Nderohet Hasan Prishtina, përurohet në Elbasan memoriali për atdhetarin që kontribuoi për arsimin

Për Elbasanin ky 7 Mars nuk kujton vetëm Ditën e Mësuesit, por edhe vitin jubile të 115 vjetorit të çeljes së Shkollës Normale.

Për të nderuar këto dy data shumë të rëndësishme Fondacioni Hasan Prishtina i dhuroi shkollës Normalet të Elbasanit memorialin e Hasan Prishtinës i cili 115 vite më parë dhuroi të gjithë pasurinë e tij për të shkolluar në këtë Normale plot 70 djem të cilët më pas do të përçonin Gjuhën Shqipe në të gjitha trojet shqiptare.

Pasardhës të patriotëve të asaj kohe, të pranishëm në këtë ceremoni dhanë mesazhin e plotësimit të amanetit të paraardhësve të tyre, amanet i cili kërkon bashkimin e shqiptarëve dhe një arsim gjithnjë e më shumë pranë standardeve të BE.

Në këtë ditë të rëndësishme për Normalen e Elbasanit morën pjesë normalistë dhe shumë vizitorë nga Kosova e Maqedonia të cilët vizituan Muzeun dhe u njohën me historinë e Normales./TopChannel/KultPlus.com

Hasan Prishtina dhe Ahmet Zogu në një fotografi të rrallë

Hasan Prishtina dhe Ahmet Zogu në një fotografi të shkrepur në Vjenë, në vitin 1917, shumë kohë para se mes të dyve, të niste armiqësia – shkruan Blendi Fevziu, i cili përcjell këtë shkrepje historike.

“Vjenë, 1917. Hasan Prishtina dhe Ahmet Zogu, në një fotografi të rrallë.

Të dy, më pas do të ishin deputetë, kryeministra dhe deri armiq politikë.

Hasan Prishtina u ndalua nga policia austriake, për atentatin e dështuar ndaj mbretit Zog në Vjenë, ndërsa Zogu u akuzua për vrasjen e Hasan Prishtinës në Selanik. Të dy bashkë, i kanë sot monumentet në qendër të Tiranës”, – shkruan ai. / KultPlus.com

Hasan Prishtina më 1927: Përderisa përndiqen shqiptarët, nuk do të ketë ‘vëllazëri ballkanike’

“La Liberté” ka botuar të premten e 8 korrikut 1927, në faqen e tretë, intervistën e Hasan Bej Prishtinës, dhënë asokohe gazetës “La Transalpine”. Patrioti dhe intelektuali shqiptar ndër tjera ka shprehur mendimin e tij për reagimin e kundërshtarit politik dhe personal të tij, Ahmet Zogut, ndaj Jugosllavisë. Artikulli është si më poshtë.

Incidenti (arrestimi i përkthyesit të legatës jugosllave në Tiranë, Vuk Gjurashkoviq, për çështje spiunazhi) midis Jugosllavisë dhe Shqipërisë është zgjidhur përfundimisht. Megjithatë, rifillimi i marrëdhënieve diplomatike midis dy qeverive nuk do të jetë aq i shpejtë sa mund të ishte shpresuar. Në të vërtetë, përfaqësuesit e të dy vendeve do të zëvendësohen dhe ardhja e tyre në destinacion duhet të ndodhë në të njëjtën kohë, konsiderohet se do të zgjasë dhjetë apo pesëmbëdhjetë ditë përpara se të rifillojnë përfundimisht marrëdhëniet diplomatike.

Një prej emigrantëve politikë më eminentë shqiptarë, Hasan Bej Prishtina, ish-President i Këshillit të Shqipërisë, kundërshtar politik dhe personal i Ahmet Zogut, bëri deklarata të rëndësishme për shtypin:

“A është e vërtetë”, e pyetën z. Hasan Bej, “se Shqipëria përbën një rrezik për Evropën”?

“Ky lajm është përhapur nga disa gazeta në Beograd. Por, për të kuptuar se kjo është vetëm një zhurmë tendencioze, duhet të kujtojmë se këto gazeta filluan të flasin për rrezikun vetëm ditën kur Shqipëria u bë e pavarur nga politika e Beogradit. Unë jam një kundërshtar i ashpër i Ahmet Zogut, por duhet të pranoj se këtë herë ai ka vepruar, me të vërtetë, në mënyrë të arsyeshme.

“Dhe çfarë mendoni për formulën që përsëritet kaq shpesh: Ballkani për popujt e Ballkanit?”, e pyetën sërish Hasan beun.

“Kjo është një formulë e shkëlqyer, me kusht që vetë Ballkani të fillojë të japë shembullin. Për shembull, si mund të flitet për ‘vëllazërim’ mes jugosllavëve dhe shqiptarëve, nëse Beogradi vazhdon politikën e tij të përndjekjeve kundër shqiptare? Z. Ferat Draga, deputet nga Kosova, u dënua me 20 vjet burg sepse… ai donte të mbronte të drejtat e shqiptarëve. Mund të ju japim një listë të gjatë persekutimesh kundër shqiptarëve… Në këto kushte, si të arrihet një ‘vëllazëri ballkanike’”? /Darsiani/KultPlus.com

Hasan Prishtina në film e kujtesë

150 vjetori i lindjes dhe 90 vjetori i rënjës së atdhetarit, intelektualit, diplomatit e burrshtetasit shqiptar Hasan Prishtina, i kishte mbledhur të premtën pasdite intelektualë, profesorë, krijues, gazetarë e nxënës të The British School of Kosova për ta nderuar këtë figurë gjigante. E ideuar nga shkrimtarja Naime Beqiraj dhe mbajtur në teatrin “Faruk Begolli” në AAB, në këtë ngjarje u mbajtën fjalë rasti dhe u shfaq një film dokumentar.

Drejtori i The British School of Kosova Lulzim Tytynxhiu në fjalën e tij Hasan Prishtinën e quajti figurën më përfaqësuese e Rilindjes Shqiptare. “Ideator dhe aksionar i Pavarësisë së Shqipërisë, ai mbeti mbrojtës dhe kërkues i përhershëm i të drejtave të shqiptarëve të Kosovës nën regjimin e Jugosllavisë së parë përmes Komitetit Mbrojtja. Hasani dha gjithçka për atdheun duke mos kërkuar asgjë në këmbim, dhe ky është përkufizimi maksimal i njeriut idealist”. Ndërkaq profesori i historisë Azdren Shala, Hasan Prishtinën e konsideroi nga ato figura të rralla të historisë i cili idealizmin e jetoi çdo ditë, pavarësisht situatave që impononin konformizëm. “Prandaj ai është progresisti i madh falë kontributit të të cilit, u bë e mundur pavarësia e Shqipërisë. Nëse sot brezave të rinj u duhet një shembull se di duhet vendi e shoqëria, padyshim ai është modeli që ndoqi Hasan Prishtina. Simbol i rezistencës e shëmbëlltyrë për të gjithë, tek ai gërshetohet guximi për të vepruar dhe qartësia e njeriut të penës. Njeriu që gjithë jetën e tij i vuri në harmoni bukurinë e ëndërrimeve dhe vrazhdësinë e jetës, ai i pajtoi shumë mirë aksionin me mendimin. Kështu, ai përveç kontributit të madh në krijimin e Shqipërisë reale, ai krijoi edhe një tjetër imagjinare, të tejkohshme e cila do tu shërbente shqiptarëve të mbetur jashtë Shqipërisë Londineze, çdoherë e sa herë kishte nevojë për mobilizim, shëmbëlltyra e tij kishte efekte mobilizuese”.

Portreti i kolosit Hasan Prishtina, i punuar me laps nga ana e nxënësit Jon Dobruna në përkujdesje të profesoreshës së pikturës Fjolla Ferati ju dhurua fondacionit “Hasan Prishtina”, ndërkaq Mehmet Prishtina drejtori i Fondacionit “Hasan Prishtina”, duke ju drejtuar veҁanërisht nxënësve të shkollës The British School of Kosova, shkoqiti: “Do të isha i lumtur nëse në kujtesën tuaj ngelin disa dromca njohurish të reja mbi rrugëtimin atdhetar të Hasan Prishtinës, sepse udhëtimi ndonëse ishte plot me sfida e sakrifica, megjithatë e kishte një cak: lirine dhe pavarësinë e kombit tonë. Ai nuk e arriti këtë çast, por jeni ju që po e gëzoni lirinë dhe pavarësinë e ëndërruar nga Hasan Prishtina”.

Filmi “Gjurmëve të Hasan Prishtinës” është vepër e gazetarit nga Tirana Genc Ymeraj, ndërkaq është xhiruar në Prishtinë, Tiranë, Selanik, Shkup, qytete e lokalitete të tjera shqiptare, ndërkaq në film flasin intelektualë e historianë: Shefqet Hoxha, Luan Zyka, Hasan Bello, Mehmet Prishtina, Skender Asani e Xhavit Llashi.
Dokumentari u mirëprit nga të pranishmit, me theks të veҁantë nga nxënësit duke krijuar interaksionin emocional e njerëzor, sepse përmbajtja që përçon ky film aktivizon tek të rinjtë sensin për të shijuar vlerat nga e kaluara përmes artit. Fjala është për një projekt dokumetar- artistik, që synon të ushtrojë ndikim në dy rrafshe: në rrafshin informues dhe në atë edukues. Duke u bërë bashkë këto dy komponente, dokumentari mbetet pjesë e vlefshme e kujtesës së tyre – si diçka me vlerë që do të ketë nevojë sërish të përsëritet në mbamendjen e të rinjëve si vepër mjaft e vlefshme për zhvillimin e personaliteteve dhe karaktereve e të rinjëve.

