20 vjet nga Trazirat e Marsit

Trazirat e Marsit në vitin 2004, është rasti më i keq i dhunës etnike në Kosovë që nga fundi i konfliktit 1999 shpërtheu në qytetin e ndarë të Mitrovicës, duke lënë qindra të plagosur dhe rreth 20 njerëz të vdekur.

Më 17 mars 2004, filluan protestat që më vonë do të përmenden si “Trazirat e marsit”. Ato zgjatën dy ditë, e gjatë tyre vranë 19 civilë, nga të cilët 11 shqiptarë dhe 8 serbë, ndërsa u lënduan mbi 900 persona, kryesisht shqiptarë.

Trazirat shpërthyen pas njoftimeve se në lumin Ibër ishin mbytur dy fëmijë shqiptarë si pasojë e dhunës së serbëve, ndërsa shkaku i kësaj tragjedie asnjëherë nuk u sqarua plotësisht.

Disa fëmijë që mbijetuan në orët e vona, po atë natë treguan para kamerave se ishin ndjekur nga serbët dhe se ata ishin duke ikur, kur disa nga bashkëmoshatarët e tyre u mbytën në lumë. Të nesërmen, më 17, mars filluan protestat në shumë qytete të Kosovës, që shumë shpejt përshkallëzuan në dhunë. / KultPlus.com

20 vjet nga Marrëveshja e Kumanovës, kapitullimi i Millosheviqit

Sot bëhen 20 vjet nga nënshkrimi i marrëveshjes ushtarako-teknike të Kumanovës, me të cilin iu dha fund luftës në Kosovë, duke u dorëzuar ish-ushtria e Jugosllavisë dhe kapitullimi i kriminelit Sllobodan Millosheviqi.

Me këtë marrëveshje, Serbia është detyruar të tërheqë të gjitha forcat e saj policore dhe ushtarake nga Kosova. Marrëveshja është arritur pas fushatës së bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe, e cila ka zgjatur për 78 ditë me radhë, si dhe pas përpjekjeve të ndryshme diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Kosovë, gjatë të cilës mbi 10 mijë njerëz janë vrarë, rreth 5 mijë të tjerë të zhdukur dhe mbi 1 milion shqiptar të zhvendosur. Shkatërrimet materiale po ashtu kanë qenë masive.

Më 12 qershor të vitit 1999, në Kosovë kanë zbarkuar trupat e para të këmbësorisë së NATO-s, ndërsa ka nisur largimi i forcave serbe.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-së, Havijer Sollana, më 10 qershor 1999 kishte lëshuar urdhrin për ndalimin e bombardimit dhe Këshilli i Sigurisë së OKB-së miratoi rezolutën 1244, ku u dërguan 37.200 ushtarë të KFOR-it nga 36 shtete.

Misioni ishte i ndarë në pesë zona të përgjegjësisë, që i përkisnin KFOR-it Amerikan, Anglez, Francez, Gjerman dhe Italian.

Me hyrjen e NATO-s, në Kosovë ka nisur edhe vendosja e misionit të përkohshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i cili do të administronte vendin për një periudhë të caktuar kohore.

Në të njëjtën kohë, është shpërbërë edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës, për t’u shndërruar në Trupat Mbrojtëse të Kosovës. / KultPlus.com

20 vjet nga dalja publike e UÇK-së

Sot bëhen 20 vjet nga dala publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Mujë Krasniqi, Daut Haradinaj dhe Rexhep Selimi, më 28 nëntor të të vitit 1997, në Llaushë të Skenderajt në varrimin e mësuesit Halit Geci kanë dalë për herë të parë para opinionit publik si pjesëtarë të UÇK-së.

Kësaj dalje i paraprijnë luftimet e para frontale ndërmjet UÇK-së dhe policisë serbe, të drejtuara nga komandanti legjendar, Adem Jashari.

Më 25 nëntor 1997 forcat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të drejtuara nga komandanti legjendar, Adem Jashari, sulmuan forcat e policisë në Vojnik të Skenderajt, të cilat u tërhoqën, duke lënë të vrarë dhe të plagosur.

Të nesërmen me 26 nëntor, një ekspeditë ndëshkimore me 10 automobila e mjete të tjera të motorizuara u drejtuan për në ketë fshatë, ku UÇK prapë i sulmoi dhe pas katër orë luftimesh të rrepta, forcat e policisë u tërhoqën duke lënë prapa të vrarë dhe të vdekur.

Në tërheqje e sipër, forcat serbe, të egërsuara nga goditjet që u kishte dhënë UÇK, filluan të qëllojnë pa mëshirë kundër kujtdo që shihnin dhe në fshatin Llaushë ata vranë mësuesin Halit Geci në derë të shkollës, i cili u varros me një ceremoni të madhe më 28 nëntor 1997.

Në këtë ceremoni varrimi, ku morën pjesë dhjetëra-mijëra qytetarë nga mbarë Kosova, u bë dalja e parë publike e UÇK-së./ KultPlus.com

‘Fundi i heshtjes’, shfaqet dokumentari në 20 vjetorin e protestave studentore

Sot bëhen 20 vjet nga mbajtja e protestave studentore që u organizuan nga Unioni i Pavarur i Studentëve i Universitetit të Prishtinës (UPSUP).

Kjo demonstratë që nisi në si lëvizje studentore llogaritet edhe si një ndër ngjarjet më të mëdha të historisë më të re të Kosovës.
Pas 1 tetorit protestat studentore morën përmasa gjithë popullore. Në Kosovë ndryshoi gjithçka. Politika paqësore pasive u zëvendësua me rezistencë aktive e më pas u shndërrua edhe në luftë të armatosur.

Për këtë ngjarje që sivjet mbushë 20 vjet produksioni “Anna” ka realizuar një dokumentar me titull “Fundi i heshtjes”.

Aty flasin protagonistët kryesorë të ngjarjes, organizatorët, mbështetësit e saj. Flasin edhe ata që e kundërshtuan organizimin e kësaj proteste. Në këtë dokumentar 50 minutash flasin edhe ata që rrezikuan jetën për të qenë pjesë e këtij organizimi.

Dokumentari që mban autorësinë e gazetarit Arsim Lani, shpalosë për herë të parë prapaskenat e kësaj ngjarje, sfidat, rreziqet por edhe këmbënguljen.
Kjo ngjarje nuk nis dhe përfundon vetëm me protestat e 1 Tetorit. Ato ishin pikënisje e zhvillimeve tjera që do ndodhin në Kosovë e që do kulmonin me lirinë e Kosovës.

Gjithçka që nga ideja për organizimin e protestës, mbajtjen e saj, protestat e mëvonshme, fillimi i luftës dhe deri të Liria e Kosovës janë të përmbledhura në dokumentarin “Fundi i heshtjes” që shfaqet në Kinema ABC në Prishtinë në orën 20:00 dhe transmetohet drejtpërdrejtë në RTK1./ KultPlus.com