Kori i Filharmonisë së Kosovës, pas Prishtinës do të prezantohet sonte në Pejë, me dirigjent Memli Kelmendi

Kori i Filharmonisë së Kosovës, pas Prishtinës do të prezantohet sonte në Pejë, me dirigjent Memli Kelmendi.

Pas “Quo Vadis”, një konferencë ndërkombëtare e fuqizuar nga Choral Space në bashkëpunim me Korin Siparantum e cila grumbullon profesionistë të skenës muzikore korale nga anë e mbanë bota, koncerti i Korit të Filharmonisë së Kosovës do të mbahet në kishën katolike “Shën Katerina”.

Repertori i sontëm ngërthen në vete veprat e kompozitorëve të njohur si Eric Whitacre, Frank Ticheli, Johann S. Bach, John Williams, Baki Jashari dhe shumë të tjerë./KultPlus.com

Kori i Filharmonisë së Kosovës gati për sezonin vjeshtor, koncerti nën dirigjimin e Memli Kelmendit

Kori i Filharmonisë së Kosovës është duke u bërë gati për koncertin vjeshtor, koncert që do të mbahet më 12 shtator, në Kishën Katolike “Shën Ndou”, shkruan KultPlus.

Koncerti që do të nisë në ora 20:00 që do të prezantihet nën dirigjimin e dirigjentit Memli Kelmendit do të përfshijë vepra të njohura të kompozitorëve si: Eric Whitacre, Frank Ticheli, Johann S. Bach, John Williams…/ KultPlus.com

Kori dhe Orkestra e Filharmonisë së Kosovës organizojnë koncert solemn më 16 shkurt

Në kuadër të kalendarit kulturor në shënim të 15-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Kori dhe Orkestra e Filharmonisë organizojnë koncert solemn më 16 shkurt 2023 prej orës 18:00 në sallën AMC (Rr. Cerriku 15000 Mazgit, Obiliq / Magjistralja Prishtinë – Mitrovicë).

Në këtë koncert do të interpretohet vepra “Hyland Mass Op. 130” e kompozitorit nga Malta Joseph Vella në dirigjimin e mjeshtrit amerikan David Hayes.

Në rolin e solistëve do të prezantohen solistë nga Filharmonia e Kosovës dhe Teatrit Kombëtar i Operës dhe Baletit në Tiranë (Shqipëri); sopranoja Adelina Paloja, altoja Françeska Pjetri, tenori Klodian Kaçani, baritoni Erion Sheri, basi Xhieldo Hyseni, sopranoja Arta Jashari dhe Nard Gllavurda (nga kori i fëmijëve “Okarina”).

Koncerti është përkrahur nga Jim Xhema dhe mbështetjen e Christopher Hyland si dhe institucioneve dhe partnerëve: Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës, UBT, Vatra, Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare dhe Radio Televizioni i Kosovës.

Rezervimet: bit.ly/3S28wOM / KultPlus.com

Kori i Filharmonisë së Kosovës mbyll ‘PriVocalFest’, dirigjenti Ešenvalds: Nga toka juaj unë do të marr pasurinë e mrekullueshme të folklorit

Era Berisha

Gjithsej dhjetë vepra nga kompozitorë të ndryshëm kanë kaluar përtej përsosmërisë me rastin e koncertit të Korit të Filharmonisë së Kosovës, në kuadër të edicionit të pestë të “PriVocalFest”. Ishte një repertor ku dominonte gjuha e huaj, por prej të cilit, pjesët shqiptare kanë thyer kufijtë magjik të interpretimit. Secili anëtar pjesëmarrës ka bërë që me dhuntinë e tyre të shënojnë magjishëm natën e fundit të këtij festivali, i cili tash e pesë net me radhë ka sjellë koncerte që tejkalojnë pritshmëritë e publikut, shkruan KultPlus.

Ky koncert mbrëmë ka portretizuar literaturën muzikore korale duke filluar nga veprat e kompozitorëve të njohur si: Ēriks Ešenvalds, Mendi Mengjiqi, Thomas Simaku dhe Vasil S.Tole, të cilët kanë dëshmuar për një krijimtari sa të pasur aq edhe të ndjeshme, e njashtu edhe të bukur.

Kisha katolike “Shën Ndou” ka mirëpritur një numër të lartë të të pranishmëve, që kanë zënë vendin e tyre të posaçëm, me ç’rast hapësira është mbushur nga caku në cak. Qetësia, tashmë simbolike para nisjes së çdo koncerti të Filharmonisë së Kosovës, u bë pjesë e pandashme e kësaj nate. Hijeshia, eleganca, ndjeshmëria dhe intensiteti që prekte dy caqet e veta, janë krejt ato që kanë rrethuar komplet të pranishmit.

Prezenca e vokalit hyjnor të Korit të Filharmonisë së Kosovës si çdo herë, është ekzistuese nëpër secilin koncert. Kështu ishte edhe rasti mbrëmë, ku nuk kanë munguar as edhe instrumentet diversive që ëmbëlsisht iu kanë bashkëngjitur zërit të tyre. Përfshirja e pianos nën manovrimin e Melos Buzës dhe pjesëmarrja e Zanë Abazit në flaut, ia kanë shtuar një magjepsje shtesë kësaj mbrëmjeje.

Ndërkohë, mbizotërimi i vokaleve madhështore të sopranove si Adelina Paloja, Selvije Marteti, Elona Sadiku, Shkurte Hykaj, Urta Haziraj si dhe altos Dea Hamdiu, baritonit Shaban Behramaj, manovrimi i harpës së gojës nga Patris Berisha, inkuadrimi i elementeve koreografike dhe përfshirja e gotës që lëshoi tingujt në atmosferë, i ka dhënë audiencës një gjendje ndryshe nga e zakonshmja. Lirshmëria e tyre në veprim por harmonia e tyre mes vete, e ka mbështjellë këtë natë në një mënyrë të pakrahasueshme.

Në anën tjetër, dirigjenti i njohur Ēriks Ešenvalds me ritmin e tij të pandalshëm, ka dirigjuar këndshëm secilin anëtar të korit. Veçantia e tij dallohej në mënyrat e ndërveprimit me çdo kë përpara tij. Por, fuqia dhe energjia më e madhe u dëshmua dhe u përjetua më së miri nga luajtja e tri këngëve popullore si “Moj e bukura More”, “Qenke veshur me të bardha” dhe “Trëndelinë”, të cilat kanë arritur deri një nivel që s’është prekur asnjëherë më parë.

Këto surpriza vazhdimisht po bëhen pjesë e pandashme e Korit të Filharmonisë së Kosovës, që gjithmonë dëshmon për një talent të rrallë, unik dhe të papërsëritshëm. Mënyra e tyre e interpretimit, prezenca skenike e vokali i njëzëshëm, janë vetëm disa karaktersitika që gjithmonë kanë ndikuar dhe vazhdojnë të kenë ndikim të madhërishëm në atmosferën e çdo paraqitjeje. Kjo u vërejt edhe atëherë kur duartrokitjet e tej zgjatura e të shumta, kanë zënë vend në fund të këtij koncerti.

Për të folur më shumë rreth këtij koncerti, dirigjenti Ēriks Ešenvalds është shprehur se qëndrimi në Kosovë, po i ngjason si qëndrimi në shtëpi.

“Është hera ime e parë në Kosovë dhe kam qëndruar vetëm një javë këtu. Për shkak të këtyre njerëzve të mrekullueshëm, çdo minutë këtu, unë e kam ndjerë si në shtëpinë time. Nesër e kam fluturimin tim për tek familja ime dhe fëmijët e mi, dhe do iu rikthehem studentëve të kompozimit në Akademi. Nga toka juaj në tokën time, unë do të marr këtë pasuri të mrekullueshme të folklorit, e po ashtu edhe zërat e juaj të bukur”, ka thënë ai.

Ndërsa, drejtori i “PriVocalFest” Hajrullah Syla për KultPlus ka potencuar se ky edicion ka qenë mjaft përmbushës dhe se është ndarë i kënaqur me arritjet.

“Ky koncert ishte thjesht brilant, duke nisur nga veprat, interpretimi, e deri tek drejtimi i dirigjentit fantastik. Ata e murrën publikun me vete gjatë gjithë natës, andaj qëllimi i këtij koncerti dhe ardhja e dirigjentit në këtë koncert, dëshmon se gjithçka ia ka vlejtur. Secili koncert në këtë edicion ka pasur peshë të madhe, artistë të mëdhenj që kanë sjell vlera të mëdha, andaj që sigurisht që ka qenë shumë e vështirë, por me vullnet e punën me stafin që e kemi bërë, është lehtësuar gjithçka. Mendoj që çdo koncert ka pasur publik mjaftueshëm dhe çdo herë janë ndarë të kënaqur me performancën e gjithsecilit, andaj edhe i kemi arritur prishtmëritë e tyre. Secili koncert ka qenë ndryshe me program, është trajtuar ndryshe dhe ka pasur lidhshmëri me njëra-tjetrën, andaj koncertet kanë qenë të rëndësishme njëtrajtësisht. Jam tejet i kënaqur me atë se çfarë kemi arrirë të bëjmë në këtë edicion”, ka thënë Syla.

Ai tutje ka pohuar se puna për edicionin e radhës po vazhdon. Po ashtu, ka bërë të ditur se kontaktet me artistë të mëdhenj po vazhdojnë si dhe tashmë mbetet vetëm një kohë e shkurtër që të finalizohen kontratat, marrëveshjet dhe përgatitjet për nisjen e edicionit të gjashtë.