Ky aktivitet që u mbajt sot është i pari që organizohet në shenjë të 150 vjetorit të lindjes dhe 90 vjetorit të rënjës së Hasan Prishtina./KultPlus.com

“Mos ma prek Hasan Prishtinën”, mbushet me mbishkrime Kampusi i Universitetit

Iniciativa për heqjen e emrit të Heroit Kombëtar Hasan Prishtina nga Universiteti i Prishtinës ka nxitu reagime të ashpra nga student të po këtij Universiteti, që nga publikimi i kësaj iniciative, studentet nuk po gjejnë qetësi, ata kanë organizuar një peticion me anë të cilit po kërkojnë që të mos hiqet emri “Hasan Prishtina” nga Universiteti i Prishtinës e po ashtu po kërkojnë edhe shkarkimin e Rektorit Qerim Qerimi.

Mbështetje të fuqishme organizimit të studenteve iu është dhënë nga Fondacioni “Hasan Prishtina”, nuk kanë munguar as reagimet e personaliteteve të ndryshme si nga jeta akademike, shkrimtarëve, historianëve, opinionistëve, politikanëve si dhe shumë kategorive të tjera nga jeta publike nga të gjitha trojet shqiptare dhe nga mërgata.

Se fundi studentët e Universitetit të Prishtinës, me sloganin “MOS MA PREK HASAN PRISHTINËN” kanë vendosur mbishkrime në muret dhe rrugët e kampusit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” si shenjë kundërshtimi ndaj propozimit për heqjen e emrit “Hasan Prishtina” nga Universiteti i Prishtinës. Kundërshtime të ashpra ndaj nismës për heqjen e emrit kanë ardhur edhe nga Fondacioni “Hasan Prishtina” të cilët kanë paralajmëruar se do të përdorin të gjitha mjetet ligjore dhe demokratike për ta penguar këtë nisme dashakeqëse.

Në përfundim të peticionit, Fondacioni “Hasan Prishtina” së bashku me studentë e UP-së kanë organizuar mbrëmje argëtuese për studentët, kjo mbrëmje do të mbahet në Qendrën e Studentëve këtë të enjte me 25.05.2023, organizatorët kanë paralajmëruar se për argëtimin e studenteve do të kujdeset Ganja & ProBand, me ç’rast do të ketë pije falas dhe befasi të tjera. Aksionin e tyre kundër ndryshimit të emrit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina “, studentet e kurorëzojnë me një mbrëmje argëtuese. / Express / KultPlus.com

Marin Mema: Propozimi për heqjen e emrit të Hasan Prishtinës nga Universiteti i Prishtinës është absurd

Marin Mema

Propozimi për heqjen e emrit të Hasan Prishtinës nga Universiteti i Prishtinës është absurd. Ne duhet të krenohemi me figura të tilla. Unë e kuptoj që ka probleme apo procedura që ndikohen nga faktorë të tjerë, por kjo nuk duhet të na bëjë të tërhiqemi nga e drejta.

Propozimi me sa është bërë e ditur lidhet me pengesat që krijon universiteti i hapur ilegalisht nga strukturat paralele serbe në veri të Mitrovicës. Dhe duke qenë se ai universitet ilegal është emërtuar qëllimisht “Universiteti i Prishtinës” , në arenën ndërkombëtare , Universiteti i vërtetë i Prishtinës emërtuar “Hasan Prishtina” ka probleme në rankimet e procedurat ndërkombëtare. Ky është justifikimi zyrtar. Por pse duhet hequr emri “Hasan Prishtina” UP- së dhe jo delegjitimuar universiteti paralel në Mitrovicën veriore ? Po sikur “nesër” serbët me këtë precedent të ndikojnë në ndryshimin e emërtimeve të tjera ? Të imponojnë gjithnjë e më shumë ? Sot universitetin, nesër aeroportin, stadiumin etj etj etj. Çfarë është kjo ?

Emrat e universiteteve “Ismail Qemali” në Vlorë, “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, “Eqerem Çabej” në Gjirokastër apo “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, “Haxhi Zeka” në Pejë, “Kadri Zeka” në Gjilan, “Isa Boletini” në Mitrovicë etj etj janë krenari, identitet. Ne duhet ti vlerësojmë e ruajmë figurat tona e jo ti largojmë, fshehim, shuajmë sipas imponimeve e dëshirave të të tjerëve. Me emrat e figurave nuk luhet.

Hasan Prishtina dhe Ahmet Zogu në një fotografi të rrallë

Hasan Prishtina dhe Ahmet Zogu në një fotografi të shkrepur në Vjenë, në vitin 1917, shumë kohë para se mes të dyve, të niste armiqësia – shkruan Blendi Fevziu, i cili përcjell këtë shkrepje historike.

“Vjenë, 1917. Hasan Prishtina dhe Ahmet Zogu, në një fotografi të rrallë.

Të dy, më pas do të ishin deputetë, kryeministra dhe deri armiq politikë.

Hasan Prishtina u ndalua nga policia austriake, për atentatin e dështuar ndaj mbretit Zog në Vjenë, ndërsa Zogu u akuzua për vrasjen e Hasan Prishtinës në Selanik. Të dy bashkë, i kanë sot monumentet në qendër të Tiranës”, – shkruan ai. / KultPlus.com

Jepet premiera e filmit ‘Gjurmëve të Hasan Prishtinës’ në Prizren

Filmi dokumentar “Gjurmëve të Hasan Prishtinës”, e cila është vepër e gazetarit të RTSH-së, Genc Ymeraj, u shfaq premierë sot në ambientet e universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren.

“Është zgjedhur pikërisht ky vend, ky universitet me këtë emër shënjues si vazhdues i denjë i veprës së Hasan Prishtinës” tha Mehmet Prishtina, drejtor i fondacionit “Hasan Prishtina”.

Figura atdhetarit Hasan Prishtinë në këtë dokumentar ishte vënë në spikamë në hapësira të ndryshme të Ballkanit ku kishte vepruar ai si në Prishtinë, Shkup, Selanik, Tiranë, Vlorë, Vushtrri e vende të tjera duke sjellë pamje e të dhëna.

E ky film dokumentar është realizuar në shenjë të 110 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë./ KultPlus.com

Më 7 dhjetor 1921, Hasan Prishtina krijoi kabinetin qeveritar që ekzistoj vetëm për 5 ditë

Më 7 dhjetor 1921, Hasan Prishtina krijoi kabinetin qeveritar që ekzistoj vetëm për 5 ditë. Në këtë kabinet morën pjesë Zija Dibra si Ministër i Luftës, Luigj Gurakuqi si Ministër i Brendshëm, Fan Noli si Ministër i Punëve të Jashtme, Hoxhë Kadriu si Ministër i Drejtësisë, Kristo Dako si Ministër i Arsimit, Ahmet Dakli si Ministër i Financave, Haki Tefiku si Ministër i Punëve Botore dhe Bajram Curri si Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë. Forcat kundërshtare shfrytëzuan situatën e tensionuar me Jugosllavinë, për rrëzimin e kësaj qeverie.

Burimi: Albanian vintage photography, people, cities, culture and history. /KultPlus.com

Sot arrijnë shtatoret e Adem Jasharit dhe Hasan Prishtinës, përurohen më 28 Nëntor

Sot në fshatin Mushtisht të Suharekës, arrijnë dy shtatoret e heronjve kombëtarë Hasan Prishtina dhe Adem Jashari.

Këshilli i fshatit Mushtisht ka njoftuar se dy shtatoret e Hasan Prishtinë dhe Adem Jasharit nisen sot nga Tirana dhe në fshat arrijnë rreth orës 15:00.

Sipas njoftimit të Këshillit, fshati ka planifikuar që të organizohet për pritjen e tyre sot, derisa zbulimi i tyre bëhet ditën e hënë.

Në nderim dhe përkujtim të 28 nëntorit, festës së katërfishtë kombëtare, me 28 nëntor 2022, nga ora 12:00, përurohen shtatorja e ideologut të çlirimit dhe bashkimit kombëtar, Hasan Prishtina, dhe  ajo  e komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari./ KultPlus.com

Hasan Prishtina listoi në një telegram krimet serbe në Kosovë, Dibër e Lumë gjatë periudhës 1918-1920

Fitim Salihu

Para 89 vjetësh u vra Hasan Prishtina, një nga kontributdhënësit më të mëdhenj të çlirimit nga osmanët, të krijimit të shtetit shqiptar dhe, më pas, të çlirimit të tokave shqiptare nën pushtimin serb.

Këtë e dëshmon edhe ky telegram që e pata gjetur në Arkivin e Shtetit në Tiranë.

Në janar 1921, si kryetar i Komitetit të Kosovës, Hasan Prishtina niste një letër nga Shkodra, shkruar në frëngjisht, drejtuar Ministrisë britanike të Punëve të Jashtme, ku ai listonte disa nga krimet serbe në Kosovë, Dibër e Lumë në periudhën 1918-1920.

Hasan Prishtina përshkroi vrasjen e 20,000 burrave dhe 1,500 grave në Kosovë, si dhe djegien e 168 fshatarve dhe 4769 shtëpive, duke shtuar se për vetëm tri ditë të fundgushtit 1920 ishin vrarë 250 shqiptarë dhe ishin djegur 7,800 shtëpi në krahinat e Dibrës dhe Lumës.

Pasi informon për rrezikun e kolonizimit të Drenicës me kozakë vrangelistë-bellogardistë, në fund të telegramit, Hasan Prishtina paralajmëron Foreign Office-in se kolonizimi dhe represioni serb do të provokonin hakmarrjen e shqiptarëve, gjë që, siç thotë ai, “do ta komplikonte situatën në krejt Ballkanin”.

