“Carmina Burana” valëvitet në një spektakël madhështie përmes 350 shpirtrave artistikë të Baletit, Operës dhe Filharmonisë së Kosovës

Era Berisha
Fotografitë: Arben Llapashtica

Mbrëmja e 20 qershorit në Prishtinë u shndërrua në një ngjarje madhështore artistike, ku fuqia e muzikës, vallëzimit dhe emocioneve u bashkuan në skenën e sallës AMC me interpretimin e veprës monumentale “Carmina Burana”. Nën dirigjimin e mjeshtrit japonez Toshio Yanagisawa dhe koreografinë origjinale të Toni Candeloro, ky bashkëpunim ndërinstitucional mes Operës së Kosovës, Filharmonisë së Kosovës dhe Baletit Kombëtar të Kosovës solli një spektakël të rrallë, ku 350 artistë krijuan një përjetim artistik që kapërceu kufijtë e zakonshëm të skenës shqiptare. Magjia e korit, forca dramatike e orkestrës dhe lëvizjet ekspresive të trupës së baletit u ndërthurën në një harmoni tronditëse, duke e kthyer këtë interpretim të “Carmina Burana”-s në një moment historik për jetën kulturore të Kosovës.

Në këtë shfaqje të jashtëzakonshme të “Carmina Burana”, shkëlqimi i veprës u pasurua nga prania e disa prej emrave më të spikatur të skenës vendore dhe ndërkombëtare. Solistja balerinë Antonella Albano nga Teatro alla Scala i dha trupës një hijeshi dhe teknikë të rrallë, ndërsa balerinët tanë Sead Vuniqi, Fatmir Smani, Behie Murtezi, Leonora Rexhepi, Mërgime Morina, Aulona Nuhiu, Fisnik Smani, Blerta Fanaj, Ensar Lutaj, Isa Gjocaj, Donmir Bilalli, Met Bikliqi, Rigon Krasniqi, Nik Musolli, Ilir Krasniqi, Liridon Mziu, Kreshnik Musolli dhe Muhamet Bikliqi sollën një intensitet fizik dhe emocional që e ngriti performancën në lartësi të reja artistike.

Zërat e fuqishëm dhe të ndjeshëm të Besa Llugiqit (soprano), Federico Buttazzo (tenor) dhe Ivo Yordanov (bariton) prekën thellë publikun, duke u bashkuar me korin dhe orkestrën brilante të Filharmonisë së Kosovës, nën përkujdesjen e dirigjentit asistent Hajrullah Syla. Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës, e mbështetur nga koreografja asistente Antonietta Buccolieri erdhi me koreografi në lëvizje të sinkronizuara dhe dramatike, ndërkohë që kori i Operës së Kosovës dhe asistentët dirigjentë Lirjona Sylejmani dhe Adelinë Ndreca – Kolaj sollën një fuqi korale të fuqishme. Fëmijët e korit “Okarina” nën drejtimin e Elikona Hysajt dhe kori i shkollës “Prenk Jakova” me dirigjente asistente Lirjona Sylejmani shtuan një pastërti dhe ndjeshmëri të veçantë në atmosferën madhështore të natës. Ishte një bashkim i rrallë energjish artistike që dëshmoi për fuqinë e bashkëpunimit dhe përkushtimit kulturor në Kosovë.

“Carmina Burana” erdhi si një eksplozion i jetës në të gjitha ngjyrat e saj — një vepër që shpalos thellësitë e emocioneve njerëzore përmes gjuhës së muzikës, korit dhe ritmit. E ndërtuar mbi poezi mesjetare që përshkruajnë fatin e paparashikueshëm, gëzimet e dashurisë dhe etjen për liri, kjo kantatë e Carl Orff-it përçon një fuqi primitive dhe universale që vazhdon të ngjallë drithërimë. Në zemër të saj rreh rrota e fatit – O Fortuna” – një himn për paqëndrueshmërinë e jetës, që ngrit dhe përplas njeriun mes ekstazës dhe tragjedisë. Thelbi i “Carmina Burana-s është përjetimi i intensitetit të jetës në çdo formë të saj – një thirrje e fuqishme për të jetuar, ndjerë dhe sfiduar fatin, me gjithë pasionin dhe trishtimin që ekzistenca sjell.

Pamja skenike e “Carmina Burana-s në sallën AMC ishte një kompozim vizual po aq mbresëlënës sa vetë muzika. Në qendër të skenës qëndronte orkestra, një trupë e fuqishme instrumentistësh që formonin zemrën ritmike të veprës. Në të dy anët e saj, të vendosur me simetri mbresëlënëse, ishin koristët – një mur zëri që e përforconte emocionin kolektiv të çdo pjese. Sipër tyre, në një skenë të ngritur, zhvillohej një balet i fuqishëm dhe ekspresiv, ku trupa e baletit interpretonte me lëvizje dramatike, të sinkronizuara me tensionin dhe kulmet muzikore. Në ballë, prapa dirigjentit, qëndronin solistët vokalë – sopranoja, tenori dhe baritoni – të cilët përçuan me ndjenjë dhe forcë dramatike tekstet e lashta. I gjithë ambienti ishte një trupë e gjallë, ku muzika, vallëzimi dhe zëri ndërthureshin në një organizim skenik të përkryer, duke e kthyer sallën në një tempull modern të artit të gjallë.

Edhe pse salla ishte tejmbushur me publik – përfshirë ata që qëndruan në këmbë për më shumë se një orë e dhjetë minuta – dhe përkundër vapës së madhe që e mbuloi ambientin me një nxehtësi të rëndë, magjia e Carmina Burana-s nuk u zbeh asnjë çast. Përkundrazi, kjo ndjesi fizike e përbashkët – nxehtësia, djersa, pritja – e bëri përjetimin edhe më të thellë, edhe më njerëzor. Ishte një nga ato momente ku arti tejkalon çdo kufi komoditeti, dhe bukuria e kësaj kantate të jashtëzakonshme u ndje me intensitet në çdo notë, në çdo lëvizje dhe në çdo frymëmarrje të ndarë mes skenës dhe publikut. Një përvojë që nuk harrohet – sepse ndonjëherë, kur sakrifica e trupit bashkohet me pasionin e shpirtit, lind vërtetësia më e rrallë e artit.

