Artisti Skënder Sallaku lindi në Tiranë më 25 janar 1935. Që në fëmijëri të hershme ai shfaqi një pasion dhe dëshirë të madhe për aktrimin dhe sidomos për zhanrin e humorit.
Njëkohësisht Sallaku me të njëjtin pasion iu përkushtua edhe sportit të mundjes klasike, ku koleksionoi edhe titullin “Kampion Kombëtar”.
Aftësitë e tij sportive do t’i shërbenin edhe në skenë, pasi në vitin 1956 ai u emërua si aktori i parë akrobat pranë Teatrit të Estradës dhe Varietesë së Tiranës, duke u bërë pjesë e trupës profesioniste të atij institucioni.
Pas përfundimit të studimeve në Institutin e Lartë të Fizkulturës ai ndoqi edhe një kurs kualifikimi për akrobat në Cirkun e Pekinit. Karriera e artistit zgjati për më tepër se gjysmëshekulli, ku falë aftësive të tij të shkëlqyera plastike, pantomimike etj., interpretoi në më tepër se 1000 role në skenë dhe ekran, të cilat do të mbeten gjatë në kujtesën e artdashësve dhe si një thesar për trashëgiminë artistike, kryesisht në zhanrin e komedisë.
Disa nga interpretimet e tij më të njohura janë në shfaqjet: “Gaz dhe punë”, “Ditari i një bojaxhiu”, “Ekipi”, “Dosja jonë” e shumë e shumë të tjera. Ndërkohë ai luajti edhe në ekranizimin e materialeve komike si në filmat: “Kur hiqen Maskat”, “Estrada në ekran”, etj., ku ai gjithashtu do të tregonte nivele të larta interpretimi. Për këto arsye artisti Skënder Sallaku gjatë karrierës u vlerësua me shumë çmime si: “Artist i Merituar”, “Artist i Popullit”, “Mirënjohja e Qytetit”, “Urdhri i Punës i Klasit të Dytë”.
Artisti Skënder Sallaku u nda nga jeta më 11 shkurt 2014 në moshën 79-vjeçare nga një sëmundje e pashërueshme prej së cilës ai vuajti për disa vite, por megjithatë gjente forcën të angazhohej dhe të ishte aktiv me mënyrën e tij, që ishte shkrimi i materialeve komike. / KultPlus.com
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ditën e djeshme ka emëruar të dërguarin e tij për misionet speciale, Richard Grenell si drejtor ekzekutiv të përkohshem të Qendrës Kennedy. Emërimi erdhi disa ditë pasi vet Trump u emërua kryetar i bordit të ri të asaj qendre.
“Kam kënaqësinë të njoftoj se Ric Grenell do të shërbejë si Drejtor Ekzekutiv i Përkohshëm i Qendrës Kennedy. Ric ndan Vizionin tim për Epokën e Artë të Arteve dhe Kulturës Amerikane dhe do të mbikëqyrë funksionimin e përditshëm të Qendrës. Jo më shumë drag shoë, ose propaganda tjera anti-amerikane — vetëm më të mirët. Ric, mirë se vjen në shoë biznes!” tha presidenti në Truth Social të hënën.
Grenell, i cili shërbeu si ushtrues detyre i drejtorit të inteligjencës kombëtare të Trump, dhe ambasador në Gjermani në mandatin e tij të parë, së fundmi ka udhëtuar në Venezuelë dhe u vlerësua kryesisht për të ndihmuar në lirimin e gjashtë amerikanëve të ndaluar atje.
Trump tha të premten se do t’u jepte fund mandateve të shumë anëtarëve të bordit të Qendrës Kennedy dhe do të shpallte një bord të ri, të udhëhequr nga ai.
Në përgjigje të postimit të presidentit të premten në mbrëmje, Qendra Kennedy theksoi “marrëdhëniet e saj bashkëpunuese me çdo administratë presidenciale”, duke vënë në dukje se nuk kishte marrë asnjë informacion nga administrata Trump në lidhje me lëvizjen e tij.
Kryetari aktual i bordit të besuar të Qendrës Kennedy është filantropisti miliarder David Rubenstein, i cili ishte bashkëthemelues i firmës së kapitalit privat Carlyle Group dhe kishte shërbyer si këshilltar politikash i ish-presidentit Carter.
Anëtarë të tjerë të bordit përfshijnë biznesmenin Anthony Welters, i cili shërben si zëvendëskryetar dhe Deborah Rutter, e cila shërben si presidente, megjithëse muajin e kaluar ajo njoftoi planet për të dhënë dorëheqjen më vonë këtë vit.
Sipas “The Guardian” Qendra Kennedy, e cila merr fonde federale, është një nga vendet kryesore të artit në vend dhe ka gëzuar prej kohësh mbështetjen dypartiake./KultPlus.com
I am pleased to announce that Ric Grenell will serve as the Interim Executive Director of The Kennedy Center. Ric shares my Vision for a GOLDEN AGE of American Arts and Culture, and will be overseeing the daily operations of the Center. NO MORE DRAG SHOWS, OR OTHER ANTI-AMERICAN…
— Donald J. Trump Posts From His Truth Social (@TrumpDailyPosts) February 10, 2025
Organet e larta të shtetit shqiptar, që dolën më 1920 nga Kongresi i Lushnjës (21-31 Janar 1920) u vendosën më 11 Shkurt 1920 në Tiranë, që u caktua përkohësisht kryeqyteti i Shqipërisë, kurse përfundimisht Tirana u shpall kryeqytet me statutin e Republikës Shqiptare në Janar 1925.
Pas 1920 filloi popullimi me banorë të ardhur nga krahina e qytete të tjera të vendit. Më 11 shkurt 1920, populli i Tiranës priti me entuziazëm Këshillin e Lartë dhe Qeverinë, e cila u vendos pikërisht në atë ndërtesë, ku tiranasit kishin ngritur flamurin në vitin 1912. Autoritetet e larta të shtetit shqiptar që dolën nga Kongresi, në marshimin e tyre (që nisi më 6 shkurt), kaluan në Kavajë dhe në pamundësi për të hyrë në Durrës, i cili ishte i pushtuar nga forcat italiane, u kthyen drejt Shijakut, për të mbërritur në Tiranë.
Arsyet që u vendos të shkohej drejt Tiranës qenë:
– Mosprania e forcave të huaja (pushtuese),
– pozita gjeografike në qendër të vendit,
– patriotizmi shumë herë treguar i popullsisë së trevës, dhe
– ndodhja e disa ndërtesave që mund të përdoreshin si zyra.
Në këtë rrugëtim të rrezikshëm, rol kryesor pati Ministri i Brendshëm, Ahmet Zogu, i cili kishte përkrahësit e tij të armatosur. Sipas kujtimeve të bashkëkohësve, ka qenë moszbrapsja e tij përballë forcave italiane, (që tentuan t’i ndalonin përfaqësuesit e zgjedhur në Lushnje), moment kyç për suksesin e kësaj ndërmarrjeje. Me të mbërritur në Tiranë, Këshilli i Naltë dhe qeveria, më 11 shkurt 1920, mes entuziazmit popullor, e shpallën atë kryeqytet të përkohshëm. Më 1922 Tirana u shkëput si nënprefekturë nga prefektura e Durrësit dhe u bë prefekturë më vete. Më 1923 ajo kishte 12.453 banorë. Më 1924 Tirana u bë arenë e luftës së brendshme politike-Revolucionit të Qershorit dhe rikthimit të Ahmet Zogut, i cili u vu në krye të shtetit, në filim si kryetar i Republikës Presidenciale (1925-1928) pastaj si mbret (1928-1939).
Data 11 shkurt, datë në të cilën Tirana u shpall kryeqytet i përkohshëm, është e një rëndësie parësore në historinë tonë kombëtare; kjo zgjedhje lidhet ngushtë me veprimtarinë e dendur patriotike të tiranasve, para dhe pas pavarësisë. / KultPlus.com
Pleksja e sferave të drejtësisë me atë të kinematografisë, jo vetëm si ndërthurje por edhe si ndërhyrje e imponim, është shqyrtuar në një studim të Jonida Gashit.
Kjo e fundit ka prezantuar në Galerinë Zeta, studimin “Kinemaja para gjyqit, nga kinokronikat e gjyqeve të popullit te filmat e vigjilencës revolucionare të masave”.
Sipas saj, ideja ka nisur nga gjyqet e popullit që ishin procese politike kundër kundërshtarëve politikë ose atyre që shpalleshin si të tillë nga sistemi shtypës komunist.
“Kur i kam parë këto kronika të realizuara në fundin e viteve 40’ dhe në gjysmën e parë të viteve 1950, m’u dukën avangardiste. Në thelb avangardiste sepse kemi të bëjmë me një lloj konvergimi ose mbivendosje të këtyre dy sferave që synon drejt shkrirjes së artit me politikën, arti në këtë rast kinematografia e politikja, drejtësia”, tha Gashi.
Studimi ndahet në tre kapituj për tri periudha, ndërsa Jonida ndalet te dallimi mes fillimit dhe fundit.
“Në 10-vjeçarin e parë u hodhën praktikisht themelet e asaj që quhej ligjshmëria socialiste dhe artit të realizmit socialist, ndërsa gjatë periudhës së revolucionit kulturor, pati përpjekje për të radikalizuara sferën e drejtësisë përfshirja e njerëzve të zakonshëm ose masave punonjësve në dhënien e drejtësisë, në zbulimin e hetimin e gjykimin e krimeve dhe pak më vonë edhe për sferën e artit”, shtoi Jonida Gashi.
Botimi përqendrohet në dy momente kyçe: Dhjetëvjeçari i parë i vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri dhe më pas periudha e revolucionit ideologjik dhe kulturor./euronews/ KultPlus.com
Në përgjigje të planit të presidentit amerikan Donald Trump për të blerë GrOenlandën, një rajon autonom i Danimarkës, ka nisur një fushatë për ta bërë “Kaliforninë një territor danez”.
Lidhur me këtë nga faqja web “Danimarkifikimi” (Denmarkification) ka bërë një deklaratë lidhur me fushatën.
