“Carmina Burana” valëvitet në një spektakël madhështie përmes 350 shpirtrave artistikë të Baletit, Operës dhe Filharmonisë së Kosovës

Era Berisha
Fotografitë: Arben Llapashtica

Mbrëmja e 20 qershorit në Prishtinë u shndërrua në një ngjarje madhështore artistike, ku fuqia e muzikës, vallëzimit dhe emocioneve u bashkuan në skenën e sallës AMC me interpretimin e veprës monumentale “Carmina Burana”. Nën dirigjimin e mjeshtrit japonez Toshio Yanagisawa dhe koreografinë origjinale të Toni Candeloro, ky bashkëpunim ndërinstitucional mes Operës së Kosovës, Filharmonisë së Kosovës dhe Baletit Kombëtar të Kosovës solli një spektakël të rrallë, ku 350 artistë krijuan një përjetim artistik që kapërceu kufijtë e zakonshëm të skenës shqiptare. Magjia e korit, forca dramatike e orkestrës dhe lëvizjet ekspresive të trupës së baletit u ndërthurën në një harmoni tronditëse, duke e kthyer këtë interpretim të “Carmina Burana”-s në një moment historik për jetën kulturore të Kosovës.

Në këtë shfaqje të jashtëzakonshme të “Carmina Burana”, shkëlqimi i veprës u pasurua nga prania e disa prej emrave më të spikatur të skenës vendore dhe ndërkombëtare. Solistja balerinë Antonella Albano nga Teatro alla Scala i dha trupës një hijeshi dhe teknikë të rrallë, ndërsa balerinët tanë Sead Vuniqi, Fatmir Smani, Behie Murtezi, Leonora Rexhepi, Mërgime Morina, Aulona Nuhiu, Fisnik Smani, Blerta Fanaj, Ensar Lutaj, Isa Gjocaj, Donmir Bilalli, Met Bikliqi, Rigon Krasniqi, Nik Musolli, Ilir Krasniqi, Liridon Mziu, Kreshnik Musolli dhe Muhamet Bikliqi sollën një intensitet fizik dhe emocional që e ngriti performancën në lartësi të reja artistike.

Zërat e fuqishëm dhe të ndjeshëm të Besa Llugiqit (soprano), Federico Buttazzo (tenor) dhe Ivo Yordanov (bariton) prekën thellë publikun, duke u bashkuar me korin dhe orkestrën brilante të Filharmonisë së Kosovës, nën përkujdesjen e dirigjentit asistent Hajrullah Syla. Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës, e mbështetur nga koreografja asistente Antonietta Buccolieri erdhi me koreografi në lëvizje të sinkronizuara dhe dramatike, ndërkohë që kori i Operës së Kosovës dhe asistentët dirigjentë Lirjona Sylejmani dhe Adelinë Ndreca – Kolaj sollën një fuqi korale të fuqishme. Fëmijët e korit “Okarina” nën drejtimin e Elikona Hysajt dhe kori i shkollës “Prenk Jakova” me dirigjente asistente Lirjona Sylejmani shtuan një pastërti dhe ndjeshmëri të veçantë në atmosferën madhështore të natës. Ishte një bashkim i rrallë energjish artistike që dëshmoi për fuqinë e bashkëpunimit dhe përkushtimit kulturor në Kosovë.

“Carmina Burana” erdhi si një eksplozion i jetës në të gjitha ngjyrat e saj — një vepër që shpalos thellësitë e emocioneve njerëzore përmes gjuhës së muzikës, korit dhe ritmit. E ndërtuar mbi poezi mesjetare që përshkruajnë fatin e paparashikueshëm, gëzimet e dashurisë dhe etjen për liri, kjo kantatë e Carl Orff-it përçon një fuqi primitive dhe universale që vazhdon të ngjallë drithërimë. Në zemër të saj rreh rrota e fatit – O Fortuna” – një himn për paqëndrueshmërinë e jetës, që ngrit dhe përplas njeriun mes ekstazës dhe tragjedisë. Thelbi i “Carmina Burana-s është përjetimi i intensitetit të jetës në çdo formë të saj – një thirrje e fuqishme për të jetuar, ndjerë dhe sfiduar fatin, me gjithë pasionin dhe trishtimin që ekzistenca sjell.

