ORCA dorëzon ankesë, kërkon përjashtimin nga Universiteti të profesorëve Bujar Dugolli dhe Ardian Kastrati

Sot ORCA ka dorëzuar ankesën për Senatin e Universitetit të Prishtinës (si shkalla e parë ankimuese) mbi vendimin e Këshillit të Etikës (të datës 16.06.2022) për plagjiaturën e profesorëve Bujar Dugolli dhe Ardian Kastrati.

ORCA kërkon që dy profesorëve të ju hiqet titulli akademik, sipas tyre i fituar përmes plagjiaturës, si dhe të përjashtohen nga universiteti.

KultPlus ju sjell reagimin e ORCA-s:

Vendimi i Këshillit të Etikës thotë që dy profesorët kanë bërë shkelje të rëndë të të drejtës së autorit dhe etikës në publikimet shkencore, si dhe kanë shkelur standardet e ndershmërisë intelektuale. Për këto shkelje të rënda, Këshilli i Etikës ka propozuar masa qesharake.

Dy profesorëve i është dhënë vendimi që: artikulli i plagjiarizuar nuk konsiderohet më punim i botuar nga autori dhe nuk mund të shfrytëzohet për avancim akademik. E për profesor Dugollin kanë vendosur që t’i ndalohet mentorimi i temave të diplomës në nivelet master dhe doktoratë për 2 vite, e profesor Kastratit t’i ndalohet mentorimi në të gjitha nivelet e studimit për tre vite.

Vendimi ia ndalon profesorëve shfrytëzimin e punimit (tashmë plagjiat) për avancim akademik. Kjo masë është nul dhe si e tillë nuk mund të konsumohet. Profesorët tashmë e kanë shfrytëzuar këtë punim për avancim akademik, dhe për më tepër profesor Dugolli veçse e ka titullin më të lartë akademik dhe kontratën e përjetshme me universitetin.

Vendimi po ashtu referohet mbi Rregulloren për Masat dhe Procedurat Disiplinore ndaj Personelit Akademik, ku thuhet që mund të merret masa “mohim i përfshirjes në mentorim të të gjitha niveleve për një (1) vit vijues” pasi që shkelja është kategorizuar si e rëndë.

Vendimi i marrë nga Këshilli i Etikës është i pabazuar, ngase masa specifikon elementin e mohimit të përfshirjes në të gjitha nivelet: “për një (1) vit”. Vendimi specifikon “mohimin e përfshirjes në mentorim në të gjitha nivelet” dhe si kohështrirje “tre vite”. Këshilli i Etikës duke mos pasur mundësi t’i ikte kategorizimit si shkelje e rëndë , ka vendosur të caktojë masën më të lehtë të mundshme nga ky kategorizim, por gjoja duke e “përforcuar” masën e dhënë duke e zgjatur kohën e masës ndëshkimore pa bazë juridike.

Vendimi për mos mentorimin e temave të diplomës për kohë të caktuar nuk është proporcional, si rrjedhojë nuk preventon përsëritjen e veprimit nga anëtarë të tjerë të stafit akademik, përkundrazi është ftesë masive për plagjiaturë. Sipas parimit të përfitimit më të madh secili anëtar i stafit akademik në universitete publike do ta “sakrifikonte” mentorimin e diplomave për tre vite në këmbim të një titulli më të lartë akademik të fituar përmes plagjiaturës.

Plagjiatura është shkelja më e rëndë akademike. Në të gjitha vendet e botës dhe institucionet kredibile të tyre, plagjiatura përbën fundin e tolerancës disiplinore. Raste të ndryshme në botë, sidomos në vendet e BE-së, të njerëzve me pushtet si ministra a zyrtarë të tjerë të lartë shtetëror, kanë përfunduar me largimin e tyre nga jeta publike dhe heqjen e titujve e gradave shkencore të përfituara nga plagjiatura.

Prof. Ass. Ardian Kastrati veçse është dënuar me datën 07.06.2021 nga Këshilli i Etikës, me rastin e ofendimit publik të Presidentes të Republikës, Vjosa Osmani. Këshilli i Etikës mes tre masave të vendosura ka përfshirë edhe: mohimin e përfshirjes në mentorim në të gjitha nivelet për dy vite.

