Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani u takua me Këshillin për Marrëdhënie Shqiptaro-Amerikane (AARC), të përfaqësuar nga presidenti Martin Vulaj, Kryetari i Bordit Ilirjan Rusi dhe Sekretari Burim Rexhaj.
Në emër të AARC, Vulaj theksoi nevojën për formimin e shpejtë të një qeverie të re, e cila duhet të rishqyrtojë qasjen e Kosovës ndaj marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ai deklaroi se, ndonëse partneriteti strategjik mbetet i fortë, marrëdhëniet janë përkeqësuar dukshëm gjatë viteve të fundit, duke e lënë Kosovën gjithnjë e më të izoluar.
Ai shtoi se ndryshimet në qasjen e administratës së re amerikane ndaj partnerëve dhe interesave strategjike në mbarë botën e bëjnë edhe më urgjente për Kosovën që të pozicionohet siç duhet.
Vulaj gjithashtu vlerësoi Presidenten Osmani për rolin e saj konstruktiv në ruajtjen e aleancës së fortë strategjike.
Presidentja Osmani falënderoi AARC për angazhimin e tyre dhe ritheksoi rëndësinë e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara, duke deklaruar se nuk do të kishte Kosovë pa Shtetet e Bashkuara.
Ajo nënvizoi përkushtimin e saj të plotë për përmbushjen e detyrave kushtetuese në mbështetje të formimit të qeverisë së re dhe mirëpriti partneritetin me AARC për të forcuar marrëdhëniet Kosovë.
Muzeu Kombëtar i Gjetheve përkujtoi sot intelektualin, politikanin, botuesin Terenc Toçi.
Toçi lindi në Strigari të Kalabrisë më 9 mars 1880 në një familje arbëreshe. Mësimet e para i mori në Kolegjin e Shën Adrianit në Shën Mitër, ndërsa studimet e larta i përfundoi në Urbino. Gjatë kohës si student boton broshurën “Questione Albanese” (Cështja Shqiptare).
Gjatë viteve 1908-09 ndërmerr një udhëtim të gjatë nga Amerika e Jugut në atë të Veriut ku merr pjesë në takime me koloni të shqiptarëve e arbëreshëve dhe predikon Shqipërinë e lirë e të pavarur.
Në kryengritjen antiosmane të vitit 1911, i mbështetur nga i biri i Garibaldit, ai drejtoi Kuvendin e Fanit në Mirditë, por pa vazhduar më tej me sukses veprimtarinë atdhetare në krijimin e një qeverie autonome nga ajo osmane.
Më 1913 merr pjesë në Kongresin e Triestes dhe po atë vit nxjerr në qarkullim gazetën politike “Taraboshi” në Shkodër. Për shkak të aktivitetit të tij patriotik, autoritetet italiane e shtrëngojnë të kthehet në vendlindje dhe të izolohet për disa vite.
Toçi u kthye në Shqipëri në vitin 1920 dhe caktohet prefekt i Korçës. Pas një viti vendoset si konsull i përgjithshëm i Shqipërisë në Egjipt. Në zgjedhjet e vitit 1923 u zgjodh deputet i Shkodrës. Më 1925 emërohet kryetar i Gjykatës së Kastacionit dhe më 1927, sekretar i përgjithshëm i presidencës.
Me vendosjen e monarkisë shqiptare, ai jep dorëheqjen nga çdo post politik si rrjedhojë e bindjeve republikane që kishte. Vetëm në vitin 1937 ai do të rikthehej në politikë duke drejtuar Ministrinë e Financave.
Gjatë pushtimit italian ka kryesuar Këshillin e Epërm Korporativ Fashist në vitet 1940-42. Me ardhjen në pushtet të komunistëve, arrestohet dhe dënohet me vdekje nga Gjyqi Special në prill të 1945./atsh/ KultPlus.com
“Diario Crítica” ka botuar, të dielën e 7 prillit 1929, në faqen n°11, intervistën ekskluzive asokohe me Aleksandër Moisiun në Buenos Aires, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Moisiu, tragjiku i madh gjerman, sapo ka mbërritur në Buenos Aires dhe tregon përshtypjet e udhëtimit të tij.
Burimi : Diario Crítica, e diel, 7 prill 1929, faqe n°11
Një udhëtim me probleme. — “Të kryesh tetë funksione. Kam gjashtëdhjetë ditë lundrim.
Angazhimet e mëparshme do ta pengojnë tragjedianin e shquar të ofrojë më shumë se tetë shfaqje.
Moisiu ndodhet në Buenos Aires që nga mbrëmë. Pasagjeri nga Cap Arcona zbarkoi sapo u hoqën kufizimet sanitare për anijen transatlantike, i cili megjithatë, po shkurton edhe më tej itinerarin e tij, që është shumë i shkurtër në Buenos Aires për shkak të kontratave të tij në pritje. Aleksandër Moisiu është i ndjeshëm, do të kalojë si yll në qiellin tonë artistik. Moisiu, siç e kemi thënë tashmë, është një nga figurat kryesore të skenës bashkëkohore botërore. Parisi, Londra dhe Nju Jorku kanë përshëndetur të gjithë figurën tragjike që ka bërë që turmat të dridhen nga emocionet. Francezët, të cilët ishin aq të kursyer në lëvdatat e tyre për të huajin, ishin ata që treguan entuziazmin më të madh në kritikat e tyre, ku disa e shpallën atë gjeni, e të tjerë aktorin më të madh dramatik të gjallë.
Pasi e nisi karrierën e tij në teatër si një ekstra, karriera e tij evropiane dhe triumfi i tij i fundit në Nju Jork kulmojnë me famën e tij aktuale. Gjermano-gjermani tragjik, me gjak hebre, bir i një shqiptari dhe nënë italiane, i lindur në Trieste nën dominimin austriak ? — por gjerman, për shkak të kulturës së tij intelektuale dhe gjuhës me të cilën shpreh temperamentin e tij artistik, ai do të na japë vetëm katër shfaqje të talentit të tij : “Fantazmat”, “Hamleti”, “Dymbëdhjetë mijë” të Bruno Franck-ut dhe “Kufoma e gjallë” e Tolstoit. E pamë mbrëmë duke folur familjarisht në të gjitha gjuhët, duke pritur me ankth kohën e debutimit të tij para një publiku të ri dhe të largët.
Për çdo zotëri, çdo nder. Moisiu është një nga zotërit e artit dramatik. Mos hezitoni të na dërgoni mirëseardhjen tonë të ngrohtë dhe të shprehim kënaqësinë tonë për të ndarë me ju aktivitetet tona teatrale në Buenos Aires.
Moisiu, poliglot
Figura e Aleksandër Moisiut, e konsideruar artistikisht, është mjaft e njohur që ne të përpiqemi ta zbulojmë atë; Fizikisht ai është një njeri me tërheqje të veçantë; Me gjatësi mesatare, i hollë, me një fytyrë të rrumbullakët, të bardhë, me flokë të valëzuar, ngjyrë bronzi, një grimasë ironike në gojë dhe me sy depërtues, këto janë linjat e përgjithshme të këtij lloji që mbushin skenën dramatike në teatrot e mëdha evropiane dhe të Amerikës së Veriut.
Moisiu është një poliglot dhe me fraza në italisht, gjermanisht dhe frëngjisht na tregon odisenë e udhëtimit të tij :
— Për të luajtur tetë ditë në Buenos Aires — do të më duhet të lundroj për gjashtëdhjetë ditë …
Ndërsa isha në Nju Jork, i dhashë fjalën Urban-it që të vija me të në Buenos Aires. Ideja për t’u njohur me këtë pjesë të planetit të vogël që ne jetojmë më tërhoqi dhe nëse mbaj fjalën e nderit do të më duhet të lundroj për gjashtëdhjetë ditë dhe do të duhet të pres deri në maj për të pranuar kontratën e mrekullueshme që më ofroi një kompani e madhe filmash për të luajtur në dy filma shumë të rëndësishëm, “Kean” të Dumas dhe “Dishepulli i Djallit” të Bernard Show.
Moisiu, aktor filmi (kinemaje)
Këta filma, bazuar në këto vepra të mrekullueshme, do të realizohen duke përdorur një proces modern që po revolucionarizon artin kinematografik sot, ai quhet film që flet (film me zë), dhe siç duket edhe emri i tij, aktori shihet në të njëjtën kohë kur dëgjohet.
Një udhëtim me probleme
Udhëtimi im ishte vërtet plot ngjarje : për të takuar Urbanin dhe për t’u kthyer në Kaliforni më 15 maj, më duhej të hipja në anijen e parë që nisej për në Evropë në Nju Jork në një ditë kur shpërtheu një stuhi e jashtëzakonshme që nuk na la gjatë gjithë udhëtimit tonë për në Hamburg. Meqenëse moti i keq na bëri të vonoheshim për rreth 70 orë, nuk munda të shihja familjen time me mbërritjen time në Gjermani dhe nga anija që po më çonte atje shkova drejtpërdrejt në Cap Polonio, në bord patëm një udhëtim shumë të lumtur, por siç thotë thënia e vjetër spanjolle : “Epo, hajde keq, nëse vjen vetëm”, dhe ja, në brigjet e Brazilit mësuam se do t’i nënshtroheshin një karantine shëndetësore, dhe si pasojë e një vonese të re dhe shtyrjes së pashmangshme të debutimit tim.
Kompania Urban
Sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, shton Moisiu, kompania Urban që udhëton në bordin e Weser-it do të duhet të durojë një karantinë më serioze se e imja, gjë që ka bërë të nevojshme shtyrjen e sezonit përsëri.
Pas performancës sime në Buenos Aires, do të kaloj Andet për të hipur në një anije në Valparaíso dhe do të arrij në San Francisko, Kaliforni, më 15 maj, sipas fjalës time.
Moisiu do të performojë në Odeón të mërkurën me datë 10 prill në shfaqjen “Espectros — Fantazmat”./ KultPlus.com
Sot janë bërë 31 vite nga vdekja e shkrimtarit Charles Bukowski, shkruan KultPlus. Ai ka lindur në Andrenach në Gjermani me 16 gusht te vitit 1920.
