U hap ekspozita “Gjenocidi XX”, Bogujevci: Këto fotografi dhe tregime duhet t’ia përplasim në fytyrë Serbisë

Me gjithë mohimin e Serbisë për masakrën e Reçakut, janë faktet ato që dëshmojnë gjithçka. Disa nga këto fakte mbrëmë ishin vendosur në muret e Muzeut Kombëtar të Kosovës si një replikë ndaj Serbisë, shkruan KultPlus.

Ishte kjo ekspozita me fotografi e autorit Enver Hoxhën që mbrëmë komunikoi me publikun e pranishëm ku tek secili mund të vëreje çfarë po përjetonin deri sa po i shihnin ato fotografi që i quanin të tmerrshme.

Kjo ekspozitë simbolizon atë se çfarë gjenocidi u krye tek populli shqiptar nga forcat paramilitare dhe ushtarake serbe, pikërisht gjatë shekullit XX.

 “Gjenocidi XX: Ta kujtojmë të kaluarën, ta ndërtojmë të ardhmen”, kështu po e quan autori Hoxha ekspozitën me mbi 100 fotografi.

 Enver Hoxha gjatë luftës ishte pjesë e stafit mjekësor në zonën operative të Llapit. Ai punoi në spitalin ushtarak, por ishte edhe në terren me ushtarët e UҪK-së dhe popullatën civile. Edhe pse ai kishte një detyrë dhe mision tjetër, Enveri gjithë kohës ka mbajtur me vete foto-aparatin e tij, me të cilin ka shkrepur fotografi në çdo moment dhe falë tij, po e kujtojmë atë se me çka u përball populli kosovar.

Drejtori i Muzeut të Kosovës, Ajet Leci në fjalimin hyrës të kësaj ngjarje tha se me kënaqësi është përkrahur kjo ekspozitë nga muzeu. E sipas tij këto pamje  tregojnë sakrificën dhe vuajtjen e popullit të Kosovës.

Objekt i kësaj ekspozite janë rreth 100 fotografi të cilat përfshijnë vetëm pjesën e popullatës civile, ku paraqiten shpërnguljet, vrasjet, masakrat e kryera nga forcat serbe në muajt mars dhe maj të vitit 1999.

Profesori, Ismet Salihu tha se këto fotografi tregojnë krimet e pushtetit serb ndaj popullatës të pafajshme shqiptare. “Në këtë ekspozitë jemi tubuar për të rikujtuar tmerrin dhe gjenocidin e pushtetit serb ndaj popullatës së pafajshme të Kosovës në vitet ’98- 99”, tha ai.

 Qemail Minxhozi, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë tha se kjo ekspozitë pasqyron një luftë makabre, që nuk e kap asnjë ndërgjegje njerëzore.

“Ndihem i shokuar tek shikoj këtë ekspozitë makabre, që nuk e kap asnjë ndërgjegje njerëzore, se si në mesin e shek XX mund të ketë ndodhur një katrahurë e madhe antihumane, jashtë çdo rregulli ndërkombëtar”, shprehet ai.

Ambasadori gjithashtu tha se “sot nuk është koha për hakmarrje, po për të reflektuar që gjëra të tilla të mos ndodhin më, në mënyrë që të jetojmë si dy popuj kufitarë, si njerëz që duhet të  marrin vesh njëri- tjetrin.”

Se në Kosovë është kryer gjenocid dhe janë kryer masakra të shumta, e dëshmon edhe masakra e Reçakut, e cila u përkujtua dje. Për të folur për këtë fakt, e pranishme ishte edhe e mbijetuara e kësaj masakre, Saranda Bogujevci.

“Puna e Enver Hoxhës është e jashtëzakonshme, e para se ka qenë afër njerëzve në momentet më të vështira në këtë periudhë kohore dhe tjetra për vetë faktin që ka arritur ta dokumentojë këtë rrugëtim. Të gjithë e dini për mohimin që i është bërë Reçakut, në fakt është mirë që kjo ekspozitë u hap në këtë kohë kaq të rëndësishme, duhet t’i mbledhim këto fotografi dhe tregime, e t’ia përplasim në fytyrë Serbisë”, tha ajo.

Komandanti i zonës operative të Llapit, Rrustem Mustafa tha se Kosova për njëzet vite nuk ka mundur të dokumentojë ato që kanë ndodhur atë kohë e të cilat i di secili prej nesh, e këtë ka arritur ta bëjë Hoxha me fotografitë që janë dokument i asaj periudhe.

Vetë autori i ekspozitës pa dashur të flas shumë tha: Nuk ka nevojë për fjalë, sepse fotografitë flasin dhe dokumentojnë atë që Serbia po mundohet ta mohojë, e të tilla mohime thotë se po i shërbejnë armiqësisë ndaj Kosovës.”

Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur deri më 15 dhjetor duke ju ofruar mundësin që të shihni fakte që flasin në mënyrën më të mirë për ndodhitë e vitit 1999. / KultPlus.com

Si e përjetoi Enver Hoxha tërmetin e 79’tës: Flet ish-mjeku i tij

Shqipëria ka edhe një histori të keqe jo shumë të largët në histori. Më 1979 ajo ishte goditur nga një tërmet shkatërrues. Për dallim nga tërmeti i para pak ditëve, asëkohe Shkodra dhe veriu i vendit ishte goditur nga disa lëkundje të fuqishme. Ish-mjeku i Enver Hoxhës, thotë se asaj kohe, ai nuk e tregonte frikën shumë, shkruan KultPlus.com

Ish-mjeku personal i Enver Hoxhës, në emisionin “Open” disa kohë më parë, u përgjigj se si e përjetoi Hoxha tërmetin, ai u përgjigj;

Në ’79 nuk kam qëlluar të isha pranë tij, në tërmetin e Shkodrës e kam parë, të gjithë udhëheqesit e ndjejnë përgjegjësinë në këto raste, është një moment jo si në të tjerat, testohet gjithë popullata e vendit ajo që quhet human capital.

-Po thoni që nuk e tregonte frikën

Isuf Kalo: Kam parë mënyrën si u reagua, nuk ndryshon shumë nga gjithë vendet e tjera ka një mobilizim të rastit.

-Ka pasur në atë kohë protokolle për mjekim ilace

Isuf Kalo: Për fat të keq nuk ka protokolle të detajuar, psh OBSH merret shumë me aftësinë që kanë sistemet shëndetësore në raste katstrofash. Figura e mjekut dhe personelit kanë ndritur në raste të tilla katastrofdash, Njerëzit fërkonin sytë në këtë rast se thonin më parë e flisnin jo me shumë vlerësime… por e kanë parë punën

Skënder Brataj edhe shefi i Traumës dhe Ortopedisë janë jashtëzakonisht të specializuar. OBSH ka nxjerrë kohët e fundit, njëkoncept të ri që quhet Onë Society, ku të gjithë kanë pjesën e tyre edhe shoqëria që duhet të menazhojë dhe të përballojë situatat.

Marrja e qetësuesve këshillohet apo jo, se njerëzit kanë ankthe panik

Isuf Kalo: Kjo varet, ngjarja është shokuese, ka stres, shtohet pulsi, ndryshon tensione, ka reagime me ilaçe përkatëse. Duhet të perifrazoj shprehjen e shkrimtarëve: Edhe ne të tjerët që nuk ishim në rrënoja, u kalbëm sipër. Ka të bëjë edhe me kulturën. /KultPlus.com


Gazeta suedeze: Enver Hoxha e paraqet veten si zot për popullin e tij

Memorie.al publikon një reportazh të gazetarit të njohur suedez, Sven Aurén, të botuar në gazetën “Svenska Dagbladet” të Stockholmit lidhur me katër vizitat e tij në Shqipëri, duke filluar nga viti 1938 kur ai erdhi për dasmën e Mbretit Zog dhe për të përfunduar në shtatorin e vitit 1968 ku ai vizitoi për herë të fundit Shqipërinë .

Enver Hoxha urdhëroi para një viti që: gjithë ushtrimi i fesë, i çdo lloj forme qoftë, është rreptësishtë i ndaluar. Asnjë prift s´lejohet të shkojë në varrim dhe kryqet janë hequr nga varrezat krishtere. Bibla është vënë në listën e librave të ndaluara. Në Tiranë një kishë ortodokse përdoret si lokal vallëzimi, dhe altarin e kanë kthyer në kafene, Kisha në Vlorë përdorej si dyqan ushqimi, Xhamia piktoreske e Gjirokastrës është kthyer në rrobaqepsi…

Në Kinën e sotme çdo mëngjes kur nxjerr kokën për të parë nga dritarja e hotelit bëhesh dëshmitarë i pamjeve të rralla, kudo që të jesh në Pekin, Shangai, Kanton apo në çdo qytet tjetër: në rrugë dhe sheshe, kudo që të hedhësh sytë, shikon njerëz duke bëre gjimnastikë, të cilët bëjnë lëvizje marionetë sikurse t´ishte Mao që tërhiqte penjtë prej Olimpit të tij. Zoti i Shqipërisë Enver Hoxha nuk do të jetë më i dobët. Në Tiranë, Elbasan, Pogradec ose Korçë pamja është e njëjtë çdo mëngjes në orën shtatë: detyrimisht, gjimnastikë mëngjesi kolektive. Ashtu sikurse kinezi edhe shqiptari duhet ta fillojë mëngjesin me krahët lart dhe gjunjët e përkulur. Të mbash veten në formë është një obligim qytetar, ngaqë kombi ka nevojë vetëm për të aftët për punë dhe produktivët. Të padobishmit janë parazitë. Kjo vlen jo vetëm për njerëz por edhe për kafshë. Edhe këtu Hoxha ka ndjek shembullin e Kinës dhe ka ndaluar qentë. Sipas motivit zyrtar ekzistenca e maces justifikohet sepse ajo zë minjtë, kurse qeni nuk sjell dobi as për ushqimin e vet. Ai që nuk punon….  Para një viti i u dha urdhëri që të gjithë të zotët e qenëve t´i vrasin kafshët e tyre. Me anë të disiplinës së hekurt, që diktatori ushtron në vend, shfarosja masive ka qenë një sukses total. Unë e kam shkelur Shqipërinë nga veriu në jugë dhe nga lindja në perëndim: asnjë lehje qeni.

Por njeriu e gjen Kinën në shumë këndvështrime esenciale se sa këto. Në Tiranë e kanë ndjekur me një interes të theksuar revolucionin kulturor. Ky Enveri inteligjent i ka kuptuar përfitimet politike, që lidhen me mbajtjen e një klime revolucionare permanente me kusht që të mund ta kontrolloj atë. Masat nxiten deri në ekzaltimin e ndjenjave që së bashku me udhëheqësin e tyre të ndjekin një luftë të pareshtur kundër burokracisë, apatisë dhe hezitimit. Në një shtet të vogël si Shqipëria me vetëm një milion e gjysmë banorë vështirësia është kjo, se s´ka shumë popullsi në kuptimin e vërtetë të fjalës dhe përveç kësaj vuan shumë nga mungesa e njerëzve të arsimuar. Me Hoxhën si nismëtar debutoi e quajtura direkt- demokraci, para ndonjë viti, sipas modelit kinez në universitetin e kryeqytetit ku studentët nisën të marrin mësuesit e tyre në hetuesi dhe i fajësonin si të prapambetur dhe për mungesë të frymës përparimtare. Megjithatë nuk u shtrua kurrë pyetja për të ngritur ndonjë barrikadë, as edhe okupim sallash të mësimit, ngaqë aksioni u shua po aq shpejt sikurse filloi. Hoxha e kuptoi se numri modest i mësuesve të universitetit nuk mundësonte çmendurira të tilla.

Po për të njëjtën arsye gjithashtu nuk qe e mundur për t’i shkundur nëpunësit e administratës shtetërore. Por me që ky Hoxha, mëson, gjithashtu nuk do ta braktisë revolucionin kulturor, të cilin Mao e sheh të domosdoshme për ta mbajtur doktrinën komuniste të pastër, duhej të shpikej një gjë. Çfarë qe më e kollajtë, dhe që edhe vendosi për ta bërë, qe feja. Unë në artikullin përpara tregova për kultin e shfrenuar të individit që diktatori organizoi në mbarë Shqipërinë dhe se si ai veç me emrin Enver e paraqit veten si zot për popullin e tij. Ti nuk do të kesh asnjë zot tjetër veç meje! Mund të ishte si lajtmotiv për revolucionin e ri kulturor, që ai urdhëroi gati përpara një viti dhe që drejtohet kundër çdo gjëje që ka të bëj më besime fetare. Në Shqipëri llogariten 70 % muhamedanë, 20 % ortodoksë dhe 10 % katolikë. Çfarë synohet është 100% Enver-adhurues. Duke pasur parasysh këtë synim përshkruhet Muhamedi dhe Krishti si adhurues primitivë të Zotit të një kohe së shkuar. Besimi tek ta bën që populli të mbetet në prapambetje reaksionare. Një shtet i vërtetë komunist i ç’rrënjos këto paragjykime dhe kjo ka ndodhur.

Ç’rrënjosje është fjala. Kjo është kryer kaq rrënjësisht, sa që as edhe Kina s´kishte mundur të tregonte të njëjtin rezultat. Shqipëria pretendon se është shteti i vetëm absolutisht ateist në botë. Gjithë ushtrimi i fesë, i çdo lloj forme qoftë, është rreptësishtë i ndaluar. Asnjë prift s´lejohet të shkojë në varrim dhe kryqet janë hequr nga varrezat krishtere. Ato i sheh aty këtu në stiva rrëzë mureve. Bibla është vënë në listën e librave të ndaluara. Kishat ose janë mbyllur ose janë bërë të “dobishme”. Në Tiranë një kishë ortodokse përdoret si lokal vallëzimi, dhe altarin e kanë kthyer në kafene. Unë pashë në Korçë një kishë të madhe me dy kambanore, ku dritaret e së cilës ishin lyer me bojë kafe. Dyert ishin të mbyllura me dry. Në kishën e Fierit dritaret ishin lyer po ashtu, kurse dyert ishin mbyllur për fare, por përveç asaj hyrja ishte kthyer në depo hekurishtesh të vjetra makinash. Kisha në Vlorë përdorej si dyqan ushqimi. Shoqëruesi ynë, një shqiptar i moshuar, që kishte kaluar pesëmbëdhjetë vjet nga jeta e tij si berber në Lyon, kish qenë anëtar aktiv në partinë komuniste franceze dhe tash rikthyer në vendin e vet, krejt natyrshëm u bë objekt i pyetjeve të vështira nga grupi i udhëtimit. Ai u përgjigjej atyre sipas mënyrës speciale të tij. Çfarë bën një besimtarë i krishterë, që ndien nevojën e stimulit shpirtëror? ”Ai shkon në kinema”. Ç’ka thotë populli shqiptarë për përdhosjen e kishave të vendit? “Nuk bëhet fjalë për ndonjë përdhosje sepse neve nuk i konsiderojmë ato si të shenjta. Në Shqipërinë e re nuk ka vend për besim fetar”.

Por pas gjysmë shekulli nën sundimin turk Shqipëria është para së gjithash një shtet muhamedan. Kudo që të shkoje, para lufte, nëpër qytete të shihni sytë minare, të larta dhe të bukura, nëpër katunde më të thjeshta. Me përjashtim të vogël, p.sh. minarja e Tiranës është mbajtur si monument historik, ndryshe ato janë prishur. Enverit nuk i pëlqenin që ato kishin drejtuar gishtin tregues drejt qiellit, të cilat i kujtonin një fuqi tjetër përveç fuqisë së tij. Xhamitë? Nga ato dy në Elbasan, njëra është kthyer në central elektrik dhe tjetra shërbente si tualet primitiv. Xhamisë në Shkodër i kanë vu dinamitin dhe tani është një gërmadhë. Xhamia e Korçës, që është prej 1484, është e përmendur në librat e udhëtimit si e jashtëzakonshme. Rrënojat që mbështeten në minaren e rrëzuar duken sikur po shemben nga çasti në çast. Në atë kopshtin e shkretuar, pashë një burrë zhele i ulur në gjunjë me fytyrën kthyer nga Meka. Ishte hoxha, që gjatë dhjetëra vitesh prej ballkonit të minares kishte thirrur besimtarët të luteshin. Ai u tregua shumë i afrueshëm, tha se e kishin përzënë nga pronat e tij të vjetra dhe pranoi të fotografohej, për të thënë kalimthi, i vetmi shqiptar i gatshëm, që munda të flas gjatë udhëtimit tim. Si i huaj të shoqërojnë gjithnjë nëpër qytete një varg kureshtarësh dhe policësh, ndërkaq rregullisht mbajnë njëfarë distance. Kur turma iu afrua xhamisë ai papritmas iku me vrap si një gjah i përndjekur, dhe kjo më bëri pishman që i fola dhe e fotografova atë burrin e sjellshëm. Ndoshta dhe ai me forcë i’u ka nënshtruar asaj që quhet tashmë proces-prodhimi. Me që ra fjala te procesi i prodhimit: kam parë edhe një xhami prodhimtare. Ajo gjendet në Gjirokastrën piktoreske dhe jo larg bustit argjend- shkëlqyes, që Enveri ka lejuar t´ia ngrenë. Forma e saj është e hijshme dhe minaren nuk e kanë prishur. Para disa muajsh atë e kanë kthyer në rrobaqepësi. Zukama e një vargu të gjatë makinash depërton jashtë nëpërmjet dritareve me kangjella qindvjeçare dhe në muret e pikturuara varen fustane dhe rroba burrash.

Kishte shumë manastire krishtere dhe muhamedane në Shqipëri. Shumica e këtyre të fundit i përkisnin sektit të njohur Bektashi, i cili përbënte një faktor të fuqishëm në Turqi para se Qemal Ataturku ta ndalojë. Gjatë kohës midis luftërave shoqata bektashiane gjeti një strehim tek shqiptarët dhe luajti një rol të madh deri tani së fundit. Përfaqësuesit e revolucionit kultural i kanë përzënë murgjit nga pesëdhjetë e ca manastire që dispononin dhe këto ambiente i kanë kthyer në banesa për punëtorët. Një nga më të shquarit mbretëronte në një kodër afër Gjirokastrës, dhe para lufte hëngra një drekë magjepse dhe të paharrueshme tek shefi i sajë, dervish Baba Selimi. Gjatë qëndrimit tonë në Gjirokastër ju luta shoqëruesve, që të me lejonin të përjetoja kujtimet e vjetra, të vizitoja Teqenë. E pamundur. Përkthyesi ynë shpjegoi, se ndërtesa ishte kazermë ushtarake dhe natyrisht çdo gjë ushtarake ishte sekrete. Unë dua të di se çfarë ka ndodhur me klerikët krishterë, muhamedan dhe murgjit: “Ata punojnë”. Sqarime të tjera qe e pamundur të marr, dhe çfarë mund t’i shtoj përgjigjeve ato mbeten një enigmë. Ishin skllav në kampet e përqëndrimit, ishin detyruar të pononin në kooperativa bujqësore dhe fabrika ?.. Ose…Duke pasur parasysh hoxhën e Korçës ndoshta ndonjë është lënë në mëshirë të fatit dhe jetës në skamje. Por përsa u përket shumë gjërave të tjera në këtë shtet, ndoshta është shumë më mirë që të mos dish asgjë.

