Delegacioni i shqiptarëve që më 1927 shkoi në Beograd për të kërkuar të drejta

Delegacioni në foto përmban figurat shqiptare që u takuan me mbretin serb Aleksandër Karagjorgjeviqi për të kërkuar që të mbrohen të drejtat e shqiptarëve të Anamoravës, shkruan KultPlus.

Këta të 25-delegatët që shihen në foto kishin qëllim përmasimin e gjendjes materiale, sociale e shoqërore të njerëzve që përfaqësonin, pra popullatën e kësaj treve të Anamoravës pas çlirimit nga okupatorët turq. Vizita është realizuar më 19 shkurt 1927.

Rreshti I në këmbë (nga e majta): Mehmet Devaja, Feriz Llashtica, Hajdar Demosha nga Begunca, Zeqir Sejdiu – Zeqë Vërbani, Rexhë Kurdia nga Komogllava, Musë Tomaku nga Pograxha;

Rreshti II (në këmbë): Hamdi Kurteshi nga Pozherani, Rashit Llashtica, Adil Agë Dobërçani, Sinan Staneci, Kamber Dani nga Hogoshti, Jonuz Përlepnica, Shefki Zhegra, Veli Kopërnica;

Rreshti III (ulur): Jakup Karaçeva, Tomë Popoviqi, Haxhi Jusuf Shkodriqi nga Desivojca, Sejdë Budrika, Islam Pira nga Pozherani;

Rreshti IV (ulur këmbëkryq): Ramiz Kabashi, Osman Agë Muçivërca, Sali Fejza nga Hogoshti, Hafiz Osmani nga Dobërçani dhe Ramadan Shipashnica. / KultPlus.com

“Delegacioni” pjesë e Festivalit të Filmit Evropian në Calgary

Filmi “The delegation” (Delegacioni) me regji të Bujar Alimanit edhe me skenar të Artan Minarollit gjatë muajit nëntor do të jetë pjesë e Edicionit Online të 9-të të Festivalit Filmit Evropian në Calgary.

Në këtë festival çdo nëntor prezantohen filmat evropianë nën moton e argëtimit dhe multikulturalizëmit brenda magjisë së kinemasë. Me anëtarësimin e më shumë vendeve evropiane çdo vit, ky festival është bërë i mundur përmes përpjekjeve të një grupi njerëzish entuziastë në 2012, kur u zhvillua edicioni i parë. Shumica e prodhimeve janë nominuar për çmime ndërkombëtare. Filmat shfaqen në gjuhët e tyre përkatëse me titra anglisht. Këtë vit, festivali do të zhvillohet online.

Ngjarjet në filmin “Delegacioni” zhvillohen në tetor të vitit 1990. Regjimi komunist kërkon të mbajë pushtetin, ndërsa, në Tiranë vjen një delegacion evropian për të parë nga afër mbarëvajtjen e reformave të qeverisë. Kusht ky, që Shqipëria të pranohet në OSBE. Leo, i dënuar me 15 vite burg, është bërë jashtëzakonisht i vlefshëm për pushtetin e kohës, sepse delegacioni udhëhiqet nga një shok i shkollës së vjetër të Leos. Ai duhet të bindë delegacionin se çdo gjë është në rregull, por ngjarjet marrin tjetër rrjedhë.

Vitin e kaluar “Delegacioni” ka qenë i nominuar nga Komisioni i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë për të përfaqësuar Shqipërinë në “Oskar” në kategorinë për “Filmin Artistik Ndërkombëtar më të mirë” në AMPAS./ Diasporashqiptare/ KultPlus.com

‘Delgacioni’, filmi që përfaqëson Shqipërinë në ‘Oscar’ shfaqet në kinematë franceze

Regjimi komunist i cili shtirej se është demokratik është plaga më e madhe e Shqipërisë, periudha që la në ngecje shoqërinë dhe vrau njerëz të pafajshëm, burrat e ‘dobtë’ i bëri robër dhe vajzat e bukura e intelektuale i shndërroi në të pamoralshme. Kjo edhe është tema e cila trajtohet në këtë film, shkruan KultPlus.

Ndërkaq më 22 korrik të këtij viti, ky film i cili pas premierës ishte pjesëmarrës në shumë festivale ndërkombëtare ku edhe fitoi shumë çmime, do të shfaqet në kinematë franceze me titullin ‘Le dernier prisonnier’ (I burgosuri i fundit).

