‘Ikona’ e të pagjeturve, Murati merr vëmendje ndërkombëtare me ekspozitën e tij ‘Më gjeni’

Skulptori Eroll Murati ka marrë vëmendje të madhe me ekspozitën e tij “Më gjeni” të cilën e kishte shfaqur në sheshin Skënderbeu në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Gazeta e njohur britanike, The Atlantic, ka përfshirë një fotografi të ekspozitës në fotot më të mira të javës, ku edhe kanë shpjeguar pjesën e kësaj ekspozite.

Instalacioni i skulpturave me titull “Më gjeni”, krijuar nga artisti kosovar Eroll Murati, shfaqet në sheshin kryesor të Prishtinës më 6 nëntor 2021, për të inkurajuar autoritetet që të shtojnë kërkimin për personat e mbetur të zhdukur nga Lufta e Kosovës, në fund të viteve 1990, shkruan mes tjerash The Atlantic.

Së fundmi, një reagim ka ardhur edhe nga Bashkimi Evropian mbi pjesën e të pagjeturve, ku këta të fundit kanë kërkuar që Ballkani Perëndimor të bëjë më shumë për punën e të pagjeturve.

Ekspozita “Më gjeni” ishte hapur në fillim të nëntorit duke simbolizuar thirrjet për fatin e të pagjeturve nga lufta e fundit në Kosovë. /Kultplus.com

Artistja që krijon skulptura kafshësh nga guacat e detit

Mbledhja e guacave dhe guralecëve është një prej hobive të artistes amerikan Anna Chan dhe vajzës së saj.

Ato të dyja jo vetëm që i mbledhin këto produkte kudo që kanë mundësi, por edhe krijojnë vepra arti prej tyre.

Chan është një dizajnere bizhuterie por si për shumë të tjerë, edhe puna e saj ishte zvogëluar gjatë mbylljes si pasojë e pandemisë me koronavirus. Për t’i kaluar këto ditë të vështira, ajo dhe vajza e saj 10-vjeçare kishin qëndruar për një kohë të gjatë në plazh, ku edhe filluan të mblidhnin guaca dhe të krijonin skulptura kafshësh prej tyre.

Chan ka thënë për “My Modern Met” se kjo punë i ka ndihmuar asaj dhe të bijës, për t’i kaluar më lehtë ditët sfiduese të mbylljes nga pandemia, transmeton KultPlus.

Ajo ka thënë se gjithçka nisi si një lëvizje për të kaluar kohë mirëpo që po vazhdon edhe më tutje. / KultPlus.com

Liderëve më të fuqishëm të botës u bëhet skulpturë nga mbeturinat elektronike

Një skulpturë e bërë nga mbeturinat elektronike, e ngjashme si ajo në “Mount Rushmore”, është bërë në Cornwall të Anglisë para nisjes së samitit të Grupit G7, në të cilin do të marrin pjesë liderët e vendeve më të industrializuara të botës.

Skulptura është emërtuar “Mount Recyclemore” dhe me të synohet që të theksohet dëmi i shkaktuar nga hedhja në mbeturina e pajisjeve elektronike, shkruan BBC.

Skulptori Joe Rush tha se shpreson që skulptura do të tregojë se këto materiale duhet të jenë më lehtë të ripërdorshme dhe të riciklueshme.

Sipas një raporti të Kombeve të Bashkuara, më shumë se 53 milionë tonë mbeturina elektronike janë krijuar në botë vetëm në vitin 2019 – mbi nëntë milionë tonë më shumë se pesë vite më parë.

Shtatë liderët e paraqitur në skulpturën e pazakontë janë kryeministri britanik, Boris Johnson, kryeministri japonez, Yoshihide Suga, presidenti francez, Emmanuel Macron, kryeministri italian, Mario Draghi, kryeministri kanadez, Justin Trudeau, kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe presidenti amerikan, Joe Biden.

Autori i skulpturës shpjegoi se vendndodhja e saj është zgjedhur me qëllim afër Hotelit Carbis Bay, ku samiti pritet të mbahet në fundjavë, me shpresën se liderët do ta vërejnë objektin gjatë fluturimit. / Gazeta Express / KultPlus.com

Prishtina me skulpturë të re dedikuar librit dhe shëndetit mendor

Kjo skulpturë  është vendosur në sheshin “Nënë Tereza”, mes Kino “ABC” dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. E njejta do të qëndrojë për një muaj aty si lokacion ekspozues i veprës artistike, e më pas me organizimin e një ceremonie do t’i dhurohet bibliotekës së qytetit “Hivzi Sulejmani”, në oborrin e së cilës do të qëndrojë përherë.