Një pyetje tjetër që të shtyn faktikisht është kjo: si reagon populli përpara këtij detyrimi të menjëhershëm të kalimit nga trashëgimia fetare në atë ateiste? Shikimet duken të pasigurta dhe dashakeqëse prej këtyre pyetjeve dhe asnjë nuk të jep ndonjë përgjigje. Kjo mund të jetë e kuptueshme dhe puna lehtësohet nga fakti se shqiptarët gjithmonë kanë dëshmuar në një prirje shumë të gjerë liberale në këndvështrimin fetar. Historia e vëndit nuk ka asnjë shembull për fanatizëm fetar ose konflikte doktrine. Por megjithatë. Çfarë mendojnë njerëzit kur detyrohen të varrosin një të afërt të familjes, nën shenjën e yllit të kuq d.m.th. pa hoxhë, prift apo ceremoni fetare, një gropim, prozaik, nën tokë dhe asgjë tjetër?

Nuk do të ishte e drejtë të paraqesësh influencën kineze si krejtësisht negative. Kur Shqipëria para gjashtë vjetësh u prish me Rusinë, shteti rrezikohej të paralizohej plotësisht në sektorin industrial. Rusët furnizonin si me makineri ashtu edhe fabrika të tëra dhe gjithashtu vinin në dispozicion specialistë, që kujdeseshin që çdo gjë të funksiononte. Nuk kishte personel të kualifikuar shqiptar, që mund të merrte përsipër kur ikën specialistët, por Kina nxitoi të mbushtë boshllëkun dhe rreziku i paralizës u shmang. Ekspertët kinez që prej atëherë janë shtuar më shumë, dhe ata i sheh aty këtu. Ata dalin në grupe nga gjashtë, shtatë vetë dhe duken se nuk kanë asnjë lloj kontakti me shqiptarët thjeshtë në aspektin njerëzor. Në hotel hanë në mensë të rezervuar, ku i sheh të ulur më vete me buzëqeshjet e tyre mekanike. Tashmë ata nuk kontrollojnë vetëm makinat ruse por edhe ato kineze, ngaqë Kina ka dhënë ndihmë të konsiderueshme dhe ka mundësuar të hapen industri të reja. Por ndihmesën më të madhe e kanë dhënë siç duket në bujqësi. Shqipëria është një vend malor dhe bujqësia është përqëndruar nëpër lugina. Sipas kërkesës së Pekinit tani Hoxha ka hedh parullën “Ne do të triumfojmë mbi malet!” Modeli është tarracat. Në tarraca të ngushta, që ngrihen pambarim njëra mbi tjetrën dhe malet kanë marrë pamjen sikur shkallë qiellore, kanë mbjellur pemë, patate bile edhe drithë. Kjo është një tip bujqësie, që kërkon shumë, dhe që i vë ushtruesit nën një presion të tmerrshëm. Rezultati vlen të nderohet. Tarracat gjatë liqenit të Ohrit janë madhështore. Të duket sikur ndodhesh në Kinë. Edhe në shumë zona të tjera malore, shqiptarët ia kanë arritur shkëlqyeshëm në saj të modelit kinez.

Që gjithmonë duhet të jetë ndonjë një shtet tjetër, që paguan, është tragjedia e përjetshme e Shqipërisë së varfër. Por sipas pikëpamjes së Enver Hoxhës është shumë më mirë që shteti financohet nga Pekini se sa nga Moska. Regjimi shqiptar ka karakterin e një sipërmarrje familjare të uritur për pushtet më një tiran në krye. Ky është një tip regjimi që deri diku të kujton atë të Maos dhe para së gjithash të Stalinit dhe tashmë do ishte e pa përfytyrueshme si në Rusi ashtu edhe në shtetet e lindjes. Por sikur tani të kishte qënë nën mbrojtjen e Rusinë nuk kishte pasur mundësi të qëndronte në pushtet. Kina nuk paraqet asnjë kundërshtim, përkundrazi. Me që Shqipëria gjithnjë detyrohet të jetë sateliti i dikujt, s´është aspak keq me një financues, që ndodhet në anën tjetër të rruzullit tokësorë. Njeriu ndihet më i lirë. Po Kina? Doni ta dini ju. Çfarë fitimi ka Kina nga ky biznes? Tri përparësi të bien direkt në sy. Në Tiranë kinezët disponojnë një shtypshkronjë për propagandën e saj në Europë, e cila thjeshtëson problemin e transportit. Ata gjithashtu përdorin radiostacionin jashtëzakonisht të fuqishëm dhe bëjnë propagandë antirevizioniste në shtetet e lindjes, e cila nuk mund të bëhet nga Pekini. Dhe në fund por jo më pak kjo: vetëm ekzistenca e diçkaje kaq absurde dhe intensive anti-europiane që një satelit kinez në breg të detit Adriatik, edhe kjo tashmë është një triumf më vete./Memorie.al / KultPlus.com

Letra e Fan Nolit për Enver Hoxhën

Zoti Kryeministër,

Kolloneli Tuk Jakova, në lamtumirën që botoi në Diellin, 18 shtator, të mbyllur këtu Brenda, më hapi luftën me disa akuzata dhe insituata të shëmtuara. Nuk mund t’i përgjigjem botërisht tani për tani, se nuk dua të embararasoj guvernënnë këtë kohë kritike as tërthorazi, duke goditur delegatin e saj. Do të flas pasi të shkonjë kriza. Sa për tani, nuk më mbetet veçse t’ju qahem juve, që na  derguat këtë kërcu të pagdhendur.

Për të nisur, Kolloneli nuk di shqip, as gegërisht as toskërisht; Në çdo dialekt që i flinsja ay nuk me merrte vesh nga shaku që është një budalla pa kulturë. Kurrë në jetën time nuk jam dëshpëruar aq sa kur pashë këtë njeri si përfaqësonjës të Shqipërisë së Re. Me gjithë këtë, posa arriu në New York, i blatova ndihmën time, dijen time, dhe eksperiencën time pa kondita, pa rezeva, dhe pa pritur as ndonjë çperblim, as ndonjë memuriet. Po ay më shikonte shtrembër me mosbesim instiktif të barabarit kundrejt njeriut të mësuar. Flas vetëm për Kollonelin, se delegatët e tjerë ishin aq të dominuar prej tij sa ay as i përfillte fare. Në mbledhjen e parë biseduam mi konferencat, që do të bënin nëpër kolonitë shqiptare.

Më polli shpirti gjersa shtruam një program, të cilin pastaj Kolloneli e ndronte dhe e sakatonte, dyke dëgjuar mëndjet të atyre që u kishte besim, çiliminjve që i njihte si vëllezër nga mentaliteti.

Konferencat van mjaft mirë sa kohë ishte këtu  z. Behar Shtylla po kur ky shkoi në Paris pushuan menjëherë. Duket qe Kolloneli nuk i shijonte aspak. Pas konferencave u hothmë në veprimin diplomatik. E këshillova Kollonelin të kërkonte menjëherë një pjekje nga Sekretari i Përgjithshëm z. Trygve Lie. Ia gatita udhën me anën e profesorit Laugier, një zyrtari të lartë të UNO- së, i cili është Ndihmës Sekretar për Punët Shoqerore dhe Ekomomike. Po Kolloneli e shikonte me dyshim çdo çap që i këshillonja. Kujtonte se unë i vinja ndonjë grackë. Mezi Pranoi dhe e bëri kabull ta shikonte Profesorin.

Ky mirëpriti delegatët dhe ua regulloi pjekjen me Trygve Lie-në. Bashkëfjalimi u zvarris pak  minuta me dy dragomanë. Kolloneli fliste shqip, Behari ia kthente frëngjisht, edhe një dragoman i Sekretariatit ia kthente Trygve Liesë inglisht, meqenë që ky nuk dinte as frëngjisht as shqip. Nga ky muhabet me dy tërxhumane, Kolloneli hoqi konkluzjen groteske, që hyrja e Shqipërisë në UNO ishte punë e mbaruar, telegrafoi në Tiranë, dhe e vuri guvernën në gjumë me lajmën e nje triumfi imagjinar.

Unë isha në prakun e derës së tij, gati qe t’i shërbenja si dragoman, po nuk më thirri, se nuk kishte besim. Bëri vetëm një përjashtim, kur më mori si përkthonjës në pjesën me delegatin Amerikan. Për çudi, nuk i kishte besim as Alqit, edhe i vazhdoi bashkëfjalimet me anë dy dragomanësh edhe në disa raste të tjera. Lajmën që Kolloneli e kishte vënë guvernë në gjumë me fjale e bukura të Trygve Liesë e mësova disa javë pas ngjarjes, se Kolloneli nuk m’i tregonte sekretet diplomatike. I çfaqa dyshimin që  fjalët e ëmbla dipllomatike nuk duhen marrë si senet, po ay veshin shurdhër. Që në pjekjen e parë e këshillova të shkonte në Washington dhe të hynte në kontakt me Departamentin e Shtetit edhe me Kryqin e Kuq Amerikan. Nuk më dëgjoi. I la këto vizita kryesore për ditën e funtme të gushtit, dy muaj më vonë.

Kur mori pyetjet nga Komisioni i Anëtarësisë, Kolloneli më bëri favorin të më pranojë si dragoman, dhe kështu e ndihmova në formulimin e përgjigjeve dhe të memorandëve, të cilat më kanë mbajtur pa gjumë disa netë. Ditën Kolloneli m’i ndreqte, dyke insistuar jo vetëm në esencën, po edhe në retorikën e kulluar. Kur ardhi çështja e trakteve, e këshillova të pyeste guvernën përpara se të përgjigjej me argumentin e vjetërsuar të vendimeve të Përmetit, të cilave u kishte shkuar koha, pasi u shtrua projekt teksti paqes me Italinë prej Këshillës së Ministrave të Jashtëm në Paris. Kolloneli refuzoi t’ju pyeste, pse pretendonte që jua dinte mejtimin. U çudit kur mësoi më vonë që ju e kishit rikonsideruar çështjen dhe i kishit pranuar traktatet multilaterale pa kondita.

Në funt të gushtit Kolloneli shkoi në Washington dhe kur u kthye në New York, më siguroi se rilidhja e marrëdhënieve midis Kryqit të Kuq Amerikan dhe Kryqit të Shqiptar ishte punë e mbaruar. Siç u muar  vesh pastaj, Kolloneli u bë prapë viktima e naivitetit dhe e padijes së gjuhës. Puna jo vetëm nuk ishte ndrequr, po ishte prishur fare.

Tani Kryqi i Kuq Amerikan, sipas fjalës, i lidhi ndihmat e mbledhura këtu dhe nuk i la të shkojnë në shqipëri. Sa për çështjen e bashkimit, ju lutem të këndoni një komunikatë që botoi Vatra në Diellin, më datë 25 shtator, të mbyllur këtu brënda. Nga kjo do të merrni vesh qe Vatra ka bërë një propozim për tretjen e plotë të dy organizatave, dhe nuk ka marrë ndonjë përgjigje  nga Shqipëria e Lirë. Këtë gjë di fare mirë Kolloneli po nuk e përmendi në Lamtumirën. 

Veç kësaj, ky propozim i Vatrës është akoma i hapur, dhe negociatat nuk jane prerë. Përse ahere Kolloneli i deklaroi lu, ftë Vatrës edhe mua pa pritur përfundimin e këtyre bisedimeve. Më në funt, rolli i nërmjetarit është t’i pajtojnë të dy anët jo ta përkrahë njërën anë dhe t’i deklarojnë lu, ftën anës tjetër, siç bëri Kolloneli.

Tani vinj në konkluzjen: Nga budallallëkët e Kollonelit nuk do ta ndyshoj qëndrimin tim përpara Shqipërisë dhe guvernës suaj në theori. Po në praktikë puna ndryshon. Në doni  bashkëpunimin tim, duhet të dërgoni një njeri, i cili të më ketë besim dhe i cili të dijë të paktën  shqip që të merremi vesh. Sa për të huajt, duhet të dijë të paktën inglisht, meqenëqë këtej nuk shkon shumë frëngjishtja. Nga ana tjetër nuk duhet të më impononi zevzekë të këtushëm si bashkëpunëtorë, të cilët ju nuk mund t’i njihni.

Dy fjalë për marëdhëniet me Amerikën, të cilat janë kyçi i problemeve tuaj këtu. U  lodha dyke ju përsëritur që duhet t’i pranoni traktatet në  parim pa  kondita, se fundi i fundit kjo nuk është vetëm  një çështje formulle pa rëndësi praktike.  Pasi të lithni marëdhënënje diplomatike me Amerikën, ahere çështja e Kryqit të Kuq Amerikan do të zgjidhet vetetiu me pak durim, dhe vetem ahere do të hapet udha për te nisur një fushatë serioze. Një fjalë për të mbaruar.

Kolloneli kur më hapi lu, ftën, nofta kishte harruar që ishte delegat i Shqipërisë. Po milei kujtojnë që ay flet në emrin e guvernës. Tani, në qoftësë nuk jinni në një mendje me Kollonelin, duhet ta këshilloni t’i marrë prapë që më ka bërë. Në mos i marrtë prapë, do të jem i shtrënguar të konkludonj që guverna e aprovon lu, ftën që më deklaroi Kolloneli. Ashtu e do llogjika për fat të keq. Dhe ahere bashkëpunimi ynë merr funt në praktikë.

Kam shpresë që episodi i Kollonelit është vetëm makthi i një nate të keqe, dhe që kurrë nuk kini patur qëllim t’u bini me shkelmë miqve tuaj.

Me të fala vëllazërore,

Juaji me besë

Peshkop F.S.Noli

26 Blagden Street

Boston, 16 mass

30 shtator 1946. /KultPlus.com

Kjo është historia e fotografisë së parë të partizanëve shqiptarë të cilët luftojnë kundër regjimit të Enver Hoxhës

Nga Aurenc Bebja  

“Paris-presse” ka botuar, të premten e 20 marsit 1953, në ballinë, një shkrim në lidhje me historinë e fotografisë së parë ekskluzive të partizanëve shqiptarë “titistë” që luftonin kundra regjimit rusofil të Enver Hoxhës, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

Ekskluzive – Fotografitë e para të partizanëve shqiptarë

 (Nga të dërguarit tanë të veçantë në kufirin shqiptar : François PAGES dhe Jean-François DEVAY)

Fotografia e partizanit shqiptar: do të vërejmë dobësinë e armatimit të guerileve dhe uniformat e tyre heterogjene.

“Kur e bëra këtë foto, ne nuk ishim aq të qetë.”

Njeriu që po flet në këtë mënyrë është një përkrahës i ushtrisë së kryengritjes shqiptare dhe dokumenti për të cilin po flet është fotografia e parë që na ka ardhur nga zonat e çliruara të Shqipërisë që nga vdekja e Stalinit, këtu më lart.

Ngjarja ndodhi javën e kaluar në rajonin e Lumës në veri të Shqipërisë. Një grup partizanësh, të cilët kishin disa muaj që qëndronin në një zonë malore, zbritën në fushë që të çlironin një nga të burgosurit e tyre. Por ai  u vu në vështirësi nga një batalion i “brigadave speciale” – S.S.-të (sigurimsat) e regjimit rusofil të Enver Hoxhës dhe filluan luftime të përgjakshme.

Disa dhjetëra burra humbën jetën në secilin kamp dhe më në fund partizanët u ngjitën në male. Gjatë ngjitjes, njëri prej tyre u kërkoi shokëve të tij të pozojnë për foton më lart gjatë mjekimit të një partizani të plagosur rëndë. I plagosur edhe vetë disa ditë më vonë, partizani-fotograf u largua në Jugosllavi, ku u prit nga “komiteti” i famshëm i Apostol Tanefit, te i cili ne atëherë ishim nikoqirë. Kështu kemi marrë këtë dokument të një cilësie teknike të diskutueshme, por me një origjinalitet të çmuar.

“Komiteti” i Apostol Tanefit, është qeveria shqiptare filo-jugosllave e përbërë nën kufirin jugosllav nga “titistët” kundërshtarë të regjimit rusofil të Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut. Ai e ka qendrën në Prishtinë në një strehë të thjeshtë, ku ngjason me një seli të Partisë Komuniste sesa një qendër qeveritare.

https://www.darsiani.com/la-gazette/paris-presse-1953-kjo-eshte-historia-e-fotografise-se-pare-te-partizaneve-shqiptare-titiste-te-cilet-luftojne-kundra-regjimit-rusofil-te-enver-hoxhes/.