Fotografitë: Arben Llapashtica / KultPlus.com

Koncerti i Filharmonisë së Kosovës mbrëmë përkujtoi Fahri Beqirin dhe solli tri premiera botërore

Era Berisha

Kryeveprat e jashtëzakonshme të kompozitorëve shqiptarë dhe botërorë u jetësuan mbrëmë nga talenti i shquar i Korit të Fakultetit të Arteve, Korit të Filharmonisë së Kosovës, kompozitorit Valton Beqiri, violinistit Visar Kuçi, Orkestrës Harkore të Filharmonisë së Kosovës, sopranos Zana Abazi-Ramadani, tenorit Ismet Vejseli dhe baritonit Denik Prizreni, të cilët frymuan së bashku për të sjell një repertor sublim që përmbante tri premiera botërore si dhe tri vepra që përkujtuan kompozitorin Fahri Beqiri në një vjetorin e vdekjes së tij, me ç’rast koncerti krijoi një spektër të guximshëm të melodive dhe tingujve që mbrëmë dolën përtej Ateliesë së Pallatit të Rinisë dhe Sportit, shkruan KultPlus.

Ky koncert mahnitshëm portretizoi literaturën muzikore korale që në thelb përmbante disa nga veprat më të bukura shqiptare të kompozitorëve si: Fahri Beqiri, Mendi Mengjiqi, Arben Ramadani, Drinor Zymberi, Josif Minga dhe Valton Beqiri. Veprat e titulluara “Mars” nga Mendi Mengjiqi, “Të kesh mall” dhe “Vaj si qenka ba dynjaja” nga Arben Ramdani, erdhën mbrëmë si premiera botërore të cilat Kori i Filharmonisë i interpretoi në një mënyrë aq të bukur saqë publikun e futi në një gjendje të çuditur nga përsosmëria harmonizuese e tyre.

Pasi që të pranishmit tashmë kishin zënë vendet e tyre duke mbushur komplet sallën në tërësi, pasoi qetësia tashmë e njohur nga ana e publikut. Ndërsa, ishin dy podiume të gjata që po pritnin hapat e pjesëmarrësve të Korit të Fakultetit të Arteve për të mbushur skenën e cila në prapavijë po mbizotërohej nga ngjyra e zezë e perdeve të gjata. Të veshur në të zezë kokë e këmbë, Kori i Fakultetit të Arteve priti lëshimin e parë të dorës të dirigjentit Edon Ramadani për të sjell veprat e fuqishme si: “Shkoj e vij fluturim si zogu” për kor femrash ku Kori ishte i vendosur edhe në hapësirën lart në katin e dytë, “Erdh Misiti” dhe “Madrigali i Ibrit plak” për kor të përzier, të cilat sollën një interpretim ku duart e dirigjentit luhatnin në harmonizim me intensitetin e vokalit të tyre, aty ku dallohej dhe veçantia më e bukur e tyre.

Tutje ishte Kori i Filharmonisë së Kosovës ai që mrekullisht pushtoi skenën me interpretimin e veprave si: “Mars”, “Të kesh mall”, “Shkoni krushqi”, “Vaj si qenka ba dynjaja” dhe “Paska çelur moj pranvera”. Të pozicionuar në hapësirën e tyre specifike tradicionale, për të sjell gjithsej pesë vepra sa ritmike po aq edhe melankolike ku tri nga të cilat ishin premierë, vokali i tyre arriti të prekë dhe hyjnoren e tingujve e melodive. Si çdo herë, Kori dëshmoi për talentin e tyre të pakrahasueshëm e të veçantë në stilin e tyre. Ndonëse të kufizuar në një hapësirë të vogël, ishte zëri i tyre i gërshetuar ai që depërtoi lehtësisht ndërmjet të pranishmëve dhe doli përtej sallës si një hije e pandashme që portretizonte dhuntinë e tyre.

Kësaj here dukshëm vërehej dhe programi tejet i pasur i koncertit me ç’rast në skenë doli violinisti Visar Kuçi dhe pianisti Valton Beqiri për t’iu bashkangjitur Korit e për të interpretuar veprën “Udhëtim sonor” nga Valton Beqiri, vepër kjo e cila solli ndërlidhjen e rrallë dhe tejet të nevojshme për një program unik. Një piano, një violinë dhe vokali i Korit, u shndërruan në një urë lidhëse të tingujve gërshetues të cilat ngërthyen publikun në strofullën e saktësisë të qartë dhe pastërtisë të kristaltë së magjisë poseduese që dhurohej nga ata.

Pas një pushimi dhjetë minutash, në skenë po shtoheshin disa karrige të tjera në një numër të madh, për të pritur kështu edhe Orkestrën Harkore të Filharmonisë së Kosovës, sopranon Zana Abazi-Ramadani, tenorin Ismet Vejseli dhe baritonin Denik Prizreni. E pastër si loti dhe e gjatë mbi më shumë se njëzet minuta, u interpretua vepra e fundit për këtë natë “Mesha Nr.2 në G-dur, D.167” të kompozitorit të njohur, Franz Schubert. Lëvizjet ritmike të kokave dhe duarve të Orkestrës shpalosën një interpretim tejet të bukur të tyre ku me inkuadrimin e zërave po aq të bukur të sopranos, tenorit, baritonit si dhe me vokalin e njëtrajtshëm të Korit, shënuan fundin e një nate me copëza magjike të paharrueshme.

Teknika e duhur korale, harmonia e gërshetuar precize ndërmjet interpretuesve, programi unik që anonte nga meloditë shqiptare, dhënia e shpirtit të secilit anëtar të dy Koreve, instrumentistëve dhe treshes vokale që u paraqitën sonte, janë dëshmitarë të seriozitetit, punës së madhe dhe dashurisë për muzikën klasike, rrënjët e së cilës strehohen në Filharmoninë e Kosovës me të gjitha degët e saj.

Në anën tjetër, ishte vetë dirigjenti Edon Ramadani ai i cili gjatë gjithë këtij koncerti la gjurmë të paharrueshme. Përgjatë gjithsej dy orëve, vepër pas vepre, ai drejtoi kahjen e interpretimeve të njëpasnjëshme ku herë me një dorë e herë me dy, ai vazhdueshëm komandoi jo vetëm të dy Koret e paraqitura, Orkestrën, tingujt e violinës e pianos, vokalin e tre interpretuesve të Meshës por edhe vështrimin e fokusin nga të pranishmit mbrëmë. Qysh nga momenti i parë, skena ishte shndërruar në trupin e tij i dytë dhe ai arriti të fiksonte natën me artin e shenjtë të dirigjimit, mjeshtëria madhështore e së cilës u dallua në secilën vepër. Kështu, në përfundim të koncertit nuk munguan duartrokitjet dhe brohoritjet e shumta të publikut që vazhdonin pa ndalë, me ç’rast shpalosej dëshira që ky koncert të mos kishte një fund.

Për të treguar më shumë rreth këtij koncerti dhe veçantinë e tri veprave premierë, për KultPlus foli dirigjenti Edon Ramadani.

“Programi ishte tre pjesësh dhe natyrisht ishte një përgjegjësi e madhe sepse kishim tre ansamble të mëdha duke nis nga Kori i Fakultetit të Arteve të cilët i kishim mysafirë këtu sonte. Pastaj Kori i Filharmonisë e pat pjesën e parë kryesisht me ‘A cappella’ dhe në fund përfundoi me veprën e profesorit Valton Beqiri i cili ishte dhe në piano së bashku me violinistin Visar Kuçi. Kisha kënaqësinë që sonte t’i kisha tri premiera botërore dhe në pjesën e tretë interpretuam Meshën me solistët e talentuar. Por më e bukura ishte se pas shumë kohëve, salla ishte përplot e mbushur”, thotë Ramadani.

Sipas tij, tri premierat ishin shumë të bukura, shumë të ndjeshme dhe stilistikisht të ndryshme nga njëra-tjera në secilin aspekt. Andaj, për të ishte dhe një përgjegjësi më e madhe sesa përsëritjet e zakonshme ngase xhirimi i parë mbetet një dokument për interpretimet e radhës.

Po ashtu, sopranoja Zana Abazi-Ramadani për KultPlus tha se Meshat janë goxha sfiduese dhe të dhimbshme për t’u interpretuar.

“Fillimisht dua të falënderoj Filharmoninë e Kosovës dhe dirigjentin Edon Ramadani që më dhanë këtë mundësi për të performuar këtë Meshë. Meshat siç dihen nuk janë edhe aq të lehta të performohen për shkak të mjeshtërisë brenda tyre e po ashtu nuk mund të këndohen nga secili solist, ngase janë goxha sfiduese dhe të dhimbshme njëkohësisht. Ishte një kënaqësi shumë e madhe që të ndaj skenën me të gjithë këta njerëz të talentuar”, tregon Abazi-Ramadani.

Ndërsa, violinisti Visar Kuçi mbrëmë për veprën e kompozitorit Valton Beqiri tha se tani kishte marrë një kuptim të cilin e meritonte vepra.

“Perfomanca e sotme ishte më e mira prej atyre që i kemi bërë gjatë provave dhe gjatë përgatitjeve, edhe pse unë këtë vepër e kam luajtur edhe njëherë para disa viteve. Sonte më është dukur se e ka marrë tamam atë kuptimin që e meriton vepra. Veçantia e veprës është që kompozitori ka arritur me fragmente ose tema të shkurtra për të na dhuruar një udhëtim nëpër një numër shumë të madh të trojeve shqiptare. Të gjitha ato tema që ishin të vendeve të ndryshme në fakt në partiturë ndodhen edhe emrat e tyre dhe secila karakterizohet me një ritëm dhe një melodi”, thotë Kuçi.

Fotografitë: Arben Llapashtica / KultPlus.com

Kori i Filharmonisë së Kosovës rikthehet në Tiranë me koncert premierë

Kori i Filharmonisë së Kosovës do të rikthehet në Tiranë me një koncert premierë për të përmbyllur vitin më mënyrën më të mirë të mundshme, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Facebook”, Kori njoftoi se këtë koncert do ta bëjnë në kuadër të kalendarit të ngjarjeve në shënim të 75 vjetorit të themelimit të Liceut Artistik “Jodan Misja”.

