Hapet thirrja kryesore e programit ‘Evropa Kreative’ për projekte të bashkëpunimit kulturor

Kjo thirrje do të mbështesë projekte për të realizuar një spektër të gjerë aktivitetesh dhe iniciativash që përfshijnë artistë dhe aktorë aktivë në sektorë të ndryshëm kulturorë dhe krijues.

Me një buxhet prej 60 milionë euro, aksioni do të nxisë bashkëpunimin midis organizatave aktive në fushën e kulturës, për të rritur dimensionin evropian të krijimit dhe qarkullimit të përmbajtjeve artistike evropiane si dhe për të inkurajuar zhvillimin, eksperimentimin, përhapjen ose aplikimin e të rejave dhe praktikat inovative.

Afati i fundit për aplikim është 23 shkurt 2023.

Klikoni KËTU për të lexuar më shumë informacione./ KultPlus.com

Kosova arrin marrëveshjen për të qenë pjesë e programit të ri ‘Creative Europe’ i cili mbështet financiarisht sektorët krijues, kulturor dhe audiovizual në Evropë

Porgrami i ri ‘Evropa Kreative’, konsiderohet dritare shtesë për rritje të bashkëpunimit kulturor evropian.

Kosova arrin marrëveshjen për të qenë pjesë e programit të ri Creative Europe për periudhën 2021-2027, program ky i Bashkimit Evropian për mbështetje financiare për sektorët krijues, kulturor dhe audiovizual në Evropë.

Sot në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës miratuam Projektligjin pёr Ratifikimin e Marrëveshjes për pjesëmarrjen e Kosovës në këtë program. Kjo platformë mundëson promovimin dhe ndërlidhjen e artistëve tanë me skenën ndërkombëtare të artit, përmes mbështetjes së mobilitetit kulturor në projekte kulturore evropiane.

Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, i cili njofton se ky program krijon hapësira të reja për komunitetin tonë artistik për avancim të veprimtarisë brenda dhe jashtë shtetit, njëherit duke e fuqizuar pozitën e Republikës së Kosovës brenda hartës kulturore evropiane. / KultPlus.com

MKRS përgëzon organizatat kulturore nga Kosova, fituese në thirrjen e programit ‘Evropa Kreative’

Këtë javë janë publikuar e rezultatet e thirrjes së fundit “Cultural Cooperation Projects in the Western Balkan Region 2020”,  të hapur në kuadër te programit Evropa Kreative.

Nga mbi 300 aplikime nga e gjithë Evropa, vetëm 13 projekte janë shpallur fituese ndër te cilat 6 organizata kulturore nga Kosova kanë përfituar grante si partnerë në 4 projekte të ndryshme.

Duke e marrë parasysh faktin se Kosova është anëtarësuar ne Programin Evropa Kreative së fundmi, saktësisht në fund të vitit 2018, ky rezultat është një arritje jashtëzakonisht  e rëndësishme si për operatorët kulturorë kosovarë, për Ministrinë e Kulturës, por edhe për Kosovën.

Organizatat kulturore të Kosovës të cilat janë shpallur fitues të kësaj thirrjeje janë : RRITU, KOSOVO CHOPIN ASSOCIATION, KOSOVO ARCHITECTURE FOUNDATION, KOMUNA E PRISHTINËS, NGO AKTIV DHE ANIBAR.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, përgëzon të gjitha organizatat kulturore të Kosovës për këtë arritje të madhe dhe siguron se do të vazhdojë me përkushtim punën në përkrahjen e organizatave  kulturore vendore në veprimtarinë dhe  aktivitetet e tyre që po i bëjnë nderë imazhit të Kosovës. / KultPlus.com

Evropa Kreative i uron mirëseardhje Kosovës

Dje në zyrat e Komisionit Evropian, Ministri Kujtim Gashi, ka takuar Komisionerin Evropian, Tibor Navracsis, me ç’rast kanë nënshkruar marrëveshjen ndërmjet Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit dhe Bashkimit Evropian mbi pjesëmarrjen e Kosovës në programin Evropa Kreative për mbështetjen e sektorëve të kulturës dhe atë kreativ.