Kostumet, të dizajnuara me kujdes artistik nga Toni Candeloro, ishin një element thelbësor që e pasuruan ndjeshëm atmosferën vizuale të Carmina Burana-s. Dominonin fustanet e gjatë blu, të rrjedhshëm dhe elegantë, që lëviznin me një hir të veçantë bashkë me trupat e balerinëve, duke krijuar një ndjesi fluiditeti dhe solemniteti në skenë. Këto ngjyra të thella si qielli i natës sillnin një qetësi vizuale që kontrastonte me vrullin dramatik të muzikës. Ndërkohë, solistja femër u dallua me një fustan të bardhë, të pastër e ndriçues, që përçonte një ndjesi dëlirësie dhe simbolike të pranisë së shpirtit njerëzor përballë fatit. Kostumografia e Candeloro-s nuk ishte vetëm veshje – ishte një zgjedhje e menduar që përforconte temat universale të veprës: pasionin, pafajësinë, dhe pashmangshmërinë e jetës.

“Carmina Burana” është një nga veprat më emocionuese dhe të fuqishme muzikore të shekullit të XX, që përçon me intensitet të jashtëzakonshëm thelbin e fatit dhe pasioneve njerëzore. Muzika e Carl Orff-it shquhet për ritmet e saj pulsuese dhe meloditë e thjeshta, por të fuqishme, që krijojnë një ndjesi të papërsëritshme dramatike. Dukshëm madhështore ishte edhe interpretimi i Trupës së Baletit Kombëtar të Kosovës, e cila me talentin dhe energjinë e saj solli në jetë emocionet e thella të veprës. Vallëzimi i tyre, i fuqishëm dhe i saktë, duke kaluar nga lëvizjet ekspresive deri te ato më të buta dhe intime, krijonte një kontrast të gjallë me tensionin dhe lirshmërinë e muzikës. Nëpërmjet çdo hapi, çdo pozicioni dhe çdo lëvizjeje, balerinët u shndërruan në një gjuhë pa fjalë, që tregonte histori dhe ndjenja të thella, duke e shtuar kështu një shtresë dramatike dhe vizuale që e bënte përvojën edhe më të plotë dhe magjike.

Në qendër të kësaj eksperience muzikore dhe skenike shkëlqeu sopranoja Besa Llugiqi, e cila me zërin e saj të pasur dhe të fuqishëm përçoi çdo emocion me një ndjeshmëri dhe teknikë të jashtëzakonshme. Ajo solli një prekje njerëzore nëpërmjet tingujve, duke i dhënë jetë fjalëve dhe duke i bërë ato të ndihen në shpirtin e çdo dëgjuesi. Talenti i saj u bashkua në mënyrë perfekte me intensitetin orkestral dhe dramatik, duke krijuar momente kulmore që nuk harrohen lehtë dhe që dëshmojnë për një artiste që di të kapë thelbin e çdo note dhe fraze muzikore.

Orkestra e Filharmonisë dhe Operës së Kosovës në “Carmina Burana” ishte zemra e gjallë që pulsoi me fuqinë e një universi të tërë, ku çdo instrument ishte një yll që ndriçoi në galaktikë tingujsh. Secila frymëmarrje e violinave, secili goditje e timpaneve dhe përqafimi i ngrohtë i instrumenteve të frymës u bashkuan në një poezi të heshtur, që përshkoi ajrin me valë drite dhe hije emocionale. Aty lindi bukuria e vërtetë – në harmoninë e përpiktë të kontrasteve, në fuqinë delikate që ngrihet dhe përplaset si deti, duke na kujtuar se muzika është gjuha më e pastër e shpirtit, e cila flet pa fjalë, por me një thellësi që prek dhe transformon çdo qenie që e dëgjon.

Korët në “Carmina Burana” janë një simfoni zërash që bashkohen për të krijuar një fuqi të jashtëzakonshme kolektive, duke ngjallur me intensitet magjinë e teksteve mesjetare dhe emocionet e tyre të thella. Në harmoninë e tyre të pasur dhe shumëngjyrëshe, zërat shfaqin një përqafim të gjerë ndjenjash — nga përmallimi dhe trishtimi te gëzimi dhe shpresa — duke ndërtuar një peizazh të gjallë që rrit tensionin dramatik dhe e thellon përjetimin artistik. Ata janë zemra korale që pulson në këtë kantatë, duke shndërruar çdo pjesë në një udhëtim shpirtëror dhe duke sjellë fuqinë e bashkimit njerëzor përmes bukurisë së harmonisë dhe fuqisë së zërit të përbashkët.

Realizimi i “Carmina Burana” në Prishtinë përfaqëson një kapitull të ri dhe të jashtëzakonshëm në historinë kulturore të Kosovës, duke dëshmuar se arti i madh nuk njeh kufij dhe se talenti vendor mund të bashkëpunojë me mjeshtër ndërkombëtarë për të krijuar mrekulli skenike. Ky event madhështor, i mbështetur nga përkushtimi i artistëve, profesionistëve dhe institucioneve kulturore, solli në jetë një performancë që jo vetëm sfidoi pritshmëritë, por edhe ngjalli krenari dhe shpresë për të ardhmen artistike të vendit. Duartrokitjet e pandalshme dhe ovacionet në këmbë nga publiku i mbushur plot dëshmuan fuqinë e kësaj përvoje, duke shprehur një emocion të thellë dhe mirënjohje të sinqertë për përkushtimin e jashtëzakonshëm të të gjithë pjesëmarrësve.

Krejt në fund, në një prononcim për KultPlus foli Meriton Ferizi, Ushtrues i Detyrës së Drejtorit të Operës së Kosovës, i cili u nda i kënaqur me kantatën skenike.