“Në drejtimin e Hajrullah Sylës në këtë ngjarje do interpretohen vepra nga Rafet Rudi, Vasil S. Tole, Laura Jēkabson, Peder Karlsson, Jake Runestad dhe Ola Gjeilo. Koncerti mbahet në sallën e koncerteve “Tonin Harapi” (Liceun Artistik “Jordan Misja” – Tiranë) më 9 dhjetor 2021”, shkruhet mes tjerash në njoftim.

Ky koncert do të fillojë në ora 19:00, derisa është bërë thirrje e vazhdueshme që të përmbahen në përpikmëri masat COVID-19 pasi që hyrja do të jetë e lirë. /KultPlus.com

May be an image of 2 people, people standing and text that says 'FILHARMONIA KOSOVES KOSOVOPHILHARMONIC KOSOO.PHL KORI FILHARMONISE SẼ KOSOVES KOSOVO PHILHARMONIC CHOIR ANSAMBLI KAMERALI FILHARMONISE KOSOVES KOSOVO PHILHARMONIC CHAMBER ENSEMBLE Rafet Rudi ValisS Tole Laura Jekabson Peder Kar Isson Olja Gjeilo Jake Runestad Dirigjent Conductor HAJRULLAH SYLA 9.12.2021 9:00 LICEU ARTISTIK "JORDAN ARTISTIC LYC CONCER TIRANE, SHQIPERI TIRANA, BANIA SEZON 2022 KTV'

Koncerti Inaugurues i Operës së Kosovës mbrëmë solli magjinë operistike të nivelit botëror

Era Berisha

Interpretimi i Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës, Korit të Filharmonisë së Kosovës dhe Baletit Kombëtar të Kosovës, mbrëmë nëpërmjet veprave operistike kombëtare dhe atyre botërore, duke përfshirë këtu ariet, koralet, uverturat dhe duetet e ndryshme, erdhi me inkuadrimin e sopranos Adelina Paloja, baritonit Armando Likaj, sopranos Arta Jasharit, sopranos Besa Llugiqit, mezzosopranos Flaka Gorancit, sopranos Kaltrina Miftarit, tenorit Liridon Sadriut dhe sopranos Zana Abazit, të cilët ndezën skenën si yje ndriçuese që po shpërthenin në secilën sekondë, prej momentit kur ora shënoi 19:10, shkruan KultPlus.

Koncerti inaugurues i Institucionit të Operës së Kosovës, i titulluar si “Opera Gala” portretizoi një literaturë operistike që fillimisht mbrëmë Orkestra e Filharmonisë së Kosovës, shënoi nisjen e këtij koncerti të magjishëm me veprën e kompozitorit të njohur Rauf Dhomi, ‘Goca e Kaçanikut’, nën dirigjimin e Edon Ramadanit, për të vazhduar me interpretimin e veprave të kompozitorëve botërorë si: Gaetano Donizetti, Giuseppe Verdi, Wolfgang A.Mozart, Charles Gounod, Giacomo Puccini dhe Georges Bizet, nën dirigjimin e Edon Ramadanit dhe Leonardo Quadrinit, ku krahas tyre nuk mungoi as edhe vepra e mirënjohur e kompozitorit Prenk Jakova “Mrika”, duke sjellë kështu vepra të cilat fuqishëm buronin nga zëri unik i performuesve të njëpasnjëshëm e hynin thellë brenda të pranishmëve për ti futur ata brenda fuqisë mbinatyrore të struktur në çdo melodi e tingull.

Para se koncerti të fillonte, të pranishmit ngadalë po mbushnin vendet e tyre të rezervuara përballë skenës në Sallën e Sportit në Pallatin e Rinisë dhe Sportit, e që kësaj radhe kjo sallë kishte marrë një formë krejtësisht ndryshe. Perdet e zeza e të lëshuara përgjatë gjithë hapësirës, reflektorët që gjithmonë ndërronin ngjyrën sipas programit, karriget blu, imazhet e shfaqura në sfondin mbrapa Orkestrës, podiumet, dritat e ngrohta e të ndezura, lulet e vendosura përgjatë skenës që rrethonte vendin ku Baleti Kombëtar do të performonte, instrumentet diversive që ishin të shtrira në karriget e vendosura për performuesit e të cilat posedonin një hijeshi të paparë kur heshtja kaplonte kohën, si dhe instrumenti i bukur ‘Harpa’ që dallohej dukshëm, ishin këto specifika që krijuan një atmosferë ku perfeksionimi kishte gjetur shtëpinë e përhershme të tij.

Ndërlidhja e dy institucioneve si ajo e Operës së Kosovës dhe Baletit Kombëtar të Kosovës, ishte diçka aq e përsosur dhe e mistershme, saqë ajo fuqi që arti operistik e i vallëzimit e posedon në një frymë të vetme, do të përshkruhej pothuajse si një ëndërr e pashpjegueshme, në të cilën njeriu përhumbet dhe rrezikon nga mos dalja e saj. Një ëndërr si kjo e jo nga ato të zakonshmet, erdhi posaçërisht nga kjo ndërlidhje që solli ngrohtësinë, paqen, krenarinë dhe lumturinë në një koncert të vetëm.

Në skenë, të veshur me të zeza ishin instrumentistët e Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës të cilët së bashku me instrumentet si: violina, viola, violonçeli, kontrabasi, flauti, obo, klarineta, fagoti, korno, trumbeta, tromboni, tuba, timpani e perkusionet, përgjatë gjithë koncertit, pa ndalur, sollën interpretime të vazhdueshme të cilat i përngjanin atyre të nivelit botëror. Krahas kësaj Orkestre, ishte zëri i Korit të Filharmonisë së Kosovës, ai që plotësoi pjesën e fundit të një mozaiku operistik. Një mozaik ky tejet magjepsës që shpalosi vokalin unik të Korit dhe muzikën e veçantë mes të instrumentistëve që po performonin me një dëshirë të zjarrtë që nuk po mbaronte dot.

Në ndërkohë, veprat si: “Luicia di Lammermoor”, “La Traviata”, “Dasma e Figaros”, “Romeo et Juliette”, “Madama Butterfly”, “Dasma Arbëreshe”, “Nabucco” dhe “Carmen”, nën interpretimin e sopranove si: Besa Llugiqi, Adelina Paloja, Kaltrina Miftari, Zana Abazi Ramadani, Arta Jashari, Elona Sadiku, mezzosopranove Flaka Gorancit dhe Teuta Kurtit, tenorit Liridon Sadriu si dhe baritonit Armando Likaj, dëshmuan se porsi veshjet e tyre plot elegancë, mbrëmë vokalet e tyre po aq elegant, shpërthyen furishëm përmes teknikave mjeshtërore e lëvizjeve skenike, duke rrëmbyer zemrën e të pranishmëve, duartrokitjet dhe brohoritjet e së cilëve dëgjoheshin ende pa mbaruar veprat.

Për të treguar më shumë rreth krijimit të vendit më të mirë të mundshëm për Operën e Kosovës, për KultPlus foli kryeministri Albin Kurti.

“Sonte u dëshmua se ne kemi përmbajtje, kemi substancë, i kemi talentët tonë që kanë bërë shumë punë, kemi organizim të jashtëzakonshëm që erdhi deri te kjo mbrëmje historike për kulturën dhe artin tonë, meqenëse opera është shumë e vështirë, e këta ia kanë dalë fort mirë”, ka thënë ai.

Sipas tij, ky art i lartë e do edhe një infrastrukturë adekuate dhe se ata pa humbur kohë do të bëjnë hulumtimet për vendin me të mirë të mundshëm dhe gjithashtu për karakteristikat e nevojshme.

“Pra, meqë jemi në përfundim të këtij viti, pa dyshim që vitin e ardhshëm do të fillojmë përgatitjet ashtu që sa më parë të krijojmë kushtet për atë që dëshmuam sonte se nuk ngelim prapa vendeve të rajonit e mbase edhe më gjerë se kaq”, ka thënë Kurti.

Ndërsa, për të treguar për përshtypjet e tij rreth koncertit dhe procesin e provave, për KultPlus foli ushtruesi i detyrës së Drejtorit në Baletin Kombëtar të Kosovës, Niki Musolli.

“Jam shumë i lumtur që çdo ka shkuar sipas planit sepse ne e patëm premierën tonë para një jave e disa ditë e ka qenë goxha problematike, çështja e agjendës por për fat të mirë që është shtyrë në këtë datë dhe kemi pasur mundësi të përgatisim pjesën nga shfaqja ‘Karmen’ si dhe valësin në fund që është dashur të adaptohet nga shfaqja ‘Pushimi i Kalorësve’ me muzikë të Verdit nga Orkestra këtu”, thotë ai.

Sipas tij, provat janë mbajtur në sallën e tyre e të cilat kanë vazhduar deri në ditën e premte. Por, kjo punë e dy institucioneve, ishte tejet e madhe.

“Dy pjesët janë pjesë shumë shumë të bukura dhe janë bota komplet ndryshe nga njëra-tjetra dhe besoj se publikut i ka pëlqyer shumë”, përfundon Musolli.

Po ashtu, dirigjenti Edon Ramadani për KultPlus tregoi se si kapacitetet e të gjithë pjesëmarrësve u treguan sonte, por që të njëjtat janë treguar edhe shumë më herët.

“Ka qenë një organizim i madh duke pasur parasysh se vetëm në skenë kanë qenë rreth 120 muzicientë duke përfshirë Korin dhe Orkestrën, pastaj natyrisht dhe Baleti i Kosovës i cili e zbukuroi tërë këtë organizim e po ashtu edhe në prapaskenë ka qenë një ekip i madh i cili ka punuar për tërë këtë projekt. Kjo nuk është hera e parë që ne realisht po dëshmojmë se mundemi të fillojmë një Operë e punimin e shfaqjes operistike sepse ato janë bërë edhe më herët prandaj tani është momenti që të kemi objektet tona kur ne do të mund të ushtronim veprimtarinë tonë dhe të fillojmë me shfaqjet operistike”, thotë Ramadani.