Burimi: Arkivi i Shtetit, Tiranë /KultPlus.com

Poezia e Adem Istrefit dedikuar Hasan Prishtinës

Më poshtë KultPlus ju sjell një nga poezitë e shkrimtarit Adem Istrefi dedikuar Hasan Prishtinës:

Baca i kryengritjes

(Ndryshe si mund të quhej Hasan Prishtina)

Kur ia vranë kryengritjes bacën
Thanë ia shuan lirisë gacën…

Mbi shtratin e një topi po vjen
i mbështjellë me flamur rrethu me dashuri
Nga një cep Jugu në një cep në Veri

Mbi shtratin e një topi
e në shpirtin e një kombi

Po hyn i gjallë
Po vjen me u çmallë…

S’dimë ku të të pushojmë
S’dimë ku të të mbajmë
Çdo pëllëmbë shqiptare ta ka borxh një varr

Se në atë dhe të huaj të ftohtë e të zi
Një fije bar a një gjethe në degë
S’ta tundnin erërat mbi varr

E s’vinte Shqipëria me nëna e bij
Të të mbillte lule e këngë përmbi…

(Nga vëllimi ”Pasha këtë dhe”, Tiranë, 1982) / KultPlus.com

Hasan Prishtina – atdhetari i flaktë dhe një nga veprimtarët më të shquar të Rilindjes Kombëtare

Hasan beg Prishtina ishte ideolog dhe veprimtar i shquar i Rilindjes Kombëtare Shqiptare; përfaqësues i lëvizjes për një shtet demokratik në Shqipëri dhe një nga frymëzuesit kryesorë të idesë për çlirimin e Kosovës dhe bashkimin e saj me shtetin shqiptar.

Ky ideolog i shquar dhe udhëheqës i palodhur i kryengritjes së përgjithshme për pavarësinë e tokave shqiptare, tërë pasurin e dha për çështjen kombëtare shqiptare. U lind në Vushtrri, më 27 prill 1873, i njohur si Hasan Berisha, Polaci. Pinjoll i bejlerëve të Vuçiternit, dera e tyre ka qenë një familje e nderuar spahinjsh vendas.

Hasan Prishtina ka qenë i përkushtuar vazhdimisht në çështjen kombëtare dhe si deputet, ai në parlament ka diskutuar kryesisht tema të karakterit ekonomik e social. Në fillimin e vitit 1912, Hasan Prishtina, vazhdoj me rritjen e vendosmërisë revolucionare për të siguruar liritë kombëtare shqiptare, duke organizuar një revolucion kombëtar e demokratik në bashkëpunim me popujt tjerë, kundër pushtimit otoman. Mori pjesë në përgatitjen dhe organizimin e Kongresit të Lushnjës (1920) dhe në prill 1921 u zgjodh deputet i Dibrës në parlamentin shqiptar.

Ai u shqua si luftëtar për mbrojtjen e “zonës neutrale” të Junikut nga forcat serbe dhe ato zogiste, si udhëheqës i Lëvizjes nacional-çlirimtare të Kosovës kundër sundimit serb. Më 7 dhjetor 1921 u zgjodh nga Kuvendi Popullor Shqiptar, Kryeministër dhe Ministër i jashtëm por, më 10 dhjetor 1921 ai jep dorëheqjen mbas kundërshtimeve të disa deputetëve që i kryesonte Ahmet Zogu. Kështu, për të shmangur gjakderdhjen midis shqiptarëve, Hasan Prishtina vendos të mbetet vetëm deputet i atij Kuvendi. Përpos ndikimit dhe aktivizmit në politikë, Hasan Prishtina ka pasur kontribuuim të madh edhe në arsim. Duke kundërshtuar qeverinë turke, ndau 5% e të ardhurave të tij, poashtu përmes një artikulli në gazetë, ai kërkoj nga patriotët e tjerë shqiptarë të ndanin edhe ata një pjesë të të ardhurave në ndihmë të shkollave shqipe. Me këto mjete financiare ai ishte në gjendje të siguronte mirëmbajtjen e dhjetë shkollave shqipe në Kosovë.

Hasan Prishtina njihet si një veprimtar me vlera të larta morale e mbi të gjitha, si një atdhetarë i flaktë. Ai u vra më 14 gusht, 1933 në Selanik të Greqisë.

Në vitin 1977 eshtrat e tij u sollën nga Selaniku në Shqipëri. / KultPlus.com

Hasan Prishtina: Nderin tem si njeri e si shqiptar e çmoj e nuk e le të përlyhet me llumin e shpifjeve

Sot mbushen 89 vjet nga vrasja e Hasan Prishtinës.

Hasan beg Prishtina ishte ideolog dhe veprimtar i shquar i Rilindjes Kombëtare Shqiptare; përfaqësues i lëvizjes për një shtet demokratik në Shqipëri dhe një nga frymëzuesit kryesorë të idesë për çlirimin e Kosovës dhe bashkimin e saj me shtetin shqiptar.

Këto fjalë, Hasan Prishtina i kishte thënë për “Ora e Shqipnisë”, nr.7 që ishte botuar në Vjenë më 22 maj 1928.

Po sjellim të plotë fjalimin:

“Akuza, shpifje, kërcenime, rreziqe nuk më kanë frikësue kurrë deri më sot, e kundërshtarët e mij le të janë të sigurtë se nuk do të më friksojnë as mbas sodit (…). Nderin tem si njeri e si shqiptar e çmoj, e tham me krenari, nuk e le të përlyhet me llumin e shpifjeve. Mua n’idenë t’eme patriotike nuk ka muejtë as nuk do të muej me më shtrue as ari i të tanë botës, por as mënia e të tanë anmiqve. Ka me më shtrue vetëm vdekja”
Hasan Pishtina (*1873 në Vushtrri – 13.08.1933 në Selanik)
“Ora e Shqipnisë”, nr. 7, Vjenë, 22.V.1928
Per fat te keq vetem vdekja e pabese e ndali…/ KultPlus.com

Hasan Prishtina, prapaskenat e një vrasje politike

Në datën 13 gusht 1933 agjencitë telegrafike të Ballkanit përcollën lajmin se në Selanik ishte qëlluar për vdekje ish Kryeministri i Shqipërisë dhe politikani kosovar, Hasan Prishtina. Lajmi ashtu si pritej shkaktoi pështjellim në gjithë kancelaritë e Ballkanit, por reagimi më i  madh natyrisht ishte nga opinioni publik shqiptar këndej e andej kufirit.

Vrasja e patriotit Hasan Bej Prishtinës në Selanik të Greqisë nga një emigrant pothuajse i panjohur Ibrahim Çelo jo vetëm që tronditi gjithë opinionin mbarëshqiptar por dhe hodhi hije të forta dyshimi mbi autorësinë e vërtetë apo urdhëruesin e kësaj vrasje, vetë Naltëmadhëninë e tij Ahmet Zogu. Ky dyshim vinte jo sepse autori Ibrahim Çelo deklaroi një gjë të tillë në organet e policisë greke por sepse mënyra dhe ekzekutimi i vrasjes ishte pothuajse i njëjtë si vrasja e Gurakuqit. Atentatori ashtu si dhe në rastin e Gurakuqit ishte një i njohur i vjetër i viktimës dhe të dy martirët e lirisë shqiptare kanë rënë viktima të pabesisë së vrasësve. 

Gazeta greke “Të reja nga Maqedonia”  përshkruan momentet e vrasjes së patriotit Hasan Prishtina si më poshtë: Vrasja u krye në orën 2 mbas dite më datë 13 gusht 1933. Në rrugën Çimisqi u pa një zotëri i moshuar, i mbajtur mirë dhe me tipare simpatike, të ecte përkrah e të fjaloste me një person të veshur mirë, i gjallë, sa e tradhtonte dhe toni i zërit. Arritën në kryqëzimin e rrugës Çimisqi-Vogaxhiku dhe po drejtoheshin për tek bakallhane ’’IVI’’ dhe në largësi dy hapa nga kinkaleria e invalidit J.Janopullo. Njeriu me pamje të zymtë nxorri rrufeshëm revolverin e markes ’’SMITH’’ dhe shtiu kundrejt bashkëbiseduesit, i cili ishte Hasan bej Prishtina, që ra në trotuar. Kalimtarët e mbledhur nga të dy të shtënat, panë vrasësin të turret me mizori të parrëfyer mbi viktimën dhe t’i zbrazë edhe tre plumba të tjerë, dy në kraharor dhe të tretën në kokë, si e shtënë vdekjeprurëse, për të qenë i sigurtë për përfundimin e aktit të vrasjes

Si kuptohet dhe nga përshkrimi i gazetës ajo duket që ishte një vrasje e porositur, pasi vrasësi në mënyrë makabre nuk ndalet as kur viktima ishte i rënë përdhe por e qëllon për tu siguruar në kokë. Mirëpo ajo që i përforcon më shumë bindjet se Hasan Prishtina ka rënë viktimë e ambicieve të Mbretit Zog për të përforcuar pozitat e tij sunduese janë rrethanat ndërkombëtare dhe koha kur u realizua vrasja.

Hasan Prishtina, një nga krijuesit e Pavarësisë së Shqipërisë, udhëheqësit të kryengritjes së viseve shqiptare në vitin 1913 kundër pushtimit të tyre nga ushtria serbe, restauruesit të pavarësisë shqiptare në 1920 dhe kryeministrit të një qeverie shqiptare në 1922 ishte një nga përkrahësit më të flaktë të përfshirjes së Shqipërisë në problemin kosovar dhe realizimit të një politike më aktive të Shqipërisë për të realizuar bashkimin kombëtar. Mirëpo këto dëshira dhe plane të tij binin ndesh me dëshirat dhe synimet e një grupi më të vogël deputetësh dhe politikanësh që kryesisht vinin nga radha e ish nëpunësve të Perandorisë Otomane ku ndjenja nacionale nuk kish zënë vend njëlloj si te grupi i nacionalistëve ku Prishtina ishte një nga themeluesit e kësaj rryme që në vitin 1910. Mes këtij grupi politikanësh me vizion të ngushtë kombëtar dhe të interesuar vetëm për të përforcuar pushtetin e vet lokal që e shikonin të ushtruar vetëm brenda kufijve të Shqipërisë shquante Ahmet Bej Zogolli, përfaqësuesi i një familje lokale fisnike shqiptare që nuk kish shkëlqyer shumë në karrierën perandorake si familjet e tjera të mëdha shqiptare si Vlorajt, Vrionasit, Bushatllinjtë, Libohovajt etj. 

