Eroll Murati së shpejti sjell ekspozitën e radhës: Do të jetë më konceptuale se herën e kaluar

Uranik Emini

Përmes ekspozitave të realizuara vitet e fundit, skulptori Eroll Murati me shumë sukses ka arritur që të marrë vëmendje ndërkombëtare e madje ekspozitat e tij të prekin shumë njerëz, shkruan KultPlus.

Veçantia dhe paraqitja e mesazhit në formën më të mirë të duhur ka rezultuar që puna e Muratit të marrë vëmendje ndërkombëtare, derisa ky i fundit po punon edhe në ekspozitën e radhës.

Në një prononcim për KultPlus, Murati ka njoftuar se aktualisht është duke punuar në një ekspozitë të re, të cilën pritet ta sjellë këtë vit.

“Ka me qenë diçka më konceptuale se herën e kaluar”, ka thënë ai për KultPlus.

Sipas tij, artin gjithmonë mundohet ta konceptojë për hapësira publike, pasi nuk punon në art minimalist.

“Edhe ekspozita e radhës do të paraqitet në hapësirë publike, për shkak se jemi lodhur pak a shumë nga pjesa e galerive, por edhe puna ime bazohet pothuajse gjithnjë në hapësira publike”.

Murati tutje njoftoi se akoma është duke punuar mbi temën, derisa sapo të kompletojë gjithçka që ai ka planifikuar do ta shfaq edhe ekspozitën e tij të radhës.

Ekspozita e tij e fundit “Më gjeni”, e cila ishte shfaqur në sheshin Skënderbeu në Prishtinë, kishte marrë vëmendje ndërkombëtare, duke u publikuar edhe në gazeta të huaja siç është The Atlantic. /KultPlus.com

Murati në të kaluarën ka ekspozuar një sërë ekspozitash që trajtojnë tema që prekin shoqërinë në thelb, madje ky është edhe synimi kryesor i autorit.

Eroll Murati ka qenë pjesëmarrësh në aktivitete të ndryshme kulturore që përfshinin ekspozita personale poashtu edhe kolektive. / KultPlus.com

Eroll Murati me ekspozitë në Tiranë: Do të paraqes artin modern në hapësirë publike

Skulptori Eroll Murati do të prezantojë ekspozitën e tij të radhës në qytetin e madh të Tiranës, kur edhe do ta shfaq skulpturën e tij në hapësirë, shkruan KultPlus.

Murati, i cili këtë vit mori vëmendje të madhe ndërkombëtare me skulpturën e tij për të pagjeturit e luftës që e shfaqi në Prishtinës, do të vazhdojë ekspeditën e tij në Tiranë, sigurisht me skulpturën e radhës.

Në një prononcim për KultPlus, Murati ka njoftuar se do të bëjë një ekspozitë në Tiranë me titull “Skulptura në hapësirë”.

“Kjo ekspozitë ka qenë edhe në Prishtinë para dy viteve, por tani po e dërgoj edhe në Tiranë që të përcjelli më shumë mesazhin e kësaj skulpture”, tha ai.

Tutje, Murati na njoftoi edhe me detajet e kësaj skulpture, duke thënë se do të paraqes artin modern në hapësirë publike.

“Në këtë ekspozitë dua që njerëzit të shohin artin në hapësirë publike, hapësira të hapura. Jam munduar që përmes artit në formë moderne dhe me materiale të ndryshme të paraqes esencën dhe kuptimin e kësaj skulpture që do ta paraqes nëser në Tiranë”, ka thënë Murati.

Ekspozita e tij do të hapet më 6 dhjetor në Tiranë, derisa do të jetë e hapur deri më 12 dhjetor. /KultPlus.com

No description available.

‘Ikona’ e të pagjeturve, Murati merr vëmendje ndërkombëtare me ekspozitën e tij ‘Më gjeni’

Skulptori Eroll Murati ka marrë vëmendje të madhe me ekspozitën e tij “Më gjeni” të cilën e kishte shfaqur në sheshin Skënderbeu në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Gazeta e njohur britanike, The Atlantic, ka përfshirë një fotografi të ekspozitës në fotot më të mira të javës, ku edhe kanë shpjeguar pjesën e kësaj ekspozite.

