CHwB Kosova kundërshton vendimin për dhënie në shfrytëzim të Kalasë së Vjetër në Vushtrri

CHwB Kosova kundërshton vendimin për dhënien në shfrytëzim të përkohshëm të Monumentit te trashëgimisë kulturore – Kalaja e Vjetër në Vushtrri, shkruan KultPlus.

Ky është reagimi i tyre:

CHwB Kosova vlerëson se Vendimi Nr. 68/2019 lëshuar nga Instituti i Kosovës për Trashëgimi Kulturore, nënshkruar nga drejtori i këtij Institucioni, Ismet Hajrullahu për dhënien në shfrytëzim të përkohshëm të Monumentit të trashëgimisë kulturore – Kalaja e Vushtrrisë është i pabazuar dhe i kundërligjshëm. Ky Vendim, i cili ka për subjekt një “Monument të trashëgimisë kulturore arkeologjike”, në mënyrë të kundërligjshme bazohet në dy pika – ‘Ligji 02/L-88 Neni 6 ( paragrafi 6.14)’ dhe ‘Rregullorja 06/2017 Neni 10, Paragrafi 1.18’- të cilat i referohen trashëgimisë kulturore arkitekturale. Neni 6 ( paragrafi 6.14), Ligji 02/L-88 thotë se “Përdorimi me qëllim përfitimi ekonomik dhe kulturor i trashëgimisë arkitekturale autorizohet me leje të shkruar nga Institucioni kompetent, në rastet ku vlerat e trashëgimisë arkitekturale janë të mbrojtura”. Gjithashtu, Rregullorja 06/2017, Neni 10, Paragrafi 1.18 specifikon se “Instituti i Kosovës për Mbrojte të Monumenteve autorizon me leje të shkruar përdorimin me qëllim përftimi ekonomik dhe kulturor të trashëgimisë arkitekturale në raste ku vlerat e trashëgimisë arkitekturale janë të mbrojtura, pas konsultimit me Qendrën Rajonale përkatëse të Trashëgimisë Kulturore”

CHwB Kosova sqaron se ‘Kalaja e Vjetër në Vushtrri’ është monument nën mbrojte të përhershme në kategorinë ‘trashëgimi arkeologjike’ dhe jo arkitekturale siç është trajtuar nga vendimi i fundit kundërligjor. Ky kategorizim është adaptuar nga Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore, propozuar nga Ministria e Kulturës. Në përshkrimin e publikuar në web-faqen e Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore thuhet që “Bazuar në vlerat arkeologjike, artistike, shoqërore, shpirtërore, rariteti dhe shkencore, aseti Kalaja e vjetër është shpallur monument në mbrojtje të përhershme nga Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore në vitin 2016”. Duke marrë parasysh kategorizimin e mësipërm, Rregullorja 06/2017, Neni 11, Paragrafi 1.2, specifikon se është Instituti Arkeologjik i Kosovës i cili “Jep lejet (lejimi) me shkrim për veprimtari që mund të ndikojnë në vlerat ose ndryshojnë tërësinë ose strukturën e trashëgimisë kulturore – arkeologjike nën mbrojte të përhershme ose të përkohshme”. CHwB Kosova konsideron se Instituti i Kosovës për Mbrojte të Monumenteve me vendimin e fundit ka bërë një veprim kundërligjor duke shpërfillur kompetencat e Institutit Arkeologjik të Kosovës.

Për më tepër, ky veprim është vazhdimësi e një përpjeke të vazhdueshme, por fatmirësisht të dështuar, të të njëjtit Institucion, veprimi i së cilit vite me parë kishte hasur në reagime të ashpra qytetare.

