilometra (9 mi) në veri të qytetit, i cili u hap në vitin 1977. Çernobili u evakuua më 5 maj 1986, nëntë ditë pas një fatkeqësie katastrofike bërthamore në central, e cila ishte katastrofa më e madhe bërthamore në histori. Së bashku me banorët e qytetit të afërt të Pripyat, i cili u ndërtua si shtëpi për punëtorët e uzinës, popullsia u zhvendos në qytetin e sapondërtuar të Slavutch dhe shumica nuk janë kthyer më.

Pas katastrofës, në vitin 1988, rajoni u shpërbë dhe administrimi iu transferua raionit fqinj të Ivankiv. Raion u shfuqizua më 18 korrik 2020 si pjesë e reformës administrative të Ukrainës.

Edhe pse Çernobili është kryesisht një qytet fantazmë sot, një numër i vogël njerëzish ende jetojnë atje, në shtëpitë e shënuara me tabela që lexojnë, “Pronari i kësaj shtëpie jeton këtu”,dhe një numër i vogël kafshësh jetojnë gjithashtu atje. Punonjësit e rojës dhe personeli administrativ i Zonës së Përjashtimit të Çernobilit janë gjithashtu të stacionuar në qytet. Qyteti ka dy dyqane të përgjithshme dhe një hotel.

Gjatë pushtimit rus të Ukrainës në vvitin 2022, Çernobili u bë vendi i Betejës së Çernobilit dhe forcat ruse pushtuan qytetin midis 24 shkurtit dhe 2 prillit. Pas kapjes së tij, u raportua se nivelet e rrezatimit filluan të rriteshin./ KultPlus.com

32 vite nga vizita e Papa Gjon Palit II në Shqipëri

“Ty o popull fisnik shqiptar, ta drejtoj përshëndetjen time të ngrohtë dhe të dashur”, tha Papa Gjon Pali II, në nisje të fjalimit në pritjen zyrtare.

Më 25 prill të vitit 1993, Papa Shën Gjon Pali II, duke iu drejtuar qytetarëve dhe besimtarëve të pranishëm në Sheshin Skënderbe, në Tiranë, ndërmjet tjerash nënvizoi: “Në çiltërsinë tuaj pashë guximin e një demokracie të re, të një demokracie që po ecën me hapa të sigurta drejt lirisë, pas sa vitesh të pafund dhe të errët të një diktature dhe të ateizmi mbytës”.

Kjo ishte vizita e parë e një Pape të Romës në Shqipëri. Më 25 prill 1993 kreu i Selisë së Shenjtë u ndal në Shkodër dhe në Tiranë.

Pas vizitës së tij, në hierarkinë e re të pasdiktaturës u vendosën katër ipeshkvij të rinj: Imzot Frano Ilia, Imzot Rrok Mirdita, Imzot Robert Ashta dhe Imzot Zef Simoni.

Në njërën nga fotot që publikoi sot DPA, paraqiten kërkesat për fonde për kryerjen e përgatitjeve për pritjen e papës si dhe dokumenti që ngrinte një komision qeveritar të ngarkuar me pritjen e tij.

Polaku Karol Jozef Vojtila u zgjodh “Papë” në Vatikan më 16 tetor 1978. Në vitin 1981 ju bë një atentat të cilit i shpëtoi dhe qëndroi për 27 vjet në krye të Kishës Katolike./KultPlus.com

Ambasadori Malaj i dorëzon çmimin “Lumo Skëndo” akademikut Rexhep Qosja

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj së bashku me drejtoreshën e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli vizituan shtëpinë e shkrimtarit dhe akademikut, Rexhep Qosja.

Ambasadori Malaj i dorëzoi intelektualit të madh shqiptar çmimin “Lumo Skëndo” për vitin 2024.

Akademiku Qosja u vlerësua me këtë çmim për veprën e tij “Për lirinë, të vërtetën dhe të drejtën”.

Juria e kryesuar nga Belina Budini dhe me anëtarë Uran Butka, Anastas Angjeli, Rudina Xhunga, Aida Tuci e vlerësuan veprën publicistike të Rexhep Qosjes me motivacionin: “përmes analizave të tij të mprehta dhe studimeve të thelluara mbi gjuhën shqipe, akademiku Rexhep Qosja ka dhënë një kontribut të çmuar në zhvillimin e mendimit kritik dhe në forcimin e vetëdijes kombëtare”.

Çmimi “Lumo Skëndo” nxjerr në pah vlerat më të mira të botimeve në gjininë e publicistikës dhe eseistikës që kanë një rol në diskutimet publike. Për vitin 2024 ishin gjithsej 10 kandidatë, mes të cilëve Stefan Çapaliku, Enis Sulstarova, Sherif Bundo, Arben Imami, Luan Rama etj./atsh/KultPlus.com

22 vite pa Robert Shvarc, përkthyesi që e dashuronte dhe lëvronte në mënyrë të përsosur gjuhën shqipe

Robert Shvarci lindi në Sarajevë, më 10 dhjetor 1932 nga një baba hebre nga Austria dhe një nënë nga Elbasani, por ai dashuronte dhe lëvronte në mënyrë të përsosur gjuhën shqipe, që nisi ta mësonte në moshën gjashtëvjeçare.

