Publikohen emrat e disa prej këngëtarëve pjesëmarrës në Festivalin e Këngës në TVSH

Kanë nisur të dalin në pah edhe emrat e parë pjesëmarrës në Festivalin e Fundvitit në Radio Televizionin Shqiptar.

Dhjetori i këtij viti do të na sjellë një edicion tjetër të festivalit serioz të muzikës shqiptare.

Emrat e parë të këtij festivali këtë vit tanimë kanë dalë. Klajdi Musabelliu, një këngëtar i dalë nga “Ethet e së premtes”, vjen këtë vit në festival si kantautor.

Redon Makashi, Elton Deda e Aleksandër Gjoka, një treshe e fuqishme e muzikës shqipe, këtë vit do të konkurrojnë në këtë festival, në Pallatin e Kongreseve. Artemista Mithi, këngëtare e re dhe më pak e njohur, këtë vit do të provojë fatin në Festivalin ku fituesi automatikisht fiton të drejtën e përfaqësimit shqiptar në Eurovizion.

Eurovision Albania mëson se këngëtarja Denisa Gjezo është një nga artistet që garon për të qenë pjesë e Festivalit të Këngës në RTSH. Denisa, të cilën e njohim përmes klipeve, muzikës live në disa nga ambientet e kryeqytetit dhe si backvocaliste të këngës “World” në Eurovision 2017, konkurron në Fest 56 me një këngë (“Zemër ku je”) të kompozuar nga Mario Deda, me tekst të Aurel Thëllimit, orkestruar nga Klodian Qafoku.

Këta janë vetëm disa prej emrave që janë zbuluar deri tani, e që do të ngjiten në skenën e festivalit këtë edicion. Edicioni i 56-të i Festivalit të Këngës do të mbahet me 21, 22 dhe 23 dhjetor, shkruan KultPlus.

https://www.youtube.com/watch?v=yDTYkGlLPsQ

Vitin e kaluar, festivalin e fitoi Lindita Halimi e cila më pas edhe e përfaqësoi Shqipërinë në Eurovision Song Contest, por nuk ia doli kualifikimit për në finale. / KultPlus.com