Në deklaratë thuhet se fushata synon blerjen e shtetit të Kalifornisë nga SHBA-ja dhe ta shndërrojë atë në territorin danez, në përgjigje të planit të Trumpit për të blerë Groenlandën.
Më tej thuhet se “Republikani Trump nuk e pëlqen Kaliforninë që është një nga bastionet e demokratëve. Trump nuk mund të thuhet se është fansi më i madh i Kalifornisë. Jemi të sigurt që do të jeni të gatshëm ta jepni këtë vend për një çmim të arsyeshëm”.
Deklarata thekson se Trump mund të bëjë çfarëdo që ai vendos dhe se qytetarët “nuk mund ta ndalojnë” atë.
“Nëse Trump dëshiron të shesë Kaliforninë, ai mund ta shesë atë”, thuhet në deklaratë.
Më tej deklarata iu referua çështjeve të diskutueshme në SHBA, duke pretenduar se sundimi i ligjit, kujdesi shëndetësor universal dhe politika e bazuar në fakte mund të mbizotërojnë në Kaliforni.
Deklarata rendit arsyet e zgjedhjes së Kalifornisë; si klima e saj e ngrohtë dhe me diell, dominimi teknologjik, prodhimi i avokados, liria dhe fakti që ajo ka Disneyland, një nga parqet argëtuese më të famshme në vend, dhe vuri në dukje se nëse shteti do të blihej, Disneyland do të riemërohej me emrin e autorit danez Hans Christian Andersenland.
“Ne madje do të japim furnizim të përjetshëm të pastave daneze për të ëmbëlsuar marrëveshjen”, thuhet në deklaratën, e cila deri më tani është nënshkruar nga rreth 200 mijë njerëz.
Groenlanda, një nga dy rajonet autonome së bashku me Ishujt Faroe nën Mbretërinë e Danimarkës, ndodhet 2 900 kilometra larg Danimarkës./ atsh/ KultPlus.com
… njerëzit nuk e kuptojnë aq sa duhet ose, thënë ndryshe, nuk janë të vetëdijshëm në masën e duhur që mërzia është vuajtje. Ai që gjëndet i mbyllur në një qeli izolimi, ose edhe ai që për një arsye të çfarëdoshme nuk di çfarë të bëjë me veten e tij, në rast se e ka në vetvete mundësinë të bëjë diçka të gjallë, të prodhojë diçka, të priret kah përsiatja, do ta ndjejë mërzinë si një peshë të rëndë, si një barrë, si një paralizë së cilës nuk ia gjen shkakun. Mërzia është një nga torturat më të rënda: shumë moderne e që përhapet përherë e më tepër. Individi që i është dorëzuar kësaj torture pa mundur të mbrohet, ndjehet thellësisht i depresuar. Me gjasë, në këtë pikë do të pyesni veten: po përse vallë pjesa më e madhe e njerëzve si ne nuk e kuptojnë se mërzia është një fatkeqësi, një ndëshkim? Mendoj se përgjigja e kësaj pyetjeje është e thjeshtë: ne sot prodhojmë shumë gjëra që na mundësojnë t’i shmangemi mërzisë. Mund ta shmangim duke gëlltitur qetësues, duke pirë, duke kaluar nga një cocktail te tjetri, duke u grindur me bashkëshorten, duke e lënë veten të zhdaravitet nga mediat, duke u përkushtuar ndaj aktivitetit të dendur seksual, aktivitet i cili shpeshherë lindet si orvatje për të penguar që mërzia të na shfaqet në vetëdije. Por nuk duhet harruar ndjesia e pakëndshme që përjetojmë shumë herë kur shikojmë një film koti ose kur e dëbojmë mërzinë me një mënyrë të çfarëdoshme: një farë dehjeje e dyfishtë që ndjehet atëherë kur kuptojmë se e gjithë ajo ishte një gjë e mërzitshme, se nuk kemi përdorur kohën, por thjesht e kemi vrarë. Ky është përnjëmend një tipar i veçantë i kulturës sonë: ne bëjmë gjithçka për të shpëtuar, për të kursyer kohë dhe, kur e kemi shpëtuar apo kursyer këtë kohë, e vrasim sepse nuk dimë çfarë të bëjmë me të.
Në librin “Dashuria për jetën”, Erich Fromm trajton mërzinë si një nga torturat më të rënda të njeriut modern, një vuajtje që shpesh nuk njihet si e tillë, sepse individi është vazhdimisht i angazhuar në aktivitete që e shtyjnë ose e maskojnë atë. Analiza e Fromm shkon përtej konceptit të zakonshëm të mërzisë si një gjendje kalimtare e pakënaqësisë, duke e paraqitur atë si një simptomë të thellë të boshllëkut ekzistencial dhe të shkëputjes nga jeta autentike.
Fromm pohon se mërzia është një formë e vuajtjes, një ndjenjë e rëndë e paralizës dhe boshllëkut që individi nuk arrin ta shpjegojë. Ai që është i aftë për të krijuar, për të përsiatur dhe për të qenë i pranishëm në realitet, e ndjen mërzinë si një barrë të rëndë. Kjo ndjesi bëhet e padurueshme, sepse personi e percepton boshllëkun si një lloj burgosjeje psikologjike, si një mungesë domethënieje që e zhyt në dëshpërim.
Nga ana tjetër, shumica e njerëzve nuk janë të vetëdijshëm për këtë torturë, sepse kultura moderne ka krijuar pafund mënyra për ta shmangur atë. Fromm rendit një sërë strategjish tipike të njeriut modern për të larguar mërzinë, ndër ta, qetësuesit dhe alkooli, si mjete kimike për të mpirë ndjenjat e zbrazëtisë. Për të vlerësuar si të tillë edhe argëtimin sipërfaqësor, që konsiston në konsumimin pasiv të mediave, kalimi nga një aktivitet pa kuptim te tjetri. Për të përfshirë në këtë tendencë që mbush boshllekun përpirës, me debatet të kota, ekseset emocionale dhe marrëdhëniet problematike, të cilat përdoren si mënyrë për të shmangur reflektimin e brendshëm. Fromm rendit si antidot të mërzisë, seksin pa përmbajtje emocionale, intimitetin jo si një shprehje e dashurisë, por si një përpjekje për të mos e lejuar boshllëkun të shfaqet.
Sipas Fromm-it, këto mjete nuk e zgjidhin problemin e mërzisë, por vetëm e shtyjnë ose rreken ta mbajnë nën frerë atë.
Ndjenja e pakëndshme që mbetet pas konsumimit të një filmi të dobët apo një eksperience sipërfaqësore është një dëshmi e kësaj iluzive shmangieje. Njeriu e kupton se nuk ka përjetuar asgjë domethënëse, se nuk ka jetuar realisht, por thjesht ka vrarë kohën, duke e thelluar hendekun dhe shtuar mërxinë.
Një nga idetë më të thella që Fromm prek është paradoksi i kulturës moderne, ne përpiqemi të kursejmë kohë në çdo mënyrë të mundshme, me teknologjinë, me eficiencën e punës, me optimizimin e çdo aspekti të jetës.
Por, kur e kemi këtë kohë të lirë, nuk dimë çfarë të bëjmë më parë me të, prandaj e “vrasim” përmes angazhimesh boshe.
Kjo tregon një krizë më të madhe. Jeta moderne ka krijuar një njeri që nuk është më i aftë të jetojë me kuptim. Ne nuk dimë të përjetojmë qetësinë, reflektimin, krijimtarinë apo ndjeshmërinë e vërtetë. Prandaj, mërzia bëhet një problem i madh dhe gjithnjë e më i zakonshëm.
Në thelb, Fromm na fton të kuptojmë se shmangia e mërzisë nuk është zgjidhja e saj. Për ta kapërcyer këtë gjendje, duhet të angazhohemi në veprimtari që na japin ndjenjën e kuptimit të jetës së vërtetë dhe ndjekjes së ëndrrave.
Për Fromm arti, letërsia, muzika, dhe çdo formë tjetër e zgjimit të potencialeve të shpirtit krijues është në vetvete një antidot i fuqishëm ndaj mërzisë.
Ai këshillon që ne të jemi të vetëdijshëm për mendimet dhe ndjenjat tona, jo thjesht të shoqërohemi për të shmangur vetminë, por të lidhemi realisht me të tjerët, duke mos i shpëtuar jetës me shpërqendrime, por duke e përqafuar me gjithë kompleksitetin dhe thellësinë e saj sfiduese.
Mërzia, sipas Fromm-it, nuk është një fatkeqësi e pashmangshme, por një thirrje për t’u lidhur më thellë me jetën dhe për të jetuar me një qëllim të vërtetë atë.
Dy artistët e jashtëzakonshëm Dafina Zeqiri dhe Shpat Deda sot kanë publikuar këngën e titulluar “Natën”, shkruan KultPlus.
Teksti i këngës “Natën” është shkruar nga artisti Deda, përderisa për muzikën dhe melodinë ka kontribuar edhe Dafina Zeqiri.
Kënga vjen e realizuar me një videoklip interesant në të cilin janë të ekspozuar shumë njerëz brenda një hapësire luksoze, ku kryefjala janë dy persona, si çift në ardhje.
Më poshtë, KultPlus ju sjell videoklipin e këngës “Natën” të realizuar nga këngëtarët e veçantë Shpat Deda dhe Dafina Zeqiri:
“Libërthi i Dashurisë” i autorit Shpëtim Selmani është përkthyer në bullgarisht nga Ekaterina Tarpomanova.
Rreth librit:
Ka disa momente të mëdha në jetën e një njeriu kur gjithçka përmbyset, kur ndërgjegjja jote të shtyn të rishikosh jo vetëm veten, por edhe botën në të cilën jeton. Për një artist dhe poet 30-vjeçar nga Kosova pas luftës, diçka e tillë është lindja e fëmijës së parë. Rrëfyesi tregon transformimin e tij teksa përgatitet të bëhet prind. Ai reflekton mbi marrëdhënien e tij me babain, lidhjen me letërsinë dhe nacionalizmin, konsumizmin dhe shumë gjëra të tjera. Ndjenja e lindjes së një krijese të re e shtyn atë të shikojë ekzistencën e tij nga një këndvështrim i ri dhe i ndryshëm. Një vepër fragmentarike me elemente poetike, “Libri i Dashurisë” është një libër personal për autorin, reflektim dhe meditimi mbi pozicionin, identitetin dhe rolin e tij në shoqëri. Një libër për dashurinë.