Shvarci përktheu disa nga veprat më të mëdha botërore në shqip, ndër të cilat mund të përmenden romanet e Remarkut, Gëtes, Fojtvangerit, Apicit, Travenit dhe Markezit. Robert Shvarc u nda nga jeta para kohe, më 25 prill 2003, pas një sëmundjeje të gjatë zemre.

Robert Shvarcit i është dhënë nga Presidenti i Republikës titulli Mjeshtër i Madh. Përkthyesi i njohur Robert Shvarc e mori këtë titull pak kohë pas marrjes së një tjetër titulli, atij të Qytetarit të Nderit të Tiranës. Ky titull iu dha atij me rastin 70-vjetorit të lindjes.

Emri i Robert Shvarcit prej vitesh është shndërruar në simbol të gjuhës gjermane në Shqipëri. Një domethënie për këtë ka qenë pikërisht viti 1995, kur përkthyesi i njohur u nderua nga ambasada gjermane në Tiranë me çmimin “Kryqi i meritave gjermane”. Duhet kujtuar këtu se Shvarci ishte i pari njeri i kulturës shqiptare, që arriti ta merrte këtë titull pikërisht në fushën e përkthimit. Gjithashtu ky titull është dhe i pari që presidenti gjerman i asaj kohe akordoi për një figurë të shquar të vendeve të Lindjes. Pas titullit që mori nga presidenti Alfred Moisiu dhe titujve të lartpërmendur, qëndrojnë një varg i gjatë librash të përkthyer nga gjuha gjermane në shqip dhe anasjelltas. Mjafton që të hapësh kopertinat e një serie të gjatë librash për të lexuar emrin e përkthyesit të tyre, Robert Shvarc.

Mes këtyre librave, që janë ndër më mjeshtërorët, vlen të përmenden: Tre shokë, Harku i Triumfit, Asgjë e re nga fronti i Perëndimit, Shkëndija e jetës apo Obelisku i zi nga Erih Maria Remark; Çifutja e Toledos, Françesko Goja nga Lion Fojtvanger; dhe drama të Bertolt Brehtit, Nëna Kurajë dhe fëmijët e saj, Kënga e një nëne gjermane, Ditët e Komunës, Arturo Ui, Pushkët e nënës Karrar, Opera për tre grosh, Baali; nga Heinrich Heine: Gjermania, përrallë dimri; nga Gëte dhe Shileri: Poezi dhe balada. Ndërsa mes autorëve shqiptarë që ai ka përkthyer në gjuhën gjermane janë: Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Gaqo Bushaka, Xhevahir Spahiu, Hatibi, Ahmeti, Beqiri, Qosja etj./ KultPlus.com

Ndërto Karrierën Tënde në Industrinë e Bukurisë me Diplomë të Fuqizuar nga Arizona State University!

Nëse ëndërron të bëhesh një ekspert i njohur në industrinë e bukurisë, tani është momenti yt! Programi Bachelor në Kozmetologji në Uni Universum International College është i vetmi program i akredituar në Kosovë, i krijuar për të të pajisur me njohuritë dhe aftësitë më të kërkuara në treg. Falë bashkëpunimit me Arizona State University, universitetin nr. #1 për inovacion në SHBA, do të mësosh teknikat më të avancuara të kujdesit për lëkurën dhe mirëqenien, duke u bërë profesionist i certifikuar dhe i kërkuar në tregun e punës.

Pse Ky Program Është Për Ty?

Diplomë Ndërkombëtare – Një diplomë e fuqizuar nga Arizona State University të jep një avantazh të jashtëzakonshëm në tregun e punës. 

Edukimi me Standarde Amerikane – Përfito nga një kurrikul inovative dhe metoda të avancuara mësimore. 

Praktikë Profesionale – Fito përvojë reale në qendra estetike, duke të siguruar punësim të shpejtë pas diplomimit. 

Mundësi për Biznes të Suksesshëm – Licencohu për të hapur qendrën tënde estetike ose për të punuar me brendet më të njohura globale të bukurisë.

TI JE UNIK! Krijo suksesin tënd, me edukim amerikan. Fuqizohu nga Arizona State University, Universiteti më i madh publik në SHBA. Studio në UNI duke aplikuar këtu! 

Për më shumë informata rreth programit kontakto +383 44 144 062, [email protected] ose ndiqni UNI – n në facebook & instagram./KultPlus.com

Al Pacino, gjiganti që erdhi nga rruga

Alfred James Pacino lindi më 25 prill 1940 në New York.

