Kushi pret boksierin Florian Marku, para sfidës së madhe në “Air Albania”

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi priti sot në një takim boksierin e suksesshëm shqiptar Florian Marku.

Gjatë takimit Kushi uroi që Marku të dhurojë fitore në ndeshjen përballë rivalit meksikan Miguel Parra Ramirez më 25 gusht në stadiumin “Air Albania” në Tiranë.

“Me kënaqësi të veçantë mirëprita në MAS një tjetër kampion, boksierin e suksesshëm shqiptar Florian Marku, i cili është kthyer në atdhe për të realizuar ndeshjen e tij të ëndrrave, për titullin e tij të dytë ëBC Silver, përballë rivalit meksikan Miguel Parra Ramirez”, theksoi Kushi në një postim në rrjetet sociale.

Ministrja Kushi u shpreh se “uroj që Floriani dhe çunat kuqezi të na dhurojnë fitore të merituara dhe emocione të bukura në këtë ngjarje madhështore sportive, në 25 gusht, në stadiumin “Air Albania””.

Boksieri shqiptar, Florian Marku fitoi një vit më parë për herë të parë titullin kampion bote në IBF. /atsh /KultPlus.com

Nagavci: Një komb, një gjuhë, një abetare

Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Shqipëri, shkruan KultPlus.

Nagavci është shprehur e lumtur për këtë vizitë, derisa aty u diskutua edhe për abetaren e përbashkët, si marrëveshje nga takimi i dy qeverive vitin e kaluar.

“Kënaqësi të mirëpritem dje në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit në Shqipëri nga ministrja Evis Kushi. Bashkë, takuam anëtarët e Komisionit nga Kosova dhe Shqipëria për Abetaren e përbashkët. Bashkëpunimi jonë në fushën e arsimit do të vazhdojë. Një komb, një gjuhë, një abetare”, shkruan Nagavci.

Së fundmi, një pikë e marrëveshjes mes dy qeverive është zbatuar edhe në fushën e kulturës, kur u organizua koncerti “Na Flet Asdreni”, në Prishtinë e Korçë. /KultPlus.com

Mbyllen shkollat në Shqipëri

Javën e ardhshme duke nisur nga dita e hënë deri të mërkurën shkollat në të gjithë vendin do të jenë të mbyllura për shkak të motit të keq.

Lajmin e njoftoi sot ministrja e Arsimit Evis Kushi përmes një postimi në Facebook. Kushi shprehet se në ditët në vijim priten temperatura tepër të ulëta, që në disa zona do të arrijë deri në – 17 gradë celsius.

Të dashur nxënës, mësues dhe prindër! Dua t’ju njoftoj se sot në MAS kemi marrë një vendim të rëndësishëm që lidhet me procesin mësimor të shkollave tona në fillim të javës së ardhshme.

Sipas parashikimeve meteorologjike, në ditët në vijim priten temperatura tepër të ulëta, të cilat janë temperatura të jashtëzakonshme për një vend si i yni. Madje në disa zona do të arrijë deri në – 17 gradë celsius.

Për këtë arsye, duke qenë se prioriteti ynë absolut në çdo kohë është shëndeti dhe mirëqenia e fëmijëve tanë, kemi vendosur që shkollat të mbyllen javën e ardhshme, nga dita e hënë deri të mërkurën, dhe orët e humbura do të zëvendësohen në vijim pas një njoftimi të dytë në bashkëpunim me zyrat vendore arsimore.

Natyrisht nëse parashikimet nuk do të dalin të sakta, dhe temperaturat do të jenë më të pranueshme, ne do ta rishikojmë këtë vendim dhe do të jemi në komunikim të vazhdueshëm me ju, sepse për ne edhe procesi mësimor ka rendësi prioritare.

Të dashur prindër!

Ju lutem merrni masa për ju dhe fëmijët tuaj, në mënyrë që t’i kapërcejmë sa më lehtë këto ditë të vështira të dimrit.

Shumë faleminderit për mirëkuptimin tuaj” shkruan Kushi. / KultPlus.com

Ministria e Arsimit të Shqipërisë lanson iniciativën “E premtja e leximit”

Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sportit të Shqipërisë ka iniciuar nismën më të re në ditën ndërkombëtare të arsimit, shkruan KultPlus.