Të falem ty, o gjuhë-shkëmb, me rrënjët thellë në shkëmbenj, që çave qiellinkur t’ u vrënj dhe shembe bisha e shtërpënj, po mbete prapë: shkrep e shtëng: të falem, gjuhë shkrepëtim, që shkrep në qiej e vrungullon, me bujë pyjesh bubullon, me gjëmë detesh uturon, dhe je, siç ishe: vetëtim; të falem ty, o gjuhë – hoj, ty, zëth i nënës – qetësi, ty, këngë e foshnjës – kaltësi, ty afsh’ i zemrës – dashuri gjithmon e ëmbël mjaltë zgjoi. Të falem ty o gjuhë e fisit tim, siç nuk i falem asnjë perëndi – se tempull i përjetshëm më je ti, dhe ti mburoje nëpër mot të zi ti, dritë e krirtë nëpër errësi, ti, perëndi, që nuk ke perëndim./ KultPlus.com
Shqipëria po bëhet një destinacion gjithnjë e më popullor në mesin e turistëve britanikë falë përballueshmerisë së saj dhe vendpushimeve mahnitëse, kulturës unike dhe vendeve historike, shkruan Katrina Turrill në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “Sun”.
Ajo që me të vërtetë e bën vendin ballkanik të mrekullueshëm, është se ai është plot me xhevahire të fshehura për t’u zbuluar, nga ujëvarat sekrete deri te gjiret e veçuara.
Si pjesë e nismës sonë “Best Of Beaches”, ne u kërkuam vendasve – që e njohin më mirë vendin – sugjerime për atraksionet më të mira për t’u vizituar dhe vendet më të mira për të qëndruar.
Genc Krasniqi, Linda Alia, Enuar Abasllari, Jack Dushku dhe Manon Dushku janë të gjithë vendas në Shqipëri – ata kane ndarë rekomandimet e tyre.
Plazhet tropikale në Evropë
“Keni plazhe me rërë në pjesën më të madhe të vendit, nga veriu deri në Orikum në jug “, tha Genc Krasniqi, një këshilltar marketingu në Shqipëri.
“Më pëlqen Velipoja, plazhi më verior i vendit që është jo shumë larg kufirit me Malin e Zi – dhe Shëngjini, një qytet bregdetar popullor në verilindje të vendit me një shëtitore të mbushur me dyqane”, shtoi ai.
“Plazhi im i preferuar me guralecë është Gjipeja, një gji me ujëra të pastra kristal – pranë një kanioni të madh që është vendi i përsosur për kamping dhe eksplorim”, tha ai.
“Plazhet në Qeparo, Borsh dhe Livadh në Rivierën Shqiptare janë xhevahiret më të mira të fshehura për të shijuar detin Jon pa zhurmën dhe rrëmujën e zonave të ngarkuara”, tha Linda Alia, e cila drejton turnetë ushqimore në Shqipëri.
“Jini të përgatitur të merrni me qira një makinë pasi transporti në këto zona është i kufizuar. Të tre plazhet ndodhen në bregun më jugor të vendit, një ore larg me makinë nga njëri-tjetri”, shtoi ajo.
“Himara, një qytet bregdetar në Rivierën Shqiptare në jug të vendit ka plazhe të bukura dhe atraksione të lashta. Vija bregdetare në Himarë është e ndarë në dy pjesë. Plazhi kryesor ka një shëtitore të frekuentuar me kafene dhe dyqane, ndërsa në jug është më i qetë”, tha Enuar Abasllari, një guidë turistike në Shqipëri.
“Riviera Shqiptare në jug të Shqipërisë ka plazhet më të bukura”, thanë Jack dhe Manon Dushku, nga guida private turistike në Shqipëri.
“Vendi kryesor është plazhi i Ksamilit, i cili është një gadishull i vogël me rërë të bardhë perfekte dhe ujëra blu të ndezur, me ishuj të vegjël përballë plazhit që mund t’i vizitoni me një kanoe ose varkë të vogël”, thanë ata.
“Është si një plazh tropikal, por në Evropë. Thënë kjo, Ksamili është më mirë të vizitohet në fillim të sezonit, në një muaj si qershori, përpara se të popullohet me turistë”, thanë ata.
Xhevahire të fshehura – vende të cilat i dinë vetëm vendasit
“Nëse i doni malet, me siguri do të ndiheni si në shtëpinë tuaj në Vermosh. Ky është fshati më verior i Shqipërisë me një lumë piktoresk që përshkon pamjet e tij të mrekullueshme malore”, tha Genc Krasniqi.
“Ujëvara e Grunasit ndodhet në zemër të Parkut Kombëtar të Thethit dhe është një mrekulli natyrore mahnitëse që rrjedh nga një lartësi prej 30 metrash”, tha Enuar Abasllari.
“Është e rrethuar me gjelbërim dhe shkëmbinj të thepisur, duke e bërë atë një destinacion të përsosur për të apasionuarit pas natyrës”, shtoi ai.
“Gjithashtu është Shpella e Haxhi Aliut – e vendosur përgjatë Gadishullit të Karaburunit – një shpellë misterioze detare që mban emrin e piratit të famshëm Haxhi Ali. Ai është i arritshëm vetëm me varkë, që do të thotë se sekretet e tij mbahen mirë të fshehura”, tha ai.
“Një vend që vetëm vendasit e dinë është Ujëvara e Shëngjergjit, afërsisht një orë e gjysmë larg me makinë nga Tirana”, thanë Jack dhe Manon Dushku.
“Shijoni natyrën e bukur, shkëmbinjtë, ujin e vrullshëm – dhe madje mund të bëni not freskues në ujëvarë. Ujëvara 30 metra e lartë është rreth 20 minuta me ecje nga buza e lumit”, thanë ata.
“Gjiri i Krorëzit, I cili mund të arrihet vetëm me varkë, është magjik në një ditë me diell, por merrni me vete drekën tuaj pasi restorantet janë të pakta. Do të gjeni disa varka që ofrojnë udhëtime ditore nga qyteti i Sarandës, që zakonisht nisen rreth orës 9:00 ose 10 :00 të mëngjesit. Udhëtimet zakonisht kushtojnë nga 20 paund e sipër”, tha Linda Alia.
Plazhet e fshehura (larg turmave)
“Gjiri i Dafinës është një parajsë e izoluar përgjatë Rivierës Shqiptare, që ofron ujëra të pastra kristal dhe rërë të pacenuar”, tha Enuar Abasllari.
“I arritshëm kryesisht me varkë, ai ofron një arratisje të qetë nga turmat, ideale për një ditë të qetë me dielli dhe not në një bukuri natyrore të pacënuar”, shtoi ai.
Atraksionet e përballueshme që ia vlen të vizitohen
“Vija bregdetare nga Kavaja në Zvërnec është një mundësi e shkëlqyer nëse keni një buxhet të kufizuar”, tha Genc Krasniqi.
“Në çdo qytet këtu, do të gjeni akomodime të përballueshme, restorante dhe bare – thjesht sigurohuni që të pyesni vendasit dhe ata do të jenë të lumtur t’ju ndihmojnë”, tha ai.
“Kalaja e Gjirokastrës, e vendosur në majë të qytetit historik të Gjirokastrës, është një kështjellë e mrekullueshme me pamje panoramike të luginës së Drinit”, tha Enuar Abasllari.
“I pasur me histori, ai strehon muze dhe artefakte, duke u ofruar vizitorëve një udhëtim magjepsës nëpër të kaluarën e Shqipërisë dhe madhështinë e saj arkitekturore. Hyrja kushton më shumë se 3 paund”, shtoi ai.
“Burimi i Syrit të Kaltër midis Sarandës dhe Gjirokastrës është një burim mahnitës nënujor që pompon ujin në sipërfaqe me një shpejtësi të madhe – sigurohuni që të arrini atje herët për ta shijuar ndërkohë që është ende i qetë”, thanë Jack dhe Manon Dushku.
Aktivitetet që duhet të bëni
“Shqipëria ka shumë për të ofruar krahasuar me madhësinë e saj të vogël – në kryeqytetin e Tiranës do të gjeni malin e bukur të Dajtit dhe muzeun e kthyer në bunker komunist, Bunk’art”, tha Genc Krasniqi.
“Nëse doni të zhyteni pak më shumë në histori dhe kulturë, atëherë duhet të vizitoni vendet e UNESCO-s; të Beratin me shtëpitë e tij osmane, kishat bizantine dhe Xhaminë e Kuqe; dhe Gjirokastrën – shtëpia e Kalasë së Gjirokastrës, si dhe polisin e lashtë grek dhe qytetin romak të Butrintit”, shtoi ai.
“Për pamje spektakolare, ecni në Bjeshkët e Nemuna ose bëni një udhëtim relaksues përgjatë vijës bregdetare nga Vlora në Sarandë përmes Qafës së Llogarasë”, tha ai.
“Ka shumë plazhe ku mund të ndaleni përgjatë rrugës për një zhytje, më pas të ktheheni përgjatë rrugës tjetër që kalon përmes Syrit të Kaltër dhe Viroit në Gjirokastër”, shtoi ai.
“Fluturoni mbi bregdetin magjepsës të Vlorës, ku deti i kaltër takohet me shkëmbinjtë e thepisur”, tha Enuar Abasllari.
“Parashutizmi këtu ofron një pikë të pazakontë për të parë pamjet befasuese të deteve Adriatik dhe Jon, duke ndërthurur adrenalinën me bukurinë natyrore mahnitëse. Turnetë kushtojnë rreth 115 paund “, tha ai.
“Gjithashtu, lundroni në pragjet drithëruese të lumit Vjosa, lumi i fundit i egër i Evropës – me ujërat e tij të pastra kristal, kanionet mahnitëse dhe biodiversitetin e pasur”, shtoi ai.
Pamjet e preferuara
“Restoranti Panorama”, i vendosur në shpatet e malit të Dajtit, u ofron vizitorëve një pamje të mrekullueshme mbi Tiranën dhe peizazhet përreth”, tha Enuar Abasllari.