Sipas tij, kapacitetet u treguan edhe sonte e janë treguar edhe shumë më herët.

“Pas disa vitesh, unë besoj shumë që do të kemi mundësinë që ti kemi dy Orkestra të plota, dy Kore të plota, të cilat do të mund të funksionin edhe në mënyrë të pavarur pa problem. Ishte një program operistik meqenëse ishte festimi i inaugurimit të Operës së Kosovës e veçoria e këtij programi ishte repertori tejet i larmishëm”, përfundon ai.

Kurse, mezzosporanoja Flaka Goranci për KultPlus ka thënë se për të ka qenë një ndjenjë e veçantë këndimi për inaugurimin e institucionit të Operës të Kosovës.

Sipas saj, kjo mbrëmje arrin të krahasohet me koncerte shumë me të mëdha që zhvillohen në vende të tjera dhe të tilla që marrin epitetin si gala-koncerte.

“Mendoj që tash na pret një punë mjaft e madhe. Ne kemi parë që kemi gjithë trupën për të krijuar një shtëpi të operës dhe mendoj se patjetër do të jetë punë e madhe e Qeverisë për të arritur të ndërtojë shtëpinë, një objekt si secili institucion që e ka shtëpinë e tij”, ka thënë ajo.

Opera e Kosovës e solli këtë koncert në bashkëpunim me Filharmoninë e Kosovës.

Fotografitë: Majlinda Hoxha & Arben Llapashtica / KultPlus.com

Sot Kori i Filharmonisë së Kosovës do mbajë koncert në Shkup

Filharmonia e Kosovës sezonin për këtë vit do ta vazhdoj në Maqedoninë e Veriut, me Korin e Filharmonisë së Kosovës, shkruan KultPlus.

Kjo është bërë e ditur nëpërmjet një postimi në Facebook, nga faqja zyrtare e Filharmonisë së Kosovës ku shkruhet se ky koncert në kuadër të sezonit 2021/2022, do të mbahet sot në Filharmoninë e Maqedonisë – Salla e koncerteve në Shkup, duke filluar nga ora 18:00.

Numri i pjesëmarrësve që mund të marrin pjesë në koncert është i kufizuar.

Për të rezervuar vendin tuaj, shkruani në [email protected] me titullin / Rezervim 16.10.2021 – Emri / Mbiemri.

Përmes një e-maili ju mund të rezervoni maksimumi dy vende.

Për shkak të masave për të parandaluar përhapjen e Covid-19, mbajtja e maskës është e detyrueshme. / KultPlus.com

Kori i Filharmonisë së Kosovës solli magjinë e veprave të mëdha botërore mbrëmë në Prishtinë

Flonja Haxhaj

Nën dirigjimin e dirigjentit, Edon Ramadani, Kori i Filharmonisë së Kosovës emocionoi publikun mbrëmë në Pallatin e Rinisë në Prishtinë përmes interpretimit të pa shoq të veprave të mëdha botërore, shkruan KultPlus

Koncerti filloi me këngën ‘Thou Knowest Lord, the Secrets of our Hearts’ nga Henry Purcell, që mbajti vëmendjen dhe emocionin e publikut të ngërthyer pas çdo tingulli që lirohej me mjeshtëri nga pjesëtarët e Korit të Filharmonisë së Kosovës. Atmosfera që përcollën u vërejt edhe në duartroktijet e publikut pas përfundimit të kësaj kënge.

Sopranoja Kaltrina Miftari mori vëmendjen e të gjithëve me interpretimin e ‘Come Again’ të John Dowland, nën shoqërimin e Diellza Sylejmanit si alt, Etrit Nura tenor dhe Shaban Behramaj bas. Artistët sollën stilin melankolik gjatë interpretimit tejet të veçantë të këngës së vitit 1597.

Ky koncert solli edhe këngën e William Henry Smith ‘Ride the Chariot’, që u interpretua nga sopranoja Adelina Paloja dhe mezosopranoja Elikona Hysaj-Shala duke vazhduar më pas me ‘Michelle’ nga John Lennon dhe Paul McCartney, një ribërje korale dhe orkestrale ku shkëlqeu tenori Liridon Sadiku.

Të pranishmit që kishin mbushur plot ulëset në ateliejën e Pallatit të Rinisë, patën mundësinë të shijojnë më pas këngët ‘Can’t buy me love’ të John Lennon  dhe Paul McCartney të interpretuar nga pjesëtarët e Korit të Filharmonisë së Kosovës.

Më pas, kori solli për publikun edhe veprat ‘Over the Rainbow’ ku u dallua sopranoja Shkurte Hykaj, ‘Don’t get around much anymore’ të Duke Ellington, ‘M-O-TH-E-R’ të Theodore Morse dhe Howard Johnson dhe ‘Sweet Adeline’ nga Harry Armstrong.

Okteti i meshkujve me një interpretim të veprave ‘Margie’ të Con Conrad dhe J.Russel Robinson dhe ‘K-K-K-Katy’ të Geoffrey O’hara, sollën një atmosferë të re dhe tejet të veçantë në sallë. E pas tyre, në mes të skenës u vendosën kori i femrave që shpalosën një version të rrallë të këngës ‘Mr. Sandman’ të Pat Ballard.

E krejt në fund, nën shoqërimin e pianistit Andi Duraku, Kori i Filharmonisë së Kosovës solli përsosmërinë e muzikës Jazz përmes interpretimit të këngëve ‘Kyrie’, ‘Gloria’, ‘Sanctus’, ‘Benedictus’ dhe ‘Agnus Dei’ nga Bob Chilcott e që pas përfundimit u përcoll me duatrokitje disaminutëshe të publikut.

Ndërkaq dirigjenti Edon Ramadani  ka folur për KultPlus ku ka shpjeguar programin e këtij koncerti.

“Programi i koncertit përmban vepra nga repertoari koral britanik dhe amerikan! Programin e kam ndarë në 5 blloqe të ndryshme stilistike: Renesancë Britanike, Gospel/Spirituale, Riberje dhe aranzhime korale, Barbershops dhe blloku i fundit me xhaz meshen e B. Chilcott – Nidaros Jazz Mass.” – thotë Ramadani duke shtuar se është tejet i kënaqur që ka punuar me Korin e Filharmonisë së Kosovës, pjesë e së cilës ishte edhe ai gjatë viteve 2006-2008.

Të njëjtin koncert publiku mund ta shijojë edhe këtë të shtunë në Shkup.

“Koncertin do ta shfaqim edhe të shtunën (16.10.2022) ns sallën e madhe të Filharmonise së Maqedonisë, ku salla dhe masat kufizuese aktuale te atjeshme, do të na mundesojnë që të pranojmë një numër mjaft të madh të publikut, gjë që fatkeqësisht nuk patëm mundësi që ta bëjmë edhe në Prishtinë për shkak të kufizimeve anti-Covid. Prandaj, do t’i mirëpresim me kënaqësi te gjithë pëlqyesit e muzikës korale per ta ndjekur këtë koncert në Shkup”- shton Ramadani për KultPlus./KultPlus.com

Kori i Filharmonisë së Kosovës me koncert në Prishtinë

Kori i Filharmonisë së Kosovës do të mbajë koncert në Prishtinë nesër më datë 13 tetor, përjcell KultPlus.

Ky koncert do të mbahet në Pallatin e Rinise dhe Sportit nga ora 19:00.

Në koncertin me dirigjent Edon Ramadanin, Kori i Filharmonisë së Kosovës  do të performojë vepra të Purcell, Dowland, Newton, Lennon, McCartney, Arlen, /ellington, Armstrong, Conrad, Robinson, O’Hara, Morse dhe Chilcott./KultPlus.com

Kori i Filharmonisë së Kosovës me koncert në ‘Ohrid Summer Festival’

Filharmonia e Kosovës përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka bërë të ditur se Kori i Filharmonisë së Kosovës do të jetë pjesë e ‘Ohrid Summer Festival’ me ç’rast nesër kori do të performojë nën dirigjimin e Hajrulla Sylës, përcjellë KultPlus.

Koncerti fillon në orën 21:00 dhe do të mbahet në kishën ‘Shën Sofia’. Ndërsa, biletat mund ti gjeni në linkun e mëposhtëm:

Kori i Filarmonisë së Kosovës është një ansambël profesional me 50 këngëtarë, që vazhdon punën e Korit Profesional të Radio Televizionit të Prishtinës, kor i cili ishte i mirënjohur në vitet 80 ’nën drejtimin e dirigjentit Rafet Rudi. Puna e korit u pushua në vitin 1990 pasi Radio Televizioni i Prishtinës u mor nga regjimi serb, ashtu si të gjitha institucionet e tjera në Kosovë. Në pak më shumë se një dekadë pas rivendosjes në 2003, tani si pjesë e Filarmonisë së Kosovës, Kori është vendosur si një nga korët kryesorë në rajon. Duke u rrotulluar rreth veprave kryesore korale të barokut deri në periudhat romantike, repertori i gjerë i korit shtrihet edhe në muzikën bashkëkohore (A. Pärt, E. Ëhitacre, O. Gjeilo, Ē. Ešenvald, V. Tormis, etj.).

