ORCA dorëzon ankesë, kërkon përjashtimin nga Universiteti të profesorëve Bujar Dugolli dhe Ardian Kastrati

Sot ORCA ka dorëzuar ankesën për Senatin e Universitetit të Prishtinës (si shkalla e parë ankimuese) mbi vendimin e Këshillit të Etikës (të datës 16.06.2022) për plagjiaturën e profesorëve Bujar Dugolli dhe Ardian Kastrati.

ORCA kërkon që dy profesorëve të ju hiqet titulli akademik, sipas tyre i fituar përmes plagjiaturës, si dhe të përjashtohen nga universiteti.

KultPlus ju sjell reagimin e ORCA-s:

Vendimi i Këshillit të Etikës thotë që dy profesorët kanë bërë shkelje të rëndë të të drejtës së autorit dhe etikës në publikimet shkencore, si dhe kanë shkelur standardet e ndershmërisë intelektuale. Për këto shkelje të rënda, Këshilli i Etikës ka propozuar masa qesharake.

Dy profesorëve i është dhënë vendimi që: artikulli i plagjiarizuar nuk konsiderohet më punim i botuar nga autori dhe nuk mund të shfrytëzohet për avancim akademik. E për profesor Dugollin kanë vendosur që t’i ndalohet mentorimi i temave të diplomës në nivelet master dhe doktoratë për 2 vite, e profesor Kastratit t’i ndalohet mentorimi në të gjitha nivelet e studimit për tre vite.

Vendimi ia ndalon profesorëve shfrytëzimin e punimit (tashmë plagjiat) për avancim akademik. Kjo masë është nul dhe si e tillë nuk mund të konsumohet. Profesorët tashmë e kanë shfrytëzuar këtë punim për avancim akademik, dhe për më tepër profesor Dugolli veçse e ka titullin më të lartë akademik dhe kontratën e përjetshme me universitetin.

Vendimi po ashtu referohet mbi Rregulloren për Masat dhe Procedurat Disiplinore ndaj Personelit Akademik, ku thuhet që mund të merret masa “mohim i përfshirjes në mentorim të të gjitha niveleve për një (1) vit vijues” pasi që shkelja është kategorizuar si e rëndë.

Vendimi i marrë nga Këshilli i Etikës është i pabazuar, ngase masa specifikon elementin e mohimit të përfshirjes në të gjitha nivelet: “për një (1) vit”. Vendimi specifikon “mohimin e përfshirjes në mentorim në të gjitha nivelet” dhe si kohështrirje “tre vite”. Këshilli i Etikës duke mos pasur mundësi t’i ikte kategorizimit si shkelje e rëndë , ka vendosur të caktojë masën më të lehtë të mundshme nga ky kategorizim, por gjoja duke e “përforcuar” masën e dhënë duke e zgjatur kohën e masës ndëshkimore pa bazë juridike.

Vendimi për mos mentorimin e temave të diplomës për kohë të caktuar nuk është proporcional, si rrjedhojë nuk preventon përsëritjen e veprimit nga anëtarë të tjerë të stafit akademik, përkundrazi është ftesë masive për plagjiaturë. Sipas parimit të përfitimit më të madh secili anëtar i stafit akademik në universitete publike do ta “sakrifikonte” mentorimin e diplomave për tre vite në këmbim të një titulli më të lartë akademik të fituar përmes plagjiaturës.

Plagjiatura është shkelja më e rëndë akademike. Në të gjitha vendet e botës dhe institucionet kredibile të tyre, plagjiatura përbën fundin e tolerancës disiplinore. Raste të ndryshme në botë, sidomos në vendet e BE-së, të njerëzve me pushtet si ministra a zyrtarë të tjerë të lartë shtetëror, kanë përfunduar me largimin e tyre nga jeta publike dhe heqjen e titujve e gradave shkencore të përfituara nga plagjiatura.

Prof. Ass. Ardian Kastrati veçse është dënuar me datën 07.06.2021 nga Këshilli i Etikës, me rastin e ofendimit publik të Presidentes të Republikës, Vjosa Osmani. Këshilli i Etikës mes tre masave të vendosura ka përfshirë edhe: mohimin e përfshirjes në mentorim në të gjitha nivelet për dy vite.

Kjo i bjen që Këshilli i Etikës është i bindur që mohimi i përfshirjes në mentorim është masë e lehtë ndëshkimore dhe si rrjedhojë ORCA konkludon që masa e shqiptuar në rastin e plagjiaturës, që konsiderohet shkelja më e rëndë akademike, është joproporcionale me shkeljen e konstatuar.