“Ndërsa shijoni vaktin tuaj, mund të shijoni peizazhin e madh të qytetit, të përshtatur nga gjelbërimi i harlisur dhe silueta e largët e detit Adriatik. Pjatat e makaronave si tortelini me krem pana, kushtojnë 3 paund, nëse dëshironi të qëndroni për darkë”, tha ai.
“Kuzum Baba”, i vendosur në një kodër me pamje nga qyteti i Vlorës, ofron një panoramë spektakolare të bregdetit dhe qytetit më poshtë. Ky vend historik dhe shpirtëror u ofron vizitorëve një vendstrehim paqësor me pamje mahnitëse të detit Jon dhe Rivierës Shqiptare”, shtoi ai.
“Qafa e Llogarasë, në jug të Shqipërisë është pika më e lartë në rrugën bregdetare përgjatë Rivierës Shqiptare që lidh Vlorën me Sarandën”, thanë Jack dhe Manon Dushku.
“Nga Qafa e Llogarasë, ju keni një pamje të bukur të detit Jon dhe fshatit Dhërmi – një vend i mrekullueshëm për të ndaluar në një udhëtim rrugor përgjatë Rivierës Shqiptare”, shtuan ata.
Vendi më i mirë për të marrë fëmijët
“I vendosur në Parkun Kombëtar të Malit të Dajtit pranë Tiranës, ndodhet një shesh lojërash emocionues për fëmijët, Parku i Aventurave të Dajtit, që ofron një sërë aktivitetesh. Hyrja kushton 10 paund për femijet nën 8 vjeç dhe 13,30 paund për personat mbi 8 vjeç”, tha Enuar Abasllari.
Qyteti portual i zhurmshëm i Shqipërisë, Durrësi, ofron një ndërthurje të vlerave historike dhe atraksioneve moderne perfekte për një ditë familjare.
Fëmijët mund të eksplorojnë amfiteatrin antik dhe muzeun arkeologjik, ndërsa shëtitorja e gjallë dhe bregdeti ofrojnë mundësi për lojëra dhe kohë të lirë.
“Grand Park-u në Tiranë ofron kënde lojërash dhe kafene përgjatë bregut të liqenit”, thanë Jack dhe Manon Dushku.
“Jo shumë larg Parkut të Madh, mund të çoni fëmijë të vegjël në Kopshtin Zoologjik të Tiranës dhe Kopshtin Botanik”, shtuan ata.
Shmangni vendet me turma turistësh
“Syri i Kaltër është një burim natyror mahnitës i njohur për ujërat e tij magjepsëse blu, i vendosur në Delvine të Sarandës. Fatkeqësisht, popullariteti i tij do të thotë se shpesh është i tejmbushur me turistë, veçanërisht gjatë verës”, tha Enuar Abasllari.
“Për të shmangur turmat, merrni parasysh të vizitoni atraksionet e njohura, si Syri i Kaltër ose Parku Kombëtar i Butrintit, herët në mëngjes ose vonë pasdite”, shtoi ai.
“Në vend të plazheve të njohura si Ksamili, eksploroni Plazhin e Lukovës ose Gjirin e Dafinës”, tha ai.
“Kur vizitoni objektet fetare, përshëndetni ngrohtësisht vendasit dhe mësoni disa fraza në shqip për të treguar respekt dhe për të ndërtuar një marrëdhënie”, tha Enuar Abasllari.
“Ndërsa kartat e kreditit pranohen gjerësisht në qytetet më të mëdha, qytetet më të vogla dhe zonat rurale mund të pranojnë vetëm para në dorë, kështu që sigurohuni të keni mjaftueshëm monedha vendase (Lek) për udhëtimet tuaja, veçanërisht kur shkoni në zona të largëta”, shtoi ai. /atsh/ KultPlus.com
Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit promovoi sot librin për fëmijë “Antoku”, me autor Ralf Spiron.
Aktiviteti i organizuar në QKLL ishte konceptuar si një bisedë mes poeteshës Mimoza Ahmeti dhe autorit, i cili iu përgjigj pyetjeve dhe interesimit për krijimin e tij. Ngjarja në këtë tregim, bazohet në historinë dhe mitologjinë japoneze.
Kultura e Japonisë bazohet shumë në mitologji, që ka në qendër të saj, familjen. Protagonisti i librit, Antoku është përcjellës i diturisë, për të larguar errësirën, jo vetëm simbolikisht. Vepra është trajtuar në formën e përrallës, pasi u drejtohet fëmijëve, të cilëve u nevojitet një gjuhë e thjeshtë për të nxënë dije.
Ralf Spiro sqaroi se ka projekte të tjera, veçanërisht për fëmijë, dhe në pjesën më të madhe të rasteve frymëzohet nga djali i tij. Autori sqaroi, se ka testuar gjuhën e librit, tek i biri për të arritur thithjen e materialit, që gjithnjë është i bazuar te fantazia. Sipas tij, Antoku është përzgjedhur për të qenë personazhi kryesor, pasi është i vetmi perandor-fëmijë që ka ekzistuar realisht në Japoni./atsh/ KultPlus.com
Francisco Jose de Goya Lucientes, lindur më 30 mars 1746 dhe vdekur më 16 prill 1828, ishte piktori i kurorës spanjolle i konsideruar edhe si i fundit i Mjeshtërve të Vjetër dhe si i parë i pikturës moderne. Elementi armiqësor dhe subjektiv në artin e tij, si dhe trajtimi i guximshëm i bojës, shërbeu si model për punën e brezave të artistëve të mëvonshëm, sidomos për Manet dhe Pikaso.
Lufta për Pavarësi, që shpërtheu në Spanjë në vitin 1808, ndërpreu karrierën e Francisco de Goya. Përballë katastrofës së armëve dhe supersticionit, ai kundërvuri një pikturë të zymtë, si një antidot të brishtë ndaj tragjedive të epokës së tij. Kur shpërtheu Lufta e Pavarësisë më 1808, ai ishte artisti spanjoll më i famshëm dhe më i kërkuar. Qëkurse u transferua në Madrid në vitin 1775, në moshën 29-vjeçare, mjeshtri aragonas lulëzoi me shpejtësi në oborrin madrilen, duke pikturuar fillimisht modele tapicerie në kartonë destinuar për dekorimin e pallateve mbretërore dhe portretizuar gjykata dhe elitën aristokrate të vendit.
Lexo Edhe:
Kulmin e karrierës profesionale Goya e arriti me emërimin si piktor i Dhomës nga Mbreti Charles IV në vitin 1789. Porositë e shumta që pati gjatë këtyre viteve e lejuan të përmirësonte financat dhe të frekuentohej me ajkën e shoqërisë. Në letrat që i shkruante mikut, Martin Zapater, ai i shkruante se kalëronte në La Alameda me dukeshën e Osunas, si dhe i rrëfen me qesëndi zënkat me dukeshën joshëse të Albas:“Do kisha dashur të ishe me mua për të më ndihmuar të pikturoja dukeshën e Albas, e cila, dje, më zbarkoi në studio që t’i pikturoja fytyrën”.
Për një çast konsideroi edhe mundësinë e marrjes së një titulli fisnikërie, mirëpo rrugëtimi i jetës i mori një kthesë krejt të papritur në vitin 1793. Ndërsa ishte në Sevilje, sëmuret rëndë dhe qëndron njëfarë kohe regjim shtrati. Sipas Goyas, kishim të bënim me një apopleksi, mirëpo sot mendohet se mund të ketë qenë sifiliz. Sidoqoftë, rezultati i gjithë kësaj situate ishte shurdhimi i përhershëm, i cili do të ndikojë thellësisht në karakterin dhe në vizionin e tij për botën. Nga kjo krizë vetjake lindi një artist i ri, i cili interesohet jo vetëm për projektet artistike të kohës së vet, por njëherazi zgjedh të eksplorojë botën e brendshme dhe vendos të pikturojë i shkëputur kryekëput nga klienetela e përhershme.
Në jetën e Goyas, atëherë rreth të gjashtëdhjetave, Lufta e Pavarësisë (1808-1814) përfaqëson një krizë të re, që, këtë herë, ai e ndan me bashkatdhetarët e tij. Piktori është dëshmitar i pushtimit francez të Madridit, viziton Saragozën e shkatërruar pas dy rrethimeve të Napolonit dhe ndjek me shqetësim vështirësitë e konfliktit. Ndjenjat e veta i transkriptoi në serinë e gravurave titulluar “Fatkeqësitë e luftës”, të cilat i përfundoi rreth vitit 1815, por që do bëheshin publike vetëm në vitin 1863.
Përtej vlerave dokumentare, kjo seri ishte një reflektim mbi universalitetin e dhunës dhe mizorisë njerëzore. Në fund të konfliktit, realizoi dy nga tablotë e tij më të famshme: “Dy maj 1808 në Madrid” dhe “Tre maj 1808 në Madrid”, kjo e fundit njihet si nga të parat piktura të epokës moderne. Sfondi i pikturës vendoset në agun e mëngjesit të paskryengritjes së 3 majit të vitit 1808. Masa e njerëzve është e ndarë më dysh, njëra vënë përballë skuadrës së pushkatimit dhe tjetra që ndjek me tmerr momentet që përpëliten në peshën e vdekjes. Me mjeshtëri të rrallë piktori ka arritur të realizojë një kontrast të atillë drite që shpërfaq heroikën e ballafaqimit me vdekjen, tytave, bajonetave dhe mizorinë e skuadrës vdekatare.
Në të njëjtën kohë, Goya demistifikon madhështinë e pikturës historike, duke i kompozuar veprat si skena të shikuara nga një dëshmitar, duke gjeneruar kështu ndjeshmëri më të madhe nga ana e spektatorëve. Vjen me një qartësi natyrale duke shfletuar historinë e memorizuar në tablo që zë rend me portretet dhe profilet. Edhe pse ishte i detyruar të punonte në një mjedis ku pak e vlerësonin, ai nuk reshti së skalituri me gërma zjarri gjeniun. Gdhendjet grafike të Goyas janë shpikje teknike, stilistike e tematike, që e bëjnë piktorin e parë modern.
