Komuna e Prizrenit dhe UNDP fillojnë një Projekt për Promovim të Turizmit

Në përpjekje të përbashkët për promovimin e turizmit dhe zhvillimit të sektorit privat, Komuna e Prizrenit dhe UNDP në Kosovë nënshkruan marrëveshje për të zbatuar një projekt që do të shërbejë për promovimin e turizmit dhe rritjen e zhvillimit ekonomik në qytet.

Përfaqësues i Përhershëm i UNDP-së, Nuno Queiros, theksoi se qëllimi i tyre nuk është thjesht të rrisin numrin e vizitorëve por, i një rëndësie vendimtare është të sigurojnë që rritja e turizmit të reflektohet në përfitime të qarta për ekonominë vendase dhe sektorin privat.

“Duke rigjallëruar modelet tradicionale të biznesit, ne synojmë të ndërtojmë një themel ekonomik të qëndrueshëm që mund të përshtatet dhe të lulëzojë. Ky partneritet i fundit plotëson bashkëpunimin që daton më shumë se 10 vjet në mes të UNDP-së dhe Komunës së Prizrenit dhe është një testament për atë që ne mund të arrijmë së bashku. Unë besoj fuqimisht se së bashku do të nxisim potencialin e plotë të Prizrenit si destinacion kryesor për turizëm të qëndrueshëm dhe zhvillim ekonomik”, deklaroi ai.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, vuri në pah rëndësinë e projektit, duke thënë se zhvillimi i turizmit në Prizren është një mundësi e mirë për ta stimuluar ngritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës, duke rritur nivelin e cilësisë së jetesës së banorëve.

“Investimi në infrastrukturën turistike dhe promovimi i trashëgimisë së pasur kulturore të Prizrenit, domosdo tërheq vizitorë dhe forcon ekonominë lokale. Prioriteti i zhvillimit të turizmit përputhet me aspiratat tona për t’u bërë një destinacion i njohur, duke kontribuar në zhvillimin rajonal dhe njohjen ndërkombëtare të Prizrenit”./KlanKosova/KultPlus.com

Komuna e Prizrenit

Kurti mori pjesë në pritjen e organizuar nga Dukati i Madh i Luksemburgut në hapje të “Manifesta 14 Prishtina”

Kosova ka hyrë në një periudhë shumë pozitive dhe konstruktive të historisë kulturore dhe artistike.

Ne sot jemi dëshmitarë të një manifestimi të paparë të shpirtit kulturor të popullit të Kosovës, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në pritjen e organizuar nga Ambasada e Dukatit të Madh të Luksemburgut, Organizata e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim e (UNDP) dhe Fondacioni i “Manifesta 14 Prishtina” me rastin e hapjes së bienales “Manifesta 14 Prishtina”.

Kryeministri Kurti tha se këtë javë me Manifestën, do të jemi dëshmitarë të lidhjeve tona të jashtëzakonshme me Evropën nëpërmjet kulturës, teksa fillojmë një udhëtim kulturor epik prej 100 ditësh me bienalen nomade të Manifestës.

Për ta bërë të mundshme Manifestën, Qeveria e Kosovës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, qeverisja lokale janë bërë bashkë me të gjithë akterët diplomatikë, përfshirë edhe bashkëpunimin mahnitës me Dukatin e Madh të Luksemburgut.

Kryeministri e falënderoi Dukatin e Madh të Luksemburgut për ndihmën rreth “Manifesta 14 Prishtina” dhe për kontributin e vazhdueshëm financiar për arsimin, shëndetësinë dhe demokratizimin e shoqërisë.

Ai i përgëzoi të gjithë të gjithë organizatorët e “Manifesta14 Prishtina” për punën e madhe dhe përkushtimin, si dhe uroi për një bienale të shkëlqyeshme dhe 100 ditë të frytshme të jetës artistike. /KultPlus.com

Dokumentari “Unë jam Greta” do të shfaqet të shtunën në Prishtinë

Të shtunën, më 25 qershor 2022, në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, UNDP dhe DokuFest do të jenë në amfiteatrin Zahir Pajaziti (përballë Kino Armatës) për shfaqjen në ambient të hapur të dokumentarit “Unë jam Greta”.

Filmi do të shfaqet në Kinemanë Solare të DokuFestit dhe do të fillojë në orën 20:15.

“Bashkohuni me ne ndërsa frymëzohemi nga udhëtimi global i aktivistes për çështje klimatike Greta Thunberg. Shfaqja e filmit është pjesë e projektit Climate Promise të financuar nga Qeveria Japoneze dhe është e hapur për publikun”, thuhet në njoftim. / KultPlus.com

Serbia kërkon që BE-ja e UNDP-ja të mos e rinovojnë shtëpinë e Xhafer Devës

Serbia ka kërkuar nga BE-ja dhe UNDP-ja që të mos japin para për ta restauruar shtëpinë e Xhafer Devës në Mitrovicë, që ka nisur tash e një javë.