Dy vjet pas lindjes së tij, e gjithë familja emigron në Amerikë. Ata vendosen në Los Anxhelos, ku Bukowski qëndroi gjithë jetën. E gjithë jeta e tij është e shkruar në libra. Emri i tij i plotë është Henry Charles Bukowski Jr., por atë thjesht e thërrisnin Henk. Ka vdekur me 9 mars te vitit 1994 nga leukemia në San Pedro. Është autori i 34 vëllimeve poetike, 3 romaneve dhe një skenar filmi. Bukowski njihet si një ndër themeluesit e rrymës “Underground” të shkrimit artistik.
Charles Bukowski ishte letrar, poet, novelist dhe shkrimtar amerikan me rrënjë gjermane, përfaqësues i valës tjetër të gjeneratës beat, stili i tij i të shkruarit është në ndikim të plotë të ambientit social, kulturor dhe ekonomik të qytetit të tij Los Angeles.
Në veprat e tij e përshkruante jetën e njeriut të varfër, alkoolit, relatat me femrat, dhe të gjitha mungesat dhe vështirësitë e punëve të këtilla.
Bukowski shkruajti me mijëra këngë, qindra tregime të shkurtra dhe gjashtë romane, të gjitha deri në gjashtëdhjetë libra. Në veprat e tij e përvetësonte veten si Henry Chinaski.
Sa i përket Bukowskit në jetën personale, në rini ishte i turpshëm dhe i tërhequr, e cila ishte si rezultat i abuzimit nga ana e moshatarëve të tij dhe babait të tij që e rrihte.
Në vitet e hershme të adoleshencës për herë të parë ra në kontakt me alkoolin i cili më vone do ta përcaktoj si person dhe shkrimtar gjatë tërë jetës së tij.
Bukowski vdiq nga Leukemia më 9 mars të vitit 1994 në San Pedro./KultPlus.com
Ameriko Vespuçi ( 9 mars 1451 — 22 shkurt 1512) ishte financier, lundërtar dhe hartograf i cili ishte i pari që demonstroi se Brazili dhe baseni i Karaibeve nuk ishin pjesët e jashtme të Azisë lindore siç kishte hamendësuar Kolombo nga udhëtimet e tij, por tha se kjo ishte një tokë e re e cila nuk ishte ende e njohur nga Bota e Vjetër.
I referuar si Bota e Re, ky super kontinent i dytë u emërua “Amerika”, që rrjedh nga fjala Americus, versioni latinisht i emrit të Ameriko Vespuçit.
Ameriko Vespuçi është i lindur dhe rritur në Firence të Italisë.
Ka marrë pjesë dy udhëtime në “Botën e Re”, dhe ka qenë udhëheqës i ekspeditës detare spanjolle (1499-1500) e cila si duket ka zbuluar grykëderdhjen e lumit Amazon. Mandej ka udhëhequr edhe ekspeditën portugeze (1501-1502) e cila e ka zbuluar Rio de Zheneiro dhe Rio de Plata.
Duke i paraqitur zbulimet e tija për herë të parë përmendet shprehja Amerikë dhe Bota e Re. Duke lundruar me flamurin Spanjoll, arriti deri te bregdeti i Brazilit dhe Hundurasit. Në dallim me Kolombin, ka qenë i sigurt se ka zbuluar “Botën e Re” e cili gjindet në mes të Evropës dhe Azisë.
Përshkak se hartografët e kanë injoruar Kolombin, kontinenti i ri e mori emrin Amerikë nga ky hulumtues dhe detar italian.
Duke i paraqitur zbulimet e tija për herë të parë përmendet shprehja Amerikë dhe Bota e Re. Duke lundruar me flamurin Spanjoll, arriti deri te bregdeti i Brazilit dhe Hundurasit. Në dallim me Kolombin, ka qenë i sigurtë se ka zbuluar ” Botën e Re” e cili gjindet në mes të Evropës dhe Azisë. Roli i Vespuçit është i dyanshëm, jo vetem që vërtetoi se Kolombo ka zbuluar tokë të re, por edhe për dy shkrimet e veta, “Mundus Novus” dhe “ Lettera”. Disa mendojn se shkrimet e Vespuçit janë vetëm mendime dhe iluzione, ndërsa disa të tjerë mendojnë se a to shkrime nuk janë të tijat por janë shkruat para periudhës qe ka jetuar Vespuçi.
Në përgjithësi pranohet se Amerika Veriore dhe Jugore u emëruan sipas eksploruesit Italian Amerigo Vespucci nga kartografi Gjerman Martin Waldseemüller. Vespucci, i cili kishte eksploruar Amerikën Jugore mes viteve 1497 dhe 1502, ishte Evropiani i parë që sugjeroi se Amerikat nuk ishin Inditë (grupe ishujsh në Azi), por një tokë tjetër e panjohur më parë për evropianët.
Më 1507, Waldseemüller prodhoi një hartë të botës, në të cilën ai vendosi fjalën “America” në kontinentin e Amerikës Jugore, në mes të Brazilit të sotëm. Ai shpjegoi logjikën për këtë emër në librin e tij “Cosmographiae Introductio”. Për Waldseemüllerin, askush nuk duhet të kundërshtoj emërimin e tokës sipas zbuluesit. Ai përdori verzionin e Latinizuar të emrit të Vespuccit (Americus Vespucius), por në formën femërore “America”, duke ndjekur shembujt “Europa” dhe “Azia”. Më vonë, kur kartografë të tjerë vizatuan Amerikën Veriore, ata shtuan emrin origjinal gjithashtu më 1538, Gerard Mercator përdori emrin America për të gjithë hemisferën perëndimore në hartën e tij të botës.
Ameriko Vespuçi vdiq më 22 shkurt të vitit 1512./KultPlus.com
Shqipëria ka qenë një nga destinacionet më të nxehta vitet e fundit dhe nuk ka asnjë arsye për të menduar se fluksi i turistëve do të “qetësohet” së shpejti, shkruan Joel Balsam në një artikull të botuar në “Lonely Planet”.
Vendi ballkanik ka plazhe të bukura me ujëra të kristalta – në fakt, një prej tyre u shpall së fundmi si më i kaltërti në botë – qytete të trashëgimisë së UNESCO-s me rrugica magjepsëse dhe tunele nëntokësore, së bashku me shtigje ecjeje të mrekullueshme në Bjeshkët e Nemuna (Alpet Shqiptare).
Shumica e turistëve vizitojnë Shqipërinë në sezonin e verës (qershor-gusht), kur plazhet janë më të ngrohta dhe malet janë pastruar nga bora. Kjo është koha e shkëlqyer për ta vizituar vendin ballkanik.
Vizitoni Shqipërine në maj ose tetor – me më pak turma dhe temperatura të ngrohta. Megjithatë, kjo periudhë mund të mos jetë ideale për të notuar në det pasi është ende i ftohtë.
Shumica e objekteve turistike jashtë qyteteve të mëdha dhe përgjatë bregdetit në Shqipëri, mbyllen në dimër (dhjetor-mars).
Industria e turizmit fillon të hapet sërish pas festës së bektashinjve të pranverës, Ditës së Nevruzit, më 22 Mars. Nëse shkoni gjatë dimrit, qëndroni në kryeqytetin, Tiranën, ose qytetin verior Shkodër, i cili organizon karnavale dimërore.
Planifikoni udhëtimet tuaja në Shqipëri gjatë gjithë vitit me këtë guidë sezonale.
Muajt qershor-shtator përbëjnë pikun e sezonit veror
Riviera Shqiptare në jug të vendit është quajtur Maldivet e Evropës – një vlerësim i cili merr kuptim kur mendon për ujin e kaltër në brigjet e Ksamilit dhe përreth.
Zbulimi i Shqipërisë ka ndihmuar në rritjen e numrit të turisteve të huaj – kështu që gjatë pikut të sezonit pritet të ketë turma të mëdha vizitorësh.
Për t’i shpëtuar turmave më të mëdha, merrni me qira një makinë dhe udhëtoni deri në plazhin e Borshit dhe të Gjipesë.
Ju gjithashtu mund të bëni një turne me varkë nga Himarë në plazhet e izoluara ku mund të jeni vetëm ju dhe deti i hapur.
Në qershor, shkoni në Dhërmi për të marrë pjesë në festivalin e muzikës “Kala”. Nëse mund të prisni deri në shtator, do të gjeni temperatura më pak të nxehta në bregdet dhe me më pak turma vizitorësh.
Në përgjithësi, në Shqipëri ka vizitorë gjatë gjithë vitit, megjithëse mungesa e ndonjë flladi detar mund të shkaktojë nxehtësi ekstreme në korrik dhe gusht, me temperatura që rriten mbi 30°C. Zonat më të freskëta janë Bjeshkët e Nemuna, ku temperaturat mesatare lëvizin midis 17°C dhe 22°C në verë.
Gjithashtu, zbuloni një tjetër destinacion alternativ veror – Pogradecin, i cili pret “Festivalin Balkan Film Food” në fund të qershorit ose në fillim të korrikut.
Vizitoni Shqipërinë në maj ose tetor për klimë më të butë dhe me më pak turma
Të vizitosh pothuajse çdo vend jashtë pikut të sezonit është një ide e mirë. Ka më pak turma, mot të butë dhe çmime më të arsyeshme. E vetmja pengesë është rreziku i motit të keq – si psh shiu në pranverë.
Muajt maj-tetor janë veçanërisht ideal në Shqipëri. Në maj, do të keni më shumë hapësirë për t’u shtrirë në plazhet e Rivierës Shqiptare, megjithëse mund të jetë pak freskët – temperaturat mesatare në Ksamil variojnë nga 16°C – 22°C.
Ndërsa maji është gjithashtu teorikisht një kohë e mirë për të ecur në male pasi ka më pak vizitorë në Shqipëri, vini re se bora mund të mos jetë shkrirë deri në fund të muajit.
Vjeshta (tetor dhe nëntor) është gjithashtu një kohë e shkëlqyer për të vizituar Shqipërinë, pasi do të keni mundësinë të shihni ndryshimin e gjetheve në vende si Parku Kombëtar i Thethit.
Vjeshta është gjithashtu perfekte për të vizituar qytetet e UNESCO-s si Gjirokastra dhe Berati.
