Hapet ekspozita ‘8 cepat’ nga Drilon Shoshi, Prelvukaj: Driloni është një artist që premton për artin tonë

Uranik Emini

Arti, historia, shkenca, e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja pushtuan hapësirat e KultPlus Caffe Gallery kur edhe artisti, Drilon Shoshi, bëri hapjen e ekspozitës së tij të titulluar “8 cepat”, shkruan KultPlus.

Në këtë ekspozitë, veprat paraqiteshin mbi artin i cili bazohet në simbole dhe figura që datojnë shekuj më parë, sikurse që është ylli simbolik, që e përdorte Gjergj Kastrioti në vulën shtetërore përgjatë dhjetëvjetëshit të fundit të jetës së tij.

Poashtu në veprat e Shoshit është e dukshme inspirimi nga Emblema e Gjergj Kastriotit, yllit zanafillor me 8 cepa, portave të vjetra shqiptare, ngjyra e kuqe që simbolizon gjakun e derdhur të shqiptarëve nëpër periudha të ndryshme, pastaj trekëndëshat, hëna, dielli, sikurse edhe ngjyra e zezë, që sipas autorit është ngjyrë që u shton vetëbesim dhe fuqi.

Familjarët, miqtë dhe dashamirët e artit po prisnin me padurim hapjen e kësaj ekspozite, që ngërthente në vete një lloj arti që nuk jemi mësuar ta hasim në çdo cep të rrugës.

E hapjen e kësaj ekzposite e bëri drejtoresha e KultPlus, Ardianë Pajaziti, e cila në radhë të parë pati një falënderim të veçantë për të gjithë të pranishmit, derisa i uroi suksese edhe artistit Shoshi.

“Kjo është ekspozita e dytë personale e Drilonit, derisa ne i urojmë suksese për punën e tij të madhe që ka bërë ndër vite. Do të vazhdojmë mbështetjen e artistëve të rinj”, tha fillimisht Pajaziti, duke i ofruar fjalën edhe artistit në fjalë.

Pas saj, ishte pikërisht artisti Shoshi që mori fjalën.

“Nuk dua ta zgjas këtë fjalim, por dua të falënderoj secilin prej jush që ka gjetur kohë dhe ka ardhur në ekspozitën time të dytë, derisa ndjehem shumë i lumtur që puna ime po vlerësohet”, tha ai.

Ndërkaq, kuratori i kësaj ekspozite, Ilir Muharremi, duke i uruar mirëseardhje të pranishmëve, njoftoi se ftesën për të qenë kurator e pranoi me gjithë kënaqësi.

“Kur artistët e rinj ballafaqohen me ekspozitat e para, është shumë e vështirë sesa të katërtat ose të pestat. Driloni është shumë i guximshëm në temat që i trajton, sidomos Dielli i Prometeut, e cila paraqet në vete një histori të thellë. Simboli kryesor i artistit është dielli, dhe ka të bëjë me historinë në përgjithësi. Sot, dielli është burimi kryesor i gjallesave në tokë. Driloni paraqitet me 10 punime, me teknikën akrilik, po ashtu edhe me simbolin e portës herë duket e hapur dhe herë duket e mbyllur. Në një far forme arti është intravers, shumë personal, shumë “egoist” për shijen e artistit”, tha Muharremi.

Kuratori në fund u shpreh shumë optimist për të ardhmen e artistit.

Në mesin e pjesëmarrësve që morën fjalën ishte edhe artistja, Zake Prelvukaj, e cila lavdëroi punën e artistit duke shtuar se e ardhmja e tij është e sigurt.

“Driloni është ardhur si artist i përgatitur, ka ushtruar paraprakisht çka është ngjyra, prekjen e ngjyrës, zbërthimin e saj dhe një përgatitje të veçantë. Mirëpo, unë po e them dhe ju keni me qenë të bindur që Driloni veç në këto punime që i ka të mira, ka me qenë edhe një tranzicion që do të ecë dhe është në kërkim të shtresimit të vetë, i cili e detyron me kalu në një dimension tjetër. Ai është një njeri që gjithë dijet e veta i merr, por edhe e mundon vetëvetën ngapak.”, u shpreh Prelvukaj, duke falënderuar gjithë të pranishmit aty.

Në mesin e të pranishmëve në këtë ekspozitë, rastësisht qëlloi të ishte i pranishëm edhe një gazetar spanjoll, Juan Manuel Montero, i cili njihet për dashurinë e tij për artin dhe sidomos për Kosovën.

“Nuk kam qenë këtu që nga 2019, por jam i lumtur dhe ndonjëherë ndjehem në siklet se si ka njerëz nga Kosova që flasin gjuhën spanjishte kaq mirë. Një qytet e vend kaq i mirë”, tha ai.

Ekspozita ‘8 cepat’ do të qëndrojë e hapur për dy javë. Pikturat janë në shitje dhe të gjithë të interesuarit duhet të kontaktojnë artistin për t’i blerë. /KultPlus.com

Eroll Murati hap ekspozitën personale ‘Skulptura në hapësirë’, shpalos realitetin e hidhur në Kosovë

Nesër, në Sheshin ‘Skënderbeu’ në Prishtinë, do të hapet ekspozita personale e skultporit Eroll Murati. Ekspozita titullohet ‘Skulptura në hapësirë’ dhe tenton të hedh dritë mbi realitetin e hidhur në Kosovë, shkruan KultPlus.