Filmi është nën regjinë e Bujar Alimanit, ndërsa në rolet kryesore luajnë Viktor Zhusti, Xhevdet Ferri, Ndriçim Xhepa etj.

Vlen të ceket se filmi ‘Delegacioni’ është edhe filmi i cili përfaqëson Shqipërinë në ‘Oscars’ për vitin 2020. / KultPlus.com

Bujar Alimani rrëfen emocionet pas nominimit të “Delegacioni” për Oscar

Për kineastin shqiptar Bujar Alimanin nuk është hera e parë që filmat e tij nominohen për të përfaqësuar Shqipërinë në akademinë e çmimeve Oscar. Nga “Amnistia” tek “Kromi” e për këtë vit tek filmi “Delegacioni” me skenar të të ndjerit Artan Minarolli, kineasti Bujar Alimani rrëfen emocionet e nominimit për “ReportTV”.

Ndonëse jeta edhe karriera e tij profesionale është e ndarë mes Shqipërisë edhe Amerikës, regjisori ndalet edhe tek disa nga problematikat më të mprehta të kinematografisë sonë, ndalet tek përpjekjet e artistëve shqiptarë përballë komerciales

“Është një gjë shumë e veçantë, sepse shënohet për herë të tretë, përzgjedhja e filmit tim në nominimet e shtetit për çmimet Oscar. Është një ngjarje shumë e veçantë edhe nga ana personale. Nga ana tjetër mendoj se vet filmi e përfaqëson denjësisht këtë lloj nominimi. Këtë e them pas rrugës që ka bërë filmi, që është konsideruar më shumë se interesant edhe me vlera, nisur edhe nga çmimet që ka marrë, që nga Çmimi i Madh në Festivalin e Filmit në Varshavë”, shprehet Alimani.

Ndonëse krijuesit e mirëfilltë shqiptarë kanë zgjedhur që të mos jenë pjesë e komercialitetit në punën që bëjnë, për ta distribucioni i filmit është një nga problemet më të mëdha, që ka vendi ynë, sa i përket kinematografisë.

“Një problem shumë i madh yni mbetet distribucioni i filmit. ‘Delegacioni’ ashtu si shumë filma tanë shkon deri në katandisjen e një jave në një kinema, ku edhe aty ka pak spektator. Nga ana tjetër, jemi para dilemës që të bëjmë ne ato që do publiku, duke u helmuar në 30 vite apo të punojmë, që publiku të vijë tek ne, duke rezistuar që të bëjmë punë të tilla dinjitoze. Krijuesit shqiptarë kanë përzgjedh që të rezistojnë, duke mos shkuar drejt një kinemaje komerciale. Pasi pas viteve ‘90 ajo që e pësoi më shumë dihet që ishte arti, prandaj mendoj se ajo që duhet që t’i mëshojmë është hallka e industrisë së filmit, distribucioni. Ne që punojmë me filmin e bëjmë vet nga halli, por kudo në botë ekzistojnë industri që e bëjnë këtë. Ndërsa, kinematë ku çojmë filmin, nuk ka asnjë broshurë. Por ka diçka që nuk shkon, pasi ne po shkojmë në kinematë botërore edhe po vlerësohemi, ndërsa këtu jemi në një pikë zero, që ne duhet t’i mëshojmë më shumë”, shpjegon regjisori.

Për Këshillin Miratues të Projekteve në Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, ku tre anëtarë janë të huaj edhe dy shqiptarë, Alimani shprehet se: “Mendoj se kjo gjë është e mirë, duhet provuar pse jo. Nëse nuk funksionon, nuk funksionon, pasi ne në një botë eksperimentale jemi. Kosova ka pasur sukses, edhe përherë ka në bordin e saj të huaj. Nuk e di sa mund të cenohet këtu elementët e kinematografisë sonë kombëtare. Pasi ne synojmë kinemanë ndërkombëtare, duke pasur në thelb elementët kombëtarë. Megjithatë, një pjesë e madhe e kineastëve kemi vuajtur përzgjedhjen e bordeve nga shoqatat, prandaj ideja e një unioni e një shoqate të vetme më kineastë, do të mund që të na bënte edhe më të fuqishëm në atë që duam edhe kërkojmë”.