Ngrohja në dimër (dhjetor-mars) në baret e modës së Tiranës dhe karnavalet e Shkodrës
Shumica e akomodimeve në Shqipëri mbyllen gjatë dimrit, por ka ende argëtim gjatë sezonit dimëror. Nëse fluturoni drejt kryeqytetit – Tiranës, shkoni në Bllok dhe relaksohuni me një koktej në “Radio Bar”. Ose provoni rakinë në bar “Komiteti”.
Dimri është gjithashtu një kohë e mirë për të vizituar muzeun magjepsës të Shtëpisë me Gjethe të Tiranës, i cili dokumenton historinë e spiunazhit gjatë diktaturës paranojake të vendit nën drejtimin e Enver Hoxhës.
Kuzhina shqiptare, e karakterizuar nga mishrat e pjekur në skarë, është e shijshme në çdo kohë të vitit. Provoni gatimet më të mira vendase si qoftet dhe tavën e kosit me mish qengji të pjekur – në restorantet e Tiranës si “Era” dhe “Oda Garden”.
Nëse mund ta përballoni të ftohtin në veri të Shqipërisë, vizitoni Shkodrën. Në shkurt, qyteti pret festime të karnavaleve me interpretues të maskuar dhe parada në rrugë.
Provoni verën shqiptare nga tetori deri në dhjetor
Shqipëria është një destinacion në lulëzimin përsa i përket prodhimit të verës, me një histori që shtrihet prej shumë dekadash. Shijoni verën unike të vendit duke përfshirë “Kallmeti”, “Sheshi”, “Debin”, “Vranac” dhe “Vlosh” në qytetin e Beratit.
Një ndër të preferuarat është Kantina e Verës Çobo, e vendosur në një kopsht.
Adhuruesit e verës mund të vizitojnë në dhjetor qytetin e Pogradecit – i cili pret Festivalin e Verës dhe Gështenjës. /atsh/ KultPlus.com
Zot i math e i vërtetë, çdo pun’ e ke bërë vetë; bëre qiejtë dhe denë, bëre yjtë dhe dhenë, bëre diellin’ me dritë, bëre nat, e bëre ditë, bëre erënë dhe retë, bëre pemëtë me fletë, bëre hënëzën me yje, bëre fusha, male, pyje, bëre zogjtë, që këndojnë dhe lulet që lulezojnë,
bëre dimër’ e beharë, bëre kuaj e gomarë, bëre misër edhe grurë, po më shumë bëre gurë. Si bëre kaqë të mira, bëre dhe shumë egërsira:
bëre arinë dhe derrë, bëre… po ç’nukë ke bërë? Bëre botënë të tërë, bëre dhe djallë me brirë! Çdo pun’ e ke bërë mirë, po një gjë bëre pa mënde dhe prishe punën tënde:
Kur bëre derr’ dhe arinë, Ç’deshe që bëre Turqinë? Se të mos qenkej kjo farë, bota do të vinte mbarë, dhe do të lulëzonte, Shqipëria do t’gëzonte./ KultPlus.com
Osho është filozofi i madh indian (Shree Rajneesh), njëkohësisht një nga spiritualistët më të mëdhenj të shekullit të XX.
Në vijim, do t’ju njohim me disa nga shprehjet filozofike dhe praktike të OSHO-s, që do t’ju bëjnë ta shihni veten dhe realitetin me sy tjetër.
1.Përdoreni energjinë me dashuri, përdoreni në ndonjë akt krijues, përdoreni në miqësi, përdoreni në meditim, bëni diçka me të që t’ju ngrejë lart. Dhe sa më lart të shkoni, burimet e më shumë energjie bëhen të disponueshme për ju. Në pikën më të lartë të vetëdijes, ju jeni gati një Zot. Kjo është në duart tuaja! 2. “Të mendosh se e njeh shumë mirë gruan tënde, është një mendjelehtësi. Si mund ta njohësh ti atë grua? Si mund ta njohësh ti atë burrë? Janë proçese, nuk janë gjëra. Gruaja që ti ke njohur dje, sot nuk është më: ajo është gjithmonë një tjetër, totalisht ndryshe.” 3. “Ti je përgjigjja, por je krejtësisht i përgjumur. Përgjigjja është brenda teje. Ti je vetëm një farë. Ke nevojë për dheun e duhur, ke nevojë për një kopshtar, ke nevojë për bashkëpunimin e për vullnetin tënd që të vdesësh si farë që pastaj të mund të lindësh si pemë.” 4. “Përmes dashurisë, hedhja e egos është e thjeshtë. Kjo është aq e natyrshme pasi vet dashuria është frymëzueshmëri natyrore. Çdo gjë tjetër është jonatyrore kur të krahasohet me rrugën e dashurisë.” 5. “Tërë përpjekjet e shkencës nuk janë asgjë tjetër përpos kërkime për jetën e amshuar, e gjithashtu edhe tërë përpjekjet e religjioneve nuk janë asgjë tjetër përveç kërkim për jetën e amshuar” 6. Çdo fëmijë lind si individ, por tepër rrallë njeriu vdes si individ. Me gjithë qëllimet më të mira, prindërit, mësuesit, udhëheqësit, klerikët dhe të ngjashmit na mbjellin idenë e konkurrencës, rivalitetit, ambicies, duke krijuar kështu prej çdo fëmije qenien e cila me jetën takohet në lufta mendimesh, me fjalë të tjera, në dhunë, në agresivitet.” 7. “Nëse e dashuron një lule, mos e këput. Sepse nëse e këput, ajo vdes dhe pushon së qëni ajo që dashuron. Kështu që… Nëse e do një lule, lëre të jetë…” 8. ”Dashuria nuk është zotërim. Dashuria është vlerësim”. 9. “Përjetoje jetën në gjithë mënyrat e mundshme… e mirë-e keqe, e hidhur-e ëmbël, errësirë-dritë, verë-dimër. Përjeto gjithë dualitetet. Mos ki frikë nga eksperienca, sepse sa më shumë eksperiencë që të kesh, aq më i pjekur do të jesh”. 10. “Trishtimi jep thellësi. Lumturia jep lartësi. Trishtimi jep rrënjë. Lumturia jep degë. Lumturia është si një pemë që ngjitet drejt qiellit, dhe trishtimi është si rrënjët që shkojnë poshtë në tokë. Të dyja nevojiten, dhe sa më lart të shkojë një pemë, aq më thellë shkon, njëkohësisht. Sa më e madhe pema, aq më të mëdha rrënjët. Në fakt, janë gjithmonë në proporcion. Ky është ekuilibri i saj” 11. “Të jesh krijues do të thotë të jesh në dashuri me jetën. Ti mund të jesh krijues, vetëm nëse e do jetën mjaftueshëm, sa që të duash t’i rrisësh bukurinë, të duash të sjellësh pak më shumë muzikë, pak më shumë poezi, pak më shumë vallëzim” 12. “Miqësia është dashuria më e pastër. Eshtë forma më e lartë e dashurisë, aty ku nuk kërkohet asgjë, nuk ka kushte, ku njeriu thjesht jep dhe e shijon” 13. “Jeta fillon aty ku merr fund frika” 14. “Hiq dorë nga ideja për t’u bërë dikushi, sepse ti je tashmë një kryevepër. Nuk mund të përmirësohesh. Vetëm duhet që ta kuptosh kush je” 15. “Duke rënë në dashuri, ti mbetesh fëmijë; duke u rritur në dashuri, ti maturohesh. Me kalimin e kohës, dashuria bëhet jo një marrëdhënie, por një gjendje e qenies tënde. JO se je në dashuri – ti tani je vetë dashuria”. 16. “Kurajo është një marrëdhënie dashurie me të panjohurën” 17. “Një fëmijë është një rilindje e zotit. Ai duhet të respektohet dhe atij duhet t’i jepet çdo mundësi për t’u rritur dhe për t’u bërë jo ashtu siç do ti, por ashtu siç është potenciali i tij.”/ KultPlus.com
Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH) uroi sot 8 marsin, duke vlerësuar të gjitha ato kampione që kanë nderuar dhe kontribuojnë për Shqipërinë në çdo arenë të botës.
“Në sport nuk ka limite, sepse fuqia për të garuar si të barabartë është suksesi më i madh”, thekson KOKSH.
“Në këtë 8 Mars nderojmë dhe respektojmë kontributin e grave, vajzave dhe motrave tona, që na e bëjnë jetën më të bukur. Respektojmë të gjitha ato kampione që kanë nderuar dhe kontribuojnë për Shqipërinë në çdo arenë të botës”, thekson KOKSH.
Për Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar, roli i grave dhe vajzave është thelbësor dhe shumë i rëndësishëm në çdo arritje teksa beson në fuqinë e tyre transformuese dhe shumë të guximshme në Lëvizjen Olimpike./ KultPlus.com
Ajo është duke e mbushur një gotë Coca Cola për mua. Jam ndarë me familjen, gruan dhe djalin shtatë vjeç, për shkak të një incidenti. Nuk mundem t’i takoj, por aq më shumë edhe kam urdhërndalesë nga gjyqi për t’iu afruar gruas më shumë se pesëdhjetë metra!! Nuk i kam parë qe më shumë se dy javë (megjithëse sa i përket gruas ndoshta edhe është më mirë), e djali kushedi çka është duke menduar për mua tashmë. Kam humbur dhe apartamentin ku kam jetuar tërë jetën, sakrificë e prin¬dërve, meje e kujtdo që na ka njohur, në kohë paqeje dhe sidomos në kohë lufte. Kam humbur dhe veturën, me gjithë atë që konoton ky atashim me veturën time, atë ia kisha blerë gruas dhuratë të re fringo etj. Kam humbur, aq më shumë, qytetin ku kam lindur e jetuar tërë jetën, kam humbur jo vetëm vendbanimin në të por edhe kontaktin me të e me miq e kafe ku kam ka¬luar ditët e netët. Në të vërtetë kam humbur tërë atë që kam pasur, timen, si dashuri e si përpjekje, tërë jetën time, dhe si duket, përgjithmonë. Por, ajo, e mbush gotën time me Coca Cola, po e mbush ngadalë.
