Akademia e Shkencave, tryezë për studimet historike shqiptare

“Studimet historike shqiptare sot, sfida dhe probleme” titullohej tryeza e rrumbullakët e organizuar nga komisioni i përhershëm i historisë, pjesë e Akademisë së Shkencave.

Në tryezë morën pjesë kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi, sekretarja shkencore e ASHSH-së, Anila Hoda, kryetari i Seksionit Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike, ASHSH, Gëzim Hoxha dhe me pjesëmarrjen e anëtarëve të Institutit të Historisë, komisionit të përhershëm të historisë, profesorë e studiues të Universitetit të Tiranës, si dhe përfaqësues nga Drejtoria Qendrore e Arkivave.

Kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi në fjalën e tij tha se tematika e kësaj tryeze të rrumbullakët trajtohet në një moment kulmor, siç është dorëzimi i veprës madhore të “Historisë së shqiptarëve” në katër vëllime, ku tashmë janë përfunduar dy vëllimet e para.

Gj8inushi vlerësoi edhe punën e historianëve të angazhuar në hartimin e kësaj vepre nën drejtimin e prof. dr. Cekës për periudhën e antikitetit; akad. Pëllumb Xhufit për periudhën e mesjetës, si dhe prof. dr. Milos e prof.dr. Dukës për vijimin e punës me dy vëllimet e tjera.

“Ky takim pune do të shërbejë në hapjen e disa rrugëve për të paraqitur “Historinë e shqiptarëve” në mënyrë të paanshme për ato çështje që ofrojnë debatet më të nxehta”, tha Gjinushi.

Kryetari i Komisionit të përhershëm të historisë, Prof. Paskal Milo u uroi mirëseardhjen të pranishmëve dhe falënderoi Gjinushin për praninë dhe mbështetjen e kësaj veprimtarie, në një kohë kur çështja e historisë së shqiptarëve përbën një shqetësim të vazhdueshëm me problematikat që ka e sfidat që duhet të përballojë.

Prof. Paskal Milo mbajti kumtesën me temën “Studimet historike shqiptare, sfida dhe probleme”, ku u ndal në disa aspekte të rëndësishme të problematikave dhe të sfidave që ka historiografia jo vetëm në Shqipëri, por që janë të reflektuara edhe në përvojën botërore, siç është politizimi i historisë.

“Ky fenomen shfaqet me përdorimin selektiv të botimeve, glorifikimin e disa periudhave, ngjarjeve dhe individëve historikë, dhe në denigrimin e disa të tjerave, në mohimet apo shtrembërimet e tyre, si dhe në keqinterpretimin e kontributeve përmes etiketimeve politike, në hartimin e kurrikulave dhe botimeve të teksteve shkollore, në ngritjen e komisioneve historike, si dhe në imponimin e klisheve në interpretimin e ngjarjeve dhe fakteve historike”, theksoi Milo.

Sipas tij, kjo fushë e shkencës po përballet gjithashtu dhe me krizën e burimeve arkivore, që rrjedh nga kufizimet në shfrytëzimin e arkivave, nga censura dhe mosrespektimi i afateve të deklasifikimit të dokumenteve etj, të cilat rrezikojnë të krijojnë një histori të fragmentarizuar.

Ai u ndal në çështje, si: raporti midis historisë globale dhe historisë kombëtare; roli i teknologjisë dhe i inteligjencës artificiale në historiografi; rivlerësimi i figurave historike në dritën e standardeve të sotme morale; instrumentalizimi i historisë në politikën dhe konfliktet bashkëkohore etj.

Prof. dr. Ferit Duka në kumtesën me temën “Historiografia dje dhe sot: arritje dhe probleme” dha një pasqyrim të gjendjes së historisë së sotme të shkruar në dy periudha, periudha e komunizmit dhe postkomunizmit.

Duka tha se në të dyja  periudhat partitë politike shqiptare dhe udhëheqësit e tyre kanë pasur një prirje të qartë për ta përdorur historinë në funksion të nevojës për legjitimitet dhe fuqizim të pozicionit të tyre në shoqëri.

Sipas tij, ky fenomen ka ushqyer edhe historiografinë  amatore, e cila, për fat të keq, ka qenë shumë e zëshme në media dhe në veprimtari të tjera me karakter publik.

“Sot kërkohen studime historike cilësore dhe për këtë nevojiten historianë cilësorë, me imunitet të fortë ndaj presioneve manipulative të origjinave të ndryshme. Kjo është një nga sfidat më të mëdha me të cilat po përballet historiografia jonë në ditë e sotme”, shtoi ai.

Tryeza u mbyll me kumtesën “Apatia historike e brezit të ri dhe sfida e rizgjimit të ndërgjegjes kolektive” e prof. dr. Arben Cici.

