Elena Ferrante, misteri i një gjeniu të padukshëm

Elena Ferrante është një nga shkrimtaret më të famshme bashkëkohore, e njohur për stilin e saj të ndjeshëm, brutal dhe thellësisht njerëzor.

Por ndryshe nga shumica e autorëve që kërkojnë dritat e famës, ajo është një figurë misterioze: askush nuk e di me siguri kush është. Ajo ka zgjedhur të mbetet anonime që nga fillimi i karrierës së saj letrare, duke shpjeguar se “një herë që një libër është shkruar, nuk ka më nevojë për autorin”. Kjo mungesë prezence fizike vetëm sa ka shtuar magjinë dhe kuriozitetin rreth saj. Ferrante është pseudonimi i një autoreje italiane që arriti famë ndërkombëtare me “Tetralogjinë Napolitane”, një cikël prej katër romanesh që nis me librin “Amica geniale” (Mikja gjeniale). Vepra rrëfen historinë e dy shoqeve, Lenës dhe Lilës, që rriten në një lagje të varfër të Napolit pas Luftës së Dytë Botërore.

Me një prozë të mprehtë dhe me ndjeshmëri të jashtëzakonshme, Ferrante eksploron miqësinë femërore, ndarjet shoqërore, dhunën, tradhtinë, seksualitetin dhe emancipimin. Ajo arrin të portretizojë realitetin kompleks të Italisë së pasluftës përmes përvojave intime të personazheve të saj femra, duke i dhënë zë një bote që për dekada ka qenë nën hijen e burrave. Një nga arritjet më të mëdha të Ferrantes është mënyra se si ajo përshkruan me ndershmëri të frikshme ndjenjat më të errëta të grave zilinë, xhelozinë, frikën, ndjenjën e pamjaftueshmërisë, por edhe fuqinë e heshtur të mbijetesës.

Shkrimi i saj është i drejtpërdrejtë, i zhveshur nga dekoratat stilistike, por i mbushur me tension psikologjik dhe reflektim shoqëror. Në një mënyrë thuajse të pavetëdijshme, ajo i detyron lexuesit të përballen me realitetet e tyre, me marrëdhëniet e tyre të brishta, me zgjedhjet që bëjnë ose nuk bëjnë në jetë. Ferrante nuk përpiqet të kënaqë lexuesin, por të vërtetën dhe kjo e bën veprën e saj kaq universale. Librat e saj janë përkthyer në dhjetëra gjuhë dhe janë kthyer në bestsellerë në të gjithë botën. Ato janë bërë gjithashtu seriale të suksesshme nga HBO, duke ruajtur atmosferën e ngjeshur dhe të paprekur të origjinalit. Por, pavarësisht suksesit të jashtëzakonshëm, Ferrante vazhdon të mbetet anonime. Ajo jep intervista vetëm me shkrim, nëpërmjet përfaqësuesve të shtëpisë botuese italiane “Edizioni e/o”.

Ka pasur shumë spekulime mbi identitetin e saj të vërtetë, përfshirë emra si Anita Raja përkthyese nga gjermanishtja ose bashkëshorti i saj, shkrimtari Domenico Star none. Por Ferrante nuk ka reaguar asnjëherë drejtpërdrejt ndaj këtyre hetimeve. Sipas saj, e vetmja gjë që duhet të flasë është libri. Në një kohë kur imazhi publik dhe fama personale janë bërë thelbësore për suksesin artistik, Ferrante e sfidon këtë logjikë me një mënyrë unike. Ajo na kujton se letërsia nuk ka nevojë për autorin si individ, por për autorin si zë, si mendim, si ndjesi. Mungesa e saj fizike është, në të vërtetë, një prani e fuqishme letrare. Ferrante ka thënë dikur: “Jam më e sigurt kur jam vetëm me fjalët e mia.” Dhe ndoshta kjo është çelësi i suksesit të saj. Ajo flet me ndershmëri brutale për gjërat që shumë gra i ndjejnë, por nuk i thonë dot. Pikërisht për këtë, Elena Ferrante është kthyer në një ikonë të kohës sonë një grua e padukshme që flet me zë të fortë për miliona të tjera.