Vuan nga kanceri i eshtrave. Për një kohë të shkurtë i është ngrënë, brejtur, tërë skeleti i saj. Dhe, tani, me atë rrënojë prej eshtrave që i ka mbetur, duke çaluar dhe në dhembje, qoftë edhe e shtrirë, ulur, e sidomos kur i bën punët si një amvise e përkushtuar, të tmerron. Por, nuk është tmerri aq i madh derisa e sheh duke u për¬pjekur për të bërë hapërimin më të thjeshtë; është edhe më tmerrshëm kur, si një shërbyese e vyeshme merr gotën tënde, e mbush atë dhe ta sjellë në tërë tmerrin e saj qoftë për të bërë lëvizjen më të vogël. Pastaj, po ashtu tmerr i makthshëm është kur, ajo, me grimcat e rrënojave të eshtrave të saj, që çuditërisht ende janë në funksion të trupit të saj si skelet, përgatit ushqimin për tërë ditën; pastaj dhe e shërben atë në secilin vakt; pastaj e mbledh dhe doemos edhe i lanë a pastron me kujdes të gjitha enët. Pastaj, në mes vakteve, sigurisht e gjen në tualet duke pastruar si e përçartur; pastaj e gjen duke marrë e dhënë me rrobat e shtëpisë, të të gjithëve etj.; dhe, ndoshta, kur e gjen duke tymosur ndonjë cigare, e ajo ndihet e turpëruar, për pushimin që është duke e bërë. Është, si të them, e të mos e lëndoj, amvise që të bën të tmerrohesh nga dhembja e saj; të bën të tmerro¬hesh nga dashuria e saj; por edhe të tmerrohesh nga dhembja e saj, e që në të vërtetë e shkakton tek secili prej nesh, po ashtu, duke provuar të të dojë në tërë këtë paralizë të dhembshme të saj.
Megjithatë, ajo, ende nuk e ka mbushur gotën me Coca Cola, unë jam aty pranë saj. Për një moment, ajo derisa është duke e zbrazur shishen, ndalet pak, pastaj ndalet dhe e shikon. Kushedi çka ka në mendje. Kur e mendoj, dashuria e saj është sikur vuajtje, por jo në kuptimin romantik ndërmjet dy të dashuruarve. Është më shumë vuajtje për të mbetur! Për të qenë. Për të pasur një konfirmim. Por, pyetem, ajo ka tre fëmijë, dhe një bashkëshort, të gjithë jetët e tyre të jetueshme e të pranueshme. Nuk janë as kriminelë dhe as të gjymtë, aspak si ajo, dhe megjithatë, ka një obsesion për të mbetur!
Ajo vazhdon të mbushë gotën time me Coca Cola, vazhdon të ndalet dhe ta shikojë, ta masë, ta vëzhgojë, ta fshijë me duart e saj, derisa unë afër saj, as nuk mund të pres përfundimin e tërë këtij rituali të saj, dhe as të imagjinoj çka ka në mendje, dhe as pse po e bën këtë. Siç e thashë, kam humbur pak a shumë tërë atë që kam pasur, ndërtuar me dashuri e përpjekjen më të sinqertë, dhe në këtë, nuk kam shumë durim, por, ajo vazhdon ta mbushë dhe pastaj edhe ta kontrollojë gotën.
Ka momente kur ajo rënkon, rënkon tmerrshëm në dhembje të hatashme. Kur është tmerrësisht e përhum¬bur në sëmundjen e saj. Kur shtrihet në ndenjësen, aty mes kuzhinës dhe dhomës së ditës dhe nuk mund të lëvizë, ajo.
Ka, po ashtu, dhe ditë të tëra kur nuk mund të ngri¬het fare nga shtrati.
Megjithatë, ajo është shërbëtore e vyeshme, edhe e dashur, por, edhe besnike.
Ishte nata e parafundit e vitit që ka mbetur pas, ishim duke ngrënë drekë, bashkë dhe ajo me ne, dhe përnjë¬herë dikujt nga ne, besoj nuk është me rëndësi cilit, i duhej edhe pak kos, e ajo një ditë më herët nuk kishte mundur të zgjohej fare nga krevati, gjithashtu kishte pa¬sur tërë ditën dhembje të tmerrshme, mirëpo, kur njëri nga ne, pa rëndësi cili, kishte bërë të ditur se i duhej edhe pak kos, asnjëri nga ne nuk kishim mundur ta ndal¬nim, ishte ajo, pa një pa dy duke ardhur me tasin e kosit në dorë. Tërë familja kishim insistuar se nuk kishte pse të ngrihej, dhe se mund të shërbeheshim vetë, por ajo, me atë që e quajta tmerr, duke na tmerruar, me dashu¬rinë, apo çka do që është ky tmerr, të saj, ishte ngritur dhe kishte sjellë kosin, gjithnjë duke u përpjekur të ecte, gjithnjë duke çaluar, gjithnjë duke përjetuar dhembje të tmerrshme; detaj krejt i parëndësishëm dhe aq më shumë banal, por kur e ke në mendje kancerin e eshtrave të saj, dhembjet, rënkimet e shpeshta, ndoshta edhe moshën e saj, dhe edhe parëndësinë e këtij shërbimi të saj, e me¬gjithatë të kryer me besnikëri, kjo disi të tmerron.
Ajo tashmë ka mbushur gotën e Coca Cola për mua. Është pak përmbi gjysmë. Ndoshta, jo gjashtëdhjetë, por shtatëdhjetë për qind e gotës është e mbushur me Cola. Kur i kam thënë se doja Cola, i kisha thënë se doja shumë pak, ndoshta gjysmë gote, Cola. Por, derisa ajo është duke e pastruar me kujdes dhe besnikëri gotën të mbu¬shur sipas saj, mendoj, ajo tërë jetën e saj, ka pasur për ligj që çdo gjë që i kërkon, çdo gjë që i kërkoje, ta jepte më shumë sesa ke kërkuar në të vërtetë, pak më shumë sesa doje, që do, pak më shumë sesa të duhet.
Ajo ka edhe një problem tjetër, në tërë këtë tmerr, në tërë këtë dashuri të tmerrshme, në përpjekjet, në veshti¬rësitë e saj, në dhembjet e saj, ka edhe një tmerr shtesë. Një tmerr të egër e shpartallues. Shumë shpesh i shpër¬then një lloj çjerrjeje, britme dhe shpërthimi ndaj nesh. Që të tmerron. Është diku mes mallkimit të thellë të kob¬shëm e paralizues; tragjedie që të shpartallon e të para¬lizon. Nuk po hyj më thellë të mendoj për këtë frus¬trim e mallkim të saj, shkaktuar pikërisht nga dhembja prej kancerit të eshtrave që e ka.
Por ajo e ka kryer të veten tashmë. E ka mbushur, diku mes gjashtëdhjetë e shtatëdhjetë për qind të gotës sime me Coca Cola, dhe e ka pastruar mirë. Ma jep.
“Falemnderit nënë!” i them, dhe në padurimin tim, duke krisur e i çmendur, nisem tutje. Ajo mbetet në kuzhinë, ka punë, ka shumë punë.
Zgjohet, sytë e saj ende të mjegullt nga ëndrrat e përgjumura
Në pasqyrë lë veten një fytyrë të njohur që e mbyll në shtëpi
Në trupin e saj vesh brezin shtrëngon fort lëvizjen drejt vetes ecën në heshtje, çdo hap bart peshën e së panjohurës
rrugët e qytetit janë të ngarkuara, një siluetë që shkrihet në turmë
dora e një tjetri fshin hapësirën, një buzëqeshje e detyruar gati për t’u shpërbërë
duar që presin të duartrokasin për një plotësim mungese njeriu pa fëmijëri
Në mbrëmje, grimi hiqet si maskë e huazuar, lëkura, ajo kërkon një prekje lirie, një hukamë
Hijeshia e ndjek mbi çdo hap, kurora që e mbulon, pa e pyetur trupin e saj.
Një ditë, do dalë nga shtëpia pa pasqyrë, do veshë trupin me fustanin e bardhë me pika t’kuqe, ecë lirshëm pa mallkimin e shekujve pa mburojë kohe e hapësire
Një ditë rrugës drejt vetes në fund të sokakut hedh kurorën
bashkë me mëdyshjet nëse është fshehur mirë, a mos u zbulua nga vajza?!/ KultPlus.com
Lara Colturi, skiatorja më e re e finaleve botërore, që garon për Shqipërinë, arrin një tjetër rezultat mbresëlënës, duke u renditur e 3-ta në Sllallomin Gjigant të Ares në Suedi.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga garimi i skiatores Colturi, e cila ka zhvilluar një paraqitje të shkëlqyer në këtë garë.
Përfaqësuesja e Shqipërisë, skiatorja italiane Lara Colturi u rendit në janar në vendin e dytë në Kupën e Botës në Ski.
18-vjeçarja u rendit e dyta në garën e Sllovenisë, duke shenjuar një tjetër moment historik për vendin tonë, sa i takon sportit të skive.
Në muajin shkurt në debutimin e saj në Kupën e Botës të Skive Apline, Lara Colturi ka arritur të renditet e 7-ta mes 10 më të mirave të botës.
Ndërsa në Sestriere të Italisë, në Sllallomin Gjigant, skiatorja që garon për Shqipërinë ka realizuar kohën e 6-të më të mirë të ditës./ KultPlus.com
Mund të thuhet me siguri se Margaret Thatcher ishte një nga gratë më të forta në historinë e njerëzimit.
Pa drojën e ndonjë fatkeqësie ose problemi, duke kapërcyer çdo pengesë, ajo arriti të mbetet Kryeministrja e Mbretërisë së Bashkuar për 11 vjet, duke qenë gruaja e vetme që ka mbajtur atë pozicion aq gjatë.
Sot, po ju sjellim disa fraza të famshme dhe citate që “Zonja e Hekurt” la si pjesë të trashëgimisë së saj.
Kur një grua tregon karakter ata i thonë asaj se është e rreptë; kur një burrë tregon karakter ata e quajnë “djalë i mirë”.
Humbja? Nuk e kuptoj kuptimin e asaj fjale.
Çdo grua që i kupton problemet e drejtimit të një shtëpie është shumë afër të kuptojë ato të drejtimit të një vendi.
Mund të jetë gjeli që këndon, por është pula ajo që lëshon vezët.
Askush nuk do ta mbante mend Samaritanin e Mirë nëse ai do të kishte vetëm qëllime të mira. Ai gjithashtu kishte para.
Nëse doni të thuhet diçka, pyesni një burrë, nëse doni të bëhet, pyesni një grua.
