Me ekspozitë, shfaqje e muzikë, URACult solli një mbrëmje kulturore me frymë shqipe në Köln

Një program të larmishëm kishte përgatitur shoqata kulturore URACult në organizimin “URACult Teatri 2019 – Arti dhe Kultura buzë Ibrit” që mblodhi në Köln një numër të mirë mysafirësh nga të gjitha anët e Gjermanisë.

Mbrëmja filloi me hapjen e ekspozitës “URA” të Kushtrim Istrefit. Artisti i ri mitrovicas prezantoi një pjesë të punimeve të tij me vizatime të 13 urave shqiptare. Profesor Hajrush Fazliu i cili e hapi ekspozitën, vlerësoi lart punën e studentit të tij duke parashikuar një të ardhme të ndritshme artistike për të. Edhe publiku priti jashtëzakonisht mirë këtë ekspozitë të veçantë dhe gjatë gjithë mbrëmjes u zhvilluan biseda të shumta me artistin mitrovicas.

Me dramën “Komedi e kuqe”, të autores Albana Muja e në regji të Kreshnike Osmanit, aktorët e teatrit „Muharrem Qena“ nga Mitrovica i sollën publikut shqiptaro-gjerman në skenë jetën e një çifti shqiptar diku në Gjermani. Drama trajton dukurinë shumë të përhapur të ”martesave me pagesë për letra”.

Paraqitja e shkëlqyeshme e aktoreve Xhejlane Tërbunja dhe Njomza Tmava si dha aktorëve Mehmet Pretei dhe Fisnik Istrefi u shpërblye nga publiku me duartrokitje të gjata

Aktorët Fisnik Istrefi (vargje nga „Lahuta e malësisë”) si dhe aktori Eshref Durmishi (Hymni i Skënderbeut) i cili ishte mysafir i këtij organizimi, me paraqitjet e tyre spontane në skenë pasuruan këtë mbrëmje ashtu kështu të pasur artistike.

Pjesën muzikore të mbrëmjes e mbuloi Arbër Krasniqi i cili kishte përgatitur një program muzikor me këngë të përzgjedhura shqiptare dekadash të ndryshme. Me performancën e tij ai ngriti publikun në këmbë disa herë por edhe publiku në asnjë këngë nuk e la atë vetëm dhe kështu çdo këngë u këndua bashkë.

Që mbrëmjet si kjo mungojnë në Gjermani tregon edhe fakti se shumë mysafirë kishin bërë rrugë të gjatë nga qytetet tjera për të qenë të pranishëm në mbrëmjen që i dedikohej Mitrovicës dhe skenës së saj artistike. Përkundër kushteve të vështira në të cilat ata punojnë, aktivitetet e tyre nuk ndalen.

Të nesërmen punimet e Kushtrim Istrefit u prezantuan edhe në Troisdorf dhe ekspozita u vizitua nga një numër i konsiderueshëm i mysafirëve shqiptaro-gjerman.

Në orarin e URACult-it për këtë vit gjinden edhe një mbrëmje vallëzimi me 26 tetor si dhe promovimi në Gjermani i albumit të Rona Nishliut (“MIndil”) me 16 nëntor në Köln. / KultPlus.com

Mbrëmja letrare organizuar nga URACult prezantoi kulturën shqiptare në Gjermani

Në prag të pushimeve verore, dashamirëve të fjalës së shkruar në metropolin buzë lumit Rhein, shoqata kulturore URACult ju dhuroi një mbrëmje letrare e cila u prit jashtëzakonisht mirë.

Sipas fjalëve të organizatorit, interesim i madh për pjesëmarrje në këtë mbrëmje letrare kishte edhe nga autorë të ndryshëm nga Gjermania dhe vendet fqinje. Kjo tregon se në diasporë është duke u rritur një gjeneratë e re autorësh shqiptarë, që ngadalë por sigurt, është duke e gjetur vendin e saj në hapësirën letrare të vendeve ku jetojnë.