Kjo i bjen që Këshilli i Etikës është i bindur që mohimi i përfshirjes në mentorim është masë e lehtë ndëshkimore dhe si rrjedhojë ORCA konkludon që masa e shqiptuar në rastin e plagjiaturës, që konsiderohet shkelja më e rëndë akademike, është joproporcionale me shkeljen e konstatuar.

ORCA kërkon që konform me rregulloren për masa disiplinore në UP, Senati i Universitetit të Prishtinës të marr masën disiplinore “ndërprerje e marrëdhënies së punës”, dhe në të kundërtën minimalisht duhet të ja u tërheqin titujt akademikë të marrë përmes plagjiaturës konform me masën “ulje në thirrje akademike”. / KultPlus.com

Këshilli i Etikës i dënon Bujar Dugollin dhe Ardian Kastratin për plagjiaturë

Nesër bëhen 1 vit nga denoncimi i parë publik i ORCA-s për plagjiaturat e dy profesorëve të Fakultetit Filozofik, Bujar Dugollit dhe Ardian Kastratit. Të dy profesorët e kanë shfrytëzuar punimin me përmbajtje të plagjiaturës duke vjedhur nga burime të ndryshme dhe përmes kësaj vjedhjeje janë ngritur në pozita më të larta akademike, përcjellë KultPlus.

KultPlus ju sjell njoftimin e plotë nga ORCA:

Më 1 tetor 2021, ORCA kishte dorëzuar në Këshillin e Etikës të Universitetit të Prishtinës prova përfundimtare mbi plagjiaturën e dy profesorëve, pas 6 muajsh Këshilli i Etikës më 10 mars 2022 i ka kthyer ORCA-s një përgjigje zyrtare duke thënë se ata kanë vendosur që çështjen e referuar për pretendimet e plagjiaturës ta administrojnë përmes ekspertizës profesionale.

Pas kësaj përgjigje skandaloze të Këshillit të Etikës, ORCA kishte ndërmarr një hap tjetër duke vënë kontaktet e para me revistën botuese të punimit duke ia bashkangjitur të gjitha provat dhe dëshmitë e plagjiaturës, sikurse e kishte bërë në tetor të vitit 2021 me Këshillin e Etikës.

Më 25 mars 2022, revista i është përgjigjur ORCA-s duke konstatuar dhe verifikuar plagjiaturën e punimit të profesorëve Dugolli dhe Kastrati. Në përgjigjën zyrtare të pranuar nga ta thuhet se punimi do të hiqet menjëherë nga revista dhe se politikat e revistës nuk e lejojnë plagjiaturën në asnjë formë. Rrjedhimisht, pas disa ditësh punimi është hequr nga revista, duke faktuar përtej çdo dyshimi që punimi i profesorëve përmban plagjiaturë.

Me të marr këtë përgjigje nga revista, ORCA i është drejtuar edhe njëherë Këshilli të Etikës duke paraqitur prova shtesë për plagjiaturën, me ç’rast e ka plotësuar denoncimin fillesat të datës 1 tetor 2021.

Me 6 qershor 2022, Këshilli i Etikës i ka kthyer përgjigje ORCA-s duke konstatuar përfundimisht se punimi i paraqitur nga profesorët Dugolli dhe Kastrati ka përmbajtje të theksuar të plagjiaturës dhe si rrjedhojë i ka shkelur të gjitha standardet e ndershmërisë akademike dhe kredibilitetit në publikime shkencore. Por, pavarësisht konfirmimit të plagjiaturës, Këshilli i Etikës edhe pse i ka cilësuar si shkelje të rënda veprimet e profesorëve, ka marrë masa qesharake ndaj tyre.

Në vendim thuhet se profesorit Bujar Dugolli i ndalohet mentorimi i temave të diplomës së masterit dhe doktoratës për dy vite, ndërsa Ardian Kastratit i ndalohet mentorimi i temave të të gjitha niveleve për 3 vite. Dhe si masë ndëshkuese e përbashkët, të dy profesorëve nuk punimi plagjiat nuk konsiderohet si punim i botuar në revista shkencore dhe si rrjedhojë nuk mund të përdoret për avancime akademike.