ORCA kërkon që konform me rregulloren për masa disiplinore në UP, Senati i Universitetit të Prishtinës të marr masën disiplinore “ndërprerje e marrëdhënies së punës”, dhe në të kundërtën minimalisht duhet të ja u tërheqin titujt akademikë të marrë përmes plagjiaturës konform me masën “ulje në thirrje akademike”. / KultPlus.com

Pasi u shpall plagjiator, reagon Bujar Dugolli

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim, ORCA, sot ka njoftuar se Këshilli i Etikës në Universitetin e Prishtinës ka konstatuar se “punimi i paraqitur nga profesorët Dugolli dhe Kastrati ka përmbajtje të theksuar të plagjiaturës dhe si rrjedhojë i ka shkelur të gjitha standardet e ndershmërisë akademike dhe kredibilitetit në publikime shkencore”.

Pas kësaj, ka reaguar profesori universitar, Bujar Dugolli. Ai në një postim në Facebook ka shkruar se ORCA po e vazhdon fushatën e orkestruar për ta penguar në zhvillimin akademik dhe profesional.

Ky është reagimi i plotë i Dugollit:

Fushata e orkestruar e ORCA-s dhe mbështesve të saj, po vazhdon!

Qe një vit, Organizata ‘’ORCA’’, e inicuar, siç thotë ajo nga një e-mail anonim, po vazhdon fushatën e orkestruar, mbase të mbështetur edhe nga struktura të tjera, për të më penguar mua në zhvillimin akademik dhe profesional dhe për t’i realizuar interesat e tyre me qëllim të kapjes së Universitetit, për të ndalur mendimin ndryshe, në organet vendimmarrëse të UP-së dhe me qëllim të realizimit të interesave të tyre biznesore.

Përmes këtij reagimi dua të kundërshtojë vendimin e Këshillit të Etikës, të datës 16.06.2022, si vendim joprofesional, arbitrar, të ndikuar nga ‘’ORCA’’ dhe Rektori i UP-së, të cilët për të realizuar interesat e tyre, për të mbajtur në kontrollë UP-në, po vazhdojnë këtë fushatë, tash e një vit, duke shmangur fokusin nga zhvillimet e dëmshme për universitetin, nga aspekti menaxherial, deri të keqpërdorimet e rënda të detyrës dhe buxhetit të UP-së.

Këshilli i Etikës, me atë vendim, pa marrë në konsideratë shkresat e mia dhe provat e ofruara nga platforma tjetër e detektimit të plagjiaturës dhe pa marrë në konsideratë asnjë mendim profesional, vjen në përfundime të cilat i kënaqin egot e denoncuesve dhe mbështetësve të kësaj kampanje të orkestruar.

Për mua, ky vendim është i pa pranueshëm dhe joprofesional!

Unë do t’i ndjekë të gjitha proceduat e apelimit, ndërsa e konfirmoj se nuk do të ndalem në promovimin dhe mbrojtjen e Universitetit të Prishtinës, siç e kam bërë gjithmonë, tash e 26 vite.

B.D. / KultPlus.com

Këshilli i Etikës i dënon Bujar Dugollin dhe Ardian Kastratin për plagjiaturë

Nesër bëhen 1 vit nga denoncimi i parë publik i ORCA-s për plagjiaturat e dy profesorëve të Fakultetit Filozofik, Bujar Dugollit dhe Ardian Kastratit. Të dy profesorët e kanë shfrytëzuar punimin me përmbajtje të plagjiaturës duke vjedhur nga burime të ndryshme dhe përmes kësaj vjedhjeje janë ngritur në pozita më të larta akademike, përcjellë KultPlus.

KultPlus ju sjell njoftimin e plotë nga ORCA:

Më 1 tetor 2021, ORCA kishte dorëzuar në Këshillin e Etikës të Universitetit të Prishtinës prova përfundimtare mbi plagjiaturën e dy profesorëve, pas 6 muajsh Këshilli i Etikës më 10 mars 2022 i ka kthyer ORCA-s një përgjigje zyrtare duke thënë se ata kanë vendosur që çështjen e referuar për pretendimet e plagjiaturës ta administrojnë përmes ekspertizës profesionale.

Pas kësaj përgjigje skandaloze të Këshillit të Etikës, ORCA kishte ndërmarr një hap tjetër duke vënë kontaktet e para me revistën botuese të punimit duke ia bashkangjitur të gjitha provat dhe dëshmitë e plagjiaturës, sikurse e kishte bërë në tetor të vitit 2021 me Këshillin e Etikës.