Pamja skenike e “Carmina Burana-s në sallën AMC ishte një kompozim vizual po aq mbresëlënës sa vetë muzika. Në qendër të skenës qëndronte orkestra, një trupë e fuqishme instrumentistësh që formonin zemrën ritmike të veprës. Në të dy anët e saj, të vendosur me simetri mbresëlënëse, ishin koristët – një mur zëri që e përforconte emocionin kolektiv të çdo pjese. Sipër tyre, në një skenë të ngritur, zhvillohej një balet i fuqishëm dhe ekspresiv, ku trupa e baletit interpretonte me lëvizje dramatike, të sinkronizuara me tensionin dhe kulmet muzikore. Në ballë, prapa dirigjentit, qëndronin solistët vokalë – sopranoja, tenori dhe baritoni – të cilët përçuan me ndjenjë dhe forcë dramatike tekstet e lashta. I gjithë ambienti ishte një trupë e gjallë, ku muzika, vallëzimi dhe zëri ndërthureshin në një organizim skenik të përkryer, duke e kthyer sallën në një tempull modern të artit të gjallë.

Edhe pse salla ishte tejmbushur me publik – përfshirë ata që qëndruan në këmbë për më shumë se një orë e dhjetë minuta – dhe përkundër vapës së madhe që e mbuloi ambientin me një nxehtësi të rëndë, magjia e Carmina Burana-s nuk u zbeh asnjë çast. Përkundrazi, kjo ndjesi fizike e përbashkët – nxehtësia, djersa, pritja – e bëri përjetimin edhe më të thellë, edhe më njerëzor. Ishte një nga ato momente ku arti tejkalon çdo kufi komoditeti, dhe bukuria e kësaj kantate të jashtëzakonshme u ndje me intensitet në çdo notë, në çdo lëvizje dhe në çdo frymëmarrje të ndarë mes skenës dhe publikut. Një përvojë që nuk harrohet – sepse ndonjëherë, kur sakrifica e trupit bashkohet me pasionin e shpirtit, lind vërtetësia më e rrallë e artit.

Kostumet, të dizajnuara me kujdes artistik nga Toni Candeloro, ishin një element thelbësor që e pasuruan ndjeshëm atmosferën vizuale të Carmina Burana-s. Dominonin fustanet e gjatë blu, të rrjedhshëm dhe elegantë, që lëviznin me një hir të veçantë bashkë me trupat e balerinëve, duke krijuar një ndjesi fluiditeti dhe solemniteti në skenë. Këto ngjyra të thella si qielli i natës sillnin një qetësi vizuale që kontrastonte me vrullin dramatik të muzikës. Ndërkohë, solistja femër u dallua me një fustan të bardhë, të pastër e ndriçues, që përçonte një ndjesi dëlirësie dhe simbolike të pranisë së shpirtit njerëzor përballë fatit. Kostumografia e Candeloro-s nuk ishte vetëm veshje – ishte një zgjedhje e menduar që përforconte temat universale të veprës: pasionin, pafajësinë, dhe pashmangshmërinë e jetës.

“Carmina Burana” është një nga veprat më emocionuese dhe të fuqishme muzikore të shekullit të XX, që përçon me intensitet të jashtëzakonshëm thelbin e fatit dhe pasioneve njerëzore. Muzika e Carl Orff-it shquhet për ritmet e saj pulsuese dhe meloditë e thjeshta, por të fuqishme, që krijojnë një ndjesi të papërsëritshme dramatike. Dukshëm madhështore ishte edhe interpretimi i Trupës së Baletit Kombëtar të Kosovës, e cila me talentin dhe energjinë e saj solli në jetë emocionet e thella të veprës. Vallëzimi i tyre, i fuqishëm dhe i saktë, duke kaluar nga lëvizjet ekspresive deri te ato më të buta dhe intime, krijonte një kontrast të gjallë me tensionin dhe lirshmërinë e muzikës. Nëpërmjet çdo hapi, çdo pozicioni dhe çdo lëvizjeje, balerinët u shndërruan në një gjuhë pa fjalë, që tregonte histori dhe ndjenja të thella, duke e shtuar kështu një shtresë dramatike dhe vizuale që e bënte përvojën edhe më të plotë dhe magjike.