Goya kërkon që e vërteta “të shfaqet e t’u tregohet të tjerëve, përfshirë ata që nuk duan ta shohin… Sepse i verbëri në shpirt ngul sytë në aspektin e jashtëm të gjërave, prandaj këto aspekte të dukshme duhen deformuar e nxjerrë vendit derisa të klithin për atë që përpiqen të thonë”.
Piktori e urrente mbretin dhe mbretëreshën, prandaj u bënte piktura të shëmtuara. Ai ishte pjesë e shpirtit të popullit spanjoll që luftonte për liri. Po ky piktor i shurdhër ndikoi tek mjeshtri i shquar i pikturave heroike Eugjen Delakrua si dhe impresionistët e mëvonshëm. Piktura e Francisco Goya është manifestimi i një zemërate që kërkon gjithnjë gjithëkohjen e vet, edhe pse tashmë është zemra dhe zëri i kujtesës së të shkuarës./Hejza/ KultPlus.com
Një nga 500 kopjet e para të shtypura në 1997, të “Harry Potter and the Philosopher’s Stone”, është shitur në qytetin britanik të Pageton, Devon, në një ankand.
Shtëpia e ankandeve e përshkroi atë si “një shembull të shkëlqyer të një kopjeje jashtëzakonisht të rrallë të botimit të parë”.
Për rreth 1 mijë e u shit një kopje tjetër e romanit, por më e dëmtuar.
Vetëm një numër i vogël i kopjeve të Harry Potter, në fillim u shtypën sepse nuk dihej nëse libri do të fitonte popullaritet.
Pastaj, pasuan një seri prej gjashtë vazhdimesh të tjera dhe adaptime filmike, dhe Harry Potter është sot një nga librat më të njohur në botë.
Edicioni i parë i “Harry Potter and the Philosopher’s Stone” vitin e kaluar u shit për afro 54 mijë euro dhe një kopje e ruajtur plotësisht arriti në 82 mijë euro në mars të vitit 2022.
Muzeu Kombëtar “Shtëpia me gjethe” përkujtoi sot intelektualin, publicistin, veprimtarin, politikanin dhe ministrin e shtetit shqiptar, Bahri Omari (10 shkurt 1889-14 prill 1945).
Bahri Omari lindi në Gjirokastër dhe mësimet e para i mori në vendlindje. Studimet për Shkenca Politike-Administrative i kreu në Stamboll dhe me përfundimin e tyre u caktua nënprefekt i Himarës. Omari pati një kontribut të veçantë në organizimin e çetave për mbrojtjen e territorit shqiptar nga sulmet në jug të andartëve.
Më 1915, Bahri Omari u zhvendos në SHBA ku mori drejtimin e gazetës “Dielli”, organi i shtypit të federatës shqiptare “Vatra”. Në vitin 1919 u kthye në Shqipëri dhe u zgjodh dy herë deputet i prefekturës së Gjirokastrës në Këshillin Kombëtar, organi legjislativ asokohe, përkatësisht në vitet 1921 dhe 1923. Mbështeti qeverinë e Fan Nolit në vitin 1924.
Me kthimin në pushtet të Ahmet Zogut, Bahri Omari u largua nga Shqipëria dhe bashkohet me opozitën shqiptare në ekzil.
Në vitin 1939 u kthye përsëri në Shqipëri dhe në 1942 u bë pjesë e Ballit Kombëtar dhe u emërua ministër i Punëve të Jashtme në qeverinë e Rexhep Mitrovicës gjatë viteve 1943-44.
Me ardhjen e regjimit komunist, Bahri Omari arrestohet dhe dënohet me vdekje nga i ashtëquajturi “Gjyq Special” më 13 prill 1945. U ekzekutua tek Kodra e Priftit në Tiranë. Është dekoruar nga shteti shqiptar me urdhrin “Nderi i Kombit”. /atsh/ KultPlus.com
Galeria Kombëtare e Kosovës ka shpallë programin për vitin 2025 i cili sjellë një numër ekspozitash që inkuadrojnë disiplina të ndryshme artistike, në bashkëbisedim mes artistëve vendor dhe ndërkombëtar, dhe gjithashtu përgatitjet për ekspozita gjatë vitit 2026.
Programi do të pasurohet me projekte hulumtuese dhe edukative, duke synuar përshirjen e një publiku më të gjerë dhe metoda alternative të të nxënit, meqë Galeria Kombëtare e Kosovës do të hyj në proces renovim. Aktivitetet do të zhvillohen në Galerinë e Vogël (ish-Galeria e Ministrisë së Kulturës), tashmë pjesë përbërëse e GKK-së.
Programi do të përfshij ekspozitën personal të fotografit Blerim Rracaj, projekt i bartur nga Galeria e Ministrisë së Kulturës. Puna e tij përdorë fjalorë të fotografisë dokumentare të kontekstualizuar si strukturë antropologjike e mishëruar në përkatesinë e tij kulturore zakonisht i fokusuar në portreturë dhe pamje urbane si tregues semiotik të identitetit shoqëror. Poashtu do të organizohet ekspozita e artistit Valdrin Thaqin me titull “Asgjë e re nën diell”, kuruar nga Domenico de Chirico. Puna e tij e përbërë kryesisht nga mediumi i pikturës hulumton ciklet e qëndrueshme të përvojës njerëzore, ku kujtesa, dëshira dhe brishtësia kryqëzohen në momente kalimtare dhe të përjetshme. Kurse artisti i ri Kemil Bekteši do të prezentohet me një seri instalacionesh të titulluara “Ngadalë dhe i Pandalshëm” ku inspirimin e tij e merr nga puna e babait si bukëpjekës. Duke marrë tharmin si pikënisje, ai reflekton mbi kushtet e punës së Kosovarëve në perëndim. Ndër të tjera, do të prezantohet një ekspozitë nga koleksioni i GKK-së, duke sjellë për publikun narrativa kuratoriale që nxjerrin në pah historitë e koleksionit nga një perspektivë e re. Pas shumë vitesh, rikthehet ekspozita “Artistët e Rinj”, e cila mbështet artistët në hulumtim dhe komisionim të veprave të reja. Artistët pjesëmarrës do të përzgjidhen me anë të një thirrjeje të hapur që do të shpallet në muajt në vijim; një nga pjesëmarrsit do të mbështetet tutje përmes një rezidence artistike.
Përveq këtyre, këtë vit do të filloj faza përgatitore për ekspozitën e parë retrospektive të artistit eminent Xhevdet Xhafa në GKK, i njohur për ndikim të thellë në jetën kulturore e artistike të Kosovës. Poashtu në fazë pëgatitore do të jetë edhe ekspozita personale e artistes Doruntina Kastrati e kurua nga Natasa Petersin-Bachelez, e cila në vitin 2024 e përfaqësoi Kosovën në Bienalen e Venedikut dhe u nderua me “Mirënjohje të Vecantë”. Bienalja “Muslim Mulliqi” do të jetë gjithashtu në fazën hulumtuese nga kuratorët rreth konceptit kuratorial që ekspozita do të përmbajë. Të gjitha këto janë të planifikuara të realizohen gjatë pjesës së dytë të vitit 2026, pas renovimit të GKK.
Gjatë këtij viti, programi do të ketë fokus primar projektet edukative, përmes hulumtimeve, botimeve dhe diskutimeve. Hulumtimi “E kaluara, e tashmja dhe e pas-ardhmja: Bashkëbisedim për teorinë e artit kosovar” nga filozofi Labinot Kelmendi dhe studentët e tij, do të ravijëzoj në formë të bashkëbisedimit teorik, hulumtues një trajektore të gjerë të zhvillimit të artit në kontekstin kosovar, duke u bazuar në koleksionin e GKK-së dhe më gjerë. Era Qena me hulumtimin “Karikatura si formë rebelimi” synon të gjejë kufinjtë e fshehur me të cilat kanë operuar subkulturat në Kosovë. Ky hulumtim do t’i vënë pah karikaturisët kryesorë të cilët punuan për gazeta e revista, dhe që e përdorën karikaturën si formë arti për të krijuar rezistencë. Dardan Luta me “Gjurmimi i Matej Rodiqit” do të hulumtoj më shumë për jetën dhe veprën e artistit Matej Rodiqi.
Krahas këtyre, do të përkrah projektin “Archiving Transitions” të Fondacioni-it 17 i cili synon të shqyrtojë ndikimin që ka pasur Çmimi “Artistët e së Nesërmes” në jetën artistike e kulturore në vend, prodhimin e artit bashkëkohor, formësimin e skenës artistike, dhe në frymëzimin dhe zhvillimin e brezave të rinj të artistëve. Drita Kabashi, historiane e artit, do të vazhdojë hulumtimet dhe publikimet mbi arkivin e GKK-së si vazhdimësi e suksesit të nismës ekzistuese të shkrimeve Nga Arkivat e Galerisë. Këto shkrime pasqyrojnë përkushtimin e Galerisë Kombëtare për të ofruar analiza dhe kritika mbi skenën artistike të Kosovës dhe historitë e ekspozitave. GKK do të vazhdojë punën e digjitalizimit të plotë të arkivave, duke i bërë këto materiale të qasshme për studime, historian dhe artistë ndër të tjerë.
Programi është përzgjedhur nga Këshilli Drejtues i GKK-së i kryesuar nga Renea Behluli, dhe i përbërë nga anëtarët Linda Gusia, Agron Blakçori, Somer Şpat, Guri Çavdarbasha dhe Bariu Zenelaj./KultPlus.com
Shko se furishëm po fryn në mua erë mallkimi që s’të fal. Dhe, dije mirë, kurrë më një e një nuk bëjn’ një si thonte Hikmeti, ai farë poeti me këngë prej zjarri.
Shko merri me vete lutjet tua, edhe hijen tënde hiqe zvarrë rrugëve si gjënë e ndyrë. Mos u kthe pas. Mos i harro sytë e përlotur në shtekballin tim. Mos thuaj lamtumirë. Asgjë mos thuaj. Merri me vete gjurmët nëpër të cilat erdhe një natë më e përvuajtur se frika dhe hyre në mua. Shko dhe bëhu fjalë e mbrame n’gojën time. Bëhu shkrepetirë e fikur n’ylberin e shkrimit tim. Bëhu çdo gjë pos Meje e Teje dhe asaj që e quajtëm Ne kur i zinim yjet si fluturat e ua ngjisnim nganjë emër mos ta harrojmë emrin tonë. Shko, merri me vete edhe rrugët, të mos kthehesh kurrë në vesën e lotit të rrejshëm, gërmadhat e kujtimit t’i rrëzosh.