Rrëfimi i një nënë që gjakun e të birit ia kërkonte Enver Hoxha

Nga Agron Tufa

GJAKU I TIM BIRI

(sipas rrëfimit të një nëne)

– Të kërkon kryetarja e Komitetit të Partisë së Beratit, shoqja Jemine Guri, – më tha polici. Bashkë me tim bir për dore, Aturin e vogël katërvjeçar, ai na shoqëroi nga fshati i internimit deri në hollin e Komitetit. Ishte 10 tetori i vitit 198…
– Djalin lërja sportelistes, – tha polici. – Nuk mund të hysh në zyrën e shoqes Jeminé me djalin përdore… pesë minuta… mbaron punë dhe e merr.
Sportelistja, një grua e re me përparëse të kaltër, i buzëqeshi ëmbël Arturit të vogël me kaçurrela të arta, por ai u ngjesh pas meje. Për të kapërdirë parandjenjën e errët që më kaploi, nxorra një kallamsheqeri dhe ia dhashë. I bënë përshtypje vijat e kuqe, bardhë e blu dhe u gënjye. Polici me futi në një derë të katit të parë dhe vetë u largua. Brenda më prisnin dy gra dhe një mesoburrë me kostum gri.
– Ti ke një djalë, apo jo? – filloi burri.
– Po, – i thashë, – sot ka mbushur katër vjeç…
Më përshkuan të dridhurat. Asnjë fjalë urimi.
– Ne, Partia, nuk do të lejojmë, që djali yt të rritet nga një reaksionare si ti… – tha, dhe pauzën që pasoi e mbushi me të trokitura thoi mbi siprinën e tavolinës. – Nuk do ta lëmë gjakun e shkokut tonë partizan, besnikut të Partisë, të bastardohet nga një nënë reaksionare, bijë bejlerësh gjakpirës! Dëgjon? Ndaj ne…
Mësyva derën shigjetë e dola jashtë.
As djalin, as gruan me përparëse të kaltër s’i pashë kund.
– Ku ma çuat djalin? Djalin! – piskata fort.
Burri me dy gratë kishin dalë në holl. Renda në oborr. Askund, asnjë shenjë e djalit tim.
– Kot e kërkon, – foli burri me kostum gri. – Ai ndodhet larg tashmë… nuk e arrin.
Pas kësaj rashë në koma. Pas 5 muajsh u përmenda, por nuk mund të lëvizja. Paraliza më mbërtheu në shtrat për 3 vjet. Vetëm nënën pata te kryet. Herë-herë vinte dhe im shoq. I shkatërruar. Vetëm një fjali ia përsërisja vazhdimisht: “Shko, gjeje djalin tonë!”. Ai vetëm qante. Kaloi paraliza dhe më dërguan fill në internim. Pastaj burg prapë, e prapë internim. Me radhë. Vinin oficerët e sigurimit papandehur. Bastisnin kasollen dhe ulërinin: “Ku i ke fshehur poezitë!”
Derisa ra diktatura. Nisa kërkimin e Arturit tim. “Tani do të jetë bërë 12 vjeç. A do të më njohë?” Derisa, një dite të mjegullt vjeshte të vitit 1991, një grua e panjohur trokiti në portën e kasolles sime.
– Zonjë, – më foli. – Ti nuk më njeh. Unë jam Afërdita nga Përmeti, një kushërirë e dytë e dajove të tu. Kam ardhur të të them diçka, e cila duhet të groposet midis nesh. Përndryshe, po ma nxorre emrin, unë bashkë me burrin e fëmijët e mi jemi të vdekur brenda ditës. Kam ardhur të të them mos e kërko më djalin tënd, Arturin. Bëhu e fortë dhe mos ushqe iluzione. Djali yt ka vdekur. Që kur është rrëmbyer, është mbajtur në një shtëpi të fshehtë në Tiranë, bashkë me disa fëmijë të tjerë të mitur. Aty i ushqenin mirë dhe një herë në javë, u merrnin gjak. Në një nga këto raste, me 30 mars 1985, fill pasi i morën gjakun, Arturi… nuk u përmend më. E kam parë me sytë e mi. Vdiq, si shumë vogëlushë të tjerë, që zëvendësoheshin me të tjerë…
I gjori im bir! Gruaja nuk e dinte se atë ditë loçka ime do mbushte 6 vjeç…
Mos e kërko më… Bëhu e fortë, – tha gruaja dhe vrapoi në mjegull, duke më lënë të shituar në prag.
– As varrin mos ia kërko! – erdhi zëri i saj, tashmë nga mjegulla. – Janë sekrete që nuk hapen kurrë, – shtoi për herë të fundit gruaja, që kishte kohë e tretur në mjegull. Nuk e pashë më në jetë atë grua. Ua kishte thënë edhe dajave të mi. Po atë natë qe larguar familjarisht në Greqi.
Në verën e vitit 1997 im shoq më thirri të shkoj për të pastruar tek shtëpia e prindërve të tij në Vlorë. Në dhomën e vjehrrit që më pati urryer, gjeta dy blloqe të trashë. Në njërin ai kishte shkruar kujtimet e jetës së tij, ndërsa blloku tjetër ishte ditar. Nisa ta shfletoj e të lexoj pavullnetshëm, derisa u ndala, duke kërkuar, në shënimin “8 tetor 198…”:
“Gjithçka është ujdisur me kujdes… Plani që bëmë me shokët Vjollca Meçe, Zamir Shtylla dhe Ahmet Toporaku, s’ka pse të mos funksionojë. Djali i B… Artur S…, do të rrëmbehet në Komitetin e Partisë së Beratit… Do ta shlyejmë dhe këtë njollë. Më në fund….”
Më shungëllonin veshët. Si kështu!? Vjollca Meçe ishte kushërira e vjehrrit tim! Perëndi, gjëmën ma paskan kurdisur të mitë, mendova dhe ndjeva se po më binte zali. A e ka ditur vallë gjyshi enverist se ku po e çonte gjakun e nipit 4 vjeçar? Si ta pyes, tani që ka vdekur?
Do të shkoj t’i ulem mbi varr, t’i piskas… deri sa të ngrihet… të më japë përgjigje! / KultPlus.com

Amerikanët zbulojnë detaje nga konflikti Shqipëri-Jugosllavi më 1956-1957, Hoxha dhe Tito sulme e akuza ndaj njëri-tjetrit

Gazeta amerikane “New York Times” ka zbardhur detaje nga përplasjet mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë në vitin 1956 dhe 1957. Përmes disa shkrimeve, tregohen sulmet mes qeverisë shqiptare dhe asaj jugosllave.

29 nëntor 1956

Jugosllavia sulmon regjimin e “terrorit” në Shqipëri

Jugosllavia raportonte sot për një valë të re terrori nga Shqipëria me vrasje dhe arrestime masive. Diplomatët e kthyer prej andej së fundmi raportojnë se dy javë më parë rreth njëzet njerëz të rreckosur, nisën një demonstratë duke kërkuar dru për zjarr për familjet e tyre, por ata u ndaluan nga autoritetet dhe pesë prej tyre u pushkatuan.

Fakti që shqiptarët guxuan të demonstronin konsiderohet i jashtëzakonshëm, por ata mund të jenë inkurajuar nga lajmet për revoltën në Hungari e Poloni ku manifestime të tilla nuk ishin dënuar. Shqipëria ka mbetur prapa vendeve të tjera komuniste nën regjimin e Enver Hoxhës. Edhe kur udhëheqësit e BRSS bënë paqe me presidentin jugosllav Tito vitin e kaluar, Shqipëria i ndoqi në politikë por me pendesë. Përmirësimi i ngadaltë i lidhjeve mes Beogradit e Tiranës nuk ka arritur avancime të mëdha.

Edhe sot armëpushimi mes tyre i ka dhënë rrugë një debati ideologjik. Hoxha ka qenë udhëheqësi i parë komunist që sulmoi jugosllavët për konceptin e rrugëve të ndara drejt socializmit, në një artikull të gazetës sovjetike Pravda. Kjo u ndoq nga dënesa e Mautice Thores, kreu i Partisë Komuniste të Francës, nga Rude Pravo i partisë çekosllovake dhe nga vetë Pravda. Jugosllavët nuk hezituan të dënojnë Hoxhën me fjalët më të ashpra.

Këtë mëngjes Borba raportonte se Tirana ka nisur arrestime masive të personave që dyshohen se shprehin simpati pro-jugosllave. Borba shton se në të gjithë vendin po mbahen konferenca partie ku sulmohet dhe demonizohet Jugosllavia. Duke iu përgjigjur kritikave ndaj fjalimit të Titos në 11 nëntor mbi ndërhyrjen sovjetike në Hungari, gazeta e Beogradit tha se Tirana ishte rikthyer në gjuhën e sharjeve dhe të urrejtjes së të kaluarës.

“I gjithë artikulli vijon të tregojë se udhëheqja shqiptare nuk devijon nga rruga që ka ndjekur prej vitesh. Ajo e ka shtruar mirë këtë rrugë me skuadra pushkatimi dhe shpifje e intriga ndaj të gjithë atyre që guxojnë të mendojnë ndryshe. Është një çështje tjetër të mendosh se sa socialiste është kjo rrugë në të vërtetë”, shkruan Borba.

19 shkurt 1957

Hoxha akuzon Titon për komplot

Të tjera akuza të rënda ndaj Presidentit Tito u bënë dje nga kryeministri shqiptar Enver Hoxha gjatë një fjalimi në Komitetin Qendror të Partisë së Punës. Hoxha akuzoi Jugosllavinë se kishte inkurajuar zv. kryeministrin shqiptar Tuk Jakova dhe anëtarë të tjerë të qeverisë të komplotonin kundër tij. Fjalimi i Hoxhës u transmetuar nga Radio Tirana dhe u monitorua nga afër.

Kreu i partisë shqiptare akuzoi më tej Titon se po dobësonte dhe ngatërronte kauzën e komunizmit duke sharë Bashkimin Sovjetik dhe duke ndërhyrë në punët e brendshme të Hungarisë dhe të Shqipërisë, me qëllim përmbysjen e qeverive atje. “Pretendimet e liderëve jugosllavë dhe interpretimi i tyre për ngjarjet në Hungari si një revolucion popullor, është një gabim i rëndë. Akuzat e tyre janë jo vetëm të pabaza, por tentojnë të ngatërrojnë më shumë situatën me qëllim të mbulojnë luftën e klasave dhe të mbjellin konfuzion mes radhëve të partive komuniste.

Goditet politika jugosllave

Hoxha tha se politikat jugosllave kërkojnë ta përfaqësojnë veten si të parët që kanë vendosur një marrëdhënie të re me Bashkimin Sovjetik dhe vendet e tjera duhet të ndjekin shembullin e tyre, nëse nuk duan të pësojnë atë që i ndodhi Hungarisë. “I gjithë populli shqiptar e refuzon këtë këshillë pasi ajo që na kërkojnë në të vërtetë është të shkëputemi nga Bashkimi Sovjetik, siç ka bërë Jugosllavia”, tha Hoxha.

“Komiteti Qendror i Partisë Shqiptare ka qenë korrekt në sulmet e tij kundër revizionistëve fashistë dhe elementëve tradhtarë që janë përpjekur haptazi ose fshehurazi të përgatisin kushtet për rivendosjen e kapitalizmit dhe zgjedhës imperialiste në Shqipëri. Armiq të partisë sonë si Tuk Jakova dhe Bedri Spahiu (ministri i Arsimit) e të tjerë, kanë marrë pjesë në konferenca në Tiranë të organizuara nga Jugosllavia”, tha Hoxha më tej, pa zbuluar fatin se çka ndodhur me dy zyrtarët e rrëzuar.

Pasi mbrojti Stalinin si një marksist i madh që gabimisht mendoi se po mbronte revolucionin me gabimet e tij, Hoxha shtoi se udhëheqësit jugosllavë sulmonin Stalinin për kultin e individit por e bënin këtë në vendin e tyre.

24 shkurt 1957

Beogradi i kundërpërgjigjet akuzave të Hoxhës

Jugosllavia ka refuzuar sot goditjet verbale të kreut komunist të Shqipërisë Enver Hoxha. Denoncimi i kryeministrit shqiptar është në “kundërshtim flagrant” me kontributet për paqen në Ballkan, tha në një deklaratë zëdhënësi i ministrisë së Jashtme të qeverisë së Titos.

Jugosllavia nuk mund të pranojë sulme të tilla sidomos pas deklaratave të fundit nga Bashkimi Sovjetik dhe Bullgaria mbi rëndësinë e solidaritetit socialist, shtoi ai. Ankesa kryesore e Hoxhës në Radio Tirana ishte se Beogradi është fajtor për ndërhyrje të rënda në punët e brendshme të Hungarisë e Shqipërisë dhe se kishte refuzuar ofertat paqësore të Bashkimit Sovjetik.

27 shkurt 1957

Jugosllavia pranon konfliktin me BRSS

Qeveria jugosllave ka akuzuar sot Bashkimin Sovjetik se po kryen një fushatë të organizuar për izolimin dhe diskreditimin e vendit. Beogradi pranoi hapur se ka një konflikt të ri me Moskën e cila sipas tyre kishte anuluar kreditë e ndihmës prej rreth 250 milionë dollarë. Zëdhënësi tha se Jugosllavia nuk mbante përgjegjësi për prishjen e marrëdhënieve qeveritare dhe ekonomike.

Zëdhënësja e qeverisë tha se fushata sovjetike me vendet lindore kundër Jugosllavisë nuk vinte nga ndryshime ideologjike por ngaqë Beogradi nuk i bashkohet ‘kampit socialist’ të udhëhequr nga BRSS dhe për të pranuar komandën e tij. Një deklaratë e ngjashme u dha më vonë dhe nga ministri i jashtëm Koca Popoviç në Parlament. Me një ton të moderuar ai e përshkruante Jugosllavinë si një komb të futur në mes të dy konkurruesve që nuk e kuptonin atë.

Deklarata ngrinte lart ‘ndihmën e çmuar’ të SHBA dhe shprehte shpresën për zgjerimin e marrëdhënieve me Perëndimin. Popoviç i kushtoi shumicën e fjalimit të tij konfliktit me Moskën dhe foli fjalë të rënda për Kremlinin dhe aleatin e tij të vogël Shqipërinë. Reagimet e para ndaj fjalimit të Popoviç thoshin se me këtë presidenti Tito kishte hequr dorë nga pretendimet se dallimet e tij me Bashkimin Sovjetik janë vetëm ideologjike.

Raporti konsiderohej si një paralajmërim se era që fryn nga Lindja do të sjellë një ‘kafshim’ të veçantë në muajt në vijim. Popoviç tha se nuk mund të gjendet asgjë në ngjarjet e vitit të fundit që të justifikojë këtë dënim të Jugosllavisë nga Blloku Socialist Sovjetik e madje përmendi fjalët e javës së kaluar të Nikita Krushov, i cili tha se çdo vend është i lirë të ndjekë rrugën e tij në kërkim të zhvillimit.

24 mars 1957

Hoxha i Jugosllavisë refuzon akuzat e keqtrajtimit të shqiptarëve

Fadil Hoxha, kreu i Këshillit të Kosovës, rajonit autonom shqiptar të Jugosllavisë, ka refuzuar sot pretendimet e kreut komunist të Tiranës Enver Hoxha për keqtrajtim të minoritetit shqiptar. Në një miting në Prishtinë, Fadil Hoxha akuzoi dje Enver Hoxhën se po përpiqej të nxiste urrejtje shoviniste mes popujve të Shqipërisë e Jugosllavisë dhe se qëllimisht po ndërhyn në punët e brendshme të Jugosllavisë. Konflikti kryesor mes dy Hoxhave është pozita politike e minoritetit shqiptar në Jugosllavi prej rreth 750 000 njerëzish në një kohë kur popullsia e Shqipërisë është rreth 1 200 000.

Rritja e shpejtë e popullsisë

Por shqiptarët nuk janë vetëm minoriteti më i madh në Jugosllavi por dhe ai më primitiv dhe me rritjen më të shpejtë. Që prej censusit të parë jugosllav në 1921 kur shqiptarët numëronin 440 000, ata janë rritur me 71 përqind, në një kohë kur popullsia jugosllave është rritur vetëm me 36 përqind.

Por, Enver Hoxha tha në fjalimin e tij se “udhëheqësit jugosllavë kanë nisur një fushatë shoviniste e anti-marksiste ndaj popullit të Kosovës, një rajon në të cilin situata është e mjerë. Liderët jugosllavë po ndjekin politika të shkatërrimit të karakterit kombëtar teksa dhjetëra mijëra prej tyre janë detyruar të japin tokën dhe shtëpitë e tyre duke emigruar në Turqi. Udhëheqësit jugosllavë po përpiqen ta transformojnë vendin në një bazë veprimi kundër Shqipërisë”, tha Hoxha.

Refuzimi i akuzave

Shtypi jugosllav nuk e ka publikuar fjalimin e Hoxhës por më 28 shkurt ka dërguar një notë proteste qeverisë shqiptare duke u ankuar për “provokime kundër integritetit territorial të Jugosllavisë”. Fadil Hoxha citonte në përgjigjen e tij se shqiptarët në Kosovë kishin të drejta të njëjta me qytetarë të tjerë të Jugosllavisë dhe se ndërhyrjet nga jashtë nuk do të arrinin kurrë të përçanin ata me serbët, malazezët apo turqit që janë të gjithë fqinjë në Kosovë e Jugosllavi.

Ai shton se shqiptarët atje kanë shkollat e tyre, shtypin dhe teatrin ku përdoret gjuha shqipe. Fadil Hoxha shton se minoriteti shqiptar përfiton nga zhvillimi ekonomik i rajonit, ndërsa Shqipëria nga ana tjetër nuk ka bërë asgjë për t’i dhënë të drejta minoriteteve të saj malazeze e maqedonase.

Këto grupe sipas tij, nuk kanë shkolla në gjuhën e tyre apo mundësi të tjera mësimi. Ndërsa për akuzat e Hoxhës së Shqipërisë se shqiptarët po detyroheshin të emigronin në vende të tjera, Fadili tha se ishte një gënjeshtër e madhe.

Ai argumentonte se prej fundit të Luftës vetëm 291 shqiptarë kanë ndryshuar qytetarinë nga rreth 500 000. Zyrtarët e qeverisë jugosllave janë të shqetësuar nga përpjekjet shqiptare për të nxitur minoritetin e saj të Kosovës, dhe e konsiderojnë këtë një nga lëvizjet më kërcënuese të Hoxhës./sotnews/KultPlus.com

Fotografi i mirënjohur tregon sesi priti 12 ditë për një foto të Enver Hoxhës

Fotografi i mirënjohur Petrit Kumi, në një rrëfim për rrugëtimin e tij si fotograf, kontributin e tij të gjatë tek revista Ylli, bashkëpunimin e tij me intelektualët e shquar si Ismail Kadare dhe Dhimiter Shuteriqi, si dhe për foton e fundit të Enver Hoxhës, kur gjendja e rënduar shëndetësore e diktatorit mbahej sekret për publikun.

Personi që ka lënë gjurmë shumë të rëndësishme në historinë e fotografisë shqiptare para viteve të 90-ta, ishte në qendër të dokumentarit të gazetares Genta Popa Prodani, që u transmetua të dielën në mbrëmje në ciklin “Exclusive”, ne Top Channel.

Petrit Kumi, mjeshtri me një karrierë gjysmëshekullore në fotografinë e shtypit, është sot i fundmi i një plejade fotografësh shqiptarë që ruan ende emocionet dhe sfidat e një kohe tjetër të fotografisë, krejt e ndryshme nga kjo e sotmja. Atëherë asgjë nuk ishte digjitale, e çastit. Përkundrazi, rezultati i shkrepjes së kerkuar vinte pas orëve të tera pritjeje në dhomën e errët.

“Puna krijuese në dhomën e errët- kujton Petrit Kumi, zhvillimi i negativeve dhe fotografisë nëpër bacinela do të mbetet për mua një kujtim i përhershëm gjatë gjithë karrierës sime në fotografi, një përvojë e jashtëzakonshme dhe e papërsëriteshme, unike në llojin e vet. Kam qenë pjesë e atij grupi krijuesish të fotografisë shqiptare që i dha jetë artit fotografik në ato vite duke e zhvilluar atë brenda mundësive që kishim. Nëpermjet kësaj përvoje jam njohur me fotografinë e vërtetë si shkencë dhe si art“.

Mbi të gjitha, ishte koha kur arti i fotografisë ashtu si dhe të gjitha artet e tjera në vend, zhvillohej krejt në kushtet e një lirie te cunguar, që kufizonte frymëzimet e bukura dhe të natyrshme te shpirtrave të lirë artistik, për ti ndrydhur ato në thellësitë më të mëdha të ndërgjegjes, për një kohë të gjatë. Aq sa jeta e një njeriu të mos mjaftojë për t’i rinxjerrë më prej andej.

Në dokumentarin ”Petrit Kumi, fotografi në kohën e diktaturës” mjeshtri i mirënjohur shpreh keqardhjen që nuk është fotograf në këtë kohë, kur edhe me një celular, siç thotë ai, mund të bësh gjëra shumë të mira. ”Rëndësi ka ideja dhe mendimi i qartë për atë që dëshiron të bësh. Sot nuk ke nevojë të pyesesh sekretarin e partisë për të bërë një foto, e ke në rrugë motivin, rrëmbeje dhe nxirre në foto”

Petrit Kumi rrëfen për Exclusive se si u bë fotograf në kushtet e mungesës së një shkolle të mirëfilltë të këtij zhanri në Shqipëri dhe të mjeteve të nevojshme për të zhvilluar fotografinë moderne shqiptare. ”Ishte një kohë shumë e vështirë, ku mungonte baza materiale që unë ta zhvilloja fotografinë sipas kërkesave që kisha”

Me një karrierë gati gjysmë shekullore në fotografinë e shtypit, Petrit Kumi kujton se në vitin 1952, fitoi çmim në konkursin ndërkombëtar të fotografisë së shtypit në Moskë. Në vazhdën e viteve 50 ai u bë pjesë e fotografëve që punuan në Agjensinë Telegrafike Shqiptare, ku realizoi shumë fotografi të personaliteteve të rëndësishme që vizituan atëkohë Shqipërinë, përfshi Nikita Hrushovin, kryetarin e Bashkimit Sovjetik, aleatit më të madh të regjimit të kohës. Mjeshtri Petrit Kumi u identifikua më pas me Revisten Ylli, të vetmen revistë social-kulturore të kohës së diktaturës, ku punoi si fotograf dhe fotoreporter për disa dekada. Në qendër të fotove të tij ishin më së shumti njerëzit e thjeshtë në përditshmërinë e tyre. Por dimensioni i tyre artistik i bënte ato shumë të pëlqyeshme për publikun.

