“Lament of the Earth” nga Donika Rudi, premierë në Festivalin HAPU

Në kuadër të festivalit të artit në hapësirë publike “HAPU”, nesër do të jepet premiera e veprës “Lament of the Earth” e kompozitores kosovare Donika Rudi, shkruan KultPlus.

Vepra është cikël i veprave audio-vizuale, kushtuar efekteve të ndryshimeve klimatike në Tokë, ngrohjes globale dhe eksperiencës tingullore për komunitetin e shurdhët.

“Lamnet of Earth” është mbështetur nga platforma IIN SITU, në kuadër të projektit (UN)COMMON SPACES, të bashkëfinancuar nga programi ‘Creative Europe’ i Bashkimit Evropian.

Vepra do ta ketë premierën nesër në Parkun e Qytetit duke filluar nga ora 21:00. / KultPlus.com

muz

Në kuadër të Panairit të Librit, prezantohen dy romane, një koleksion si dhe mbahet takimi me shkrimtarin Tom Kuka

Në kuadër të Panairit të Librit në Prishtinë, shtëpia botuese “Botime Pegi” do të sjell gjithsej dy prezantime të romaneve, prezantimin e koleksionit “Skandal” si dhe do të organizojë një takim me shkrimtarin Tom Kuka, përcjellë KultPlus.

Prezantim i romanit “Diaboliket” nga Barbey d’Aurevilly vjen këtë të mërkurë në Pallatin e Rinisë, duke filluar nga ora 11:00.

“Diaboliket” është pa dyshim vepra më përfaqësuese e shkrimtarit me një personalitet të spikatur Jules-Amédée Barbey d’Aurevilly: krijesat e tij, perverse dhe tërheqëse, të përbindshme dhe të adhuruara, përshkruhen me kënaqësinë e atij që, teksa lë të shfaqet kudo dëshira dhe epshi, i jep rëndësi erotike çdo detaji, dhe heronjtë e tij, dandy të lodhur e të zhgënjyer, verbohen nga eleganca, sqima, luksi dhe nga të gjitha ëndjet e shqisave.

Sjellë në shqip nga Diana Çuli.

Romani botohet me mbështetjen financiare të Creative Europe.

Prezantimi i romanit “Ne, fëmijët e kopshtit zoologjik të Berlinit” nga Christiana Vera Felscherinow vjen këtë të enjte në Pallatin e Rinisë, duke filluar nga ora 11:00.

Ky libër është një autobiografi e jashtëzakonshme e Christiana Vera Felscherinow-it dhe adoleshentëve të tjerë të Berlinit perëndimor, në fund të viteve 1970.

Një roman-dokument me një vërtetësi tronditëse që theu heshtjen mbi përdorimin e drogës nga të rinjtë.

I pajisur me fotografitë reale të protagonistëve të historisë, vendeve ku mblidheshin, diskotekave dhe udhëkryqeve ku ishin të detyruar të prostituonin.

Romani botohet me mbështetjen financiare të Creative Europe.

Prezantim i koleksionit “Skandal” vjen këtë të premte në Pallatin e Rinisë, duke filluar nga ora 11:00.

Koleksioni me emrin “Skandal” do të mbledhë tetë autorë të ndryshëm europianë, të cilët përmes veprave të tyre, skandaloze për kohën e botimit, kanë sjellë një revolucion në mënyrën e të menduarit.

Po në këtë projekt, në bashkëpunim me shtëpinë botuese gjermane Schenk Verlag GmbH, do të botohen në Gjermani edhe dy autorë shqiptarë: Tom Kuka me “Gurët e vetmisë” dhe Ndriçim Ademaj me “Pa heronj, pa bujë”.

Veprat e shkrimtarëve shqiptarë që do të botohen në Gjermani pritet të cekin disa taste të ndjeshme dhe të shkaktojnë njëfarë zhurme, për shkak të tematikës së tyre dhe plagëve që nxjerrin në pah.

Të gjitha veprat trajtojnë tema delikate, shfaqin subjekte të ndjeshme, e kanë një stil dhe gjuhë shpeshherë provokues. Veprat që do të botohen në gjuhën shqipe, në shumicën e rasteve janë futur në listat e zeza të vendeve përkatëse, janë censuruar ose kanë shkaktuar trazira në vendin e origjinës, në kohën që janë botuar ose dhe më vonë.

Autorë si: Camilo J. Cela, Barbey d’Aurevilly, Alberto Moravia, Edna O’Brien, Frank O’Conner, M. Caragatsis dhe Christiane F. kanë shkruar vepra, që kanë rrëzuar barrierat e perceptimit publik mbi të mirën dhe të keqen. Ato kanë shërbyer si katalizatorë të frikës dhe zemërimit të njerëzit dhe e kanë përballur shoqërinë me vetveten.

Librat e koleksionit “Skandal” botohen me mbështetjen financiare të Creative Europe.

Po ashtu, takimi me shkrimtarin Tom Kuka do të mbahet këtë të shtunë në Pallatin e Rinisë, duke filluar nga ora 12:00.

Tom Kuka (emër arti i gazetarit Enkel Demi) prej disa vitesh tashmë i është kushtuar edhe letërsisë.

Romani i tij i parë, “Hide mbi kalldrëm”, u botua në 2016. Ndonëse, autori ishte i panjohur, sepse nuk u shfaq me emrin e tij të vërtetë, romani pati sukses, duke qenë se fliste për një Tiranë të një epoke tashmë të harruar.

“Gurët e vetmisë” botohet më 2018 dhe përveç miratimit të publikut, merr edhe atë të kritikës, duke u nderuar me Çmimin për Romanin më të mirë të vitit, dhënë nga Ministria e Kulturës.

Më 2019, pason “Ora e ligë”, që u pëlqye gjerësisht nga publiku, dhe më 2021 vjen “Flama”, e cila u nderua me Çmimin Europian të Letërsisë.

Tashmë, librat e tij kanë filluar të flasin edhe në gjuhë të tjera, si: italisht, serbisht, bullgarisht etj. / KultPlus.com

Kosova arrin marrëveshjen për të qenë pjesë e programit të ri ‘Creative Europe’ i cili mbështet financiarisht sektorët krijues, kulturor dhe audiovizual në Evropë

Porgrami i ri ‘Evropa Kreative’, konsiderohet dritare shtesë për rritje të bashkëpunimit kulturor evropian.

Kosova arrin marrëveshjen për të qenë pjesë e programit të ri Creative Europe për periudhën 2021-2027, program ky i Bashkimit Evropian për mbështetje financiare për sektorët krijues, kulturor dhe audiovizual në Evropë.

Sot në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës miratuam Projektligjin pёr Ratifikimin e Marrëveshjes për pjesëmarrjen e Kosovës në këtë program. Kjo platformë mundëson promovimin dhe ndërlidhjen e artistëve tanë me skenën ndërkombëtare të artit, përmes mbështetjes së mobilitetit kulturor në projekte kulturore evropiane.

Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, i cili njofton se ky program krijon hapësira të reja për komunitetin tonë artistik për avancim të veprimtarisë brenda dhe jashtë shtetit, njëherit duke e fuqizuar pozitën e Republikës së Kosovës brenda hartës kulturore evropiane. / KultPlus.com