Në trajtesën e tij, ai u ndal në efektet që kanë rrjetet sociale dhe teknologjia tek brezat e rinj të cilët po distancohen gjithnjë e më tepër nga e kaluara, po e perceptojnë historinë si të largët, të mërzitshme dhe shpeshherë të parëndësishme për të tashmen apo të ardhmen.

Në këtë drejtim, prof. dr. Cici propozoi disa ide për shmangien e këtyre fenomeneve negative si: reformimi i kurrikulës së lëndës së historisë; qasja e re didaktike e mbështetur në mendimin kritik dhe ndërtimin e interesit ndaj historisë; përdorimi i teknologjisë si mjet ndihmës për aplikime të realitetit virtual që simulojnë ngjarje historike, dokumentarë interaktivë e platforma të tjera; aktivizimi përmes projektit dhe kujtesës aktive; angazhimi i të rinjve  në projekte kujtese (vizita në kampe përqendrimi, monumente përkujtimore, ekspozita); shembuj dhe përvoja konkrete nga vendet e tjera etj.

Në fund të veprimtarisë, pjesëmarrësit zhvilluan diskutime rreth fenomeneve dhe çështjeve më thelbësore të trajtuara nga kumtuesit.

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit

Dita Ndërkombëtare e Librit dhe të drejtave autoriale që është përzgjedhur të jetë 23 prilli, është një datë me kuptim simbolik për letërsinë botërore.

Me këtë datë të vitit 1616, lidhet vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore: Shekspirit në Angli dhe Miguel de Servantes në Spanjë.

I pari konsiderohet si shkrimtari më i madh i të gjitha kohëve dhe vendeve, ndërsa i dyti është autori i veprës më të përkthyer në botë. Kjo datë lidh edhe autorë tjerë në ditën e lindjes a vdekjes së tyre: Inca Garcilaso de la Vega, Maurice Druon, Halldór Kiljan Laxness, Vladimir Nabokov, Josep Pla dhe Manuel Mejia Vallejo.

Kjo datë shënohet në botë që nga viti 2003, ndërsa është përzgjedhur në vitin 1995 me qëllim të kontribuojë në mbarë botë për të drejtat e autorit duke inkurajuar të gjithë, e në veçanti të rinjtë për të zbuluar kënaqësinë e leximit.

Kjo datë është edhe një thirrje për të rritur respektin për kontributet e pazëvendësueshme të autorëve dhe librit në progresin social dhe kulturor të njerëzimit./KultPlus.com

Ora e Tokës fik dritat në gjithë globin

Zelanda e Re ishte e para sot në të gjithë globin që fiku dritat duke përuruar kështu fillimin e ngjarjen mbarëbotërore të Orës së Tokës.

Lëvizja globale nxit vendet të fikin dritat për një orë për të tërhequr vëmendjen ndaj  ndryshimeve klimatike.

Monumentet e Auckland duke përfshirë ”Sky Tower” dhe ”Harbour Bridge”, plus ndërtesat e parlamentit në Uellington mbetën pa drita në orën 20:30 (07:30 GMT).

Më vonë, monumente të tjera anembanë globit, përfshirë Shtëpinë e Operës së Sidneit, Syrin e Londrës dhe kullën Eifel, do të fikin dritat e tyre në shenjë solidariteti.

Tani në vitin e saj të 18-të, koordinatori i WWF International po kërkon gjithashtu që njerëzit të kontribuojnë në “Jepni një orë për Tokën” dhe të shpenzojnë 60 minuta duke bërë diçka pozitive për planetin.

Drejtoresha e përgjithshme, Kirsten Schujit tha në vitin 2023 se mbi 410 000 orë i janë dhënë planetit tonë nga mbështetës në 190 vende dhe territore, që përfaqësojnë 90% të planetit.

“Është thelbësore të përfshihemi, nëse duam të rrisim ndërgjegjësimin për sfidat mjedisore dhe të përkulim kurbën e humbjes së biodiversitetit deri në vitin 2030”, tha ajo.

“Mbrojtja e planetit tonë është një përgjegjësi e përbashkët dhe kërkon veprim kolektiv nga çdo cep i shoqërisë”, theksoi Schujit.

Nisma filloi në vitin 2007 në Australi./atsh/KultPlus.com

Sot, Dita Botërore e Turizmit

Sot në botë shënohet Dita Botërore e Turizmit.

Turizmi është praktika, veprimi i marrë nga ata që udhëtojnë apo vizitojnë vende me qëllim zbavitjeje, njohurie dhe mësimi; sipas definicionit te Organizatës Botërore të Turizmit (World Tourism Organization, një nga departamentet e Kombeve te Bashkuara), turist quhet gjithkush që udhëton në vende të ndryshme nga ai në të cilin ka rezidencën aktuale, jashtë ambientit të përditshëm personal, për një periudhë prej minimumi një nate por jo më gjatë se sa një vit dhe qëllimi i tij i zakonshëm të mos jetë asnjë lloj veprimtarie nga e cila të përfitojë ekonomikisht.