Koncertet në vitet e fundit kanë përfshirë gjithashtu rrëmujat / oratorios nga Mozart, Monteverdi, Bach, Vivaldi, Beethoven dhe Haydn. Kori gjithashtu ka kryer komisione të reja, kryesisht nga kompozitorë kosovarë. Kori i Filarmonisë së Kosovës është shfaqur në disa vende të rëndësishme dhe monumente historike të rëndësishme: St. Louis des Invalides Cathedral (Paris-France, 2019), Ëhite Rock Theatre (Hastings-UK, 2018), Bazilika Papale di San Paolo Fuori Le Mura (Romë- Itali, 2016), Amfiteatri i Durrësit (Durrës-Shqipëri, 2015), The Euphrasian Bazilica (Poreč-Kroaci, 2007) etj. Kori Filarmonik i Kosovës ka bashkëpunuar gjithashtu me dirigjentë të ftuar: Marko Vatovec dhe Damijan Močnik (Slloveni), Marcio da Silva (Brazil / Mbretëri e Bashkuar), Toshio Yanagisaëa (Japoni), etj. Me veprimtarinë e tij Kori ka zhvilluar vazhdimisht traditën e këndimit koral në Kosovë, e pranishme në vend që nga viti 1945.

Hajrullah Syla- dirigjent Hajrullah Syla është një kompozitor dhe dirigjent kosovar. Ai studioi kompozicion me Mendi Mengjiqin në Universitetin e Prishtinës dhe dirigjent me Bajar Berishën në të njëjtin Universitet. Si kompozitor dhe dirigjent u prezantua në vende të ndryshme si: Kosovë, Shqipëri, Gjermani, Bullgari, Turqi, Belgjikë, SHBA etj. Ai ka drejtuar Orkestra të ndryshme si: Filarmonia e Kosovës, Orkestra Rinore e Kosovës, Orkestra e Dhomës “Rexho Mulliqi” etj Në 2015 ai ishte një fitues i Berlin Auditions 2015 i cili është organizuar nga Spectrum Concerts, i cili u pasua nga një koncert në Berliner Kammermusiksaal në Prill të 2016 ku dy prej punimeve të tij u interpretuan një për klarinetë solo dhe një pjesë për dhomën. ansambël. Ai ka marrë pjesë në klasa master me dirigjentë si: Toshio Yanagisaëa, Rene Gulikers, John Armstrong, Nathalie Marin etj. Gjithashtu ai ishte pjesëmarrës në Konferencën ACDA në SHBA, Konferencën EAS në Lituani dhe është fitues i dy bursave nga Universiteti MM – SHBA. Punimet: Trio në piano, Duo për violinë dhe violonçel, Kuintet Piano, Gjashtëkëndësh me ngjyra për Piano, Kuarteti me tela Nr. 1, vepra të ndryshme korale, Uverturë për orkestrën simfonike, Koncertino për klarinetë, Koncert për violinë dhe orkestër etj. Në 2012, Syla themeloi ansambli vokal “Attacca”, i cili përbëhet nga 16 vokalistë profesionistë. Që nga viti 2012 ai punon si ndihmës dirigjent në Filarmoninë e Kosovës. / KultPlus.com

Kori i Filharmonisë i këndoi mbrëmë çlirimit të qyteteve të Kosovës, futi publikun brenda përsosshmërisë së vokalit unik

Era Berisha

Repertori i larmishëm e i veçantë botëror dhe shqiptar, inkuadrimi i vokalit nga secili anëtarë dhe instrumentet diversive, sollën një koncert nga Kori i Filharmonisë së Kosovës, i cili dhuroi mesazhe, emocione dhe ndjesi tejet të veçanta përmes elementeve artistike ku talenti lehtësisht buronte nga brendësia shpirtërore e tyre dhe qetësisht u derdh mbi atmosferë duke tronditur atë me melodi marramendëse dhe tinguj që rrallë dëgjohen, shkruan KultPlus.

Ky koncert portretizoi literaturën muzikore korale duke filluar nga periudha bashkëkohore e deri tek periudha moderne që mbrëmë Kori i Filharmonisë interpretoi në një mënyrë tejet të veçantë që nga veprat e kompozitorëve botërorë si: Eric Whitacre, Ola Gjeilo, Ko Matsushita, Veljo Tormis, Jake Runestad, për të vazhduar me kompozitorin shqiptar, Baki Jasharin.

Të pranishmit kishin zënë vendet e tyre duke mbushur ngadalë karriget e vendosura përballë skenës, e cila kishte marrë një imazh ku perdet e zeza të lëshuara dhe pesë ngjyrat e kuqe në sfond po bëheshin gati që së bashku me publikun të përjetojnë melodi dhe tinguj që vinin në një nivel butësie dhe lartësoheshin deri në një britmë që papritmas pushtonte tërësisht atmosferën në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit.

Përsosmëria e vokalit nga Kori i Filharmonisë së Kosovës, u dallua kësaj radhe ende më shumë për shkak se programi i këtij koncerti kishte marrë një kahje tjetër ku interpretimi i gjashtë veprave të cilat zgjasnin me minuta kishin për qëllim që për nder të Çlirimit të të gjitha qyteteve në Kosovë, të performohen vepra të cilat flasin për lirinë dhe vuajtjet historike të popujve të ndryshëm.

Të vendosur në skenë në një gjysmë rrethi që ngjasonte si forma e gjysmë hënës, Kori i Filharmonisë nisi koncertin me veprën ‘’She weeps over rahoon’’, ku inkuadrimi i instrumenteve si: klarineta nën manovrimin e Shkumbin Bajraktarit dhe pianoja nën manovrimin e Andi Durakut, solli një frymë ku meloditë qetësisht luanin me intensitetin e tyre dhe së bashku me vokalin e Korit që këndonte në një frymë larg nga qetësia absolute, pëshpëritjet e tyre po krijonin një harmoni ndjeshmërie e cila brenda një sekonde thehej tërësisht nga lëvizjet e duarve të dirigjentit Hajrulla Syla.

Në ndërkohë, vepra e dytë e titulluar ‘’Dark night of the soul’’, me inkuadrimin e sopranos Selvije Marteti, Ansamblit të Harqeve të Filharmonisë së Kosovës dhe pianoja që ende vazhdonte tingëllimën e saj hyjnore, ngërtheu atmosferën egërsisht me një dridhje të papërshkrueshme që kaploi fillimisht tërë trupin e dirigjentit, kokën e tij dhe lëvizjet e tij të gishtërinjve që komandonin jo vetëm tërë Ansamblin e Harqeve, Korin e pianon por edhe vështrimin e të pranishmëve në një drejtim të vetëm, atë të skenës.

Vokalet e Korit, në një frymë të vetme po pushtonin ambientin me një shpejtësi që nuk njihte ndalesë duke rritur kështu emancipimin e rrahjeve të zemrës së njeriut por asnjëherë duke mos e lëshuar atë tërësisht dhe pikërisht sekondat para përmbylljes së çdo vepre ishin diçka jashtë kësaj bote, një ndjesi që nuk ka as nevojë për definim. Tingujt e vokalit të tyre lëviznin fshehtazi mes një emocioni përrallor që ngadalë tantalizonte ndjenjat e të pranishmëve duke i vjedhur ato me një marrëzi që pasonte nga melodi të veçanta.

Kurse, veprat si: ‘’O lux beata trinitas’’, ‘’Pakëz në ëndërr, pakëz në zhgëndërr’’ me inkuadrimin e recitatorit Shaban Behramaj, ‘’Curse upon iron’’ me inkuadrimin e mezzo-sopranos Diellza Sylejmani, baritonit Endrit Rexhepi dhe perkusioneve nga Patris Berisha, si dhe vepra që përmbylli natën: ‘’We can mend the sky’’ me inkuadrimin e sopranos Adelina Paloja, dëshmuan se Kori i Filharmonisë së Kosovës posedon një talent ku teknika e tyre, harmonia moderne e ndërlidhur me atë bashkëkohore, klithmat, pëshpëritjet, britmat, luhatjet e jo vetëm të zërave të fuqishëm të tyre por edhe të kokës e trupit, së bashku me një repertor koral që erdhi si një reflektim ndaj situatës të padurueshme që ka ndodhur në vitet e 80-ta dhe 90-ta, solli një veçanti të veprave të cilat dëgjohen mjaft rrallë duke e fiksuar natën me artin magjik të shenjtë, magjepsur të pranishmit me dhuntinë e tyre mjeshtërore dhe dhuruar çaste ku të pranishmit me duartrokitje e brohoritje treguan dëshirën e tyre që koncerti të mos mbaronte fare.

Për të folur më shumë rreth këtij koncerti dhe procesin e provave, për KultPlus foli dirigjenti Hajrulla Syla.

“Programi është bazuar në një ndërlidhje me festat që jemi duke i festuar në muajin qershor ku në të gjitha qytetet i kemi ditët e Çlirimit të tyre dhe fakti që kishim në program një vepër të kompozitorit Baki Jashari për narrator dhe kor, ka folur shumë në aspektin e historisë e të kaluarës të popullit tonë në vitet e kaluara”, thotë Syla.

Sipas tij, të gjitha veprat që ai i ka dirigjuar sonte janë vepra të cilat ai i ka ëndërruar me kohë për ti pasur në program e në fakt ky është koncerti ku ai për herë të parë është djersitur.

“Procesi i provave ka qenë shumë i shkurtër dhe vetëm për një muaj e dy javë kemi arritur që të sjellim programin në një nivel mjaft të lartë sepse veprat janë shumë të vështira dhe besoj që këtë e ka përjetuar edhe publiku”, thotë Syla për KultPlus.

Ndërsa, për të folur rreth mesazhit të këtij koncerti e në veçanti rreth përmbajtjes së programit, për KultPlus ka folur drejtori i Filarmonisë së Kosovës, Baki Jashari.

“Janë bërë 2 muaj që nga koncerti i fundit i Korit, ku kësaj radhe me dirigjentin Hajrulla Syla i cili tashmë është prezent në Filharmoninë e Kosovës si asistent/dirigjent i Korit por që kohë pas kohe i jepet mundësia të realizojë koncerte të tilla si i pavarur dhe ishte komplet ideja e tij programore sepse zakonisht ekzistojnë më shumë vepra me më pak minuta por koncepti ishte më ndryshe me gjashtë vepra të cilat kanë pasur një ndërlidhje përmbajtësore”, thotë Jashari.