Subjekti i filmit “Delegacioni” është në të njëjtën vijë paralele me përpjekjet e Shqipërisë sot për të çelur negociatat në Bashkimin Europian. E për këtë, Alimani mendon se kineastët tashmë e kanë bërë punën e tyre, duke qenë pararojë e drejtuesve të shtetit.

“Ne mendojmë se kinematografia jonë është në Komunitetin Evropian, ndihem pjesë e një kinematografie europiane. Ndihem i barabartë me shumë kolegë të mi në Europ. Me unë nënkuptoj të gjithë kinesatët, që kanë tejkaluar këtë doganë edhe këtë lloj negociatash. Mendoni se sa i lokalizuar është teatri, piktura edhe muzika në këtë drejtim. Kështu që kinematografia është një tren i madh, që shkon me shpejtësi edhe kap shumë stacione të Europës”.

Kineasti Bujar Alimani është përzgjedhur edhe për të qenë anëtar jurie në Festivalin e Filmit në Varshavë./shqiptarja / KultPlus.com

Bujar Alimani dërgon në Gjermani historinë e diktaturës komuniste të Shqipërisë

Projekti për vitin 2019 i shoqatës URACult i quajtur „URA 5” filloi të shtunën në lokalet e “Filmclub 813” në Köln me organizimin „URACult Movie“.

Artdashësve nga kjo pjesë e Gjermanisë iu prezantua filmi „Delegacioni“ i regjisorit Bujar Alimani. Shfaqja e filmit i cili momentalisht është duke u prezantuar në festivale të ndryshme, mblodhi një numër të konsiderueshëm të shikuesve. Kritika e tyre për këtë filmi ishte duartrokitja e gjatë për regjisorin Alimani i cili u lidh drejtpërdrejtë nga Nju Jorku me kinemanë në Köln.

Çmimet që mori filmi si „Çmimi i Madh“ në edicionin e 34 të festivalit ndërkombëtar të filmit “Warsaw Film Festival” vërtetojnë vlerën e lartë artistike të tij. Me një grup aktorësh të shkëlqyeshëm, regjisori Alimani ka arritur që në 80 minuta të sjell shikuesve shumë afër gjithë historinë e diktaturës komuniste në Shqipëri e cila numëronte ditët e saj të fundit. Për shumë nga shikuesit në sallë  filmi ishte një kthim në një periudhë të jetës së tyre apo jetës së prindërve e gjyshërve siç tregon edhe Aurora Barçi nga Kölni, një nga mysafirët e mbrëmjes.

“Unë jam rritur me historitë e komunizmit që më tregonin gjyshërit dhe prindërit e mi. Ky film ishte një kthim pas në kohë dhe që të bën të reflektosh mbi vlerën e një sistemi demokratik“.

Në shfaqje ishte i pranishëm edhe aktori Ilir Rexhepi i cili jeton dhe vepron në Gjermani. Ai e vlerësoi lartë filmin dhe tha se „ky film vërteton se kinematografia shqiptar po ecën përpara dhe filmit  i dëshiroj suksese edhe në festivalet tjera të filmit në botë“.

Në bisedë regjisori Alimani falënderoi organizatorin për prezantimin e filmit në Köln duke thënë se e çmon shumë punën e celulave kulturore si URACulti të cilat u sjellin afër artdashësve vlera artistike në vendet e tyre, larg tepihëve të kuq dhe dritave të fotografëve në festivale.

Shoqata URACult vërtetoi edhe një herë punën e saj të vlefshme të  filluar para gati pesë vitesh në promovimin e kulturës shqiptare në Gjermani. „Në thelb, URACult për mua është një pikëz atdhe që na ofrohet në mënyrën më të sofistikuar dhe plot laramani në jetën tonë në Gjermani“ flet specialistja për menaxhimin e të dhënave Aurora Barçi e cila rregullisht është e pranishme në organizimet e URACult-it.

Ndonëse për herë të parë në një organizim të kësaj shoqate, aktori Ilir Rexhepi poashtu mbeti shumë i kënaqur si me programin e poashtu me rrethin e njerëzve që ishin mbledhur në këtë  mbrëmje në metropolën pranë lumit Rhein.