Autorët e rijnë që lexuan në mbrëmjen e mbajtur në Köln, Jetë Zhitia dhe Driton Sadiku, në veprat e tyre trajtojnë tema të gjeneratës së cilës i takojnë, gjeneratë që është rritur në dy kultura dhe që  gjithnjë konfrontohet me pyetjen: Kush jam unë? Ku është vendi im? Në lexime emocionale të dy autorët trajtuan shtegtimin e tyre në dy kulturat me të gjitha anët pozitive dhe negative të tyre.

Emocionalitetin e përjetimeve të tyre shumë personale i përjetoi për së afërmi edhe publiku e në bisedat e zhvilluara me moderatoren pas leximeve, autorët shpaluan mendime interesante mbi shoqërinë shqiptare në vendlindje dhe diasporë. Përvojat dhe vrojtimet nga perspektiva e tyre si intelektual të rijnë ishin temë bisede edhe me publikun pas përfundimit të programit.

Në këtë mbrëmje autori Selajdin Gashi lexoi pjesë nga veprat e Azem Shkrelit, Ali Podrimjes dhe Ismail Kadaresë.

Mbrëmja u mbyll me një rrugëtim muzikor nëpër trojet shqiptare. Babë e bijë, Agron dhe Tringa Shala, ofruan një performancë të shkëlqyeshme me këngë të  zgjedhura nga Shqipëria e Jugut, Kosova, Maqedonia Veriore deri te Arbëreshët e Italisë. I larmishëm si programi, ishte edhe publiku i kësaj mbrëmjeje që përbëhej edhe nga mysafirë nacionalitetetesh të tjera. Ky është edhe qëllimi i shoqatës URACult që me këso organizimesh të mbledh edhe komunitetin joshqiptar në Gjermani për tu prezantuar atyre kulturën shqiptare. Në vitin në të cilin festohet pesë vjetori i themelimit, URACult vërtetoi edhe një herë nivelin e lartë të organizimit të ngjarjeve kulturore. / KultPlus.com

Bujar Alimani dërgon në Gjermani historinë e diktaturës komuniste të Shqipërisë

Projekti për vitin 2019 i shoqatës URACult i quajtur „URA 5” filloi të shtunën në lokalet e “Filmclub 813” në Köln me organizimin „URACult Movie“.

Artdashësve nga kjo pjesë e Gjermanisë iu prezantua filmi „Delegacioni“ i regjisorit Bujar Alimani. Shfaqja e filmit i cili momentalisht është duke u prezantuar në festivale të ndryshme, mblodhi një numër të konsiderueshëm të shikuesve. Kritika e tyre për këtë filmi ishte duartrokitja e gjatë për regjisorin Alimani i cili u lidh drejtpërdrejtë nga Nju Jorku me kinemanë në Köln.

Çmimet që mori filmi si „Çmimi i Madh“ në edicionin e 34 të festivalit ndërkombëtar të filmit “Warsaw Film Festival” vërtetojnë vlerën e lartë artistike të tij. Me një grup aktorësh të shkëlqyeshëm, regjisori Alimani ka arritur që në 80 minuta të sjell shikuesve shumë afër gjithë historinë e diktaturës komuniste në Shqipëri e cila numëronte ditët e saj të fundit. Për shumë nga shikuesit në sallë  filmi ishte një kthim në një periudhë të jetës së tyre apo jetës së prindërve e gjyshërve siç tregon edhe Aurora Barçi nga Kölni, një nga mysafirët e mbrëmjes.

“Unë jam rritur me historitë e komunizmit që më tregonin gjyshërit dhe prindërit e mi. Ky film ishte një kthim pas në kohë dhe që të bën të reflektosh mbi vlerën e një sistemi demokratik“.

Në shfaqje ishte i pranishëm edhe aktori Ilir Rexhepi i cili jeton dhe vepron në Gjermani. Ai e vlerësoi lartë filmin dhe tha se „ky film vërteton se kinematografia shqiptar po ecën përpara dhe filmit  i dëshiroj suksese edhe në festivalet tjera të filmit në botë“.

Në bisedë regjisori Alimani falënderoi organizatorin për prezantimin e filmit në Köln duke thënë se e çmon shumë punën e celulave kulturore si URACulti të cilat u sjellin afër artdashësve vlera artistike në vendet e tyre, larg tepihëve të kuq dhe dritave të fotografëve në festivale.