“Pas mbrëmjes së djeshme me kantatën skenike Carmina Burana, ndjej kënaqësi të veçantë për këtë bashkëpunim të fuqishëm mes tri institucioneve tona kombëtare; Opera e Kosovës, Baleti Kombëtar dhe Filharmonia e Kosovës, ku për herë parë kjo vepër u realizua në formën e tillë skenike me Baletin, për çka e bëri më të kompletuar dhe më madhështore këtë vepër monumentale. Carmina Burana, kërkon fuqi kolektive artistike dhe mbrëmë kjo energji u ndje e plotë në skenë, me solistët, korin masiv të Filharmonisë dhe Operës së bashku me korin e fëmijëve, si dhe trupa e Baletit. Dirigjenti japonez Toshio Yanagisawa, me interpretimin e tij preciz dhe dinamik, krijoi një komunikim të shkëlqyer mes korit, solistëve, baletit dhe orkestrës. Ishte një natë që tregoi potencialin e bashkërendimit institucional dhe nivelin gjithnjë në rritje të skenës sonë operistike e muzikore. Ky sukses është dëshmi e vullnetit tonë të përbashkët për të ndërtuar një standard të lartë artistik në Kosovë.”

Për të treguar më shumë rreth pjesëmarrjes në “Carmina Burana”, për KultPlus foli sopranoja Besa Llugiqi.

“Mendoj se ka qenë një mbrëmje me të vërtetë madhështore. Përveç muzikës së jashtëzakonshme dhe plot jetë të Orff-it, kantata skenike u bë edhe më e veçantë falë trupës së baletit, që me hijeshinë dhe energjinë e tyre e madhëruan këtë spektakël në mënyrë të paharrueshme. Të rrethuar nga kolegë të mrekullueshëm dhe e shoqëruar me muzikë magjike, kjo ishte një përvojë e rrallë që prek zemrën. I falënderoj me gjithë zemër të gjithë ata që punuan me përkushtim dhe shpirt për ta bërë këtë natë kaq të bukur dhe të veçantë — një mbrëmje që do të mbetet gjatë në kujtesë.”

Në një prononcim për KultPlus foli Sinan Kajtazi, Ushtrues i Detyrës së Drejtorit të Baletit Kombëtar të Kosovës, tha se “Carmina Burana” erdhi si një kulmim i fuqisë artistike me përmasa të jashtëzakonshme.

“Fillimisht dua t’i përgëzoj të gjithë ekipin prej 350 vetash, të cilët mbrëmë na dhuruan emocione të jashtëzakonshme. Ky projekt, në vlerësimin tim, do të mbetet historik për të tri institucionet tona, duke pasur parasysh përmasat e tij, por edhe realizimin mbresëlënës. Jam shumë mirënjohës ndaj menaxhmenteve të Filharmonisë së Kosovës dhe Operës së Kosovës për bashkëpunimin shembullor. Pas bashkëpunimit ne shfaqjen e baletit “Halili dhe Hajria” në 50-vjetorin e Baletit Kombëtar, baletin “Arrëthyesi”, si dhe operën “Goca e Kaçanikut”, edhe “Carmina Burana” erdhi si një kulmim i fuqisë artistike me përmasa të jashtëzakonshme.”

Një nga solistët e Baltetit që shkëlqeu mbrëmë, Sead Vuniqi, për KultPlus potencoi se pjesëmarrja si solist në këtë produksion për të është një ndjesi e papërshkrueshme.

“Bashkëpunimi me maestro Toni Candeloro ka qenë një përvojë jashtëzakonisht e bukur. E kam njohur Tonin më parë, dhe kemi punuar bashkë edhe në Tiranë, por këtë herë ai qëndroi për më shumë se dy muaj në Kosovë për të punuar intensivisht me të gjitha trupat tona artistike. Toni është një profesionist i rrallë, me pasion dhe përkushtim të admirueshëm. Pjesëmarrja ime si solist në këtë produksion ishte një ndjesi e papërshkrueshme. Të performosh përballë një publiku të mbushur plot, në një skenë të madhe, me një ekip të tillë artistësh – është një nder dhe një përgjegjësi e madhe. Ndihem shumë i lumtur që pata mundësinë të jem pjesë e kësaj vepre, që u prit kaq mirë nga publiku. Jam shumë krenar që, si institucione, po arrijmë të sjellim çdo vit vepra gjithnjë e më të mëdha dhe më domethënëse për artdashësit tanë. Uroj që ky bashkëpunim i frytshëm të vazhdojë edhe në të ardhmen dhe të na sjellë suksese të reja artistike.”

Pas çdo shfaqjeje madhështore qëndron një ekip artistësh dhe profesionistësh të përkushtuar, të cilët janë themeli i suksesit skenik. Në Carmina Burana, roli i korepetitorëve Melos Buza, Alzan Gashi dhe Lekë Salihu ishte thelbësor për përgatitjen muzikore të korit dhe solistëve, duke siguruar një ekzekutim të saktë dhe emocionalisht të ngarkuar. Ndriçimi, i realizuar me mjeshtëri nga Marco Policastro, krijoi atmosfera dramatike dhe të ndjeshme që e shoqëruan çdo moment të veprës, ndërsa zëri u menaxhua me precizitet nga inxhinierët Bojan Ugrinovski dhe Karl Humbug, duke mundësuar që çdo tingull të arrinte qartë dhe fuqishëm tek publiku. Florian Çanga, me projeksionet e tij artistike, shtoi një dimension vizual që i dha skenës thellësi dhe simbolikë, ndërsa dizajni grafik i Faton Hasimja kontribuoi në komunikimin elegant të identitetit të ngjarjes./ KultPlus.com

BKK shpalos premierën “Deadline”, në hap me ritmin e ethshëm të shtypit, pushtetit dhe përndjekjes

Era Berisha
Fotografitë: Qëndrim Morina

“Deadline”, titullohet baleti bashkëkohor nga koreografi Sead Vuniqi, që mbrëmë audiencën e Ateliesë në Pallatin e Rinisë dhe Sportit e dërgoi brenda vorbullës së perfeksionit. Ka qenë një botë magjepsëse që rrallëherë vjen e trajtuar në këtë formë. Balerinët e Baletit Kombëtar të Kosovës kanë shpalosur historitë e një redaksie gazete e cila ka qenë në kulmin e epokës së artë të shtypit rreth viteve 1920 në një metropol evropian, shkruan KultPlus.