Në qendër të kësaj eksperience muzikore dhe skenike shkëlqeu sopranoja Besa Llugiqi, e cila me zërin e saj të pasur dhe të fuqishëm përçoi çdo emocion me një ndjeshmëri dhe teknikë të jashtëzakonshme. Ajo solli një prekje njerëzore nëpërmjet tingujve, duke i dhënë jetë fjalëve dhe duke i bërë ato të ndihen në shpirtin e çdo dëgjuesi. Talenti i saj u bashkua në mënyrë perfekte me intensitetin orkestral dhe dramatik, duke krijuar momente kulmore që nuk harrohen lehtë dhe që dëshmojnë për një artiste që di të kapë thelbin e çdo note dhe fraze muzikore.

Orkestra e Filharmonisë dhe Operës së Kosovës në “Carmina Burana” ishte zemra e gjallë që pulsoi me fuqinë e një universi të tërë, ku çdo instrument ishte një yll që ndriçoi në galaktikë tingujsh. Secila frymëmarrje e violinave, secili goditje e timpaneve dhe përqafimi i ngrohtë i instrumenteve të frymës u bashkuan në një poezi të heshtur, që përshkoi ajrin me valë drite dhe hije emocionale. Aty lindi bukuria e vërtetë – në harmoninë e përpiktë të kontrasteve, në fuqinë delikate që ngrihet dhe përplaset si deti, duke na kujtuar se muzika është gjuha më e pastër e shpirtit, e cila flet pa fjalë, por me një thellësi që prek dhe transformon çdo qenie që e dëgjon.

Korët në “Carmina Burana” janë një simfoni zërash që bashkohen për të krijuar një fuqi të jashtëzakonshme kolektive, duke ngjallur me intensitet magjinë e teksteve mesjetare dhe emocionet e tyre të thella. Në harmoninë e tyre të pasur dhe shumëngjyrëshe, zërat shfaqin një përqafim të gjerë ndjenjash — nga përmallimi dhe trishtimi te gëzimi dhe shpresa — duke ndërtuar një peizazh të gjallë që rrit tensionin dramatik dhe e thellon përjetimin artistik. Ata janë zemra korale që pulson në këtë kantatë, duke shndërruar çdo pjesë në një udhëtim shpirtëror dhe duke sjellë fuqinë e bashkimit njerëzor përmes bukurisë së harmonisë dhe fuqisë së zërit të përbashkët.

Realizimi i “Carmina Burana” në Prishtinë përfaqëson një kapitull të ri dhe të jashtëzakonshëm në historinë kulturore të Kosovës, duke dëshmuar se arti i madh nuk njeh kufij dhe se talenti vendor mund të bashkëpunojë me mjeshtër ndërkombëtarë për të krijuar mrekulli skenike. Ky event madhështor, i mbështetur nga përkushtimi i artistëve, profesionistëve dhe institucioneve kulturore, solli në jetë një performancë që jo vetëm sfidoi pritshmëritë, por edhe ngjalli krenari dhe shpresë për të ardhmen artistike të vendit. Duartrokitjet e pandalshme dhe ovacionet në këmbë nga publiku i mbushur plot dëshmuan fuqinë e kësaj përvoje, duke shprehur një emocion të thellë dhe mirënjohje të sinqertë për përkushtimin e jashtëzakonshëm të të gjithë pjesëmarrësve.

Krejt në fund, në një prononcim për KultPlus foli Meriton Ferizi, Ushtrues i Detyrës së Drejtorit të Operës së Kosovës, i cili u nda i kënaqur me kantatën skenike.