Në skulpturën e punuar nga Butrint Morina, qytetarët do të kenë mundësi të lexojë rezultatet e dala nga hulumtimi gjashtë mujor i organizatave partenere ETEA, Qendra për Hulumtime Psiko-sociale dhe Mjekësore si dhe Qendra për Afirmimin Social të të Rinjve.

Disa nga të gjeturat e gravuara në faqet e librit të kësaj skulpture janë, si vijon: “Nxënësit që lexojnë libra jashtëshkollor kanë mirëqenie psikologjike dhe inteligjencë emocionale më të lartë.”; “Të lexuarit aktiv ka ndikim pozitiv në mirëqenien psikologjike dhe inteligjencën emocionale të fëmijëve.”; “Fëmijët që lexojnë më shumë libra në vit dhe ata që janë të regjistruar në bibliotekë kanë mirëqenie psikologjike dhe inteligjencë emocionale më të lartë.”

Skulptura është pjesë e  projektit “Ndikimi i leximit aktiv në shëndetin mendor të fëmijëve” dhe është  përkrahur nga Forumi për Iniciativa Qytetare dhe INDEP me burim financiar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, gjithashtu ky projekt përkrahet edhe nga Komuna e Prishtinës. / KultPlus.com

Mimoza Rraci: Jam njeri i lirë, i tillë është edhe arti im

Xhemile Hysenaj

Një artiste mjaft e re në moshë, që artin e konsideron më shumë se jetë e më shumë se një mënyrë jetese. Bëhet fjalë për Mimoza Rracin, një artiste e cila njihet per muralet, pikturat, punimet me dorë, skulpturat e punimet në tekstil, përmes së cilave çdoherë bartë mesazhe të ndryshme e kuptimplotë për artdashësit e adhuruesit e saj.

Në një intervistë për KultPlus, Mimoza ka shpalosur më shumë rreth të qenurit artiste, rreth asaj se çfarë paraqet përmes artit të saj dhe patjeter edhe për përvojën e saj prej artisteje në ditët e izolimit si pasojë e pandemisë.

Mimoza tregon për KultPlus se talentin e saj për art nuk e ka zbuluar edhe aq herët, mirëpo edhe pse ‘me vonesë’ ajo ka arritur të bëhet një nga artistet më të njohura të gjeneratës së saj, në të njëjten kohë duke premtuar shumë në këtë fushë.
‘Unë nuk jam person që bëjë plane afatgjata, rruga nëpër të cilën po kaloj së bashku me artin, është shoqëruesi më i mirë. Prandaj, le të vazhdon të mbetet kështu’, tregon tutje Mimoza.

Si çdo vepër arti dhe si çdo artist, edhe Mimoza ka frymëzimet e saj, që siç tregon ajo, frymëzimin e gjen tek jeta e përditshme, e në Kosovën tonë të vogël inspirim ke ngado që të shkosh.
‘Zakonisht inspirohem nga veprimet e njerëzve, nga ndonjë ngjarje që kam përjetuar apo dëgjuar, të thëm më shkurt, inspirohem nga çdo gjë që më rrethon’, vazhdon tutje Mimoza.

Mimoza ka provuar veten pothuajse në të gjitha fushat e artit pamor, ajo tregon se në secilin prej tyre, ka punuar me shumë vullnet e dashuri, sipas saj, secili është bërë në kohë dhe në aryse të caktuar dhe secili e ka vlerën e vet.
‘Ekziston një ndjesi shumë e çuditshme sepse duke krijuar një vepër, hynë aq shumë brenda saj, saqë të duket sikur ke shkrirë çdo pjesë tënden aty. Shpesh edhe të dhimbset kur ajo vepër ndalon së qenuri e jotja, por në anën tjetër nuk ka ndjenjë më të bukur se sa të ekzistoj në një vend, të kesh një jetë, të jetosh e të frymosh në çdovend përmes veprave tua’, shprehet me emocion të madh Mimoza.