Pak para se ora të shënonte 20:00, të pranishmit pritnin jashtë sallës në të cilën pas murit sipër ishte e kapur një fletëz e gjatë që vazhdonte gjerë në hyrje të sallës brenda, porsi një gazetë e letrës që shpaloset lehtë. Me mbishkrime si “Rilindja 1945”, tregoheshin fakte të asaj kohe që ishin të mbledhura në fletën e bardhë. Kjo atmosferë i mirëpriti të pranishmit që u ulën në vendet përkatëse dhe mbushën sallën plot.

Një mjegull drite në ngjyrë ari qe piktura që priste për ringjallje në prapaskenë. Reflektorët u gjallëruan fiks në orën 20:16, duke paraqitur kështu në skenë gjithsej tetë tavolina pas të cilave ishin të ngjitura tetë makina shkrimi. Tavolinat ishin lëvizëse dhe lëvizja sipër tyre apo rreth tyre është kufizuese por kjo nuk vlente aspak në rastin e mbrëmshëm. Figurat e balerinëve nisën lojën me akte aktrimi dhe eleganca e tyre ishte mbresëlënëse. Ata lëviznin si boja ngjyrë zezë sipër letrës së bardhë. Ajri në atmosferë të jepte ndjesinë e një urgjence, një tensioni që të shtynte të lëvizje këmbën vetë. Pëshpëritjet e lajmeve të fundit, shushurima e faqeve në tokë që binin nga makina e shkrimit dhe shikimet e shkëmbyera portretizonin garën me kohën dhe shpalosnin pasojat që vijnë kur ky afat nuk respektohet.

Pos tetë tavolinave, ishte një tavolinë e drurit ajo kryesorja në të cilën portretizoheshin mbledhjet kryesore. Trupat e balerinëve lëkundeshin si pikëpyetje, si pikëçuditëse, si presjet e mendimit të ndërprerë. Secili balerin ishte një gazetar, i pasionuar pas arritjes, secila balerinë – poete e kohës. Kostumet e tyre në anën tjetër, i jepnin një hijeshi të paparë lojës. Tregonin seriozitet, ashpërsi, autoritet, por në fund të fundit, ishin pikërisht trupat e tyre që tradhëtonin. Gjymtyrët e gjatë, të hollë e të trashë, shkrepnin fotografi lëvizjesh nga çasti në çast. Balerinët e BKK-së rikthyen pulsin tashmë të pangopshëm për audiencën e Prishtinës. Fuqia e tyre jepte ndjesi lakmitare.

Koreografi i këtij baleti, Sead Vuniqi, i cili njashtu është balerin i Baletit Kombëtar të Kosovës, ka shpalosur një gjuhe lëvizjeje dinamike dhe ekspresive duke pasqyruar energjinë dhe përkushtimin e këtij mjedisi të gjallë, ku bashkëpunojnë gazetarë dhe fotoreporterë, gazetarë të rinj, një magnat i shtypit, punëtorë, stenografistë dhe sekretare.

Baleti “Deadline” trajtoi vështirësitë e kohës së viteve 1930-1940 në krahasim me realitetin e sotëm. Në atë periudhë, gazetat ishin një pjesë thelbësore e jetës së qytetit, ndërsa sot ato janë në zhdukje. “Deadline” është një term që e përcakton qartë ritmin e shfaqjes dhe ndjesinë e urgjencës që ndiejnë personazhet. Harqet e balerinëve patjetër që kanë shpuar audiencën me precizitetin dhe ndjenjën e ankthit.

Nga secili qosh, hijet e tyre qëndronin si vëzhgues të heshtur, redaktorë skeptikë, fantazma të historive të kaluara, të mbetura, të patreguara. Dritat e vëmendjes herë binin në tërësi, herë fokusoheshin në dy apo katër balerinë, varësisht kombinimeve dhe akteve performuese. Baleti Kombëtar i Kosovës kësaj here ka frymuar më ndryshe. Me “Deadline”, ata vulosën aftësinë e vallëzimit kontemporan, një frymë që sa vjen e shtohet akoma më shumë. Ndriçimi i ulët që i ngjasonte dritës së llambës ishte pika kryesore nëpërmjet së cilës dalloheshin lëvizjet e kyçeve të dorës dhe këmbëve. Dalloheshin edhe kthesat më të imëta. Balerinët e BKK-së shpërfaqën britmat e heshtura të atyre që luftojnë për t’u dëgjuar. Në atë redaksi të artë, historia nuk shkruhej – kërcehej.

Koreografi Sead Vuniqi në një prononcim për KultPlus ka treguar se është ndarë i kënaqur me suksesin e baletit “Deadline”.

“Jam jashtëzakonisht i lumtur dhe krenar për suksesin e mbrëmshëm të baletit Deadline. Ishte një natë magjike, ku BKK arriti të sjellë një performancë në nivelin më të lartë të mundshëm. Publiku u përfshi dhe u magjeps nga dinamika, intensiteti dhe estetika e kësaj shfaqjeje, duke përjetuar çdo moment me emocion dhe kuriozitet. Për mua, ka qenë një privilegj i madh të kem mundësinë të krijoj këtë shfaqje, dhe për këtë falënderoj drejtorin e BKK-së, Sinan Kajtazi, i cili më dha hapësirën dhe besimin për ta realizuar këtë projekt. Gjithashtu, mirënjohja ime më e thellë shkon për të gjithë balerinët, të cilët me përkushtim dhe profesionalizëm e sollën këtë vepër në jetë”, thotë Vuniqi.