Shtëpia duhet të jetë qendra, por jo kufiri i jetës së një gruaje.
Unë jam gjithmonë e inkurajuar jashtëzakonisht shumë nëse një sulm është veçanërisht i dëmshëm, sepse mendoj se nëse sulmoheni personalisht do të thotë që atyre nuk u mbetet më asnjë argument i vetëm politik.
Vlen të njohësh mirë armikun, ndër të tjera për shkak të mundësisë që një ditë ai të bëhet mik.
Të bësh gjithçka me zemër të hapur nuk është ideja më e mirë që mund të kesh. Zemra duhet të jetë e mbyllur, kështu që funksionon më mirë.
Nuk ka liri nëse nuk ka liri ekonomike.
90% e gjërave që na shqetësojnë nuk ndodhin kurrë.
Pasuria e një vendi nuk ndërtohet domosdoshmërisht në bazë të burimeve të tij natyrore: është e mundur të bëhet edhe nëse nuk ka asnjë. Burimi më i rëndësishëm janë njerëzit.
Shteti duhet vetëm të vendosë bazat për të lulëzuar talentet e njerëzve.
Gratë dinë të thonë “jo” shumë më mirë se burrat.
Sot, gratë kanë një det mundësish për t’u shprehur, madje disa prej nesh qeverisin vendet, por kur flasim, për nder, çantat janë më të mira për ne sesa bajonetat.
Unë zakonisht formoj mendimin tim për një burrë në 10 sekonda dhe rrallë e ndryshoj atë.
Nëse kritikët e mi do të më shihnin duke ecur përmbi ujërat e deteve ata do të thoshin se kjo ndodh për shkak se unë nuk di të notoj.
Nuk është absolutisht e nevojshme të bini dakord me bashkëbiseduesin për të gjetur një gjuhë të përbashkët me të./ KultPlus.com
Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Klevis Qose uroi sot në një mënyrë të veçantë 8 marsin.
Qose u ka dhuruar lule punonjëseve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, me rastin e Ditës së Gruas.
Qose gjithashtu ka cituar edhe ish-kryeministren e Britanisë së Madhe, Margaret Thatcher e cila shprehej se “nëse kërkon vetëm fjalë, pyet një burrë; nëse kërkon vepra, pyet një femër”.
Në mbarë botën sot përkujtohet 8 Marsi, “Dita Ndërkombëtare e Gruas” për të nderuar sakrificat dhe përkushtimin e të gjitha grave në familje, shoqëri, në punë dhe kudo./ KultPlus.com
Federata e Futbollit organizoi një miniturne futbolli në kuadër të 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas, me pjesëmarrjen e vajzave të UN Women, gazetareve sportive dhe vajzave të stafit të administratës së FSHF-së. Ky aktivitet kishte për qëllim përcjelljen e mesazheve sensibilizuese dhe ndërgjegjësuese për barazinë gjinore, luftën kundër dhunës dhe diskriminimit etj.
Në një prononcim për fshf.org, gazetarja sportive Vilma Masha, zyrtarja e FSHF-së Pamela Ndocaj dhe përfaqësuesja e UN Women Alba Agolli vlerësuan këtë aktivitet dhe dhanë mesazhet e tyre, duke theksuar rëndësinë e barazisë gjinore, fuqizimin e figurës së gruas dhe thyerjen e paragjykimeve.
Sporti u cilësua si një simbol solidariteti, ndërsa u bë thirrje për më shumë unitet mes grave për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë. Mesazhi kryesor ishte se 8 Marsi nuk është vetëm një ditë për lule, por edhe për veprime dhe ndryshim.
“Modeli i suksesit, në fakt, është shumë i rëndësishëm jo vetëm në vendin tonë, por në të gjithë botën. Besoj se media e ka bërë në një farë mënyre detyrën e saj. Ne përpiqemi çdo ditë që të promovojmë histori suksesi të njerëzve të cilët kanë ngritur lart emrin e vendit, po ashtu edhe emrin e tyre.
Duke promovuar sportin, duke promovuar vlerat e rëndësishme që ai përcjell dhe po ashtu të gjithë angazhimin dhe impenjimin për të ecur përpara, që përballë çdo vështirësie ti mund t’ia dalësh edhe pse je grua, përkundrejt paragjykimeve apo gjithçkaje tjetër. Në këtë 8 Mars do të doja që gratë të besonin më shumë te vetja, të besonin më shumë te aftësitë e tyre dhe të thyenin çdo paragjykim, aq më tepër atë mashkullor”, Vilma Masha, gazetare sportive.
“Për mua kjo ndeshje është një festë e solidaritetit të vajzave dhe grave. Nuk është thjesht një lojë, por është një mesazh i fortë që ne duam të japim dhe të themi që, të bashkuara, mund të kalojmë çdo lloj kufizimi dhe vështirësie. Pra, është mënyra jonë për të treguar që 8 Marsi nuk është vetëm një ditë për lule, por edhe për veprime dhe ndryshim”, Pamela Ndocaj, zyrtare e FSHF.
“Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Gruas, mesazhi që kemi për gratë dhe vajzat është që duhet të jemi të gjitha bashkë për të gjitha gratë dhe vajzat. Kjo ditë i dedikohet të gjithave, por duhet të jemi të gjitha bashkë në mënyrë që të kemi një shoqëri më të barabartë, me më shumë të drejta, sidomos mes burrave dhe grave”, Alba Agolli, përfaqësuese e UN Women./ KultPlus.com
Prej disa vitesh, Shqipëria ka nisur një proces ambicioz të transformimit urban, me synimin për të ripërcaktuar identitetin e saj dhe për të projektuar veten në skenën ndërkombëtare, shkruan Antonio La Gioia për *world-architects.
Ky proces i përshpejtuar pas tërmetit të 2019-ës, e ka kthyer kryeqytetin, Tiranën, në një laborator rinovimi arkitektonik, i aftë për të tërhequr investime dhe për të mbledhur arkitektë të njohur.
Disa nga zërat më të rëndësishëm në arkitekturën ndërkombëtare tashmë po lënë gjurmët e tyre në vend. MVRDV ka përfunduar rrokaqiellin ”Downtown One” dhe transformimin e Piramidës së Tiranës.
BIG – Bjarke Ingels Group fitoi konkursin për Xhaminë dhe Qendrën Islame të Tiranës si dhe për Teatrin e ri Kombëtar Shqiptar.
Valerio Olgiati është duke projektuar Qendrën Kulturore Namazgja dhe 3XN ka përfunduar ”Arena Kombëtare”, stadiumi kombëtar shqiptar.
”Tirana 2030 Riverside”, masterplani i Stefano Boeri me SON-Group, në bashkëpunim me ”Mobility In Chain”, ”Studio Laura Gatti”, ”SCE Project”, ”ESA Engineering” dhe ”Transsolar” ridizajnon një pjesë të rëndësishme të qytetit nga një këndvështrim i qëndrueshëm. Plani propozon një model të ri zhvillimi urban në përgjigje të nevojave për strehim që u ngritën pas tërmetit dhe pandemisë.
Në këtë panoramë të vrullit arkitekturor, Ricardo Bofill Taller de Arquitectura po zhvillon aktualisht tre projekte të mëdha: Kullën e Barcelonës dhe Kullën Papuli në Tiranë dhe resortin ”Red Sol” në Dhërmi, qytet bregdetar rreth 200 kilometra në jug të Tiranës.
Kulla e Barcelonës, me lartësinë e saj 190 metra, ripërcakton profilin urban të Tiranës me një gjest thjeshtësie të dukshme: një rrotullim elegant i vëllimit prizmatik rreth boshtit të saj vertikal. Kjo kthesë, e frymëzuar nga fustanella, fundi tradicional ballkanik, i jep ndërtesës një prani monumentale dhe, në të njëjtën kohë, përmirëson performancën e saj aerodinamike.
Kulla Papuli mbart kujtesën e La Fábrica, selisë ikonë të Barcelonës të Ricardo Bofill Taller de Arquitectura, ku ish-kapanonët industrialë u shndërruan në hapësira pune. Në këtë projekt të ri, vëllimet cilindrike ngrihen deri në 190 metra duke ruajtur gjurmën origjinale industriale dhe duke e riinterpretuar atë në një fasadë bashkëkohore me gjeometri të rafinuar.
Resorti ”Red Sol” në Dhërmi dialogon me disa nga projektet më emblematike të studios, si ”The Red Wall” dhe ”Walden 7”.
I vendosur në rivierën shqiptare, kompleksi është i organizuar në një rrjet të rregullt ortogonal, i cili fiton dinamizëm dhe plasticitet përmes variacionit në lartësinë e vëllimeve të tij. Në dialog me malet përreth, projekti shfaqet si një kështjellë e materialitetit të theksuar, e ankoruar në peizazh./ a.jor.
* World-Architectsështë një rrjet premium i bazuar në anëtarësimin e arkitektëve të përzgjedhur bashkëkohorë dhe profesionistëve të ndërtimit, që mbrojnë cilësinë në arkitekturë. I filluar në 1994 nga PSA Publishers Ltd në Zvicër, World-Architects ishte pionier i botimit në internet të arkitekturës. Sot, mbi 20 platforma kombëtare dhe rajonale online përfaqësojnë arkitektë, arkitektë të peizazhit, dizajnerë të brendshëm, inxhinierë, dizajnerë ndriçimi, prodhues dhe fotografë arkitekturë nga mbi 50 vende./ KultPlus.com
Faik Konica qe një nga figurat më të shquara të çështjes kombëtare, studiues i historisë kombëtare dhe i gjuhës shqipe, botues, publicist dhe diplomat shqiptar, shkruan KultPlus.
Më 1897 shkoi në Bruksel ku themeloi revistën e përkohshme të quajtur “Albania”, e shkruar pjesërisht në shqipe dhe pjesërisht në frëngjisht. Më 1903 u largua nga Brukseli dhe u shpërngul në Londër, ku mori leje të punonte në Departamentin e Dorëshkrimeve të Muzeumit Britanik.