Ndërsa shkrepte foto në cdo cep të Shqipërisë së kohës, ai vazhdimisht kërkonte të thellohej në debate të rëndësishme për fotografinë të cilat i gjente të trajtuara sidomos në ndonjë revistë të huaj që arrinte ti binte në dorë. Ku fillon piktura e ku mbaron fotografia? Apo anasjelltas.

Petrit Kumi bisedonte shpesh për fotografinë me intelektualët e shquar të kohës si Ismail Kadare e Dhimitër Shuteriqi, dhe mbi vargjet e tyre shkrepte fotot e tij.

”Unë përfitoja shumë nga kultura dhe informacioni që ata kishin për fotografinë – thotë Kumi, dhe një javë shkoja tek Kadare, e javën tjetër tek Dhimitër Shuteriqi. Nuk i ndahesha unë atyre. Ende sot ruaj një letër të Dhimir Shuteriqit me komentet e tij mbi fotografine. Ai ishte i madhërishëm në informacionet që kishte edhe në këtë fushë”.

Kumi komenton në “Exclusive” një fotografi të shkrepur prej tij gati 30 vjet më parë ku skulptori i mirënjohur Kristaq Rama bisedon me të birin Edi Ramen, atëhërë pedagog në Akademi e Arteve dhe sot kryeminister i vendit.

”Kjo foto – tregon Kumi, është bërë në vazhdën e ndjekjes që unë i bëja figurave që i vlerësoja, në këtë rast sidomos të Kristaq Ramës, që ishte një skulptor i shquar. Ndërsa Edi atëherë ishte shumë popullor dhe bënim shumë biseda së bashku”.

Sa herë që në familjen Hoxha nevojiteshin fotografi artistike, do të thirrej Petrit Kumi. “Ai kishte këtë aftësinë e fotografit artist”- thotë fotografi Roland Tasho. Petrit Kumi rrëfen në “Exclusive” se si arriti të realizojë foton e fundit të Enver Hoxhës, ne kushtet kur gjendja shëndetësore e Hoxhës ishte shumë e rënduar dhe mbahej sekret për publikun.

Mjeshtri Kumi nuk e harron se, kur e morën për herë të fundit për të fotografuar Enver Hoxhën, ka pritur 12 -13 ditë aty, në atë dhomën që kishte krijuar për realizimin e fotos.

“Mesa duket ai refuzonte ose ishte i pamundur nga pikëpamja shëndetësore. Të shtëpisë më thonin, ja tani do e bëjmë, e kur shkonte ora dy më thonin, hajde nesër. E kështu shkoi dita ditës. Kur erdhi ajo ditë, dita e 12. Ai erdhi u ul aty, e ishte shumë i kontraktuar. Bëra shumë shkrepje por vetëm e para ishte më e pranueshme, është ajo që është botuar në revistë”

Duke ju referuar periudhës që ai fotografoi në disa dekada, Petrit Kumi e di se kishte plot anë të tjera të realitetit shqiptar të cilat ai nuk mund ti fotografonte, pasi si thotë Kumi, kjo binte ndesh me politikën e kohës.

“P.sh, unë nuk kam fotografi në radhët e njerëzve që prisnin të merrnin vajguri, apo të atyre që mbanin radhë për të marrë bukën, nuk kisha interes të nxirrja shishet e qumështit apo radhët e mëdha. Kjo binte në kundërshti edhe me idetë e partisë, e ja ku del politizimi, dhe mund të gjobiteshe”. Ndaj dhe shumecka qe lidhet me anet me te erreta te nje realiteti te dukshem e te padukshem te asaj kohe, do te mbetet e fiksuar vetem ne memorien e disa brezave, qe u privuan te deshmojne lirisht kohen e tyre, me te gjitha anet e saj./gazetaexpress/ KultPlus.com

Poema e Ismail Kadaresë kundër sistemit komunist të Enver Hoxhës

Në tetor të 1975- s, Ismail Kadare do të sfidonte një regjim të tërë më vjershën reaksionare “Në mesditë Byroja Politike u mblodh”, apo siç njihet ndryshe “Pashallarët e kuq”, përcjellë KultPlus.com


Asokohe, shkrimtari tentoi ta botonte por korrigjuesit dhe kritikët në redaksinë e gazetës “Drita” ngritën alarmin.
Poema denonconte hapur dështimin dhe përlyerjen me gjak të sistemit diktatorial.
Ju kujtojmë se në 2016- n, 41 vite pas zbulimit të ditarit sekret të udhëheqësit komunist u gjetën shënime të vetë Hoxhës mbi Kadarenë dhe poemën e tij. “Ky poet i lig e përgjithëson për të atakuar Partinë, bazën, socializmin, që janë të fortë si çeliku dhe zbatojnë një rrugë të drejtë të palëkundshme marksiste- leniniste të bazuar në luftën e klasave”, shkruan Enver Hoxha në ditarin e tij.
Për Kadarenë thotë se mendoi se kësaj here vërtet do ta pësonte dhe se “lart e poshtë thuhej gojë më gojë që arrestimi i Kadaresë ishte çështje ditësh”. /konica.al/ KultPlus.com

Në mesditë Byroja Politike u mblodh

Në mesditë Byroja Politike u mblodh.
Vallë ç’ka ndodhur në kufijtë veriorë.
Në kufijtë e jugut vallë ç’ndodh.
Qielli është me re dhe dimri sjell dëborë.
Mos lëvizën klasat e përmbysura,
Mos ka katastrofë në prodhim.
Vallë ambasadorët mos kanë nisur
Radiograme plot shqetësim.
Jo. Kufijtë e shtetit janë të qetë.
Nga ambasadat lajme me alarm nuk ka.
Dhe nën diktaturë të proletariatit,
Dimërojnë kokëulur ish kastat e mëdha.
Dhe prodhimi është normal dhe ditët
Rrjedhin të zakonshme në dhjetor…
Po ahere pse kështu papritur
Në mesditë Byroja Politike umblodh?

2.
Shtetet s’prishen kurrë nga çatitë.
Shumë shumë mund të pikojnë diku.
Nga themelet ata prishen
Këtij ligji
Shteti socialist i bindet gjithashtu.
Mund që lart çdo gjë të duket bukur,
Gara socialiste, merrja këngës, haj.
Dhe pankartat dhe heronjtë e punës
Në gazetë lokale në Një Maj.
Telegrame urimi, diell i ndritur
Në mitingje e vjersha letrarësh të rinj
Kurse poshtë
pikërisht në themelitë
Rritet ngadalë tumor i zi.
Për armiqtë kemi topat, himnet, vallet.
Ambasadat që rrëfejnë diçka për ta.
Për burokratizmin ç’kemi vallë?
Topat s’pijnë ujë
dhe konsuj atje s’ka.

3.
Midis shkresash, telefonash,
letërthithësesh
Ata skenat mbushin gjithnjë
Mjaft me këtë qeshje dashamirëse
Burokratët janë tjetër gjë.
Jo me bojë pelikan përjargur,
Si tuafë të këndshëm ho, ho, ho,
Por të kobshëm
me duar të përgjakura
Gjer në bryle unë ata i shoh.
I shoh atje thellë tek rrëmojnë.
Në themelet e revolucionit pikërisht.
Ç’bëjnë ashtu
pse trupat e dëshmorëve
Kthejnë djathtas, majtas dhe
përmbys?
Pa shiko,
trupat sikur i lajnë.
Nga themelet gjakun duan të fshijnë shpejt.
Dhe pas gjakut amanetet q’ata lanë,
Idealet dhe parimet krejt.
Dhe vulën e gjakut si ta zhdukin,
Oh, e dijnë se është lehtë pastaj
Të ndryshojnë revolucionin, diktaturën
E punëtorëve
thelbin e saj.
Ja kështu, atje në gjunjë të ulur
Lajnë e shplajnë gjakun pa pushim
Po ç’patën papritur
Pse u ndalën
Tek një yrt i shkretë, tek një djerrinë.
Këtu janë varrosur të përmbysurit:
Pashallarë, bejlerë, familjet e mëdha
Ata sulen, trupat kthejnë përmbys e nisin
Që t’i zhveshin me një vrull hata.
Rrobe sundimtarësh të përgjakta
Me nishane e grada veshin shpejt.
Dhe me to mbi supe nëpër natë
Ikin drejt mëngjezit si rrebesh.

4.
Dhe mëngjezi erdh,
Të zbetë, të ngrirë,
Nën mantelet me nishane e me kurorë
Ata shkojnë në zyra, ministrira,
Madje ngjiten gjer në Komitet Qendror.
Pashallarë të kuq. Bejlerë me tesera partije
Baron-sekretarë. Bosë të naftës. Varg.
Në kortezh të zymte, nën himne liturgjie
Çojnë tabutin e revolucionit për në varr…

5.
Kurse pamja e jashtme ishte ndryshe
Buzëqeshje, tundje grushti në miting
Thjeshtësi tek xha Kamberi, tek X gjyshe,
Dhe fjalët “Enver” “parti”, “autokritikë”.
Kështu ishte ditën, kurse natën
Zbrisnin në themel ata sërish.
Por revolucioni s’ish kala e Rozafatit
Që duronte ditën ngre e ngre e natën prish.

6.
Enver Hoxha, syri i tij i mprehtë
Ishte i pari që dyshoi për ta.
Dhe ahere në themele të shtetit
Zbriti si në baladat e mëdha.
Një pishtar të kuq mbante në dorë.
Dheu dridhej
Flaka mbi ta ra.
Dhe i pa tek prishnin gjakun e dëshmorëve
Tek ndanin mantelet seç i pa.
“Ja, ku qenkeni!”
Ata u ngrinë.
– Oh, shoku Enver, hm, rroftë, oj!-
Por ai i mvrejtur me dhembjen në çdo thinjë
Si një mal në dimër bubulloi.
Krisht ai nuk ish që t’i dëbonte
Nga pushteti me kamçik dhe stap.
Ai klasën ngriti të punëtorëve.
Për ta bërë burokratizmin zap.

7.
Si dikur patrullat partizane
Shtegëtojnë ekipet e kontrollit punëtor.
Që të mos i marrin ministritë me topa Nesër.
Sot i marrim me kontroll.
Diktaturë e klasës s’është veç në vjersha
Dhe në ditlindjen e veteranit tornitor.
Je për socializmin?
Vrapo në rrjeshta
Shpall kudo dhe mbi këdo
kontroll punëtor.
Bjeri ditë e natë burokratizmit,
Klasën që u përmbys nën këmbë e mbaj.
Në se s’do që nesër skuadër e pushkatimit
Të të vejë në mur tek Bulevardi i Madh.

8.
Ditët ikin.
Vorbullat e ngjarjeve
Nëpër stinë e vite shtjellen me furi
Vijnë plenumet e partisë porsi ushtarët
E revolucionit
në stuhi.
Ecën klasa pas partisë në ditë epike,
Populli pas klasës derdhet oqean
Dhe n’u mbledhtë prapë Byroja Politike
Mesditë a mesnatë
gati të gjithë janë.

Gazeta gjermane: Në Tepelenë vlerësohet Enveri, jo viktimat e tij

Gazeta gjermane, Tagesspiegel vjen me një tjetër reportazh nga Shqipëria, duke eksploruar të shkuarën komuniste.

“Edhe sot, 28 vjet pas mbarimit të komunizmit, shumë anëtarë të regjimit të vjetër janë akoma aktivë në aparatin shtetëror.

Që ata nuk kanë asnjë interes në përpunimin e historisë dhe krimit, kjo kuptohet,” shkruan gazeta. Ajo viziton edhe Kampin e Tepelenës, duke theksuar se nuk ka një memorial për viktimat, por muzeu i qytetit vlerëson Enver Hoxhën.

Nga Bernhard Schulz, Tagesspiegel

Sheshi Skënderbej, sheshi kryesor i kryeqytetit shqiptar, Tirana, tani është i rezervuar për këmbësorët. Sipërfaqja e gjerë është e mbuluar me gurë natyralë nga të gjitha pjesët e vendit. Në skaj është një xhami nga koha e sundimit otoman, ajo është restauruar nga fonde turke. Paratë, thuhet se vijnë nga arka e Erdoganit.

Diagonal me të është ndërtesa e madhe e Muzeut Kombëtar. Fasadën e zbukuron një mozaik me shumë figura, me një grua energjike me kostum kombëtar dhe pushkën e ngritur në qendër, një luftëtar me flamurin kombëtar në krah, me një shqiponjë dykrenare të vendosur në një sfond të kuq si gjaku. Të tjera figura mishërojnë epoka të tjera të historisë së vendit, mes tyre edhe një banor të shekullit të 19-të. Po punëtorët? Përfaqësuesit e klasës, që gjoja ishin në pushtet për gjysmë shekulli?

Me klasën punëtore, Partia Komuniste nën udhëheqjen e Enver Hoxhës e mori pushtetin në vitin 1944 dhe e mbajti deri në kalimin e thatë në demokraci në vitin 1991. Për ironi, ai nuk kishte nevojë për dashurinë e tyre. Pothuajse ajo nuk ekzistonte. Me të luhej. Ashtu siç luhej me termat demokraci apo pushtet popullor. Në fakt kishte vetëm një sundimtar, fotozhenikun e ri Hoxha, që me zgjuarsi që në moshë të re në vitin 1944, i shërbeu vetes dhe shokëve të partisë nga falimentimi i kolonizatorëve fashisto-italianë. Hoxha mori pushtetin dhe herët a vonë, kundërshtarët dhe bashkëluftëtarët e tij u zhdukën në birucat e Sigurimit- shërbimit të frikshëm të sigurisë kombëtare, ose përfunduan përpara togave të pushkatimit.

Maja e një ajsbergu të përgjakshëm

Turneu informativ, i organizuar çdo vit nga Fondacioni Federal për Përpunimin e Dikaturës, këtë herë i kushtohej Shqipërisë. Ata merren me studimin e trashëgimisë historike në vendet e kontrolluara nga komunizmi deri në fund të viteve 1989/1991. Një javë e mbushur me vizita në vendet përkujtimore dhe me biseda me viktimat dhe zyrtarët- por ajo që mbetet është ndjesia se kjo është vetëm maja e një ajsbergu të përgjakshëm.

Në Shqipëri kishte shumë kampe, në fakt i gjithë vendi ishte një kamp i madh, ku kishte urdhër për të qëlluar këdo në kufi. Terrori nuk ishte diçka sekrete. Gazetarët e asaj kohe, të vendosura në Muzeun Kombëtar, tregojnë shfaqje gjyqesh të mbajtura në kinema të mbushura plot me njerëz, ku njerëzit duartrokisnin për vendime të marra që në fillim, përpara se njerëzit të dërgoheshin në fusha ku ekzekutoheshin nga afër. Pastaj fitimtarët, duke tymosur cigare, qëndronin pranë kufomave. Ndoshta dyshonin se do vinte edhe dita e tyre dikur.

Në Shqipërinë e Hoxhës mbizotëronte stalinizmi deri në fund, edhe në vitin 1991 ishte i dhunshëm. Hoxha admironte Stalinin dhe e imitoi që nga kulti i personit e deri tek gulagët. Në vitin 1961, kur Shqipëria u tërhoq nga Bashkimi Sovjetik i destalinizuar, e ktheu vëmendjen nga Republika Popullore e Kinës, aparati i terrorit vazhdoi të funksionojë. Kur Kina nuk e përmbushi pritshmërinë ideologjike të Hoxhës, vendi plotësisht i izoluar deri në fund të viteve ’70. Shqipëria ishte jashtë vëmendjes së publikut botëror për një dekadë.

Vetëm se aty brenda ishte e tmerrshme. Poshtë disa pjesëve të sheshit Skënderbej ka një sistem bunkerësh të Ministrisë së Brendshme dhe qendra e kontrollit të territorit. Këto dhoma pa jetë janë pjesë e një ekspozite tjetër për terrorin e regjimit komunist, të quajtur Bunk-Art 2. Asnjë torturë nuk ishte e keqe mjaftueshëm sa për të mos u përdorur. Ekziston një provë e rëndësishme, një listë me shkrim dore, e torturave që nga ato me elektroshok e deri tek uria.

Italia ishte afër, por mbeti e paarritshme

Jo larg nga sheshi Skënderbej ndodhet një ndërtesë, e cila shërbente dikur si klinikë private. Më pas aty u vendos Sigurimi. Kjo njihet si Shtëpia e Gjetheve, pasi këtyre janë mbajtur skedarë të panumërt të shërbimeve sekrete. Shtëpia është e mbushur me teknologji, nga këndvështrimi i sotëm të vjetra, por shumë të efektshme në atë kohë.

Në qendër të Tiranës ka shumë ndërtesa të kohës së sundimit kolonialist italian. Ato duken të ngurta dhe komunistët e Hoxhës i përdorën pa hezitim. Vetë Italia mbeti e paarritshme për gjysmë shekull, duke qenë vetëm në anën tjetër të Adriatikut.

Të përndjekurve nuk u lejohej që të afroheshin pranë brigjeve, sepse regjimi praktikonte bashkimin e fiseve për të gjitha brezat. Kishte kampe për gra e për fëmijë. Në Tepelenë, në jug të vendit, 600 të burgosur ishin të paketuar në pesë kazerma të mëdha. Të paktën 300 fëmijë vdiqën me kalimin e kohës nga kequshqyerja apo sëmundjet e patrajtuara.

Simon Mirakaj mbërriti në Tepelenë në vitin 1945 si foshnje- ai mbeti në mënyrë të paimagjinueshme për 46 vite në përndjekje për shkak të një pjesëtari të familjes. Në kazerma gjenden vetëm muret e jashtme, nuk ka një memorial. Në muzeun vendor ruhen modele të tipareve heroike të heronjve komuniste- dhe shkrimet e Enver Hoxhës, diktatorit që ndoqi dhe shkroi për shembullin e Stalinit. Vendlindja e Hoxhës është këtu afër, në jug të vendit, dhe shumë janë akoma krenarë për të.

Në një kodër në periferitë e Tiranës është edhe Nëna Shqipëri. Monumenti është konceptuar si një model i Mëmëdheut, diçka që ekzistonte në Bashkimin Sovjetik nga Volgogradi deri në Kiev. Përpara saj shtrihen varret e partizanëve që ranë në luftën kundër fashistëve italianë. Çdo regjim ka nevojë për heronjtë e tij. Pllakat e varreve janë të çara, duket sikur ajo nuk është e mirëmbajtur.

