”Wounded art” kujton shpërthimin më të madh jobërthamor në Bejrut

Ekspozita ”Wounded art” është hapur në Bejrut deri në fund të javës për të kujtuar shkatërrimin e shkaktuar nga shpërthimi i dyfishtë i portit të Bejrutit, më 4 gusht të vitit të kaluar.

Në atë që është përshkruar si një nga shpërthimet më të fuqishme jobërthamore në histori, 200 persona vdiqën, mbi 6 000 u plagosën dhe një e treta e shtëpive të kryeqytetit u dëmtua duke detyruar rreth 300 000 njerëz të largoheshin shtëpitë e tyre përkohësisht ose përgjithmonë.

Punimet e ekspozuara përfshijnë piktura nga artisti britanik Tom Young, i cili u transferua në Bejrut vite më parë, ku studioja dhe shtëpia e të cilit u dëmtuan nga shpërthimi.

Pikturat e tij të ekspozuara deri më 16 janar do të shfaqen të dëmtuara, por të riparuara.

Në ekspozitë ndodhet edhe skulptura metalike e Nayla Romanos Illiya, e dëmtuar nga shpërthimi./atsh/ KultPlus.com

Më shumë se një muaj nga shpërthimi në Bejrut, ende raportohet për të zhdukur

Ushtria e Libanit sot deklaroi se 9 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur pas shpërthimit të muajit të kaluar në Portin e Bejrutit.

Ushtria përmes një deklarate tha se dy shtetas sirianë ishin midis personave të zhdukur pas shpërthimit në port.

“Kjo skedë nuk do të mbyllet për sa kohë vazhdojnë hetimet”, thuhet në deklaratë.

Më 4 gusht, një shpërthim i madh në Portin e Bejrutit tronditi qytetin, duke vrarë 192 persona dhe duke plagosur mbi 6.000 të tjerë.

Shpërthimi shkaktoi dëme që sipas vlerësimeve arrijnë në 15 miliardë dollarë.

Shpërthimi ndodhi derisa Libani po përjetonte krizën më të keqe ekonomike, përfshirë një rënie dramatike të vlerës së paundit ndaj dollarit./ KultPlus.com

Veniten shpresat për të gjetur të mbijetuar të tjerë në rrënojat e Bejrutit

Janë duke u venitur shpresat në Bejrut për gjetjen e ndonjë personi tjetër të mbijetuar nën rrënojat e ndërtesave të shembura nga shpërthimi masiv i muajit të kaluar.

Punëtorët e ekipeve të kërkim-shpëtimit filluan të kërkojnë në rrënoja pasi një pajisje me sensor dha sinjal për shenja të mundshme të personave të gjallë, shkruan BBC, transmeton KultPlus.

Megjithatë, punëtorët kilianë e përfunduan ditën e dytë të kërkimeve pa asnjë rezultat.

Bejruti mbajti një minutë heshtje të premten për ta shënuar njëmujorin e shpërthimit, ku mbetën të vrarë rreth 200 persona.

Mijëra persona të tjerë u lënduan nga shpërthimi që u shkaktua prej 2,750 tonëve të nitratit të amonit, që është lëndë shpërthyese.

Pavarësisht se qeveria libaneze dha dorëheqje disa ditë pas shpërthimit, protestuesit nuk u qetësuan dhe u përplasën me policinë për disa net me radhë.

Sipas zyrtarëve libanezë, një muaj pas shpërthimit, shtatë persona ende mbeten të zhdukur. / KultPlus.com

Një jetë e ndalur në gjysmë: Infermieres që në vend të dasmës i organizuan funeralin

Infermierja 24 vjeçare Sarah Fares, po planifikonte dasmën e saj, por në vend që të vishte fustanin e bardhë, familja i organizuan funeralin, pasi që ajo vdiq në shpërthimin e madh të së martës në Bejrut.

Këtë të enjte i fejuari dhe familja e Sahras ia dhanë asaj dasmën, që s’do të mund ta ketë kurrë. Dasma u organizua ashtu siç e kërkon tradita libaneze, por këtë herë nusja ishte brenda arkivolit. Muzikantët në rrobat e arta ceremoniale luanin, ndërsa zjarrfikësit mbanin në supe një arkivol gjersa anëtarët e familjes hodhën petale trëndafili dhe oriz, shkruan New York Times, transmeton KultPlus.

I fejuari i saj, Gilbert Karaan, u bart mbi supet e një të afërmi, gjersa përshëndeti të fejuarën e tij me lot.

“Gjithçka që dëshirove do të bëhet, por vetëm ti nuk do të jesh e veshur me fustanin e bardhë. Më ke thyer zemrën, dashuria ime. Jeta nuk ka kuptim që kur ke ikur”, ka shkruar Karaan në mediat sociale para ceremonisë.

Fares, infermierja 24-vjeçare, ishte një prej të paktën 145 personave të vrarë të martën nga shpërthimi masiv që rrafshoi pjesën më të madhe të Portit të Bejrutit, shkatërroi lagje të tëra, plagosi më shumë se 5,000 njerëz dhe la qindra mijëra të pastrehë.