Instalacioni i skulpturave me titull “Më gjeni”, krijuar nga artisti kosovar Eroll Murati, shfaqet në sheshin kryesor të Prishtinës më 6 nëntor 2021, për të inkurajuar autoritetet që të shtojnë kërkimin për personat e mbetur të zhdukur nga Lufta e Kosovës, në fund të viteve 1990, shkruan mes tjerash The Atlantic.

Së fundmi, një reagim ka ardhur edhe nga Bashkimi Evropian mbi pjesën e të pagjeturve, ku këta të fundit kanë kërkuar që Ballkani Perëndimor të bëjë më shumë për punën e të pagjeturve.

Ekspozita “Më gjeni” ishte hapur në fillim të nëntorit duke simbolizuar thirrjet për fatin e të pagjeturve nga lufta e fundit në Kosovë. /Kultplus.com

Skulptori Eroll Murati komunikon me veprën e tij për herë të fundit: I pamë të dashurit tonë, por u kthyem prapë nëntokë

Skulptori Eroll Murati ka hapur ekspozitën me titull “Më gjeni”, me fokusin kryesor tek të zhdukurit në luftën e fundit të Kosovës, e së cilës po i vjen fundi, me ç’rast skulptori ka vendosur që në përmbyllje të ekspozitës, të krijoj një monolog me veprën, shkruan KultPlus.

Me moton “Dikush është ende duke i pritur te dera qe 20 vite”, janë shfaqur dy skulptura në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në të cilën Murati dëshironte të përcillte te publiku dhembshurinë që ai ndjenë në zemrën e tij.

Unë; hej… hej… ku keni mbetur mbrëmë? Ju lashë shumë mirë. Unë mendova se ju gjeta shokë e ju nxora nga nëntoka por tani po ju kuptoj se paska qenë vetëm dy drita shok. Faleminderit që qëndruat 15 ditë me mua dhe me gjithë popullin tim e posaçërisht me ata që ju kërkojnë. Do të ju nxjerr prapë dhe kurrë pa ju harruar. Te zhdukurit… Shok, faleminderit që na nxore nga nëntoka e qëndruam plotë shpirt e dritë për 15 ditë dhe i pamë të dashurit tonë, por u kthyem përsëri nëntokë që një ditë të dalim në të vërtetë. Shok, mos na harro të lutem, ne gjendemi diku dhe kemi shpresë tek ju”, përmbyll kështu Murati ekspozitën me monologun e tij.

“Frymëzimi erdhi nga zemra që ndjenë dhimbje të madhe për familjarët e të zhdukurve”, pati thënë Murati në një prononcim për KultPlus.

Tutje, ai pati pohuar se do të marrë hapa të mëtutjeshme për të përcjellë siç duhet mesazhin e tij.

“Unë po mendoj që të realizojë edhe ekspozita të tjera, megjithatë fokus kam që të paraqes një ekspozitë në Beograd. E di se një gjë e tillë është e vështirë, por do mundohem vitin e ardhshëm ta bëjë një gjë të tillë nëpërmjet formave më të “ashpërsuara”, tha në vazhdim.

I pyetur në qoftë se dikush nga familjarët e të zhdukurve ka kontaktuar me të, Muarti ka thënë se ende nuk është takuar me ndonjë familjar, por, sipas tij, ai e kupton edhe këtë distancë të tyre, duke pas parasysh se sa të thellë e kanë plagën këto familje.

Ekspozita e skulpturave është e hapur në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë e që i dedikohet të zhdukurve nga lufta e Kosovës, e që numërohen 1638 persona. / KultPlus.com

Realiteti i hidhur kosovar vjen nëpërmjet skulpturave të Eroll Muratit

Medina Pasoma

Tri skulpturat e mbështjella me zingjirë bardh e zi të ekspozitës “Skulptura në hapësirë” nga artisti Eroll Murati bënë që qytetarë të shumtë të ndaleshin, fotografoheshin dhe pajtoheshin me mesazhin goditës që përçonin këto vepra arti, shkruan KultPlus.