Skulpturat janë shumë më ndryshe se si jemi mësuar zakonisht t’i shohim, ato komunikojnë me njëra tjetrën, duke shpalosur kështu situatën dhe ngjarjet aktuale të vendit tonë, parë nga syri i artistit që i ka realizuar ato e deri tek qytetarët.

Murati ka treguar për KultPlus se këtë ekspozitë e ka realizuar në mënyrëqë qytetarët e Kosovës të mund të shohin dhe të dijnë rëndësinë e skultpruave në hapësirë, pasi sipas tij, këto skulptura nuk janë të shpeshta në vendin tonë.

‘Rëndësia e skulpturës në hapësirë ëshë në raport ndërmjet objektit si skulpturë dhe hapësirës si ambient. Hapësira kërkohet në bazë të konceptit ideor të skulpturës dhe caktohet vendi i pëërshtatshëm për vendosjen e objektit në përmasa ambientale.

Procesi për ta çuar përpara konceptin në materializim, modelim duke shfrytëzuar material të ndryshëm të jetës së përditshme bëhet instalimi nëpërmjet tipareve dhe cilësive që i përket një artisti.

Forca krijuese dhe njohuritë e materialit dhe teknologjisë për skulpturë fitohen duke njohur mirë traditën e modelimit dhe duke kërkuar materiale të reja të përshtatshme për hapësirën.

Hapësira publike si shfrytëzim kohor i ambientit ku ndërtohet një mbësthjellje hapësinore ndjek harmoninë, përpjestimin dhe simetrinë që janë të banueshme në mënyrë metafizike jo nga njeriu, por nga hija e tij.

Janë prezente nuancat e të bardhës dhe të zezës, masa e madhe e boshëllëku, si dhe kalimet e plota midis tyre, duke ruajtir në të njëjtën kohë vëllimin e madh me lëvizjet e tyre të brendshme e të papritura. E bardha dhe e zeza tek vëllimet e mëdha të skulpturave dëshmojnë më qartë individualitetin e tij krijues për një formë të rëndë skulpturore me cilësi hapësinore. Forma e skulpturave shfaqet konstruktive dhe deri diku e ashpër, duke shmangur tendëncën e përpunimit të materialit drejt një latimi plastik, për të sugjeruar në universn e saj rrugën e hapjes, të hapësirës dhe jo atë të mbylljes. E bardha, dritë e pasur e fuqishme, ku objektet shenja përbëjnë fillimin dhe rrugën tonë të ardhshme. Ngjyrat zotëruese janë e bardha dhe e zeza dhe ajo e arta në mes që shprehin zymtësinë dhe dëshpërimin nëpërmjet personazheve që ndodhen gjithmonë në aksion. Ata ironizojnë, reagojnë, të përgëzojnë, komentojnë, ngacmojnë. Dyfishimi i figurave në hapësira të ndryshme i atribuon atyre cilësinë e personazhit, që fillon të jetoj normalisht në një realitet të ri, atë artistik‘, shkruan Zeni Ballazhi për ekspozitën e artistit Murati.

Eroll Murati ka qenë pjesëmarrësh në aktivitete të ndryshme kulturore që përfshinin ekspozita personale poashtu edhe kolektive. / KultPlus.com

GKK sjellë ekspozitën personale të artistit Thomas Hirschhorn

Galeria Kombëtare e Kosovës të martën më 6 mars hapë ekspozitën e artistit Thomas Hirschhorn “PIXEL COLLAGES”, shkruan KultPlus.

Kjo ekspozitë është kuruar nga Dirk Snauwaert, ndërsa hapet me fillim nga ora 19:00.

Ekspozita personale ‘Pixel-Collages’ nga Thomas Hirschhorn, përfshin 5 kolazhe të mëdha, një përzgjedhje të gjerë të kolazheve të vogla, dhe materiale të referencave të prezantuara në një vitrine. Shfaqja e punëve të fundit të Hirschhorn në Kosovë sot, me imazhet konfrontuese dhe përballjen me teknikat e rrejshme dhe maskuese të mediave, është një deklaratë, e ngjashme me argumentet të cilat Hirschhorn i shfaqë në manifestot të cilat e shoqërojnë ‘Pixel-Collages’, më saktësisht në: ‘Pse është e rëndësishme – Sot – të tregojmë dhe shikojmë imazhe të trupave të shkatërruar të njerzve’

Vepra e Thomas Hirschhorn është ekspozuar në shumë muze, galeri dhe ekspozita në mesin e të cilave edhe Bienalja e Venedikut, Documenta11, Bienalja e 27-të e Sao Paolos, Trienale në Palais de Tokyo, Paris, Bienalja e 9-të e Shangait, Galeria Gladstone, Nju Jork, Manifesta 10 në San-Petersburg etj.

Thomas Hischhorn me secilën ekspozitë në muze, galeri dhe hapësira alternative, apo me vepra specifike në hapësira publike e vërteton përkushtimin e tij ndaj publikut jo-ekskluziv. Ai ka marrë shpërblime dhe çmime të ndryshme, në mesin e të cilave edhe: “Preis für Junge Schëeizer Kunst” (1999), “Prix Marcel Duchamp” (2000), “Rolandpreis für Kunst im öffentlichen Raum” (2003), “Joseph Beuys-Preis” (2004) dhe “Kurt Schëitters-Preis” (2011)./ KultPlus.com