Më 14 mars 1912 u regjistrua pranë Zyrës së Emërimeve të Universitetit të Harvardit, pra gjatë semestrit të dytë të vitit shkollor. Njeri me dituri të madhe, dhe dhunti artistike, mjeshtër i hollë i gjuhës shqipe, Konica ka hyrë në historinë e kulturës sonë kombëtare jo vetëm si erudit e stilist i përkryer, por edhe si shkrimtar me vlera të shquara ideoartistike.
Sot KultPlus kujton një nga thëniet e tij, ku tregon pikëpamjen e shqiptarëve ndaj grave.
“Ka një rregull shqiptar të njohur botërisht e të provuar në jetë: gruaja është e paprekshme. Edhe në gjakmarrjen dhe në luftërat më të egra gratë nuk janë qëlluar”, kishte thënë Konica. Faik Konica vdiq më 15 dhjetor 1942 në Uashington, nga një hemorragji cerebrale. Trupi i tij u përcoll për në banesën e fundit nën tingujt e kompozitorit të famshëm Vagnerit, që aq shumë e kish adhuruar./ KultPlus.com
Universiteti i Prishtinës është renditur në top dhjetëshen e konkursit ndërkombëtar studentor në fushën e arkitekturës dhe dizajnit ‘Inspireli Awards 2024’ mes 1,362 universiteteve nga e gjithë bota.
Fakulteti i Arkitekturës në UP me krenari ka njoftuar se UP është renditur në vendin e 10-të në renditjen e përgjithshme universitare të edicionit të 9-të të ‘Inspireli Awards 2024’.
Sipas Fakultetit të Arkitekturës, ky sukses është rezultat i angazhimit të vazhdueshëm të studentëve të tyre në konkurset ndërkombëtare të integruara në kurrikulat akademike të Fakultetit.
“Ky vlerësim i lartë vjen pas renditjes së Fakultetit të Arkitekturës të Universitetit të Prishtinës në Top 10, falë vendit të parë të arritur nga projekti “Sustainable Village – ECOUNITY”, i realizuar nga studentët: Sibora Ramadani, Eron Shala, Bleranda Hykosmoni dhe Albina Zenunaj, nën mbikëqyrjen e Prof. Asst. Rozafa Basha, në kuadër të lëndës Projektim – Banim” – njofton Fakulteti i Arkitekturës në UP, më 07.03.2025.
Këtë sukses, Fakulteti i Arkitekturës e ka shënuar me një moment të veçantë duke zhvilluar një ceremoni të dorëzimit zyrtar të certifikatës së renditjes për UP-në nga fituesi i mëparshëm i ‘Inspireli Awards’ dhe tashmë anëtar i jurisë, Lendrit Krasniqi, së bashku me konkurrentin e sivjetshëm, studentin e nivelit master Florian Shala.
Ceremonia u zhvillua në prani të Dekanes së Fakultetit të Arkitekturës, Prof. Violeta Nushi. Ky rezultat është një dëshmi e qartë e përkushtimit të studentëve tanë, punës së palodhur të stafit akademik dhe mbështetjes së komunitetit universitar. Urime të gjithëve për këtë arritje të jashtëzakonshme!” – ka shtuar Fakulteti.
Fakulteti i Arkitekturës në UP ka ndarë edhe linkun ku mund të lexohet më në detaje për projektin fitues të studentëve të tyre, të cilin mund ta gjeni KËTU./ KultPlus.com
E dashur këndonjëse. E di që je e mençme dhe patriote. Në qoftë se të qortonj, po të akuzonj pse nuk bën no një shërbim, dhe jo pse ke no një faj. Jam sigur që edhe ti e kupëton mirë se, ky popull i varfrë kurrë s’ka për të përparuarë në qoftë se ti nuk mbush plotësisht rolin ë mëmësë, të motrësë dhe të shoqesë dhe nuk merrë piesë aktive në edukatë të fëmijërisë, në shërim të plagëvet që mbulojnë trupin dhe shpirtin e kombit.
Roli yt sot është të vuash dhe të shohsh të tjerët të vuajnë, pa nxjerë zërin. Detyra jote duhet të jetë që të shpëtosh nga kjo pasifëri, të marrësh një detyrë aktife, si me teprë e interesuarë që duhet të jesh.
Them që burri duhet të punojë, të stërvitetë, të marrë edukatë dhe arësim. Po harojmë sa kohë vdierrin kot, sa minuta të vlefshme u venë dëm gravet të Shqipërisë! Themi se duhet të punojmë me një kujdes të math për qytetërimin dhe begatinë e këti vëndi, për shëndetësinë dhe mirëshkuarjen fizike të këti populli dhe harojmë që gjysmën e njerëzisë sonë, gysma që munt t’a quanj me e mira, e ndalojmë prej çdo shërbimi, ose nga egoizma jonë brutale, ose nga injoranca jonë qesharake, ose nga që i pëlqen dhe gruasë vetë që të jetë përtace dhe të mbetet si foshnjë.
A presim ne përparim dhe dritë, kur zonja e shtëpië dhe squka e fëmijërisë të rrijë në shkallë të unjët? A presim ne një zgjim të vërtetë kur çupat tona, zonjat e nesërme të rritenë vetëm si kuklla? A pandehim se një çupë, një grua e ka mbushurë gjithë detyrën e saj kur të dijë të hollinj petë për lakror dhe të bëjë qofte me thërime?
Themi se palët e thella të kombit duan nxejrë nga errësiar, duanë shkulurë nga balta. Po si munt të hyjnë pakërrëzat e sotme, sa kohë që neve na pëlqen të mbajmë gruanë në tym dhe në pluhur të shekëlvet të vdekurë?
Duamë që të shpëtojmë llauzin dhe vendin tonë prej lëngatavet, të kemi një popull të shëndoshë, një Shtet të fuqishmë dhe harojmë që rolin më të math do ta lozë gruaja, se ajo do të interesohet për të vegjëlit, për rrojtjen e të varfrëve, për shpëtimin e atyre që vuajnë dhe lëngojnë.
Duhet të kupëtojmë bukur e mirë se shpëtimi dhe shëndoshja e kësaj njerëzie, nukë bëhetë gjë e mundurë, por që gruaja dhe çupa e shtëpisë nuk arrinë më një shkallë inteligjence dhe kulture që të bëhenë me të vërtetë zonjë shtëpie dhe mprojtëse të folesë.
Mejtohemi qysh të shpëtojë Shqipëria nga varfëria ekonomike që siell injoranca dhe përtimi; po s’duamë të gjykojmë njëherë se shpëtimi nukë munt të vijë veçse nga puna, dhe puna nuk munt të na jetë e dukshme po që gruaja s’morri pjesë në të, duke diturë qeverinë e shtëpisë, duke kupëtuarë rëndësin e ikonomisë shtëpiake, ajo dituri e administratës së vatrësë.
Gruaja në Shqipëri gëzon një respekt dhe një nderim që s’e gjen lehtë në vendet e tjera. Liri e saj është e plotë në viset e vendit tënë ku s’ka hyrë pseudoqytetërimi i Asisë.
Gruaja Shqiptare është inteligjente dhe s’i mundojnë cilësitë qytetare të larta. Është vërtet se të drejtat e saj janë mohuarë. Po edhe do kujtuarë kurdoherë se, të drejtat fitohenë prej atyre që janë denjë t’i marrin, prej atyreve që dinë përdorimin e mënyrësë për t’i fituarë. Dhe më teprë akoma, mbi çdo konditë është ajo e të merituarët.
Duhetë pra që gruaja Shqipëtare të përpiqetë dhe të rrëfehetë e denjë për të drejtatë njerëzore. Lipsetë që të bëjë forcime për t’u lartësuarë intelektualisht dhe shpirtërisht, duke njohurë vendin e vërtetë që i ka hie të okupojë.
Atëhere do të bindetë gruaja shqipëtare se, në ringjallje të këtij vëndi duhet të marrë pjesë, të kolaborojë duke prurë aktivitetin dhe inteligjencën e saj për shërbimin e dheut mëmë duke siguruarë jetën dhe fatin e bardhë të djemvet dhe të burravet, të kenë sigurarë dhe rrojtjenë fatmire të tyre vetë.
Atëhere, sikundrë që çdo shqipëtar sado i pasurë, i diturë dhe I lumturë të jetë e ka për detyrë që të kujdesetë për të mirët, për ata që janë fatzes, dergjen në injorancë dhe vuajnë në moskamje, ashtu edhe çdo grua, sado zonjë e madhe që të jetë sado që t’i qeshnjë fati në bukuri dhe lumturi duhetë që të bëjë pakë therori nga koha dhe dëfrimet e saj , të kujdesetë për grat e varfëra, për ato që lëngojnë dhe pësojnë.
Rolin më të math që pres prej grave tona është përhapja e parimevet të higjienësë dhe të mirërrojtëse fizike. Burii s’vvete do në shtëpi kur një e varfërë dergjet e sëmurë, ku një lehonë ka nevojë për ndihmë . Një foshnjë vuan për një filxhan qumësht. Gruaja me dorën dhe zërin e saj të njomë munt të lehtësojë plagët fizike dhe morale të shpjerë gushëllimin, të ngrerë një fëmijë afrë fikjesë, të shpëtojë një tjatrë që mënt rrëzohetë.
Ca më pak se nga burratë do të gjendetë një grua që të rrëfehet indiferete në gjallëninë dhe dobësinë e këtij trupi që i themi Shtet. Ca më mirë nga burratë gratë do të dijnë, se jeta dhe lumtëri e tyre është varurë në jeta dhe lumtëri e Shqipërisë, që pa shëndoshurë të gjithë palët dhe shkallët e kësaj popullisje , vet s’munt të quhetë jashtë rrezikut./ KultPlus.com
Një legjendë shumë e famshme tregon se Festa e Gruas është vendosur si datë në vitin 1908, në kujtim të 129 punëtoreve të vdekura në zjarrin që ra në një fabrikë në Nju Jork, fabrika “Cotton”.
Në këtë kohë punëtoret kërkonin kushte më të mira pune dhe me 8 mars pronari i fabrikës bllokoi të gjitha daljet e stabilimentit, në të cilin shpërtheu zjarri dhe vrau shumë prej grave që punonin aty.
Por në të vërtetë bëhet fjalë vetëm për një rrëfenjë që lindi në vitet në vazhdim dhe u tregua sidomos gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Zyrtarisht Dita Ndërkombëtare e Gruas u vendos në Shtetet e Bashkuara më 28 shkurt të vitit 1909. E vendosi Partia Socialiste amerikane që atë ditë organizoi një manifestim të madh, në të cilin kërkohej e drejta e grave për të votuar.