Kjo masë ndëshkuese është skandaloze dhe e papranueshme dhe e palogjikshme, e para sepse Këshilli i Etikës përmes kësaj mase e ka legjitimuar plagjiaturën, kjo masë i bën thirrje indirekte profesorëve për të plagjiuar ngase pyetja shtrohet cilit prej profesorëve të universitetit i bëhet vonë nëse nuk mentoron tema të diplomës për dy a tre vite, kur ai/ajo tashmë është rahatuar në pozitën e profesorit/es edhe përmes shkeljeve që ka kryer.

Dhe e dyta, vendimi është i palogjikshëm sepse e kundërshton vetveten. Të dy profesorët janë avancuar në tituj më të lartë akademik përmes këtij punimi, por Këshilli i Etikës lëre që nuk e merr në konsideratë kërkesën paraprake të ORCA-s për heqjen e titujve të fituar nga profesorët, por u thotë atyre tash e tutje këtë punim nuk mund ta përdorni për avancime akademike. Ky është kulmi i absurditetit.

ORCA nuk do të ndalet. Ne do të vazhdojmë t’i përshkallëzojmë masat që do të marrim. Nëse konsiderojmë se rrugët institucionale janë shtjerrë, kjo që po shihni sot është thjesht dhe vetëm, një hyrje në vazhdën e aksioneve e protestave.

Për të mos shkuar tutje me masa më të rënda, ORCA kërkon me urgjencë që:

Këshilli i Fakultetit Filozofik ta heq nga roli i senatorit të këtij fakulteti Bujar Dugollin. Nuk bën dhe nuk mundet, nja plagjiator të jetë përfaqësues i Fakultetit në Senat, organin që merret me çështje akademike, madje edhe me integritetin akademik.

Së dyti, Senati i UP-së si organi më i lartë akademik i institucionit të mos e aprovojë vendimin e Këshillit të Etikës për masat e lehta që i ka propozuar ndaj Dugollit e Kastratit, por t’i përjashtojë të dy nga universiteti siç ndodh në çdo vend të botës kur dikujt i vërtetohet plagjiatura. E pakta që mund të bëjnë tash për tash është heqja e titujve akademikë të fituar përmes plagjiaturës. / KultPlus.com

UP-ja ndërmerr masa ndaj Ardian Kastratit

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, e ka dërguar çështjen e profesorit Ardian Kastrati në Këshillin e Etikës.

Në njoftimin e Universitetit thuhet se ky institucion arsimor distancohet nga përdorimi i gjuhës denigruese, të përdorur nga Ardian Kastrati, profesor asistent në Fakultetin Filozofik, në një postim në “Facebook”.

” Pas njoftimit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” lidhur me distancimin dhe dënimin e gjuhës denigruese, të përdorur në postimin e z. Ardian Kastrati, profesor asistent në Fakultetin Filozofik, UP-ja njofton opinionin se këtë çështje e ka dërguar për trajtim me prioritet në Këshillin e Etikës”, thuhet në njoftim.

Profesori Ardian Kastrati njëherësh edhe deputet i PDK-së ka cituar pjesë të një përshkrimi satirik të veprimtarit të çështjes shqiptare, Faik Konicës, në kohën sa po votohej Vjosa Osmani për presidente në Kuvend.

Kastrati, nëpërmjet një postimi në ‘Facebook’, ndonëse nuk ka sqaruar nëse postimi i tij ka cak ndonjë figurë të caktuar publike, ka bullizuar me peshë nëpërmjet vargjeve të Konicës.

“Në një shkrim të botuar në ‘ Gazeta Dielli’ mes tjerash gjeta këtë përshkrim satirik të Konicës (për një ish zyrtare të lartë të Stambollit) që sonte më bëri të qesh me lot:

“…një fshatarake me një bark si kadë e me këmbë si magje, me një palë duar të trasha e të pjekura, e me një fytyrë të fryrë e të kuqe si piper t’Ohrit”.”, shkruhet në postim.