Shoqata URACult vërtetoi edhe një herë punën e saj të vlefshme të  filluar para gati pesë vitesh në promovimin e kulturës shqiptare në Gjermani. „Në thelb, URACult për mua është një pikëz atdhe që na ofrohet në mënyrën më të sofistikuar dhe plot laramani në jetën tonë në Gjermani“ flet specialistja për menaxhimin e të dhënave Aurora Barçi e cila rregullisht është e pranishme në organizimet e URACult-it.

Ndonëse për herë të parë në një organizim të kësaj shoqate, aktori Ilir Rexhepi poashtu mbeti shumë i kënaqur si me programin e poashtu me rrethin e njerëzve që ishin mbledhur në këtë  mbrëmje në metropolën pranë lumit Rhein.

“Është i rëndësishëm dhe i nevojshëm funksionimi i shoqatave të tilla si URACult në Gjermani. Ndërlidhja dhe bashkëpunimi në sfera të ndryshme, edhe në  sferat kulturore-artistike me Gjermaninë është mbase i nevojshëm sepse Gjermania është mike dhe përkrahëse e madhe e shqiptarëve“, foli aktori Rexhepi i cili momentalisht është duke punuar në disa projekte të ndryshme në Gjermani.

Për këtë mbrëmje ishte planifikuar edhe një bisedë me aktorin Kasem Hoxha i cili luan në filmin „Delegacion“ por fluturimi i tij nga Kroacia ku kishte xhiruar për një projekt televiziv gjerman ishte anuluar. Por ai i përshëndeti të pranishmit në Kino me një video disaminutëshe nga aeroporti i Splitit.

Me 29. Qershor URACult organizon për të tretën herë mbrëmjen letrare “URACUlt Literae” ku do të lexojnë disa autorë të rijnë shqiptarë. / KultPlus.com

Filmi “Delegacioni” shfaqet në Gjermani, i pranishëm edhe aktori Kasem Hoxha

 

Këtë vit shoqata “URACult” nga Köln-i, për ditëlindjen e sajë të pestë, për artdashësit ka përgatitur një projekt me pesë organizime të ndryshme, shkruan KultPlus.

 Organizimi i parë është projekti  i cili titullohet “URA 5“, e që është mbrëmja e filmit ku do të shfaqet filmi “Delegacioni“ i regjisorit Bujar Alimani. Aktorët kryesore në këtë film janë: Viktor Zhusti, Xhevdet Ferri, Ndriçim Xhepa, Richard Sammel, Kasem Hoxha. Në filmin i cili është një bashkëpunim i Shqipërisë, Kosovës, Francës dhe Greqisë, nga Kosova paraqiten aktorët: Bislim Muçaj, Selaman Lokaj, Avdullah Gjikokaj, Fatlume Bunjaku, Armend Smajli, Gani Morina, Arta Selimi, Imer Loshi.

Për filmin i cili ka fituar Çmimin e Madh në edicionin e 34 të festivalit ndërkombëtar të filmit “Warsaw Film Festival”, për shkak të interesimit të madh, filmi do të shfaqet të shtunën në “Filmclub 813”. Me këtë raste do të jetë i pranishëm edhe aktori Kasem Hoxha me të cilin pas filmit do të zhvillohet një bisedë por edhe shikuesit do të kenë mundësinë e bisedës me aktorin i cili është protagonist i shumë projekteve filmike edhe në Gjermani.

Ndërsa  në muajin e ardhshëm “URACult” do të organizoj për të tretën herë mbrëmjen letrare “URACult Literae” ku do të lexojnë disa autorë interesant.        

  “URACult” është shoqatë nga Köln-i i Gjermanisë  misioni i të cilës është prezantimi i artit ndërkombëtar. Po ashtu vizion i tyre është  përhapja e një harku artistik nga Ballkani ndërkombëtar dhe për të kombinuar më të mirën e të gjitha drejtimeve artistike.