“Pas mbrëmjes së djeshme me kantatën skenike Carmina Burana, ndjej kënaqësi të veçantë për këtë bashkëpunim të fuqishëm mes tri institucioneve tona kombëtare; Opera e Kosovës, Baleti Kombëtar dhe Filharmonia e Kosovës, ku për herë parë kjo vepër u realizua në formën e tillë skenike me Baletin, për çka e bëri më të kompletuar dhe më madhështore këtë vepër monumentale. Carmina Burana, kërkon fuqi kolektive artistike dhe mbrëmë kjo energji u ndje e plotë në skenë, me solistët, korin masiv të Filharmonisë dhe Operës së bashku me korin e fëmijëve, si dhe trupa e Baletit. Dirigjenti japonez Toshio Yanagisawa, me interpretimin e tij preciz dhe dinamik, krijoi një komunikim të shkëlqyer mes korit, solistëve, baletit dhe orkestrës. Ishte një natë që tregoi potencialin e bashkërendimit institucional dhe nivelin gjithnjë në rritje të skenës sonë operistike e muzikore. Ky sukses është dëshmi e vullnetit tonë të përbashkët për të ndërtuar një standard të lartë artistik në Kosovë.”

Për të treguar më shumë rreth pjesëmarrjes në “Carmina Burana”, për KultPlus foli sopranoja Besa Llugiqi.

“Mendoj se ka qenë një mbrëmje me të vërtetë madhështore. Përveç muzikës së jashtëzakonshme dhe plot jetë të Orff-it, kantata skenike u bë edhe më e veçantë falë trupës së baletit, që me hijeshinë dhe energjinë e tyre e madhëruan këtë spektakël në mënyrë të paharrueshme. Të rrethuar nga kolegë të mrekullueshëm dhe e shoqëruar me muzikë magjike, kjo ishte një përvojë e rrallë që prek zemrën. I falënderoj me gjithë zemër të gjithë ata që punuan me përkushtim dhe shpirt për ta bërë këtë natë kaq të bukur dhe të veçantë — një mbrëmje që do të mbetet gjatë në kujtesë.”

Në një prononcim për KultPlus foli Sinan Kajtazi, Ushtrues i Detyrës së Drejtorit të Baletit Kombëtar të Kosovës, tha se “Carmina Burana” erdhi si një kulmim i fuqisë artistike me përmasa të jashtëzakonshme.

“Fillimisht dua t’i përgëzoj të gjithë ekipin prej 350 vetash, të cilët mbrëmë na dhuruan emocione të jashtëzakonshme. Ky projekt, në vlerësimin tim, do të mbetet historik për të tri institucionet tona, duke pasur parasysh përmasat e tij, por edhe realizimin mbresëlënës. Jam shumë mirënjohës ndaj menaxhmenteve të Filharmonisë së Kosovës dhe Operës së Kosovës për bashkëpunimin shembullor. Pas bashkëpunimit ne shfaqjen e baletit “Halili dhe Hajria” në 50-vjetorin e Baletit Kombëtar, baletin “Arrëthyesi”, si dhe operën “Goca e Kaçanikut”, edhe “Carmina Burana” erdhi si një kulmim i fuqisë artistike me përmasa të jashtëzakonshme.”

Një nga solistët e Baltetit që shkëlqeu mbrëmë, Sead Vuniqi, për KultPlus potencoi se pjesëmarrja si solist në këtë produksion për të është një ndjesi e papërshkrueshme.

