Përmbytje të mëdha në Bosnjë, qindra shtëpi nën ujë

Qindra ndërtesa janë përmbytur ditët e fundit pasi disa lumenj kanë dalë nga shtrati duke vërshuar në verilindje të Bosnjës dhe shqetësimet janë rritur.

Situata më e rëndë është në komunën e Çeliqit, ku janë përmbytur rreth 200 shtëpi dhe objekte të tjera. Reshjet e dendura çuan në vërshimin e lumit Shibošnica dhe rrjedhave të tjera ujore që e kthyen qendrën e qytetit në një liqen, shkruajnë mediat boshnjake.

U shpall gjendje e jashtëzakonshme

Disa ndërtesa fermash janë shembur dhe disa automjete janë përfshirë nga përmbytjet. Autoritetet atje kanë shpallur gjendjen e fatkeqësisë natyrore.

Reshjet e dendura të shiut dhe përrenjtë kanë shkaktuar dëme të mëdha edhe në komunën e Srebrenikut, ku janë përmbytur një numër i madh ndërtesash. Në Zvornik në lindje të Bosnjës, sipërfaqe të mëdha bujqësore u përmbytën, njoftuan autoritetet lokale.

Mmeteorologët kanë paralajmëruar reshje të reja të dendura në zonën e Bosnjës verilindore. / KultPlus.com

Ekspozita ”War Child Museum” qëndron e hapur deri më 30 prill

Bëhet një javë që kur është hapur ekspozita ”War Child Museum” , ku ekspozohen përjetimet e fëmijëve në luftë.

Kjo ekspozitë që bazën e ka në Bosnjë, për herë të parë ka ardhur në Prishtinë në Galerinë Kombëtare të Kosovës dhe do të qëndrojë e hapur deri më 30 prill.

Është një shembull i rrallë i muzealizimit të vuajtjeve të fëmijëve në rrethana të luftës. Aty prezentohen përvojat personale, provat, objektet që dëshmojnë jetën e fëmijëve në rrethana luftë në Kosovë, Kroaci, Serbi, Ukrainë, Siri, Afganistan dhe Palestinë.

Ekspozita është vizituar nga studentët e Departamentit të Sociologjisë dhe Historisë të cilët patën mundësinë të mësojnë rreth këndvështrimeve të fëmijëve për luftën, siç tregohet përmes sendeve të tyre personale dhe historive të regjistruara gojore. / KultPlus.com

Paralajmërimi i zyrtarit europian: Nëse Bosnja shpërbëhet, pasojat do të ndihen në të gjithë rajonin

Nëse Bosnjë-Hercegovina shpërbëhet, pasojat do të ndihen në të gjithë rajonin. Kështu ka paralajmëruar për Reuters, përfaqësuesi i lartë europian në Bosnjë-Hercegovinë, Christian Schmidt.

“Nëse vendi ndahet, diçka që për momentin nuk është e afërt dhe nuk e synon asnjë shtet, Bashkimi Europian dhe Serbia do të duhet të rikalibrojnë busullat e tyre politike.

Për mua, është në interesin e vetë Serbisë që Bosnjë-Hercegovina të ketë stabilitet. Trazirat në këtë rajon do të ndikojnë edhe në marrëdhënien e vështirë mes Serbisë dhe Kosovës në një mënyrë të njëjtë ose të ngjashme”, tha Schmidt, raporton A2news.

Komentet e të dërguarit europian u bënë pas paralajmërimit të liderit serb të Bosnjës, Milorad Dodik, për krijimin e një ushtrie të serbëve të Bosnjës brenda federatës. “Nëse kjo është e vërtetë atë herë komuniteti ndërkombëtar do të duhet të rimendojë seriozisht opsionet e veta”, tha Schmidt.

Shpërbërja e shtetit të krijuar pas rënies së Jugosllavisë nuk po ndodh tani, shtoi i dërguari europian, por paralajmëroi se nëse vijohet me degradimin e marrëveshjes së Dejtonit, “ka shumë gjasa që vendi të ndahet”. / KultPlus.com

Ndalohet dhe ndëshkohet mohimi i gjenocidit në Bosnje

Përfaqësuesi i lartë i komunitetit ndërkombëtar në Bosnje e Hercegovinë, Valentin Inzko, duke i përdorur kompetencat e Bonit, vendosi ndryshime në Kodin Penal të këtij shteti, me të cilat ndalohet dhe dënohet mohimi i gjenocidit dhe madhërimi i kriminelëve të luftës.