Sipas tij, është dëshiruar që me vepra që flasin për lirinë dhe vuajtjet historike të popujve të huaj dhe shqiptar, të realizohet ky koncert artistik ku edhe vepra e tij ‘’Pakëz në ëndërr, pakëz në zhgëndërr’’, flet për vuajtjet e kombit tonë në mënyrë poetike.

“Sonte Kori ka pasur një program mjaft të çartë në përmbajtje edhe me veprat e autorëve të tjerë që tregojnë për një angazhim në zgjidhjen e prangave të popujve të tjerë po njëlloj sikurse edhe për historinë tonë që e kemi pasur”, përfundon Jashari.

Filharmonia e Kosovës ka prezantuar këtë koncert premierë të Korit të Filharmonisë së Kosovës në kuadër të sezonit 2020/2021. / KultPlus.com

Fahri Beqiri përkujtohet nga Kori i Filharmonisë së Kosovës, Jashari: Ai ishte i gjithë neve, i gjithë popullit shqiptar

Era Berisha

Dy vepra korale të jashtëzakonshme shqiptare si “Erdh Misiti” dhe “Shkoi e vij fluturim si zogu”, sot u interpretuan nga Kori i Filharmonisë së Kosovës në Kino Armata, me rastin e kthimit të një kujtimi për personalitetin që vuri themelet e artit në Kosovë, Fahri Beqirin, i cili vdiq muajin e kaluar duke lënë pas vetes muzikën e familjen e tij me kujtime të veçanta nga kontributi i tij në promovimin e vlerave muzikore autoktone dhe ngritjen e tyre në nivel të lartë artistik, shkruan KultPlus.

Pasi që të pranishmit zunë vendet e tyre në karrige, Kori i Filharmonisë së Kosovës u shfaq me veshje të zeza dhe u shoqërua me një heshtje absolute teksa ata dilnin në skenë një nga një. Një errësirë që bashkëpunonte me dritat e bardha sipër skenës të cilat fokusoheshin mbi secilin anëtarë të Korit, vinin në pah lëvizjet e tyre kur ata performuan në mënyrë mahnitëse dy veprat e njohura shqiptare.

Veprat si: “Erdh Misiti” dhe “Shkoi e vij fluturim si zogu” të Fahri Beqirit, nën dirigjimin e Hajrullah Sylës, u interpretuan në skenë për të nderuar figurën e kompozitorit të shquar shqiptar dhe ish-profesorit të Universitetit të Prishtinës, i cili vdiç në moshën 85 vjeçare, e i cili i ka dhënë frymë krijimtarisë simfonike kosovare e shqiptare në përgjithësi. Andaj, këto dy vepra pothuajse përqafonin dhimbjen e familjarëve të pranishëm duke i rrethuar ata komplet me zëra që jehonën e tyre e futën direkt në brendësinë emocionale njerëzore të publikut.

Ndërkohë, pas performimit të tyre që pasoi me duartrokitje të shumta, për të biseduar tutje rreth jetës muzikore në Kosovë që është gjallëruar nga aktivizimi i pashoq i Fahri Beqirit, të pranishëm ishin: kompozitori, dirigjenti e drejtori i Filharmonisë së Kosovës Baki Jashari, kompozitori dhe etnomuzikologu Vasil Tole dhe muzikologja Rreze Kryeziu.

Një projektor që vazhdimisht shfaqte fotografi të Beqirit, një tavolinë, tri karrige dhe tri zemra njeriu ishin të mjaftueshme për shpalosjen e humbjes së madhe në aspektin e muzikës klasike dhe asaj popullore shqiptare ku nën moderimin e Dardan Selimaj, u flit për fanatizmin e Beqirit dhe dominimin e veprave të tij që ngërthejnë në vete vlera antologjike.

“Fahri Beqiri ishte i gjithë neve, i gjithë popullit shqiptar. Vdekja e tij është një humbje e madhe për artin muzikor kosovar dhe kontributi i tij voluminoz përfshin tri fusha bazike të zhvillimit të muzikës artistike në Kosovë si: krijimtaria e tij origjinale në muzikën simfonike, kamorale, korale e solistike, fusha pedagogjike si dhe angazhimi në zhvillimin e muzikës së mirëfilltë popullore”, thotë Jashari.

Sipas tij, përmes punës të jashtëzakonshme e të palodhshme të Beqirit, ai ka arritur të themeloi e të udhëheqë shumë ansamble e festivale të ndryshme në mbarë vendin ku ai do të mbahet mend për punën e tij kolosale në fushën pedagogjike dhe ndikimin e fuqishëm të tij në krijimin e shumë brezave profesionistë.

“Personaliteti i tij ka peshë dhe rëndësi të veçantë dhe vlen të theksohet angazhimi i tij afatgjatë në përgatitjen e parakushteve në tërë vertikalin e sistemit arsimor muzikor, ndërsa ndërlidhja me Filharmoninë në anën tjetër është kujdesur në vazhdimësi për interpretimin e veprave të Beqirit, të cilat zënë vend të rëndësishëm në trashëgiminë muzikore kombëtare”, thotë Jashari.

Për Jasharin, veprat kolosale të Beqirit, konsiderohen vepra të muzikës artistike kombëtare dhe nuk është e rastësishme që përpunimi i këngës popullore ‘Shkoi e vij fluturim si zogu’, është interpretuar sot, për arsye se kjo vepër zë vend në antologjinë e muzikës korale evropiane të botuar në vitin 2007.

“Nuk ishte rastësi që pikërisht vepra ‘Shkoi e vij fluturim si zogu’, një ikonë e muzikës simfonike kosovare, ka zënë vend qendror në koncertin e madh festiv të Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës me 17 shkurt 2008, nga Orkestra e Filharmonisë së Kosovës. Andaj, Filharmonia e Kosovës do ta përkujtojë Fahri Beqirin për ardhjen e tij të rregullt në koncerte me këshillat e tij dashamirëse”, përfundon Jashari.

Ndërkohë, një mesazh virtual nga Tirana erdhi nga kompozitori e etnomuzikologu Vasil Tole, i cili kryesisht përkujtoi Fahri Beqirin duke e nderuar figurën e tij dhe cilësuar krijimtarinë e tij si një krijimtari unike e shtrirë në trevat shqiptare. Ndërsa, muzikologja Rreze Kryeziu, në mënyrë kronologjike ka folur rreth krijimtarisë artistike të Beqirit.

Po ashtu, moderatori bëri të ditur se momentalisht e gjithë krijimtaria e Beqirit është përmbledhur në një CD, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe së shpejti do të jetë në dispozicion të publikut pasi që projekti ende nuk është konkretizuar.

Kështu krejt në fund, për të përmbyllur këtë ngjarje, në emër të Fakultetit të Arteve është ndarë një mirënjohje për kontributin e jashtëzakonshëm të Beqirit nga dekani i Fakultetit të Arteve, Drinor Zymberi.

Fahri Beqiri, drejtues festivalesh e institucionesh si dhe profesor, ka vdekur me datë: 18.05.2021. Kompozitori i veprave korale si: ”Erdh Misiti”, ”Migjenit”, ”Kënga e rinisë”, ”Madrigali i Ibrit plak”, ”Moj e mira”, ”Shkoj e vij flutrim si zogu”, këngë këto të cilat i gjejmë edhe në repertorin e zhanreve të tjera muzikore, duke rritur edhe më tepër popullaritetin e tyre.

Puna e tij pedagogjike, artistike dhe krijuese, është dekoruar me dhjetëra mirënjohje komunale, krahinore, federative dhe së fundmi është nderuar me medaljen Presidenciale të meritave si dhe çmimi kombëtar për vepër jetësore “Niketë Dardani”. / KultPlus.com

Kori i Filharmonisë së Kosovës nesër sjellë 3 premiera botërore dhe 1 kosovare

Kori i Filarmonisë së Kosovës do të realizojë koncerti e parë në sezonin e ri koncertal të dielën, më 7 tetor duke filluar nga ora 20:00 në Kishën Shën Ndou në Prishtinë. Ky koncert vjen në bashkëpunim me Festivalin Ndërkombëtar të Vokalit në Prishtinë.

Në mesin e veprave të cilat do të interpretohen janë “I nemun” kompozuar nga Ylli Daklani, “…rrugës” nga Memli Kelmendi dhe “Mother” nga Artan Hasani. Po ashtu pjesë e programit do të jetë edhe vepra “Misa a Buenos Aires । Misatango” nga Martin Palmeri.

E veçanta e këtij programi dhe e kësaj natë është se vepra e tre kompozitorëve shqiptarë do të jenë premierë botërore ndërsa vepra e kompozitorit Palmeri do jetë premierë kosovare. Drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari u shpreh se programi është një ndërthurje e tri botëve të ndryshme të kompozitorëve shqiptarë si dhe asaj të kompozitorit Palmer.

“Pjesa e parë do kemi tri vepra të kompozitorëve më të ri, të gjeneratës me të re e që disa janë akoma në procesin e studimeve dhe ne ju kemi dhënën hapësirë bazuar në konkursin që është shpallur nga Festivali Ndërkombëtare i Vokalit të Prishtinës. Ndërsa në pjesën e dytë do të realizohet mesha e Martin Palmer e cila është një vepër vokalo-instrumentale me solist soprano, fizarmonikë dhe një ansambël harkor”, tha ai.

Dirigjent i kësaj natë do të jetë Kushtim Gashi. Ai u shpreh se programi i kësaj natë e veçanërisht mesha e Martin Palmer “Misa a buenor aires” kanë zgjuar një ndjenë shumë të mirë në korë dhe një entuziazëm.

