Filmi kosovar “Vera andrron detin” në kinematë e Selanikut

Nën organizimin e Komunitetit Shqiptar të Selanikut, filmi kosovar fitues i shumë medaljeve ndërkombëtare “Vera andrron detin” do të shfaqet në dy kinematë e njohura verore të Bashkisë Neapoli-Sykies të Selanikut, përcjell KultPlus.

Për të gjithë të interesuarit, filmit do të shfaqet sipas programit të mëposhtëm:

Kinema “Παράδεισος”, zona Strembeniotis, Neapoli, më datë 3 – 6 gusht, ora 21:15 dhe në Kinema “‘Αλσος”, kodra e Alsos, Sykies, datë 7 – 9 gusht, ora 21:15.

Me skenar nga Doruntina Basha dhe regji të Kaltrina Krasniqit, filmi është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosoves, Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë.

Sa i përket ngjarjes së filmit, Vera është një përkthyese e gjuhës së shenjave në moshë të mesme, e cila bën një jetë të mirë: një grua me një gjykatës të famshëm, një nënë mbështetëse dhe një gjyshe e kujdesshme. Paqja e saj prishet nga vetëvrasja e papritur e të shoqit e ndjekur nga një paradë e padëshiruar, kërcënuese e të afërmve që pretendojnë pronësinë e shtëpisë së familjes së tyre në fshat. Kur fillesat e një skeme të botës së krimit fillojnë të dalin në sipërfaqe, bota e Verës do të përballet me rrezikun dhe do të duket e gatshme të shembet. Frika dhe mosbesimi do ta detyrojnë Verën të marrë në duart e saj fatin e familjes.

Aktorët në rolin kryesor janë Teuta Ajdini Jegeni, Astrit Kabashi dhe Alketa Sylaj. / KultPlus.com

Mbahet mesha e parë në gjuhën shqipe në Selanik

115 vjet pas meshës së parë në gjuhën shqipe për ortodoksët shqiptarë nga At Fan Noli në Boston të Shteteve të Bashkuara, një tjetër meshë në shqip u mbajt jashtë Shqipërisë e pikërisht në Selanik të Greqisë.

Të dielën, në Kishën e Shën Konstandinit dhe Shën Elenës, besimtarët ortodoksë vendosin një gur të rëndësishëm në kulturën, jo vetëm të besimit të tyre, por të jetesës dhe gjithë kulturës shqiptare në Greqi, shkruan Euronews.al.

Mbajtja e meshës së parë në gjuhën shqipe në Selanik u bë me dije nga komuniteti shqiptar i Selanikut. / KultPlus.com

Sot mbushen 88 vjet nga vrasja e Hasan Prishtinës

Hasan beg Prishtina ishte ideolog dhe veprimtar i shquar i Rilindjes Kombëtare Shqiptare; përfaqësues i lëvizjes për një shtet demokratik në Shqipëri dhe një nga frymëzuesit kryesorë të idesë për çlirimin e Kosovës dhe bashkimin e saj me shtetin shqiptar.

Ky ideolog i shquar dhe udhëheqës i palodhur i kryengritjes së përgjithshme për pavarësinë e tokave shqiptare, tërë pasurin e dha për çështjen kombëtare shqiptare. U lind në Vushtrri, më 27 prill 1873, i njohur si Hasan Berisha, Polaci. Pinjoll i bejlerëve të Vuçiternit, dera e tyre ka qenë një familje e nderuar spahinjsh vendas.

Hasan Prishtina ka qenë i përkushtuar vazhdimisht në çështjen kombëtare dhe si deputet, ai në parlament ka diskutuar kryesisht tema të karakterit ekonomik e social. Në fillimin e vitit 1912, Hasan Prishtina, vazhdoj me rritjen e vendosmërisë revolucionare për të siguruar liritë kombëtare shqiptare, duke organizuar një revolucion kombëtar e demokratik në bashkëpunim me popujt tjerë, kundër pushtimit otoman. Mori pjesë në përgatitjen dhe organizimin e Kongresit të Lushnjës (1920) dhe në prill 1921 u zgjodh deputet i Dibrës në parlamentin shqiptar.

Ai u shqua si luftëtar për mbrojtjen e “zonës neutrale” të Junikut nga forcat serbe dhe ato zogiste, si udhëheqës i Lëvizjes nacional-çlirimtare të Kosovës kundër sundimit serb. Më 7 dhjetor 1921 u zgjodh nga Kuvendi Popullor Shqiptar, Kryeministër dhe Ministër i jashtëm por, më 10 dhjetor 1921 ai jep dorëheqjen mbas kundërshtimeve të disa deputetëve që i kryesonte Ahmet Zogu. Kështu, për të shmangur gjakderdhjen midis shqiptarëve, Hasan Prishtina vendos të mbetet vetëm deputet i atij Kuvendi. Përpos ndikimit dhe aktivizmit në politikë, Hasan Prishtina ka pasur kontribuuim të madh edhe në arsim. Duke kundërshtuar qeverinë turke, ndau 5% e të ardhurave të tij, poashtu përmes një artikulli në gazetë, ai kërkoj nga patriotët e tjerë shqiptarë të ndanin edhe ata një pjesë të të ardhurave në ndihmë të shkollave shqipe. Me këto mjete financiare ai ishte në gjendje të siguronte mirëmbajtjen e dhjetë shkollave shqipe në Kosovë.

Hasan Prishtina njihet si një veprimtar me vlera të larta morale e mbi të gjitha, si një atdhetarë i flaktë. Ai u vra më 13 gusht, 1933 në Selanik të Greqisë.

Në vitin 1977 eshtrat e tij u sollën nga Selaniku në Shqipëri. / KultPlus.com

Në Selanik nis cikli mësimor i gjuhës shqipe

Të dielën, më 7 tetor, ora 11:30, në godinën e Fakultetit Pedagogjik të Universitetit “Aristoteli” në Selanik, Shoqata e Emigrantëve Shqiptarë “Nënë Tereza” fillon ciklin mësimor të gjuhës shqipe për vitin akademik 2018-19, shkruan KultPlus.

Fëmijët e emigrantëve shqiptarë të moshave 6-17 vjeç janë të mirëpritur të regjistrohen për të filluar ose për të vazhduar mësimin e tyre në gjuhën shqipe nën kujdesin e mësuesve vullnetarë të kualifikuar.

Paralelisht do të bëhen regjistrimet për grupin e valleve popullore me nxënësit e ciklit mësimor. / KultPlus.com