Jeta private e Elena Ferrantes, një mister më i fortë se fama

Jeta private e Elena Ferrantes është një nga enigmat më interesante dhe të ruajtura me fanatizëm në historinë e letërsisë moderne. Për më shumë se 30 vjet, publiku botëror ka adhuruar romanet e saj pa ditur me siguri as emrin e saj të vërtetë, as pamjen, as vendbanimin e saktë, as jetën e saj intime. Dhe kjo mungesë ka qenë zgjedhje e vetëdijshme –një protestë e heshtur ndaj botës që shpesh e ndan vlerën e autorit nga përmbajtja e veprës. Elena Ferrante është një pseudonim. Kjo është e vetmja gjë që dihet me siguri. Ajo nisi të botojë në fillim të viteve ‘90, por vetëm me suksesin global të “Tetralogjisë Napolitane”, “Mikja gjeniale”, “Historia e emrit të ri”, “Ata që ikin dhe ata që qëndrojnë”, dhe “Historia e vajzës së humbur” emri i saj u kthye në një obsesion për kritikët, lexuesit dhe gazetarët. Në një kohë kur ekspozimi personal dhe rrjetet sociale kanë bërë që edhe jeta më e zakonshme të kthehet në spektakël publik, Ferrante ka bërë të kundërtën: është zhdukur. Ajo nuk shfaqet në promovime, nuk jep intervista të drejtpërdrejta, nuk poston foto.

Intervistat që jep janë vetëm me shkrim, shpesh përmes shtëpisë botuese italiane “Edizioni e/o”. Këtë zgjedhje ajo e ka shpjeguar si një mënyrë për të ruajtur lirinë e të shkruarit dhe për të mos u shpërqendruar nga “personazhi i autores”. Për vite me radhë, është përfolur se pas emrit Ferrante qëndron Anita Raja, një përkthyese me origjinë hebreje gjermane, e martuar me shkrimtarin italian Domenico Starnone. Edhe ky i fundit është përmendur si autor i mundshëm, ose bashkautor i romaneve, për shkak të ngjashmërisë stilistike. Por këto janë spekulime asgjë nuk është pranuar zyrtarisht. Gazetarë investigativë, përfshirë Claudio Gatti, kanë ndjekur gjurmë bankare, shitje të pasurive të patundshme dhe të ardhura honorarësh për të zbuluar identitetin e saj. Këto hetime ngjallën debat të madh etik në komunitetin letrar a ka e drejta për intimitet më pak rëndësi kur je një figurë publike? A duhet të shkatërrohet vullneti i një autoreje vetëm për kuriozitetin e botës Nëse supozojmë se Anita Raja është vërtet Ferrante, dimë se ajo ka lindur në Napoli, është rritur mes një realiteti të vështirë shoqëror, ka studiuar gjuhësi dhe ka punuar për vite si përkthyese. Por edhe kjo biografi nuk është e konfirmuar.

Ferrante vetë ka thënë në një letër për botuesit: “Nuk dua të jem e famshme, dua që libri im të ecë me këmbët e veta.” A ka fëmijë? A është e martuar? Ku jeton sot? Përgjigjja për të gjitha këto pyetje është e njëjtë: nuk e dimë. Dhe pikërisht ky mos dije është kthyer në pjesë të rëndësishme të mitit Ferrante. Në një mënyrë të çuditshme, jeta e saj private ka marrë formën e një personazhi të saj të padukshëm, të ndërlikuar, por jashtëzakonisht të fuqishëm. Ka diçka revolucionare në këtë vendim: një grua që shkruan për jetën intime të grave, për trupin, turpin, miqësinë, dhunën dhe pavarësinë por nuk lejon që të tjerët të ndërtojnë narrativën mbi jetën e saj. Në një botë që kërkon të shohë gjithçka, Ferrante zgjedh të mos tregojë asgjë. Në thelb, jeta private e Elena Ferrantes është po aq e fuqishme sa vepra e saj. Ajo sfidon normat, kontrollon narrativën, dhe i rikthen autorit një fuqi që shpesh i merret nga kurioziteti i pangopur publik. Sepse, siç ka thënë vetë: “Unë besoj se librat e mirë nuk kanë nevojë për autorin si shpjegim, por për lexuesin si pasqyrë.” Dhe për këtë, Elena Ferrante është gjeniale edhe jashtë faqeve të librit.