“Bashkëpunimi me maestro Toni Candeloro ka qenë një përvojë jashtëzakonisht e bukur. E kam njohur Tonin më parë, dhe kemi punuar bashkë edhe në Tiranë, por këtë herë ai qëndroi për më shumë se dy muaj në Kosovë për të punuar intensivisht me të gjitha trupat tona artistike. Toni është një profesionist i rrallë, me pasion dhe përkushtim të admirueshëm. Pjesëmarrja ime si solist në këtë produksion ishte një ndjesi e papërshkrueshme. Të performosh përballë një publiku të mbushur plot, në një skenë të madhe, me një ekip të tillë artistësh – është një nder dhe një përgjegjësi e madhe. Ndihem shumë i lumtur që pata mundësinë të jem pjesë e kësaj vepre, që u prit kaq mirë nga publiku. Jam shumë krenar që, si institucione, po arrijmë të sjellim çdo vit vepra gjithnjë e më të mëdha dhe më domethënëse për artdashësit tanë. Uroj që ky bashkëpunim i frytshëm të vazhdojë edhe në të ardhmen dhe të na sjellë suksese të reja artistike.”

Pas çdo shfaqjeje madhështore qëndron një ekip artistësh dhe profesionistësh të përkushtuar, të cilët janë themeli i suksesit skenik. Në Carmina Burana, roli i korepetitorëve Melos Buza, Alzan Gashi dhe Lekë Salihu ishte thelbësor për përgatitjen muzikore të korit dhe solistëve, duke siguruar një ekzekutim të saktë dhe emocionalisht të ngarkuar. Ndriçimi, i realizuar me mjeshtëri nga Marco Policastro, krijoi atmosfera dramatike dhe të ndjeshme që e shoqëruan çdo moment të veprës, ndërsa zëri u menaxhua me precizitet nga inxhinierët Bojan Ugrinovski dhe Karl Humbug, duke mundësuar që çdo tingull të arrinte qartë dhe fuqishëm tek publiku. Florian Çanga, me projeksionet e tij artistike, shtoi një dimension vizual që i dha skenës thellësi dhe simbolikë, ndërsa dizajni grafik i Faton Hasimja kontribuoi në komunikimin elegant të identitetit të ngjarjes./ KultPlus.com

AMC Hall, adresa kryesore dhe rrugëtimi i suksesshëm i ngjarjeve kulturore dhe organizimeve të ndryshme në vendin tonë

AMC Hall, një investim milionësh, unik në Kosovë, i dedikuar për ngjarje kulturore, shpejt është bërë adresa kryesore për ngjarjet më të mëdha në vendin tonë.

Në një lokacion të përshtatshëm për organizimin e eventeve të ndryshme, panaire, konferenca masive, koncerte, xhirime televizive, videospoteve muzikore dhe xhirime filmash, ky investim në zonën e biznesit në Obiliq, përbëhet nga dy salla të ndara prej 1150m2 (koncerte deri në 3000 persona) dhe 400m2 nga AMC Corporation ofron ambient ideal për të gjitha llojet e eventeve. 

Vetëm gjatë muajve të fundit, AMC Hall u bë qendra e disa prej organizimeve më të mëdha në vend, duke përfshirë këtu: Koncertin Festiv të Operës së Kosovës, Koncertet e Filharmonisë së Kosovës, Premierën e shfaqjes ‘Arrëthyesi’ nga Baleti Kombëtar i Kosovës dhe Filharmonia e Kosovës. Gjithashtu, ky vend ka strehuar Rave Festival, koncertin e Eda Zares, Euphoria Festival, si dhe xhirime të ndryshme si videospoti i Dafina Zeqirit në bashkëpunim me Afrim Muqiqin, xhirimet televizive të Radio Televizionit të Kosovës – RTK, T7 dhe KTV, dhe videoxhirimet e dizajnuesit të njohur Valdrin Sahiti.

Gjithashtu, AMC Hall tashmë është pronotuar edhe për shumë evente të tjera tejet speciale për vitin 2024. Me qëllim kryesor vendosjen e vazhdueshme të standardeve të larta, AMC Hall është një kuti e magjishme ku ngjarjet marrin jetë dhe ku pritshmëritë tejkalojnë çdo kufi. / KultPlus.com

Kori dhe Orkestra e Filharmonisë së Kosovës organizojnë koncert solemn më 16 shkurt

Në kuadër të kalendarit kulturor në shënim të 15-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Kori dhe Orkestra e Filharmonisë organizojnë koncert solemn më 16 shkurt 2023 prej orës 18:00 në sallën AMC (Rr. Cerriku 15000 Mazgit, Obiliq / Magjistralja Prishtinë – Mitrovicë).