Ahmet Zogolli i zgjedhur për herë të parë kryeministër në vitin 1922 do të deklaronte nga tribuna e parlamentit shqiptar  se “shteti shqiptar është i vogël dhe politika jonë duhet të jetë e qartë, e sinqertë dhe pa iluzione të cilat mund të na dëmtojnë shumë”(me fjalën iluzione nënkupto përkrahjen e kauzës për tu bashkuar me Shqipërinë të territoreve shqiptare të mbetura jashtë kufijve.)Problemi i përkrahjes së popullsive shqiptare të lëna jashtë kufijve apo lënies së tyre në fatin e vet ishte një problem që ndante shumë politikanë kosovarë aktivë në jetën politike të Shqipërisë si Hasan Prishtina, Bajram Curri, Kadri Hoxha etj nga pjesë e politikanëve shqiptarë që dëshironin të konsolidonin në radhë të parë pushtetin e tyre në Shqipëri, qoftë dhe përmes aleancave me fqinjët. Kjo mospërputhje e madhe për idenë kombëtare dhe mënyrën e ndërtimit të kufijve të shtetit shqiptar i kish detyruar që më herët, në vitin 1918, politikanët kosovarë të themelonin “Komitetin për Mbrojtjen e Kosovës”. 

Në komitet përveçse politikanëve kosovarë merrnin pjesë dhe shumë patriotë të tjerë shqiptarë, kryesisht politikanë të opozitës shqiptare që si përfaqësues të shtresës së mesme dhe intelektuale kishin një vizion më të qartë të idesë kombëtare. Një pjesë e madhe e tyre u larguan jashtë atdheut pas rikthimit të Zogut më dhjetor 1924 dhe përbënë për një kohë të gjatë emigracionin aktiv antizogist dhe alternativën tjetër qeverisëse në rast të ndërrimit të pushtetit në Shqipëri. 

Të organizuar në organizata të ndryshme politike sipas bindjeve të tyre, ata nuk përbënin ndonjë rrezik të madh për Zogun, por në momentet kur për shkak të konjukturave politike në Ballkan ata fitonin përkrahjen e ndonjë fuqie të madhe ktheheshin në një rrezik potencial për regjimin zogist. Kjo ishte dhe një nga arsyet që Zogu herë pas here mundohej të godiste politikisht cilindo nga këto grupe emigracioni, për të siguruar pozitat e veta në Shqipëri por dhe për të dhënë mesazhin e duhur Italisë, si të vetmes fuqi të madhe që i ishte dhënë përparësi në Shqipëri se ai ishte i vetmi partner që duhej të merrej në konsideratë. Mirëpo gjërat filluan të ndryshojnë aty rreth viteve 1931-1932 kur u kuptua se shteti shqiptar nuk kishte aftësitë e duhura financiare për të paguar kreditë e marra nga italianët që me nënshkrimin e paktit të vitit 1926. Në këto kushte  italianët filluan të bënin presion ndaj Zogut duke i avancuar kërkesat rreth prezencës së tyre në Shqipëri. Kështu, në këmbim të shtyrjes së kthimit të interesave të kredisë ata kërkuan që në krye të xhandarmërisë shqiptare të vendoseshin oficerë italianë, dhe ti jepesh mbretërisë italiane monopoli i sheqerit, telegrafit dhe elektrikut . Si mund të kuptohet lehtë nga këto kërkesa politika italiane kërkonte që të vinte nën një diktat akoma më të rëndë mbretërinë shqiptare dhe të shtronte rrugën për pushtimin e mëvonshëm të Shqipërisë. 

Këto kërkesa që çonin në pakësimin e sovranitetit të Shqipërisë, natyrshëm e shtynë mbretin Zog që t’iu kundërvihet dhe të përpiqej të hartonte një politikë të re të jashtme.Vitet 1931-1935 sipas Prof Paskal Milos janë vitet kur Zogu përpiqet të luajë një politikë të pavarur të jashtme dhe për këtë gjë tenton afrimin politik dhe me fuqi të tjera të mëdha dhe me shtetet e tjera në Ballkan. Si zakonisht, në raste të tilla kthesash politike trokitet tek miqtë e vjetër që në rastin e Zogut, ishte mbretëria serbo-kroate-sllovene. Në këto kohë po bëheshin përgatitje për Paktin Ballkanik dhe Zogu dëshironte ti bashkëngjitej kësaj iniciative. Në themel të këtij pakti ishte rregullimi i marrëdhënieve diplomatike dhe shuarja e kontradiktave për kufijtë midis shteteve ballkanike, gjë që në fakt shkonte në kundërshtim me politikën italiane që dëshironte të mbante ndezur vatra konflikti për ta pasur më të lehtë ndërhyrjen në Ballkan. Për ketë arsye ata sponsorizonin dhe përkrahnin çdo lëvizje që nga ta konsiderohej si irredentiste por në thelb ishin lëvizje-protesta ndaj padrejtësive që u ishin bërë popullsive në Ballkan, për të krijuar Serbinë e Madhe, Greqinë e Madhe dhe Bullgarinë e Madhe. Mes këtyre lëvizjeve që nga viti 1925,të patriotëve kroatë, sllovenë dhe maqedonas ,të gjithë përfaqësues të popullsive që vuanin nga shovinizmi serb, diplomacia italiane ishte në kontakt dhe me eksponentë të Komitetit për Mbrojtjen e Kosovës dhe Hasan Prishtinën si një nga udhëheqësit e këtij komiteti. 

Hasan Prishtina kishte zgjedhur për të jetuar në Selanik si një qytet ku ai kish mbaruar studimet e shkollës së mesme por dhe sepse ishte afër Shqipërisë dhe Kosovës nga ku mund të vazhdonte të influenconte në jetën politike të vendit. Duke qenë se ai vinte nga një familje e pasur , kishte blerë një shtëpi në një nga lagjet e pasura të Selanikut dhe një pjesë të pasurisë së tij e përdorte për të sponsorizuar të rinj kosovarë që dëshironin të shkolloheshin. Në fakt në momentet e vrasjes së tij, ish kryeministri i Shqipërisë.  nuk paraqiste ndonjë rrezik të madh për Zogun që e kish konsoliduar pushtetin e tij tashmë në Tiranë, por si mbështetës i idesë për një bashkim të Kosovës me Shqipërinë përbënte rrezik për mbretërinë jugosllave. Në këto vite në bisedimet që Zogu filloi me jugosllavët për të fituar mbështetje diplomatike ndaj Italisë, u fol dhe për një kredi jugosllave që do i lëvrohej për të mos qenë më i varur financiarisht nga italianët. Zogu, si një feudal tipik intrigant edhe pse e dinte se lëvizja e vitit 1932 kundër tij kish qenë e organizuar nga legata jugosllave në Vlorë, nuk e kishte për gjë të hynte në marrëdhënie me ta, me kusht që ti shtynte ditët mbretërimit të tij që nga lakmia që kish pasur për para dhe pushtet e kish dënuar me vdekje me paktet e Tiranës të nënshkruar me italianët në mesin e viteve 20.

Koha dhe mënyra sesi u procedua të shtyn të mendosh se  vrasja dhe eliminimi fizik i patriotit Hasan Prishtina i datës 13 gusht 1933 ka qenë një pjesë e marrëveshjes dhe besnikërisë që Zogu po u tregonte jugosllavëve për ta pasur dhe më të lehtë aderimin në Paktin Ballkanik. Pakti Ballkanik po ndërtohej me insistimin diplomatik të Francës, e cila kishte si shtet të përkëledhur të saj në Ballkan , mbretërinë jugosllave dhe Zogu e kuptonte se për të fituar simpatinë e fuqive të tjera evropiane rruga i kalonte nga Beogradi. Si një bashkëpunëtor i vjetër i tyre Zogu i njihte mirë dëshirat dhe kushtet e afrimit me ta, ndaj dhe Zogizmi si rrymë mendimi që mbizotëroi në Shqipëri pavarësisht një shashke propagandistike të vitit 1928 kur Zogu u shpall mbret i shqiptarëve dhe ky përcaktim solli një notë proteste nga ana e Beogradit, në përgjithësi insistoi që kombi shqiptar shtrihej vetëm brenda mbretërisë shqiptare dhe nuk shkaktoi ndonjë rrezik diplomatik për mbretërinë jugosllave.Kështu ish kryeministri i Shqipërisë dhe burri i shtetit shqiptar Hasan Prishtina u zgjodh për tu bërë kurban një kombinacioni politik të dështuar që në fillim, pasi loja që dëshironte të luante Zogu nuk mund të kishte sukses pas nënshtrimit total prej gati 8 vjetësh që ai kish bërë ndaj Italisë fashiste. Për më tepër ky kombinacion politik nuk u shkonte për shtat shqiptarëve në atë kohë pasi çimentonte ndryshimet territoriale që ishin bërë me pa të drejtë mbi kurrizin e popullsisë shqiptar në rajon dhe e varroste për së gjalli ëndrrën e bashkimit të tyre kombëtar. 

Qëllimet e vërteta të vrasjes së Hasan Prishtinës kuptohen tërthorazi dhe nga deponimet e vrasësit Ibrahim Çelo në policinë greke ku sipas gazetës “Të reja nga Maqedonia” ai deklaroi se akti i tij u dedikohet motiveve politike. Ndërkaq pretendoi se ish-kryeministri i atdheut të tij ishte komit dhe bashkëpunonte me komitetin bullgaromaqedonas me qëllim që të vrisnin mbretin e Shqipërisë Ahmet Zogun. Planet, thotë antetatori, m’i tregoi Hasan Prishtina përpara pesëmbëdhjet ditëve, kur po vinim prej Vjene (Austri) dhe më bënte presion që të bëhesha unë kryetar i bandës komite dhe të shkoja në Tiranë ku të vrisja mbretin Ahmet Zogun. Prishtina, vijon vrasësi, më premtoi shpërblim mujor dhe një shpërblim dhuratë mbas aktit të vrasjes, por unë i kundërshtova këto propozime të tij, sepse jam pro regjimit te mbretit Ahmet Zogu dhe nuk dëshiroja të bëhem vegël e Hasan Prishtinës, të cilin në Shqipëri e quajne tradhëtar. Pra si mund të kuptohet lehtë Hasan Prishtina prishte gjumin e monarkisë jugosllave prandaj u përzgjodh për tu vrarë në afrimin politik të radhës të Zogut me serbët, por si zakonisht për ti dhënë më tepër besueshmëri aktit u deklarua se ai planifikonte dhe vrasjen e mbretit Zog nëpërmjet një tregtari frutash që banonte në Nicë të Francës! Ironi më të madhe nuk mund të kishte dhe regjimi zogist sado që mundohej të justifikohej se s’kishte gisht në këtë punë, për gjithë opinionin publik ishte e qartë se po shënonte vrasjen politike të radhës.          

