Alban Muja: Në Bienalen e Venecias, vepra do të flasë për rrugëtimin e Kosovës dhe popullit të saj

Arbër Selmani

Nuk ka muaj të vitit që Alban Muja nuk është i pranishëm në ndonjë ekspozitë nëpër Evropë, e shpesh edhe jashtë saj. Nëse jo ai fizikisht i pranishëm, puna e tij është e ekspozuar në galeri arti, në muze, në ekspozita kolektive e shpeshherë personale. Artist i njohur nga Kosova por një shpirt artistik që i përket botës, Alban Muja këtë vit është përzgjedhur për përfaqësimin e Kosovës në Bienalen e Venecias, për 2019-tën. Në këtë intervistë të fundvitit, Albani na tregon më shumë për këtë paraqitje të rëndësishme artistike, për karrierën e tij, për artin në Kosovë por edhe për Fakultetin e Arteve – institucionin ku edhe vetë ka ligjëruar për një kohë. Djali që krijoi “Palestinën” dhe “Tibetin”, dhe punët tjera artistike që janë shfaqur në Kosovë e jashtë saj, zbulon më shumë në këtë intervistë për KultPlus.

KultPlus: Po e nisim me atë se çka po bën momentalisht Albani? Ku është arti i Albanit, si dhe inspirimi brenda kokës së Albanit, kah anon?
Alban Muja:
Ka një kohë që jam në Paris, dhe këto ditë janë të fundit të një projekti që po e bëj këtu. Jam në një institucion që pret shumë artistë të mediumeve të ndryshme nga mbarë bota për residenca dhe çmime të ndryshme artistike. Është ‘Cite International des Arts’, institucioni kryesor për residenca artistësh në Francë dhe ndër institucionet më të mëdha në botë për residenca. Unë jam këtu pas një nominimi nga dy kuratorë francezë nga Muzeu i Artit Modern i qytetit të Parisit, Odile Burluraux dhe Jessica Castex, të cilat vitin e kaluar kishin bërë një udhëtim dhe kanë takuar artistët nga rajoni dhe kishte ardhë kësisoj edhe nominimi i tyre me emrin tim.

Nominimi ishte siguruar për një listë të gjerë artistësh. Pastaj komiteti i ‘Cite International des Arts’ më kanë zgjedhur mua dhe disa artistë nga vendet e ndryshme të botës për këtë residencë e cila në rastin tim është përkrahur edhe nga Ambasada Franceze në Prishtinë.

Pra nga nominimi e deri tek këto ditët e fundit në Paris është një projekt i tërë francez ku përfshin edhe një projekt timin që është në realizim e sipër në bashkëpunim me artistët tjerë në residencë. Por ajo çka është më e mira, jemi duke diskutuar se si një program i tillë me ju nda më shpesh artistëve nga Kosova, pasi këtu në ‘Cite’ shumica e shteteve por edhe institucionet e artit kanë studiot e veta ku i dërgojnë artistët, gjë që shpresojmë që në një të ardhmë të afërt, ku edhe jemi duke punuar në këtë drejtim, të ndodhë që edhe artistët kosovarë të kenë një studio të veten dhe të kenë mundësi që të kalojnë në Paris disa muaj kohë si formë e studimit dhe hulumtimit të ndonjë projekti që ata propozojnë.

Fotografia: Fadil Berisha

KultPlus: Këtë vit, një ndër sukseset më të mëdha tuat është përzgjedhja të përfaqësosh Kosovën në Bienalen e Venecias? Na trego më shumë çka do të ndodhë, me çka do të paraqitesh atje dhe sa ka rëndësi kjo arritje për karrierën e Albanit?
Alban Muja:
Padyshim, nominimi im për ta krijuar Pavijonin e Kosovës në Biennalen e 58-të të Venedikut është një privilegj por edhe përgjegjësi e madhe, pasi siç e dimë Bienalja e Venedikut është eventi më i rëndësishëm i artit në botë, ndoshta edhe i kulturës në përgjithësi. Çdo artist e pret këtë rast, pasi është eventi i vetëm kur artisti nuk e prezanton vetëm emrin e tij por edhe shtetin nga vjen. Si i tillë, ky moment e shton edhe më shumë peshën dhe përgjegjësinë që të kemi një prezantim sa më dinjitoz. Mos të harrojmë se shteti ynë është një shtet i ri dhe i vogël, shumë shpesh edhe i kontestuar, dhe kjo më bën edhe më të përgjegjshëm që prezantimi im, përkatësisht i Kosovës të jetë në nivel. Gjithsesi, kur i shtohet këtu edhe fakti që prezantimet paraprake të Kosovës kanë qenë mjaft dinjitoze, shpresojmë edhe ne të vazhdojmë me suksese!