“Është i rëndësishëm dhe i nevojshëm funksionimi i shoqatave të tilla si URACult në Gjermani. Ndërlidhja dhe bashkëpunimi në sfera të ndryshme, edhe në  sferat kulturore-artistike me Gjermaninë është mbase i nevojshëm sepse Gjermania është mike dhe përkrahëse e madhe e shqiptarëve“, foli aktori Rexhepi i cili momentalisht është duke punuar në disa projekte të ndryshme në Gjermani.

Për këtë mbrëmje ishte planifikuar edhe një bisedë me aktorin Kasem Hoxha i cili luan në filmin „Delegacion“ por fluturimi i tij nga Kroacia ku kishte xhiruar për një projekt televiziv gjerman ishte anuluar. Por ai i përshëndeti të pranishmit në Kino me një video disaminutëshe nga aeroporti i Splitit.

Me 29. Qershor URACult organizon për të tretën herë mbrëmjen letrare “URACUlt Literae” ku do të lexojnë disa autorë të rijnë shqiptarë. / KultPlus.com

Filmi “Delegacioni” shfaqet në Gjermani, i pranishëm edhe aktori Kasem Hoxha

 

Këtë vit shoqata “URACult” nga Köln-i, për ditëlindjen e sajë të pestë, për artdashësit ka përgatitur një projekt me pesë organizime të ndryshme, shkruan KultPlus.

 Organizimi i parë është projekti  i cili titullohet “URA 5“, e që është mbrëmja e filmit ku do të shfaqet filmi “Delegacioni“ i regjisorit Bujar Alimani. Aktorët kryesore në këtë film janë: Viktor Zhusti, Xhevdet Ferri, Ndriçim Xhepa, Richard Sammel, Kasem Hoxha. Në filmin i cili është një bashkëpunim i Shqipërisë, Kosovës, Francës dhe Greqisë, nga Kosova paraqiten aktorët: Bislim Muçaj, Selaman Lokaj, Avdullah Gjikokaj, Fatlume Bunjaku, Armend Smajli, Gani Morina, Arta Selimi, Imer Loshi.

Për filmin i cili ka fituar Çmimin e Madh në edicionin e 34 të festivalit ndërkombëtar të filmit “Warsaw Film Festival”, për shkak të interesimit të madh, filmi do të shfaqet të shtunën në “Filmclub 813”. Me këtë raste do të jetë i pranishëm edhe aktori Kasem Hoxha me të cilin pas filmit do të zhvillohet një bisedë por edhe shikuesit do të kenë mundësinë e bisedës me aktorin i cili është protagonist i shumë projekteve filmike edhe në Gjermani.

Ndërsa  në muajin e ardhshëm “URACult” do të organizoj për të tretën herë mbrëmjen letrare “URACult Literae” ku do të lexojnë disa autorë interesant.        

  “URACult” është shoqatë nga Köln-i i Gjermanisë  misioni i të cilës është prezantimi i artit ndërkombëtar. Po ashtu vizion i tyre është  përhapja e një harku artistik nga Ballkani ndërkombëtar dhe për të kombinuar më të mirën e të gjitha drejtimeve artistike.

 “URACult” sheh veten si një forum për të gjitha llojet e formave të artit, të tilla si  Muzika, teatri, piktura, vallëzimi dhe çfarëdo tjetër është atje.   / KultPlus.com     

                                                           

‘Delegacioni’ shpërblehet me çmimin e jurisë në Festivalin Frankofon të Filmit në Romë

“Delegacioni“ me skenar të Artan Minarolli e regji të Bujar Alimani ka marrur çmimin e jurisë në Festivalin Frankofon të Filmit në Romë, shkruan KultPlus.

Këtë e ka bërë të ditur regjisori i filmit Bujar Alimani, i cili përmes një postimi ka njoftuar se çmimin e merr ambasadorja e Shqipërisë në Romë, Anila Bitri.