Ai tutje ka falënderuar ekipin krijues: asistentja Diletta Antoni, për mbështetjen dhe kontributin e saj të çmuar, kompozitorin Phil Von, i cili me muzikën e tij i dha shfaqjes një dimension të thellë emocional, dramaturgen Eva Wagner, për qasjen e saj artistike dhe ndihmën në ndërtimin e strukturës dramaturgjike, kostumografen Elva Bela, për krijimin e një identiteti vizual të fuqishëm përmes kostumeve, skenografin Berat Hansi, për ndërtimin e një hapësire skenike që i dha jetë atmosferës së shfaqjes.

Po ashtu, balerini Fatmir Smani për KultPlus ka thënë se shfaqja është realizuar për një kohë rreth 4 javë.

“Shfaqja Deadline është projekti i fundit i përgatitur nga kolegu Sead Vuniqi. Kjo shfaqje është realizuar për një kohë rreth 4 javë. Bashkëpunimi me Seadin ka qenë tejet i mirë, duke e pasur parasysh që edhe në muajt e kaluar kemi pas mundësinë të bashkëpunojmë në projektet Terminal dhe Hope. Seadi si koreograf është mjaft kërkues dhe kjo e ka bërë që shfaqja të përthekohet në maksimum ku dhe rezultati u pa në premierë pasi që publiku e priti mjaft mirë. Poashtu asistentja Dileta e ka bërë një punë të mrekullueshme. Mesazhi i shfaqjes ka qenë i fokusuar tek krahasimi i gazetarisë në kohërat e vjetra dhe në të tashmen ku lajmi dhe oraret për të depërtuar ka qenë mjaft i vështirë dhe ka marr shumë kohë ndërsa sot gjithçka bëhet virale shumë shpejt”, thotë Smani.

Po ashtu, Isa Gjocaj, balerini i ri i cili tashmë është pjesë e përhershme e institucionit të BKK, dhe i cili pati një paraqitje dukshëm të bukur, për KultPlus ka thënë se periudha gjashtë javore e provave ka qenë mjaft intensive dhe po aq sfiduese.

“Si zakonisht, kemi pas problemet me te cilat ballafaqohemi për një kohë të gjatë tani siç janë mungesa e sallës së ushtrimeve dhe një vendi adekuat si teatri për shfaqjen e projekteve tona, si rrjedhim i të cilave hasim në probleme tjera si orari dhe koha e shkurtër për përgatitjen e shfaqjeve. Por e gjithë trupa bashkë me koreografin, asistenten e tij dhe pjesën tjetër të ekipit teknik kemi punuar me pasion dhe përkushtim maksimal për një rezultat sa më të mirë. Puna me Seadin është gjithmonë shumë e veçantë dhe produktive. Seadi është një krijues dhe koreograf shumë i talentuar, dhe besoj se kjo ka dal në pah përmes kësaj shfaqjeje”, thotë Gjocaj.

Sipas tij, “Deadline” ka sjellë një koncept unik në dallim me shfaqjet e tjera, duke e vendosur historinë në atmosferën e një redaksie të gazetës së viteve 1920-30.

“Thelbi ka qenë tek pasqyrimi i përkushtimit dhe pasionit të atyre që punojnë në industrinë e shtypit, duke sjellë në skenë sfidat, rivalitetet, intrigat dhe bashkëpunimin mes gazetareve, fotoreportereve, dhe stafit mbështetës, duke na rikujtuar rëndësinë e gazetarisë në shoqëri. Përmes lëvizjeve tona ritmike dhe lidhjes së personazheve, shpresojmë ta përçojmë idenë dhe konceptin tek publiku”, ka thënë ai.

Sonte, po ashtu është luajtur repriza e parë e “Deadline” në Sallën e Ateliesë në Pallatin e Rinisë dhe Sportit./ KultPlus.com


Premiera “Deadline” nga Baleti Kombëtar i Kosovës shpalos kulmin e epokës së artë të shtypit me prapaskenat urgjente

Era Berisha

Baleti Kombëtar i Kosovës, një institucion që krijon artin e pakrahasueshëm të vallëzimit, së shpejti do të dhurojë premierën e radhës për këtë vit, “Deadline”. Brenda katër mureve të heshtjes kolektive, mblidhen balerinët të cilët i bëjnë ballë kohës dhe njëkohësisht i japin formë asaj. Muzika që hyn brenda shpirtit të tyre rreh vrazhdë si daullet që kërcasin me njëra-tjetrën. Balerinët shpalosin çdo herë një histori të pathënë, kreative dhe secila lëvizje e tyre simbolizon një kambanë për shikuesit. Të njëjtin rast do e gjejmë edhe brenda koreografisë së “Deadline” që po krijohet mjeshtërisht nga balerini Sead Vuniqi, shkruan KultPlus.

“Deadline”, koreografit Vuniqi, i ka ardhur si ide para shumë vitesh, duke reflektuar se sa shumë punë dhe presion ekziston për të sjellë lajmin te qytetarët dhe garën mes redaksive për të qenë më të lexuarat në vend. Njëkohësisht, shfaqja trajton vështirësitë e kohës së viteve 1930-1940 në krahasim me realitetin e sotëm. Në atë periudhë, gazetat ishin një pjesë thelbësore e jetës së qytetit, ndërsa sot ato janë në zhdukje. Në vendin tonë nuk ka më shtyp të gazetave si dikur, dhe kjo e ka bërë këtë temë për koreografin Vuniqi të rëndësishme për t’u trajtuar.

Titulli “Deadline” vjen si një metaforë për presionin, garën me kohën dhe për pasojat që vijnë kur ky afat nuk respektohet. Është një term që e përcakton qartë ritmin e shfaqjes dhe ndjesinë e urgjencës që ndiejnë personazhet. Dhe harqet e balerinëve besohet se do të shpojnë audiencën me precizitetin, ndjenjën e ankthit dhe veçantinë që e kanë. Trupat e tyre do të flasin nga një frymëmarrje në tjetër dhe ekuilibri i tyre do të shpalosë përherë një pyetje, një mendim dhe po ashtu nuk do mungojnë as shpalosjet e prapaskenave brenda gazetave në vend dhe kudo.