Nisur nga kjo CHwB Kosova rekomandon që organet përgjegjëse urgjentisht ta shfuqizojnë këtë Vendim të paligjshëm duke parandaluar çdo veprim që cenon integritetin dhe autenticitetin e monumenti – Kalaja e Vjetër në Vushtrri. / KultPlus.com

CHwB Kosova, sjellë debat publik dhe promovim libri për “Hapësirat e braktisura të Kosovës”

CHwB Kosova më 20 mars mban debatin publik “Hapësirat e braktisura të Kosovës” në Parkun Arkeologjik- Lapidariumi i Muzeut të Kosovës (përball Muzeut Kombëtar), duke filluar nga ora 18:00, shkruan KultPlus.

Ndërtesat apo monumentet e ndryshme që i kanë rezistuar kohës janë reprezentime materiale kulturore të një shoqërie, të cilat përveç tjerash i shërbejnë vazhdimisht kujtesës kolektive, ofrojnë një narrativë të përbashkët për të kaluarën dhe i kontribuojnë identitetit kolektiv.
Gjatë vitit 2017, CHwB Kosova ka identifikuar 262 ndërtesa të pashfrytëzuara nëpër vende të ndryshme të Kosovës, të cilat janë pjesë e Listës së Trashëgimisë Kulturore nën mbrojtje. Ato janë shtëpi tradicionale, salla të kulturës, ndërtesa industriale, kulla dhe përmbajtje të tjera ndërtimore të cilat dikur i shërbenin familjeve, komuniteteve dhe shoqërisë. Fati, kuptimi dhe roli i tyre përcaktohet nga faktor të ndryshëm siç janë zhvillimi i përgjithshëm shoqëror, luftërat, sistemi i ri politik, ndryshimi i sistemit vleror, interesat politike dhe ekonomike, neglizhenca shtetërore dhe e shoqërisë në përgjithësi.

Pse braktisen ndërtesat? A mund të ri-jetësohen këto hapësira që të ngjallin interes publik dhe të ofrojnë platformë për debat publik mbi kulturën e shoqërinë? Si janë procedurat administrative që duhen ndjekur nëse ka interes për shfrytëzimin e këtyre hapësirave? Si qëndron roli i institucioneve relevante dhe shoqërisë në mbrojtën e këtyre hapësirave? A mundet që këto ndërtesa të bëhen sërish pjesë e jetës urbane? Si qëndron ideologjia politike karshi këtyre ndërtesave?
Këto janë disa nga çështjet që do të trajtohen përgjatë debatit të cilin do ta pasurojnë panelistët e ftuar siç janë:

• Arbër Sadiki, arkitekt
• Linda Gusia, sociologe
• Rina Kika, Termokiss/avokate
• Shkëlzen Gashi, publicist
• Vjollca Aliu, drejtoreshë e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore, MKRS
• Yll Rugova, drejtor i Departamentit të Kulturës në Komunën e Prishtinës

Debati do të moderohet nga Eliza Hoxha.

Në kuadër të debatit, do të promovohet edhe libri “Hapësirat e braktisura të Kosovës- 50 tregime të një bote të harruar”, nga CHwB Kosova./ KultPlus.com

“Kurrizi” streha e shoqërisë elitare në vitet e 90-ta

Sarandë Selimi

Incizime të viteve të 90-ta, koncerte, evente për të rinj, mbledhi vetëm për një kafe… Kafiteri të njohura të atyre viteve, kafiteri të shqiptarëve e të serbeve. Fytyra të njohura publike të cilët kishin lindur e ishin rritur në atë pjesë. Shumë të rinj që asokohe vetë në atë pjesë të qyteti e gjenin veten. Vetëm në atë pjesë ndiheshin se i takonin ‘botës’ në njëfarë forme. Është ‘Kurrizi’ një pjesë e Prishtinës e cila bartë mbi supe shumë histori të të rinjve shqiptarë në atë periudhë, kur regjimi i Millosheviçit, i kishte përjashtuar shqiptarët tërësisht nga jeta institucionale, shkruan KultPlus.