“Ka qenë një përvojë shumë interesante për mua pasi që kanë qenë ashtu tri bota të ndryshme për mua, po ashtu edhe për korin ka qenë interesante sepse ne jetojmë në një kohë moderne dhe muzika moderne nuk definohet qartë se cila është ajo. Por këtë natë do e përmbyllim me meshën Martin Palmer. Mesha është shkruar në stilin e zhanrit tango dhe kam vërejtur që kjo meshë dhe kjo vepër ka sjellë një atmosferë shumë të mirë në kor”, u shpreh ai.

Vepra “Misa a Buenos Aires । Misatango” nga Martin Palmeri, është një vepër për për solist, kor të përzier, fizarmonikë, piano dhe orkestrës harkore. Kështu soprano e kësaj natë do të jetë Arta Jashari, në fizarmonikë do të jetë Elton Balla dhe në piano Artemida Qarri-Haxhiaj.

Instrumentisti Elton Balla u shpreh se kjo vepër përveçse është gjithëpërfshirëse është edhe solistike për secilin korist apo instrumentist të orkestrës së harqeve. Mirëpo sipas tij ata kanë arritur që të bëhen së bashku për të përcjellë emocionet e kësaj vepre.

“Misa a buenor aires e Martin Palmer është paksa më e vështir se veprat e tjera klasike pasi që është ritmikisht shumë e zhvilluar dhe të përfshinë që në momentin e parë emocionalisht pasi që është vepër e bukur dhe pak më moderne”, tregoi ai.

Koncerti do të fillojë nga ora 20:00 në Kishën Shën Ndou në Prishtinë. Ky koncert do të jetë edhe koncerti përmbyllës i këtij edicioni të Festivalit Ndërkombëtar të Vokalit Të Prishtinës./ KultPlus.com

Kori i Filharmonisë së Kosovës me 3 premiera botërore në “Prishtina International Vocal Festival”

Kori i Filharmonisë së Kosovës, më 7 tetor do të mbajë koncert në kuadër të festivalit, Prishtina International Vocal Festival, shkruan KultPlus.

Koncerti do të fillojë nga ora 20:00 në Kishën Shën Ndou në Prishtinë. Koncerti vecohet për programin të cilin do ta ketë. Në mesin e veprave të cilat do të interpretohen janë “I nemun” kompozuar nga Ylli Daklani, “…rrugës” nga Memli Kelmendi dhe “Mother” nga Artan Hasani. Po ashut pjesë e programit do të jetë edhe vepra “Misa a Buenos Aires । Misatango” nga Martin Palmeri, vepër kjo për për solist, kor të përzier, fizarmonikë, piano dhe orkestrës harkore.

Soprano e kësaj natë do të jetë Arta Jashari, në fizarmonikë do të jetë Elton Balla dhe në piano Artemida Qarri-Haxhiaj.

Dirigjent i kësaj natë do të jetë Kushtim Gashi. Po ashut kujtojmë se vepra e tre kompozitorëve shqiptarë do të jenë premierë botërore ndërsa vepra e kompozitorit Palmeri do jetë premierë kosovare./ KultPlus.com

15 vite nga themelimi i Korit të Filharmonisë – Operës së Kosovës

Sot më 10 qershor, janë bërë 15 vite që nga paraqitja e parë para publikut e Korit të Filharmonisë së Kosovës-Operës së Kosovës, shkruan KultPlus.

Paraqitja e parë, solli inskenimin e operës “Dasma Arbëreshe” nga Rauf Dhomi që asokohe ishte edhe drejtues i institucionit dhe iniciator i themelimit të Korit.

Data 10 qershor e vitit 2003, ishte sepse kjo datë përkonte me rastin e 125 vjetorit të Lidhje së Prizrenit. Ndërsa sot pas plotë 15 vitesh festohet 140-vjetori i Lidhjes së Prizrenit ndërsa 15-vjetori i themelimit të Korit të Filharmonisë.

Ky është publikimi i plotë në rrjetin social Facebook, nga Dardan Noka-menaxher në Filharmoninë e Kosovës:

“Ketu e 15 vjet me pare Kori i Filharmonise – Operes se Kosoves pati paraqitjen e pare para publikut, kjo pas 2 muaj pune intensive. Paraqitja e pare, inskenimi i operes ‘Dasma Arbereshe’ nga Rauf Dhomi (atekohe edhe drejtues i institucionit dhe iniciator për themelimin e Korit) u be me 10 qershor 2003 me rastin e 125 vjetorit te Lidhjes se Prizrenit. Urime 140 vjetori i Lidhjes se Prizrenit dhe 15 vjetori i Korit te Filharmonise”, ka shkruar Noka./ KultPlus.com

Që nga Baroku e deri te vepra e madhe shqiptare “Kënga e Rexhës”, Kori i Filharmonisë së Kosovës mrekulloi me koncertin e 15-të vjetorit

Gili Hoxhaj

Mbrëmë në Kishën Katolike “Shën Ndou”, kori i Filharmonisë së Kosovës solli premierë disa vepra të epokave të ndryshme. Kjo për të treguar që Kori i Filharmonisë së Kosovës ka arritur nivelin e duhur artistik, pas pesëmbëdhjetë vitesh nga themelimi, shkruan KultPlus.

Derisa të gjithë vizitorët kishin zënë vend në ulëset e Kishës, anëtarët e korit me veshjet e tyre ngjyrë të kaltër të mbyllët vijnë dhe rreshtohen në shkallët e kishës. Pranë tyre vjen dirigjenti brazilian, Marcio Da Silva, e që nën dirigjimin e tij, kori do të qëndroj pa lëvizur për më shumë se një orë. Veprat e epokës së Barokut, Renesancës dhe vepra moderne, jehuan përmes zërit të tyre. Ata, pranë publikut, sollën veprat e kompozitorëve si: Heitor Villa-Lobos, Alessandro Scarlatti, José Maurício Nunes Garcia, Pierre Passereau, Ola Gjeilo, Imant Raminsh dhe kompozitorit shqiptar, Hajrullah Sylës.

Kori mbrëmë shënoi koncertin e parë për këtë vit. Në interpretimin e korit vërehej një përjetim i rrallë i veprave. E njëjta gjë reflektohej edhe tek dirigjenti që ata e kishin përballë. Sako e tij shpesh ngrihej nga duart që shtriheshin lart, e me shpejtësi të jashtëzakonshme lëviznin aq sa shtrihej kori. Pas secilës vepër, duartrokitjet e publikut e kthenin fytyrën e tij përballë tyre, për t’i dhënë buzëqeshje e përkulje falënderimi. Marcio Da Silva kishte qenë edhe herë të tjera në skenë së bashku me Filharmoninë e Kosovës. Ai herën e parë kishte dirigjuar orkestrën e Filharmonisë së Kosovës, ndërsa herën e dytë që kishte ardhur kishte dirigjuar korin së bashku me orkestrën e Filharmonisë dhe tani po kthehej për të tretën herë, për të dirigjuar Korin e Filharmonisë së Kosovës, në të 15-in vit të rrugëtimit të tyre artistik.

Ai tha për KultPlus, se është ndjerë shumë i kënaqur me korin sonte ndërsa shtoi se ata ishin shumë të saktë dhe të hapur ndaj punës së tij, sado që është e vështirë për korin të punojnë me dirigjent të ndryshëm dhe që të mësohen t’i bëjnë gjërat varësisht nga teknika e punës së dirigjentit.

“Arsyeja përse ata më kanë ftuar këtu sonte është se Filharmonia e Kosovës do të udhëtoj në Angli gjatë muajit maj dhe kjo është edhe një mundësi e mirë për mua që të njihem më shumë me ta, para se ata të vijnë atje. Mua më pëlqej programi i sotëm dhe ishte program mjaft tërheqës edhe për korin, për mua ishte hera e parë që kam punuar me veprën e Gjeilos, që ishte shumë interesante me kuartetin harkor dhe me piano. Unë shpresoj që do të vij përsëri në të ardhmen sepse mënyra se si më presin njerëzit këtu është e mrekullueshme, po ashtu publiku është shumë i ngrohtë dhe reagimi i tyre sonte ishte i mahnitshëm”, u shpreh dirigjenti Da Silva.

Këtij koncerti nuk i munguan as veprat vokalo-instrumentale si vepra “Kënga e Rexhës” e kompozitorit shqiptar, Hajrullah Syla dhe “Miisa Breviz” e Imant Ramnish. Pasi kori nën dirigjimin e Marcio da Silva, solli katër vepra.

Tenori Luan Durmishi, u shkëput nga kori për të interpretuar si solist veprën e njohur “Kënga e Rexhës”, pranë tij erdhi edhe violinisti Festim Fanaj. Që nga tingulli i parë, e deri në fillimin e veprës, tek publiku vërehej një ndjesi e veçantë e përjetimit. Kjo këngë e njohur në kulturën tonë, që mbrëmë erdhi e kompozuar nga Hajrullah Syla, dukej që mori publikun me vete në çdo notë, tingull, e fjalë të interpretimit. Sytë e Luan Durmisht qëndrojnë të mbyllur, para se zëri i tij fillon ngadalë të jehojë brenda tërë ambientit, ku do të fuqizohej edhe me përcjelljen e korit, e interpretimin e violinistit Fanaj. Reagimi i publikut, që nga fillimi i saj e deri tek mbarimi e dëshmonte që kjo vepër, e ky interpretim ka arritur qëllimin ku vepra kishte marrë publikun me vete.

Tenori Luan Durmishi, thotë se këtë vepër e ka eksploruar edhe vite më parë në një teatër të Vjenës dhe në forma të tjera, por interpretimin maksimal të kësaj vepre thotë se e ka ndjerë mbrëmë në Prishtinë.