Nga lidhja me Napolin, tek frika e zbulimit, të pathënat e Elena Ferrante

Përtej suksesit global dhe misterit që e rrethon, Elena Ferrante është shumë më tepër se autorja e “Mikes gjeniale”. Në sfondin e kësaj figure të padukshme letrare, ka elementë të tjerë më të thellë, më pak të njohur, që vetëm sa e shtojnë hijeshinë e saj dhe e bëjnë praninë e saj të munguar akoma më të ndjeshme. Në vitin 2003, Ferrante botoi librin “Frantumaglia” një përmbledhje me letra, reflektime dhe fragmente nga korrespondenca e saj me botuesit dhe mediat, ku rrëfen intimitetin e procesit krijues. Ky libër është një dritare e rrallë që i lejon lexuesit të ndjejnë, në mënyrë të tërthortë, dridhjet emocionale dhe dilemat mendore që shoqërojnë shkrimtaren. Ajo flet për letërsinë si një nevojë e brendshme, por edhe si një akt i rrezikshëm, që mund të gërryejë atë që e krijon. Emri “Ferrante”, siç është përfolur shpesh, mund të jetë zgjedhur për arsye të shumëfishta. Disa studiues kanë vërejtur se mund të jetë një homazh i fshehtë për shkrimtaren Elsa Morante një figurë e madhe e letërsisë italiane, gjithashtu e angazhuar me psikologjinë e thellë të personazheve femra.

Të tjerë e lidhin me personazhe mashkullorë dytësorë në letërsinë klasike, duke sugjeruar një lloj ironie të qëllimshme: një grua që merr identitetin e një mashkulli të vogël për të rrëfyer botën e grave të mëdha. Napoli, qyteti ku zhvillohen romanet e saj më të njohur, nuk është thjesht sfond gjeografik. Në disa pasazhe në “Frantumaglia”, Ferrante pranon se ka një marrëdhënie të trazuar me këtë qytet: një vend që e ka formuar, e ka lënduar dhe e ka frymëzuar njëkohësisht. “E urrej dhe e dua”,-shkruan ajo. Ndoshta është pikërisht kjo marrëdhënie e ndërlikuar me qytetin që i jep jetë rrëfimit të saj, aq të vërtetë, aq të dhimbshëm. Ajo që shumë pak e dinë, është se Ferrante ka shkruar edhe një libër për fëmijë. “The Beach at Night” (2016) është një tregim i errët dhe alegorik, rrëfyer nga perspektiva e një kukulle të braktisur. Edhe këtu, në këtë format të thjeshtëzuar, ajo eksploron ndjesinë e braktisjes, pasiguritë e fëmijërisë dhe hije të errëta emocionale duke vërtetuar se temat që e preokupojnë nuk kanë kufi moshe.

Në suksesin ndërkombëtar të Ferrantes ka luajtur një rol kyç përkthyesja Ann Goldstein, ish-redaktore e “The New Yorker”. Ajo e ka ndihmuar Ferranten të ruajë zërin origjinal të veprës në anglisht, duke ruajtur tonalitetin, thellësinë psikologjike dhe ritmin emocional. Në një farë mënyre, Goldstein është bërë “zëri” i Ferrantes në gjuhën që e përqafoi me më shumë pasion. Ferrante njihet, gjithashtu, për refuzimin kategorik që i ka bërë kompromiseve me botuesit. Në rastin e romanit të saj të parë, kur botuesit kërkuan që ajo të shfaqej në promovime dhe intervista, reagimi i saj ishte i prerë: “Kam bërë gjithçka që më takonte kam shkruar librin. Tani është radha juaj ta ndani me botën.” Kjo mënyrë komunikimi e vendosur dhe e përmbajtur e ka shoqëruar gjatë gjithë karrierës. Ajo vetë ka rrëfyer se e frikëson ideja e “vetes publike”. Është rritur, sipas saj, me ndjenjën se një grua duhet të jetë e padukshme, e heshtur, e kujdesshme në publik. Duke hequr dorë nga ekspozimi, ajo ka fituar një liri që pak e kanë: lirinë për të shkruar pa qenë e vëzhguar. Dhe kjo liri, për të, është më e rëndësishme se fama. Misteri që e rrethon Elena Ferranten nuk është i krijuar për efekt. Ai është pjesë thelbësore e qenies së saj krijuese./ konica.al/ KultPlus.com