 Në këtë term përfshihen të gjithë ata që udhëtojnë për: dëfrim, pushim dhe çlodhje; për të vizituar miq dhe të afërm; për motive pune dhe profesionale, për motive shëndeti, besimi/pelegrinazhi dhe tjetër.

Llojet e turizmit: Turizmi Bregdetar, Turizmi Kulturor, Eko Turizmi, Turizmi Elit, Turizmi Masiv, Turizmi Rural, Turizmi Nautik, Turizmi Kongresial, Turizmi Shëndetësor, Turizmi Fetar, Turizmi Seksual, Turizmi i Zi (Dark Tourism), Turizmi Dimëror.

Turizmi eshte veprimtari ekonomike ,tretësore që lidh prodhimtarinë me konsumin./KultPlus.com

‘Rana e hedhun’, magjia e natyrës që frymëzon turistët

 Në bregdetin e bukur të Shqipërisë, midis ujit kristaltë të Detit Adriatik dhe mrekullive të natyrës, qëndron një ndër atraksionet më tërheqëse dhe të mahnitshme: “Rana e hedhun”.

Ky monument natyror është një pikë për të gjithë ata që dëshirojnë të eksplorojnë bukurinë dhe pasurinë e kësaj zone të mrekullueshme.

Shëngjini, vendi ku ndodhet “Rana e hedhurn”, është një ndër destinacionet më të preferuara nga vizitorët  dhe turistët.

Siç edhe emri vetë tërheq vëmendjen, “Rana e hedhun” është një shfaqje e natyrës që tregon mënyrën unike se si uji i detit formon një pasqyrë të shkëlqyeshme në formën e një rane të ndezur, që duket sikur po hedh një cep të këmbës së saj në ujë. Ky fenomen i rrallë është rezultati i ndikimeve të ndryshme gjeologjike dhe hidrodinamike që kanë krijuar një hapësirë ku uji bie me forcë, duke krijuar një efekt vizual të mrekullueshëm.

Çdo vit, mijëra turistë vizitojnë këtë vend të jashtëzakonshëm për të ndier magjinë e natyrës dhe për të kapur fotografi të rralla që do t’i mbeten kujtimeve të tyre për gjithë jetën.

Kjo zonë nuk është vetëm një atraksion për të shijuar pamjen, por është gjithashtu një vend ku mund të kryeni aktivitete të ndryshme të argëtuese. “Rana e hedhun” është një destinacion i përshtatshëm për aventurat e ujit dhe zhytja. Në fakt, vizitorët mund të marrin pjesë në ekskursione të organizuara me anije të vogla, ku mund të eksplorojnë bregdetin, të shijojnë pamjet e pafund të horizontit detar dhe të mbërrijnë përballë “Ranës së hedhun”.

“Rana e hedhun” ka ndikim të madh edhe në ekonominë e zonës. Ky vend është bërë një burim i rëndësishëm të ardhurash për vendasit, të cilët krijojnë biznese të ndryshme të lidhura me turizmin, si restorante, dyqane suvenirësh, dhe shërbime udhëtimi.

Në një botë të ngarkuar me teknologji dhe zhurmë, “Rana e hedhun” është një shfaqje mgjaike dhe e papërsëritshme e natyrës që na bën të ndalemi, të mësojmë dhe të ndjehemi të lidhur me botën që na rrethon. Ky monument natyror, jo vetëm që frymëzon turistët të shohin bukurinë dhe fuqinë e natyrës, por gjithashtu na bën të reflektojmë mbi rëndësinë e ruajtjes dhe mbrojtjes së mjedisit tonë të çmuar./atsh/KultPlus.com

Bamirësit me zemër të madhe, kështu vishen Angelina Jolie, Emine Cunmulaj, Dua Lipa e Rita Ora (FOTO)

Organizata të mëdha botërore shumë shpesh kontraktojnë yje botërore për kauza të ndryshme të bamirësisë, dhe në këto kauza shumë shpesh i kemi parë edhe yjet shqiptare, shkruan KultPlus.

Rita Ora e Dua Lipa kanë bashkëpunuar me Unicef, për të takuar fëmijë në vende të ndryshme, kurse për këtë mision më së miri njihet ylli i madh botëror Angelina Jolie.

KultPlus ju sjell fotografi nga këto vizita, ky yjet shihen të jenë të veshur në mënyrë të thjeshtë, duke pas në fokus ngohtësinë që u falin fëmijëve në nevojë.

Në këtë vazhdë të bamirësisë është edhe modelja shqiptare Emina Cunmulaj, e cila edhe ajo njihet për modestinë e saj./ KultPlus.com