Festimet e 100 vjetorit të pavarësisë nuk mund të shmangin nderimet dhe homazhet që meriton figura e Hasan Prishtinës si hartuesit të planit të kryengritësve shqiptarë prej 14 pikash në gusht të vitit 1912 për pavarësinë e Shqipërisë, ish kryeministër dhe burrë shteti shqiptar por në të njëjtën kohë këtyre homazheve dhe nderimeve nuk mund ti bëhen në të njëjtën kohë një figure të errët si Ahmed Zogolli pasi historigrafia akoma vazhdon të jetë e ngarkuar emocionalisht dhe nuk e ka thënë përfundimisht fjalën e vet. Deri atëherë shteti shqiptar mund të bëjë diçka më të mirë, të ndërtojë një monument të Hasan Prishtinës në Tiranë dhe përpiqet që ti kthehet prona nga shteti grek pasardhësve të Hasan Prishtinës pasi kështu të paktën i kthejmë një borxh moral sado të vogël, këtij burri të madh shteti. / Nga Dorian Koci/ KultPlus.com

Burime
1.  Akademia e Shkencave të Shqipërisë:Historia e Shqipërisë,Vëllimi 2, grup autorësh.Toena, Tiranë:20022.  Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shtetit: Hasan Prishtina (Përmbledhje     dokumentesh 1908- 1934), Tiranë, 1983.3.  Ferraj , Hysamedin: Skicë e mendimit politik politik shqiptar.Tiranë,20064.  Fisher, Bernd : Mbreti Zog dhe përpjekja për stabilitet në Shqipëri,Tiranë 20065.  Haxhiu, Ajet: Hasan Prishtina dhe Lëvizja patriotike e Kosovës, Tiranë, 1964.6.  Llalla, Arben. Si u vra Hasan Prishtinahttp://noa.al/ks/artikull.php?id=2178957.  Rothschild, Joseph. Europa Lindore dhe Qendrore midis dy luftërave botërore,  Tiranë 20028.  Skëndi, Stavro: Zgjimi kombëtar i shqiptarëve, Tiranë,2002

Hasan Prishtina dhe Ahmet Zogu në një fotografi të rrallë

Hasan Prishtina dhe Ahmet Zogu në një fotografi të shkrepur në Vjenë, në vitin 1917, shumë kohë para se mes të dyve, të niste armiqësia – shkruan Blendi Fevziu, i cili përcjell këtë shkrepje historike.

“Vjenë, 1917. Hasan Prishtina dhe Ahmet Zogu, në një fotografi të rrallë.

Të dy, më pas do të ishin deputetë, kryeministra dhe deri armiq politikë.

Hasan Prishtina u ndalua nga policia austriake, për atentatin e dështuar ndaj mbretit Zog në Vjenë, ndërsa Zogu u akuzua për vrasjen e Hasan Prishtinës në Selanik. Të dy bashkë, i kanë sot monumentet në qendër të Tiranës”, – shkruan ai. / KultPlus.com

Më 12 janar 1912 u mbajt kuvendi i Taksimit, themeli i pavarësisë

Më 12 janar në lagjen Taksim të Stambollit u organizua një takim mes Ismail Qemalit dhe Hasan Prishtinës, ku u vendos të mbahej një mbledhje më e gjerë, e cila u zhvillua në shtëpinë e Syrja bej Vlorës nën kryesinë e Ismail Qemalit, që u quajt kuvendi i Taksimit, i cili është themeli i Pavarësisë.

Organizimin e forcave kryengritëse për në verilindje të Shqipërisë e mori përsipër Hasan Prishtina, që u nis për në Kosovë.

Esat Toptani premtoi për organizimin e kryengritjes në Shqipërinë e Mesme, ndërsa Syrja Vlora, Aziz Vrioni dhe Myfit Libohova u zotuan të ngrinin në këmbë Shqipërinë e Jugut.

Ismail Qemali u angazhua të siguronte ndihmë nga kolonitë shqiptare, si edhe nga faktori ndërkombëtar. / KultPlus.com

Kur Adem Istrefi i shkruante Hasan Prishtinës: Kur ia vranë kryengritjes bacën, thanë ia shuan lirisë gacën…

Më poshtë KultPlus ju sjell një nga poezitë e shkrimtarit Adem Istrefi dedikuar Hasan Prishtinës:

Baca i kryengritjes

(Ndryshe si mund të quhej Hasan Prishtina)

Kur ia vranë kryengritjes bacën
Thanë ia shuan lirisë gacën…

Mbi shtratin e një topi po vjen
i mbështjellë me flamur rrethu me dashuri
Nga një cep Jugu në një cep në Veri

Mbi shtratin e një topi
e në shpirtin e një kombi

Po hyn i gjallë
Po vjen me u çmallë…

S’dimë ku të të pushojmë
S’dimë ku të të mbajmë
Çdo pëllëmbë shqiptare ta ka borxh një varr

Se në atë dhe të huaj të ftohtë e të zi
Një fije bar a një gjethe në degë
S’ta tundnin erërat mbi varr

E s’vinte Shqipëria me nëna e bij
Të të mbillte lule e këngë përmbi…

(Nga vëllimi ”Pasha këtë dhe”, Tiranë, 1982) / KultPlus.com

Hapet ekspozita “Hasan Prishtina në dokumentet arkivore” në Ulqin

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave e Shqipërisë dhe Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup hapën sot në Ulqin ekspozitën “Hasan Prishtina në dokumentet arkivore”.

Ekspozita, e hapur në ambientet e Librarisë “Ulqini”, pasqyron veprimtarinë e patriotit Hasan Prishtina me rastin e 100-vjetorit të marrjes së detyrës si kryeministër i Shqipërisë.

Në këtë aktivitet mbajtën fjalë përshëndetëse kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, Faik Nika, përfaqësuesi i trungut familjar Hasan Prishtina, Mehmet Prishtina, drejtoresha e Komunikimit në DPA, Elsa Saka dhe drejtori i Institutit, Skënder Asani.

Kjo ekspozitë përmban materiale që ruhen në Arkivin Qendror Shtetëror dhe që flasin mbi veprimtarinë e Hasan Prishtinës në periudhën parashtetërore, ndihma në organizimin e kryengritjeve antiosmane në territoret e Vilajetit të Kosovës dhe mbi mbështetjen e zhvillimit të arsimit shqip.

Në këtë aktivitet Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup i dhuroi librarisë së parë shqipe në Malin e Zi, e hapur së fundmi në qytetin e Ulqinit, mbi 100 tituj nga fondi i tij botues.

Shumë shpejti DPA do të jetë përsëri në këtë ambient për të hapur Këndin Arkivor Ulqin. / KultPlus.com

Sot mbahet ekspozita me dokumente nga jeta dhe vepra e Hasan Prishtinës

Sot në ambientet e Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë, në orën 15:00, do të organizohet ekspozita me dokumente arkivore dhe fotografi ekskluzive nga jeta dhe vepra e Hasan Prishtinës.

Kjo ekspozitë paraprakisht do të organizohet në Shkup, kurse ditën e nesërme, të martën, edhe në Tiranë.

Ekspozita organizohet nga ITSHKSH-Shkup AQSH-Tiranë dhe përfaqësuesi i trungut familjar Hasan Prishtina,

Mehmet Prishtina në nderim të 100-vjetorit të kryeministrit të tetë të Shqipërisë, Hasan Prishtina. /KultPlus.com

No description available.

Shtëpia e Hasan Prishtinës në Selanik të Greqisë, as iniciale e as ndonjë pllakë përkujtimore (FOTO)

Hasan Prishtina kishte një shtëpi në Selanik të Greqisë, e cila dallohet edhe për nga arkitektura e saj e veçantë, e që sipas informatave kjo shtëpi tash e shumë vite shërben si shkollë për nxënësit e verbër, shkruan KultPlus.

Kjo shtëpi është në rrugën “Leoforos Vasilissis Olgas” në Selanik, dhe sipas disa reportazheve, në këtë shtëpi nuk është asnjë shenjë identifikuese që kjo shtëpi ishte e Hasan Prishtinës.

Më herët kishte reaguar historiani Arben Llalla që për këtë shtëpi të iniciohet edhe procedurë mes Shqipërisë dhe Greqisë, duke specifikuar se duhet të hapen letrat dhe jo të heshtet prona.

Më poshtë po e sjellim reagimin e më hershëm të Arben Llallës.

Shtëpia-Pallat e ish-kryeministrit të Shqipërisë Hasan Prishtina në Selanik, ky objekt është pronë e një shtetasi të Shqipërisë, prandaj do të ishte e udhës që Shqipëria të kërkonte zyrtarisht rikthimin e pronës së shtetasit të saj.

anë me dhjetra shtëpi dhe pasuri të patundëshme të shtetasve të Shqipërisë që pas vdekjes së tyre u janë dhuruar Shqipërisë, por ende Shqipëria nuk ka mundur ti marë. Duhen të hapen letrat dhe jo të heshtet për këto prona.”-shkruan Llalla./ KultPlus.com

Hasan Prishtina: Nderin tem si njeri e si shqiptar e çmoj e nuk e le të përlyhet me llumin e shpifjeve

Sot mbushen 88 vjet nga vrasja e Hasan Prishtinës.

Hasan beg Prishtina ishte ideolog dhe veprimtar i shquar i Rilindjes Kombëtare Shqiptare; përfaqësues i lëvizjes për një shtet demokratik në Shqipëri dhe një nga frymëzuesit kryesorë të idesë për çlirimin e Kosovës dhe bashkimin e saj me shtetin shqiptar.