Elena Ferrante: Jemi të detyruara të jemi gra sipas roleve dhe modeleve që u pëlqejnë burrave

Nga Elena Ferrante

Përktheu: Loreta Bërhami

Si është e mundur, më pyesin njerëzit, që nuk njeh qoftë edhe një kurvë? Patjetër që njoh: letërsia është plot me to e kështu është edhe jeta e përditshme. E megjithatë, unë mbetem me to.

E kam parim të mos përgojoj asnjë grua tjetër, edhe sikur të më ketë fyer në mënyrën më të padurueshme.

Ndihem e detyruar të mbaj këtë qëndrim pikërisht sepse e njoh mirë gjendjen e grave: është gjendja ime, të cilën e gjej te të tjerat; e di që sot çdo grua përballet përditë me një stërmundim të jashtëzakonshëm e të dëshpëruar.

E varfër apo e pasur, e paditur apo e arsimuar, e bukur apo e shëmtuar, e famshme apo e panjohur, e martuar apo beqare, e punësuar apo e papunë, me fëmijë apo pa fëmijë, rebele apo e bindur, jemi të gjitha thellësisht të shënjuara nga qenësia në një botë e cila, ndonëse na duket sikur na përket, është helmuar qysh në rrënjë nga mijëvjeçarë sundimi mashkullor.

Gratë jetojnë mes kontradiktave të përhershme dhe stërmundimeve të papërballueshme. Çdo gjë, vërtet çdo gjë, është formësuar në bazë të nevojave të burrave, madje edhe të brendshmet tona, zakonet seksuale, mëmësia.

Jemi të detyruara të jemi gra sipas roleve dhe modeleve që u pëlqejnë burrave, e njëkohësisht duhet edhe të përballemi me ta, të konkurojmë me ta publikisht, duke i bërë më të mirë seç janë dhe gjithnjë duke u kujdesur që të mos i ofendojmë.

Një grua e re që e dua fort, më tha një ditë: “E kam pasur gjithmonë këtë problem me burrat, kam mësuar të mos e teproj”. Me këtë donte të thoshte se ishte ushtruar që të mos ishte tepër e bukur, tepër e zgjuar, tepër e sjellshme, tepër e pavarur, tepër bujare, tepër e vrullshme, tepër e mirë.

E tepërta te një grua shkakton reagime të dhunshme te burrat dhe, sikur të mos mjaftonte, nxit mbi vete armiqësinë e grave të tjera, të cilat luftojnë ditë për ditë me njëra-tjetrën për thërrimet që u lënë burrat. Kurse te burrat, e tepërta shoqërohet me admirim dhe pushtet.

Për pasojë, jo vetëm që pushteti i grave mbytet, por, për hatër të paqes dhe qetësisë, ne mbytim vetveten. Edhe sot, pas një shekulli feminizëm, ende nuk mund të jemi plotësisht vetvetja, nuk i përkasim vetes sonë.

Cenet, mizoritë, krimet, virtytet, kënaqësia, vetë gjuha jonë skaliten përulësisht në hierarkitë e mashkullores, dënohen ose lëvdohen sipas kodesh që realisht nuk na përkasin e që na rraskapitin. E kështu bëhemi lehtësisht pre e urrejtjes së të tjerëve dhe të vetvetes.

Duhet një vigjilencë e pamëshirshme që të arrijmë të tregojmë se çfarë jemi, duke ruajtur njëkohësisht autonominë.