“Tetor 1990, regjimi komunist në Shqipëri po përpiqet të mbajë pushtetin. Një delegacion evropian vjen në Tiranë për të monitoruar zbatimin e reformave të qeverisë – një parakusht i madh që Shqipëria të pranohet në OSBE. Leo është marrë fshehurazi nga një burg i largët dhe është sjellë në kryeqytet. Ai ka qenë një i burgosur politik për 15 vjet. Tani ai është bërë jashtëzakonisht i vlefshëm për qeverinë. Delegacioni evropian udhëhiqet nga një shok i shkollës së vjetër të Leo’s. Detyra e tij është të kontrollojë progresin e të drejtave të njeriut në Shqipëri. Leo mund ta bindë atë se gjithçka është në rregull. Por asgjë nuk shkon siç është planifikuar.“

Ky film është bashkëprodhim në mes të Shqipërisë (Art Film shpk), Kosovës (Bleri Production), Francës (Zorba production) dhe Greqisë (Graal Films). Në film luajnë aktorët: Viktor Zhusti, Xhevdet Ferri, Ndriçim Xhepa, Richard Sammel, Kasem Hoxha, ndërsa nga Kosova në film paraqiten aktorët Bislim Muçaj, Selaman Lokaj, Avdullah Gjikokaj, Fatlume Bunjaku, Armend Ismajli, Gani Morina, Artan Selimi, Imer Loshi./KultPlus.com

Filmi “Delegacioni” pas suksesit në Varshavë, vjen në kinematë e Tiranës

Filmi “Delegacioni”, që fitoi çmimin e madh “Grand Prix” në Festivalin e Filmit në Varshavë vjen përpara publikut në kinematë e Tiranës.

Filmi me skenar nga i ndjeri Artan Minarolli dhe regji Bujar Alimani, që nga prezantimi i parë i tij ka marrë vlerësimin e kritikës dhe tani premiera është në kinema për publikun.

Aktorë në role janë Viktor Zhusti, Ndriçim Xhepa për të vijuar me Xhevdet Ferin, Kasem Hoxha, Rovena Lule, Bislim Muçaj, Kristaq Skrami, Mehmet Xhelili, Jorgaq Tushe, Todi Llupi, Lulzim Zeqja, Mirela Naska, etj.

Në një reagim të tij për filmin që ka filluar që nga data 10 janar të shfaqet në kinematë e Tiranës për publikun regjisori Bujar Alimani shprehet se po vjen në ekranin e madh pas suksesit në Varshavë.

Përveçse fitues nga grandi i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, ky film u shpall më parë dhe fitues i një grandi nga “Europa Krijuese”.

Filmi shqiptar “Delegacioni” nis ngjarjet në tetor të vitit 1990. Disa të burgosur politik ndjekin me interes në televizion mbërritjen e një delegacioni evropian për të parë nga afër reformat demokratike, që ka marrë qeveria e Tiranës, si kusht kryesor për t’u futur Shqipëria në KSBE (sot OSBE). Kryesues është zoti Loherin, që i vetmi njeri i besuar për të është miku i shkollës në Pragë, Leo, i gjendur brenda  burgut në Shqipëri. Rreth kësaj zhvillohet “Delegacioni”.

Leon që regjimi e kishte burgosur, e nxjerr nga burgu për të pohuar ato vite se Shqipëria është një vend i reformave demokratike dhe për të takuar kreun e delegacionit që do të vinte. Ndërkohë që Leo e kupton se çfarë do të ndodhte dhe kërkon të vrasë veten, por këtë e bën gardiani i burgut

Filmi “Delegacioni” vjen premierë në Kosovë në Cineplexx

Projekti filmik “Delegacioni” me skenar të Artan Minarollit dhe regji të Bujar Alimanit, u dha premierë botërore në edicionin e 34 të festivalit prestigjioz ‘Warsaw Film Festival’.

Filmi ishte pritur shumë mirë në ketë kompeticion nga ku edhe u shpërblye me çmimin e madh Grand Prix dhe fitoi edhe një çmim për humanizëm. Dy jave më pas, filmi ishte gjithashtu në kompeticion edhe në Tirana International Film Festival. Kjo ishte edhe premiera për Shqipëri, ku gëzoi një interesim të madh. “Delegacioni” në TIFF u shpall fitues i shumëfishtë, me gjithsej katër çmime. Çmimin si skenari më i mirë, çmimin e publikut, çmimin e medias dhe çmimin special të jurisë për kastën e mrekullueshme të aktorëve.

Pas rrugëtimit të suksesshëm, më 26 Nëntor filmi “Delegacioni” vjen premierë edhe në Kosovë, në Cineplexx, në ora 19:00./telegrafi.com /KultPlus.com

Festivali i Varshavës, flet anëtarja e jurisë: Ja pse fitoi filmi shqiptar!