Kastrati me bashkëpartiakët e tij, nuk morën pjesë në seancën e Kuvendit të Kosovës ku po votohej Osmani për postin e të pares së vendit.

Njoftimi i plotë i UP-së:

Pas njoftimit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” lidhur me distancimin dhe dënimin e gjuhës denigruese, të përdorur në postimin e z. Ardian Kastrati, profesor asistent në Fakultetin Filozofik, UP-ja njofton opinionin se këtë çështje e ka dërguar për trajtim me prioritet në Këshillin e Etikës.

Këshilli i Etikës është organ i pavarur i UP-së, i emëruar nga Senati, me qëllim të trajtimit në mënyrë meritore dhe sipas ligjit, çështjet e tilla brenda UP-së.

Meqenëse puna në Universitetin e Prishtinës bazohet në vlerat themelore të arsimit të lartë, jemi të përkushtuar që mjedisi universitar të jetë i sigurt, nxitës, pa diskriminim dhe respektues i plotë i të drejtave të njeriut. / KultPlus.com

UP-ja distancohet nga deklarata e profesor Kastratit dhe dënon fuqishëm gjuhën denigruese të përdorur

Para rektoratit të UP-së janë mbajtur sot protesta ku është kërkuar përjashtimi i Ardian Kastratit nga Universiteti i Prishtinës.

Ky reagim erdhi pasi deputeti Ardian Kastrati i cili është edhe profesor në Departamentin e Shkencave Politike të Universitetit të Prishtinës, pas përzgjedhjes së Vjosa Osmanit si Presidente e Republikës së Kosovës, ka publikuar një status në rrjetin social Facebook, duke ironizuar me satirën e Faik Konicës. Komentuesit e shumtë e kanë kritikuar për seksizëm dhe gjuhë të urrejtjes dhe si pasojë e kësaj po kërkohet edhe shkarkimi i tij, shkruan KultPlus.

Për këtë çështje, ka reaguar sot edhe Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” të cilët njoftojnë se kanë ndjekur me shqetësim situatën e krijuar si pasojë e një shkrimi të publikuar dje në llogarinë e tij në Facebook nga Ardian Kastrati, profesor asistent në Fakultetin Filozofik të UP-së.

“Universiteti i Prishtinës ka mirëpritur krijimin e institucioneve të reja dhe shpreson në stabilizimin e rrethanave politike në vend. Por, në situatën e krijuara nga rasti i lartpërmendur, UP-ja njofton opinionin që, si institucioni më i madh i arsimit të lartë në vend, kërkon nga personeli i tij që pavarësisht institucionit ku janë të angazhuar, me sjelljet, qëndrimet dhe deklaratat e tyre të ruajnë imazhin e UP-së”, shkruan në komunikatë.

Tutje, UP-ja distancohet nga deklarata individuale e profesor Kastratit si dhe dënon fuqishëm gjuhën denigruese të përdorur.

Në suazat e përgjegjësive të veta statutare, UP-ja në ditët në vijim do të trajtoj rastin në fjalë, në përputhje edhe me ligjet në fuqi. / KultPlus.com

Kastrati: Postimi im nuk ka qenë as për Vjosa Osmanin e as Adelina Graincën

Deputeti i PDK-së, Ardian Kastrati, ka reaguar pas kritikave që mori lidhur me një status ku përmendte fjalët e veprimtarit të çështjes shqiptare, Faik Konicës.

Kastrati, nëpërmjet një postimi në Facebook, ka thënë se nuk ka dashur ta ofendojë as presidenten e sapozgjedhur Vjosa Osmanin, e as deputeten që kaloi nga PDK-ja në VV, Adelina Graincën, transmeton KultPlus.

Bashkangjitur gjeni statusin e plotë të Kastratit. / KultPlus.com

Postimit qe kam bere ku e citoj Faik Konicen iu paska dhane drejtim i gabuar! Sa e qela fcb po e shoh qe me paskan…

Posted by Ardian Kastrati on Sunday, April 4, 2021

Nesër protestohet për përjashtimin e Ardian Kastratit nga UP-ja

Liridona Sijarina nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore, përmes një statusi në rrjetin social Facebook ka njoftuar se nesër para rektoratit të UP-së do të mbahet një protestë simbolike përmes së cilës kërkohet përjashtimi i Ardian Kastrati nga Universiteti i Prishtinës, përcjell KultPlus.