Të ekspozuara në sheshin “Skënderbeu” të kryeqytetit, skulpturat i falnin një pamje të freskët kësaj hapësire publike, duke i bërë të pranishmit të depërtonin në thellësinë e artit. Sytë e qytetarëve kalonin sa nga njëra sa te tjera skulpturë, duke e bërë që interesimi për t’i kuptuar ato të zgjohej edhe më shumë.

Tri pozicionet e ndryshme të skulpturave bashkë me veçantitë krijuese, bënë që të përçonin dromca të realitetit. Në intervistën për KultPlus, Murati tregoj se çdo detaj është i menduar dhe i qëllimshëm, në mënyrë që sa më thjeshtë të kuptohet mesazhi i ekspozitës që do të jetë e hapur deri më 25 nëntor.

Zingjiri i përdorur tregon ashpërsi, ndërkaq e zeza dhe e bardha vjen si një kombinim mes personaliteteve të ndryshme të njerëzve, duke e bërë që veprimet individuale të përfaqësojnë shoqërinë.

“Bardh e zi ka qenë e qëllimshme për shkak që me të zezën e kam paraqitur të errëtin, të keqin e të dobëtin dhe të bardhën e kam përdorur si zemërbardhësi, diçka shumë e mirë”, u shpreh Eroll Murati.

Përderisa qëllimi kryesor mbetet sjellja e skulpturave moderne dhe kreativitetit artistik në hapësira publike, në këndvështrimin e parë ai thekson se nëpërmjet kësaj ekspozite çdo qytetari iu ekspozohet realiteti i hidhur kosovar.

Skulptura e parë e Muratit përbëhet nga një person i vetëm, i cili gjendet në këmbë, me duar të mbështjella me zingjir të zinj, e që kjo tregon një izolim, ku përherë ekziston një tentativë që i miri të mbështjellët me diçka të keqe.

Ndërkaq, krijimi i dytë artistik e kalon rrafshin individual dhe del në pah ndërveprimi social dhe ndikimi i tij. Kësisoj, dy skulptura njerëzish tërësisht të zinj, e thënë figurativisht “të pushtuar nga e keqja” mbajnë në duar të tyre zingjir të cilët dërgojnë te një karrige, e që kjo mund të përkthehet si luftë për pushtet nga çdo hallkë shoqërore.

“Për luftën e karriges mund të shtyhet apo të luftoj dhe një nxënës, student, profesor, deputet dhe gjithkush tjetër”, shprehet artisti Murati.

 Edhe skulptura e tretë është një bashkëveprim social mes dy individëve, veçse kësaj radhe nuk ka një ngjyrë të njëjtë që i mbulon të dyja. Një skulpturë që qëndron në këmbë dhe ka ngjyrë të zezë, shfaqet përballë skulpturës tjetër, e cila është e bardhë. Kjo vjen si një përpjekje e të keqit që t’ia marr edhe pak të mirë që i ka mbetur tjetrit dhe ta shndërroj sikur veten e tij.

“E treta është konsumimi i njeriut të mirë nga i keqi, duke u munduar t’ia merr edhe ata të bardhë që e ka”, shprehet Murati.

Përtej mesazhit të kësaj ekspozite, Murati mendon që shumica e krijimeve artistike të vendit shfaqen nëpër muze, hapësira të mbyllura e vende të tjera kulturore, ndërkaq nëpërmjet zgjedhjes së një hapësire publike, ai ka tentuar të sjell diçka të re edhe në këtë dimension.

Për sa i përket natyrës së ekspozitës “Skulptura në hapësirë”, ai thekson se njerëzit janë mësuar të shohin shfaqje të tilla artistike nëpër media dhe krijime të vendeve tjera, si të Evropës ashtu edhe në pjesët tjera të botës. Ndërkaq, ai ka zgjedhur vendin e tij për një sërë arsyesh.

“Unë desha ta bëj në vendin tim, si vendi i cili më ka bërë krenar dhe më ka frymëzuar. Ta dinë qytetarët se edhe ne kemi artistë shumë të mirë në Kosovë”, tha Murati.

Ndërkaq për relacionin art-hapësirë publike në vendin tonë, ai shprehet se ndjehet i kënaqur për shkak të shfrytëzimit të tyre që një kohë të gjatë.