Ky ishte një diskutim i hershëm, si në SHBA (janë të famshëm artikujt e socialistes Corinne Broën), si në Kongresin e VII Ndërkombëtar Socialsit (i mbajtur në Shtutgard në vitin 1907).
Demonstratave që kishin si qëllim votimin, shumë shpejt ju bashkuan edhe pretendime të tjera për të drejtat e grave. Nga nëntori i vitit 1908 deri në shkurt 1909 mijëra punëtore në Nju Jork hynë në grevë për ditë të tëra duke kërkuar rritjen e rrogës dhe përmirësim të kushteve të punës.
Në vitin 1910, Kongresi i VIII Ndërkombëtar Socialist propozoi për herë të parë vendosjen e një dite dedikuar grave.
Më 25 mars të vitit 1911 kupa u mbush: në fabrikën “Triangle” në Nju Jork shpërtheu një zjarr dhe 146 punonjëse (gra të reja emigrante), humbën jetën.
Mbase nga kjo ngjarje lindi edhe legjenda e fabrikës “Cotton”, shumë e ngjashme me të. Që nga ky moment manifestimet e grave u shumëfishuan. Në shumë vende, mes të cilëve edhe në Gjermani, Austri dhe Zvicër, lindi dita dedikuar grave.
Data 8 mars u shënua për herë të parë në histori si Festa e Gruas në vitin 1917, kur gratë e Shën Petërburgut dolën në shesh për të kërkuar fundin e luftës, duke i dhënë kështu jetë “Revolucionit rus të shkurtit”.
Ishte kjo ngjarje që frymëzoi delegatet e Konferencës së Dytë Ndërkombëtare të Grave Komuniste në Moskë të vendosnin datën 8 mars si, Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve.
Në vendet fqinjë me ne, në Itali, Festa e Gruas u përkujtua në vitin 1922 me të njëjtin kuptim politik dhe social. Gjithashtu në Shqipëri, 8 marsi është festuar herë si Dita e Gruas e herë si festa e Nënës.
Më shumë ka qenë kjo e fundit që ka mbizotëruar, ndërsa vitet e fundit, më shumë se një ditë ku gratë duhet të kujtojnë dhe kërkojnë të drejtat e tyre, 8 marsi është shndërruar në një manifestim femëror.
Fundja edhe kështu vlen, mjafton që të paktën një ditë në vit gratë të jenë në qendër të vëmendjes dhe të flitet për to./ KultPlus.com
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, në një mesazh me rastin e 8 Marsit u shpreh se “shoqëria shqiptare mund të quhet e përmbushur dhe e denjë në misionin e saj vetëm kur gruaja të jetë plotësisht e respektuar në lirinë e saj, dhe të ketë hapësirën e plotë për rolin e saj krejt unik në shoqëri”.
“‘Krijimi ka një element themelor simbolik: Hyji, në zanafillë, i jep emërtesën Eva që do të thotë burim jete’. Kaq domethënëse është përmbushja me dinjitet e gruas saqë Hyji i beson burimin e krejt jetës”, tha ajo.
Përveç urimit për të gjitha gratë dhe vajzat, Spiropali kujtoi me respekt të thellë ato që nuk shpëtuan dot nga dhuna”.
“Kujtoj ato që shpëtuan por nuk u shëruan, vajzat që nuk u arsimuan sepse nuk i lejuan, ato që u shkelën dhe u shfrytëzuan, vajzat e martuara me detyrim, ato që përfliten sepse guxojnë, ato që kurrë nuk u lejuan ta shfaqin personalitetin, por edhe të gjitha ato gra dhe vajza që ia dolën duke sfiduar pengesat, ato gra të guximshme dhe inteligjente të potencialit të pakufishëm njerëzor që rri i fshehur tek vajzat e jashtëzakonshme shqiptare kudo ku janë, kudo ku vuajnë, kudo ku lodhen, kudo ku triumfojnë”, theksoi Spiropali.
Kryetarja e Kuvendit theksoi se në historinë tonë të mundimshme gratë kanë qenë shembull i jashtëzakonshëm i një feminizmi të fshehtë e pa bujë, por të denjë po aq sa ai i grave të këtij kontinenti, e botës që i përkasim.
“De Beauvoir thoshte se gratë e kuptuan rolin e tyre kur burrat ikën në luftë. Modestisht do të thoja se gratë shqiptare e kishin kuptuar këtë gjë shumë herët sepse historia i detyroi burrat e tyre përherë të luftonin e emigronin. Shoqëria shqiptare mund të quhet e përmbushur dhe e denjë në misionin e saj vetëm kur gruaja të jetë plotësisht e respektuar në lirinë e saj, dhe të ketë hapësirën e plotë për rolin e saj krejt unik në shoqëri”, shtoi ajo.
Përveç ecjes kulturore që kërkon ky proces, Spiropali shprehu përkushtimin që në binarin politik e shtetëror, të punoj me krejt energjitë e mia në Kuvendin e Shqipërisë që ky mision të jetë i përmbushur./atsh/ KultPlus.com
A e shihni këtë grua? Emri i saj ishte Zelda Fitzgerald. Ajo nuk ishte thjesht një grua e epokës së saj, ajo ishte një shpërthim drite në një botë që nuk dinte si ta mbante.
Ishte e guximshme, e shndritshme dhe pa falje e lirë. Preu flokët shkurt, kërceu deri në agim dhe jetoi me një pasion që i mahniste dhe i shqetësonte ata përreth saj. Ngiste makina të shpejta, shkruante me zjarr dhe pikturonte me ngjyra që askush tjetër nuk mund t’i shihte. Ishte një grua që nuk njihte kufij, ose më saktë, nuk pranonte t’i njihte.
Pastaj, ajo u takua me F. Scott Fitzgerald. Ai u pushtua nga zjarri i saj, nga shpirti i saj i egër që e bënte të paharrueshme dhe intriguese marrëdhënien.
Ajo u bë muza e tij, frymëzimi i tij, modeli i vajzave të tij të arta në letërsi. Por me kalimin e kohës, i njëjti zjarr që e magjepsi, u bë diçka që ai donte ta kontrollonte.
Zelda nuk donte të ishte thjesht gruaja pas romaneve të tij, ajo donte të ishte një zë më vete. Dhe ajo ishte. Shkroi “Save Me the Waltz”, një histori të dhimbshme dhe të bukur, ku derdhi shpirtin e saj të paepur. Por në vend që ta mbështeste, Scott e pa si konkurrencë. E nënçmoi punën e saj, e kufizoi ëndrrën e saj dhe e pengoi të merrte vendin që i takonte në art.
Ajo luftoi tërë jetën kundër një bote që nuk ishte gati për të. E quajtën të paqëndrueshme, e mbyllën në azile dhe e nënshtuan ndaj trajtimeve që i zbehnin zjarrin, por pa mundur dot ta fikin diellin e një gruaje të gatuar me zjarr dhe dritë.
Por shpirti i një gruaje të lirë nuk mund të shuhet përgjithmonë, sepse ajo kishte lindur të meritonte përjetësinë.
Fjalët e saj, pikturat e saj, trashëgimia e saj, ato mbijetuan, linçimit dhe harresës. Dhe sot, Zelda nuk është më vetëm “gruaja e F. Scott Fitzgerald”. Ajo është një artiste, një shkrimtare, një forcë e natyrës.
Për çdo grua që i është thënë të heshtë: Mos e bëj. Vazhdoni të flisni. Vazhdoni të krijoni. Vazhdoni të jetoni sipas kushteve tuaja.
Bota u përpoq ta heshtë Zelda Fitzgerald. Por ne e kujtojmë dhe na mbrtet ta pranojmë se ajo vetëm se ju dha një zëshmërie më të gjëmimshme.
Shqipëria po gjen rrënjët e saj të kuzhinës falë ndihmës së gjysheve të shefave të kuzhinës, shkruan Tristan Rutherford për BBC.
Tefta Pajenga, 76 vjeçe, është një nga kuzhinieret e shumta televizive në moshë pensioni në Shqipëri. Në emisionin e saj të gatimit në televizionin kombëtar, mësuesja në pension udhëzon një amvise më të re se si të gatuajë japrakë, një pjatë tradicionale me gjethe hardhie të mbushura me oriz dhe barishte.
Japrakë zë një vend të veçantë te shqiptarët. Zakonisht përgatitet nga familjet së bashku dhe më pas ndahet në ditët e festave të krishtera dhe myslimane në këtë vend të larmishëm fetar.
Ashtu si shumë pjata, receta vjen nga një vend tjetër, pasi emri rrjedh nga fjala turke “gjethe”.
Megjithatë, përbërësit janë të gjithë vendas: kopër, speca dhe nenexhik nga Shqipëria Veriore.
Sot, gjyshe shqiptare si Pajenga po mësojnë breza të shumtë në një nga vendet më antike të Evropës se si të gatuajnë pjata të vjetra. Kjo sepse kombi ballkanik ka pësuar jo një, por dy periudha amnezie kulinare gjatë 80 viteve të fundit.
Së pari, nga viti 1946 deri në vitin 1991, Shqipëria udhëhiqej nga komunistë të linjës së ashpër, të cilët në fakt e mbyllën vendin e vogël malor nga bota e jashtme, duke bërë që Edi Rama, kryeministri aktual i vendit, të thoshte se dikur ishte “Koreja e Veriut e Evropës”.
Gjatë kësaj periudhe, librat e gatimit u dogjën, importet u ndaluan, udhëtimet jashtë vendit u ndaluan, ushqimi u kolektivizua dhe kishte shumë mungesa.
Së dyti, në ndërtimin e dhunshëm dhe pasojat e kolapsit të komunizmit në vitet 1990, 710 000 qytetarë – 20% e popullsisë – u larguan nga Shqipëria nga viti 1989 deri në 2001 në kërkim të punës në vende të tjera. Me kalimin e kohës, Pajenga tha se shumë prej këtyre emigrantëve harruan recetat e gjysheve të tyre teksa u përshtatën me vendet dhe kulturat e reja. Mes mungesës së ushqimit të përhapur gjatë komunizmit dhe emigrimit të mëvonshëm pas tij, në fillim të shekullit XXI, shumë shqiptarë brenda dhe jashtë vendit kishin harruar se si të përgatisnin kuzhinën tradicionale shqiptare – me përjashtim të grave të një moshe të caktuar.