Sipas ministres së Kulturës dhe Informimit në Serbi, Maja Gojkoviq, Deva “ka përgatitur e kryer krime ndaj serbëve dhe hebrenjve”.

“Ky është një kolaboracionist famëkeq nazist, i cili ishte aktiv në formimin e divizionit SS Skënderbeu, i njohur për përgatitjen dhe kryerjen e krimeve kundër popullatës serbe dhe hebreje”, tha Gojkoviq, duke theksuar se u ka shkruar përgjegjësve në BE dhe UNDP për këtë çështje.

Shtëpia e politikanit shqiptar nga Mitrovica, Xhafer Deva është bërë çështje gati 44 vjet pas vdekjes së tij. Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë ka dalë kundër këtij restaurimi duke rikujtuar se Deva ka qenë kolaboracionist i nazistëve. Por, restaurimi ka një javë që ka nisur dhe ai mbështetet edhe nga paratë e Bashkimit Evropian, pjesë e të cilit është edhe Gjermania. / KultPlus.com

Marrëveshje për rifunksionalizimin e Sahat Kullës

Sot u nënshkrua marrëveshja për bashkëfinancimin e restaurimit të Sahat Kullës, me Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim – UNDP, përcjellë KultPlus.

Sahat Kullla, si një prej monumenteve me të shquara të trashëgimisë kulturore në Prishtinës, shumë shpejt pritet të rifunksionalizohet duke rikthyer kujtimet e së kaluarës sonë të përbashkët.

Projekti po realizohet me propozimin e studentëve të Fakultetit të Arkitekturës në Universitetin “Hasan Prishtina”, nën mentorimin e profesoreshës Florina Jërliu dhe asistentit të saj Rron Beqiri dhe do të implementohet bashkë me organizatën CHWB./ KultPlus.com

UNDP-ja shndërron në ngjyrë të portokalltë urën Tabaku dhe atë të Terzive

UNDP-ja sot ka shndërruar në ngjyrë të portokalltë dy urat në Gjakovë, atë të Terzive dhe Tabaku, në ditën e parë të fushatës “16 Ditë Aktivizëm Kundër Dhunës Gjinore”.

“Së bashku me Bashkimin Evropian në Kosovë shndërruam në ngjyrë të portokalltë urën e Terzive dhe atë Tabaku, dy atraksione historike të njohura në Gjakovë, në ditën e parë të fushatës ‘16 Ditë Aktivizëm Kundër Dhunës Gjinore’”, thuhet në njoftimin e UNDP Kosova.

Tutje thuhet se me këtë rast përfaqësuesi Special i BE-së dhe përfaqësuesi i Përhershëm i UNDP-së nënshkruan marrëveshjen e re të projektit mbi “Trashëgiminë Kulturore si Drejtues i Dialogut Ndër-Komunitar dhe Kohezionit Social” e cila lejon bashkëpunim të vazhdueshëm në këtë fushë gjatë dy viteve të ardhshme ku gratë dhe të rinjtë shfaqen në mënyrë të dukshme./ KultPlus.com

MKRS-ja e UNDP-ja të gatshme për bashkëpunim në projekte të rinisë dhe të trashëgimisë kulturore

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, priti sot përfaqësuesen e Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP-së) në Kosovë, Maria Suokko, me të cilën bisedoi për politikat dhe programin që MKRS-ja ka për rininë dhe çështjet që kanë të bëjnë me fushën e trashëgimisë kulturore.

Sipas komunikatës për media, ministrja Dumoshi e njoftoi përfaqësuesen e UNDP-së, Suokko, për planet dhe synimet që pritet të realizohen nga ana e MKRS-së në këto fusha, të cilat UNDP-ja i ka interes të veçantë.

Ministrja është shprehur se do të angazhohet maksimalisht që rinia e të gjitha komuniteteve, që jetojnë në Kosovë, të takohen e shkëmbejnë idetë inovative për avancimin e interesave të tyre, sidomos në edukimin dhe integrimin sa më të madh social të tyre. MKRS-ja do të investojë në krijimin e mëtejmë të hapësirave dhe infrastrukturës së nevojshme që të rinjtë në Kosovë të kenë ku të organizojnë dhe realizojnë aktivitetet e ngjarjet e tyre.

Gjithashtu ajo e ka informuar përfaqësuesen Suokko për planet që ka për fushën e trashëgimisë, në plotësimin dhe avancimin e legjislacionit që e rregullon këtë fushë. Ajo tha se MKRS-ja është e interesuar të bashkëpunojë me UNDP-në për zhvillimin e projekteve të cilat mundësojnë mbrojtje më të madhe të monumenteve, objekteve dhe hapësirave të trashëgimisë kulturore.

Ministrja e ka falënderuar përfaqësuesen e UNDP-së për mbështetjen e deritashme që kanë dhënë për fushat që i mbulon MKRS-ja, duke e mirëpritur gatishmërinë e UNDP-së që të bashkëpunojë edhe në të ardhmen për projektet në fushën e rinisë dhe të trashëgimisë kulturore.