Sa i përket projektit, së bashku me ekipën e Pavijonit jemi ende në proces e sipër. Por ajo çka kemi kujdes, së bashku me Arta Aganin, e cila është komisionere e pavijonit, është të bëjmë një ekipë sa më profesionale dhe në ekipë kemi ftuar si kurator Vincent Honore, një kurator i rëndësishëm në skenën e artit botëror që të kurojë pavijon tonë. Honore me eksperiencën që ka në disa prej institucioneve më të rëndësishme të artit në Europë, si në ‘Palais de Tokyo’ në Paris dhe ‘Tate Modern’ në Londër, së bashku me asistenten e tij Anya Harrison, po ashtu kuratore e angazhuar mjaft, ndër të fundit angazhimi i saj dhe i kuratorit Honore në MoCo (Montepellier Contemporary), do të ndihmojnë që Pavijoni të marrë formën e duhur. Por sikur thashë më parë, ne si shtet i vogël dhe i ri gjithsesi duhet të fokusohemi t’i tregojmë botës së artit të kaluarën tonë duke mos dashur ta ekzagjërojmë por asnjëhërë duke e fshehur të kaluarën dhe rrugën tonë deri tek ky prezantim i yni që vjen pikërisht njëzetë vjet pas çlirimit të Kosovës.


Germans are a bit scared of me / 2013

KultPlus: Meqë po flasim për një paraqitje ndërkombëtare, a është arti kosovar sipas teje një promoter i mirë në diplomacinë kulturore?
Alban Muja:
Artistët vizuel në Kosovë që nga koha e okupimit kanë qenë mjaft aktivë në skenën e artit bashëkohor botëror dhe besoj me të drejtë mund të quhen promoterë të fortë në diplomacinë kulturore. Gjithsesi edhe artet tjera kanë një ngritje të mirë viteve të fundit dhe besoj që ajo po shihet edhe me prezencën e artistëve kosovarë në eventet më të rëndësishme sot të artit dhe kulturës së botës. Shpesh, nëse flasim për artet vizuele, ndoshta nuk komunikon me masën gjithmonë, por kanë një komunikim me një skenë të rëndësishme që nuk është vetëm e artit. Unë ende besoj që nuk ka promoter më të mirë për një shtet se arti dhe kultura, pa harru edhe sportin, andaj përkrahja duhet të vijë jo gjithmonë vetëm nga fondet publike, por edhe nga ato private pasi besoj që edhe ata duhet të jenë konsumues dhë përkrahës të rregullt të artit.

KultPlus: Sa ka marrë mbështetje Albani nga institucionet shtetërore për Bienalen e Venecias, duke marrë parasysh përmasat e Bienales?
Alban Muja:
Gjithsesi, pjesëmarrja e Kosovës që nga aplikimi deri te sigurimi i hapësirës që është një punë shumë, shumë e madhe, është shtetërore, pasi siç e përmenda është eventi i vetëm i këtij lloji ku nuk prezantohet vetëm artisti por edhe shteti. Andaj sikur edhe aplikimi dhe konfirmimi për pjesëmarrje por edhe buxheti kryesor vjen nga Ministria e Kulturës. Mund të them që nga nominimi im kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë si me ministrin Kujtim Gashi edhe me Ministrinë në përgjithësi. Kjo nuk do të thotë që nuk mund të kemi përkrahje edhe nga institucionet tjera si ato shtetërore dhe private, e që besoj do të kemi, por barrën kryesore në të gjitha shtetet sikurse edhe te ne e mbanë Ministria e Kulturës, që nga inicimi i pjesëmarrjes së Kosovës, në atë kohë në vitin 2013 nga Memli Krasniqi, që ishte një vendim shumë i mirë dhe i mirëpritur nga artistët në përgjithësi. Nuk ka event më të madh të artit në botë, për të promovuar artin dhe kulturën e një shteti, e kjo neve na duhet më së shumti.

HOTel
2014-2016 Installation

KultPlus: Dihet se Bienalja është edhe garuese. Pretendon Albani ta krijojë një Pavijon që mund të ketë vëmendjen dhe sytë e kritikëve?
Alban Muja:
Ajo çka po provojmë së bashku me ekipin është që të kemi një prezantim sa më dinjitoz, besoj ajo kërkohet nga ne dhe ky është fokusi ynë kryesor. Ne jemi të vetëdijshëm që të gjitha shtetet, madje ato shtete që kanë buxhet milonësh, dërgojnë artistët apo projektet më të mira që kanë për momentin. Andaj duke qenë të vetëdijshëm për këtë, nuk është që kam menduar shumë në këtë drejtim, pasi është mirë të jemi realist dhe të fokusohemi në atë çka mundemi dhe kemi mundësi t’i sjellim ne botës së artit. Dhe ky është qëllimi ynë i vetëm, pra të sjellim para audiencës së madhe dhe kritikëve një prezantim sa më të mirë, të një projekti që do flasë kryekëput për rrugën tonë si vend dhe si popull deri më tani.

