Javët Kulturore Ndërkombëtare vijnë në edicionin e 3-të

Javët Kulturore Ndërkombëtare vijnë në edicionin e 3-të

Lajmi bëhet me dije nga ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja.

Javët Kulturore Ndërkombëtare nisin rrugëtimin e tyre në këtë edicion të tretë, plot surpriza dhe energji të reja.

“”Po vijnë, po vijnë, po vijnë!

Javët Kulturore Ndërkombëtare nisin rrugëtimin e tyre në këtë edicion të tretë, plot surpriza dhe energji të reja!”, shprehet Gonxhja në rrjetet sociale.

Sipas tij, Shqipëria është gati të mikpresë botën duke promovuar kulturën unike të secilit vend dhe duke u përpjekur të krijojë ura lidhëse që përçojnë vlerat dhe traditat më të mira që bota ofron.

Ai fton qytetarët të bëhen pjesë e hapjes zyrtare të Javëve Kulturore Ndërkombëtare.

Ceremonia e hapjes do të mbahet në datën 1 maj, ora 20:00, në sheshin “Skënderbej”.

Javët Kulturore Ndërkombëtare (JKN) është një nismë e ish-Ministrisë së Kulturës 2022, që sjell në Shqipëri tingujt, imazhet, aromat dhe shijet e vendeve të ndryshme të botës.

Nëpërmjet këtij projekti vendet njihen më mirë, forcohen marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë, si dhe rritet oferta e aktiviteteve kulturore në Shqipëri për të gjitha shijet dhe moshat. JKN e shndërron skenën e aktiviteteve kulturore në vend në një arenë ndërkombëtare multikulturore dhe multidisiplinore./atsh/KultPlus.com

Dita Ndërkombëtare e Autizmit, presidenca shqiptare ‘vishet’ me ngjyrën blu

Në Ditën Ndërkombëtare të Autizmit, presidenca shqiptare është veshur me ngjyrën blu.

Presidenti Bajram Begaj ka ndarë në rrjete sociale pamjet e presidencës, si shenjë mbështetjeje dhe ndërgjegjësimi me të gjithë personat që janë me autizëm.

“Presidenca i bashkohet Ditës Ndërkombëtare të Autizmit dhe Muajit të Ndërgjegjësimit mbi të”, ka shkruar Presidenti Begaj./KultPlus.com

Sot, Dita Ndërkombëtare e Arsimit

Dita Ndërkombëtare e Arsimit është një ditë e përvitshme ndërkombëtare kushtuar arsimit e cila shënohet më datën 24 janar të çdo viti. Përcaktimi i saj si ditë ndërkombëtare është bërë nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në takimin e mbajtur më 3 dhjetor të vitit 2018, duke përkujtuar rolin që luan arsimi për paqen, përparimin dhe zhvillimin global, si dhe duke riafirmuar me këtë rast edhe faktin se “Arsimi është një e drejtë njerëzore, një e mirë publike dhe një përgjegjësi kolektive.” 

 Qëllimi i tjetër i caktimit të ditës kushtuar arsimit në nivelin ndërkombëtar është që të tërheq vëmendjen e qeverive dhe popujve për rolin dhe rëndësinë që luan arsimi si njëri ndër mjetet më të përshtatshme për të shpëtuar nga varfëria.

Pa një arsim cilësor gjithëpërfshirës dhe të barabartë si dhe mundësi për arsimim gjatë gjithë jetës për të gjithë, shtetet nuk do të kenë sukses në arritjen e barazisë gjinore dhe thyerjen e ciklit të varfërisë që është duke lënë miliona fëmijë, të rinj dhe të rritur në prapambeturi.

Duke shpallur Ditën Ndërkombëtare të Arsimit, vendet anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara njohën rëndësinë e punës arsimore për të siguruar një arsim cilësor gjithëpërfshirës dhe të barabartë në të gjitha nivelet – në mënyrë që të gjithë njerëzit të kenë qasje në mësimin gjatë gjithë jetës dhe përvetësimin e njohurive dhe aftësive të nevojshme për pjesëmarrje të plotë në shoqëri si dhe të kontribuojnë për një zhvillim të qëndrueshëm./KultPlus.com

Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut

Data 10 dhjetor është shpallur Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut. Kjo datë është një përkujtim i Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut, e cila u miratua në 10 dhjetor të vitit 1948 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.