Ndërsa, përfaqësuesja e UNDP-së, Maria Suokko, e uroi ministren për marrjen e detyrës dhe e falënderoi për gatishmërinë e ofruar për fuqizimin dhe përkrahjen e rinisë, duke i dëshiruar mbarëvajtje për punën dhe planet që ka për synim t’i realizojë dhe ofroi mbështetjen në këto fusha.

Po ashtu, Suokko, theksoi se organizata që përfaqëson është e interesuar që fusha e trashëgimisë kulturore në Kosovë të avancohet konform standardeve ndërkombëtare, duke mundësuar identifikimin e objekteve dhe lokaliteteve të reja arkeologjike dhe konservimin e restaurimin e tyre. /KultPlus.com

UNDP: Pothuajse 90 për qind e njerëzve në botë i paragjykojnë gratë

Pothuajse 90 për qind e njerëzve janë paragjykues ndaj grave, thuhet në një raport të Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP).

Raporti përmban të dhëna “tronditëse” të reagimit global ndaj barazisë gjinore.

Përkundër përparimit në mbylljen e hendekut të barazisë, 91 për qind e burrave dhe 86 për qind e grave kanë të paktën një paragjykim ndaj grave në lidhje me politikën, ekonominë, arsimin, dhunën ose të drejtat riprodhuese.

Indeksi i “Normave Sociale Gjinore” analizon bindjet sociale që pengojnë barazinë gjinore në fusha të tilla si politika, puna dhe arsimi dhe përmban të dhëna nga 75 vende, duke mbuluar mbi 80 për qind të popullsisë në botë.

Sipas raportit, rreth gjysma e burrave dhe grave në botë mendojnë se burrat e kryejnë më mirë detyrën e udhëheqësit në politikë, dhe mbi 40 për qind mendojnë se burrat janë drejtues më të mirë të biznesit dhe se burrat kanë më shumë të drejtë për një punë kur ato janë të pakta.

Sipas raportit, 28 për qind e justifikojnë dhunën e një burri ndaj gruas së tij.

Hulumtimi gjithashtu ofron të dhëna se si po ndryshon paragjykimi në rreth 30 vende të botës.

Rezultatet tregojnë se ndërsa në disa vende ka pasur përmirësime, në të tjera, qëndrimet duket se janë përkeqësuar vitet e fundit, duke sinjalizuar që progresi nuk mund të merret si i mirëqenë.

“Ne kemi bërë një rrugë të gjatë në dekadat e fundit për të siguruar që gratë të kenë të njëjtën qasje në nevojat themelore jetësore sikurse burrat. Ne kemi arritur barazi në regjistrimin e shkollës fillore dhe zvogëlimin e vdekshmërisë së nënave me 45 për qind që nga viti 1990. Por, boshllëqet gjinore janë ende shumë të dukshme në fushat e tjera. Lufta për barazinë gjinore ka të bëjë në rend të parë me luftën kundër paragjykimit”, tha Pedro Conceiçao, zyrtar i lartë i UNDP-së.

Kjo analizë e re hedh dritë mbi arsyen pse ekzistojnë “boshllëqe” të mëdha në mes burrave dhe grave në ekonomitë tona, sistemet politike dhe korporatat tona, me gjithë përparimin real në mbylljen e pabarazisë gjinore në fushat themelore të zhvillimit si arsimi dhe shëndetësia; dhe heqjen e pengesave ligjore për përfshirje në politikë dhe ekonomi.

“Për shembull, ndërsa burrat dhe gratë votojnë me norma të ngjashme, vetëm 24 për qind e ulëseve në parlamente në të gjithë botën mbahen nga gratë dhe ka vetëm 10 gra që udhëheqin me qeveritë nga 193 vende”, thuhet në raport.

Dokumenti thekson se gratë në tregun e punës paguhen më pak se burrat.

“Ndërsa gratë punojnë më shumë orë se burrat, kjo punë ka më shumë të ngjarë të jetë pa pagesë”, thonë rezultatet e hulumtimit.

“Ka pasur një angazhim efektiv për të siguruar përfundimin e boshllëqeve në shëndetësi ose arsimim. Por, tani ky angazhim duhet evoluojë për të adresuar diçka shumë më sfiduese: një paragjykim thellësisht i rrënjosur – midis burrave dhe grave – kundër barazisë së mirëfilltë”, tha Achim Steiner, administrator i UNDP-së.

UNDP u bëri thirrje qeverive dhe institucioneve të vënë në funksion politika të reja, që përmes arsimimit dhe ndërgjegjësimit të ndryshojnë këto besime dhe praktika diskriminuese.

“Për shembull, duke përdorur taksat për të stimuluar ndarjen e drejtë të kujdesit dhe përgjegjësisë për fëmijë ose duke inkurajuar gratë dhe vajzat të kyçen në sektorë tradicionalisht të mbizotëruar nga burrat, siç janë forcat e armatosura dhe teknologjia e informacionit”, thuhet në raport. / KultPlus.com