KultPlus: Si artist tash e disa vite aktiv brenda e jashtë Kosovës, ku e sheh sot artin kosovar? Ku janë problemet dhe përparësitë në fushën e artit dhe kulturës në Kosovë?
Alban Muja:
Besoj që artet vizuele në Kosovë, sidomos artistët i kanë paraprirë zhvillimeve në përgjithësi në Kosovë me prezencën e tyre në skenën e artit botëror, andaj shpesh skena e artit e Kosovës edhe pse e vogël ka pasur një rëndësi të veçantë jo vetëm në rajon por edhe më gjerë, nëse shohim kushtet por edhe problemet në përgjithësi, që nga edukimi por edhe konsumimi i artit në vendin tonë. Edukimi në art në përgjithësi duhet të jetë shtylla kryesore, gjë që nuk ka ndodhë deri më tash mjaftueshëm, edhe pse besoj që ka iniciativa, si ato nga individë tek institucionet publike por edhe te institucionet private të edukimit.

Besoj që në të ardhmen duhet patjetër të fokusohemi te edukimi, pastaj investimi më i madh në burime njerëzore e deri te hapësirat e artit si ato publike por edhe ato private. Patjetër që vendit tonë i duhet në të ardhmen e afërt një Muze Arti, modern dhe bashkëkohor, pasi ka çka të tregohet, por para se një gjë e tillë të ndodhë duhet investime tek të rinjtë, pasi siç e dimë vendit tonë i mungojnë disa hallka të artit, përveç artistëve. Që nga kritikët dhe historianët e artit, besoj që duhet investim në të ardhmen e deri tek galeritë komerciale dhe koleksionistët, gjë që nëpër vendet tjera nuk mungojnë. Ne fatkeqësisht thuajse nuk kemi ose kemi shumë pak kritikë apo historianë të artit, asnjë kurator që ka këtë punë primare, dhe tregu i artit thuajse është inekzistent. Për të gjitha këto, përveç edukimit, ne nuk duhet të presim që çdo herë të inicohet nga fondet publike por edhe me iniciativë private.


My Name Their City / Miloti

KultPlus: Cilët janë artistët e preferuar të Albanit, në fushën e artit pamor?
Alban Muja:
Shpesh mendoj se kush janë artistët që unë i pëlqej, ka shumë, por më shumë ka vepra, andaj është e vështirë të them emra, pasi jam i sigurtë që do harroj shumë. Por ajo çka shpesh shoh në hapësira ekspozuese janë veprat, pasi jo çdo vepër e ndonjë artisti të preferuar mund të më pëlqejë. Zakonisht më pëlqejnë ato vepra tek të cilat nuk përfundon diskutimi aty brenda hapësirës ekspozuese apo ato vepra që ‘marrin’ me vete çdo gjë për disa sekonda. Arti ka ndryshu, siç ka ndryshu edhe qasja ndaj artistëve andaj vepra nuk duhet të jetë komforte por të ngritë debat për fenomene të ndryshme shoqërore.

KultPlus: Para se të përfundojmë, një pyetje rreth Fakultetit të Arteve në Kosovë, ku keni dhënë mësim… A është ky Fakultet në nivelin e duhur, meqë shpesh është objekt i sulmeve të ndryshme nga qarqet akademike dhe artistike.
Alban Muja:
Thënë të drejtën ka një kohë që nuk kam folë e nuk kam dashtë të merrem me Fakultetin e Arteve, pasi që nuk ka ndryshuar mendimi im sikur atëherë kur kam punuar për dy vite në këtë institucion, madje ku edhe e pata bashkëinicu dhe e kam shkruar vetë një program të ri që sot çka e di vazhdon të ecë disi.

Mendimi im është dhe sot pak a shumë i njëjtë: Fakultetit të Arteve i cili është institucion publik dhe paguhet me taksat tona, i duhet një reformim total. Atëherë pata thënë që ndoshta duhet me e mbyllë për një kohë deri sa të rishikohen disa gjëra, sidomos programet dhe stafi, tash po provoj me qenë më i butë dhe po them i duhet reformim, me të vetmin qëllim që mos të marrim gjeneratat e reja në qafë. Nuk them që nuk ka pasur iniciativa, por problemi është i thellë pasi shpesh lëndët janë ndërtuar për profesorët dhe jo për studentët dhe të tilla raste janë shumë. E di që ka një udhëheqje të re që një kohë dhe e di që është tentuar për një reformim, por një gjë e tillë nuk e di a ka ndodhur, pasi problemi është i grumbulluar në dy dekadat e fundit, së paku. Duhet të rishikohen programet dhe stafi akademik, nëse një gjë e tillë nuk ndodhë, besoj që është e vështirë për të ndryshuar pozitivisht. Gjithsesi, besoj në gjeneratat e reja që një ditë do të ngrisin zërin në këtë drejtim.