Ndërsa sot pikërisht kjo platformë ka ndarë kohën për të uruar Kosovën për këtë bashkëpunim së bashku me Bashkimin Evopian.

“Urime Kosovën – Mirë se erdhët në familjen e Evropës Kreative. Jemi shumë të lumtur që Kosova ka nënshkruar një marrëveshje për t’u bashkuar me programin e Kulturës të Evropës Krijuese, duke mundësuar forcimin e bashkëpunimit kulturor”, gjersa kanë bërë të ditur se asambleja kosovare duhet të ratifikojë marrëveshjen para se aplikantët nga Kosova të mund të aplikojnë për thirrjet e Evropës Krijuese.

Pjesëmarrja në këtë program do t’u mundësojë artistëve dhe profesionistëve kulturorë evropianë, si dhe mijëra organizatave krijuese dhe botuesve që të punojnë së bashku dhe t’i bëjnë veprat e tyre krijuese në dispozicion të miliona qytetarëve.

Duke u mbështetur në faktin se programi i Evropës Krijuese kontribuon, ndër të tjera, për ruajtjen e diversitetit kulturor dhe gjuhësor evropian, ndaj synimeve evropiane për rritje ekonomike të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, si dhe ndihmon sektorët kulturorë dhe krijues të përshtaten me epokën digjitale dhe globalizimin, krijimin e mundësive të reja ndërkombëtare, tregjeve dhe audiencës – MKRS konsideron se pjesëmarrja në këtë program është shumë e rëndësishme, shtoi ministri Gashi./KultPlus.com

Gashi në Bruksel për të nënshkruar marrëveshjen për “Evropën Kreative”

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka udhëtuar për në Bruksel, ku nesër, në emër të Republikës së Kosovës nënshkruan Marrëveshjen ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës mbi pjesëmarrjen e Kosovës në programin e BE-së “Evropa Kreative”, për sektorët kulturorë dhe kreativë.

Ministri Gashi, në kuadër të vizitës, do të zhvillojë një sërë takimesh me përfaqësues të BE-së dhe do diskutojë për hapësirat dhe mundësitë e bashkëpunimit në fusha të cilat janë në përgjegjësinë e ministrisë, kulturë, rini, sport e trashëgimi.

Ministri Gashi, marrëveshjen në fjalë, e ka konsideruar si jashtëzakonisht të rëndësishëm, sepse përpos që hapet mundësia që Organizata të Shoqërisë Civile dhe individë që merren me art e kulturë, të përkrahen nga fondet e BE-së, është edhe një element fuqizues i shtetësisë së Kosovës.

“Marrëveshja të cilën do ta nënshkruajmë nesër, mes BE-së dhe shtetit të Kosovës, do të mundësojë që personat dhe organizatat që zhvillojnë aktivitete kulturore e artistike të kenë mundësinë që zyrtarisht, si shtetas të Kosovës të aplikojnë në programin e BE-së për kulturë ‘Evropa Kreative’. Kësisoj ata do të munden të marrin mbështetje financiare nga fondet e Komisionit Evropian. Është kjo një mundësi e mirë për artistët nga Kosova që të pasurojnë jetën kulturore në vendin tonë por edhe më gjerë dhe për këtë ndjehem shumë i lumtur”, tha ministri Gashi.

Deri më tani, MKRS-ja ka ndërmarrë të gjitha hapat që të jetësohet ky programi i BE-së në Kosovës, duke themeluar edhe Deskun Evropa Kreative – Zyra Kosovë, duke organizuar sesione informuese me palët e interesit për programin dhe thirrjet që realizohen nëpërmjet këtij programi. Po ashtu, MKRS-ja ka nënshkruar edhe një memorandum bashkëpunimi me DokuFest-in për të hartuar një databazë të organizatave dhe individëve që merren me kulturë e art dhe të një doracaku udhëzues se si të aplikohet në thirrjet e programit “Evropa Kreative”./ KultPlus.com