Al Pacino është aktor dhe regjisor, i biri i Salvatore dhe Rose Pacino, me origjinë italiane Korleone e Siçilisë. Kalon një fëmijëri të varfër, në shkollë ishte i dalluar si përsëritës, me përjashtim të literaturës angleze.

Nga fundi i viteve 60-të studion teatër me Lee Strasberg i cili dallon në të prirje të jashtëzakonshme për recitim dhe dëshirë të flaktë për tu larguar nga jeta e varfër e fëmijërisë. Me filmin Me Natalie shënon fillimin e karrierës së tij, ndjek pas dy vitesh The Panic in Needle Park në të cilin merret parasysh edhe nga regjisori Francis Ford Coppola. Ky i fundit shënon thelbin e famës së tij në vitin 1972 me filmin The Godfather në të cilin interpreton rolin e Michael Corleone.

Në vitin 1993 shpërblehet me Oscar si aktori më i mirë protagonist me filmin Scent of a Woman, në të cilin interpreton një kolonel të verbër.

Aktori i famshëm Al Pacino, i cili feston sot 85-vjetorin e lindjes, ka një jetë interesante personale dhe profesionale.

Më poshtë janë disa kuriozitete që kanë shënjuar jetën e tij:

Alfredo James Pacino nuk është martuar kurrë, por ka pasur marrëdhënie romantike me 11 aktore.

Me dy prej tyre, Jan Tuarant dhe Beverly D’Angelo ka tre fëmijë, një vajzë dhe dy binjakë për të cilët u kujdes më vonë.

Marrëdhëniet e tjera janë me Jill Clayburgh, Tuesday Weld, Marthe Keller, Carol Cane, Diane Keaton, Penelope Ann-Miller, Madonna, Lucila Solà dhe Meital Dohan, izraelitja me të cilën jetoi deri shkurtin e kaluar.

Në karrierën e tij, që ka pothuajse çmim në çdo paraqitje në ekran, lista e filmave të  refuzuar fillon nga ”Taxi Driver” deri te ”Star Wars”, nga ”Apocalypse Now” te ”Kramer vs Kramer”, nga ”Once Upon a Time in America” te ”Pretty Woman”.

Al Pacino është djali i dy emigrantëve sicilianë (babai u largua nga familja kur Al ishte ende me rroba banjo).

U lind në Harlem më 25 prill 1940.

Kaloi fëmini të vështirë në Bronx dhe përjetoi ligjet e ashpra të rrugës: duhanpirës dhe konsumator i drogave të lehta që nga mosha 10 vjeç.

17 vjeç la shkollën.

20 vjeç troket më kot në dyert e ”Studio Actors”.

Lee Strasberg njohu te ai cilësi të pazakonta aktoriale.

Fillon karierën kur Jerry Shatzberg i ofron atij rolin e protagonistit, tregtarit të ri të drogës Bobby, në ”Panic in Needle Park”.

Francis Coppola vëren se ai është aktori i duhur për rolin e Michael në ”The Godfather”.

U nominua për Oscar për rolin më të mirë mbështetës në këtë film, por Al Pacino sfidon jurinë duke thënë se roli i tij nuk është inferior ndaj atij të Marlon Brando, që e fitoi çmimin Oscar. Rezultati? Të dy nuk morën pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve.

Që atëherë Al Pacino u bë aktori i preferuar i kineastëve amerikan. /KultPlus.com

Në restaurim shtëpia e lindjes së Aleksandër Moisiut

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit bëri të ditur se po vijojnë punimet për restaurimin e shtëpisë së lindjes së aktorit të mirënjohur Aleksandër Moisiu. Shtëpia ku Moisiu ka lindur është shpallur Monument Kulture, Kategoria I. Ndërtesa u dëmtua nga tërmeti i vitit 2019.

Ministri Blendi Gonxhja tha se, ndërhyrja po realizohet nga UNOPS me fondet e BE, në kuadër të programit EU4Culture, dhe përfshin restaurimin e fasadës, ruajtjen e elementeve autentikë dhe rikonstruksionin e pjesëve të dëmtuara.

“Së shpejti, Durrësi do të fitojë një tjetër atraksion turistik që nderon trashëgiminë tonë kulturore”, shkroi Gonxhja në rrjetet sociale.

Aleksandër Moisiu e kaloi fëmijërinë e tij mes Triestes, Durrësit dhe Gracit.

Ai u vendos në Vjenë në moshën 20-vjeçare. Në skenën gjermanishtfolëse do të mishëronte mjeshtërisht role kryesore të një spektri të gjerë të veprave të letërsisë europiane, duke nisur që prej tragjedive antike greke, deri në bashkëkohësi. Moisiu do mund të depërtonte edhe në zhanrin e kinematografisë, ku përgjatë viteve 1910-1935, mori pjesë në 10 produksione filmash, 8 prej të cilëve ishin pa zë./atsh/KultPlus.com