Fotografia: Matteo Fieni

KultPlus: Dhe për fund, planet e Albanit për vitin e ardhshëm, pos Bienales?
Alban Muja:
Gjithsesi angazhimi kryesor për momentin dhe deri sa të hapet Bienalja e Venedikut në muajin Maj, është projekti për këtë ekspozitë. Ka disa oferta dhe propozime sikurse edhe disa ekspozita, por të gjitha do shqyrtohen dhe do vlerësohen pas Biennales pasi si natyrë pune e kam pasur çdo herë problem me kry një punë të dytë para të parës, përveç pjesëmarrjes në disa ekspozita me vepra të punuara më herët. Gjithsesi, besoj dhe shpresoj që angazhimet nuk do të ndalen, pasi ka disa projekte të reja që i kam punuar dhe që besoj që duhet ekspozuar apo ndarë me publikun.

Urime Viti i ri 2019.

Ministri Gashi emëron artistin Alban Muja për ta prezantuar Kosovën në Bienalen e Venedikut 2019

Pas propozimit të komisioneres së Pavijonit të Kosovës në Bienalen e Venedikut, Arta Agani, njëherësh drejtoreshë e Galerisë Kombëtare të Kosovës, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka marrë vendim që artisti Alban Muja të prezantojë Kosovën në edicionin e 58-të të Ekspozitës Ndërkombëtare të Artit në Bienalen e Venedikut që do të mbahet në vitin 2019 nga 11 maj deri më 24 nëntor.

Me këtë rast, ministri Gashi tha se prezantimi i Kosovës në këtë ngjarje përmes Alban Mujës, është tejet i rëndësishëm dhe Kosova do të ketë një prezantim të suksesshëm në këtë edicion të vitit të ardhshëm.

Ministri po ashtu tha se e vlerëson pjesëmarrjen e Alban Mujës në ekspozita dhe festivale të ndryshme jashtë vendit.

“Artisti Alban Muja, i cili do të prezantojë Kosovën në Bienale, është emër i afirmuar edhe në skenën botërore të artit. Puna e Mujës është ekspozuar gjerësisht në festivale të ndryshme, panaire arti, ekspozita grupore dhe solo”, tha ministri mes tjerash Gashi. / KultPlus.com

Alban Muja, pjesë e ekspozitës ‘Stranger Than Paradise’ në Pragë

‘Stranger than Paradise’ – apo më e çuditshme se parajsa.

Ky është emri i ekspozitës ku do të marrë pjesë mes artistëve tjerë edhe Alban Muja, artisti i njohur kosovar.

Sado që ekspozita sjellë artistë nga Ballkani, ajo tenton të mos quhet si e tillë – si ekspozitë nga Ballkani, pasi plot të tilla ka pasur që nga fundi i viteve 90-të.

Ekspozita do të hapet me 9 qershor në Pragë.

Tevž Logar dhe Eva Riebová si kuratorë të ekspozitës kanë zgjedhur artistë të ndryshëm për këtë ekspozitë. Jasmina Cibic – artiste e njohur nga Sllovenia, Alban Muja – një prej artistëve më të mirë që ka Kosova, Pavel Brăila, Lana Čmajčanin, Tomislav Gotovac, Vlado Martek, Tanja Ostojić dhe Mark Požlep do të paraqesin projektet e tyre artistike në këtë ekspozitë, shkruan KultPlus.

Muja do të prezantohet në ekspozitë me punën ‘Tonys’ të vitit 2010. Nëntë fëmijë shqiptarë janë emëruar dikur me emrin Tony Blair, duke nderuar personin që ndihmoi shqiptarët e Kosovës të dalin nga lufta e vitit 1999. Të gjithë TonyBlair janë lindur në vitin 1999, pasi Kosova u çlirua.

Mosha të ndryshme brenda ekspozitës, e përbashkëta e punëve është vendimi i artistëve për të ekspozuar deklaratat e tyre shumë intime e personale si pjesë e kushteve të ndryshme specifike sociale, politike e ekonomike. Këto janë vendime radikale por të sinqerta që nuk tolerojnë kompromis.

Ekspozita ‘Stranger than Paradise’ do të qëndrojë e hapur në MeetFactory deri në muajin shtator. / KultPlus.com

Artistët shqiptarë i bashkohen problemeve të përbashkëta në ekspozitën në Shkup

Një numër artistësh shqiptarë do të jenë pjesë e një ekspozite në Shkup.

Alban Muja, Anri Sala, Flaka Haliti do tu bashkohen artistëve të tjerë në “All That We Have in Common”.

Ekspozita do të hapet të mërkurën e 18 prillit.

Ekspozita adreson paqartësitë në kontekstin e zhvillimeve kulturore, politike e sociale që lidhen me dobësinë dhe paparashikueshmërinë e jetës.

18 artistë kanë sjellë punët e tyre në Shkup, në ekspozitën që synon të na bëjë të reflektojmë mbi të tashmën, mbi sjerlljet tona dhe përvojat tona. Problemet që këta artistë i fokusojnë në veprat e tyre janë tragjike: mjerimi shoqëror, përjashtimi, manipulimi politik dhe faktorët tjerë që ndikojnë në shqetësimin tonë të ditëpërditëshëm.

Ekspozita do të hapet në ora 20:00 në Muzeun e Artit Bashkëkohor në Shkup, shkruan KultPlus.