‘Pas një konsultimi të aktiviste/ëve, u vendos që nesër me fillim nga ora 11:00, në oborrin e rektoratit të UP-së mbahet protesta simbolike dhe tubimi përgatitor për fillimin e protestave me qëllim të ndërprerjes së gjuhës seksiste nga stafi akademik i UP-së, konkretisht përjashtimit të Ardian Kastratit nga UP ku ai është profesor.

Seksizmi nuk do të financohet nga taksapaguesit’‘, thuhet në njoftim. / KultPlus.com

Sibel Halimi për Kastratin: Botëkuptimi i tillë duhet dënuar, gjuha seksiste është metoda për dekurajimin e grave

Pas përzgjedhjes së Vjosa Osmanit si Presidente e Republikës së Kosovës, deputeti Ardian Kastrati publikoi një status ku përmes fjalëve të Konicës, ironizoi me peshën e Osmanit, gjë për të cilën kanë reaguar komentues të shumtë e figura publike të cilët kërkonin dënimin e Kastratit, përcjell KultPlus.

Ndërkaq, sociologja Sibel Halimi ka theksuar përmes një statusi në rrjetin social Facebook se gjuha seksiste është njëra prej metodave kryesore të dekurajimit të pjesëmarrjes së grave dhe vajzave në jetën publike.

”Botëkuptimi dhe shprehja e tillë e artikuluar duhet dënuar, e sidomos kur vije nga përfaqësuesit e shtetit, ku prej tyre pritet që një mentalitet i tillë të luftohet”, është shprehur tutje Halimi. / KultPlus.com

Skandaloze: Mediumi publik promovon bullizmin dhe gjuhën e urrejtjes (FOTO)

Radio Televizioni i Kosovës ka publikuar statusin e Ardian Kastratit i cili citon Konicën për të ironizuar me Vjosa Osmanin, përcjell KultPlus.

Në shkrimin për Kastratin, RTK ka theksuar vetëm faktin se Kastrati ka cituar Konicën, duke injoruar kështu ironinë e tij të fuqishme drejt Osmanit, një ironi kjo që ngjalli shumë debat duke bërë që komentues të shumtë të kërkojnë dënimin e tij.

Publikimi i gjuhës së urrejtjes bie në kundërshtim me rregulloren, standardet profesionale dhe misionin e transmetuesit publik.

Më poshtë poashtu gjeni edhe rregulloren e RTK-së mbi gjuhën e urrejtjes/ KultPlus.com

Kastrati ironizon Osmanin, mijëra komentues kërkojnë shkarkimin e tij nga UP-ja

Deputeti Ardian Kastrati i cili është edhe profesor në Departmentin e Shkencave Politike të Universitetit të Prishtinës, pak minuta pas përzgjedhjes së Vjosa Osmanit si Presidente të Republikës së Kosovës, ka publikuar një status në rrjetin social Facebook, duke ironizuar me satirën e Faik Konicës, përcjell KultPlus.

Komentuesit e shumtë e kane kritikuar për seksizëm dhe gjuhë të urrejtjes.

Më poshtë mund të lexoni statusin e plotë të Kastratit:

Gjithmonë më ka pëlqyer shumë satira e Faik Konicës.
Në një shkrim të botuar në ‘ Gazeta Dielli’ mes tjerash gjeta këtë përshkrim satirik të Konicës (për një ish zyrtare të lartë të Stambollit) që sonte më bëri të qesh me lot:
“…një fshatarake me një bark si kadë e me këmbë si magje, me një palë duar të trasha e të pjekura, e me një fytyrë të fryrë e të kuqe si piper t’Ohrit”.
/ KultPlus.com

Gjithmonë më ka pëlqyer shumë satira e Faik Konicës. Në një shkrim të botuar në ‘ Gazeta Dielli’ mes tjerash gjeta…

Posted by Ardian Kastrati on Sunday, April 4, 2021