Sahar e thirri të martën të fejuarin e saj për t’i treguar rreth zjarrit të madh që shpërtheu në portin detar. Meqenëse askush nuk kishte nevojë për ndihmë mjekësore në atë kohë, ajo ishte ulur në kamionin duke parë kolegët që po luftonin me zjarrin. Ndërsa zjarri u rrit, ajo doli nga kamioni për t’i treguar më mirë të fejuarit se çfarë po ndodhte. Ajo i tha se dëgjonte tinguj të çuditshëm që nuk i kishte dëgjuar kurrë më parë. I fejuari iu lut që të qëndronte larg, gjë që ajo e bëri, por ishte shumë vonë. Një shpërthim i madh pasoi.

 “Nusja ime e bukur. Dasma jonë duhej të mbahej më 6 qershor 2021”, shkroi ai të mërkurën në internet, shoqëruar me një foto ku ajo pozonte me krenari në uniformën e saj. Përkundrazi, do të jetë ‘nesër, dashuria ime’. Të kam dashur, të dua dhe do të të dua gjithmonë, derisa të ribashkohem me ty, ku ne do të vazhdojmë udhëtimin tonë së bashku.”

Një muajt para se të vdiste, Sahra Fares ishte duke kursyer për të përgatitur shtëpinë e saj, për dasmë dhe për të blerë veshjen e saj të dasmës, por shpërthimi i madh i së martës i morri asaj jetën, e shumë libanezë i la në rrënojat e shtëpisë. / KultPlus.com

Heronjtë e vërtetë të Bejrutit: Ekipi i zjarrfikësve kishin mbërritur në depo pak momente para shpërthimit, të gjithë humbën jetën

Në rrjetet sociale janë shfaqur fotografi që tregojnë momentet e fundit të zjarrfikësve, që tentojnë të parandalojnë përhapjen e mëtejme të zjarrit në depon e 12-të në portin e Bejrutit, vetëm pak momente para shpërthimit të kimikaleve.

Fotografitë, autenticitetin e të cilave e ka konfirmuar Daily Mail, shfaqin zjarrfikësit para dyerve masive të metalit të një depoje me mbishkrim “hyrja nr 12” ku paralajmërohen për kimik*alet, transmeton Telegrafi. Guvernatori i Bejrutit ka bërë të ditur se ekipi i zjarr*fikësve që ishin në port janë zhdukur pas shpërthimit. E personi që i ka fotografuar zjarrfikësit gjithashtu ka vdekur, e imazhet janë gjetur në telefonin e viktimës. Fotografitë janë shpërndarë në masë të madhe në profile të ndryshme në Twitter, kurse përdoruesit e rrjeteve sociale kanë nderuar zjarrfikësit e zhdukur. / KultPlus.com

Banorët e zemëruar të Bejrutit kërkojnë përgjigje për shpërthimin e madh të së martës

Banorët e Bejrutit kanë shprehur zemërimin e tyre kundrejt qeverisë për neglizhencën e tyre që edhe dërgoi në shpërthimin e madh të së martës.

Presidenti Michel Aoun tha që shpërthimi ishte shkaktuar nga 2.750 ton nitrat amoniumi të ruajtur në mënyrë të pasigurt në një depo, shkruan BBC, transmeton KultPlus.

Kanë qenë të shumta akuzat për korrupsion, neglizhencë dhe keqmenaxhim, në drejtim të autoriteteve vendase.

Gjendja e jashtëzakonshme dy javore në Bejrut ka filluar, pas shpërthimit që vrau të paktën 137 njerëz dhe plagosi rreth 5,000 të tjerë, ndërsa dhjetëra janë ende të humbur.

“Bejruti po qan, Bejruti po ulërin, njerëzit janë histerikë dhe të lodhur”, tha regjisori Jude Chehab, duke bërë thirrje që personat përgjegjës të përballen me drejtësinë.

Chadia Elmeouchi Noun, një banor i Bejrutit i cili aktualisht gjendej në spital është prononcuar për BBC-në.

“Unë e kam ditur gjatë gjithë kohës që udhëhiqemi nga njerëz të paaftë, qeveri jo kompetente […] Por ajo se çka mund të them tani është se ndodhitë e fundit janë akt kriminal.”

Qeveria e Libanit të mërkurën ka njoftuar se një numër i madh i zyrtarëve të portit të Bejrutit gjenden në arrest shtëpiak, në pritje të një hetimit mbi shpërthimin e së martës.

Këshilli i Lartë i Mbrojtjes  në vend këmbëngul që ata të cilët janë përgjegjës për këtë katastrofë të përballen me “dënimin maksimal”.

Ndërkohë, Amnesty International dhe Human Rights Watch kanë bërë thirrje për një hetim të pavarur për shpërthimin. Në një deklaratë, HRw tha se kishte “shqetësime serioze në lidhje me aftësinë e gjyqësorit libanez për të kryer një hetim të besueshëm dhe transparent.” / KultPlus.com