Prandaj ndihem pranë të gjitha grave dhe, shpesh, për një arsye a një tjetër, gjej veten time si te më e mira, ashtu edhe te më e liga ndër to. Si është e mundur, më pyesin njerëzit, që nuk njeh qoftë edhe një kurvë? Patjetër që njoh: letërsia është plot me to e kështu është edhe jeta e përditshme. E megjithatë, unë mbetem me to. / KultPlus.com

‘E urreva nënën time, por një mëngjes pashë veten në pasqyrë dhe njoha atë’

Mamaja ime ishte një grua e bukur dhe e zgjuar, si të gjitha mamatë, kështu që unë e doja dhe e urreja njëkohësisht. Fillova ta urreja kur isha 1 vjeçe, ndoshta sepse e doja kaq shumë dhe ideja se një ditë mund ta humbisja më krijoi një ankth, dhe për të qetësuar veten më duhej të nënvlerësoja nënën time.

Ndonjëherë ajo më dukej e bukur dhe e zgjuar, ndërsa vetja ime e shëmuar dhe e trashë. Unë s’kisha një mendim timin; Në mendjen time kisha vetëm mendimet e mamasë. U ndjeva e shtypur dhe e torturuar nga mania e saj për të dhënë urdhra. nga shijet e saj dhe nga idetë e saj që kjo është e drejtë dhe kjo e padrejtë. Për një kohë të gjatë ndjeja se të mos e doja kaq shumë nënën time, do të ishte e vetmja mënyrë që të doja veten time.

Një fije e padukshme na lidh ne me nënat: nuk ka asnjë mënyrë për t’u shkëputur prej saj, ose të paktën unë s’ia kam dalë dot kurrë ta shkëpus. Është e pamundur që të kthehesh brenda trupit të nënës, është e vështirë të lëvizësh përtej hijes së saj.

Kështu që shumë shpejt unë vendosa “trupa” të tjerë mes timit dhe atij të nënës sime. Trupa me të cilët unë mund të komandoja, të bëja dashuri, të acarohesha, të bëhesha e mençur ose e marrë – duke ndërtuar një botë të huaj për të. Doja që ajo të shqetësohej vetëm duke e parë këtë botë të re timen: Kjo gjë ndodhi shumë shpesh, dhe ajo iku në heshtje.

Për njëfarë kohe u ndjeva e lirë. Pastaj njerëzit filluan të më thonin gjëra të tilla si: “Ti qesh si nëna jote, je kokëfortë si ajo, ti i ke duart fiks si të nënës tënde”. Dhe unë një mëngjes pashë veten në pasqyrë dhe kuptova: Ajo ishte aty, në shtëpinë time, në trupin tim. Dhe për habinë time, kjo gjë filloi të më mërziste gjithnjë e më pak: unë kam zbuluar mamanë në gjestet e mia, në zërin tim, në gjithçka timen. Ishte e pamundur që unë të kthehesha brenda trupit të nënës sime, por ishte kaq shumë e mundur që ajo ishte brenda meje qëkur linda, dhe se ajo ishte brenda meje edhe atëherë kur unë mendova se isha larguar prej saj – kur mendova se isha e lirë nga ajo.

Dhe atë atëherë e kuptova se duke kërkuar veten, gjeta mamanë time, duke e pranuar dhe duke e dashur atë si kur isha fëmijë. U ndjeva sërish e brishtë. Ndonjëherë pajtimi merret si një veprim për të harruar gabimet që kemi kaluar e vajtur. Dhe ndoshta është e vërtetë, por jo në marrëdhëniet tona me nënat tona. U pajtova me nënën time kur kuptova gabimet – ato që mua më dukeshin të tilla – si pjesë e vetes sime, thelbësore për rritjen time.

Autore: Elena Ferrante
Përktheu: Eneida Daci. / KultPlus.com

Vepra e autores italiane, Elena Ferrante përkthehet në shqip

Raftave të lexuesve shqiptarë tanimë iu është shtuar edhe një vepër. “Jeta e gënjeshtër e të rriturve” nga Elena Ferrante përkthehet në shqip nga Agim Doksani, shkruan KultPlus.