Koreografi Sead Vuniqi në një intervistë për KultPlus ka treguar se provat kanë filluar qysh më 10 shkurt me punë intensive, dhe gjithçka po shkon siç e kanë planifikuar. Ai uron që deri më 20 mars trupa të jetë gati para publikut për të sjellë diçka unike.

“’Deadline’ sjell tension, presion dhe emocion. Jo gjithmonë duhet të shkruhet vetëm për skandale, por ndonjëherë edhe për gjëra emocionale. Kjo reflektohet në mënyrën si zhvillohet historia brenda shfaqjes. Shfaqja përcjell emocione të forta duke treguar sakrificën dhe punën që bëjnë të gjithë brenda redaksisë. Përtej presionit dhe ritmit të shpejtë, ajo synon të tregojë përkushtimin e gazetarëve dhe përpjekjet e tyre për të sjellë të vërtetën”, ka thënë Vuniqi për KultPlus.

Qasja e Vuniqit ndaj koreografisë është e ndërtuar mbi një strukturë të ngjashme me një lojë matematikore – një rrjedhë e vazhdueshme, ku çdo skenë është e ndërlidhur me tjetrën në mënyrë precize. Ai ka eksploruar lëvizje që reflektojnë ngutjen, përplasjen dhe fragmentimin e vëmendjes, duke përdorur tavolina dhe karrige si pjesë organike të gjuhës koreografike.

“Shfaqja ka lëvizje të stilit bashkëkohor dhe mes neoklasikes, duke krijuar një ndërlidhje mes dinamikës së gazetarisë dhe shprehjes përmes trupit”, thotë ai.

Në anën tjetër, muzika nga Phil Von konsiderohet si një përzierje mes kohërave. Pra, përdoren pjesë të rikompozuara nga xhazi, tango dhe muzika e viteve 1930, të ndërthurura me tinguj bashkëkohorë për të krijuar një atmosferë që lëviz mes të shkuarës dhe së tashmes.

“Dua që publiku të ndiejë ritmin e shpejtë dhe presionin e vazhdueshëm, por edhe të vërejë lëvizjet e balerinëve që ndryshojnë herë pas here. Shfaqja ka një ndërthurje interesante mes pjesëve, duke krijuar një rrjedhë që e mban audiencën të angazhuar. Shfaqja ka shumë nuanca që flasin për kohën e viteve 1930, si nëpërmjet kostumeve që i referohen asaj periudhe, ashtu edhe në skenografi, e cila i kushtohet po asaj kohe. Do të ketë karrige lëvizëse, makina shkrimi të asaj periudhe dhe një estetikë që përpiqet të sjellë ndjesinë e një redaksie të asaj kohe. Lëvizjet po ashtu janë krijuar duke ruajtur frymën e asaj epoke, ndërsa ndërthuren me qasjen bashkëkohore”, shpalos Vuniqi për KultPlus.

Më 4 shkurt është dhënë premiera e shfaqjes “Hope” e para e BKK-së për këtë vit, dhe “Deadline” tashmë është shfaqja e dytë premierë. Koreografinë për dy shfaqjet e ka krijuar vetë Vuniqi, i cili thotë se “Hope” ka qenë një projekt shumë personal dhe emocional, që i erdhi nga nevoja për të shprehur një mesazh mbi luftën me sëmundjet dhe forcën njerëzore.

“Si pjesë e trupës, unë gjithmonë kërkoj të sjell diçka që jo vetëm sfidon kërcimtarët, por që gjithashtu ka një peshë emocionale dhe intelektuale për publikun. Inspirimi për një balet të ri shpesh vjen nga një ndjesi e fortë ose një temë që ndihem i detyruar ta eksploroj”, përfundon ai.

“Deadline”, një balet bashkëkohor nga koreografi Sead Vuniqi, na çon në botën magjepsëse të një redaksie gazete në kulmin e epokës së artë të shtypit – vitet 1920 në një metropol evropian. Përmes një gjuhe lëvizjeje dinamike dhe ekspresive, shfaqja pasqyron energjinë dhe përkushtimin e këtij mjedisi të gjallë, ku bashkëpunojnë gazetarë dhe fotoreporterë, gazetarë të rinj, një magnat i shtypit, punëtorë, stenografistë dhe sekretare.

Premiera e shfaqjes do të epet më 20 mars në sallën e Ateliesë, në Pallatin e Rinisë dhe Sportit, duke filluar nga ora 20:00.

Repriza e parë epët një ditë më vonë, më 21 mars./ KultPlus.com

BKK vjen me premierën e parë për vitin 2022, koreografi Uralsky: Do të sjellim diçka të re që do t’i përkasë vetëm këtij teatri

Era Berisha

Me një stil tejet të modernizuar dhe ndryshe nga e zakonshmja, shfaqja “Romeo dhe Zhulieta” e cila vjen si premiera e parë për vitin 2022 nga Baleti Kombëtar i Kosovës, hapjen do ta ketë në një mënyrë krejtësisht unike, me ç’rast publiku do të përjetojë një risi të pa ndjerë më parë nga trupa e baletit që do të frymojë për dashurinë nën një peizazh që i ka munguar botës deri më tani, shkruan KultPlus.

Ajo se çfarë dëgjohet qysh nga kati i sipërm së hapësirës për prova të trupës së baletit, është një muzikë sa e lehtë aq edhe intensive. Trupa e baletit në gjithë gjendjen kaotike dhe të bukur, nëpërmjet hapave, lëvizjeve trupore e kërcimeve, shpalosi dramë, butësi, humor dhe dhimbjen e zemrës që përkon me historinë legjendare të shfaqjes së bazuar në dramën e William Shakespeare.