“Jam shumë i lidhur me kulturën time, me muzikën time. Kjo vepër është një ri-prurje shumë e bukur nga kompozitori dhe dirigjenti Hajrullah Syla dhe natyrisht me korin e Filharmonisë që është një kor shume profesionist dhe me violinistin Festim Fanaj. Jam ndjerë shumë i emocionuar, në fund të fundit emocioni dhe interpretimi janë kulmi i publikut, dhe, po jam munduar që këtë edhe ta transmetoj”, tregoi tenori Durmishi, ndërsa tha se ndihet i privilegjuar që sonte bashkëpunuan me një dirigjent të përmasave ndërkombëtare, që është mjaft i talentuar dhe njohës i mirë i muzikës në përgjithësi që nga Renesanca deri tek klasikja dhe muzika bashkëkohore.

Ndërsa për dirigjentin Marcio Da Silva, dirigjimi i kësaj vepre shqiptare e kishte inspiruar edhe më tepër, kur kishte kuptuar historinë e saj.

“Ishte shumë interesante për mua të dirigjoj kur më treguan më shumë rreth historisë së veprës, u ndjeva edhe më i inspiruar nga kjo vepër. Pra, kjo është një histori shumë e dhimbshme dhe shumë e bukur në të njëjtën kohë . Unë mendoj që interpretimi i kësaj vepre sonte ishte shumë emocionues, pasi që, edhe publiku reagoi shumë mirë ndaj kësaj vepre”, u shpreh dirigjenti Da Silva.

Ndërsa një interpretim tjetër të veçantë e solli sopranoja Adelina Paloja, që për publikun solli një vepër mjaft sfiduese të Imant Ramnish. Ky interpretim u përcoll me kor dhe në piano nga pianisti Melos Buza, duke mbyllur kështu koncertin e mbrëmshëm. Por para këtyre, me tingujt e pianistit Buza, në skenë u ulën interpretuesit e njohur të kuartetit harkor Visar Kuci, Festim Fanaj, Arianist, Shehu e Antonio Gashi. “The Dark night of the soul”, nën interpretimin e korit, e veçmas të sopranos Selvije Marteti veçse e bëri këtë koncert më të kompletuar.

Ky ansambël prej rreth pesëdhjetë anëtaresh veçse po e vazhdon ta kultivoj traditën e këndimit koral që në Kosovë ekziston qysh herët. Drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari mendon se kjo është pikërisht arsyeja që niveli i korit i Filharmonisë së Kosovës, është dukshëm më i avancuar se ai i vendeve të rajoni.

“Ky vit shënon një jubile të veçantë për korin e Filharmonisë. Kori i Filharmonisë njihet jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon si një ansambël profesional më në nivel, kjo pasi që ne kemi edhe një traditë që nga vitet e 50’, duke u nisur nga Shoqëria Kulturore-Artistike “Agimi” në Prizren e qysh nga i madhi Lorenc Antoni, Rexho Mulliqi, por kori i Filharmonisë ka një lidhje më direkt e me korin e “Radio Prishtinës”, i cili ka vepruar plot dhjetë vite, deri në mbylljen e dhunshme të Radio Televizionit të Prishtinës”, tregoi drejtori Jashari, i cili ndër të tjera veçon edhe prezantimin e ansamblit të “Radio Prishtinës”, në shumë skena të njohura të Jugosllavisë së atëhershme.

Dirigjenti Da Silva i ka bërë një ftesë Korit të Filharmonisë për dy përvjetorë, për 10-të vjetorin e Pavarësisë së Kosovës si dhe 15-të vjetorin e themelimit të korit, që më 5 maj, në qytetin Hastings të paraqiten me koncert. Vend ky në të cilin vepron dirigjenti Marcio Da Silva. Kori i Filharmonisë do i bashkëngjitet orkestrës dhe një kori tjetër atje, bashkim ky që ndodh për të shënuar edhe 90-të vjetorin e themelimit të korit të tyre atje. Ndërsa gjatë qëndrimit në Hastings, Kori i Filharmonisë së Kosovës do të mbajë edhe një koncert vetanak në Londër, me mbështetje të Ambasadës së Kosovës në Londër./ KultPlus.com

Festë për Korin e Filharmonisë së Kosovës, 15 vjetori i themelimit po shënohet me një koncert të veçantë

Kori i Filharmonisë së Kosovë, i themeluar në vitin 2003, këtë vit shënon 15-të vite punë. Këto 15-të vite, të cilat nuk ishin aspak të lehtë për korin, do të shënohen me një koncert mjaftë të larmishëm. Koncerti i cili do të mbahet nesër mbrëma në Kishën Katolike “Shën Ndou” duke filluar nga ora 20:00 do të sjellë vepra të epokës së Barokut, Renesancës dhe vepra moderne, shkruan KultPlus.

Alberina Haxhijaj

Ky koncert ka qenë sfidues për korin pasi që të gjitha veprat që do të prezantohen nesër, para publikut, janë premierë. Kori do të dirigjohet nga dirigjenti Marcio Da Silva, kurse në program do të ketë vepra të kompozitorëve si: Heitor Villa-Lobos, Alessandro Scarlatti, José Maurício Nunes Garcia, Pierre Passereau, Ola Gjeilo, Imant Raminsh.
Gjithashut do të jetë edhe vepra “Kënga e Rexhës” e kompozitorit shqiptarë, Hajrulla Syla. Koncerti do të ketë edhe dy vepra vokalo-instrumentale në të cilat do të prezantohen edhe solistë nga radhët e korit.
Në rolin kryesorë solistik, në pjesën e dytë të këtij koncerti do të vijë solistja, Adelina Paloja, e cila do të sjellë veprën “Missa Brevis in C-minor” të kompozitorit Imant Raminsh. Solistja Adelina Paloja ka theksuar se e rëndësishme, gjatë këtyre ditëve, ka qenë puna e dirigjentit, i cili, sipas saj liron energji mjaftë pozitive gjatë punës, diçka që ju ndihmon edhe anëtarëve të korit për të punuar dhe sjellë rezultate pozitive për këtë koncert.

“Nga ana profesionale mund të them se është një pjesë me mjaftë përgjegjësi, për shkak edhe të ndërrimit të tonaliteti dhe specifika të tjera profesionale. Mirëpo, mund të them me bindje të plotë së ky bashkëdyzim mes bartit solistik dhe korit do të lë përshtypje te publiku”, është shprehur ajo.
Marcio da Silva ka tri vite rresht që vjen në Prishtinë si dirigjent permanent i Filharmonisë së Kosovës. Në vitin 2016 ai ishte këtu së bashku me violinisten Aușen Ulucan, e cila është edhe bashkëshortja e tij, për të hapur festivalin DAM. Atë vit, ai ishte dirigjent vetëm i orkestrës.
Mirëpo, në vitin 2017, Marcio Da Silva, i cili është edhe dirigjent i Filharmonisë së Hastings, dirigjoi në Prishtinë, korin dhe orkestrën e Filharmonisë së Kosovës. Këtë vit, ai është rikthyer përsëri për të dirigjuar koncertin e korit, i cili ka mbushur 15-të vite punë.

“Ky është një nga bashkëpunimet e mia të pakta që kam jashtë Britanisë së Madhe, pasi që atje jam mjaftë i zënë me projekte dhe nuk kam hapësirë për të realizuar koncertet edhe jashtë. Mirëpo, është kënaqësi të rikthehem në Kosovë dhe të punoj me artistë kaq të entuziazmuar”, është shprehur ai duke theksuar se kësaj radhe ka marrë me vetë edhe vajzën e tij, gjë që e ka bërë këtë udhëtim të veçantë dhe sidomos ushtrimet me korin gjatë këtyre ditëve.
Ai tutje ka theksuar se ky koncert do të jetë i larmishëm, gjersa ka theksuar se bashkëpunimi i tij më Filharmonin e Kosovës është i veçantë edhe për shkak të koncertit që do të bëjë Filharmonia në Hastings.

“Koncert në Hastings, do të jetë një nga ngjarjet më të mëdha klasike që ka ndodhur ndonjëherë në Hastings, për shkak të numrit të njerëzve që do të ngjiten në skenë dhe kualitetit të asaj që do të sjellim, prandaj jemi të lumtur që do e kemi Filharmoninë atje dhe që do të performojmë së bashku”, është shprehur ai. Drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari ka dhënë detaje më shumë për dy koncertet, në konferencën për media e cila u mbajt sot.

” Në lidhje me këtë përvjetor, koncerti i nesërm është aktiviteti i parë i korit, ku Kori i Filharmonisë do të prezantohet me një varg veprash vokale por edhe disa vepra vokal- instrumentale. Pra është komplet një koncert premierë, me veprat të cilat nuk janë interpretuar më parë”, është shprehur Jashari i cili tutje ka treguar edhe për koncertet e korit jashtë vendit, i cili do të mbahet me 5 maj.
“ Dirigjenti Da Silva i ka bërë një festë Korit të Filharmonisë për dy përvjetorë, për 10-të vjetorin e Pavarësisë së Kosovës si dhe 15-të vjetorin e themelimit të korit, që më 5 maj, në qytetin Hastings të paraqiten me koncert. Vend ky në të cilin vepron dirigjenti Marcio Da Silva. Kori i Filharmonisë do i bashkëngjitet orkestrës dhe një kori tjetër atje, bashkim ky që ndodh për të shënuar edhe 90-të vjetorin e themelimit të korit të tyre atje. Pra ka shumë jubile edhe tonat por edhe të tyre të cilat do të shënohen”, është shprehur ai.

Ndërsa gjatë qëndrimit në Hastings, Kori i Filharmonisë së Kosovës do të mbajë edhe një koncert vetanak në Londër, me mbështetje të Ambasadës së Kosovës në Londër. Sipas Jasharit, ky koncert do të shërbejë për prezantimin e vlerave tona kulturore, tek qytetarët atje, por edhe te shqiptarët që jetojnë në Britani të Madhe./KultPlus.com