Publikohen emrat e disa prej këngëtarëve pjesëmarrës në Festivalin e Këngës në TVSH

Kanë nisur të dalin në pah edhe emrat e parë pjesëmarrës në Festivalin e Fundvitit në Radio Televizionin Shqiptar.

Dhjetori i këtij viti do të na sjellë një edicion tjetër të festivalit serioz të muzikës shqiptare.

Emrat e parë të këtij festivali këtë vit tanimë kanë dalë. Klajdi Musabelliu, një këngëtar i dalë nga “Ethet e së premtes”, vjen këtë vit në festival si kantautor.

Redon Makashi, Elton Deda e Aleksandër Gjoka, një treshe e fuqishme e muzikës shqipe, këtë vit do të konkurrojnë në këtë festival, në Pallatin e Kongreseve. Artemista Mithi, këngëtare e re dhe më pak e njohur, këtë vit do të provojë fatin në Festivalin ku fituesi automatikisht fiton të drejtën e përfaqësimit shqiptar në Eurovizion.

Eurovision Albania mëson se këngëtarja Denisa Gjezo është një nga artistet që garon për të qenë pjesë e Festivalit të Këngës në RTSH. Denisa, të cilën e njohim përmes klipeve, muzikës live në disa nga ambientet e kryeqytetit dhe si backvocaliste të këngës “World” në Eurovision 2017, konkurron në Fest 56 me një këngë (“Zemër ku je”) të kompozuar nga Mario Deda, me tekst të Aurel Thëllimit, orkestruar nga Klodian Qafoku.

Këta janë vetëm disa prej emrave që janë zbuluar deri tani, e që do të ngjiten në skenën e festivalit këtë edicion. Edicioni i 56-të i Festivalit të Këngës do të mbahet me 21, 22 dhe 23 dhjetor, shkruan KultPlus.

Vitin e kaluar, festivalin e fitoi Lindita Halimi e cila më pas edhe e përfaqësoi Shqipërinë në Eurovision Song Contest, por nuk ia doli kualifikimit për në finale. / KultPlus.com

Radio Televizioni Shqiptar e hapë konkursin për Festivalin e Këngës (VIDEO)

Shqipëria ka hapur konkursin për këngën shqiptare e cila do të përfaqësohet në Eurovizionin e vitit 2018-të.

Radio-Televizioni Shqiptar, fton të gjithë krijuesit dhe interpretuesit e këngës së muzikës së lehtë shqiptare, në konkurrimin për pjesëmarrje në Festivalin e “56-të” të Këngës në RTSH, që do të zhvillohet në muajin dhjetor të këtij viti. Konkurrentët duhet të dorëzojnë:
1. Këngën e kënduar, dhe bazën orkestrale të saj, të regjistruar në CD-ë, të përfunduar në të gjithë elementët përbërës të saj
2. Tekstin e këngës
3. Fotografi te këngëtarit ose grupit nëse merr pjesë për herë të parë

Pranimi i këngëve do të bëhet nga data 2 deri më 10 nëntor 2017 Nga ora 09:00 deri në orën 14:00 në Radio Tirana. Përzgjedhja e këngëve pjesëmarrëse, do të kryhet nga komisioni i seleksionimit të këngëve, në bazë të dëgjimit të tyre Në momentin e dorëzimit të këngës, konkurrentët duhet të plotësojnë formularin e dorëzimit të këngës, në të cilin deklarohen nominalisht të gjithë autorët këngës, përfshirë edhe këngëtarin, të cilët nuk mund të ndryshohen nëse kënga shpallet fituese për të marrë pjesë. Kënga s’duhet të jetë e publikuar më parë. Kënga duhet t ë jetë e kënduar në gjuhën shqipe.

Kënga nuk duhet të jetë më e gjatë se 4 minuta. Kënga duhet të jetë e kënduar nga këngëtari që pretendon ta interpretojë atë në Festival. Pjesëmarrësit duhet të jenë të moshës mbi 16 vjeç. Një këngëtar apo kompozitor, mund të marrë pjesë në konkurrim vetëm me një këngë, përfshirë këtu edhe bashkëautorsinë. Një orkestrues apo tekstshkrues mund të marrë pjesë në konkurrim, me jo më shumë se dy orkestrime apo tekste, përfshirë këtu edhe bashkëautorsinë.

Të gjithë autorët e këngës, përfshirë edhe këngëtarin, duhet të jenë shqiptarë. Mosplotësimi i këtyre kushteve, sjell automatikisht, përjashtimin e këngës nga konkurrimi. RTSH, Ju uron suksese në krijimtari dhe ju falënderon për bashkëpunimin. / KultPlus.com