Secili artist me kohë fillon e njihet nga stili të cilin e posedon, duke bërë kështu që të ata të njihen përmes veprave të tyre dhe jo vepra përmes tyre. Mimoza, në këtë rast, cilësohet për stilin e saj mjaft të veçantë. Stilin e saj Mimoza e konsideron të lirë, asaj nuk i pëlqejnë kufizimet, nuk i pëlqen të ndalet dhe të kufizohet në një stil apo të ndikohet nga ndonjë artist speçifik.
‘Jam njeri i lirë, i tillë është edhe arti im. Dua që edhe kur nënshkrimi im nuk gjendet në punimet e mia, njerëzit të njohin artin tim, duke e njohur kështu që ajo ide dhe ajo mënyrë e lirë e qetësuese e punimit është diçka Mimoze’, tregon Mimoza.

Ditët në karantinë kanë bërë që shumë artistë të shpalosin kreativitetin e tyre, të zbulojnë anë të reja të artit të tyre, e të jenë më afër se kurrë pranë artdashësve. Sigurisht se edhe Mimoza ka qenë pjesë e këtij grupi artistësh që kanë qenë mjaft kreativ gjatë atyre ditëve aspak të lehta. Në ato ditë izolimi, arti i Mimozës zuri vend në tekstil, ku me një stil Mimoze (pikërisht ashtu siç dëshiron ajo të njihet), ajo në tekstil me një kombinim të mahnitshëm ngjyrash, paraqiste figurën e gruas ashtu siç ne rrallë herë jemi mësuar të shohim.

‘Njihem si tip që ka dëshirë të zbukuroj çdo gjë që më rrethon, më jep ca ngjyra dhe një brushë dhe ashtu ndihem si në parajsë. Arsyeja pse arti në tekstil, tek i cili kësaj radhe protoganiste ka qenë më së shumti portreti i gruas, ka ardhur kështu: Cili është subjekti më i mirë për të shprehur ndjenjat dhe për të marrur vëmendjen e njerëzve më shumë se portreti i një gruaje?! Pasiqë është mjaft e vështirë për të gjetur një më të mirë se ato, gratë janë një nga mrekullitë më të mëdha të botës.’

Pandemia që ka kapluar botën ka shqetësuar secilin dhe ka qenë një periudhë mjaft stresuese për të gjithë, fatkeqësisht akoma vazhdon të mbetet e tillë. Mirëpo Mimoza, këtë periudhë e ka parë me mjaft optimizëm, duke e konsideruar si një ‘luks’ për punë intenzive.
‘Mendoj që në kohë stresi dhe trazirash lindin disa nga idetë më kreative. Besoj se kjo ka ndodhur edhe me mua gjatë kësaj periudhe, jam pajtuar me realitetin dhe po mundohem të shoh vetëm anën pozitive të kësaj situate’, shprehet tutje Mimoza.

Mimoza, një artiste e cila nuk ndalon kurrë së eksploruari botën e pafundme të artit, në moshë shumë të re, erdhi para artdashësve me një mori veprash artistike që përjetësisht do të bartin vulën e saj.
‘Le të ndriçojmë, frymëzojmë dhe motivojmë të gjithë rreth nesh’, përfundon intervistën ajo. / KultPlus.com

‘Perëndesha e fjetur’, skultpura e jashtëzakonshme e shekullit të XVI

Britania e madhe njihet për shumë bukuri natyrore, ndër to është edhe skulptura e perëndeshës që fle, që titullohet ‘Mud Maid’, shkruan KultPlus.

Në Woodland Walk, në Kopshtet e Humbura të Heliganit, është një skulpturë e mahnitshme e një perëndeshë të fjetur me titull ‘Mud Maid’. Skulptura e jashtëzakonshme ka bari dhe myshk që rriten sipër saj.

Heligan ishte një pasuri e gjerë mijëra hektarë në Mbretërinë e Bashkuar dhe u ble fillimisht nga Tremaynes në shekullin e 16-të. Pas dekadash neglizhence në vitet 1900 ajo u bë disi e kalbur dhe e mbingarkuar derisa një projekt ambicioz i restaurimit në 1996 i riktheu kopshtet përsëri në jetë. Tani ata janë një nga kopshtet më të njohura botanikë në Mbretërinë e Bashkuar.

Restaurimi, i cili ishte objekt i një serie televizive gjashtë pjesësh Channel 4 në 1996, dëshmoi të ishte një sukses i jashtëzakonshëm, jo ​​vetëm ringjalljen e kopshteve, por edhe ekonominë lokale rreth Heligan duke siguruar punësim. / KultPlus.com