Studentët e UP-së organizojnë protestë kundër Asociacionit

Parlamenti studentor ka organizuar një protestë kundër themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, në kohën kur komuniteti ndërkombëtar ka rritur presionin ndaj Kosovës për respektimin e të gjitha marrëveshjeve të mëhershme të arritura në mes të Kosovës dhe të Serbisë. 

Parlamenti studentor ka caktuar datën 15 shkurt të këtij viti si datë të protestës, datë e cila shënon edhe përvjetorin e 53-të të themelimit të Universitetit të Prishtinës.

“Më 15 shkurt të këtij viti shënojmë 53 vjetorin e themelimit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, universitet ky që përgjatë historikut gjysëm shekullor, përveçse tempull i dijes, ka shërbyer edhe si vend i rezistencës. Historia e Universitetit pashmangshëm është e lidhur ngushtë me historinë e vendit tonë. Kujtojmë këtu rolin kyç të pararendësve tanë në protestat e viteve 1968, 1981 e 1997 që kulmuan me çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës. Rreth 24 vite pas përfundimit të luftës së fundit e 15 vite pas shpalljes së pavarësisë, Kosovës sërish po i cenohet sovraniteti e integriteti territorial i saj”, shkruan në njoftimin për protestë. 

Vendtakimi për protestën është tek Biblioteka Kombëtare në orën 16:00. 

Ky është njoftimi i plotë: 

Më 15 shkurt të këtij viti shënojmë 53 vjetorin e themelimit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, universitet ky që përgjatë historikut gjysëm shekullor, përveçse tempull i dijes, ka shërbyer edhe si vend i rezistencës.

Historia e Universitetit pashmangshëm është e lidhur ngushtë me historinë e vendit tonë. Kujtojmë këtu rolin kyç të pararendësve tanë në protestat e viteve 1968, 1981 e 1997 që kulmuan me çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës. Rreth 24 vite pas përfundimit të luftës së fundit e 15 vite pas shpalljes së pavarësisë, Kosovës sërish po i cenohet sovraniteti e integriteti territorial i saj.Ndonëse në rrethana krejtësisht të ndryshme, përsëri është i domosdoshëm mobilizimi e organizimi studentor për të kundërshtuar një të keqe që po provohet të instalohet brenda shtetit tonë.

Asociacioni një etnik është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës sonë. Kështu sepse asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk do të thotë më shumë të drejta për komunitetin serb, por më shumë ndikim të Serbisë mbi territorin e Kosovës.

Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë për të cilin ende nuk ka kërkuar falje. E kaluara në vendet e rajonit na ka dëshmuar që asociacioni do të thotë autonomi e cila më pas ka shpier në luftë.

Në vend se të flasim lidhur me marrëveshjen e cila parasheh njohjen reciproke të diplomave universitare në mes Kosovës dhe Serbisë, sot flitet vetëm për asociacionin një etnik që cenon stabilitetin dhe paqen e shtetit tonë.

Prandaj të mërkurën e 15 shkurtit, përveçse kremtojmë përvjetorin e themelimit të Universitetit të Prishtinës, MARSHOJMË BASHKË KUNDËR ASOCIACIONIT.Me këtë rast Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës fton të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, pavarësisht bindjeve politike, që të na bashkohen në marshin kundër asociacionit një etnik.

DATA: 15.02.2023
VENDTAKIMI: Biblioteka Kombëtare
ORA: 16:00 / KultPlus.com

Ag Apolloni: Ta kundërshtosh Asociacionin domethënë t’ia njohësh meritën Amerikës për çlirimin e plotë e përfundimtar të Kosovës

Shkruan: Ag Apolloni

Thonë se nëse nuk do ta pranojmë Asociacionin, do të ketë kthim mbrapa në raport me Perëndimin. Ndoshta duhet të kthehemi pak mbrapa, meqë s’i kemi çelë sytë kur kemi ecë përpara. Ma mirë me ecë pak mbrapa e me u kthy kah e mbara, se me ecë para drejt humnerës.

Nëse ecim qysh kemi ecë, jo në Evropë, po as në Prevallë s’kemi me mujtë me shkue, o vëllezër që iu keni hypë skijave! Së paku, jo kah Shtërpca.

E ju që keni luftu, qysh po mundeni me e përkrahë Asociacionin? Keni luftu, se nuk keni mujtë me duru kontrollin serb, e sot po lypni me ua dhanë serbëve një pjesë të Kosovës nën kontroll. Turp!

Asociacioni duhet të kundërshtohet. Jo me ia ba qejfin Kurtit, as me bâ nervoz Escobar-in, por me mbrojtë territorin e Kosovës.

U dashka me pranu Asociacionin për me na njoftë Serbia?! Serbia na njeh dhe na e njohim mirë. S’po na duhet njohja zyrtare e saj, përderisa ende s’ka kërku falje për gjenocidin që ka bâ në Kosovë.

Nëse formohet Asociacioni, atëherë Amerika s’do të mund të krenohet që na ka çlirue. Ta kundërshtosh Asociacionin domethënë t’ia njohësh meritën Amerikës për çlirimin e plotë e përfundimtar të Kosovës.

E kuptoj që Amerika është kritiku vazhdimisht, pa të drejtë, për intervenimin e saj në Kosovë, e kritikohet edhe tash, po pa të drejtë, se s’po e detyron Kosovën me pranu formimin zinxhiror serb të komunave me shumicë të pakicës serbe, mirëpo si superfuqi që është ajo mund ta tejkalojë edhe këtë presion evropian dhe t’i ofrojë mbështetje të plotë Kosovës të cilën e ka çliru vetë.

Përndryshe, na e dimë që Amerika mund të na detyrojë ta pranojmë Asociacionin, por kjo është njësoj si, pasi t’i kesh largu kriminelët nga fusha e luftës, të vendosësh mina në atë fushë dhe t’u thuash shqiptarëve: tash ecni lirisht se s’ka kriminelë! Asociacioni është tanësia e minave në Kosovë.

Asociacioni është problem mbipartiak. Nuk rrezikon partinë, po shtetin. Presioni për krijimin e tij duhet t’i shqetësojë të gjithë shqiptarët.

P. S.

Nëse flasim për dashni, unë e dua Amerikën ma shumë se Escobar-i. Por nëse flasim për drejtësi, çlirimtarët tanë amerikanë s’duhet të na bëjnë trysni. / KultPlus.com