Këto fjalë, Hasan Prishtina i kishte thënë për “Ora e Shqipnisë”, nr.7 që ishte botuar në Vjenë më 22 maj 1928.

Po sjellim të plotë fjalimin:

“Akuza, shpifje, kërcenime, rreziqe nuk më kanë frikësue kurrë deri më sot, e kundërshtarët e mij le të janë të sigurtë se nuk do të më friksojnë as mbas sodit (…). Nderin tem si njeri e si shqiptar e çmoj, e tham me krenari, nuk e le të përlyhet me llumin e shpifjeve. Mua n’idenë t’eme patriotike nuk ka muejtë as nuk do të muej me më shtrue as ari i të tanë botës, por as mënia e të tanë anmiqve. Ka me më shtrue vetëm vdekja”
Hasan Pishtina (*1873 në Vushtrri – 13.08.1933 në Selanik)
“Ora e Shqipnisë”, nr. 7, Vjenë, 22.V.1928
Per fat te keq vetem vdekja e pabese e ndali…/ KultPlus.com

Sot mbushen 88 vjet nga vrasja e Hasan Prishtinës

Hasan beg Prishtina ishte ideolog dhe veprimtar i shquar i Rilindjes Kombëtare Shqiptare; përfaqësues i lëvizjes për një shtet demokratik në Shqipëri dhe një nga frymëzuesit kryesorë të idesë për çlirimin e Kosovës dhe bashkimin e saj me shtetin shqiptar.

Ky ideolog i shquar dhe udhëheqës i palodhur i kryengritjes së përgjithshme për pavarësinë e tokave shqiptare, tërë pasurin e dha për çështjen kombëtare shqiptare. U lind në Vushtrri, më 27 prill 1873, i njohur si Hasan Berisha, Polaci. Pinjoll i bejlerëve të Vuçiternit, dera e tyre ka qenë një familje e nderuar spahinjsh vendas.

Hasan Prishtina ka qenë i përkushtuar vazhdimisht në çështjen kombëtare dhe si deputet, ai në parlament ka diskutuar kryesisht tema të karakterit ekonomik e social. Në fillimin e vitit 1912, Hasan Prishtina, vazhdoj me rritjen e vendosmërisë revolucionare për të siguruar liritë kombëtare shqiptare, duke organizuar një revolucion kombëtar e demokratik në bashkëpunim me popujt tjerë, kundër pushtimit otoman. Mori pjesë në përgatitjen dhe organizimin e Kongresit të Lushnjës (1920) dhe në prill 1921 u zgjodh deputet i Dibrës në parlamentin shqiptar.

Ai u shqua si luftëtar për mbrojtjen e “zonës neutrale” të Junikut nga forcat serbe dhe ato zogiste, si udhëheqës i Lëvizjes nacional-çlirimtare të Kosovës kundër sundimit serb. Më 7 dhjetor 1921 u zgjodh nga Kuvendi Popullor Shqiptar, Kryeministër dhe Ministër i jashtëm por, më 10 dhjetor 1921 ai jep dorëheqjen mbas kundërshtimeve të disa deputetëve që i kryesonte Ahmet Zogu. Kështu, për të shmangur gjakderdhjen midis shqiptarëve, Hasan Prishtina vendos të mbetet vetëm deputet i atij Kuvendi. Përpos ndikimit dhe aktivizmit në politikë, Hasan Prishtina ka pasur kontribuuim të madh edhe në arsim. Duke kundërshtuar qeverinë turke, ndau 5% e të ardhurave të tij, poashtu përmes një artikulli në gazetë, ai kërkoj nga patriotët e tjerë shqiptarë të ndanin edhe ata një pjesë të të ardhurave në ndihmë të shkollave shqipe. Me këto mjete financiare ai ishte në gjendje të siguronte mirëmbajtjen e dhjetë shkollave shqipe në Kosovë.

Hasan Prishtina njihet si një veprimtar me vlera të larta morale e mbi të gjitha, si një atdhetarë i flaktë. Ai u vra më 13 gusht, 1933 në Selanik të Greqisë.

Në vitin 1977 eshtrat e tij u sollën nga Selaniku në Shqipëri. / KultPlus.com

Publikohet historia e panjohur e vrasjes para 87 vjetësh të Hasan Prishtinës

Publikohet historia e panjohur e ndodhur plot 87 vjet më parë, më 14 gusht të vitit 1933, kur teksa ishte duke shëtitur në një prej rrugëve kryesore të Selanikut, në rrethana jo shumë të njohura, mbeti i vrarë në një atentat, Hasan Prishtina, ish-deputet i parlamentit shqiptar dhe kryeministër i Shqipërisë, i cili ishte si refugjat politik në Greqi.

Sipas shtypit grek që i referohej organeve kompetente të policisë vendase, personi që qëlloi me pesë plumba revolveri mbi politikanin e njohur shqiptar, quhej Ibrahim Çelo dhe ishte mik i ngushtë i viktimës! Dëshmitë e rralla të studiuesit, publicistit dhe historianit të njohur, Gani Demiri (Ratkoceri), mbi përpjekjen e një grupi intelektualësh me origjinë nga Kosova, të cilët në vitin 1960-të, arritën të bindin autoritetet përkatëse të Tiranës zyrtare rreth figurës së Hasan Prishtinës dhe ta kthenin atë nga “tradhtar dhe armik të popullit shqiptar” siç konsiderohej ai në tekstet shkollore dhe librat e Historisë së Shqipërisë, së asaj kohe, në një “patriot të madh të çështjes shqiptare”!

Plot 87 vjet më parë, më 15 gusht të vitit 1933, pothuaj të gjitha gazetat që botoheshin në Shqipëri si dhe ato të diasporës së saj, publikuan lajmin e bujshëm të vrasjes me atentat në qytetin e Selanikut në Greqi, të ish-kryeministrit të Shqipërisë, Hasan Prishtinës. Sipas shtypit shqiptar të asaj kohe, i cili për atë ngjarje më së shumti i referohej gazetave greke, atentatori që kishte qëlluar me pesë plumba revolveri mbi politikanin e njohur shqiptar, që asokohe qëndronte si emigrant antizogist në Greqi dhe disa shtete të tjera të Evropës, ishte po një shqiptar, madje mik i ngushtë i viktimës dhe quhej Ibrahim Çelo.

Në faqet e gazetave të shumta të atyre ditëve që komentuan gjerësisht atë ngjarje, bëhej me dije se personi në fjalë, i cili ishte me origjinë nga shqiptarët që banonin në Resnjë të Jugosllavisë, kishte qëlluar mbi ish-kryeministrin shqiptar, teksa ishin duke shëtitur bashkë, krah për krah në një prej rrugëve kryesore të qytetit të Selanikut. Po si qëndronte e vërteta rreth atij atentati dhe cilat ishin arsyet kryesore që e shtynë shqiptarin Ibrahim Çelo për të qëlluar mbi politikanin e njohur, i cili përveç postit të kryeministrit të Shqipërisë, që e kishte mbajtur vetëm për pesë ditë në dhjetorin e vitit 1921, kishte qene i zgjedhur si deputet në disa legjislatura ne parlamentin e Turqisë dhe atë të Shqipërisë?

Lidhur me këto, po japim vetëm disa prej komenteve që u bënë në atë kohë nga shtypi shqiptar dhe ai grek, një përmbledhje të shkurtër të jetës dhe veprimtarisë politike e atdhetare të Hasan Prishtinë (sipas Fjalorit Enciklopedik, botim i Akademisë së Shkencave, Tiranë 1988), dhe dëshminë ekskluzive të studiuesit, publicistit e shkrimtarit të njohur, Gani Ratkoceri (“Mësues i Popullit”), i cili në vitet ’60-të, së bashku edhe me disa intelektualë të tjerë me origjinë nga Kosova, ndërhyre tek autoritetet përkatëse shqiptare të asaj kohe në Tiranë duke bërë të mundur rehabilitimin e Hasan Prishtinës dhe nga “tradhëtar” që etiketohej ai në tekstin e Historisë së Shqipërisë së asaj kohe, e kthyen në “patiot të madh”!

Lajmet dhe komentet e gazetave greke dhe shqiptare, për vrasjen e Hasan Prishtinës në Selanik

Gazeta ‘Vatra’: Hasan Prishtina u vra dje mbrëma me pesë pushkë në rrugët e Selanikut. – Vrasësi u arrestua nga autoritetet. – Ç’thonë gazetat greke për shkakun e vrasjes.

Me anë të radios u lajmërua se dje mbrëma në rrugën kryesore të Selanikut, Hysen Tolja Ibrahimi nga Resna, shtiu pesë herë me revolver kundër Hasan Prishtinës, të cilin e la vdekur. Vrasësi u zu me njëherë dhe u vu nën hetime, për të mësuar shkakun. Autoritetet vazhdojnë hetimet mbi shkakun e vrasjes. Disa gazeta thonë se vrasja është bërë për arsye personale, një pjesë tjetër e gazetave tue marrë parasysh se vrasi disa ditë më parë kishte ardhur prej vendit të tij, supozojnë se ai gjishte të huaj në këtë vrasje.

Hollësirat e vrasjes së Selanikut në botimet e gazetave greke

Qysh ndodhi vrasja e Hasan Prishtinës?

I vrari i pat propozuar guximtarit atentat kundër Mbretit Zog. Shkruan gazeta “Fos”, ndërsa “Informationi” thot se e kanë shtyrë të arratisurt.