Pas triumfit të filmit “Delegacioni” me regji të Bujar Alimanit në edicionin e 34-t të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Varshavë, në një intervistë për mediet e huajak ka reaguar një prej antareve të jurisë, Joanna Kos-Krauze.
Ajo është shprehur se “Grand Prix” shkoi për “Delegacionin”, pasi ky ishte një film i përmbushur në çdo aspekt. Krauze zbulon ndër të tjera gjatë intervistës, se vendimi për t’i dhënë “Çmimin e Madh” filmit të Alimanit ka qenë unanim.

Gazetari: përse ky film e ka fituar Festivalin e Filmit të Varshavës?

Joanna Kos-Krauze: Për ne, për pesëshen e anëtarëve të jurisë, ishte filmi më i përmbushur. Ndër fimat pjesëmarrës kishte disa shumë të mirë, por ky, absolutisht, menduam që ishte i tillë në çdo aspekt, që nga skenari, përmes një regjisure shumë të ndërgjegjësuar, karakteret e ndërtuara në mënyrë të shkëlqyer, aktorët në të gjitha episodet ishin fenomenalë, vlerësuam gjithashtu që ky ishte një ndër filmat e parë, në kinematografinë shqiptare, dukej që filmi ishte me buxhet të ulët, por sakaq, shumë i mençur i mirë-menduar në produksion, film, që gjithashtu ka nevojë për mbështetje, por ky nuk ishte aspak argumenti kryesor, por vetëm një argument anësor. Në fund të fundit, një kinematografi e shkëlqyer, njerëz të ndërgjegjshëm dhe të pjekur kanë realizuar shumë. (…) Pastaj, nuk është e thjeshtë të bësh një kinematografi politike, e cila të prekë ndjenjat, të provokojë dhe në fund të jetë edhe humoristike. Prandaj, me të vërtetë një punë e shkëlqyer, ua rekomandoj të gjithëve, tek fundit, ky është një verdikt që do të shkaktojë bujë. Verdikti ishte unanim.

Gazetari: Si i qaseni ju zonjë detyrës së anëtarit të jurisë, a i qaseni kësaj detyre me ndonjë tezë paraprake, apo e lini veten, që të habiteni nga ajo që do të gjeni në sallën e kinemasë?

Joanna Kos-Krauze: Asnjëherë nuk nisem me ndonjë tezë paraprake, unë përgjithësisht kam shumë dëshirë të jem në juri, vetëm se jo në Poloni (qesh), se këtu është e vështirë. Është vështirë që më pas t’ua shpjegosh, ndonjëherë edhe disa prej kolegëve vendimet e marra, shpesh krijohen hatërmbetje. Ndërkohë më pëlqen shumë të jem jashtë shtetit, nëse kam kohë dhe më jepet mundësia, ngaqë, kjo është edhe një mundësi të shohësh kinemanë nga rajone të ndryshme të botës, me të cilat, pavarësisht nga ç’mund të duket, nuk kemi fare kontakte, pasi, edhe pse sot ekziston një shumicë platformash shifrore, apo media, ne sidoqoftë kemi nevojë për udhërrëfyes. Unë, këtë vitin e fundit pata mundësinë të shihja filma nga kaq shumë vende të ndryshme të botës, dhe kaq shumë kinematografi të ndryshme, që është pothuaj e pamundur, jashtë këtyre festivaleve. Si anëtar i një jurie, sidoqoftë je i detyruar, që t’i shohësh me vëmendje ata katër filma në ditë dhe unë jam gjithnjë shumë mirënjohëse për një përvojë të tillë.

Filmi shqiptar “Delegacioni”

Ngjarjet në këtë film zhvillohen në tetor të vitit 1990. Regjimi komunist kërkon që të mbajë pushtetin, ndërsa në Shqipëri vjen një delegacion evropian mbërrin në Tiranë për të parë nga afër mbarëvajtjen e reformave të qeverisë. Kusht ky, që Shqipëria të pranohet në OSBE. Leo është dënuar 15 vite burg, ai është një burgosur politik, që për qeverinë është bërë jashtëzakonisht i vlefshëm, sepse delegacioni udhëhiqet nga një shok i shkollës së vjetër të Leo’s. Ata duhet që të mbarëvajtjen të drejtave të njeriut në Shqipëri. Leo është ai që duhet të bind delegacionin se çdo gjë është në rregull, por ngjarjet marrin tjetër rrjedhë. Filmi shqiptar me buxhet shumë të ulët dhe ka nevojë për mbështetje, por ishte absolutisht më i miri!/ shekull.com.al/ KultPlus.com