Në ekspozitë marrin pjesë edhe Maja Bajevic, Ibro Hasanović, Gjorgje Jovanovik, Šejla Kamerić, Žaneta Vangeli dhe artistë të tjerë nga Serbia, Bosnja, Maqedonia, Slovenia, Turqia, Greqia dhe Franca.
Mira Gacina dhe Jovanka Popova janë dy kuratoret e ekspozitës. / KultPlus.com

Alban Muja në Londër , flet për ‘Artin si mjet politik’

Ambasada e Kosovës në Londër do të mbajë diskutimin “Arti si mjet politik”, ku i ftuar është artisti Alban Muja. Diskutimi do të mbahet më 23 shkurt, në Ambasadë, duke filluar nga ora 18:30, shkruan KultPlus.

“Jemi të nderuar që të kemi dy njerëz të jashtëzakonshëm që bisedojnë rreth artit. Nora Weller, një studiuese ligjore për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, do të drejtojë një bisedë me artistin e njohur kosovar, Alban Muja, për veprat e tij më të fundit dhe ekspozitat e tij në mbarë botën gjatë vitit të kaluar”, thuhet në njoftim të ambasadës.

Nora Weller është Drejtore e Akademisë për Çështje Globale në Kembrixh të Mbretërisë së Bashkuar. Studimi i saj i fundit: Trashëgimia Kulturore në Kosovë: aspektet ligjore, kulturore dhe politik, shikon nga afër kornizën legjislative dhe politikat rreth mbrojtjes së trashëgimisë kulturore në Kosovë. Ajo ka diplomuar për juridik në Universitetin e Kembrixhit. Kurse është larguar nga Kosova me familjen e saj kur ka qenë e vogël.

Alban Muja (i lindur më 1980 në Mitrovicë) është artist vizual dhe filmbërës nga Kosova. I ndikuar kryesisht nga proceset e transformimit shoqëror, politik e ekonomik në rajonin e gjerë, ai i ka hyrë hulumtimit të temave historike dhe shoqërore-politike dhe i lidh ato me pozitën e tij në Kosovë.
Veprat e Mujës, i cili konsiderohet si njëri nga artistët më të suksesshëm të gjeneratës së re të artistëve nga Ballkani, përfshijnë një spektër të gjerë mediesh, si video-instalacionet, filmi, vizatimi, piktura, fotografia dhe performanca, të cilat janë ekspozuar shumë në festivale të ndryshme, panaire arti, ekspozita personale si dhe në grup.

Muja ka qenë edhe fitues/artist rezident në disa institute, galeri dhe muze të rëndësishëm në botë, ndër të cilat “Tobačna 001 residency” të Muzeut të Qytetit të Lubjanës; Projektit Apartment, Stamboll, Turqi; Çmimit për artist të ri vizual nga ISCP Residency, New York, SHBA; ARTSLINK Residency New York; KulturKontakt Residency, Vjenë, Austri; Backyard International Artist Residency, Kuda-Center për Media të Reja, Novi-Sad, Serbi; International Artist and Writer Residency, Santa Fe Art Institute, New Mexico, ShBA; Braziers International Artist Residency, Braziers Park, OxfordShire, Angli. Është ligjërues i artit në UBT.

Vendet janë të limituara kështu që ata që dëshirojnë që të jenë pjesë e këtij diskutimi duhet të lajmërohen në këtë email: [email protected]./KultPlus.com

Alban Muja, laureat i vitit 2018 në Qytetin Ndërkombëtar të Arteve në Paris

Në mesin e 60 artistëve nga e mbarë bota, Alban Muja nga Kosova është laureat i vitit 2018 në programin e qëndrimit në Qytetin Ndërkombëtar të Arteve në Paris, shkruan KultPlus.

Për këtë përzgjedhje ka njoftuar Ambasada e Francës në Kosovë dhe në këtë program, Alban Muja do të qëndrojë prej 9 tetorit të vitit 2018 deri më 4 janar të vitit 2019. Gjatë kësaj kohe ai do të mund të zhvillojë një projekt artistik dhe të takohet me shumë bashkëbisedues dhe artistë./KultPlus.com

“Minierat e Kulturës” sonte në Tulla- Culture Center në Tiranë

Sonte, në ora 21:00 do të mbahet finissage i ekspozitës “Minierat e Kulturës” në Shqipëri, në Tulla –Culture Center në Tiranë, shkruan KultPlus.

Vizitorët do të kenë mundësinë që ta shohin nga afër veprën HOTel të artistit vizual Alban Muja e cila do të ekspozohet brenda hapësirës së qendrës Tulla.