Në veriun malor gjendet kampi i burgut të Spaçit. Godinat janë të vendosura guximshëm në shpatet e pjerrëta. Këtu jetuan të burgosurit që duhet të bënin punë të detyruar në minierën e bakrit. Ngjitur qëndroni rojet e sigurimit. Ndonjëherë të afërmit lejoheshin të vizitonin të burgosurit, dhjetë minuta nën mbikëqyrje speciale. Për këtë, ata duhej të bënin në këmbë shtatë kilometra me rrugë të pashtruar.

Kishat dhe xhamitë u shkatërruan

Në kamp janë mbledhur ish të burgosur dhe përfaqësues të shoqatës së viktimave për të festuar përvjetorin e kryengritjes së të burgosurve në vitin 1973. Ishte një akt heroik, por pa rezultat. Mbahen fjalime, të gjithë njerëzit pinë duhan, ndërsa qielli nis të rëndohet prej reve. Lart në shpat mund të shihen ekskavatorët. Qeveria shqiptare ia ka dhënë të drejtën për të shfrytëzuar minierat një kompanie turke. Miniera origjinale rrezikon të zhduket. Edhe sot, 28 vjet pas mbarimit të komunizmit, shumë anëtarë të regjimit të vjetër janë akoma aktivë në aparatin shtetëror. Që ata nuk kanë asnjë interes në përpunimin e historisë dhe krimit, kjo kuptohet.

Në Shkodër, vizitorët gjermanë marrin pjesë në përurimin e një monumenti për viktimat e regjimit komunist. Në bashkinë e qytetit mbahen fjalime emocionuese në një sallë të mbushur plot. Se ky mbaron shërbimi përkujtimor dhe ku fillon politika aktuale, vizitori nuk mund ta vendosë. Mund të jetosh në të tashmen, por si gjithmonë dhe kudo, e kaluara është një barrë.

Muzeu i dioqezës është estetik dhe tregon historinë e persekutimit të Kishës Katolike, e cila dominon në veri të vendit. Në vitin 1967, Hoxha e shpalli Shqipërinë si shtetin e parë ateist në botë dhe shkatërroi kisha e xhamia në mbarë vendin. Katedralja e Shkdorës u kthye në sallë sportive, në fasadë u vendoën portrete zyrtarësh. Tani sundon klasa punëtore përmes partisë së saj, thuhej në mesazh.

Ndërkohë katedralja është restauruar me kujdes. Këmbënat bien herë pas here, kurse nga minarja fqinje tingëllon zëri i imamit. Ata kanë bashkëjetuar për shekuj dhe vazhdojnë ta bëjnë sërish. Shqipëria nuk është një strehë e fanatizmit. Përkundrazi, ata shpresojnë të pranohen në BE. Vite më parë, Shqipëria ishte shumë e korruptuar, na thotë një diplomat që shoqëron procesin e rishikimit të drejtësisë, duke shtuar: tani është vetëm e korruptuar.

Nga rruga, vizitorët nuk shohin bregdetin. Bregderi duhet të jetë i bukur. E kaluara e errët shtrihet në brendësi. Duhet ta kërkosh, e megjithatë ajo është gjithmonë e pranishme. / Telegrafi / KultPlus.com

Wired: Bunkerët e Shqipërisë, dëshmia e triumfit mbi nënshtrimin!

Më shumë se 750 mijë bunkerë ushtarakë mbinin dikur anembanë Shqipërisë, një vend i vogël ballkanik i Evropës Juglindore me sipërfaqe prej vetëm 28,748 kilometrash katrore, shkruan Laura Mallonee e revistës së njohur amerikane ”Wired”, që fokusohet në faktin se si teknologjia ndikon në kulturë, ekonomi dhe politikë.

Bunkerët u ndërtuan nga diktatori komunist Enver Hoxha, i cili sundoi për 40 vjet pas Luftës së Dytë Botërore duke besuar se armiqtë mund ta sulmonin nga çasti në çast. Kjo në fakt nuk ndodhi kurrë. Më vonë, krejt pa zhurmë, qytetarët i përdorën vendstrehimet e luftës për të tjera qëllime, si për të strehuar bagëtitë, akomoduar turistët ekskursionistë apo për të shitur ushqime të shijshme.

Fotografi britanik Robert Hackman ka fiksuar imazhe të 250 prej tyre, gjatë udhëtimeve të tij anembanë Shqipërisë në dekadën e fundit. Ato shfaqen në librin e titulluar “Metamorfoza: Ripërdorimi i Bunkerëve Shqiptarë të Epokës Komuniste”, një botim për të cilin ai shprehet se është “një dëshmi e triumfit popullor mbi shtypjen dhe nënshtrimin”.

“Dëshira ishte që ta regjistroja këtë kapitull kalimtar të historisë shqiptare”, shprehet ai, “dhe për të bërë të njohur jo vetëm bunkerët, por edhe popullin shqiptar dhe vendin e tyre në sytë e një audience më të gjerë”.

Bunkerizimi i Shqipërisë ishte një sipërmarrje 2,2 miliardë dollarëshe i nxitur nga izolimi ekstrem i vendit. Hoxha, vartësit e të cilit e quanin “forca e vetme”, mori kontrollin e vendit në vitin 1944, duke ndërtuar një formë fanatike të komunizmit që nuk krahasohej me asnjë aleat tjetër. Në vitin 1968, ai doli nga Traktati i Varshavës, që ishte një kundërpërgjigje e Moskës ndaj NATO-s, ndërsa ftohu dhe tendosi marrëdhëniet me ish-Bashkimin Sovjetik, ish-Jugosllavinë dhe Kinën. Pa asnjë vend aleat, ai u mbyll në bunkerë. Gjatë gjithë periudhës mes viteve 1970-’80-të, fabrikat prodhuan blloqe dhe kupola betoni të përforcuara me çelik për vendstrehime, madhësia e të cilëve varionte nga një vendrojë për një ushtarë të vetëm në fortesa nëntokësore pesëkatëshe. Punëtorët përdorën traktorë dhe vinça për t’i ndërtuar bunkerët në plazhe, fusha dhe rrugë qytetesh anekënd vendit dhe qindra prej tyre humbën jetën në punë.

Pas rënies së komunizmit në vitin 1990, tokat ku ishin ngritur bunkerët iu rikthyen pronarëve të tyre të dikurshëm, të cilët u përpoqën t’i shfrytëzonin sa më mirë. Ata i shndërruan në gjithçka, nga qebaptore në salla bilardosh, siç ishte rasti i bunkerit që Hackmani pa në vitin 2001, ndërsa shërbente në Shqipëri si përfaqësues i Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatët.

“E dija se ishte temë e pazakontë dhe do të ishte një projekt i veçantë fotografik,” shprehet ai.

Por, ishte viti 2008 kur ai nisi ta merrte seriozisht fotografimin e tyre. Pas fluturoi nga Londra drejt Tiranës, do të kalonte më shumë se dy javë duke udhëtuar anembanë vendit në kërkim të gjurmëve të kupolave prej betoni. Vendasit ishin në përgjithësi të lumtur që ai i fotografonte këto struktura, edhe pse nganjëherë vetëm pasi kishin kaluar së bashku një ditë duke pirë raki, një pije shumë e fortë alkoolike. “Kur ngrihesha të fotografoja rreth mbrëmjes, mezi rrija në këmbë,” rrëfen Hackman.

Ndërkohë që vazhdonte projektin e tij, Hackman vuri re se bunkerët po zhdukeshin në masë. Çmimet e metaleve për skrap ishin rritur me shpejtësi, shprehet ai, dhe shqiptarët e varfër përdornin lëndë shpërthyese dhe makineri industriale për shkatërrimin e bunkerëve. Ndonëse që atëherë qeveria i ka marrë nën mbrojtje, pasi ende i konsideron pronë publike, bunkerët vazhduan të shkatërroheshin. “Besoj se popullata vendase ka humbur mundësinë për të qenë mbrojtëse e kujtimit të atyre që kanë vuajtur nën regjimin e Enver Hoxhës, duke i mohuar vetes në të njëjtën kohë një burim të madh të ardhurash nga turizmi,” shprehet Hackman.

Sa u takon shqiptarëve, ata kanë opinione të ndryshme: disa janë të lumtur që shohin shkatërrimin e tyre, ndërsa të tjerë janë të një mendjeje me Hackmanin dhe kërkojnë ruajtjen e tyre. Në vitin 2012, studentët e universitetit ”Polis” në Tiranë ndërmorën projektin “Bunker me mëngjes” (Bed and Bunker), një përpjekje për t’u shndërruar bunkerët në hotele me mëngjes për turistët. Projekti “Kërpudhat prej betoni” krijoi gjithashtu hap pas hapi një manual lidhur me transformimin dhe ripërdorimin e bunkerëve. Në periudhën mes viteve 2014 dhe 2016, dy bunkerë të mëdhenj të nëndheshëm u shndërruan në muze, njëri prej të cilëve u dëmtua gjatë ndërtimit nga një grup protestuesish, që e shikonin muzeun si glorifikim të së kaluarës.

Enver Hoxha vërtet nuk jeton më, por duket se së paku disa prej bunkerëve të tij do të jenë aty përgjithmonë”, përfundon Mallonee për revistën amerikane ”Wired”. /atsh/

Nexhmije Hoxha, “dashuria” e fshehur me Qemal Stafën

               

Si filloi edukimi teorik marksist i Nexhmije Xhuglinit? Cila është e vërteta e historisë së Qemal Stafës me gruan e diktatorit… Isuf Kalo tregon në librin “Blloku” nga UET PRESS

Isuf Kalo

Nexhmija, ndoshta më parë e më saktë sesa Ramizi, njohu dhe kuptoi “gjuhën e Bllokut” dhe “preferencat e pathëna të Enverit”. Dhe pastaj me kohë ndryshoi, duke u ambientuar e duke përshtatur sjelljen, objektivat dhe karakterin e saj me to. Njohja e saj me Ramizin ndodhi gjatë luftës, në Konferencën e Rinisë Komuniste Antifashiste që u zhvillua në Helmës të Skraparit. Ramizi ishte një ndër organizatorët lokalë të saj. Pas takimit të parë aty, do të fillonte një bashkëpunim i ngushtë e i gjatë i të dyve në sektorin e rinisë e të ideologjisë. Bashkëpunim miqësor, moralisht korrekt, thjesht si dy kolegë në një front pune të përbashkët.

Veprimtarinë me rininë komuniste Nexhmija e pati filluar që në bankat e shkollës së mesme. Në ato vite të adoleshencës, të viteve shkollore dhe të rinisë së hershme, Nexhmija kishte qenë “vajzë e mbarë”, e moralshme, thuajse “engjëllore”. Por, kur u përfshi në rezistencën antifashiste të komunistëve në ilegalitet dhe u njoh, fshihej e lëviznin të dy në muzg, mbi të njëjtën biçikletë me Enver Hoxhën dhe flinin në shtëpi simpatizantësh. Vështruar retrospektivisht, në sytë e opinionit tradicional konservator ajo i theu tabutë e sjelljeve të vajzave të “ndershme” të asaj kohe.

Pas rënies së regjimit komunist është përfolur herë si aludim i hamendësuar e herë i shprehur me tendenciozitet (pa fakte apo dëshmi të verifikueshme) një “lidhje shpirtërore” apo diçka më tepër se aq e Nexhmijes në rininë e hershme të saj me Qemal Stafën. Ky aludim bëhej gjithsesi për kohën para lidhjes së saj definitive me Enverin.

Askush nuk është shprehur qartë e i sigurt se çfarë mund të ishte ajo marrëdhënie e supozuar: ndjenjë e vërtetë, flirt kalimtar, dashuri platonike, simpati vajzërore e adoleshencës, apo miqësi puritane romantike, pa qëllim të “keq”, siç predikonin asokohe militantët e parë komunistë? Cilado prej tyre të ketë qenë e vërtetë, e parë sot, qoftë edhe me syrin e moralistit më fanatik, asnjëra nuk përbën çudi, as blasfemi, kur flitet për një vajzë që atëherë ishte vetëm 17 vjeçe.

Interesi për atë marrëdhënie u zgjua në kushtet kur u përhap një mjegullnajë në periudhën postkomuniste, e cila, nisur nga mllefi, mbështolli tërë bëmat, fajet duke mbjellë mallkim për regjimin e mëparshëm, e veçanërisht për Enverin. Në këtë kontekst u përhap edhe akuza intriguese sikur vrasja dhe eliminimi i Qemalit nga skena partiake e politike nuk ishte spontane, por një akt i fshehtë pabesie, i organizuar prej Enverit, për arsye rivaliteti në karrierën politike, por dhe prej “xhelozisë mashkullore” ndaj tij.

Vetë Nexhmija i ka hedhur poshtë publikisht me vendosmëri të tilla aludime. Ajo ka folur e shkruar hapur, pa komplekse për miqësinë e simpatinë, si dhe vlerësimet e larta, superlative, të saj për Qemalin. Dhe e ka shprehur versionin e vërtetë që ajo beson si shkak të vrasjes së tij, si dhe për dhembjen që ndjeu dhe ndau natyrshëm, bashkë me Enverin, pasi mësuan të dy lajmin e kobshëm të humbjes së këtij shoku e miku të mirë e të shtrenjtë të tyre.

Duke e shpallur më vonë datën 5 maj 1942, ditën e vrasjes së Qemalit (dhe jo atë të Vojo Kushit, që ishte shumë më heroike me gjoksin mbi tank!) si ditën përkujtimore për të gjithë dëshmorët, ata të dy mbase deshën të dëshmonin vlerësimin e tyre të veçantë për të.

Qemali, siç e përshkruan Nexhmija dhe ata që e patën njohur, ishte djalosh i ri përparimtar, pa paragjykime, me kulturë të gjerë, organizator dinamik, orator e letrar i talentuar dhe me karakter të çiltër e të vendosur. Ai pat besuar thellësisht në ideologjinë komuniste. “Po. Jam komunist dhe jam krenar për këtë. Sepse vetëm komunizmi do ta shpëtojë botën nga mjerimi i sotëm”, ishte shprehur haptas e trimërisht ai në gjyqin e grupit komunist të Shkodrës, përpara se të themelohej Partia jonë Komuniste, teksa i kishte duart të mbërthyera në pranga.

Natyrisht, është e pamundur dhe pa ndonjë vlerë të madhe “zbulimi” pas kaq shumë kohësh i ndjenjave që patën apo fshehën në zemrat e tyre për njëri-tjetrin, pas njohjes së tyre të parë, dy të rinjtë Qemal dhe Nexhmije. Por nuk është krejt e pamundur dhe e pajustifikuar të përfytyrohet një romancë idealistike apo platonike “rozë”, e përjetuar heshturazi mes tyre. Aq më tepër që kjo thuhej se kish ndodhur përpara se Nexhmija të njihej e të lidhej me Enverin. Janë disa elemente të rrëfyera nga vetë Nexhmija që marrin domethënie në këtë kontekst.

Qemali ishte, siç është pohuar edhe nga Nexhmija, i pari që e zbuloi dhe e tërhoqi atë si militante në radhët e të rinjve që besonin në ideologjinë komuniste e revolucionare që në vitin 1937, kur ajo ishte nxënëse në moshën 16-vjeçare. Kjo ndodhi 4-5 vite para themelimit të Partisë Komuniste dhe njohjes së saj me Enverin. Në “Celulën e shoqeve” që Qemali, si anëtar i Grupit komunist të Shkodrës, pat krijuar në Institutin Pedagogjik Femëror të Tiranës, ku bënin pjesë Liri Gega, Fiqirete Sanxhaktari (Shehu), Drita Kosturi dhe Nexhmija, ishte pikërisht kjo e fundit që Qemali veçoi dhe zgjodhi për ta aktivizuar dhe informuar më hollësisht. Përse vallë? Sepse ishte më e vendosura e më inteligjentja? Apo më tërheqëse, më e pashme e më e ëmbël sesa të tjerat? Mundet edhe për brishtësinë e saj, për të cilën Qemali vetë do e quante më pas “Delikatja”!!

Takimi i parë mes tyre, siç është i përshkruar në kujtimet e Nexhmijes, u krye në fshehtësi në verën e vitit 1937, katër vite para themelimit të Partisë Komuniste, në një vilë private të Tiranës, në rrugën që tani mban emrin “Qemal Stafa”. Portën ia hapi vetë Qemali. Nuk kishte njerëz të tjerë aty. Të zotët e shtëpisë, rastësisht a qëllimisht, kishin ikur atë ditë. Qemali ishte atë vit 17 vjeç. Djalosh i gjallë, i sigurt. Ajo 16. Vajzë adoleshente ëndërrimtare, kurioze dhe e turpshme. Në dhomën ku qëndruan ajo u ul në një minder. Qemali në një karrige përballë saj. Si dy pëllumba që këqyrnin njëri-tjetrin. “Pëllumbi me syze” nisi gugatjen. Jo për paqen, por për luftën. Tjetra dëgjonte e ndrojtur. Kështu filloi edukimi teorik marksist i Nexhmije Xhuglinit. Mundet që seanca e asaj dite gushti të vitit 1937 të ketë qenë e para dhe më e veçanta për edukimin marksist që do të zhvillohej në Shqipëri. “Mësuesi” dhe nxënësja e vetme në atë “klasë” kishin vetëm një vit diferencë moshore!

Macja e shtëpisë, e mbetur pa të zotët, kurioze për çiftin, kërceu dhe u ul në prehrin e vajzës. Ajo instinktivisht e përkëdheli. Por “mësuesi marksist” përballë i tërhoqi rreptë vërejtje nxënëses, duke nënkuptuar që ta linte macen dhe të vazhdonte të dëgjonte teorinë, sloganet dhe instruksionet komuniste për transformimin revolucionar të botës. Në fund të bisedës Nexhmije Xhuglini do të quhej tashmë “shoqe e re e edukuar komuniste”. Më pas, ndonëse banore e Tiranës, ajo do të anëtarësohej, pa e ditur as ajo vetë pse, jo në Grupin komunist të Tiranës, por në atë të Shkodrës, ku një ndër militantët kryesorë ishte pikërisht Qemali.

Më 8 nëntor 1941, siç dihet, u formua ilegalisht në Tiranë Partia Komuniste Shqiptare. Dy javë pas saj, më 23 nëntor 1941, në një rrugicë tiranase, në shtëpinë e kosovares Bije Vokshi, u themelua edhe Organizata e Rinisë Antifashiste Shqiptare. Falë propozimit të Qemalit, Nexhmija ishte e para dhe e vetmja vajzë apo “shoqe militante”, mes 14 delegatëve burra, si bashkëthemeluese e kësaj organizate rinore. Ajo u zgjodh edhe në kryesinë e saj, si përfaqësuese e të gjitha të rejave dhe grave shqiptare. Aty Nexhmije Xhuglini pa dhe u takua për herë të parë edhe me Enver Hoxhën. Ai kishte ardhur si i deleguar i Partisë Komuniste Shqiptare. Që nga ajo ditë, fati i Nexhmijes do të ndryshonte e do të merrte përgjithmonë rrugë tjetër. Marrëdhënia e saj me Enverin, imponues nga imazhi, oratoria dhe pamja fizike, u zhvillua në mënyrë të vrullshme e të pandalshme.