Mbas këtij akti historik, Asambleja ftoi të gjitha shtetet anëtare që ta shpallin tekstin e Deklaratës dhe të përpiqen që të përhapet, paraqitet, lexohet dhe të shpjegohet, sidomos në shkolla dhe institucione të tjera edukuese, në të gjitha vendet dhe shtetet pa marrë parasysh statusin e tyre politik.

Asambleja e Përgjithshme shpalli këtë deklaratë si ideal të përgjithshëm të cilin duhet ta arrijnë të gjithë popujt dhe të gjitha kombet, në mënyrë që çdo njeri dhe çdo organizëm shoqëror, duke pasur parasysh gjithmonë këtë Deklaratë, të përpiqet që, me anë të mësimit dhe edukimit, të ndihmonte në respektimin e këtyre të drejtave dhe lirive dhe që, me anë të masave progresive kombëtare dhe ndërkombëtare, të sigurohej njohja dhe zbatimi i tyre i përgjithshëm dhe i vërtetë, si midis popujve të vetë shteteve anëtare, ashtu edhe midis popujve të atyre territoreve që janë nën administrimin e tyre.

Në këtë deklaratë spikat universaliteti, karakteri i pandashëm dhe i patjetërsueshëm i të drejtave dhe lirive, i standardeve ndërkombëtare të drejtave të njeriut; legjislacioni ndërkombëtar i të drejtave të njeriut; të drejtat e trashëguara; institucionet dhe procedurat për zhvillimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut./rtk/KultPlus.com

Sot, Dita Ndërkombëtare e të Moshuarve

Sot, shënohet Dita Ndërkombëtare e të Moshuarve.

Me qëllim të sensibilizimit të opinionit ndërkombëtar për rritjen e pjesëmarrjes së grupmoshave të vjetra (moshuara) në popullsinë e përgjithshme dhe pasojave nga një zhvillim i tillë, me qëllim të zhvillimit të një shoqërie për të gjitha moshat, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së më 14 dhjetor 1990, vendosi 1 tetorin si Ditën Ndërkombëtare të të Moshuarve.

Dita Ndërkombëtare e të Moshaurve është si vazhdimësi e planeve dhe nismave, siç ishte Plani Ndërkombëtar i Veprimit për Moshimin, i cili u miratua në vitin 1982 në Vjenë.

Shënimi i parë i kësaj dite fillon nga 1 tetori i vitit 1991, viti në të cilin Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi Parimet e Kombeve të Bashkuara për të Moshuarit, ndërsa në vitin 2002, në Madrid u miratua Plani (II) Ndërkombëtar i Veprimit për Moshimin në kërkim të mundësive për përgjigje të këtyre sfidave./KultPlus.com

Vajzat dhe gratë e Kosovës që shkëlqyen në botë – Luana Bajrami

KultPlus ju sjell 25 vajzat dhe gratë e Kosovës që u shndërruan në zërin e vajzave, djemve, grave dhe burrave të Kosovës.

Vajzat dhe gratë e Kosovës po vazhdojnë të shkëlqejnë në fusha të ndryshme, duke shndritë nëpër botë.

Me rastin e 8 Marsit, KultPlus ka përzgjedhë 25 vajza e gra që nëpërmjet fjalimeve, performancës, muzikës, sportit, filmit e biznesit kanë ngritë dhe kanë përfaqësuar vendin në mënyrë dinjitoze, e duke shndërruar Kosovën në një Kosovë të artë, në një Kosovë që synon Oscar, në një Kosovë që me rrëfimet e nxjerra po nga ky vend, i ka treguar botës po për dhimbjen, kurajën dhe guximin e vajzave dhe grave të vendit më të ri në kontinentin e vjetër.

Po këto vajza dhe gra u shndërruan në inspirimin e shumë vajzave, djemve, grave e burrave, të cilët kuptuan se ëndrrat nuk duhet dhe nuk mbeten vetëm ëndrra.

KultPlus ju sjell në vazhdim një nga regjisoret më të përmendura vitin e kaluar, Luana Bajrami, e cila punoi në filmin e suksesshëm nga kinematografia e Kosovës, “Luanesha e Kodrës”.

Ky film, në të cilin tre gra të reja dhe shpirtmadhe vendosin t’i shpëtojnë jetës së tyre të përditshme dhe të formojnë një bandë, u shfaq premierë në Festivalin e Filmit në Kanë.

Përpos premierës në Kanë, “Luaneshat e Kodrës”, ka triumfuar edhe në disa festivale të tjera ndërkombëtare, përfshirë Festivalin e Filmit Calgary, Fesivatlin e filmit “Raindance”. /KultPlus.com