“Minierat e Kulturës” është një projekt i bashkëpunimit multilateral, ndërkombëtar dhe ndërdisiplinor, të iniciuar në vitin 2012 nga Shoqata Labin Art Express XXI, Labin (Kroaci), me mbështetjen e Fondacionit Kulturor Evropian (ECF) dhe disa donatorë të tjerë. Në fazën e parë (01.01.2013 – 31.12.2014) projekti u zbatua në bashkëpunim me partnerët nga Kroacia (Poligoni, Zagrebi), Bosnja dhe Hercegovina (Shoqata “Manifest”, Prijedor dhe Kompania Publike “Turizam Banovići”), Mali i Zi (OJQ “Tera Nostra”, Mojkovac), Serbia (Fondacioni Balkankult Intereg, Irig), Slloveni (Institucioni Publik “Qendra e Trashëgimisë Idrija”) dhe rezultati përfundimtar ishte krijimi i një platforme informale rajonale bashkëpunimi.

Faza e parë u përfundua me turneun ekspozues “Minierat e Kulturës – Nga revolucioni industrial në atë artistik” (03.11.-13.12.2014.), Në shtatë ish-qytete minerare: Trbovlje dhe Idrija (Slloveni), Boljevac dhe Aleksinac (Serbi), Prijedor dhe Banovići (BeH), Mojkovac (Mali i Zi). Në 2015 platforma është zgjeruar me partnerë të rinj: Kult-Tranzen, Strumicë (Maqedoni), Studio DDT – Trbovlje & Loke, Zagorje ob Savi (Slloveni), Remont, Beograd (Serbi) dhe Kosova në Lëvizje, Prishtinë (Kosovë) dhe janë hetuar dhe dokumentuar disa zona të reja të braktisura ose ende operative të minierave në Slloveni, Serbi, Maqedoni dhe Kosovë. Në turneun e ekspozitës së vitit 2015 u përfshinë tri vende: Beograd, Majdanpek (Serbi) dhe Strumicë (Maqedoni), ndërsa turneu 2016 filloi në Pula (Kroaci) dhe vazhdoi në Kosovë (Prizren, Mitrovicë). Kjo, fazë e parë e projektit përfundoi në vitin 2016 me themelimin e një asociacioni zyrtar ndërkombëtar “Minierat e Kulturës – platforma rajonale bashkëpunuese” për rivalorizimin, mbrojtjen dhe rivitalizimin e trashëgimisë së çmuar të minierave në vendet e ish-Jugosllavisë, ku minierat nuk ishin vetëm një gjenerator i zhvillimit social dhe ekonomik të përgjithshëm, por edhe një nga fushat e pakta në të cilat solidariteti tradicional i palëve më të rëndësishme të saj – minatorët – kapërcejnë ndarjet dhe konfliktet e mëvonshme kombëtare ose (të reja) shtetërore.

Në fazën e ardhshme (2017-2020), që është aktualisht në zhvillim, qëllimi kryesor i projektit është zhvillimi i mëtejshëm dhe zgjerimi i platformës për vendet e tjera të Evropës Juglindore: Shqipëria (2017), Rumania (2018), Bullgaria, etj .. me objektivin përfundimtar të krijimit të Platformës Evropiane të Bashkëpunimit dhe Rrugës Kulturore “Minierat e Kulturës” me mbështetjen e fondeve të BE-së, për të rivendosur lidhjet mes qytezave dhe rajoneve ekzistuese minerare, si dhe për të krijuar forma kulturore dhe forma të tjera të bashkëpunimit ndër-rajonal, me qëllim të fillimit dhe zbatimit të projekteve të përbashkëta që lidhen me shfrytëzimin e minierave dhe trashëgimisë industriale si një industri e re kulturore dhe krijuese në rajonin e EJL-së.

Projekti “Minierat e Kulturës” u përfaqësua në Tiranë me dy ekspozita:
“Minierat e kulturës – nga revolucioni industrial deri në atë artistik” në Qendrën e Kulturës Tulla (6 tetor – 5 nëntor) dhe “Subpolis: Underground City XXI” në Bunk’Art 2 (30 shtator – 7 tetor), në bashkëpunim me shoqatën Qendra URA, e cila së shpejti do të bëhet anëtare e plotë e platformës. www.rudnicikulture.com / www.minesofculture.com Ekspozita udhëtuese “Minierat e kulturës – nga revolucioni industrial deri në atë artistik”.

Tulla – Qendra e Kulturës, Tiranë
6 tetor – 5 nëntor 2017
Përzgjedhësi dhe autori i konceptit të ekspozitës: Branko Franceschi (HR)
Kuratori: Damir Stojnić (L.A.E. XXI / HR)