Selanik 16 Gusht – Aty nga ora 2 mbasdreke të së Hënës, dje domethënë, Hasan Prishtina dhe Ibrahim Çelo (dhe jo Hysen Tolja Ibrahimi), kalonin rrugën “Cimiski”, tue kuvenduar me zë të lartë në gjuhën shqipe. Kur arritën në kryqëzimin e rrugës “Vogaciku”, Ibrahimi nxorri me shpejtësi revolverin sistem “Smith” dhe shkrepi dy herë kundër Hasanit, tue e shtrirë këtë pa frymë në tokë. Megjithëkëtë, guximtari u ul mbi trupin e shtrirë dhe zbrazi mbi kryet e të plagosurit edhe tre pushkat të tjera të revolverit për të përfunduar krejtësisht qëllimin. Mbas këtyre, guximtari vrapoj për t’u larguar nga rruga “Vagaciku”, aty nga Mitropolia, nga shkaku që të shpëtonte prej popullit i cili u grumbullua shpejt. Turma filloj të gërthiste dhe ta ndiqte, dhe kjo sqenë duket se turbulloj Ibrahimin i cili, i shushatur u rrëzua mbi vitrinën e një dyqani atje afër dhe të cilën e theu, por shpejt fitoi fuqinë dhe vrapoj nga rruga e Mitropolisë. Por populli e ndiqte nga pas dhe ky ahere u fut në shtëpinë e doktor Dukidhit, ku pastaj e zuri një polic. Ky e vuri në një motoçikletë dhe e shpuri në qendrën e policisë, ndërsa Hasan Prishtina, sillej në spitalin bashkiak, ku doktorët vërtetuan vdekjen. Vrasësi i ish-kryeministrit Shqiptar, quhet Ibrahim Hysen Çelo, edhe është në moshën 37 vjetësh. Është prej Resnjë të Shqipërisë (gazeta greke “Fos” që shkruan këtë, gabohet pasi Resnja është në Serbi), nënshtetas shqiptar, mjaft intelektual, flet frëngjisht dhe italisht pa gabim dhe turqisht në gjuhën amtare. I sjellshëm në mënyrat, i veshur bukur, bën përshtypjen se është një njeri që nuk ësht lindur për vrasës. Në Greqi erdhi prej Nicës të Francës më 9 Maj 1933 edhe pse nuk u paraqit të rregullohet sipas ligjit për të huajt, u dënua me një gjobë prej 230 dhrami. I vrami Prishtina Hasan Ahmet, edhe ky shqiptar, i ardhur dikur si nënshetas austriak, ka qenë Ministër i Punëve të Brendëshme dhe i Punëve Botore në Shqipëri dhe për një kohë të gjatë kryeministër i Shqipërisë në regjimin e Fan Nolit. U tha konkretisht prej qarqeve shqiptare të këtushme, se ky qe nënkryetar i fanolistëve dhe përfaqësonte në Ballkan, Turqi dhe Evropën e mesme Fan Nolin, i cli ndodhet në Rusi tue drejtuar propagandën kundër Mbretit Zog. Vrasja e Hasan Prishtinës, është një mister i math për arsyen pse autoritetet mbajnë një fshehtësi të madhe. Por megjith këtë, prej lajmeve që kemi mbledhun, kuptohet se gjatë shumë ditëve, shikoheshin që të dy bashkë e sidomos në hotelin “Astorja” ku banonte i vrami. Bashkëfjalimet e tyne dukeshin miqësore edhe për të njohurit e tyne përshpëritesh si “diçka përgatitnin”, e cila plasi në vrasjen e djeshme. Nga sa kemi mundur të informohemi prej burimeve të ndryshme që mundin t’a dijnë më mirë se si qëndrojnë punët, Hasan Prishtina qe një tip i njeriut të çqetësuar, që mundohesh me çdo sakrificë t’organiozojë organizata komplotiste, gjë që i ka kushtuar kurdoherë ekspulsive (ekstradime), shënimi ynë), nga gjithë shtetet e Ballkanit ku banonte.

Hasan Prishtina në Nicë të Francës

Hasan Prishtina vajti në Nicë të Francës edhe atje u njoft me Ibrahim Çelon që ish instaluar aty prej 26 vjetësh dhe qëndroj atje gati 20 muaj, duke ikur prapë në Turqi. Nga Turqia u ekspulsua dhe u instalua në Sofje, nga ku i shkrojti Shelos një letër, tue e ftuar atë të zbresë dhe të takohen në Selanik kur do të vinte edhe ky. Në letrën politikani shqiptar nuk përmëndëte shkakun pse e thërriti, por i theksonte se kish për t’i ngarkuar një punë që do të merrte 5000 dhrami në muaj. Kështu pra Sheloja mbasi dërgoj të shoqen dhe kalamanit e tij në Spanjë, nga ku është e shoqja e tij, mbërriti në Greqi ku u prezantua ne i vëllaj viktimës, pronuar në rrugën “Tsimiski”, Z. Omer Fejzi. I tregoj letrën e këtij, por ky i’u përgjigj, se i vëllai nuk ka ardhur ende nga Vjena edhe se nuk dispononte as një peshës për politikë pse nuk përziesh në të.

Prishtina i propozon Ibrahim Çelos të vrasë Zogun

Para një muaji, Sheloja marsi shikonte se kish mbetur pa të holla, u nis për në Vjenë për të takuar Hasanin, por për fat të keq, kur ay nisesh për në Vjenë, ky i fundit kthehesh për në Selanik. U kthye këtu para 14 ditëve dhe e takoj duke dashur të mësoj se ç’punë do t’ë bënte që të merrte 5000 dhrami në muaj. Prishtina pa shumë dredhina, i tha se ishte koha të vritet N. M. Tij, Mbret i Shqipëris Ahmet Zogu dhe disa nga Ministrat e tij dhe kjo do të bëhesh shkak që të ngrihesh statut për shërbimin që do t’i sillte vendit. Sheloja u trondit nga ky propozim dhe i tha, se duhet të mendohet. Por i kërkoj t’i nepet ndonjë punë tjetër, nga ku të fitonte të 5000 dhramitë në muaj. Qysh atë ditë, gjatë këtyre 14 ditëve takohesh ditë për ditë me Prishtinën dhe dje i tha qartas, se nuk mundje të bëjë një punë të tillë, se me një anë të mëndohet për familjen e tij dhe nga ana tjatër nuk mund t’i bëj varrin Shqipërisë. Por i kërkoj që të mos shkelë zotnimin e tij, që t’i gjejë një punë që të marrë shumën e premtueshme. –Unë nuk të solla të të jap para për sytë e bukur t’ujët. Ja se të veç në Bullgari, ku të marësh dhjetë komitaxhi të vrasësh Zogun, ja po të ikësh s’ë këndejmi. Mbas kësaj përgjigjie, atentatori nxorri revolverin dhe i’a zbrazi kundër nënkryetarit të partisë fanoliste. Qarqet e Konsulatës Shqiptare kur u pyetën dje prej redaktorit të “Fosit”, thanë se e dijnin prej kohe ardhjen e Prishtinës këtu, por nuk kish asnjë lajm për vrasjen e tij. Zoti Konsull as nuk do t’i shkojë nëpërmënd se shkaqet e kësaj vrasje janë politike. Gjithesi çfaqi tmerrin e tij për këtë krim.

Gazeta “Information” shkruan se e ka shtyrë Moska

Nga ana tjatër, fletorja në gjuhën frëngjishte “Information”, tue u marrë me shkaqet që munt të kenë shtyrë guximtarin të futet në këtë vrasje, shkruan se simbas informatave të saj, Ibrahimi do të jetë shtyrë nga të arratisurit politikë shqiptarë. Gazeta në fjalë, zhustifikon këtë version në këtë mënyrë: Të arratisurit politikë shqiptarë janë ndarë në dy grupe. Njërin e kryesonte Hasan Prishtina dhe tendencat e këtij grupi kanë qenë konservative, ndërsa grupi tjetrë lidhet drejt për drejt me Moskën. Tani vazhdon fletorja greke, ka shumë të ngjarë që Ibrahimi të jete shtyrë nga grupi që lidhet me Moskën për të çkatërruar grupin konservativ.

Jehona e shtypit të Selanikut për vrasjen e t’arratisurit politik

Në Selanik, pesë plumba revolveri të zbrazura njëri pas tjetrit nga një dorë shqiptari me nënshtetësi të huaj, çkëputën, tragjikisht, përin e jetës të një ish-Kryeministri Shqiptar, të arratisur për arsye politike. Gazetat greke të atij qyteti, shkakun e asaj ngjarje të shëmtuar, e mpështetin në dy arsye. E Para: se Hasan Prishtina – viktima, nuk e mbajti premtimin që i kish dhënë me letër Ibrahim Çelos, – guximtarit, – për t’i gjetur në Greqi një punë të ndershme, ndërsa me gojë i shpjegoj se ato të holla, 5000 dhrami në muaj, – do t’i paguheshin vetëm kur të vriste Mbretin e Shqiptarëve, por Ibrahim Çelua, i zëmëruar me lodrën që i luajti, i mërzitur nga mungesa e të hollave nga shkaku i Hasanit që e solli në Selanik, dhe i inatosur për propozimin e dedestuar që i bëri, nxori në një minutë dëshpërimi revolverin dhe e shtriu në tokë të vrarë.