Shkrimtarja italiane është romanciere e njohur dhe e përkthyer në shumë gjuhë të botës. Madje revista “Time” e ka vlerësuar në vitin 2016 Ferrante si njërën nga 100 njerëzit më me ndikim.

Fatmirësisht, vepra e saj tanimë mund të lexohet edhe në shqip falë përkthimit të Agim Doksanit. Tematika e këtij romani shtjellohet në Napoli, nga vendi ku autorja edhe ka krijuar personazhet që me kalimin e kohës nxjerr prej tyre mashtrimin dhe vetëmashtrimin që përdorin për të përligjur veprimet e veta.

Personazhi kryesor i veprës “Jeta e gënjeshtër e të rriturve” është Xhovana, një vajzë adoloshente. Në libër përshkruhet transformimi i saj fizik, gjegjësisht kalimi i fytyrës së bukur fëmijërore në një pamje të një adoloshenteje krejtësisht ndryshe. Ajo kërkon pasqyrimin e saj në dy faqe të një qyteti që e kanë frikë dhe e urrejnë njëra-tjetrën: Napoli i sipërm, i veshur me një maskë elegance dhe Napoli i poshtëm, vendi i vulgaritetit.

Dashuria është një ndër tematikat e përmendura në libër, e cila shpesh di të ngatërrohet me marrëdheniet intime, me ç’rast personazhet humbasin aftësinë e gjykimit.

Me mjeshtërinë e lapsit të saj, Ferrante vë përballë njëra-tjetrës klasin dhe vlerën, fenë dhe besimin, besnikërinë dhe sekretet, seksualitetin dhe virgjërinë si mënyra për të humbur dhe për të fituar pushtet. / KultPlus.com

E urreva nënën time, por një mëngjes pashë veten në pasqyrë dhe njoha atë

Mamaja ime ishte një grua e bukur dhe e zgjuar, si të gjitha mamatë, kështu që unë e doja dhe e urreja njëkohësisht. Fillova ta urreja kur isha 1 vjeçe, ndoshta sepse e doja kaq shumë dhe ideja se një ditë mund ta humbisja më krijoi një ankth, dhe për të qetësuar veten më duhej të nënvlerësoja nënën time.

Ndonjëherë ajo më dukej e bukur dhe e zgjuar, ndërsa vetja ime e shëmuar dhe e trashë. Unë s’kisha një mendim timin; Në mendjen time kisha vetëm mendimet e mamasë. U ndjeva e shtypur dhe e torturuar nga mania e saj për të dhënë urdhra. nga shijet e saj dhe nga idetë e saj që kjo është e drejtë dhe kjo e padrejtë. Për një kohë të gjatë ndjeja se të mos e doja kaq shumë nënën time, do të ishte e vetmja mënyrë që të doja veten time.

Një fije e padukshme na lidh ne me nënat: nuk ka asnjë mënyrë për t’u shkëputur prej saj, ose të paktën unë s’ia kam dalë dot kurrë ta shkëpus. Është e pamundur që të kthehesh brenda trupit të nënës, është e vështirë të lëvizësh përtej hijes së saj.

Kështu që shumë shpejt unë vendosa “trupa” të tjerë mes timit dhe atij të nënës sime. Trupa me të cilët unë mund të komandoja, të bëja dashuri, të acarohesha, të bëhesha e mençur ose e marrë – duke ndërtuar një botë të huaj për të. Doja që ajo të shqetësohej vetëm duke e parë këtë botë të re timen: Kjo gjë ndodhi shumë shpesh, dhe ajo iku në heshtje.

Për njëfarë kohe u ndjeva e lirë. Pastaj njerëzit filluan të më thonin gjëra të tilla si: “Ti qesh si nëna jote, je kokëfortë si ajo, ti i ke duart fiks si të nënës tënde”. Dhe unë një mëngjes pashë veten në pasqyrë dhe kuptova: Ajo ishte aty, në shtëpinë time, në trupin tim. Dhe për habinë time, kjo gjë filloi të më mërziste gjithnjë e më pak: unë kam zbuluar mamanë në gjestet e mia, në zërin tim, në gjithçka timen. Ishte e pamundur që unë të kthehesha brenda trupit të nënës sime, por ishte kaq shumë e mundur që ajo ishte brenda meje qëkur linda, dhe se ajo ishte brenda meje edhe atëherë kur unë mendova se isha larguar prej saj – kur mendova se isha e lirë nga ajo.