Shko, mbyllu në do kështjella të largëta harrimi, ku s’të zgjojnë më këmbonat e pendimit kur çmendet mallit vetmia ose kur buza buzën e han n’pikllim, që mëkatin s’e lan, që s’mundet ta shpojë Gurin e rëndë, gurin e ftohtë të ndarjes. Shko, më mirë dhe hesht. Mos u kthe mbas. Mos i harro sytë e përlotur n’shtekballin tim. Mos thuaj lamtumirë. E kur t’shkojsh larg, më larg se prej blerimi n’blerim E kur t’shkojsh larg, më larg se prej zemre në zemër Aq larg sa ta harrosh edhe emrin tënd dhe zërin tim, fshihu prej vetes Shkurto flokëgjatat, mate me to mendjeshkurtrën tënde dhe mos qaj. Shko se tmerrshëm po lodrojnë sonte n’mua rrëket e gjakut të ndezur. / KultPlus.com
“Nëse të kam bërë të qash, ose të kam mërzitur qoftë edhe për një sekondë, më fal, e dashura ime perfekte”, kështu i shkruante në një nga letrat e pafund dramaturgu Arthur Miller, aktores së njohur Marilyn Monroe. Dhjetëra letra dashurie janë gjetur në arkivin personal të shkrimtarit, pjesa më e madhe dedikuar bjondes me të cilën pati historinë më të gjatë të dashurisë.
Në një letër që mban datën 30 prill 1956 kur Miller ishte duke i dhënë fund divorcit me Mary Slattery, tregohet pasioni i madh që i kishte rrëmbyer.
“Do të puth e do të mbaj në krahë deri sa bashkë të shkrihemi në ndodhi të papritura, e jashtëzakonisht të bukura, deri sa të dëgjosh psherëtimat e mia. E kur koka jote të prehet mbi shpatullën time, atëherë do të jem burri më i lumtur më botë…”, shkruan Miller.
Nga gjithë historitë e dashurisë, ajo me Miller do të ishte më e veçanta për aktoren, e cila pavarësisht kontraditave në fund të kësaj lidhjeje do ta ruante gjithnjë me dashuri në kujtesë. Ata u martuan më 29 korrik 1956. Çifti u takua në Lee Strasberg dhe miqtë janë shprehur se ajo e “magjepsi” Arthur Miller me një shikim. Pasi ata u martuan, Arthur shkroi një pjesë të Roslyn Taber në vitn 1961, “The Misfits” (Mospërshtatjet) posaçërisht për Marilyn Monroe. Fatkeqësisht martesa e Monroe dhe Arthur Miller mori fund në 20 janar 1961, kështu që filmi “The Misfits” (Mospërshtatjet) u duk sikur t’i përshtatej plotësisht situatës të krijuar mes çiftit.
Miller do të shprehej më vonë se “Unë nuk e kam kuptuar, se si Marilyn u bë një simbol i autenticitetit. Ndoshta kjo kish të bënte me faktin, se prej shikimit të saj burrat tradhëtonin dhe gratë indinjoheshin nga smira…”.
Pas vdekjes së saj, Miller do të ishte njeriu që do të përkufizonte më mirë karakterin e jetën e saj.
“Merlin vinte nga vitet dyzetë dhe pesëdhjetë. Ajo ishte dëshmia, se në psikikën amerikane seksualiteti dhe serioziteti nuk mund të ekzistonin bashkë, madje ato ishin në armiqësi e dy kontradikta përjashtuese mes tyre. Por më në fund Marilyn hapi rrugë dhe sërish asaj iu desh të pozojë nudo në një pishinë, që të mund të xhirohej një film”, shprehej ai. / KultPlus.com
(Bisedë me “Naša Borba”, marrë nga vepra “Zoti nuk është shqiptar”, 1996)
● Kohë më parë morët shpërblimin për libër të vitit. Ku ndodhet momentalisht, krijimtaria shqiptare, në ç’drejtim ecën dhe a ka sot kushte në kosovë për t’u marrë seriozisht me vlera të njëmendta artistike? ► Krijimtaria artistike shqiptare në Kosovë edhe në këto kushte të vështira po dëshmon vitalitetin e saj, jo vetëm të ekzistencës, po edhe të zhvillimit e të avancimit të vlerave. Krijimtaria, në veçanti letërsia, mund të vështirësohet, por është e papengueshme. Krijuesi i mirëfilltë, shkrimtari i mirëfilltë, në të gjitha kushtet dhe në të gjitha situatat është shkrimtar. Tekefundit, krijimtaria artistike shumë herë nuk është rezultat i ndjenjës së mirëqenies. Shkrimtari e prodhon vetë lirinë e vet krijuese, vetë akti krijues është çlirim dhe liri. Është e vërtetë se klima krijuese te ne është e rënduar mjaft, e ngushtuar, e ngarkuar me pasoja të vrazhdta të gjendjes në të cilën ndodhemi. Vlerat që arrijnë të krijohen dhe të ngrihen mbi këto vështirësi e pengesa, japin apriori provë të qëndrueshmërisë së tyre. Autorë vlerash të tilla, si çdo kulturë tjetër, ka edhe krijimtaria jonë dhe ata janë të papushtueshëm Kjo kurrsesi nuk do të thotë se dhuna e represioni të cilat në esencë janë antikulturë dhe anticivilizim, nuk e kanë lënduar ndjeshëm edhe kulturën dhe krijimtarinë tonë artistike, se nuk i kanë dëmtuar ndjeshëm vlerat, sepse, ato atë punë e atë qëllim kanë kurdo që pushteti i njërit i përdor ndaj kulturës dhe identitetit të tjetrit.
● Sa është e kushtëzuar krijimtaria artistike shqiptare nga ngjarjet ditore politike dhe a është e mundur t’u shmanget atyre? ► Klima dhe hapësira krijuese shqiptare këtu janë të rënduara, të ngushtuara, të ngarkuara. Ç’raport tjetër mund të kenë arti e kultura me dhunën, represionin e terrorin policor që janë përherë antipodë të kulturës e të artit? Kushtëzimi është evident. Ky kushtëzim nuk ka se si të evitohet, pasojat s’ka se si të mos ndjehen. Shkrimtari ynë, sikundër edhe të tjerët, nuk mund të jetojë jashtë kohës dhe jashtë jetës së popullit të tij, pra jashtë brengave dhe shqetësimeve dramatike që jetojnë sot shqiptarët në Kosovë, por edhe në vise të tjera të ish Jugosllavisë. Politika këtu nuk është më sferë interesimi e aktiviteti shtresash të caktuara që të mund t’i rrish anash. Ajo mirret me të gjitha dhe me të gjithë duke pasur në shënjestër çdo gjë që bën jetën, identitetin dhe ekzistencën shqiptare. Jeta politike këtu ndodh e kondensuar, e tensionuar, e instrumentalizuar ekstremisht nga tendenca shpërbëijeje të një substrati etnik. Është krejtësisht e kuptueshme përse shqiptarët nuk duan të jenë më vetëm objekt i politikave që do të vendosnin pozitën dhe fatin historik të tyre, ata duan të jenë subjekt esencial dhe i pakapërcyeshëm i vendosjes për pozitën dhe ardhmërinë e vet. Është po ashtu e kuptueshme përse në këtë vorbull vlimesh dramatike dhe vendimtare, intelektualët, andaj edhe shkrimtarët, nuk mund të kundrojnë anash. Kjo, madje as nuk varet më nga ata, varet nga imperativa të cilat nuk i përcakton vokacioni dhe vullneti i tyre.
● Ju ishit njëri nga pjesëmarrësit e dialogut të dëgjuar që u zhvillua në Francuska 7. Ç’ndodhi, në të vërtetë, atëbotë, ku u shfaqën mospajtimet më të mëdha dhe a ishin ato të pakapërcyeshme? ► Konsideroj se ai takim i shkrimtarëve në Beograd ishte i pari dialog mes shqiptarëve e serbëve. Ai ishte fillim i një dialogu i cili nuk u zhvillua dhe nuk u krye. Ishte i drejtpërdrejtë dhe krejtësisht i hapur. Një dialog politik pa politikë, pa rrotulla e retorizma të demagogjisë politike. Ai dialog, ai fillim dialogu, nuk ishte kurrsesi shkak i konfliktit, ishte hapje dhe sheshim i shkaqeve të konfliktit dhe, në esencë, dëshirë që ato të evitohen. Mospajtimet dhe kundërshtitë u hapën. Mirëpo, ato nuk qe e mundur të zgjidhen aty për aty. Ato u thanë sy më sy, pa ngurim e konsiderata të rreme, pa dorëza e komplekse. Dhe nuk u fshehën kurrë më. Ku e merr që ai dialog t’ishte ç’duhej t’ishte: fillim i një dialogu sigurisht të gjatë, të rëndë e të mundimshëm, por konstruktiv dhe qëllimmirë. Megjithatë aty u tha esenca e pozicionimeve të të dyja palëve. Nuk kishim iluzion se me një dialog, me një filiim dialogu, do të zgjidheshin e do të rrafshoheshin mospajtimet të dlat janë të ashpia, të thella dhe të kahershme. Ato as nuk mund të kapërcehen ndonjëherë pa u kapërcyer më parë shkaqet e tyre. Aq romantikë naivë të politikës nuk ishim as ne shkrimtarët. Ne vetëm po fillonim diç të domosdoshme që duhej të gjente vendin, mënyrën dhe vullnetin e mirë të vazhdohej. Krahasoni tani rezultatet e asaj që është dashur të bëhej me këto të kësaj që është bërë tragjikisht mbrapsht! Një gjë mund ta them me bindje të thellë: Mbyllja e dialogut që në fillim të tij ishte fatale. Sado që dialogu ynë atëherë filloi i ndezur e i elektrizuar nga kundërshti të ashpra të interesave e të argumenteve, nga paragjykime e emodone të hrinjuara gjatë kohë, në ffymën dhe në esencën e qëilimit të atij dialogu të rreptë përmes të dlit doemos që do të zbrazej në fillim tërë një akumulim i gjatë e i fshehur mllefesh e urrejtjesh, kishte më shumë kulturë e tolerancë, më shumë prirje për rezonim intelektual e njerëzor, se sa në të gjitha që pasuan. Mirëpo, dialogun e morën në dorë politika; polida, militarizmi. Gjuhën e argumenteve e zëvendësoi gjuha brutale e forcës, e represionit dhe dhunës. Dihet si i zgjidhin ato çështjet mes popujve. Ato thelluan ndarjen e mosbesimin, urrejtjen e egërsuan dhe e bënë patologjike. Mes nesh futën edhe mjaft gjak dhe varre. Tani jemi shumë më larg njëri-tjetrit. Jemi definitivisht të ndarë dhe të larguar. Në mënyrën më të egër, më primitive, më të papajtueshme.