Lista e pjesëmarrësve dhe veprave:
1. Autopsia (Serbi / CZ), “Libër nga çeliku” – poliptik (objekt metalik)
2. Metal Guru (Kroaci), “HERO XXI – Qyteti Underground” – video
3. Dario Šolman (Kroaci), ˝Starcity˝ – film i animuar dhe vizatime
4. Laibach (Slloveni), “Instrumenti i makinës shtetërore” – triptik (printime në letër)
5. Vladimir Knežević (Bosnjë dhe Hercegovinë), ˝Mbreti dhe Mbretëresha˝ – skulpturë nga metali
6. Mladen Miljanoviç (Bosnjë dhe Hercegovinë), “Cosa nostra” – video dokumentar i performancës
7. Irena Lagator Pejović (Mali i Zi), “Funksioni i ekuacionit” – instalacion
8. Nikola Pijanmanov (Maqedoni) “Dritaret e thurura” – pikturë (teknika të përziera në dru)
9. Alban Muja (Kosovë) “HOTel” – objekti / instalacion
10. Helidon Gjergji (Shqipëri) “Minefields” – printime dixhitale ne etalbond
Organizator: Labin Art Express XXI (L.A.E. XXI), Labin, Kroaci (www.lae.hr)
Bashkëorganizator: Qendra e Kulturës – Tulla, Tiranë
Ky projekt u financua nga:
Foundacioni „Kultura nova“, Ministria e Kulturës së Kroacisë dhe Rajonit të I./KultPlus.com

“The Legendary Dog” nga Alban Muja, sonte në Berlin

Artisti kosovar Alban Muja, sonte do të prezantohet në Berlin të Gjermanisë, shkruan KultPlus.

Ekspozita titullohet “The Legendary Dog”, ndërsa për kurator ka Boris Kostadinov.

LS43, Berlin, paraqet 3 filma nga artisti nga Kosova Alban Muja. Nga njëra anë, videot bazohen në fakte specifike që lidhen me kontekstin lokal në të cilin jeton dhe punon artisti. Nga ana tjetër, duke përdorur një ose një tjetër histori private, Alban Muja arrin ta vendosë këtë histori në një kontekst global të interpretimit.

Hapja e ekspozitës bëhet sonte në ora 20:00 në Lübecker Strasse 43, 10559 Berlin, Gjermani. / KultPlus.com

Alban Muja sjellë problemet e kufijve në mes popujve në Autostrada Biennale

Artisti vizual dhe regjisori me qëndrim në Kosovë, Alban Muja, i ndikuar kryesisht nga proceset transformuese sociale, politike dhe ekonomike në rajonin e gjerë përreth, ai hulumton historinë dhe temat socio-politike, duke i lidhur ato me pozitën e tij në Kosovë sot. Veprat e tij mbulojnë një gamë të gjerë të mediumeve, duke përfshirë: video instalimet, filmat e shkurtër, filmat dokumentarë, vizatimin, pikturën, fotografinë dhe performancën, të cilat janë shfaqur gjerësisht në festivale të ndryshme, panaire arti, ekspozita grupore dhe vetanake. Ai poashtu ka ndjekur rezidenca të ndryshme dhe ka fituar një mori të bursave, shkruan KultPlus.

Muja kësaj radhe prezantohet edhe në Autostrada Biennale me dy vepra: “Catch me ” (Më kap) dhe Borders without borders” (Kufijë pa kufijë). Ekspozita e tij qëndron e hapur deri më 23 shtator në stacionin e autobusëve në Prizren, 6 ditë në javë (përveç të hënës).

“Unë jam pjesëmarrës me dy projekte. “Borders without borders” është ende projekt në proces, që ka filluar vitin e kaluar dhe ende nuk ka mbaruar. Projekti përbëhet nga 12 fotografi të objekteve kufitare të zonës Schengen e cila lidhet shumë mirë me temën që e ka zgjedhur kuratori, përkatësisht edicioni i sivjetmë i bienales. Unë këtë projekt apo projektet tjera, nuk mendoj patjetër se cilin koncept apo cilën ekspozitë do të marrë pjesë por provoj t’i hulumtoj ato tema që mua më interesojnë dhe varësisht nga konceptet kuratoriale të ekspozitave të ndryshme, ato janë pjesë të ekspozitave”, është shprehur Muja.

Projekti tjetër me të cilin po prezantohet Muja, thirret “Catch me”. Ky është një projekt që artisi e ka realizuar para 10 vitesh në kufirin Amerikë – Meksikë, ku atë kohë ka shkuar për të realizuar një projekt tjetër, ndërsa projekti “Catch me” ka ardhë si plan B. Të dyja këto projekte flasin për kufijtë, për rëndësinë e kufijve por dhe shpesh për kufijtë e hekurt që sot ekzistojnë mes popujve apo vendeve të ndryshme.

“Normal si artist dhe njerëz kreativ ne duhet gjithë kohen të luftojmë kufijtë, pasi besoj që një artist apo dikush që i përket subjekteve kreative, lëvizja është fundamentale, pa lëvizje është e pamundshme me qenë pjesë e skenave të ndryshme. Prandaj dy projektet njëfarë mënyre e tregojnë njëfarë realiteti por njëkohësisht e marrin një farë shikimi prej larg, në formë të kritikes për atë që ndodhë sot në 2017, por edhe në 2007 apo edhe më herët siç ka ndodhur me kufijtë në përgjithësi, dhe duke e krahasuar këtë, si projekt, me pozicionin e popullit ku unë jetoj, apo prej nga vij, ku liria e lëvizjes apo kufijtë janë shumë të hekurt”, është shprehur tutje Muja, përcjellë KultPlus.