 “URACult” sheh veten si një forum për të gjitha llojet e formave të artit, të tilla si  Muzika, teatri, piktura, vallëzimi dhe çfarëdo tjetër është atje.   / KultPlus.com     

                                                           

Mbrëmje e veçantë kulturore shqiptare në Koln

Me edicionin e dytë të mbrëmjes letrare “URACult Literae”, shoqata kulturore URACult nga Köln-i ofroi edhe një herë një mbrëmje të veçantë kulturore.

Me autoret Lindita Arapi dhe Anita Rafuna, URACult-i kishte ftuar dy autore gjeneratash dhe zhanresh të ndryshme, por edhe temash të ndryshme të veprave të tyre, shkruan albinfo.ch.

Lindita Arapi, autorja e romanit “Vajzat me çelës në qafë”, pjesë nga i cili u lexuan në këtë mbrëmje, solli një temë të dhimbshme të së kaluarës shqiptare: vuajtjet e popullit gjatë diktaturës komuniste të cilës nuk i shpëtuan as më të vegjlit, siç ishte protagonistja Lodja.

Edhe në bisedën me moderatoren e autorja Arapi shpalosi shumë kujtime dhe përjetime të saj dhe familjes së saj gjatë diktaturës, periudhë me të cilën shoqëria shqiptare ende nuk ka filluar përballjen. As viktimat e as ish-anëtarët e aparatit diktatorial shtetëror.

Emocionale dhe rrëqethëse ishte edhe paraqitja spontane e aktorit Kasem Hoxha. Ai recitoi poezinë “Vertikal” të Petrit Palushit për historinë e dhimbshme të poetit Havzi Nela. Edhe ky viktimë e diktaturës së tmerrshme komuniste.

Autorja e re Anita Rafuna kishte filluar qysh në moshën 16 vjeçare të shkruaj romanin e parë të saj. Leximi i saj nga vepra “Vrapuesja” e shkruar me shumë fantazi u prit shumë mirë nga publiku.

Sidomos dy tekstet e saj në “poetry slam” me tema interesante u duartrokitën gjatë nga të pranishmit të cilët nuk kursyen me lëvdata dhe falënderime edhe për organizatorët të cilët edhe një herë ofruan një organizim kulturor të nivelit të lartë./ KultPlus.com

“URACult Literae” një mbrëmje letrare shqiptare në Gjermani

Me edicionin e dytë të “URACult Literae”, shoqata URACult nga Köln-i vazhdon aktivitetin e saj në promovimin e kulturës ballkanike në Gjermani.

Në mbrëmjen letrare që mbahet të shtunën, URACult-i mirëpret dashamirët e letërsisë me dy autore zhanresh të ndryshme.

Autorja shqiptare Lindita Arapi e cila aktualisht punon si përkthyese dhe gazetare e Deutsche Welle-s, do të lexoj nga veprat e saj të cilat janë përkthyer në gjuhë të ndryshme.

Ndër veprat e saj më të njohura është romani “Vajzat me çelës në qafë”, (2010) i cili është përkthyer edhe në gjuhën gjermane “Schlüsselmädchen” (Dittrich Verlag, 2013).

Anita Rafuna është po ashtu autore librash e cila qysh në moshë 16 vjeçare ka shkruar romanin “Vrapuesja” i cili u botua në vitin 2015. Në këtë mbrëmje letrare, studentja e filozofisë dhe gjermanishtes do të paraqitet me poezi slam (poetry slam), zhanër me të cilin ka pasur paraqitje të shumta në krejt Gjermaninë./ KultPlus.com

Uracult e Kölnit sjell vlerat shqiptare në Evropë

Ky nuk ishte vetëm një koncert rasti, por takim i intelektualëve të vjetër dhe të rinj, i atyre që janë formësuar në trevat shqiptare e edhe i atyre në Evropë.

Alma Bejtullahu, Driton Gashi dhe Kushtrim Gashi, për një mbrëmje të tërë fundjavën që iku, mbajtën sytë dhe shpirtin e publikut në skenën e vogël të shtëpisë së kulturës Mütze në Köln. Ata në kuadër të shoqërisë kulturore shqiptare UraCult të Kölnit kënduan këngë që nga Shqipëria e mesme e deri në veriun e Shkodrës.