“Kemi hapësira shumë të bukura që i përshtaten skulpturave moderne, për shembull sheshi “Skëndërbeu” është i madh dhe i mirë”, shprehet autori i ekspozitës “Skulptura në hapësirë”.

Tutje ai thekson se artistët një herë vëzhgojnë terrenin e duhur dhe pastaj vendosin se ku do t’i ekspozojnë veprat e tyre. Ekspozita “Skulptura në hapësirë” është mbështetur nga Komuna e Prishtinës, gjegjësisht Drejtoria e Kulturës./KultPlus.com

Eroll Murati hap ekspozitën personale ‘Skulptura në hapësirë’, shpalos realitetin e hidhur në Kosovë

Nesër, në Sheshin ‘Skënderbeu’ në Prishtinë, do të hapet ekspozita personale e skultporit Eroll Murati. Ekspozita titullohet ‘Skulptura në hapësirë’ dhe tenton të hedh dritë mbi realitetin e hidhur në Kosovë, shkruan KultPlus.

Skulpturat janë shumë më ndryshe se si jemi mësuar zakonisht t’i shohim, ato komunikojnë me njëra tjetrën, duke shpalosur kështu situatën dhe ngjarjet aktuale të vendit tonë, parë nga syri i artistit që i ka realizuar ato e deri tek qytetarët.

Murati ka treguar për KultPlus se këtë ekspozitë e ka realizuar në mënyrëqë qytetarët e Kosovës të mund të shohin dhe të dijnë rëndësinë e skultpruave në hapësirë, pasi sipas tij, këto skulptura nuk janë të shpeshta në vendin tonë.

‘Rëndësia e skulpturës në hapësirë ëshë në raport ndërmjet objektit si skulpturë dhe hapësirës si ambient. Hapësira kërkohet në bazë të konceptit ideor të skulpturës dhe caktohet vendi i pëërshtatshëm për vendosjen e objektit në përmasa ambientale.

Procesi për ta çuar përpara konceptin në materializim, modelim duke shfrytëzuar material të ndryshëm të jetës së përditshme bëhet instalimi nëpërmjet tipareve dhe cilësive që i përket një artisti.

Forca krijuese dhe njohuritë e materialit dhe teknologjisë për skulpturë fitohen duke njohur mirë traditën e modelimit dhe duke kërkuar materiale të reja të përshtatshme për hapësirën.

Hapësira publike si shfrytëzim kohor i ambientit ku ndërtohet një mbësthjellje hapësinore ndjek harmoninë, përpjestimin dhe simetrinë që janë të banueshme në mënyrë metafizike jo nga njeriu, por nga hija e tij.

Janë prezente nuancat e të bardhës dhe të zezës, masa e madhe e boshëllëku, si dhe kalimet e plota midis tyre, duke ruajtir në të njëjtën kohë vëllimin e madh me lëvizjet e tyre të brendshme e të papritura. E bardha dhe e zeza tek vëllimet e mëdha të skulpturave dëshmojnë më qartë individualitetin e tij krijues për një formë të rëndë skulpturore me cilësi hapësinore. Forma e skulpturave shfaqet konstruktive dhe deri diku e ashpër, duke shmangur tendëncën e përpunimit të materialit drejt një latimi plastik, për të sugjeruar në universn e saj rrugën e hapjes, të hapësirës dhe jo atë të mbylljes. E bardha, dritë e pasur e fuqishme, ku objektet shenja përbëjnë fillimin dhe rrugën tonë të ardhshme. Ngjyrat zotëruese janë e bardha dhe e zeza dhe ajo e arta në mes që shprehin zymtësinë dhe dëshpërimin nëpërmjet personazheve që ndodhen gjithmonë në aksion. Ata ironizojnë, reagojnë, të përgëzojnë, komentojnë, ngacmojnë. Dyfishimi i figurave në hapësira të ndryshme i atribuon atyre cilësinë e personazhit, që fillon të jetoj normalisht në një realitet të ri, atë artistik‘, shkruan Zeni Ballazhi për ekspozitën e artistit Murati.

Eroll Murati ka qenë pjesëmarrësh në aktivitete të ndryshme kulturore që përfshinin ekspozita personale poashtu edhe kolektive. / KultPlus.com