Dhe atë atëherë e kuptova se duke kërkuar veten, gjeta mamanë time, duke e pranuar dhe duke e dashur atë si kur isha fëmijë. U ndjeva sërish e brishtë. Ndonjëherë pajtimi merret si një veprim për të harruar gabimet që kemi kaluar e vajtur. Dhe ndoshta është e vërtetë, por jo në marrëdhëniet tona me nënat tona. U pajtova me nënën time kur kuptova gabimet – ato që mua më dukeshin të tilla – si pjesë e vetes sime, thelbësore për rritjen time.

Autore: Elena Ferrante
Përktheu: Eneida Daci. / KultPlus.com

Nga KultPlus, dhjetë libra si propozime për lexim gjatë janarit

Me fillimin e një viti të ri, gjithmonë ekziston dëshira edhe për të menduar për librat që do të lexoni këtë vit.

Janari gjithmonë ka shumë rëndësi, meqë po u krijua shprehia e leximit tash, do të vazhdojë e tilla gjatë tërë vitit 2020.

Plot libra në raft, pak kohë për t’i lexuar. Megjithatë, është koha të mendojmë seriozisht të lexojmë diçka.

KultPlus po ju sjellë një listë me dhjetë libra prej të cilëve mund të zgjedhni të lexoni çkado që doni, për një fillim të mbarë, dhe pse jo letrar, të këtij viti.

1.Franz Kafka – Letër babait

Kjo letër duhet lexuar e rilexuar. Mund të lexohet edhe me një frymë, e mund të reflektohet mbi të sa herë të doni. Niseni vitin 2020 duke lexuar një letër të dhimbshme dhe shumë të sinqertë nga shkrimtari, dedikuar babait të tij, një burri i cili nuk u kënaq asnjëherë me djalin e tij dhe të arriturat e këtij të fundit.

2. Elena Ferrante – Histori arratie e qëndrese

3. Shpëtim Selmani – Libërthi i dashurisë

4. Stephen Hawking – Përgjigjje të shkurtra për pyetje madhore

5. At Zef Pllumi – Rrno për me tregue

“Gjithë shoqëria shqiptare ka nevojë për këtë vepër. Kanë nevojë, ata që kanë jetuar në atë kohë, e po aq, në mos më tepër, ata që nuk e kanë jetuar. Kanë nevojë te shtypurit e të nëpërkëmburit, e po aq, në mos më tepër, ata që shtypën të tjerët. Kanë nevojë antikomunistët, e po aq, ndoshta më tepër, komunistët. Shkurt për të ka nevojë ndërgjegjja jonë” Ismail Kadare në lidhje me veprën “Rrno vetëm për me tregue” të At Zef Pllumit.

6. Milan Kundera – Mosdija

7. George Orwell – 1984

8. Robert Elsie – Fiset Shqiptare

Ky është një nga librat më të thelluar për studimin e historisë, shoqërisë dhe kulturës shqiptare nga albanologu Robert Elsie. Është nga veprat e fundit që la autori para se të ndahej nga jeta. Në këtë libër trajtohen 69 fiset shqiptare, me një historik të shkurtër dhe me drejtuesit e tyre. Noel Malkolm shkruante: asnjëri nuk do të mund ta bënte këtë më mirë sesa Robert Elsie, i cili është i pashoq në njohjen e kësaj lënde.