Ndërkohë, miqësia e saj me Qemalin vazhdoi, në dukje po aq korrekte shoqërore si më parë, por rrethanat ndryshuan. Qemali u fejua me Drita Kosturin, njërën nga ish-shoqet e saj të celulës së shkollës. A ishte dhe a mbeti gjithë kohën miqësia mes Qemalit dhe Nexhmijes vetëm miqësi? “Miqësia, shkruan Gregoire Delacourt në librin ‘Lista e dëshirave të mia’, mund të shndërrohet në dashuri. Por dashuria kurrsesi jo në miqësi.”

Ndoshta për këtë nuk arritën ta dinin të vërtetën as ata vetë. Por në librin e kujtimeve të Nexhmijes për atë periudhë, mes rreshtave ndihet me takt të hollë një farë zhgënjimi si pengmbetje, një dhembje, keqardhje shpirtërore miqësore (apo një lloj xhelozie femërore a shoqërore?) për zgjedhjen, sipas saj jo të qëlluar që bëri Qemali në fejesën e tij. Ajo fejesë ndodhi pasi ai vajti për studime në Itali, ku, siç shkruan ajo, “iu ngjit nga pas” edhe Drita Kosturi.

Nexhmija vetë, zakonisht mjaft e rezervuar në fjalorin e saj, e cilëson ish-shoqen e saj të shkollës dhe të celulës me tone jo admiruese, madje disi të ashpra, si “revolucionare anarkiste”. “E çiltër, por jo aq e ekuilibruar.” “E parregullt në mbajtjen e vetes.” E thënë më haptazi, “jo e denjë për Qemalin”. Për ta mbështetur edhe më tej pakënaqësinë e saj, ajo citon fjalët që i paska thënë Qemalit Bije Vokshi: “Mor bir, ç’a t’u desh me u përzi me atë çikë?”.

Enigma e shkuesive

Ka pak interes për të ditur nëse pati apo jo nuanca rozë në miqësinë e hershme mes Nexhmijes e Qemalit. Sido të ketë qenë, ajo nuk e cenoi aspak integritetin moral, as sinqeritetin dhe korrektësinë e saj në dashurinë e jetës së saj, atë me Enverin.

Diçka tjetër, që mund të ketë më tepër interes, është ajo që Nexhmija ka evidencuar si pa dashur në rrëfimet e saj për fejesën e Qemalit. Ajo ka të bëjë me mënyrën sesi stiseshin fejesat dhe martesat mes militantëve tanë të parë komunistë. Në përpjekjen për ta shpjeguar misterin me të cilën Drita Kosturi mundi ta “magjepste e ta bënte për vete” Qemalin, Nexhmija, në kujtimet e shkruara, tregon një element tronditës të keqpërdorimit e sakrifikimit të detyruar të ndjenjave njerëzore e të integritetit të militantëve të rinj komunistë “në shërbim gjoja të revolucionit, të kauzës komuniste dhe të interesave të partisë”.

“Ndoshta Qemali nuk ishte çliruar, shkruan ajo, nga forca e disiplinës si militant komunist, nga ai mentalitet i gabuar i grupit, që në emër të interesave të punës sonë ilegale për të krijuar baza komuniste ‘sajonte martesa’. Kështu me këtë mentalitet, vazhdon më tej Nexhmija, u martuan Zylfie Tomini me Xhemal Canin, që hapën pastaj shtëpinë ku u formua Partia Komuniste. Gjystina me Zef Ndojen, që hapën si bazë shtëpinë, e cila u bë baza e dytë e Komitetit Qendror provizor dhe ku u vendos arkivi i partisë. Po kështu u martuan Selfixhe Ciu me Xhemal Brojën, që hapën si bazë shtëpinë në Shkodër”.

Një martesë të tillë “për interesat e partisë me dikë të cilit nuk ia thotë emrin, ajo pohon se ia patën propozuar edhe asaj, por që e kishte refuzuar vendosmërisht. Më pas, kur Nexhmija pati krijuar lidhjen me Enverin dhe i tregoi atij për këtë propozim të përçudnuar, ai i dha asaj të drejtë”. “Sa mirë ua ke bërë”, i tha ai. Mirëpo a nuk do të thotë ky fakt se ajo veprimtari monstruoze komandohej nga dikush tjetër, pa dijeninë dhe miratimin e Enverit? Pra, lind një enigmë e pasqaruar me hollësi deri tash. Kush e paskej ditur dhe paracaktuar se ku dhe kur do të themelohej Partia Komuniste, për të cilën qenka sajuar dhe realizuar që më parë martesa “patriotike” e “militantëve Zylfije me Xhemalin”, të cilët pastaj do ta ofronin shtëpinë e tyre për këtë eveniment historik? Kush paskësh qenë ky i “fuqishëm” i fshehtë, me mendësi të tillë që sajonte martesa gjoja në interes të lëvizjes e të Partisë dhe planifikonte ngjarjet që do të ndodhnin në të, pa njoftuar liderët shqiptarë në krye të saj?

Kush i seleksionoi, kush i lajmëroi dhe ua organizoi udhëtimin, vendtakimin e delegatëve, rojet, programin paraprak të mbledhjes themeluese, kateringun e kancelarinë e domosdoshme në kushtet ilegale të okupacionit dhe pa mjete komunikimi? Edhe në ditët e sotme, kur disponohen mjete moderne të shtypit, elektronikës, transportit dhe telekomunikimit, është tejet e vështirë të organizohen me vullnetarizëm individual evente të tilla.

Kush e zgjodhi shtëpinë e nipave të kosovares Bije Vokshi në Tiranë, për të themeluar Organizatën e Rinisë Komuniste? Pse pikërisht ajo dhe jo një shtëpi tjetër tiranase? Kush dhe si siguroheshin teknika, mjetet e kamuflazhit me kostume e kapele aristokrate, biçikleta, syze, pasaporta false, pajtonë e mjete të tjera konspirative, me të cilët lëviznin të maskuar ilegalët e parë komunistë? A mund t’i realizonte të gjitha këto vetë Partia Komuniste, ende e pakrijuar apo e sapokrijuar, por pa burime logjistike e financiare? A mund të realizoheshin të gjitha këto nën hundën e okupatorit kaq thjesht, kaq lehtësisht apo spontanisht, vetëm nga amatorët militantë të ditëve të para?

Mos vallë diçka është mbajtur e fshehur dhe fshirë më pas qëllimisht në historikun e lëvizjes dhe të Partisë sonë Komuniste? Mos vallë mbështetja organizative në prapaskenë nga ana e Partisë Komuniste Jugosllave të atëhershme (për hir të interesave të saj) ka qenë më e hershme, më e gjerë, më e koordinuar profesionalisht e materialisht sesa ajo çka është pohuar deri sot vetëm si prani “rastësore” e Miladin Popoviçit dhe Dushan Mugoshës në mbledhjen themeluese të 8 nëntorit? Mendja të shkon te ky i fundit, edhe për lidhjen e pastaj martesën e Mehmet Shehut me Fiqirete Sanxhaktarin, atëherë të dy në shtabin komandues të Brigadës së Parë, ku “këshilltar” i pandarë pranë tyre në atë brigadë qe pikërisht Dushan Mugosha. Apo për divorcin misterioz të Hysni Kapos me gruan e parë, me të cilën kishte edhe një djalë, të kryer në heshtje, dhe martesën e tij, fill pas Çlirimit të vendit, me Vito Kondin, ish-sekretaren e Shtabit e personalisht të Enverit.

Mos vallë Mugosha, “këshilltari” politik serb, që e fliste mirë shqipen, pati mision, përveç procesit të formimit të Partisë Komuniste edhe atë të krijimit të arkitekturës udhëheqëse të saj me persona të njohur nga afër dhe të besueshëm të tij? Po t’iu referohesh letrave që i kanë dërguar Dushan Mugoshës, me pseudonim Sali Murati, në shkurt 1944 kur ai u larguar nga Shqipëria, qoftë Enveri, Mehmeti, Nexhmija, Fiqiretja e Nako Spiro etj., duket qartë se ata ndiheshin tepër mirënjohës dhe të obliguar, duke u shprehur me superlativa ndaj tij për “ndihmë në mësimet dhe kontributin” që ai kishte dhënë në vitet që qëndroi i komanduar nga Tito te ne, si për themelimin e Partisë Komuniste, ashtu dhe më pas, për organizimin e saj dhe më vonë krijimin e njësive të armatosura partizane, ku ndër më të shquarat prej tyre ishte Brigada e Parë, në shtabin e së cilës Mugosha ishte këshilltari kryesor.

Enveri dhe Nexhmija, Mehmeti dhe Fiqiretja i shkruan atij në ikje, secili letër më vete, me kaq dashuri dhe falënderime maksimale sa të bën të besosh se ai ka luajtur rol esencial jo vetëm për themelimin e partisë, por edhe në rrjedhën e jetës personale e ndoshta edhe atë familjare të tyre. “Para se të vije ti, i shkruante Mehmeti, ne nuk ishim parti, por ishim një grumbull bashibozukësh, ishim një turli zarzavatesh të hidhura.” Në një letër tjetër, Mehmeti i thotë: “Pas ikjes tënde, ne ndihemi jetimë”.

Mos vallë këta “të plotfuqishëm misteriozë miq a misionarë të huaj” përveç çifteve që përmend Nexhmija, planifikuan (fshehtas edhe nga të dy protagonistët) edhe njohjen e pastaj lidhjen martesore të Mehmetit me Fiqireten, madje edhe martesën e Enverit e Nexhmijes, në kuadrin e planeve titiste të pas luftës për krijimin e Republikës së Shtatë Jugosllave në Kosovë dhe në Shqipëri? Lidhja Enver – Nexhmije mos u planifikua nga misionarët jugosllavë si urë Shqipëri – Kosovë dhe Jug – Veri, që ishin të dyja të rëndësishme në planet e organizimit të rezistencës antifashiste te ne?

Pavarësisht nga rrethanat apo planet që mund të jenë kurdisur pas shpinës së tyre, lidhja mes Enverit dhe Nexhmijes u provua se, në të vërtetë, pati në themel një dashuri të shëndetshme, të natyrshme e të sinqertë. Ajo u zhvillua dhe rrodhi në vite si në një qiell pa re. Në harmoni e çiltërsi të admirueshme nga të dy. Pa konflikte, pa dredhi, pa dyshime e mosmarrëveshje nga të dy. Sepse dashuria, siç thotë Andre Maurois, përballon më lehtë mallin dhe vdekjen sesa dyshimin dhe tradhtinë.

Por ëndrrat dhe entuziazmi vajzëror i Nexhmijes në vitet kur do të përfshihej, bashkë me Ramizin, në forcimin e rinisë komuniste dhe edukimin e saj me dëshirën e zjarrtë për një botë të re, pa shfrytëzim, me barazi e begati për të gjithë, dalëngadalë u pakën e u shuan gjatë viteve, kur fati e vuri Nexhmijen pranë majës së pushtetit, përkrah Enverit, si bashkëpunëtore, bashkëshorte dhe nëna e fëmijëve të tij. Ajo nuk mund ta dinte asokohe se mbajtja e pushtetit ishte shumë më e vështirë sesa fitimi i tij.

Martesë partizane

Vajza që ishte emocionuar dikur nga libri i Haki Skërmillit “Sikur të isha djalë” u martua me Enver Hoxhën, por nuk u shpall “Shoqja e Parë e Shqipërisë”. Ajo nuk u bë nuse me fustan të bardhë dhe as vello. As me tualet dhe grim. Dhe Enveri nuk iu ul në gjunjë me papion në qafë e me unazën në dorë kur i propozoi martesën.

Nuk pati salltanet, as shkëlqim të tillë në martesën e Enverit me Nexhmijen. Çifti atë ditë nuk u filmua dhe nuk bëri as fotografi. Ceremonitë martesore pompoze, revolucionarët i quanin rit borgjez. Madje, siç e kujton Nexhmija, edhe propozimi që i pat bërë Enveri për martesë qe prozaik, pragmatik, pa ngjyra e nuancë romantike. Megjithatë, të dyja këto martesa historike elitare patën disa ngjashmëri. Të dy çiftet kishin diferenca jo të vogla në moshë mes dhëndurëve dhe nuseve: Zogu ishte 20 vjet më i madh se Geraldina dhe Enveri 13 vjet më i madh se Nexhmija.

Të dy çiftet ishin fizikisht të pashëm. Geraldina për bukurinë ishte quajtur “Trëndafili i bardhë i Budapestit” dhe, sipas revistës “The Richest”, të vitit 2014, renditej si mbretëresha e pestë më e bukur në historinë e martesave mbretërore.

Nexhmija, edhe pse pa gjerdanë e zbukurime, nuk binte më poshtë për nga bukuria natyrale, freskia dhe ëmbëlsia femërore. Ajo binte në sy për hijeshinë dhe feminilitetin e saj “bio”. Në takimet e dikurshme me udhëheqësit e kampit socialist, kur ndodhte që shoqëronte Enverin, ajo, ndonëse pa bizhu, e pagrimuar apo kuruar në mënyrë të posaçme, tërhiqte vëmendjen dhe merrte shumë komplimente, si më e hijshmja mes grave të tjera aty.

Të dy dhëndurët ishin trupgjatë, të pashëm, burrërorë, por vetëm Ahmet Zogu mbante mustaqe. Të dy e pinin rëndshëm duhanin, çka në atë kohë konsiderohej tipar i burrërisë. Enveri pinte 60-80 cigare në ditë, ndërsa Zogu ia kalonte, pasi konsumonte rreth 200. E përbashkët tjetër ishte se kur u martuan të dy qenë djem të vetëm, të dy vazhduan, në stil tradicional, të bashkëjetonin edhe pas martesës me nënat e tyre, për sa kohë ato qenë gjallë (të dyja mjaft inteligjente dhe influente,) si edhe me motra të pamartuara në shtëpi. Të dyja martesat u bënë në data simbolike. Ajo e Zogut me Konteshën Geraldinë Appony më 27 prill 1938, një koincidencë kjo me datën 27 prill 1451, në të cilën u krye martesa e Skënderbeut me Donikën e Arianitëve.

Martesa e Enverit me Nexhmijen u bë më 1 janar 1945, ditën e vitit të ri, duke e përdorur si simbol për një jetë të re që do të niste në Shqipërinë e sapoçliruar nga pushtuesit. Ajo që i bënte të ndryshme këto martesa ishte se e Zogut nisi fillimisht me mblesëri, në kuadrin e planeve dhe interesave pragmatiste të mbretërisë, por që evoluoi më pas natyrshëm edhe ajo duke u shndërruar në lidhje afektive dhe me qëndrueshmëri në kohë. Ndërkohë, ajo e Enverit me Nexhmijen ishte martesë me dashuri dhe rrodhi gjatë 40 viteve si lidhje e fortë ndjenjash dashurie dhe mbeti e konsoliduar nga të dy.

Në ditën e martesës, në mungesë të veturës apo limuzinës, Nexhmijen, nuse pa vello, pa kurorë dhe pa unazë, e solli në vilën e caktuar nga partia për çiftin një pajton. Vila ndodhet në territorin e Bllokut, në rrugën që sot mban emrin “Ismail Qemali”. Ajo ishte pronë e një ish-biznesmeni italian, e sekuestruar dhe e shtetëzuar nga pushteti i ri komunist. Aty, Nexhmija me të shoqin dhe tre fëmijët që do të lindnin gjatë viteve do të banonte 30 vjet, deri në vitin 1974, kur u shtua ngjitur me të një vilë e re dykatëshe. Nuk u shpall tri ditë festë kombëtare dhe as u krijua ndonjë seri e re pullash postare me portretin e saj apo të çiftit të ri elitar. Kjo pat ndodhur në martesën e mbretit Zog me Geraldinën. Pas kësaj, Nexhmija u mbyll në kuvlinë e Bllokut dhe brenda korridoreve e zyrave të Komitetit Qendror të Partisë, të angazhuar së bashku me veprimtarinë e agjitpropit dhe ideologjisë së partisë.

Gjatë luftës, edhe ajo pati pak ose aspak kontakt me armët në përpjekjet dhe betejat partizane. Nuk dihet nëse e përdori ndonjëherë në luftë pushkën apo revolverin. Me sa ka treguar ajo vetë, ka shtirë vetëm një herë me pushkë, sa për ta provuar shenjën në ditët e Konferencës së Pezës, ku ajo ishte sekretare dhe e vetmja femër mes delegatëve. Nexhmija nuk mori plagë, as nuk derdhi djersë më pas në kantieret e vendit dhe as nuk preku nga afër anën tjetër të fshehur e të hidhur të realitetit të ri shqiptar. /Gazeta Liberale / KultPlus.com

Shënime nga biseda sekrete e Stalinit me Enver Hoxhën

Çfarë interesimi shprehte Stalini mbi situatën në Shqipëri dhe si i interpretonte tendencat jugosllave? Kush mori pjesë në bisedime dhe çfarë tha Enver Hoxha? Pse Enver Hoxha i ankohej Stalinit për presionin jugosllav? Punimin nga dokumentet arkivore të historianit Agim Zogaj.

Moskë, 23 mars 1949, ora 22:00.

SEKRET

pranishëm:

Nga pala sovjetike: A. J. Vishinskij, i dërguari i BRSS në Shqipëri, D. S. Çuvakin dhe V.I. Erofejev (përkthyes);

Nga pala shqiptare: Spiro Koleka, kryetarii Komisionit të Planit të Shtetit të Shqipërisë Spiro dhe i dërguari shqiptar në BRSS M. Prifti

Pas këmbimit të përshëndetjeve të ndërsjella, shoku Stalin pyet nëse delegacioni shqiptar arriti mirë në Moskë. Hoxha thotë se delegacioni shqiptar mbërriti shumë mirë, duke shtuar se është ngarkuar, para së gjithash, që t’i transmetojë shokut Stalin, në emër të partisë dhe të popullit të Shqipërisë, ndjenjat më të thella të dashurisë dhe të mirënjohjes për gjithçka që është bërë dhe po bëhet për Shqipërinë.

Shoku Stalin e falënderon Hoxhën dhe pyet nëse ka realizuar në Shqipëri çdo gjë që është premtuar. Hoxha përgjigjet me pohim.

INTRIGAT BRENDA PARTISË SHQIPTARE!

Shoku Stalin pyet se çfarë ka për të thënë Hoxha. Hoxha përgjigjet se ai, para së gjithash, do të dëshironte të bëjë një panoramë të gjendjes së krijuar në vend e në parti, pastaj të kalojë në parashtrimin e disa kërkesave të karakterit ekonomik, si dhe të flasë për ushtrinë shqiptare dhe për nevojat e saj. Përveç kësaj, ai do të donte të shtronte disa pyetje, për të cilat shokët shqiptarë do të dëshironin të merrnin sqarime nga shoku Stalin. Në përfundim, Hoxha do të donte të paraqiste shkurtimisht gjendjen në kufijtë e Shqipërisë.

Shoku Stalin thotë se Hoxha mund të shtrojë çfarëdo pyetje, pa kufizim.