Ironikisht, Pajenga thotë se tranzicioni i Shqipërisë drejt demokracisë e komplikoi problemin.
“Në kohën e komunizmit njerëzit kishin një punë fikse nga ora 07:00 deri në orën 15:00”, kujton ajo.
“Kur erdhi demokracia, të duheshin më shumë se një punë për të ushqyer familjen”, shton Pajenga.
Prandaj, shumë prej atyre që kujtuan se si përgatiteshin gatimet tradicionale shqiptare, tani nuk kishin më kohë për t’i përgatitur ato.
Pra, kur Pajenga filloi emisionin e saj televiziv në vitin 2004, “audienca ime nuk ishte për kuzhinierët, por për amvisat” dhe gjithashtu të rinjtë “të cilët nuk kishin njohuritë ose kishin harruar të bënin kuzhinën tradicionale”.
Kultura kulinare e Shqipërisë ka reflektuar prej kohësh statusin e saj si një hap midis Lindjes dhe Perëndimit. Romakët prezantuan rrushin, ullinjtë dhe prodhimet e tjera moderne shqiptare kur pushtuan zonën në shekullin II pes. Duke filluar nga shekulli XVI, pjata si ”arnavut cigeri” (mëlçia shqiptare) u përhapën në lindje nga Shqipëria në të gjithë Perandorinë Osmane, ndërsa ”sultjashi” me siguri mbërriti në Shqipëri prej osmanëve.
Dhe pas Luftës së Dytë Botërore, pjatat e importuara si ”ajvari” (një shije e bërë nga speca të kuq të pjekur, patëllxhanë dhe erëza) migruan në jug nga Ballkani verior.
Disa ushqime autentike si mishavina (një lloj djathi i bardhë me kokrra), nuk mund të gjenden askund tjetër.
Metoda e përgatitjes së tij, në të cilën gjiza paketohet fort për tre muaj brenda yndyrës shtazore derisa të fermentohet në një djathë pikant, është përcjellë nga brezat e barinjve në Alpet Shqiptare. Pjata të tjera shekullore shqiptare përfshijnë flinë dhe byrek me mish.
Gjyste Bici, 67 vjeçe, mësoi receta shekullore me gjyshen e saj në Alpe, ku dimrat me borë ende mund t’i presin banorët për muaj të tërë.
“Edhe para komunizmit publikohej pak material, kështu që recetat kaloheshin gjithmonë nga gjyshet tek brezat e rinj”, thotë ajo.
Shumë receta shqiptare kanë rrënjë fetare. Kjo ishte e pakëndshme në komunizëm, veçanërisht pas vitit 1967, kur sundimtari autoritar Enver Hoxha ndaloi të gjitha praktikat fetare.
“Diktatura u përpoq të shkatërronte të gjitha fetë”, kujton Dallendyshe Xhahysa, një kuzhiniere amatore 91-vjeçare, e cila mësoi përmendësh recetat shqiptare nga paraardhësit e saj dhe i bëri ato gjatë sundimit gati gjysmë shekullor të vendit të sundimit komunist.
Sipas Xhahysës, “recetat e përdorura në festimet myslimane dhe të krishtera nuk do të kishin mbijetuar kurrë nëse nuk do të ishin për përpjekjet e gjysheve si unë”.
“Duhej të gatuanim gjellë speciale fshehurazi gjatë Pashkëve apo Ramazanit”, vijon Xhahysa. Një pjatë e tillë ishte hallva, përdorur tradicionalisht në ditën më të shenjtë të Ramazanit, Lailat al Kadr.
“Nëse do të gatuash hallvë për Ramazan, fqinjët të spiunonin për të marrë një bonus nga shteti”, kujton Xhahysa.
Për të mos tërhequr vëmendjen, përbërësit bliheshin javë më parë.
“Ne gatuanim hallvë me dritare të mbyllura për të kufizuar aromën e shijshme të sheqerit, arrave dhe ujit të trëndafilit”, shton ajo.
Dënimi nëse kapeshe duke përgatitur një festë fetare ishte i ashpër.
“Mund të na çonin në një kamp riedukimi për shumë muaj për të na dhënë një punë të keqe, si pastrimi i një burgu në një zonë të largët”, kujton Xhahysa, duke u dridhur.
Mungesa ekstreme e ushqimit çoi në humbjen e recetave të tjera.
“Shumë pak njerëz u lejuan të mbanin kafshë apo tokë bujqësore”, shpjegon Bici.
”Vetëm ata në zonat rurale u lejuan të punonin një parcelë 50 m2 dhe të mbanin disa pula. Ishte e ndaluar të kishe një derr apo dele. Gjithçka ishte e racionuar”, vazhdon Bici.
Pa akses të lehtë te përbërësit apo librat e gatimit, recetat shekullore si tavë krapi u harruan kryesisht për shkak të ndalimit të peshkimit privat.
Kur kufijtë e Shqipërisë u hapën në fund të viteve 1990 dhe rrjetet e saj televizive kombëtare nuk kontrolloheshin më nga shteti, shumë gjyshe filluan të përdornin televizionet për të ringjallur trashëgiminë e kuzhinës të humbur prej kohësh të kombit.
Por, ndërsa emisionet e gatimit të Bicit dhe Pajengës po ndihmonin për të ringjallur recetat tradicionale, ata po luftonin kundër një valë tjetër: fermerët në Shqipërinë rurale po emigronin në Tiranë.
“Bujqësia ende nuk është rikuperuar plotësisht nga ajo që ndodhi në dekadat pas komunizmit”, thotë Pajenga.
Bici e ka bërë si mision të saj të sigurojë që recetat tradicionale shqiptare të mos harrohen për herë të tretë. Gjyshja ka përmbledhur metoda të vjetra gatimi në një libër ”Kuzhina unike e malësive shqiptare”. Ajo gjithashtu gatuan receta malore në emisionin ”Histori Shqiptare”.
“Kam shumë kërkesa nga Instagrami për receta të vjetra”, thotë Bici.
Edhe Xhahysa, tashmë stërgjyshe, po ndan ende njohuritë e saj. Ajo filloi të gatuante me gjyshen e saj në vitet 1930 dhe kontribuoi me receta në restorantin e parë në Shqipëri ”nga ferma në pjatë”, Uka Farm, një bar verërash me bazë në Tiranë dhe agroturizëm që ka frymëzuar 100 ferma rurale në të gjithë Shqipërinë.
Receta e Xhahysës për fërgesë është një meze e njohur në Uka Farm. Specat e skuqura me gjalpë të fermës të servirura me gjizë janë një shije e së shkuarës së harruar të Shqipërisë.
Frymëzuar nga Pajenga, Bici dhe gjyshe të tjera, një event i 2018-ës në Tiranë, duke bashkuar 12 gjyshe me 12 shefa kuzhine, u bë një sensacion i menjëhershëm shqiptar, duke krijuar disa shfaqje televizive si “Gjyshet milionere”.
Veprimtaria u drejtua nga një prej shefave më të famshëm të kuzhinës shqiptare, Bledar Kola, i cili i ka kushtuar një pjesë të madhe të karrierës së tij përkrahjes së kuzhinës tradicionale shqiptare. “Ky emision nisi një shkëndijë të vogël në një zjarr të madh”, tha ai.
Pas një karriere duke punuar në restorantet më të mira të Evropës, duke përfshirë skenat në ”Le Gavroche” në Londër dhe ”Noma” në Kopenhagë, Kola u kthye në Tiranë një dekadë më parë për të prezantuar recetat e lashta shqiptare në një mënyrë më moderne në restorantin më të mirë të kryeqytetit ”Mullixhiu”.
Në mungesë të librave të gatimit, ai mori përvojë edhe nga një gjyshe shqiptare. Tani Kola po shkon një hap më tej duke hapur një restorant tradicional në Gjirokastër, një qytet i mbrojtur nga UNESCO, në jug të Shqipërisë.
Në restorantin e ardhshëm rural ”Mullixhino” (i cili pritet të hapet në fund të vitit 2025), fokusi është drejtpërdrejt te gatimet e vjetra shqiptare. “Kuzhina do të jetë e frymëzuar nga kopshti, gjithçka gatuhet në zjarr të hapur, në kuzhinë të hapur”, thotë Kola.
Recetat e restorantit janë një homazh për gjyshet shqiptare. “Kemi takuar gjyshet për kafe për të krijuar një koncept të mrekullueshëm”, thotë Kola. “Do të shërbejmë ushqime tradicionale nga jugu i Shqipërisë, të ndikuar nga gjyshet e rajonit”, shton ai.
Një almanak i ri ushqimor që përmban 7 000 përbërës, gatime dhe metoda shqiptare gatimi – shumë prej tyre të ardhura nga gjyshet – është gjithashtu në progres dhe është duke u shkruar nga vëllai i Kolës, Nikolini, së bashku me nëntë akademikë.
Nikolini beson se libri “do të rrisë ndërgjegjësimin për ushqimin shqiptar, si ajo që bëri Rene Rexhepi për gatimin danez”.
Falë gjysheve, kuzhina shqiptare më në fund po rilind./ atsh/ KultPlus.com
Me rastin e 8 Marsit – Ditës së Gruas, në Prishtinë është organizuar një marsh me moton “Marshojmë për njana-tjetrën”, i organizuar nga Kolektivi “Marshojmë, s’festojmë”.
Marshi filloi nga sheshi “Zahir Pajaziti” për të vazhduar deri tek Sheshi “Skënderbeu”.
“Marshojmë për njëra-tjetrën” ka qenë motoja e sivjetme, teksa u thirrën emrat e grave të vrara derisa marshonin.
Të pranishmit që kanë marshuar në sheshin qendror të Prishtinës kanë përcjellë mesazhe të shumta përmes pankartave që kanë mbajtur në duar.
‘Drejtësia me vonesë është padrejtësi’, ‘Sot marshojmë çdo ditë luftojmë’, ‘Trupi jem e drejta jem’ janë disa prej pankartave që po mbajnë në duar pjesëmarrëset e këtij marshi.