Kompetencat e Bonit i japin atij të drejtë për të shtyrë përpara vendime, për të cilat, akterët e tjerë politikë nuk shfaqin vullnet për një gjë të tillë. Inzko e mori këtë vendim, disa ditë para përfundimit të mandatit të tij në Bosnje.

Ky vendim parashikon burgim nga tre muaj deri në tre vjet, për të gjithë ata persona që publikisht nxisin dhunë ose urrejtje ndaj një grupi personash ose ndaj një anëtari të një grupi racor, fetar apo që ka kombësi e origjinë tjetër etnike.

“Së pari, theksoj se pajtimi nuk mund të ndodhë pa njohjen e krimeve dhe pa përgjegjësi. Gjuha e urrejtjes, madhërimi i kriminelëve të luftës dhe revizionizmi, pra mohimi i hapur i gjenocidit dhe krimeve të luftës, parandalojnë shoqëritë nga përballja me të kaluarën e tyre kolektive, përfaqësojnë poshtërim të përsëritur të viktimave dhe të dashurve të tyre, dhe në të njëjtën kohë, zgjasin padrejtësinë dhe rrezikojnë marrëdhëniet paqësore shoqërore”, tha Inzko përmes një letre, ku ka arsyetuar vendimin e tij.

Ndërkaq, dënim deri në gjashtë muaj deri në pesë vjet, do t’iu shqiptohet të gjithë personave që publikisht mohojnë, minimizojnë apo përpiqen të justifikojnë një krim të gjenocidit, krimet kundër njerëzimit apo krimet e luftës, thuhet në vendim.

“Nëse vepra është kryer në atë mënyrë që do të mund të prishë rendin publik ose është kërcënuese, abuzive dhe ofenduese, kryesi do të dënohet me burgim në një afat jo më pak se tre vjet”, thuhet më tej në vendim.

Vendimi, sipas Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë (OHR), përcakton që kushdo që jep mirënjohje, çmim ose ndonjë privilegj të ngjashëm për një person të dënuar për gjenocid apo për ndonjë krim lufte, ky akt do të dënohet të paktën me tri vjet burgim.

Kjo vlen edhe nëse emërtohet një objekt publik siç është rruga, sheshi, parku, ura, institucioni,komuna ose qyteti, vendbanimi, me një emër të një personi të dënuar për gjenocid, një krim kundër njerëzimit ose krim lufte ose në ndonjë mënyrë tjetër madhëron një person të dënuar me gjykim të formës së prerë për këto vepra penale.

“Njëzet e pesë vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së paqes të Dejtonit, Bosnja është ende një shoqëri e copëtuar që po lufton ende me trashëgiminë e së kaluarës. Gjuha e urrejtjes, madhërimi i kriminelëve të luftës dhe revizionizmi, pra mohimi i hapur i gjenocidit dhe krimeve të luftës, janë dukuri të shpeshta në ligjërimin politik, pavarësisht vendimeve të institucioneve gjyqësore ndërkombëtare “, deklaroi ndër të tjera Inzko.

Ky ligj do të hyjë në fuqi tetë ditë pas botimit në faqen zyrtare të internetit të Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë ose një ditë pas botimit në “Gazetën Zyrtare të Bosnjë dhe Hercegovinës”, cilado që ndodh më shpejt. Ndërkaq, vendimi i Inzkos hyn menjëherë në fuqi.

Dodik: Republika Srpska duhet të fillojë procesin e shpërbërjes

Pas njoftimit të vendimit të Përfaqësuesit të Lartë, Milorad Dodik, anëtar i Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, në një konferencë për media të premten tha se Valentin Inzko nuk ka të drejtë të imponojë një ligj që ndalon mohimin e gjenocidit, duke shtuar se ky vendim është “i pabazuar”.