Hoxha thotë se letrat e partisë bolshevike, drejtuar KQ të Partisë Komuniste Jugosllave dhe Rezoluta e Byrosë Informative e shpëtuan Shqipërinë nga katastrofa e pashmangshme. Shoku Stalin pyet se a mund të ndodhte kjo katastrofë. Hoxha përgjigjet se nacionalistët jugosllavë ndiqnin qëllime të caktuara, që drejtoheshin kundër BRSS-së, kundër kampit demokratik antiimperialist, kundër vetë Shqipërisë.

Shoku Stalin shton: “Edhe kundër myslimanëve”. Hoxha bie dakord me këtë.

Hoxha deklaron se nacionalistët jugosllavë, të grupit të Titos, e kanë zhvilluar veprimtarinë e vet minuese në Shqipëri që nga çasti i çlirimit të vendit.

Komunistët shqiptarë nuk mund të mos shihnin se marrëdhëniet ekonomike dhe marrëdhëniet tjera midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë zhvilloheshin në mënyrë të pakënaqshme. Mirëpo, vigjilenca revolucionare e partisë shqiptare ishte jo sa duhet e mprehtë. Përgjegjësia më e madhe për këtë bie mbi të, mbi Enver Hoxhën. Njëfarë roli luajti edhe fakti që shqiptarët ishin mësuar që në kohën e luftës t’u besonin marrëdhënieve miqësore të jugosllavëve. Të gjitha këto, të marra së bashku, bënë që udhëheqësit shqiptarë nuk vunë re që, siç thotë populli, se peshku ishte qelbur nga koka. Trockistët jugosllavë merreshin me gjithfarë intrigash brenda partisë shqiptare, duke u përpjekur që ta përçanin atë.

JUGOSLLAVËT SYNONIN PËRMBYSJEN E RENDIT NË SHQIPËRI!

Në këtë veprimtari minuese ata mbështeteshin në përkrahjen e partizanëve të tyre, të përfaqësuar nga Koçi Xoxe, Pandi Kristo etj.

Shoku Stalin pyet nëse personat e përmendur janë sllavë. Hoxha përgjigjet pozitivisht, duke thënë se Koçi Xoxe është nga Maqedonia, kurse Pandi Kristo nga Korça. Shoku Stalin pyet se çfarë feje kanë këta njerëz. Hoxha përgjigjet se këta janë ortodoksë.

Hoxha deklaron se letrat e KQ të PK (b) të BS-së, demaskuan qëndrimin armiqësor të trockistëve jugosllavë. Sikur të mos ishin këto letra, komunistët e ndershëm shqiptarë do të duhej, herët apo vonë, të dilnin përsëri maleve për të bërë një luftë të re. Duke analizuar punën e saj, partia shqiptare erdhi në përfundimin se gjithçka që thuhet në letrat e KQ të PK (b) të BS-së i takon plotësisht edhe asaj, me përjashtim vetëm të faktit se komunistët shqiptarë kurrë nuk i kanë humbur ndjenjat e dashurisë dhe të besnikërisë ndaj popullit sovjetik, ndaj partisë bolshevike dhe ndaj shokut Stalin.

Shoku Stalin thotë se në këto letra nuk janë ndriçuar të gjitha çështjet, sepse ne në atë kohë nuk i dinim të gjitha. Ne më vonë morëm vesh, për shembull, se kur jugosllavët donin ta dërgonin në Shqipëri një divizion të tyre, ata kishin jo atë qëllim për të cilin flisnin, jo qëllimin e mbrotjes së Shqipërisë nga një agresion grek, por një tjetër qëllim: të përmbysnin rendin që ekziston në Shqipëri. Këtë ne e morëm vesh pastaj. Shoku Stalin thotë se jo vetëm shqptarët nuk qenë mjaft vigjilentë, por edhe ne nuk kuptonim gjithçka.

PSE STALINI INTERESOHEJ PËR PËRBËRJEN ETNIKE NË SHQIPËRI?

Hoxha thotë se shqiptarët kanë qenë në lidhje të ngushta me jugosllavët dhe ishin ata që duhej të kuptonin të parët qëndrimin e jugosllavëve. Hoxha shton se kur mori vesh për planet e jugosllavëve për të dërguar në Shqipëri divizionin e tyre, mendoi se këtë çështje jugosllavët e kishin koordinuar me qeverinë sovjetike.

Shoku Stalin përgjigjet se jugosllavët përgatiteshin ta dërgonin divizionin e vet fshehtas nga ne, por ka shumë të ngjarë që ata t’u kenë dhënë të kuptojnë shqiptarëve që kjo është bërë me pëlqimin e BRSS-së. Ne morëm vesh për planin jugosllav vetëm rastësisht nga njoftimi i Hoxhës. Kur ne i shamë jugosllavët, ata kërkuan ndjesë dhe thanë se ky qe një gabim.

Shoku Stalin pyet se çfarë përqindje zënë në përbërjen kombëtare të Shqipërisë joshqiptarët. Hoxha përgjigjet se në Shqipëri jetojnë grekët dhe hebrej, por ata janë të pakët. Përveç kësaj, në Shqipëri ka rreth 6-7 mijë maqedonas. Ata banojnë në kufirin më jugor të Shqipërisë. Shoku Stalin pyet se a ka shumë shqiptarë në Maqedoni. Hoxha përgjigjet se në Jugosllavi jetojnë afro 1 milion shqiptarë. Shoku Stalin pyet se çfarë shqiptarësh janë këta, nga pikëpamja e fesë. Hoxha përgjigjet se këta në tërësi janë myslimanë dhe pjesërisht katolikë në rrethet veriore të Shqipërisë. Shoku Stalin pyet se a ka në Shqipëri shumë ortodoksë. Hoxha përgjigjet se ortodoksët në Shqipëri zënë 30-35 për qind të popullatës, kurse katolikët 10-15 për qind. Katolikët në përgjithësi jetojnë në veri të vendit, ortodoksët në rrethet qendrore dhe pjesërisht në ato jugore, kurse myslimanët kryesisht në jug. Shoku Stalin pyet se ç’gjuhë flasin ortodoksët dhe katolikët në Shqipëri. Hoxha përgjigjet se të gjithë ata flasin gjuhën shqipe.

KRITIKA KUNDËR ELEMENTËVE PRO-JUGOSLLAVË!

Hoxha deklaron se pas letrave të partisë bolshevike dhe rezolutës së Informbyrosë, komunistët shqiptarë kanë marrë masa të vendosura kundër nacionalizmit jugosllav, si brenda partisë, ashtu edhe në fushën e jetës ekonomike. Ishte e vështirë të bëhej menjëherë një analizë e plotë e punëve në parti e në vend. Kjo shpjegohej me faktin që njëri nga partizanët kryesorë të trockistëve jugosllavë, Koçi Xoxe, bëri një qëndresë të madhe dhe fshehu shumë gjëra nga partia. Duhej një kohë e konsiderueshme për të sqaruar se çfarë punë të madhe për sabotimin e ekonomisë popullore të vendit dhe çfarë veprimtarie minuese brenda partisë kishin bërë trockistët juosllavë dhe sahanlëpirësit e tyre në Shqipëri. Vendi erdhi në kongresin e partisë duke pasur tashti një ide për veprimtarinë e trockistëve jugosllavë në Shqipëri dhe intrigat e tyre brenda aprtisë. Në parti qenë bërë shumë gabime serioze.

Demokracia e brendshme në parti pothuajse nuk ekzistonte. Struktura organizative e partisë, e kopjuar tërësisht nga jugosllavët, ishte difektoze. Partia ndodhej nën kontrollin e plotë të organeve të sigurimit të shtetit. Ligjet dhe dispozitat për problemet ekonomike në vend nuk zbatoheshin. Reagimi në Shqipëri lidhur me tradhtinë e klikës së Titos ishte shumë i madh. Lufta kundër trockistëve jugosllavë dhe përkrahësve të tyre doli jashtë kuadrit të partisë dhe i gjithë populli në këtë luftë u bashkua rreth partisë. Hoxha thekson se ndjenjat e popullit shqiptar ndaj popullit jugosllav nga gjithë këto nuk u dobësuan. Por, për këtë u kujdes partia. Kongresi i partisë tregoi se në luftën kundër trockistëve jugosllavë partia u shërua dhe u bë edhe më e fortë. Kongresi tregoi gjithashtu se partia, ndonëse e re, disponon forca të mëdha dhe energji në luftën për vijë të drejtë. Kritika e ashpër kundër veprimtarisë së elementëve pro-jugosllavë u bë para syve të të gjithë popullit shqiptar. U njohën gabimet e bëra nga partia dhe u treguan rrugët për kapërcimin e tyre.

RASTI I KOÇI XOXES DHE KRISTO THEMELKOS!

Partia nuk përdori masa represive në shkallë të gjerë dhe veproi në këtë drejtim me kujdes të madh, duke u nisur nga fakti që shumë shokë, duke ecur në rrugë të shtrëmbër, besonin se vija e sugjeruar nga jugosllavët ishte e drejtë. Prandaj, shokëve që i njohën dhe i kritikuan gabimet e veta, iu dha mundësia të ndreqen. U arrestuan vetëm Koçi Xoxe, Pandi Kristo dhe tre të tjerë. Kristo Themelkua, njëri nga njerëzit më përgjegjës për zbatimin e vijës së dëmshme jugosllave dhe që me se një herë ka shprehur qëndrim jodashamirës kundrejt BRSS-së dhe shokëve sovjetikë që punonin në Shqipëri, nuk u arrestua. Kristo Themelkua paraqiti në mbledhjen e Byrosë të gjitha faktet që kishin të bënin me veprimtarinë e tij dhe ai bëri një autokritikë të ashpër lidhur me qëndrimin e vet. Autokritika u vlerësua si mjaft e ndershme dhe objektive.

Shoku Stalin pyet se çfarë posti zinte Kristo Themelkua. Hoxha përgjigjet se ai ka qenë gjeneral dhe zinte postin e drejtorit politik të ushtrisë. Shoku Stalin pyet se ku ndodhet dhe me se merret tashti Kristo Themelkua. Hoxha përgjigjet se ai ndodhet në Tiranë, se është mënjanuar nga punët dhe se në këtë çast nuk merret me asgjë. Shoku Stalin pyet se çfarë kombësie ka Kristo Themelkua. Hoxha përgjigjet se Kristo Themelkua është sllav. Hoxha shton se në kohën e vet Qeveria shqiptare i është drejtuar Qeverisë sovjetike me kërkesën që të lejojë Kristo Themelkon të vijë në Moskë për studime në akademinë ushtarake “Lenin”. Shoku Stalin pyet se a morën përgjigje shqiptarët lidhur me këtë kërkesë. Hoxha thotë se në fillim përgjigjja ishte pozitive, por pastaj çështja ngeci. Shoku Stalin pyet: a nuk duan shqiptarët, me dërgimin e Kristo Themelkos në Moskë, që ta heqin qafe atë? Hoxha përgjigjet se ata do të donin ta dërgonin Kristo Themelkon për studime në BRSS, me shpresë se ai do të mund ta rehabilitojë veten.

ZGJEDHJET NË ORGANIZATAT – BAZË TË PARTISË!

Hoxha thotë se partia vazhdon të shpresojë se Kristo Themelkua do të mund të përmirësohet, porse besim të plotë politik tek ai nuk mund të ketë. Shoku Stalin thotë se Kristo Themelkua tashti nuk u duhet shqiptarëve. Hoxha përgjigjet pozitivisht. Shoku Stalin deklaron se Kristo Themelkua nuk u nevojitet shqiptarëve, por ai as neve nuk na nevojitet. Shoku Stalin pyet: Mos, vallë, shqiptarët duan ta dërgojnë Kristo Themelkon në BRSS për konsiderata të sigurisë së vet? Hoxha përgjigjet se Kristo Themelkua gjithmonë ka dashur të shkojë për studime në Akademinë Ushtarake të BRSS. Shoku Stalin deklaron që nëse shqiptarët dëshirojnë, ne do ta pranojmë Kristo Themelkon në BRSS.

Hoxha thotë se pas kongresit u morën masa për pastrimin e partisë. Një grup shokësh, që e patën kompromentuar veten me lidhjet me trockistët jugosllavë, u hoqën nga postet drejtuese në parti dhe në ushtri. U morën masa për forcimin e demokracisë së brendshme të partisë, u anuluan të gjitha dispozitat dhe udhëzimet e bëra nën influencën e jugosllavëve etj. Në kongres u zgjodh një KQ, në përbërje të të cilit u futën shokë të rinj, shokë besnikë. Përveç kësaj, u morën masa lidhur me Ministrinë e Punëve të Brendshme, në të cilën qenë lejuar shtrembërime e padrejtësi e qenë bërë shumë punë të fëlliqura. Në këtë ministri tashti janë futur forca të freskëta. Tashti po zhvillohen zgjedhjet në organizatat – bazë të partisë në qytete dhe në gjithë vendin, si edhe në komitetet e partisë të rretheve. Si rezultat i këtyre zgjedhjeve, në drejtimin e organizatave – bazë të partisë vijnë shokë të sprovuar dhe besnikë. Në ndreqjen e gabimeve të lejuara në ekonominë e vendit, një ndihmë shumë të mirë dhanë shokët sovjetikë që punojnë në Shqipëri.

KRIZA NË EKONOMINË SHQIPTARE!

Hoxha vë në dukje se ngjarjet që ndodhën patën edhe një ndikim negativ në gjendjen brenda partisë. Në një sërë organizatash partie vihet re një rënie e disiplinës. Midis elementëve të dobët shfaqet prirja për anarki. Veç kësaj, në momentin e tashëm, kur është ashpërsuar lufta e klasave, janë bërë më të dukshme prirjet oportuniste te disa anëtarë partie. Hoxha thotë se në periudhën kur partia bënte punë në luftën kundër nacionalizmit jugosllav dhe përkrahësve të tij brenda partisë, ajo deri diku u tërhoq në çështjen e luftës kundër elementëve kulakë në fshat. Kjo tërheqje u bë me qëllim që të mos ndërlikohej së tepërmi situata në vend. Mirëpo, kjo bëri që shteti, për shkak të veprimtarisë së kulakërisë, nuk mundi të marrë në fshat sasinë e mjaftueshme të drithit. Në vend u krijuan vështirësi serioze ekonomike.

Një tjetër shkak i këtyre vështirësive ishte kjo që, kur jugosllavët po përgatisnin atentatin e tyre kundër Shqipërisë, ata gjatë 8 muajve nuk i dhanë asgjë Shqipërisë. Në tregun shqiptar lindi kaosi ekonomik. Fshatarët pushuan së hedhuri mallrat e tyre në treg, gjë që i ngriti në mënyrë të theksuar çmimet. Vetëm ndihma nga ana e BRSS-së bëri të mundur të fillohej nga lehtësimi i gjendjes së krijuar. Hoxha deklaron se me gjithë vëshitrësitë, populli shqiptar ka besim të plotë në udhëheqjen e vet shtetërore. Populli shqiptar ka vuajtur kurdoherë, i kanë rënë shumë fatkeqësi mbi shpinë, por ai nuk u trembet vështirësive. /Telegrafi/KultPlus.com

“Blloku”, kujtimet e mjekut personal të Enver Hoxhës në një libër

Për herë të parë kujtimet e mjekut personal të Enver Hoxhës vijnë në një libër nga Isuf Kalo. Raportet personale dhe një histori tjetër e Bllokut ndryshe, parë përmes raporteve njerëzore të njerëzve që jetonin aty, por dhe një gjykim i kohës përmes penës së një njohësi të mirë të saj.

Isuf Kalo, një nga njerëzit që ka qëndruar më pranë Enver Hoxhës vjen në një botim me rrëfime të veçanta.

“Blloku”, ështe libri që sjell një këndvështrim tjetër duke parë bllokun komunist edhe nga ana njerëzore.

Për herë të parë kujtimet e mjekut personal të Enver Hoxhës vijnë në një libër.

Fatos Tarifa, Luçiano Boçi dhe Henri Çili ndanë këndvështrime tepër intersante mbi librin.

Mjeku, Isuf Kalo, u shpreh tepër i emocionuar për impresionet që ky libër iu ka sjellë vlerësuesve, por edhe bashkëpunëtorëve të tij.

Kalo: Dita e sotme ëShtë për mua sa e lumtur aq edhe e trishtë sepse është dita e ndarjes time me librin. Tani e tutje do të jetë në duar të lexuesve. Në varësi të vlerësimit do të vendosin fatin e mëtejshëm të tij. Ata do të vendosin nëse ja vlejnë mesazhet që ai përcjell apo përkundrazi të zhgënjyer do ta flakin dhe lënë me indiferentizëm në harresë.

Libri është një ftesë për lexim jo vetëm për ata që duan të dinë më shumë për të shkuarën komuniste, por është një ngjarje dhe dhuratë për të gjithë ata që do merren me historinë./ Oranews/ KultPlus.com

“22 burra rrethuan gruan që refuzoi dashurinë e Enver Hoxhës”

Si në çdo fushë të jetës, edhe në atë të marrjes së jetës së armiqve ndodhnin parregullsi, kur rregulli nuk respektohej korrektësisht, siç ishte rasti i një ish-shefi të shtabit të ushtrisë i cili, pasi u shpall armik, dha shpirt me mjaft vështirësi nga rrahja me purteka të trasha druri në karrocerinë e një kamioni ushtarak. Pra në mospërputhje të plotë me rregullat elementare të ekzekutimit.

Po si pasojë e shkeljes së rregullores, ndodhi që në një pushkatim pa gjyq që iu bë 23 intelektualëve të shquar të kohës, 22 burra dhe një grua, pikërisht gjatë çastit kulmor të krejt procesit, atij të ekzekutimit, në respekt të të vetmes grua, të 22 burrat nuk ndenjën në rresht për një përballë, siç e kërkonte rregullorja, por u bënë rreth, duke e mbrojtur me trupat e tyre atë grua, i vetmi faj i të cilës kishte qenë refuzimi i dashurisë së Udhëheqësit në të ritë e saj dhe ca më pas, mospërqafimi i idealit të vetë Udhëheqësit. Ndonëse e shpëtuan nga breshëria e plumbave, qëlloi që ashtu të lidhur me një tel të përbashkët me të gjithë të pushkatuarit, këta e tëhoqën pas vetes, për së gjalli, në gropën e përbashkët, hapur paraprakisht nga ata vetë.

Si rrjedhojë, fshatarët e atyre zonave u lemerisën tek dëgjonin ca rënkime dalë nga thellësia e tokës, për aq kohë sa i duhej një qenieje njerëzore të japë shpirt, mbuluar me dhe e bërë njësh me trupat e vdekur të 22 bashkëvuajtësve të saj.

Fragment nga romani “Metamorfoza e një kryeqyteti”, i shkrimtarit Ylljet Aliçka/Gsh.al

“The Guardian” reportazh për vilën e Enver Hoxhës

Brenda vilës tre katëshe, të mbushur me nënkalime, të Enver Hoxhës, është thuajse ashtu siç ishte kur lideri komunist i Shqipërisë u nda nga jeta në 1985.

Sipas të përditshmes britanike “The Guardian”, asokohe, Hoxha sundonte me diktaturë staliniste, në vendin që e kish shndërruar në një prej më të izoluarve dhe më represivëve në botë.