E nisi Artan Minarolli dhe e përfundoi Bujar Alimani, filmi ‘Delegacioni’ me premierë botërore në Warsaw International Film Festival

Konsiderohet të jetë një ndër projektet filmike më prekëse në historinë kinematografike shqiptare, pasi që, përralla e këtij filmi ishte shkruar nga i ndjeri Artan Minarolli, dhe ky projekt, me miratimin e familjes Minarolli, ka kaluar në dorën e regjisorit shqiptar Bujar Alimani, që ky film të rrumbullakohet ashtu sikur edhe e kishte nisur Minarolli, shkruan KultPlus.

Bëhet fjalë për filmin “Delegacioni”, që tash do të prezantohet premierë në festivalin e kategorisë A në Warsaw International Film Festival që do të mbahet në Poloni.

Me rolet kryesore në këtë film luajnë aktorët: Viktor Zhusti, Ndriçim Xhepa, Kasem Hoxha, Tristan Halilaj, Bislim Mucaj, Rovena Lule, Mirela Naska, Fatlume Bunjaku, Kristaq Skrami, Mehmet Xhelili, Armando Dauti, Ilirian Ali, Samuel Vargu, Denardo Neziri, Genc Minarolli, Avdullah Gjikokaj, Artan Selimi, Gjon Kola, Armend Smajli, Gani Morina, Lulzim Zejqa, Todi Llupi, Jorgaq Tushe, Drita Turkeshi, Ilira Turkeshi dhe Selman Lokaj. Ky film është mbështetur nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë në Shqipëri dhe asaj të Kosovës.

Kurse kolon zanore e këtij filmi është punuar nga Ilir Bajri e Turkeshi Minarolli, kolonë kjo që është kënduar nga sopranoja e famshme Inva Mula./KultPlus.com

Është regjistruar kolona zanore për filmin e madh “Delegacioni”, këndon këngëtarja e madhe shqiptare (FOTO)

Konsiderohet të jetë një ndër projektet filmike më prekëse në historinë kinematografike shqiptare, pasi që, përralla e këtij filmi ishte shkruar nga i ndjeri Artan Minarolli, dhe ky projekt, me miratimin e familjes Minarolli, ka kaluar në dorën e regjisorit shqiptar Bujar Alimani, që ky film të rrumbullakohet ashtu sikur edhe e kishte nisur Minarolli, shkruan KultPlus.

Bëhet fjalë për filmin “Delegacioni”, që tash e sa kohë ka përfunduar xhirimet, mirëpo, regjisori i këtij filmi i është përveshur punës që ky film të ketë edhe kolonën zanore.

Dhe pikërisht kjo punë i është besuar këngëtares së madhe shqiptare Inva Mula, e cila tashmë ka regjistruar kolonën zanore për këtë film, kolonë kjo që është punuar nga Ilir Bajri e Etleva Turkeshi Minarolli.

Për këtë regjistrim, për KultPlus ka konfirmuar edhe këngëtarja shqiptare Inva Mula, e cila ka treguar se ky regjistrim tashmë ka përfunduar në Prishtinë.

Me rolet kryesore në këtë film luajnë aktorët: Viktor Zhusti, Ndriçim Xhepa, Kasem Hoxha, Tristan Halilaj, Bislim Mucaj, Rovena Lule, Mirela Naska, Fatlume Bunjaku, Kristaq Skrami, Mehmet Xhelili, Armando Dauti, Ilirian Ali, Samuel Vargu, Denardo Neziri, Genc Minarolli, Avdullah Gjikokaj, Artan Selimi, Gjon Kola, Armend Smajli, Gani Morina, Lulzim Zejqa, Todi Llupi, Jorgaq Tushe, Drita Turkeshi, Ilira Turkeshi dhe Selman Lokaj. Ky film është mbështetur nga Qendra Kombwtare e Kinematografisë në Shqipëri dhe asaj të Kosovës./KultPlus.com