9. Entela Tabaku dhe Shqiptar Oseku – ‘Enciklopedia e Mërgimit’

10. Michel Houellebecq – Serotonina

“Serotonina”, me magjinë e saj të papërsëritshme, mes ironisë thukëse dhe trishtimit të fshehur pas saj, është një vaj për jetën e vërtetë që po venitet relievit mahnitës të Francës. Houellebecq është zëri i qartë francez, që bën shpjegimin tronditës për Europën sot, por edhe të botës ku po jetojmë. Si përherë, edhe me këtë vepër, “profeti ogurzi” e parashikoi lëvizjen e “jelekëve të verdhë” disa javë përpara se ajo të shpërthente, siç ka ndodhur deri tani me veprat e tij. / KultPlus.com

Elena Ferrante: Jemi të detyruara të jemi gra sipas roleve dhe modeleve që u pëlqejnë burrave

Përktheu: Loreta Bërhami

Si është e mundur, më pyesin njerëzit, që nuk njeh qoftë edhe një kurvë? Patjetër që njoh: letërsia është plot me to e kështu është edhe jeta e përditshme. E megjithatë, unë mbetem me to.

E kam parim të mos përgojoj asnjë grua tjetër, edhe sikur të më ketë fyer në mënyrën më të padurueshme.

Ndihem e detyruar të mbaj këtë qëndrim pikërisht sepse e njoh mirë gjendjen e grave: është gjendja ime, të cilën e gjej te të tjerat; e di që sot çdo grua përballet përditë me një stërmundim të jashtëzakonshëm e të dëshpëruar.

E varfër apo e pasur, e paditur apo e arsimuar, e bukur apo e shëmtuar, e famshme apo e panjohur, e martuar apo beqare, e punësuar apo e papunë, me fëmijë apo pa fëmijë, rebele apo e bindur, jemi të gjitha thellësisht të shënjuara nga qenësia në një botë e cila, ndonëse na duket sikur na përket, është helmuar qysh në rrënjë nga mijëvjeçarë sundimi mashkullor.

Gratë jetojnë mes kontradiktave të përhershme dhe stërmundimeve të papërballueshme. Çdo gjë, vërtet çdo gjë, është formësuar në bazë të nevojave të burrave, madje edhe të brendshmet tona, zakonet seksuale, mëmësia.

Jemi të detyruara të jemi gra sipas roleve dhe modeleve që u pëlqejnë burrave, e njëkohësisht duhet edhe të përballemi me ta, të konkurojmë me ta publikisht, duke i bërë më të mirë seç janë dhe gjithnjë duke u kujdesur që të mos i ofendojmë.

Një grua e re që e dua fort, më tha një ditë: “E kam pasur gjithmonë këtë problem me burrat, kam mësuar të mos e teproj”. Me këtë donte të thoshte se ishte ushtruar që të mos ishte tepër e bukur, tepër e zgjuar, tepër e sjellshme, tepër e pavarur, tepër bujare, tepër e vrullshme, tepër e mirë.

E tepërta te një grua shkakton reagime të dhunshme te burrat dhe, sikur të mos mjaftonte, nxit mbi vete armiqësinë e grave të tjera, të cilat luftojnë ditë për ditë me njëra-tjetrën për thërrimet që u lënë burrat. Kurse te burrat, e tepërta shoqërohet me admirim dhe pushtet.

Për pasojë, jo vetëm që pushteti i grave mbytet, por, për hatër të paqes dhe qetësisë, ne mbytim vetveten. Edhe sot, pas një shekulli feminizëm, ende nuk mund të jemi plotësisht vetvetja, nuk i përkasim vetes sonë.

Cenet, mizoritë, krimet, virtytet, kënaqësia, vetë gjuha jonë skaliten përulësisht në hierarkitë e mashkullores, dënohen ose lëvdohen sipas kodesh që realisht nuk na përkasin e që na rraskapitin. E kështu bëhemi lehtësisht pre e urrejtjes së të tjerëve dhe të vetvetes.

Duhet një vigjilencë e pamëshirshme që të arrijmë të tregojmë se çfarë jemi, duke ruajtur njëkohësisht autonominë.

Prandaj ndihem pranë të gjitha grave dhe, shpesh, për një arsye a një tjetër, gjej veten time si te më e mira, ashtu edhe te më e liga ndër to. Si është e mundur, më pyesin njerëzit, që nuk njeh qoftë edhe një kurvë? Patjetër që njoh: letërsia është plot me to e kështu është edhe jeta e përditshme. E megjithatë, unë mbetem me to. /KultPlus.com