E mbushur me luftime dramatike me shpata, hapa precize, kërcime që të lënë pa frymë e deri tek emocioni që shprehej nëpërmjet fytyrave të mbuluara me djersë të trupës së baletit, nuk ka dyshim se shfaqja do të sjell lojën mjeshtërore të emocioneve të fuqishme duke sjell në jetë jo vetëm dashurinë e dy protagonistëve por edhe mallin e humbjen së kësaj tragjedie epike.

Teksa lëvizjet dhe hapat magjepsëse të tyre lundrojnë në atmosferë, vëmendja e tyre bie direkt tek zëri i koreografit Konstantin Uralsky, i cili së bashku me asistentin e tij udhëzojnë trupën nën komandën e tyre besnike. Si një dukuri e shenjtë, vallëzimi i tyre tashmë kalonte përtej lodhjes trupore, duke u shndërruar në një kryevepër që dukshëm do të lë gjurmë në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës më 24 mars.

“Romeo dhe Zhulieta”, konsiderohet se do të luhet në një mënyrë tërësisht të re, në diçka që nuk është parë ende. Duke u dalluar nga stili tradicional i shfaqjes, koreografi Uralsky tenton që këndvështrimi i tij të jehojë jo vetëm mbi dashurinë e dy të rinjve, por të arrijë edhe deri tek filozofitë e tjera që ndërthuren në atë shfaqje. Andaj dhe kjo cilësohet të jetë diçka që do t’i përket vetëm Teatrit Kombëtar të Kosovës ngaqë elementet e reja po vinë për herë të parë nga vetë koreografi i cili këto elemente nuk i ka sjell asnjëherë më parë në jetën e tij.

Duke kujtuar bashkëpunimin mes Baletit Kombëtar të Kosovës dhe koreografit Uralsky në vitin 2009, ky bashkëpunim i radhës që po vjen së shpejti, duket se do të emocionojë publikun si asnjëherë më parë. Ndonëse, provat kanë filluar qysh nga dita e hënë, me një periudhë të shkurtër kohore, Baleti Kombëtar i Kosovës, beson se do të arrijë që shfaqja të gjejë fundin me një perfeksion të jashtëzakonshëm.

Për të na folur për shfaqjen, atmosferën dhe provat para një premiere që është kaq afër, për KultPlus tregon koreografi Konstantin Uralsky.

“’Romeo dhe Zhulieta’ është një kryevepër e famshme dhe e përjetshme e William Shakespeare e cila ndoshta është në skenë që nga viti 1935. Ka opera, filma, ka gjithçka, kështu që njerëzit janë shumë të njohur me historinë. Është një histori për dashurinë, jetën, vdekjen dhe konkretisht në lidhje me këtë shfaqje, ajo që po bëjmë nuk është aq e lehtë sepse nuk po përpiqemi ta bëjmë në mënyrë tradicionale, por të sjellim diçka të re. Diçka që do t’i përkasë vetëm këtij grupi njerëzish, vetëm këtij teatri. Pra, këndvështrimi im për këtë është më shumë se vetëm për dashurinë e dy të rinjve që takohen me njëri-tjetrin në një situatë shumë të diskutueshme”, thotë Uralsky.

Sipas tij, nëse e shikojmë në aspektin filozofik, në mënyrën se si paraqitet, është një balet bashkëkohor, jo domosdoshmërisht në një teknikë kërcimi sepse i përket baletit klasik bashkëkohor. Pra, ai po sjell elemente të një teatri bashkëkohor në të dhe që do të ketë edhe shumë surpriza.

“Ne do të kemi disa elemente të papritura në duart tona që do të luhen dhe kjo është arsyeja pse publiku do të jetë absolutisht i emocionuar për t’i parë ato.”

Për të, ndonjëherë njerëzit nuk mendojnë se sa lehtë mund të humbasin jetën dhe ndonjëherë performanca është jeta e tyre dhe kjo është arsyeja pse ai po përpiqet të vendosë elemente që nuk i ka bërë kurrë më parë në jetën e tij.

“Provat janë shumë emocionuese. Unë kam qenë këtu në vitin 2009 dhe shumë nga kërcimtarët janë ende të njëjtët kërcimtarë. Është shumë e mrekullueshme të punosh me një kompani të re e cila është kaq e etur për të marrë nga ju, për të mësuar nga ju dhe për të ecur përpara. Ata janë shumë të interesuar për shfaqjen dhe kjo është arsyeja pse unë po e shijoj kaq shumë”, përfundon Uralsky.

Ndërsa se si erdhi bashkëpunimi i dytë me koreografin Uralsky, na tregon edhe balerini Kreshnik Musolli.

“Bashkëpunimin e parë e kemi pasur në vitin 2009 ku mbaj mend se ka qenë një shfaqje fantastike e cila është pëlqyer mjaft shumë nga publiku dhe që nga ajo kohë kemi mbajtur një kontakt shumë të afërt me koreografin, i cili për ne është njeri shumë i rëndësishëm. E kemi parasysh se ardhja e një shtetasi amerikano-rus në atë kohë nuk ka qenë diçka e lehtë dhe për të gjithë ne ka qenë një surprizë se si kemi arritur bashkëpunimin me të. Gjithashtu, prej anës së tij, ai nuk pati ditur se çfarë të pres nga ne por mund të them se është ndarë jashtëzakonisht i kënaqur. Për këtë arsye, kur e ftova vitin e kaluar për të nisur përgatitjet për këtë shfaqje, ka pranuar ftesën me një entuziazëm të madh”, thotë Musolli.

Sipas tij, provat kanë filluar qysh nga dita e hënë dhe deri më tani materiali koreografik konsiderohet të jetë mjaft shumë i mësuar.

“Është një kohë shumë e shkurtër mirëpo jemi duke punuar intensivisht që të sjellim një premierë të suksesshme si çdo herë dhe të sjellim një këndvështrim tjetër ndaj “Romeo dhe Zhulieta”. Kjo shfaqje kësaj here është modernizuar me shumë gjëra dhe të cilat vetë ne po i mësojmë ditë pas dite për arsye se nuk na është treguar që nga fillimi saktësisht se çka do të bëjë ai. Po e shohim si një proces mjaft interesant sepse po punojmë me një koreograf me renome botërore. Është një nder që atë ta kemi në mesin tonë dhe shpresojmë që ta kemi edhe në të ardhmen”, thotë ai.

