Shqiptarja e cila këndoi në 25-vjetorin e një gazete gjermane

Gazeta gjermane PrimaSonntag, festoi para dy ditësh 25-vjetorin e themelimit. Me këtë rast, u organizua një festë për shënimin e këtij jubileu ku në skenë janë ngjitur bende të njohura gjermane.

Në skenën e kësaj feste që u mbajt në qytetin e Aschaffenburgut, u ngjit edhe një shqiptare. Arta Selimi, e njohur për publikun nga X Factor Albania 2012-të, këndoi para audiencës gjermane dy këngë, atë “Rolling in the deep” dhe “Price tag”.

Arta, për KultPlus tregoi se ishte kënaqësi e madhe që pas disa vitesh të këndoi para një publiku e po ashtu kënaqësi se ai publik ishte nga Gjermania.

“Rastësisht jam takuar me organizatorin Holger, dhe atij i ka pëlqyer zëri im. Kështu më ka ftuar që të jem pjesë e kësaj feste. Kam qenë në prova dhe gjithçka ka qenë mahnitëse”, ka thënë ajo për KultPlus.

Në këtë link gjeni informata më të gjera rreth këtij organizimi./ KultPlus.com

Shfaqja ‘Pasioni’ vjen me premierën e saj në 19 mars

Teatri Kombëtar i Kosovës ka kënaqësinë të ju njoftojë lidhur me shfaqjen “PASIONI” nga Sabri Hamiti dhe me regji nga Martin Kočovcki e cila vjen si Premierë përpara publikut me datën 19.03.2018 (E hënë) ora 20:00, dhe do të përcjellet me dy reprizat e para në ditët në vijim me datë 20 dhe 21.03.2018.

Në vazhdën e aktiviteteve kulturore që po organizohen nga Komuniteti i Artistëve të Kosovës për ta ndihmuar financiarisht shërimin e njërit prej artistëve më eminent të kulturës sonë dhe të skenës teatrore në veçanti, regjisorit dhe profesorit z. Bekim Lumi, Këshilli Drejtues në bashkëpunim të ngushtë me Menaxhmentin e TKK-së kanë marrë vendim që të hollat e mbledhura nga shitja e biletave për Premierën “Pasioni” t’i dedikohen kësaj iniciative. Bileta për premierë do të kushtojë 5€. Teatri Kombëtar i Kosovës që nga sot i ka vënë biletat në shitje në dispozicion të publikut të gjerë andaj ju fton që të jeni pjesë e kësaj ngjarjeje kulturore duke e ndihmuar dhe duke i uruar bashkërisht z. Bekim Lumi rikthimin e tij të plotë në jetën normale dhe profesionale.

“Shfaqja “Pasioni” zhvillohet si një strukturë e ndërthurur dramaturgjike mes dy vëllezërve bijakë dhe një nëne, Hana, që mbledhin gjithë fuqinë jetësore duke u përpjekur për ta rikonstruktuar botën e dashurisë, botën e emocioneve të thella, raporteve të vlerave, refuzimin karshi vdekjes së paevitueshme nga njëra anë, dhe botës së dehumanizuar të shtrirë si shoqëri e uniformuar, masë amorfe në të cilën individët nuk kanë emra e as individualitet, një botë ku njerëzit janë shndërruar në numra përbrenda një jete virtuale, pa emocion, pa rrespekt, pa dashuri. Një bote në të cilën shitet gjithçka, një botë e kriminalizuar dhe e materializuar deri në çmenduri.”

Produksion i Teatrit Kombëtar të Kosovës
Autor: Sabri Hamiti
Regjisor: Martin Kočovski
Skenografe dhe Kostumografe: Youliana Voykova – Najman
Kompozitor: Oliver Josifovski
Dizajni i ndriçimit:
Kori i SH.M.M “Prenkë Jakova” – Prishtinë

Luajnë:
Shkelzen Veseli
Gresa Pallaska
Ard Islami
Arta Selimi
Shpejtim Kastrati
Ismet Azemi
Lumnie Sopi
Semira Latifi
Shengyl Ismaili