E dyta: se shqiptarët e arratisur janë ndarë në dy grupe, njërin të kryesuar prej Hasan Prishtinës, me tendenca konservative dhe të dytin të dirizhuar prej njërzëve me tendenca bolshevike, të lidhur drejt për drejt me Moskën, dhe nga kjo antagonismë parimesh, Ibrahimi është vënë nga grupi i dytë për të çdukur personin e Hasan Prishtinës që do të sillte çkatërrimin e partisë konservative në dobinë e së parës. Ngjarja u zhvillua në një qytet të një shteti të huaj dhe tye qene gjithashtu se kaq guximtari sa dhe viktima kanë jetuar përsëriu në vendet e huaja, është shumë zor, ose më mirë e pamundur që të jemi në pozitë të formojmë, qoftë dhe një supozim, mbi shkaqet e vërteta që përfunduan në tragjedinë e Selanikut. Jemi pra të shtërnguar, që për të komentuar vrasjen e shëmtuar të së hënës, të bazohemi në botimet e gazetave greke. Megjith këtë, është mirë të shënohet, kështu midis parëthënësit, se opinioni i gazetave të Selanikut, nuk duhet të hidhet dhe kaq mbrapa krahëve. Fletoret e republikës greke në çështjen konkrete, duhen të jenë të paanshme, se ngjarja ka rrjedhur midis dy personave që s’kanë të bëjnë me çështjet e brëndëshme të Greqisë. Por sidoqoftë puna, dy gjëra mund të nxjerrim nga vrasja e Selanikut, dhe meqë të dyja janë nga ato çështje që provokojnë përbuzjen e çdo shqiptari që i dhëmbet atdheu dhe që dëshiron të mbajë nalt prestigjin dhe nderin shqiptar. Shqiptari me këto parime, i dënon kryekëput atentatet, kushdo qoftë ay që shkrep pushkën dhe kushdo qoftë ay që pranon plumbat në trupë. Gjith ashtu, ay shqiptar me ato parime, dënon përsëri kryekëput çdo person që mejton të ngrejë dorë kundër Mbretit të Shqiptarëve. Fati i atdheut t’onë lidhet ngushtë, shumë ngushtë, me personin e Zog-ut dhe kush është kundër këtij, duhet të dijë se është kundër atdheut. Bisedim mbi këto dy pika nuk hyjnë. Dhe ja pse, populli shqiptar dëgjoj me përbuzje atentatin e shëmtuar të Selanikut dhe dënon me koshiencën e tij me tradhti të naltë, çdo shqiptar që mejton të prekë Udhëheqësin e sotëm të Shqipërisë.

Hasan Prishtina, sipas Fjalorit Enciklopedik, i hartuar nga Akademia e Shkencave

(1873-1933). Patriot e demokrat revolucionar i shquar që luftoi për lirinë dhe pavarësinë e Atdheut, për demokratizimin e jetës së vëndit, për çlirimin e Kosovës nga zgjedha serbomadhe dhe bashkimin e saj me shtetin shqiptar. Lindi në Vuçiternë në një familje patriote. Studimet e larta i kreu në Stamboll për shkencat politiko-juridike. Në vitet 1908-1912 u zgjodh tri herë në parlamentin osman, të cilin e përdori si tribunë për mbrojtjen e të drejtave kombëtare të shqiptarëve. Në fillim të vitit 1912 së bashku me Ismail Qemalin ishte ndër nismëtarët për organizimin e Kryengritjes së Përgjithshme të Armatosur në Shqipëri ku u shqua si udhëheqësi kryesor. Në vitin 1912, u ngarkua me detyrën e ministrit në qeverinë kombëtare të Vlorës. Me themelimin e komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës (shih) u zgjodh antar i tij, ndërsa në dhjetor të vitit 1919, komiteti e ngarkoi si kryetar të delegacionit të tij në Konferencën e Paqes në Paris, ku do të kërkonte bashkimin me shtetin kombëtar shqiptar të Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare në Jugosllavi. Mori pjesë aktive në organizimin e Kongresit të Lushnjes në vitin 1920 (shih) dhe në prill të vitit 1921, u zgjodh deputet i Dibrës në parlamentin shqiptar. Në dhjetor të vitit 1921, kryesoi një ndër qeveritë më demokratike të vendit. Hasan Prishtina ishte një nga drejtuesit dhe organizatorët kryesorë të lëvizjes antizogiste të shkurt-marsit 1922. Gjatë viteve 1922-1923 u shqua si kundërshtar i vendosur i reaksionit të brendshëm. Shquhet si luftëtar për mbrojtjen e “Zonës neutrale” të Junikut nga forcat serbe dhe ato zogiste, si udhëheqës i lëvizjes nacionalçlirimtare dhe i çetave kryengritëse në Kosovë kundër sundimit serb. Hasan Prishtina mori pjesë aktive në përgatitjen e Revolucionit demokratiko-borgjez të Qershorit të vitit 1924 (shih) dhe luftoi për vënien në jetë të programit të qeverisë demokratike të dalë nga ky revolucion. Në shtator të vitit 1924, në krye të një delegacioni në emër të komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, shkoi në Lidhjen e Kombëve në Gjenevë ku protestoi kundër barbarizmave mbi popullsinë shqiptare të qarqeve shoviniste serbe në Kosovë. Pas dështimit të revolucionit të 1924-ës u largua jashtë Atdheut. Gjatë tërë kohës në mërgim (1925-1933) qëndroi në krahun më të përparuar të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. E vazhdoi luftën kundër regjimeve diktatoriale e monarko-fashiste, kundër tiranisë zogiste në Shqipëri dhe zgjedhës serbo-madhe në Kosovë. Nën drejtimin e tij, u themelua “Komiteti i Çlirimit të Kosovës” i cili veproi jashtë vendit krahas Komitetit të Çlirimit Nacional (shih). Hasan Prishtina, luftën nacionale në Kosovë u përpoq ta bashkrendojë me luftën e popujve të shtypur ballkanikë. Disa herë u bë nismëtarë i bashkëëpunimit me përfaqësuesit dhe organizatat nacionalçlirimtare të Maqedonisë, të Bosnjës, të Kroacisë e të tjerë që vuanin nën zgjedhën e regjimeve shoviniste të huaja. Hasan Prishtina kërkonte respektimin e të drejtave kombëtare të të gjithë popujve ballkanikë gjë që do të arriej sipas tij me krijimin e shteteve kombëtare në bazë të parimit të vetëvendosjes, duke përjashtuar çdo formë të hegjemonizmit ndaj tjetrit. Katër herë armiqtë organizuan atentate me armë. Dy herë e burgosën pushtuesit serbë dhe bullgarë. Gjashtë herë e dënuan me vdekje: xhonturqit, feudali e vegla e Serbisë, Esat Toptani, qarqet shoviniste serbomadhe dhe tri herë qeveria e Ahmet Zogut. Më 14 gusht 1933 u vra me atentat nga agjentët e Ahmet Zogut në bashkëpunim me qeverinë jugosllave. Hasan Prishtina ka lënë një varg artikujsh si dhe kujtimet e tij për kryengritjen antiosmane të 1912-ës që kanë vlerë për historinë e lëvizjes sonë kombëtare e demokratike. Në vitin 1977 eshtrat e tij u sollën nga Selaniku në Shqipëri. (A. Ha.) (Marrë nga Fjalori Enciklopedik i Shqipërisë, botim i Akademisë së Shkencave, Tiranë 1988)

Deri në vitin 1960, Tirana zyrtare, e konsideronte tradhtar Hasan Prishtinën!

Si rrallë ndonjë figurë tjetër e politikës dhe historisë së Shqipërisë. që aktivitetin dhe veprimtarinë e tyre e patën gjatë gjysmës së parë të shekullit të kaluar, Hasan Prishtinën, e ndoqi i njëjti “fat” si në gjallje, ashtu dhe pas vdekjes së tij. Kjo ka të bëjë me faktin se ashtu si gjatë gjithë veprimtarisë së tij politike, ku pati një sërë oshilacionesh, me mjaft ngritje dhe ulje (nga deputet i parlamentit turk dhe atij shqiptar, në kryeministër i Shqipërisë dhe më pas emigrant politik në disa shtete të Evropës), edhe pas vdekjes, për një pjesë të shqiptarëve, ai mbetej një “patriot dhe atdhetar i madh i çështjes kombëtare”, kurse për një pjesë tjetër të shqiptarëve, ai s’ishte gjë tjetër veçse një “renegat dhe tradhtar i atdheut”! Madje edhe historiografia dhe propaganda e regjimit komunist të Enver Hoxhës, deri në fillimin e viteve ’60-të, Hasan Prishtinën e konsideronte një “reaksionar dhe tradhtar të adheut”, gjë e cila ishte e shkruar mjaft qartë në të gjitha tekstet shkollore dhe ato të institucioneve shkencore dhe akademike të shtetit shqiptar të asaj kohe. Edhe pse në historiografinë dhe librat e ndryshëm të botuara deri në atë kohë në Shqipëri, vrasja e Hasan Prishtinës në Selanik në vitin 1933, ishte e kurdisur nga Mbreti Zog, propaganda zyrtare e asaj kohe, vazhdonte ta etiketonte atë si tradhtar të atdheut. Sipas dëshmive ekskluzive të studiuesit, publicistit dhe shkrimtarit të njohur Gani Demiri (Ratkoceri), me origjinë nga Kosova (ish- burgosur politik para viteve ’90-të dhe Mësues i Popullit), rehabilitimi i Hasan Prishtinës, u bë i mundur vetën në fillimin e viteve ’60-të, kur një grup studiuesish, historianësh e publicistësh kosovarë që kishin ardhur si emigrant në Shqipëri, si: Ajet Haxhia, Gani Demiri etj., i bënë kërkesa të shumta Komitetit Qëndror të PPSH-së, duke i kërkuar rishikimin e figurës së Hasan Prishtinës. Mbas një sërë takimesh e konsultash me studiues dhe profesorë të historisë, ata patën një takimi edhe me ish-ministrin e Arsimit të asaj periudhe, Manush Myftiun, të cilit i parashtruan shqetësimin e tyre për figurën e Hasan Prishtinës. Pas atij takimi, çështja filloi të merrte rrugë dhe figura e Hasan Prishtinës u mor në shqyrtim nga Instituti i Historisë. Sipas Gani Ratkocerit, ai personalisht, ishte ndër të parët që e ngriti problemin e figurës së Hasan Prishtinës, gjatë një bisede të lirë që kishte pasur me profesorin e tij, Aleks Buden, të cilit i tha: “Profesor, ne në Kosovë e kemi njohur për patriot Hasan Prishtinën”. Sipas Gani Ratkocerit, pas një sërë debatesh dhe mbledhjesh, diku aty nga viti 1961-1962, më në fund u vendos që Hasan Prishtina të shpallej patriot i atdheut dhe si i tillë të trajtohej edhe në librat dhe historiografinë zyrtare të regjimit komunist të asaj kohe. Pas rehabilitimit të figurës së tij, regjimi komunist i Tiranës bëri të mundur edhe sjelljen e eshtrave të tij në Shqipëri në vitin 1977./Memorie.al / KultPlus.com