Në këtë koncert do të interpretohet vepra “Hyland Mass Op. 130” e kompozitorit nga Malta Joseph Vella në dirigjimin e mjeshtrit amerikan David Hayes.

Në rolin e solistëve do të prezantohen solistë nga Filharmonia e Kosovës dhe Teatrit Kombëtar i Operës dhe Baletit në Tiranë (Shqipëri); sopranoja Adelina Paloja, altoja Françeska Pjetri, tenori Klodian Kaçani, baritoni Erion Sheri, basi Xhieldo Hyseni, sopranoja Arta Jashari dhe Nard Gllavurda (nga kori i fëmijëve “Okarina”).

Koncerti është përkrahur nga Jim Xhema dhe mbështetjen e Christopher Hyland si dhe institucioneve dhe partnerëve: Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës, UBT, Vatra, Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare dhe Radio Televizioni i Kosovës.

Rezervimet: bit.ly/3S28wOM / KultPlus.com

Elina Duni dhe Rob Luft me koncert special në Prishtinë

‘Music Export Kosovo’ në bashkëpunim me ‘RAVE Production’ dhe ‘AMC Corporation’ prezanton një koncert special më 17 Shkurt me të talentuarit si: Elina Duni dhe Rob Luft, për nder të 15 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës në AMC Hall.

Koncerti mbështetet nga ProCredit Bank dhe do të filloj nga ora 21:00 në AMC Hall, më datë 17 shkurt.

Mbrëmja do të zgjerohet më tej me një performancë speciale pas koncertit me ‘Soulmate’ nga Kasheme. / KultPlus.com

AMC Hall, vjen investimi unik në Kosovë për ngjarjet kulturore nga Amc Corporation

Amc Corporation, vizionarë të fiksuar pas rezultateve, me përvojën, besimin, marrëdhëniet dhe besueshmërinë që e kanë fituar, ata janë në gjendje të ofrojnë shërbime të jashtëzakonshme dhe një përzgjedhje të gjerë të inventarit.

Amc Corporation, deri më sot ka operuar në tre fusha të ndryshme si ajo e marketingut, dhënies me qira të pajisjeve teknike për evente dhe shitjes së këtyre produkteve, tashmë ata po kompletojnë një investimin milionësh, unik në Kosovë, për ngjarje kulturore të quajtur AMC Hall. 

AMC Hall po ndërtohet në një lokacion shumë të përshtatshëm për organizimin e eventeve të ndryshme, panaire, konferenca masive, koncerte, xhirime televizive, videospoteve muzikore dhe xhirime filmash.

Ky investim në zonën e biznesit në Obiliq, përbëhet nga dy salla të ndara prej 1150m2 (koncerte deri në 3000 persona) dhe 400m2 nga AMC Corporation ofron ambient ideal për të gjitha llojet e eventeve. 

Më datën 5 Nëntor AMC Hall i hap dyert për herë të parë për “Rave Festival”, festivali i parë që organizohet nga Prishtina Music Conference në kuadër të konferencës më të madhe muzikore në rajon që mbahet më 04 dhe 05 Nëntor në Prishtinë. 

Amc Corperation qëllim kryesorë e kanë vendosja e vazhdueshme të standardeve të reja të shërbimit, përsosmërisë, kreativitetit dhe inovacionit; të përkushtuar të ofrojmë çdo herë kundrejt pritshmërive të larta.

Amc Corporation, ju ofron paketën e plotë për t’ju ndihmuar të krijoni ngjarjet më të mahnitshme. Ju mund të mbështeteni tek ta nëse keni të bëni me ngjarje të ndryshme si: festival i madh në natyrë, koncerte, shfaqje televizive, filma, videospote ose thjesht marrje me qira e pajisjeve që në këtë formë të arrini të krijoni ngjarje të suksesshme dhe të paharrueshme. / KultPlus.com