Duke pasur parasysh se Baleti Kombëtar i Kosovës ka realizuar tri premiera në një situatë pandemike dhe tani po e sjell të katërtën me radhë, Musolli tutje tregon se kjo shfaqje dhe pse e realizuar në këto kushte me të cilat janë mësuar tashmë, sjell një hapje ku ngjarjet futen dalëngadalë dhe tejet interesante përbrenda shfaqjes.

“Mënyra se ai e nis shfaqjen është tejet e bukur dhe mendoj se do të jetë një risi për publikun por edhe për balerinët që shfaqja nuk do të filloj vetëm si shfaqje por e ka edhe një fillim pak më interesant që fut ngjarjet dalëngadalë.”

Se si po zhvillohen provat për një hapje interesante dhe për bartjen e një roli kryesor siç është ‘Romeo’, për KultPlus tregon edhe balerini Sead Vuniqi.

“Kjo është java e parë që kemi nisur me prova. Për momentin gjithçka po shkon mirë dhe normal që tash problemi është se koha është shumë e limituar dhe janë diku afër njëzet ditë për të krijuar një lloj vepre siç është “Romeo dhe Zhulieta”. Jemi duke e stërzgjatur edhe provat dhe orarin në mënyrë që të arrijmë të përfundojmë procesin e punës dhe të realizojmë shfaqjen në kohë”, thotë Vuniqi.

Sipas tij, roli i Romeo-s është një privilegj për t’u luajtur dhe është një ndjenjë e mirë për shkak se është një vepër e Shekspirit, vepër kjo e veçantë që atij po i dhuron shumë ndjenja të ndryshme, duke inkuadruar dhe muzikën e çdo gjë tjetër.

“Zakonisht ne kemi shumë shfaqje të ndryshme të baletit por këto klasiket e bëjnë më të veçantë për arsye se baleti klasik është një shkollë ndryshe e një balet krejt ndryshe prej arteve tjera për arsye të sfidës që posedon. Njëkohësisht, jemi tërë kohën në tension për të bërë më të mirën sepse lëvizjet e baletit klasik janë shumë të vështira dhe gjithmonë kjo e bënë pak më të veçantë, duke nisur edhe nga ndjeshmëria dhe gjithçka rreth saj. Pra, thjesht të sjell emocione ndryshe”, përfundon Vuniqi.

Ndërsa, për të na treguar më shumë rreth rolit të saj si ‘Zhulieta’, për KultPlus foli balerina Leonora Rexhepi.

“Për të bartur rolin kryesor natyrisht është një ndjenjë shumë e veçantë dhe po ndihem shumë mirë. Pa diskutim se është një privilegj i madh dhe do mundohem ta jap maksimumin tim. Të gjitha rolet që kanë të bëjnë me dashurinë e ndjenjat, janë më të ndjeshme dhe mendoj që aty e kam pikën më të dobët dhe se mund ta jap më të mirën time”, thotë ajo.

Sipas saj, është diçka krejt ndryshe dhe mendon se do t’ia dali shumë mirë në fund, dhe pse shfaqjen të tërën në tërësi nuk e kanë parë as trupa e baletit.

“Për gjithë këto vite, ne me të vërtetë jetojmë për duartrokitjet e publikut.”

Premiera e shfaqjes “Romeo dhe Zhulieta” vjen me datë 24 mars. Ndërkaq, repriza e parë vjen me datë 25 mars. / KultPlus.com

Teuta Krasniqi e Sead Vuniqi në Graz Tanz Festival të Austrisë

Dy balerinët e Baletit Kombëtar të Kosovës, Teuta Krasniqi dhe Sead Vuniqi do të prezantohen në 30-të vjetorin  e Graz Tanz Festival të Austrisë, shkruan KultPlus.

Bëhet e ditur se paraqitja e balerinëve kosovarë do të bëhet më 18 korrik, dhe do të prezantohen nën koreografinë e Eno Peçit.

“Ne jemi plotësisht të ngazëllyer dhe mezi po presim që të performojmë me të gjithë të ftuarit nga e gjithë Evropa”, kanë bërë të ditur balerinët kosovarë, të cilët do të prezantohen para një audidence të madhe ndërkombëtare./ KultPlus.com

“Një ditë” nga Trupa e Baletit të Kosovës sonte në Gjakovë

Shfaqja “Një ditë”, nga Trupa e Baletit të Kosovës, nën koreografinë e Christie Coleman do të shfaqet sonte për publikun e Gjakovës, shkruan KultPlus.

Kjo shfaqje e cila është bashkëpunim i UN Women dhe Trupës së Baletit Kombëtar të Kosovës mahniti publikun e Prishtinës gjatë prezantimit të premierës më 25 nëntor, në Ditën Ndërkombëtare të Dhunës ndaj Gruas.

“Një ditë”, në skenë jetësohet përmes lojës së tetë balerinëve, në përbërje të katër çifteve ku bëjnë pjesë balerinët: Teuta Krasniqi, Sead Vuniqi, Leonora Rexhepi, Fisnik Smani, Fatmir Smani, Vjollca Llugiqi, Jeta Musolli dhe Donmir Biblali.

Kjo shfaqje është e frymëzuar nga rreth 30 tregime të vërteta të grave të Kosovës, duke vënë në pah disa çështje gjinore. Shfaqja e titulluar “Një ditë” do të sjellë në skenë një ditë të familjes tradicionale, ku përmes personazheve do të preken disa nga çështjet kryesore me të cilat përballen gratë gjatë gjithë jetës së tyre. Kjo shfaqje vjen sonte në Teatrin e Qytetit “Hadi Shehu” në Gjakovë, duke filluar nga ora 20:00./KultPlus.com