● A ka sot çfarëdo komunikimi a bashkëpunimi të intelektualëve shqiptarë me kolegët e atyre nga ish-Jugosllavia dhe veçmas nga Serbia? ► Ndarja dhe largimi vazhduan të thellohen. Motivet që i shkaktuan dhe pasojat që lanë janë traumatizuese. Të rinjtë dhe një pjesë e madhe e inteligjencisë shqiptare njohën një realitet të hidhur raportesh të cilat nuk i mbanin mend nga golgotat e kaluara shqiptare dhe nuk mund t’i supozonin të mundshëm tani. Dëshprimi qe i madh posaçërisht tek ajo masë e shqiptarëve të cilët kishin investuar mjaft besim dhe bindje se ishte e mundur jo vetëm fqinjësia e mirë, po edhe bashkëjetesa dhe ardhmëria me serbët. Besimi dhe iluzionet u rrënuan gjer në themel: Duke zhveshur shqiptarët nga çdo subjektivitet politik, duke ushtruar kolonizim e ndërrim të dhunshëm të strukturës etnike të Kosovës, duke përzënë nga puna, nga shkollat e nga fakultetet qindra mijëra punëtorë, kuadro, studentë e nxënës shqiptarë, duke serbizuar emra rrugësh, firmash, entesh, institucionesh e toponimesh, duke aplikuar ligje të posaçme diskriminuese si dhe përmes një sërë masash e veprimesh të tjera të dhunës, represionit, diskriminimit, aparteidit e gjenocidit të hapur, Serbia demonstroi në mënyrën më të vrazhdtë variantin dhe modelin e saj të kahershëm se si do ta zgjidhte ajo çështjen e Kosovës e të shqiptarëve, po t’i mbetej në dorë ta zgjidhi. Shqiptarët, të cilët nuk janë më çobanë, argatë dhe sharraxhinj, me sytë e tyre panë dhe njohën te ky model tërë monstruozitetin trishtues të elaboratit famëkeq të një Qubrilloviqi. Një e keqe e posaçme qe fakti se përballë gjithë kësaj, mungoi të dëgjohet zëri i ndërgjegjes së inteligjencisë serbe. Ai zë qe i shurdhër ose i shurdhuar. Nuk ka rëndësi në i mungoi guximi qytetar apo vullneti të dëgjohet. Në mos për të mbrojtur shqiptarët, atëherë për të mbrojtur dinjitetin e vet njerëzor, intelektual dhe kombëtar para vetes dhe para botës. Ishte një fenomen befasues e i palakmueshëm, do të thonim i shëmtuar, një shkak i posaçëm dëshprimi dhe thellimi të mosbesimit e të largimit. Pasojat janë të ndjeshme e të rënda dhe nuk shërohen lehtë. Ato do të jetojnë të thadruara në kujtesë gjeneratash. Dhe, kuptohet, ato lënduan thellë dëshirën dhe vullnetin për komunikim, kuptimin e komunikimit. Tani duhen durim, kohë dhe përpjekje të mëdha e të gjata për të rivënë urat e rrëzuara të çfarëdo kontakti a bashkëpunimi të cilit mund t’i besohet. Në Beograd kam pasur edhe vetë mjaft miq serbë nga fusha të ndryshme të artit e të kulturës. Nuk jemi parë e nuk jemi dëgjuar qëmoti. Nuk dua të besoj se janë bërë të tjerë njerëz, sepse njerëzorja mbetet te njeriu. Më dhimbset kushdo që, me vullnet e vetëdije apo pa to, misionin e vet të artistit e të intelektualit e viktimizion për shkaqe e motive të cilat nuk i bëjnë nder.
● Si i komentoni qëndrimet radikale të intelektualëve të shquar serbë e shqiptarë, me të cilat, krijohet përshtypja, këputen edhe ato pak fije bashkëjetese të serbëve e shqiptarëve në Kosovë, apo ndoshta konsideroni se bashkëjetesa është e pamundur? ► Do të jem krejtësisht i hapur dhe i sinqertë, ndryshe nuk ka kuptim biseda jonë. Pyetja juaj sikur i barazon pozicionimet [pa] dallim mes qëllimeve radikale të njërës dhe të palës tjetër. Ka, dhe dallimi është radikal, pothuaj i pakapërcycshëm: Ndërkohë që radikalistët shqiptarë nuk kërkojnë asgjë më shumë se sa liri, vetvendosje dhe pavarësi për vete, pa i munguar kujt as qimet e flokut, radikalistët serbë kërkojnë zgjidhje militare, dhunë, represion e terror, përzënie të shqiptarëve nga trojet e tyre etnike, ndërrim të dhunshëm të strukturës etnike, kolonizim e serbizim të Kosovës, zhbërje nacionale të qenies së tjetrit. Ky pozicionim, që është manifestim brutal dhe i shëmtuar i errësimit dhe erozimit të ndërgjegjjes nga pasione patologjike të urrejtjes ndaj tjetrit, nuk i bën nder as individit, as artistit e intelektualit, dhe as popullit në emër të interesave “të larta” të të cilit prononcohet.
● A është e mundur bashkëjetesa? ► Kjo është kryepyetja. Kryepërgjegjjen nuk e jep dot individi, e jep populli. Të dy popujt. Mundësitë e bashkëjetesës i provuam bashkë kaq gjatë në histori dhe në të gjitha variantat na doli e padurueshme dhe e pamundur. Dëshmitë e fundit ishin fatale, ishin tragjike. Duket sikur me bashkëjetesën mes popujve dhe me bashkëshortësinë është njësoj. Kur thyhen, thyhen si kupa e qelqtë, nuk ngjiten dhe nuk amohen më. Tani ne shqiptarët duam që, nga bashkëjetesa e keqe, të bëjmë fqinjësi të mirë. Ndoshta të dyja palët jemi më të përshtatshme për të dytën.
● Pos ndonjë tentimi të zbehtë imitimi të dialogut, dialog të njëmendët serbo-shqiptar nuk kishte deri sot. Sa mund t’i kontribuojnë intelektualët e pavarur normalizimit të marrëdhënieve dhe vendosjes së dialogut serioz politik? ► Intelektualët, po qenë intelektualë seriozë, nuk mund të mos jenë të pavarur. Intelektualët, po qenë të pamanipuluar e të painstrumentalizuar nga pushteti e politika, të painfektuar nga sëmundje urrejtjesh nacionale, janë pa dyshim më të miratueshmit të shtrojnë udhën dhe klimën e arsyes e të vullnetit të mirë, të qetësojnë euforitë banale e pasionet nacionaliste, të zbusin e të humanizojnë raportet, të ndërtojnë besimin në nevojën, në domosdonë dhe në mundësitë e dialogut. Kush tjetër pos intelektualëve dhe para intelektualëve. Të dy popujve tanë u uroj që tani, në të hyrë në shekullin njëzetenjë, ta kenë më të mençur kokën sesa pushkën. Artistët shqiptarë, disa vite të fundit, shumë rrallë kanë marrë pjesë në manifestime kulturore në Serbi. Edhe ato pak tentime që u bënë, është përshtypja se u instrumentalizuan nga garniturat politike. Në ca raste, artistët e tillë u shpallën “tradhëtarë” të interesave nacionale. A nuk ju duket edhe kjo pyetje paksa e instmmentalizuar dhe a nuk është më mirë që përgjigjen ta lëmë për kohë më të mira?
● Pas rënies së komunizmit në vendet evro-lindore, ndihet nevoja e krijuesve të tyre për të pushtuar hapësira të reja në rrjedhat kulturore evropiane e botërore. Çfarë është depërtimi i krijuesve shqiptarë në këtë plan? ► Hapja e Shqipërisë ndaj botës, pas aq kohë mbylljeje e izolimi, pas aq kohë vetëmjaftimi që është vetvrasës për kulturën e çdo populli, është hapje e udhëve dhe e vlerave për komunikim kulturor me botën. Po sistemohen përpjekjet të depërtohet me vlerat më të mira. Vlera te tilla ka nga shumë fusha të krijimtarisë dhe rezultatet, jo vetëm me një Kadare, janë kurajuese. Kurajim, vetëvetiu, na përket edhe ne këtu sepse një është kultura shqiptare./ KultPlus.com
Si sot, me 10 shkurt 2007 u mbajtën protestat në Prishtinë, për kundërshtimin e ndodhive të fundit që po ndodhnin asokohe.
Fotografitë nga ajo ditë, tregojnë vetë situatën dhe revoltën e qytetarëve.
Pastaj përkujtohen edhe dy të vrarët më 10 shkurt 2007, Mon Balaj e Arben Xheladini.
“Në përpjekje për ta ndalur kundërshtimin që qytetarët e Kosovës po i bënin Pakos së Ahtisaarit, më 10 Shkurt 2007, policia e UNMIK-ut, përveç që vrau Monin dhe Arbenin, i plagosi edhe mbi 80 demonstrues. Zenel Zeneli vazhdon ta ketë plumbin në afërsi të zemrës, Hysni Hyseni e ka humbur syrin nga plumbat e policisë, Mustafë Nerijovaj ishte qëlluar me plumb në ballë duke e ndihmuar një të plagosur” ka shkruar sot në rrjetin social Facebook Dejona Mihali nga VV./KultPlus.com
Një emër i spikatur i letërsisë shqiptare dhe që përfaqësonte gruan e pavarur dhe inteligjente ishte Musine Kokalari, shkruan KultPlus.