“Në teatër e në kinema nuk kishim ‘guxim’ të shkonim sepse këto institucione udhëhiqeshin nga serbët dhe shumë thjesht e ndjenim vetën të huaj. Kurrizi ishte ajo pjesë që ndiheshim rehat”, thotë në dokumentarë politikani Albin Kurti, i cili në dokumentarin ‘Kurrizi’ që u dha të enjten mbrëma premierë në kryeqytet, dukej krejt ndryshe nga pamja që ka sot. Me flokë të gjatë e kaçurrelë Kurti, në atë kohë ishte student ku pikërisht në vitin 1997 ai u emërua nënkryetar i Unionit Studentor të universitetit të Prishtinës, ku në atë periudhë ishte organizator kryesor i demonstratave të studentëve, të cilat ishin pjesë e këtij dokumentari por me shumë sekuenca të shkurtra.

Nita Luci, Shkumbin Istrefi, Ilir Bajri, Leart Zeqa, dy nga vajzat e grupit muzikor ‘Terror’…ishin pjesë e këtij dokumentari i cili është mbështetur nga CHwB Kosova.
‘Kurrizi’ mblodhi sonte një audiencë goxha të madhe të cilët në fund e duartrokitën fort regjisoren e re Orgesa Arifi.

“Fillimisht dua të iu tregoj që nuk kemi mundur ta përmbledhim krejt Kurrizin sepse të gjithë e dimë që është një dekadë me shumë gjëra. Çka kemi mundur të bëjmë është t’i zgjedhim disa arkiva dhe disa njerëz që më së miri do të munden gjeneratat e reja ta kuptojnë dhe ju ta nxirrni në pah memorien që e keni pas në atë kohë. Dua të ia dedikoj edhe njerëzve që kanë ndejtë në atë kohë, sepse ata më kanë inspiruar mua faktikisht dhe t’i falënderoj që ma kanë besuar këtë ide. I ftoj njerëzit të merren me Kurriz sepse është një pjesë goxha e madhe e identitetit tonë, dhe ne nuk kemi besuar që njerëz që shohim aq shumë në televizion kanë ardhur nga Kurrizi”, u shpreh para të pranishmëve Orgesa Arifi, e cila poashtu tha se mendon që Kurrizi ka qenë një vend që i ka bashkuar shumë njerëzit kështu që, ajo bënë thirrje që mos ta harrojnë këtë pjesë të kryeqytetit kosovar.

Ndërkohë në këtë premierë i pranishëm ishte edhe drejtori i CHwB Kosova Sali Shoshi. Shoshi, tha se ky dokumentar në pamje të parë duket një punë e lehtë por sipas Shoshit, për ta ka qenë një punë goxha e vështirë.

“Ka qenë punë e vështirë për një arsye të thjeshtë, sepse jemi marrë me një fushë problematike dhe është një pjesë që shumë prej jush keni qenë dëshmitar të Kurrizit në vitet e 90-ta dhe nuk ka qenë e lehtë që na ta përjetojmë këtë periudhë, duke pas përsyshë që ka shumë njerëz që e mbajnë mend në mënyra të ndryshme. Përndryshe CHwB, që 15 vite merret me trashëgimi, merret me monumente më të hershme ku e kemi një lloj lirie që të merremi me mesjetë, me kohën osmane dhe atë romake, por jo shumë me këtë periudhën e vonshme të viteve të 90-ta dhe kujtesën kolektive”, tha Shoshi.

Ai ndër të tjera theksoi se të gjithë janë dëshmitarë që në vitet e 90-ta ka qenë një kthesë goxha e vrullshme për Kosovën. “Ishte ai momenti kur shqiptarët u ndanë dhe u izoluan dhe Kurrizi ishte një lloj ‘gheto’ por edhe një vend i ‘lirë’ në ato rrethana”, përfundoi Shoshi.

‘Kurrizi’ ishte një geto hapësirë për shumë të rinj dhe për shumë personalitete që sot janë figura publike te Kosovës. Ky dokumentar ka për qëllim të mbledhë tregimet për ‘Kurrizin’ si një pjesë e rëndësishme për memorien kolektive te viteve të 90-ta në Kosovë./ KultPlus.com