“Republika Srpska e hedh poshtë këtë vendim. Gjenocidi nuk ndodhi në Srebrenicë. Serbët nuk duhet ta pranojnë këtë vendim, kjo është një gozhdë në arkivolin e Bosnje e Hercegovinës. Pas kësaj, Bosnja e Hercegovina nuk mund të funksionojë. Ne do të thërrasim një seancë të Asamblesë së Republika Srpska këtë javë”, tha Dodik.

“Republika Srpska duhet të fillojë procesin e shpërbërjes, nuk ka dialog në Bosnje e Hercegovinë”, shtoi ai. / Express / KultPlus.com

Bosnjë dhe Hercegovinë, i mbijetuari i luftës “varrosi shtëpinë” e shkatërruar nga serbët

Sherif Veliç, i cili varrosi shtëpinë e tij të shkatërruar nga serbët gjatë luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë në vitet 1990, njëlloj sikurse varrimi i njerëzve, ka shkruar në gurin e varrit “Dashuria e ndërtoi, urrejtja e shkatërroi”.
Para luftës në Bosnjë, Sherif Veliç, babai i tre fëmijëve që punonte si mjeshtër metali në Gjermani, ndërtoi një shtëpi për vete në fshatin Kevljani të Prijedorit me paratë që i kurseu jashtë vendit.

Në Prijedor, ku u kryen masakra të mëdha dhe krime të ndryshme lufte kundër boshnjakëve muslimanë në vitin 1992, kur filloi lufta, mijëra boshnjakë u detyruan të braktisnin atdheun e tyre, ndërsa shtëpitë e tyre u uzurpuan ose u shkatërruan.

Shtëpia që Sherif Veliç, e ndërtuar me vështirësi të ndryshme jashtë vendit, u dogj dhe u shkatërrua nga serbët në rajon.

Veliç, i cili vendosi të kthehej në fshatin e tij me familjen pas luftës, vendosi ta varroste atë si një varrim njerëzor kur pa rrënojat e shtëpisë e tij.

Ndërtoi gur varri për shtëpinë e varrosur

Duke folur për Anadolu Agency (AA), Veliç kujton se me fillimin e luftës në Bosnjë, ai la punën e tij në Gjermani dhe iu bashkua ushtrisë vullnetarisht, ndërsa në atë kohë serbët filluan t’i dëbojnë civilët boshnjakë në rajon.

Duke treguar se meshkujt e kapur dërgoheshin në kampe përqendrimi, Veliç tha, “Edhe unë isha viktimë e një torture të rëndë në kampin e përqendrimit. Disa muaj më vonë, dola nga kampi falë shkëmbimit të të burgosurve. Pastaj u strehova me familjen time në Suedi”, rrëfen Veliç.

Veliç thotë se ai u kthye në fshatin e tij për herë të parë pas luftës në vitin 2001.

“Kur u kthyem në fshat, gjetëm një gërmadhë ku ishte shtëpia jonë. Gjithçka ishte humbur në bar. Atë ditë, vendosa të kursej para dhe ta varros shtëpinë time nën tokë ashtu si njerëzit që vdesin”, u shpreh ai.

Veliç vuri në dukje se ai e “varrosi shtëpinë e tij” dhjetë vjet më parë, duke thënë: “Së pari, ne transferuam rrënojat në një fushë. Pastaj sollëm një eskavator dhe hapëm një vrimë të thellë prej 4,5 metrash. Varrosëm gjithçka atje. Hodhëm nëntë kamionë dhe mbi të”.

Ai thotë se kishte fituar çdo qindarkë që investoi në shtëpinë e tij në mënyrë hallall.

“Kjo shtëpi ishte shumë e rëndësishme për mua. U ndjeva sikur të kisha humbur djalin tim. Çdo qindarkë që investova në të ishte hallall, por atyre njerëzve me zemër të keqe nuk u interesonte dhe e dogjën dhe shkatërruan”, shprehet Veliç.

Veliç ngriti gjithashtu një gur varri mbi “varrin e shtëpisë” në të cilën shkruan: “Në këtë varr pushon shtëpia ime. U ndërtua në vitin 1974, u shkatërrua në vitin 1992. Dashuria e ndërtoi, urrejtja e shkatërroi”./ KultPlus.com