Më 25 mars 2022, revista i është përgjigjur ORCA-s duke konstatuar dhe verifikuar plagjiaturën e punimit të profesorëve Dugolli dhe Kastrati. Në përgjigjën zyrtare të pranuar nga ta thuhet se punimi do të hiqet menjëherë nga revista dhe se politikat e revistës nuk e lejojnë plagjiaturën në asnjë formë. Rrjedhimisht, pas disa ditësh punimi është hequr nga revista, duke faktuar përtej çdo dyshimi që punimi i profesorëve përmban plagjiaturë.

Me të marr këtë përgjigje nga revista, ORCA i është drejtuar edhe njëherë Këshilli të Etikës duke paraqitur prova shtesë për plagjiaturën, me ç’rast e ka plotësuar denoncimin fillesat të datës 1 tetor 2021.

Me 6 qershor 2022, Këshilli i Etikës i ka kthyer përgjigje ORCA-s duke konstatuar përfundimisht se punimi i paraqitur nga profesorët Dugolli dhe Kastrati ka përmbajtje të theksuar të plagjiaturës dhe si rrjedhojë i ka shkelur të gjitha standardet e ndershmërisë akademike dhe kredibilitetit në publikime shkencore. Por, pavarësisht konfirmimit të plagjiaturës, Këshilli i Etikës edhe pse i ka cilësuar si shkelje të rënda veprimet e profesorëve, ka marrë masa qesharake ndaj tyre.

Në vendim thuhet se profesorit Bujar Dugolli i ndalohet mentorimi i temave të diplomës së masterit dhe doktoratës për dy vite, ndërsa Ardian Kastratit i ndalohet mentorimi i temave të të gjitha niveleve për 3 vite. Dhe si masë ndëshkuese e përbashkët, të dy profesorëve nuk punimi plagjiat nuk konsiderohet si punim i botuar në revista shkencore dhe si rrjedhojë nuk mund të përdoret për avancime akademike.

Kjo masë ndëshkuese është skandaloze dhe e papranueshme dhe e palogjikshme, e para sepse Këshilli i Etikës përmes kësaj mase e ka legjitimuar plagjiaturën, kjo masë i bën thirrje indirekte profesorëve për të plagjiuar ngase pyetja shtrohet cilit prej profesorëve të universitetit i bëhet vonë nëse nuk mentoron tema të diplomës për dy a tre vite, kur ai/ajo tashmë është rahatuar në pozitën e profesorit/es edhe përmes shkeljeve që ka kryer.

Dhe e dyta, vendimi është i palogjikshëm sepse e kundërshton vetveten. Të dy profesorët janë avancuar në tituj më të lartë akademik përmes këtij punimi, por Këshilli i Etikës lëre që nuk e merr në konsideratë kërkesën paraprake të ORCA-s për heqjen e titujve të fituar nga profesorët, por u thotë atyre tash e tutje këtë punim nuk mund ta përdorni për avancime akademike. Ky është kulmi i absurditetit.

ORCA nuk do të ndalet. Ne do të vazhdojmë t’i përshkallëzojmë masat që do të marrim. Nëse konsiderojmë se rrugët institucionale janë shtjerrë, kjo që po shihni sot është thjesht dhe vetëm, një hyrje në vazhdën e aksioneve e protestave.

Për të mos shkuar tutje me masa më të rënda, ORCA kërkon me urgjencë që:

Këshilli i Fakultetit Filozofik ta heq nga roli i senatorit të këtij fakulteti Bujar Dugollin. Nuk bën dhe nuk mundet, nja plagjiator të jetë përfaqësues i Fakultetit në Senat, organin që merret me çështje akademike, madje edhe me integritetin akademik.

Së dyti, Senati i UP-së si organi më i lartë akademik i institucionit të mos e aprovojë vendimin e Këshillit të Etikës për masat e lehta që i ka propozuar ndaj Dugollit e Kastratit, por t’i përjashtojë të dy nga universiteti siç ndodh në çdo vend të botës kur dikujt i vërtetohet plagjiatura. E pakta që mund të bëjnë tash për tash është heqja e titujve akademikë të fituar përmes plagjiaturës. / KultPlus.com

Fotografi që nuk kanë humbur, nga protesta studentore e 1 tetorit 1997 (FOTO)

Protestat e 1 tetorit të vitit 1997 kanë luajtur rol të madh në atë se si sot është formuar shoqëria kosovare. Kanë kaluar 24-të vite qëkur studentët e Universitetit Paralel asokohe të Prishtinës protestuan për të drejtat e tyre, dhe për të drejtat e njeriut kosovar në Kosovën e atëhershme.