E lindur në Turqi, Musineja rikthehet me familje në Gjirokastër ku e vazhdon shkollimin deri për studimet akademike.
Studimet në Universitetin e Romës, në Itali, i kreu shkëlqyeshëm në vitin 1941. Teza e disternacionit të saj ishte “Naim Frashëri”, një studim pak i njohur, ndonse i çmuar në literaturën naimjane.
Në librin “Si lindi partia social demokrate”, Musineja kishte përshkruar pasionin e saj përgjatë përgatitjes së disteracionit të temës, duke e çmuar lartë kontributin e Naim Frashërit në letërsinë shqiptare.
“…Une u laurova më Nëntor 1941, duke mbrojtur tezën në përgjithësi për jetën dhe veprën e Naim Frashërit, në katedrën e gjuhës shqipe që përfaqesohej nga arbëreshi Zef Skiroi
dhe Namik Resuli. Ne jemi brezi i rritur dhe ushqyer me ndjenja, mendime te vëllezërve Frashëri. Ata të tre ishin per ne apostuj të shqiptarizmit, të lirisë, te barazise, te demokracisë. …Une e kam njohur këtë ambient që në vogëli. Jam rritur me gjithshka qe rritej, zhvillohej, kërkohej, ishte mbështetur ne botëkuptimin e thellë iluminist dhe në reformimin e parlamentarizmin që na ushqeu Sami Frasheri që në bankat e shkollës…”, kishte shkruar Kokalari.
KultPlus ua sjell pamjen origjinale të diplomës së doktoraturës së Musine Kokalarit. / KultPlus.com
Shumë prej frazave për ekzistencën nga Aleksander Pushkini, janë nxjerrë nga poezitë e tij dhe fjalët e shprehura nga personazhet në romanet e tij. Janë të gjitha shumë të bukura, të thella dhe të veçanta, shkruan KultPlus.
Babai i letërsisë moderne ruse ka pasur një ekzistencë të trazuar. Si për mënyrën e tij të veçantë të të parit të botës, ashtu edhe për frymën rebele që e ka dalluar gjithmonë. Për pjesën më të madhe të jetës së tij ai u interesua për politikën, më shumë për etikën e saj sesa për ethet e pushtetit.
“Njerëzit janë shumë të ngjashëm me nënën e tyre të parë Evën: për atë që u jepet nuk janë mirënjohës e të kënaqur. Gjarpri i bind ata të shkojnë me të, drejt pemës së jetës. Ata duan të kenë frutin e ndaluar, ose parajsa nuk do të jetë parajsë për ta”.
Ky poet i madh rus pësoi persekutime të ndryshme dhe jetoi shumë vjet në internim. Pothuajse gjatë gjithë jetës së tij ai nuk njohiu qetësi. Vdiq në moshën 37 vjeç në një duel absurd, por fjalitë e tij mbi ekzistencën ende mbahen mend pas shumë shekujsh. Ja disa prej tyre.
Fraza për ekzistencën dhe vuajtjen nga Alexander Pushkin
Prodhimi i parë letrar i këtij poeti pati një ndikim të konsiderueshëm në romantizëm. Në njërën prej frazave të Aleksandr Pushkinit thuhet: “Vala e zemrës, mashtrimi magjepsës, na bën të vuajmë shumë shpejt”. Kjo frazë pasqyron frymën dramatike që karakterizoi shkrimtarët romantikë të epokës së tij.
Një citim tjetër nga autori rus pasqyron ndjenjën melankolike dhe idealiste tipike të shekullit të tetëmbëdhjetë. “Më mirë të rrimë këtu dhe të presim, mbase stuhia do të qetësohet dhe qielli do të ndriçohet, më pas ne do të jemi në gjendje të gjejmë rrugën tonë përmes yjeve”.
I huaji është i panjohuri
Pushkini u internua sepse ishte pjesë e një grupi sekret politik që ishte kundër monarkisë dhe sepse ai kishte botuar disa vargje që autoritetet i konsideronin subversive. Më vonë, edhe për shkak se në një letër personale u vetëshpall ateist.
Për të gjitha këto arsye, shumë nga fjalitë e Pushkinit për ekzistencën janë të ndërthurura me ndjesinë e të ndjerit larg, të përkatësisë në një realitet që nuk e ndjen të vetin. Një herë ai tha: “Shija e bukës së të tjerëve është e hidhur, thotë Dante, dhe shkallët e një shtëpie të huaj janë të rënda”.
Çdo gjë ka kohën e vet
Një nga temat e përsëritura në citimet e Aleksandar Pushkinit është rinia. Ndoshta sepse e kuptoi që vitet e tij rinore po kalonin shpejt për shkak të gjithë peripecive të tij, ose mbase sepse ai pa në këtë fazë të jetës më të mirën që mund të ofronte shpirti njerëzor.
Në shumë prej veprave të tij ai u drejtohet të rinjve drejtpërdrejt. Një nga frazat më të njohura thotë: “Duke parashikuar zërin e natyrës, ne nuk bëjmë asgjë, por dëmtojmë lumturinë tonë, dhe rinia e zjarrtë fluturon duke rendur pas këtij zëri”.
Realiteti nuk është gjithmonë gjëja më e mirë
Edhe pse veprat e fundit të Pushkinit kishin një ton më realist, poeti kurrë nuk e braktisi idealizmin që e karakterizonte. Ai ishte i vetëdijshëm për këtë, siç mund ta shohim në këtë thënie: “Një iluzion na lartëson më shumë se një mori të vërtetash të ulëta”. Do të thotë që është më mirë të kemi një ëndërr të madhe që na bën të rritemi, se sa shumë realitete të vogla që na bëjnë të mbetemi të mbërthyer në mediokritet.
Në një fjali tjetër ai shpreh këndvështrimin e tij më fort: “Për mua, më e dashur se shumë të vërteta të vogla, është iluzioni që lartëson”. Këtu, ai shprehet qartë se preferon ëndrrën e iluzionit në vend të zakonshmërisë.
Mbi moralin
Tema e moralit është e pranishme në tërë veprën e Pushkinit. Në veçanti, ai kritikonte falsitetin e jetës së oborrit, zakonet e kohës së tij dhe padrejtësitë e thella që pësonte populli. Për këto arsye, ai u kushtoi shumë reflektime këtyre problemeve.
Një tjetër prej frazave të tij të shkëlqyera thotë: “Klishetë morale janë shumë të dobishme kur nuk gjejmë brenda vetes sonë, justifikimet e sjelljes sonë”. Me këto fjalë ai nënvizon zakonin e disa njerëzve të gjejnë justifikime për sjelljen e tyre bazuar në idetë e të tjerëve, që merren si të mirëqena.
Aleksandar Pushkin ishte një shkrimtar i jashtëzakonshëm. Si një mendimtar, një njeri që jetoi para kohës së vet, ai vdiq i zhytur në borxhe, por në mënyrë paradoksale, ishte Cari Nikolla ai që shleu të gjitha borxhet e tij./KultPlus.com
Në një prej teatrove të Selanikut, këtë fundjavë, u kënduan këngët e Korit “Lira”.
Koncerti në Selanik i korit i cili mban titullin “Nderi i Kombit” ishte një ngjarje që ka ngjallur emocione të veçanta tek bashkatdhetarët që jetojnë në Greqi.
Në një sallë të mbushur plot me dashamirës të muzikës dhe artit, teatri “Aneton” u bë dëshmitar i një performance të paharrueshme, ku Kori “Lira” përcolli disa nga pjesët më të bukura të repertorit të tij, të cilat janë të lidhura me trashëgiminë muzikore të qytetit të Korçës dhe të gjithë Shqipërisë.
Dhjetëra emigrantë shqiptarë por edhe miqtë e tyre grekë kanë mbushur sallën e teatrit Aneton, ku performoi kori me histori 100-vjeçare. Ky aktivitet erdhi në përgjigje të ftesës së bërë nga Kori “Armonia” i Selanikut.
Kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo, në një mesazh në rrjetet sociale e vlerësoi këtë koncert si një rikthim te origjina, një moment emocionues me bashkatdhetarët që edhe pse larg atdheut ruajnë fort lidhjen me traditat dhe identitetin e tyre kombëtar./atsh/KultPlus.com
Bazilika Sinagogë e Sarandës është një nga monumentet më të rëndësishme arkeologjike të zbuluara në qytetin e Sarandës, në jug të vendit.
Ajo është një ndërtesë antike që daton nga periudha e vonë romake dhe është një nga sinagogat më të mëdha të zbuluara në rajon. Sinagoga është zbuluar gjatë gërmimeve arkeologjike të kryera në vitet e fundit dhe është e njohur për strukturën e saj të madhe dhe mozaikët e mrekullueshëm që janë gjetur në të.
Mendohet se hebrenjtë mbërritën në Shqipëri në katër periudha të ndryshme, që nga shekulli II. Ata madje krijuan një qytet të quajtur Jeriko e më vonë u quajt Orikum.
Sinagoga e Sarandës mendohet se është ndërtuar nga pasardhësit e hebrenjve që u vendosën në bregdetin jugor të Shqipërisë rreth vitit 70 pas Krishtit. Megjithatë, në shekullin VI, sinagoga u zëvendësua nga një kishë.
Gjatë shekujve XI-XII, Orikumi, i quajtur atëherë Jeriko, ishte pjesë e një krahine bizantine që përfshinte gjithashtu Kaninën dhe Vlorën. Kjo provincë, e njohur si provincia Jericho et Caninon, përmendet në dekretin perandorak dhënë Venedikut në 1198 nga Alexios III Angelos.
Sinagoga është një nga objektet më të vizituara nga turistë vendas e të huaj, që shkojnë në Sarandë, duke qenë se është një nga monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të rajonit.
Aty zhvillohen edhe vizita të organizuara, të nxënësve të shkollave, të cilëve specialistët e DRTK Vlorë u shpjegojnë historikun dhe vlerat e monumentit./atsh/KultPlus.com