‘Unë kam vendosë me jetu çdo ditë si trofe, pa ia zgjatë dorën askujt’

Nga Arjola Zadrima

Ato kohë ende nuk e kisha rindërtu botën. Gjithçka ishte pakuptim. Unë ndjehesha e vogël, e pambrojtun, e vetmueme ndonëse shtëpia ishte dëng me njerëz. Kur vijnë për ngushëllim së pari të vrojtojnë çdo cep të shtëpisë , së dyti ti këndojnë të ardhunat simbas oreksit dhe së treti krijojnë një imazh tandin që ta kenë për rrëfenjë. Sapo isha shkundë prej jetës dhe një mori njerëzish më thonin” je e re , ke jetën para” një kategori tjetër thoshte” e ke vendos besoj” ” s’ke çka me ba ky kje fati jot”. Isha e marume , por humbisja mendjen se çka kisha vendosë , fatkeqsisht ende nuk e kam kuptu çka kam vendosë që të gjithë e dinë e unë jo.

Gjithsesi koha kaloi , e unë e rindërtova botën pa tim shoq, por ndeshi shpesh ftyra të shprishuna që kryet u humbon ndër shpatulla kur më shohin. Për nji pjesë të mirë duhet të isha kërrusë, ose tju kishe zgjatë dorën për lëmoshë, osr thjesht të isha zvarritë rrugës pa u pa . Ka boll prej atyne që lirinë e kanë shti në nji çantë të shtrenjtë e më fokusojnë ” my little black dress”, ka prej atyne që ngrehin një totolosh për krahu e nuk e dinë se ai ma luen synin e të shkretat shkojnë sikur të kenë trofe në krah. Ka prej atyne që më njohin mirë , dhe ja njoh mirësinë mbi të gjitha njoh edhe gra prej atyne që jetën e mësuen betejash apo tuj luejtë luftash si Unë.

Unë kam vendosë diçka që nuk e dini , me jetu çdo ditë si trofe. / KultPlus.com

Të parin Shën Valentin pasi humba bashkëshortin mora një buqetë me lule: Dashnija jeme për ty asht e përjetshme

Sue Johnston

Përktheu Arjola Zadrima

Bashkëshorti jem i dashtun dhe unë , ishim së bashku prej 46 vitesh. Çdo ditë të Shën Valentinit ishte ai vetë që më sillte lulet ma të bukura me një pusullë me pesë fjalë : ” Dashnija jeme për ty , rritet”. Katër fëmijë , katërdhetegjashtë buqeta dhe një jetë mbushë me dashuni, kjo ishte pasunia që më la kur ai vdiq para dy vitesh.

Të parin Shën Valentin e vetme mbas dhjetë muej që e kisha humbë, u shokova kur mora një buqetë të mrekullueshme adresue për mue nga John.

Fort e nervozueme me zemër të thyeme telefonova luleshitësin tuj i thanë që duhet ti kishte prue gabim. Luleshitësi më ktheu përgjigje: ” Jo zonjë , nuk i kam prue gabim. Burri juej para se me vdekë ka pague për shumë vite dhe na ka kërkue me i garantu se këto buqeta do ti sillnim dhuratë, çdo ditë të Shën Valentinit’.

Me zemër në fyt mbylla telefonin dhe lexova pusullën.

Thoshte: ” Dashnija jeme për ty asht e përjetshme”./ KultPlus.com

‘Ishte e marrë, por unë e kam dashtë si i çmendun’

Nga Charles Bukowski

Përktheu Arjola Zadrima

” E ke dashtë, apo jo ?
Ai mori frymë thellë,
“Si me tu përgjigjë? Ajo ishte e çmendun”.
Kaloi dorën ndër flokë.
“Një Zot e di sa e çmendun ishte, çdo ditë ishte grue tjetër.
Herë ishte iniciatore e herë zvarritëse, 
herë jepej e tana e tjera herë ishte e turpshme.
E pasigurtë dhe e vendosun.
E amël dhe arrogante.
Ishte njëmijë gra , por parfumi i saj ishte gjithmonë i njëjti, i pangatërrueshëm.
Ajo ishte e vjetmja siguri e jemja,
më buzëqeshte, e dite që ma hidhte me atë buzëqeshje.
kur më buzëqeshte nuk kuptoja ma asgja.
Nuk dija as me folë as me mendu ma,
asgja, zero.
Papritë ishte veç ajo.
Ishte e çmendun krejt e çmendun.
Nganjiherë qante.
Thonë se në ato çaste gratë duen veç një përqafim.
Ajo, jo.
Ajo nervozohej.
Nuk e di ku gjindet tash, por vë bast që asht ende në kërkim të andrrave.
Ishte e marrë, krejt e marrë.
Por unë e kam dashtë 
si i çmendun./ KultPlus.com

A po t’bjen n’mend për mu ?

Arjola Zadrima

Me ndje mungesën e një përqafimi,
e mos me e kërku,
me ndje dëshirë me folë
e mos me bza,
me ndje nji ofshamë në gji,
e mos me kja,
më ndje nji mall prej larg,
pa mujtë me e shu ,

me ndje tue rrjedh nji plagë
pa gjakue,
më ndje kohën tue shku
e mos me ju vu mbas,
më ndje kaos
pa zhurmue,
më ndje stuhi,
ortek në shpirt e mos me u ndi,
me ndje nji kputje pa çilë sytë
e kurrë mos me u anku,
me ndje nji frikë të thellë
me të lanë pa frymu,
me ndje nji dashni të naltë
e mos me e kallzu,
me ndje,
me të ndje
me të dashtë e në gjys të natës
me u zgjue sa më të lshue za
veç pak.
Tash qi trishtimin e kam në prag
a po të bjen në mend për mue?/KultPlus.com

‘Jam mike e grave të dhunueme, jehona e atyne që s’jetojnë ma’

Poezi nga Arjola Zadrima

M’quejnë
Arjola Zadrima
U linda bijë
kjeshë grueja e një burri.
Jam nana e bijve të mi.
Jam GRUEJA që asht ngritë në kambë
mbas çdo rrëzimi,
jam kështjella e unit,
jam unike,
njeriu ma i bukur që njoh.

Jam mike e grave të dhunueme,
jehona e atyne që s’jetojnë ma.
Jam mishi i mavijosun i grave
zani i mrendshëm
rebelimi i mendimeve.

Jam një prej atyne që len gjurmë
në kohë
në shpirt
në plagë.

Jam grueja jote,
jam e dashtuna jote,
jam e mrekullueshmja jote
jam dielli jot,
jam fryma jote,
jam brinja jote,
jam zemra,
jam edhe zani jot
Burrë.

Ndaj kur më pytni si quhem
unë jam çdo gru që njoh
Grueja! / KultPlus.com