Në erën e komunizmit, e gjithë zona rreth shtëpisë së Hoxhës, ishte e izoluar nga policia dhe agjentë sekretë. E njohur si blloku, zona funksiononte si një lloj Kremlini pa mure, në zemër të Tiranës, rezervuar për elitën e partisë dhe familjet e tyre.

Tani, shkruan “Guardian”, blloku është një nga zonat më të frekuentuara të Tiranës, e mbushur me bare, klube nate dhe restorante. Në mesin e tyre, është edhe shtëpia fantazmë e Hoxhës, e paprekur dhe e mbyllur për publikun.

Shqipëria e ditëve të sotme, shkruan “Guardian”, kërkon anëtarësimin në BE pas shumë vitesh në të cilët njerëzit kanë preferuar të harrojnë të shkuarën.

Por tani, shqiptarët po provojnë të përballen me trashëgiminë e diktatorit dhe po mendohet si të hapet shtëpia e diktatorit për publikun. Brenda saj, muret janë dekoruar me art socialist, shumë dhoma janë pajisur me televizorë shqiptarë të vjetër, dyert e dhomës së gjumit të diktatorit kanë veshje që izolon tingujt ndërsa në bodrum, ka një pishinë dhe një derë sekrete që çon në një tunel në të cilin Hoxha “paranojak” mund të largohej në rast sulmi.

Kryeministri Edi Rama, nënvizon “Guardian”, po mendon prej kohësh për dilemën se çfarë duhet të bëjë me shtëpinë, pasi edhe druhet se do të ishte njësoj e papërshtatshme si mbajtja në gjendjen aktuale, ashtu edhe shkatërrimi i plotë.

“Është e vështirë të gjesh një zgjidhje të mirë, kur e shkuara është ende aty por ti i shërben të ardhmes”, thotë ai.

“Guardian” shkruan se edhe ndërtesa të tjera që simbolizojnë regjimin e Hoxhës janë rikonceptuar për përdorim publik, ndër të cilat edhe zyrat qendrore të sigurimit, që tani janë kthyer në muze. Po ashtu edhe bunkerët. Tani, janë aktuale ndërkohë planet për të transformuar piramidën e ndërtuar në fund të viteve 80 si një muze për diktatorin e ndjerë. Por pavarësisht planeve të mëdha, nuk ka ende një monument të denjë për viktimat e Hoxhës, shkruan Guardian.

“The Guardian” me reportazh për vilën e diktatorit Hoxha

Brenda vilës tre katëshe, të mbushur me nënkalime, të Enver Hoxhës, është thuajse ashtu siç ishte kur lideri komunist i Shqipërisë u nda nga jeta në 1985.

Sipas të përditshmes britanike “The Guardian”, asokohe, Hoxha sundonte me diktaturë staliniste, në vendin që e kish shndërruar në një prej më të izoluarve dhe më represivëve në botë.

Në erën e komunizmit, e gjithë zona rreth shtëpisë së Hoxhës, ishte e izoluar nga policia dhe agjentë sekretë. E njohur si blloku, zona funksiononte si një lloj Kremlini pa mure, në zemër të Tiranës, rezervuar për elitën e partisë dhe familjet e tyre.

Tani, shkruan “Guardian”, blloku është një nga zonat më të frekuentuara të Tiranës, e mbushur me bare, klube nate dhe restorante. Në mesin e tyre, është edhe shtëpia fantazmë e Hoxhës, e paprekur dhe e mbyllur për publikun.

Shqipëria e ditëve të sotme, shkruan “Guardian”, kërkon anëtarësimin në BE pas shumë vitesh në të cilët njerëzit kanë preferuar të harrojnë të shkuarën.

Por tani, shqiptarët po provojnë të përballen me trashëgiminë e diktatorit dhe po mendohet si të hapet shtëpia e diktatorit për publikun. Brenda saj, muret janë dekoruar me art socialist, shumë dhoma janë pajisur me televizorë shqiptarë të vjetër, dyert e dhomës së gjumit të diktatorit kanë veshje që izolon tingujt ndërsa në bodrum, ka një pishinë dhe një derë sekrete që çon në një tunel në të cilin Hoxha “paranojak” mund të largohej në rast sulmi.

Kryeministri Edi Rama, nënvizon “Guardian”, po mendon prej kohësh për dilemën se çfarë duhet të bëjë me shtëpinë, pasi edhe druhet se do të ishte njësoj e papërshtatshme si mbajtja në gjendjen aktuale, ashtu edhe shkatërrimi i plotë.

“Është e vështirë të gjesh një zgjidhje të mirë, kur e shkuara është ende aty por ti i shërben të ardhmes”, thotë ai.

“Guardian” shkruan se edhe ndërtesa të tjera që simbolizojnë regjimin e Hoxhës janë rikonceptuar për përdorim publik, ndër të cilat edhe zyrat qendrore të sigurimit, që tani janë kthyer në muze. Po ashtu edhe bunkerët. Tani, janë aktuale ndërkohë planet për të transformuar piramidën e ndërtuar në fund të viteve 80 si një muze për diktatorin e ndjerë. Por pavarësisht planeve të mëdha, nuk ka ende një monument të denjë për viktimat e Hoxhës, shkruan Guardian.

Gazetari i “The Guardian” brenda shtëpisë së diktatorit Enver Hoxha: E frikshme (FOTO)

Gazetari i “The Guardian” , Shaun Walker ka vizituar vilën ku jetonte diktatori Enver Hoxha.

Përmes disa postimeve në rrjetet sociale, Walker tregon disa fotografi nga brenda shtëpisë së Hoxhës të cilat i përshkruan si mjaft komode për periudhën që bëhet fjalë.

“Sot kam bërë një vizitë në vilën e Enver Hoxhës në Tiranë, ku diktatori ka jetuar nga viti 1975 deri në vdekjen e tij në vitin 1985. Vend i mrekullueshëm, edhe pse i frikshëm për tu vizituar. Është e mbyllur për publikun dhe shumë më tepër se sa ishte, kur ai vdiq”, shkruan gazetari i “The Guardian”.

Zonat e jetesës janë mjaft funksionale, të bëra me më të mirën që Shqipëria kishte për të ofruar në aspektin e mobiljeve dhe aksesorëve.

Edhe pse shqiptarët nuk kishin qasje në literaturën e jashtme, Hoxha pëlqente libra dhe kishte një shpërndarje vjetore të librave francezë nga Parisi. Libraria kudo. Shumë prej tyre ishin tezat e tij ose literatura të tjera marksiste .

Në katin e poshtëm kishte një pishinë dhe një hyrje në një tunel që çonte në një bunker për Hanoin paranojak që ikte nëse ishte e nevojshme/27.al

“Si kanë qenë marrëdhëniet e Ismail Kadaresë me Enver Hoxhën”, rrëfehet Elena

Elena Kadare, bashkëshortja dhe bashkudhëtarja e jetës dhe e veprës së Ismail Kadaresë, në një intervistë për “Shqiptarja.com” ka folur rreth shkrimit të librit më të ri “Kur sunduesit grinden”, që u promovua dje në panairin e librit Tirana 2018.

Promovimi është bërë me një pjesëmarrje të pazakontë të lexuesve dhe fansave të Kadaresë pranë stendës së shtëpisë botuese “Onufri”, të cilët “e kanë detyruar” shkrimtarin për rreth 2 orë e 30 minuta të qëndrojë aty duke biseduar e shkruar pareshtur autografe.

Elena Kadare që ishte pranë bashkëshortit të saj në këtë manifestim të vlerave të librit në Tiranë, rrëfen sesi ka nisur si ka nisur intriga e librit “Kur sunduesit grinden”.

Duke e parë Kadarenë, jo vetëm si bashkëshort, por edhe në distancën e lexuesve, Elena Kadare rrëfen makthin e përjetuar të shkrimtarit gjatë diktaturës, sa herë nisnin tentativat për ta dënuar. “Ishte fat që shpëtoi, për ne dhe letërsinë”, thotë Elena Kadare që është edhe vetë shkrimtare në profesion./ KultPlus.com

Ushtria e Enver Hoxhës (Video)

Cili ka qenë kapaciteti ushtarak i Shqipërisë para viteve 90?

Sa ka qenë vlera e të gjitha pronave dhe armatimit në periudhën komuniste? Çfarë fshihej në depot e ushtrisë?

Si u grabtitën shumë prej tyre dhe përse fshihen edhe sot? Mos humbisni videon e plotë të dokumentarit të gazetarit Marin Mema…/ KultPlus.com
https://www.youtube.com/watch?v=yRLQRMYPOS4

“Thesari i diktatorit” që gjendet te ish- Kinostudio është afër zbulimit

Më shumë se 350 objekte të cilat i takojnë Enver Hoxhës qëndrojnë të pa ekspozuara për më shumë se 3 vite, në një dhomë të vogël e të errët, në studio e “AlbaFilm”, ku qëndron arkiva e ish-Kinostudios “Shqipëria e Re”. Mirëpo këto gjësende së shpejti priten që të ekspozohen.

Vite më parë këto sende personale, nga shtëpia dhe zyra e Enver Hoxhës, i janë dhuruar “Albafilm” nga Muzeu Historik Kombëtar pasi nuk kishte vend e hapësirë të mjaftueshme për t’i ruajtur ato.

Rreth 350 artikuj, kryesisht janë dhurata të ardhura nga jashtë posaçërisht për diktatorin, por një pjesë janë edhe artikuj e sende të zyrës së tij, shkruan panorama.al

Fotografi, stilograf, dhurata personale, mes tyre kravata apo blloqe që kanë shërbyer për vite me radhë si ditarë.
Pjesë e pandarë e kësaj arkive janë edhe automjetet e Hoxhës, me vlerë të jashtëzakonshme sot. Njëra prej makinave është dhuratë e kryetarit të Partisë Komuniste të Kinës Mao Ce Dun, në kohën e miqësisë së Kinës dhe Shqipërisë në vitet ’60-70.

Por tani automjetet do të riparohen dhe do të jenë sërish në gjendje pune., ndërsa sendet do të pastrohen, inventarizohen nga e para dhe më pas do të jenë gati për t’u ekspozuar në një mini-muze në ambientet e parkut të ish-Kinostudios./KultPlus.com

Rrëfimi i Liliana Hoxhës: Enveri në pikturat e mia

Sapo hyn në galerinë “Zeta”, të rrëzohen të gjitha pikëpyetjet që mund të kesh rreth dikujt që nuk ishte marrë kurrë me pikturë dhe befas ka bërë aq shumë të tilla sa mund të hapë edhe një ekspozitë.

Ka kaq shumë luhatje gjendjesh shpirtërore, rënie, ringritje, frikë, përpjekje dhe janë të gjitha të shprehura në portrete që nuk i largohen asnjëherë tërësisht autores. Piktorja është Liliana Hoxha dhe kjo është ekspozita e saj e parë.

Siç ndodh me çdo rishtar të vendosur, që ka ‘ngecur diku’, ekspresionizmi gjendet në të gjitha telajot që duket se janë bërë me një frymë, vetëm për të çliruar krijuesen. Përfituam që ora e ardhjes së të ftuarve (në çelje të ekspozitës kishte vetëm familjarë të afërt e miq të ngushtë) nuk kishte shkuar ende, për të bërë një shëtitje nëpër të gjitha ndjesitë që Liliana Hoxha, nusja e Enver Hoxhës, ka hedhur me duar, pa spatula e pa penela, në telajo. Hijet e shëmbëllimet, ende pa e pyetur, të tregojnë që nuk mund të të largojnë shumë nga historia…

-Nëse do kalonim pak në të gjitha pikturat, nga doni t’ia nisim.

Kjo nuk është shumë e rëndësishme në rastin tim. Për çdo pikturë puna është krejt personale, por mendoj që imja është edhe më tepër sepse është shumë shpirtërore dhe unë jam udhëhequr vetëm nga ndjesitë e mia, për të dhënë mesazhe.

-Çfarë mesazhesh?

L. Hoxha: Mesazhet janë sociale, por secili bën interpretimin e tij.

-Ndihet prania juaj në çdo pikturë. Duket se portreti juaj është pak gjithandej…

L. Hoxha: Mendoj që puna e portretit është një gjë që më favorizon sepse nuk është e lehtë të shprehësh një fenomen me portret dhe kjo është pikërisht ajo që unë kam nisur të bëj.

-Çfarë ndodhi që nisët të pikturonit?

L. Hoxha: Historikisht, unë nuk jam marrë ndonjëherë me pikturë dhe as e kam menduar se do të pikturoja ndonjëherë. As e kam kërkuar, kam qenë veç artdashëse, siç ndjek gjithë artet e tjera. Mendoj që ka ardhur befas, por jo se nuk do ketë ndonjë arsye. Edhe unë jam befasuar.

-Cila mendoni se mund të ketë qenë arsyeja?

L. Hoxha: Ashtu si e kuptoj unë, arsyeja është trysnia e fortë që ka qenë brenda meje, për një aktivitet ekstrem që më është dashur për dhjetë vite të kaloj, pengesa të pafundme e të përballoj gjithçka. Ka qenë një sforcim ekstrem. Më në fund, kur unë e mbarova atë përballje, kam ndjerë, me sa duket, nevojën të çlirohem. Mirëpo, mbaroi vetëm përballja ime jo problemi, problemi vazhdon sepse ai i takon shoqërisë dhe këtë të fundit unë e kam parë në pikturë.

-Po u referoheni problemeve brenda familjes suaj?

L. Hoxha: Jam përpjekur ta trajtoj si probleme në tërësi, më gjerë se kaq sepse po të flasim për problemet brenda familjes sonë ka shumë shpërdorime. Ajo është familja jonë me emër, por nuk është familja jonë më, mendoj që nuk ka qenë asnjëherë. Përveç Enver Hoxhës, vetëm ai ka qenë familja ime…

-A gjendet ai diku mes figurave të pikturës suaj?

L. Hoxha: Nuk është nevoja që ta identifikojmë veçanërisht, secili e lexon vetë. Megjithatë, atje ku është ajo e mirë që mund të ketë qenë, ai patjetër është. Mendoj që pas një pune kaq të madhe, kur truri ngelet kaq i trysnuar dhe përpiqet të gjejë se si mund të çlirojë veten, aty në atë çast ndizet një llambë që nuk ka ekzistuar më parë dhe rezulton diçka, për të cilën ti nuk kishe menduar ndonjëherë.

-Cila ka qenë piktura juaj e parë?

L. Hoxha: Kjo është një ekspozitë me punë vetëm të vitit të fundit sepse unë kam tri vite që pikturoj, prandaj edhe këto janë të gjitha thuajse të reja. Unë punoj ashtu siç më vjen, me duar, vetëm në vaj. Nëse çasti vjen, ashtu mistershëm siç është, vazhdoj ta ndjek. Kjo është ekspozita e parë dhe bashkë me këto janë pikturat që janë të publikuar edhe në dy katalogë.

-Ngjyrat që shquhen kollaj ishin kështu që në fillim apo rrugës, apo duke mësuar e duke ndryshuar?

L. Hoxha: Ato erdhën që në fillim, madje, ndonjëherë përpiqem t’i zbus për mos të qenë shumë e ashpër. Mendoj që kjo gjë ishte për të dalë. Unë përpiqem të jap një shpjegim shkencor, por ekziston edhe shpjegimi mistik. Mendoj që kjo është një dhuratë.

-A ka në rrethin tuaj të afërm, njerëz që merren me pikturë, prej të cilëve mund të jeni nxitur të nisni të pikturoni?

L. Hoxha: Më vjen mirë që po flasim për këtë sepse ne as në familje nuk e kishim menduar, por më vonë rezultoi që mbesa ime e madhe, e cila studion për pikturë, të bënte një lidhje me mua… Djali i Shpatit gjithashtu vizaton, kuptohet, si çdo fëmijë 5 vjeç, por ai vizaton me mendim dhe jo figura të mamit apo babait. Kjo më çudit prej tij dhe mendoj që ai do të pikturojë një ditë sepse e dalloj që tani analizën e tij. Megjithatë, nëse nuk do të ishte profesor Ali Oseku, nuk do të kisha pasur guximin kurrë të bëja asgjë.

-Kujt ia keni treguar punët e para?

L. Hoxha: Ali Osekut, ai më ka përlotur që në fjalët e para dhe e dallova gëzimin në portretin e tij dhe ky mund të jetë vetëm reagimi njerëzor i një artisti të vërtetë. Ky është artisti, duhet të entuziazmohet, të gëzohet, përndryshe është një njeri i shkolluar që di të bëjë diçka. Ju zë shumë kohë puna me një pikturë.

-Kur vizatoni?

L. Hoxha: Piktura, për mua, është si fryma edhe ajo ecën shumë shpejt. Për dy orë thuajse e kam mbaruar. Me regjimin tim gjej kohën më të mirë, që është pasditeve, preferoj të mos dal dhe t’i kushtohem pikturës. Nëse e kam nisur diçka, nuk mund të dal kurrsesi deri sa kam mbaruar (Panorama)./ KultPlus.com

Rruga në Gjilan që mban emrin e diktatorit Enver Hoxha (FOTO)

Në Komunën e Gjilanit, përkatësisht në fshatin Velekincë është një rrugë e emërtuar me emrin e diktatorit shqiptar Enver Hoxha, dhe pikërisht ky emërtim ka bërë që një grup i qytetarëve të reagojnë, të cilët kanë kërkuar në adresë të Lutfi Hazirit që të largohet ky emërtim i kësaj rruge, shkruan KultPlus.

Dritan Dema është iniciatori i kësaj kampanje, i cili nëpërmjet rrjeteve sociale ka bërë thirrje që ti shkruajnë Lutfi Hazirit, kryetarit të Komunës.

“Në Komunën Gjilan të Republikes se Kosovës, siç rezulton në foton e hartës ka nje rruge te emertuar në emer te Diktatorit Hoxha. Ftojme te gjithe te interesuarit ti dergojne një email Kryetarit te kesaj Komune në adresen: lutfi.haziri…Le t’ja kujtojmë Z. Haziri dhe kujtdo tjeter qe e ka te nevojshme se në Republiken e Shqiperise jane mbi 5000 persona të zhdukur, gjate periudhes se rregjimit te diktatures komuniste”, ka shkruar Dema, statusi i cili më pas është shpërndarë nga shumë qytetarë.

Në lidhje me këtë, redaksia e KultPlus ka provuar të kontaktojë kryetarin e Komunës së Gjilanit, Lutfi Hazirin, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur, kurse se ekziston një rrugë me një emërtim të tillë, të gjithë qytetarët mund ta vërtetojnë edhe nëpërmjet google.map./KultPlus.com

Kur Enver Hoxha dhe pionerët shqiptarë i këndonin Kosovës (VIDEO)

Është ndër videot e rralla nga një epokë e vështirë diktature për shqiptarët ku qendrën e vëmendjes e ka pikërisht Kosova dhe Shqiptarët e Kosovës.

Bëhet fjalë për videon e cila mbetet në arkivë nga koha e diktaturës komuniste të udhëhequr nga Enver Hoxha.

Në këtë video shihen të rinjë pionerë nga Shqipëria teksa ia thojnë një kënge që bën fjalë për një prej betejave epike, atë të Kaqanikut.

Në këtë video përveç fëmijëve këndon edhe njeriu që mbajti të izoluar Shqipërinë për 40 vite.
https://www.youtube.com/watch?v=4a5yMBR3m9o