Motivi i organizatorëve të Autostrada Biennale për të bërë një event të tillë në Prizren, Mujës qysh në fillim i është dukur pak ambicioz, madje ai ka menduar që është gati e pamundur të realizohet.

“Gjithçka që mund të them është se deri më tash ka qenë eksperiencë e mirë, e hatashme dhe shpresoj që këta do të vazhdojnë t’i sjellin edhe Prizrenit edhe Kosovës pse jo edhe skenës se artit në rajon një eveniment të rëndësishëm i cili nuk e ka bazë qytetin por e ka lëvizjen dhe besoj që kjo i duhet dhe besoj që jo vetëm shoqërisë ku ka ndodhë por edhe rajonit dhe shpresoj që do të vazhdojë dhe do t’i sjellë çdo dy vite artistë, projekte, që në njëfarë mënyre kanë me u ballafaqu me realitetin që ndodhë në vend por edhe realitetin që sjellë vendi”, ka folur Muja rreth këtij eventi.

“Më kap” tregon veprimin fizik të artistit të hedhur mbi kufirin amerikano-meksikan. Artist vetë vjen nga një vend, ku liria e lëvizjes nga një shtet në tjetrin, për shumicën e njerëzve në vendin e tij është vetëm një ëndërr, pak a shumë e njëjtë me atë të meksikanëve kur ata duan të kalojnë kufirin me SHBA.

Projekti “Kufijë pa Kufijë” përfshin 26 fotografi të 26 ndërtesave kufitare, të 26 shteteve të Shengenit të BE-së. Sot, këto ndërtesa kanë mbetur “të braktisura”, ngjashëm me mënyrën se si ndarjet kufitare ndër shtetet e BE-së kanë vepruar që të ekzistojnë. Megjithatë, duke vazhduar me praninë fizike, duke na kujtuar për një ndarje të kaluar që nuk ekziston më, këto ndërtesa gjithashtu ngrenë pyetje se çfarë funksioni tjetër mund të kenë ose të luajnë në të ardhmen.

Vetë artisti vjen nga një vend, ku ende ekzistojnë ndërtesat funksionale të kufirit dhe liria e lëvizjes është e kufizuar. Artisti ka zgjedhur të fotografojë ndërtesat e braktisura të kufirit, në shtetet anëtare të BE –së dhe të nxisë pyetje rreth vërtetësisë së ekzistencës ose mos ekzistimit të kufijve midis këtyre shteteve – shumica e të cilave ndajnë një të kaluar, shpesh një konflikt, por gëzojnë sot lirinë e lëvizjes me njëri-tjetrin.

Nga njëra anë, një ndërtesë kufitare është ende funksionale kur hynë nga një shtet jo-Shengen në një shtet Shengen. Nga ana tjetër, brenda vetë zonës së Shengenit, ndërtesa të tilla kufitare janë konfiskuar për t’i shërbyer ndonjë qëllimi tjetër. Për ata njerëz që janë të kufizuar nga liria e lëvizjes, ndërtesa të tilla përfaqësojnë shumë më tepër sesa vetëm një prani fizike – ato mund të sjellin kujtimet e refuzimit, vështirësive dhe dhimbjes dhe shumë njerëz sot zgjedhin të marrin rrugë të paligjshme për të kaluar ndarjet kufitare.

Ata e bëjnë këtë në kërkim dhe besim të një jete më të mirë, kryesisht vijnë nga zonat e luftës ose shoqëritë e pasluftës. Meqenëse artisti vjen nga një vend, dhe një rajon, i cili ka pësuar përvoja të tilla dhe ku liria e lëvizjes vazhdon të jetë e kufizuar, tregimet dhe narracionet e tilla janë të ngjashme. Kufijtë ishin shkaktarët e luftës; disa u bënë arsye për të ndarë familjet për dekada të tëra. I tillë ishte rasti midis ish-federatës socialiste të Jugosllavisë dhe Shqipërisë së mëparshme komuniste, ku kufijtë po forcoheshin, në një kohë kur BE ishte tashmë në procesin e hapjes së tyre.
Megjithatë, sot duket se përforcimi i kufijve po shfaqet sërish si një temë e debateve konfliktuale. Dhe kur bëhet fjalë për këto ndërtesa të braktisura të kufirit brenda BE-së, a duhet të ekzistojë një platformë për diskutim, nëse këto ndërtesa mund ti shërbejnë një funksioni kulturor? Si duhet të përkujtohen ato sot? A duhet të shërbejnë, si një kujtim i asaj se çfarë kuptimi kishin në të kaluarën, duke shkuar drejt një të ardhmeje më të hapur?

E kaluara e përbashkët midis shteteve anëtare të BE-së, mund të lexohet dhe regjistrohet edhe përmes arkitekturës së strukturave të tilla kufitare. Kjo është arsyeja pse ato do të dokumentohen, fotografohen dhe ekspozohen përmes një botimi me fotografi, duke e vënë në pikëpyetje potencialin për të ndryshuar qëllimin e këtyre objekteve sot. / KultPlus.com