Të rralla janë mbrëmjet elite artistike në skenat evropiane kur artistët e rritur në ato mese bashkohen dhe japin shfaqje shqip, me ato vlera që i nxjerrin nga pasuria krijuese kombëtarë dhe i sheshojnë para bashkëkombësve, por edhe para të huajve. Por të rralla janë edhe mbrëmjet e tilla në atdhe, në skenat që sikur janë harruar, ashtu si defiluan këngët shqiptare në Köln, nga zërat e këngëtarëve Alma Bejtullahu dhe Driton Gashi, të përcjellë me orkestrimet brilante të kompozitorit Kushtrim Gashi me seli në Darmstadt të Gjermanisë.

Alma Bejtullahu kishte ardhur nga Lubjana, ndërsa Driton Gashi nga Reklinghausen i Gjermanisë. Ata i bashkuan zërat në një mikrofon, i bashkuan këngët dhe i bashkuan shqiptarët dhe miqtë e tyre gjermanë, për ta dëgjuar këngën e kultivuar qindvjeçare shqipe, por për të ofruar edhe këngë të reja.
Ky nuk ishte vetëm një koncert rasti, por takim i intelektualëve të vjetër dhe të rinj, i atyre që janë formësuar në trevat shqiptare e edhe i atyre në Evropë. Në këtë atmosferë, artistja e madhe Alma Bejtullahu, solli aq shumë këngë të „fjetura“ shqiptare, që kanë dalë si perla të pavdekshme nëpër kohë nga njeriu i atyre viseve. Ajo bashkë me Driton Gashin, për disa minuta i sollën në skenë edhe jaret shkodranet dhe këngët e Shqipërisë së mesme duke dalë edhe përtej Shkumbinit, për t’i zbritur nga rrënzat e Tomorit këngët beratase.

Por e gjithë kjo nuk mori fund me kaq. Driton Gashi, promovoi aty edhe këngët e albumit të tij të dytë me titullin simbolik „Shtegtar“ ku i ka përfshirë këngët e kënduara më parë edhe nga këngëtarë të tjerë, por edhe këto të vetat origjinale. Por një këngë e përpunuar e shkrirë aq bukur artistikisht, ishte edhe kënga e njohur e Jusuf Gërvallës „Do të kthehem nënë“, të cilën nuk e këndoi vetëm Driton Gashi, por edhe Jusuf Gërvalla. Ai kishte bërë shkrirjen e dy zërave në një këngë që solli emocione të thella, duke ruajtur melodinë e origjinalit dhe duke iu përshtatur timbrit baladik të Jusuf Gërvallës në këtë këngë.

Duke falënderuar publikisht edhe Suzana Gërvallën, gruan e Jusufit për lejen që këngën ta bëjë në këtë mënyrë si kishte dashur, Driton Gashi shprehu një mirënjohje me emocion për familjen Gërvalla, që aty u përfaqësua nga Donika Gërvalla.
Po ashtu, një këngë e re, si „Prishtina ime“ që këtu u dëgjua për herë të parë, riktheu kujtimet për qytetin e të rinjve të një kohe, që u desh ta braktisnin atë në kohë lufte, me dhembje të mëdha, për ta nderuar tash vendin e tyre në zemër të Evropës me vlera shkencore, kulturore, arsimore e sportive.

Kjo ishte vetëm një mbrëmje, vetëm një hap në udhëtimin e shoqërisë kulturore shqiptare UraCult në Köln që me ngulm po e shfaq kulturën dhe krijimtarinë shqiptare në një metropol evropian me ndihmën e djemve dhe vashave tona që kanë përfunduar universitetet dhe studimet e larta në Gjermani.

Po në të njëjtën skenë, UraCult, më 14 tetor ka organizuar edhe shfaqjen e regjisorit Jeton Neziraj „Një shfaqje me katër aktorë…“, e cila sërish do t’i tubojë shqiptarët dhe miqtë e tyre gjermanë në Köln./ KultPlus.com