Lëvizja Studentore e 1997 e drejtuar nga Bujar Dugolli, Milot Cakaj, Muhamet Mavraj, Driton Lajçi, Hajrullah Koliqi, Fetah Jagxhiu, Ahmet Gecaj dhe Albin Kurti, e përkrahur dhe nga rektori historik i Universitetit të Prishtinës, Ejup Statovci, si dhe nga disa profesorë, i pati dhënë fund politikës paqësore të popullit shqiptar ndaj regjimit serb.

Kjo lëvizje vlerësohet se ka sensibilizuar opinionin ndërkombëtar se UÇK-ja buronte nga populli liridashës i Kosovës.

Me 1 tetor 1997, mijëra studentë por edhe nxënës të shkollave të mesme dhe qytetarë të shumtë kishin protestuar në Prishtinë për të kërkuar lirimin e objekteve të UP-së nga regjimi serb, i cili i kishte dëbuar studentët shqiptarë nga objektet e tyre universitare.

Fotografitë në këtë tekst janë marrë nga Prishtina Film Rolls në Instagram./ KultPlus.com

Fotografi nga protesta studentore e 1 tetorit 1997 (FOTO)

Protestat e 1 tetorit të vitit 1997 kanë luajtur rol të madh në atë se si sot është formuar shoqëria kosovare. Kanë kaluar mbi 20-të vite qëkur studentë e Universitetit Paralel asokohe të Prishtinës protestuan për të drejtat e tyre, dhe për të drejtat e njeriut kosovar në Kosovën e atëhershme.

Lëvizja Studentore e 1997 e drejtuar nga Bujar Dugolli, Milot Cakaj, Muhamet Mavraj, Driton Lajçi, Hajrullah Koliqi, Fetah Jagxhiu, Ahmet Gecaj dhe Albin Kurti, e përkrahur dhe nga rektori historik i Universitetit të Prishtinës, Ejup Statovci, si dhe nga disa profesorë, i pati dhënë fund politikës paqësore të popullit shqiptar ndaj regjimit serb.

Kjo lëvizje vlerësohet se ka sensibilizuar opinionin ndërkombëtar se UÇK-ja buronte nga populli liridashës i Kosovës.

Me 1 tetor 1997, mijëra studentë por edhe nxënës të shkollave të mesme dhe qytetarë të shumtë kishin protestuar në Prishtinë për të kërkuar lirimin e objekteve të UP-së nga regjimi serb, i cili i kishte dëbuar studentët shqiptarë nga objektet e tyre universitare.

Fotografitë në këtë tekst janë marrë nga Prishtina Film Rolls në Instagram./ KultPlus.com

Me aktivitete do të shënohet 20 vjetori i Lëvizjes Studentore në Kosovë

Me rastin e shënimit të 20 vjetorit të Lëvizjes Studentore në Kosovë, në Prishtinë vjen në fillim të tetorit një organizim që do të rikthejë kujtimet dhe idealet e asaj kohe.

Me datë 1 tetor duke filluar nga ora 20:00, në Kinemanë ABC në kryeqytet vjen shfaqja e filmit dokumentar kushtuar protestës së 1 Tetorit 1997 dhe Lëvizjes Studentore. Në ora 17:00 po të njëjtën ditë shënohet Akademia Solemne.

2 Tetor 2017

Ora 10:00 – Konferenca Shkencore “Lëvizja Studentore në Kosovë dhe Protesta e 1 Tetorit 1997”

Salla e Konferencave Nr. 14- Fakulteti Filozofik
Rr. Eqrem Çabej Nr. 21 – Prishtinë

3 Tetor 2017

Ora 18:00 – Ekspozita “ 1 Tetori përmes fotografive të kohës”

Muzeu Kombëtar i Republikës së Kosovës
Rr. Ibrahim Lutfiu – Prishtinë

Bujar Dugolli, Muhamet Mavraj, Albin Kurti dhe Driton Lajçi ishin në mesin e emrave që organizuan lëvizjen e vitit 1997 në Kosovë. Lëvizja Studentore ‘97 ishte një lëvizje joviolente studentore në Universitetin e Prishtinës, e cila filloi më 1 tetor 1997 dhe, duke aplikuar metodat aktive të një rezistence civile, theu status quon dhe të gjitha tabutë e deriatëhershme. / KultPlus.com