Nëpërmjet lansimit të nismës “E premtja e leximit” nëpër shkolla, do të mundësohet krijimi i shprehisë së leximit, promovimi i autorëve vendas dhe shkrimeve të vet nxënësve dhe promovimi i letërsisë.

“Çdo të premte, leximi i poezive, prozave apo eseve nga nxënësit dhe për nxënësit, krijuar nga ata vetë apo autorë të njohur shqiptarë, do të jetë mbi të gjitha sensibilizim për zhvillimin e mëtejshëm të leximit”, tha ministrjaKushi.

Përgjatë aktivitetit, ministrja e arsimit, Evis Kushi sjelli edhe interpretimin e poezisë “Tetor” nga Ismail Kadare.

“Me leximin modest të poezisë “Tetor” të shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare, gjatë aktivitetit kushtuar Ditës Kombëtare të Rinisë në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit, kam dëshirë të lançoj nismën më të fundit të Ministrisë së Arsimit, Rinisë dhe Sportit për nxënësit në shkollat tona “E Premtja e Leximit”, theksoi Evis Kushi.

Ministrja shtoi se kjo nismë do të shërbejë edhe si një formë e thjeshtë për t’i kushtuar rëndësi më të madhe identitetit tonë dhe për të vlerësuar, ruajtur, përparuar dhe kultivuar gjuhën tonë të bukur dhe të ëmbël shqipe. / KultPlus.com

Kushi: Sa më të shëndetshme të jenë gratë dhe vajzat, aq më e shëndetshme është edhe shoqëria

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi mori pjesë sot në ecjen tradicionale të organizuar nga “YWCA of Albania” në lidhje me informimin dhe ndërgjegjësimin e grave e vajzave për parandalimin e kancerit të gjirit nën moton “Fjongo rozë më kujton”, ndërsa ka dorëzuar edhe çmim për një vullnetar të kësaj kauze.

“Jam e lumtur që sot i dorëzova Çmimin e Vullnetarit të “Fjongos Rozë” Majlinda Xhamos, e cila drejton me shumë profesionalizëm Zyrën Vendore Arsimore Berat, duke u angazhuar njëkohësisht prej vitesh me iniciativa të ndryshme të “YWCA of Albania” dhe dhënë kontribut të vazhdueshëm në organizimin e aktiviteteve ndërgjegjësuese dhe sensibilizuese në kuadër të “Fjongos Rozë të YWCA”, tha Kushi.

Ndërkohë, Kushi tha se, “Fjongo Rozë” na kujton të gjithëve se shëndeti i grave dhe i vajzave nuk është i rëndësishëm vetëm për ta, por ka domethënie të veçantë për çdo familje, çdo fëmijë dhe për shoqërinë në tërësi.

“Sa më të shëndetshme të jenë gratë dhe vajzat, aq më e shëndetshme është edhe shoqëria”, u shpreh ministrja.

“Prandaj, vëmendja dhe kujdesi për gratë dhe vajzat duhet të jetë sa më i madh jo vetëm gjatë muajit tetor, por gjatë gjithë vitit. Një vizitë tek mjeku, një kontroll, një mamografi dhe diagnostifikimi i hershëm shpëtojnë jetë”, apeloi Kushi. /atsh/ KultPlus.com

Evis Kushi: Akademia e Shkencave, lider në fushën e kërkimit shkencor

“Akademia e Shkencave e Shqipërisë është lider në fushën e kërkimit shkencor”, u shpreh ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi në takimin e djeshëm në ambientet e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë me Kryesinë e Akademisë së Shkencave.

Ministrja Kushi u prit nga kryetari akad. Skënder Gjinushi dhe në takim morën pjesë edhe funksionarë të tjerë të Akademisë.

Në këtë takim, që u cilësua shumë i frytshëm nga të dyja palët, u konstatua se Ligji nr. 53/2019 “Për Akademinë e Shkencave në Republikën e Shqipërisë”, tashmë ka dhënë rezultate të dukshme pozitive. Ka një ndryshim të qartë në marrëdhëniet midis universiteteve dhe Akademisë. Njësitë e kërkimit shkencor dhe komisionet e posaçme janë me përbërje të përbashkët. Pjesa më e madhe e anëtarëve të tyre janë nga universitetet. Me miratimin e reformës çdo kandidim për anëtarësi në Asamblenë e Akademisë kalon përmes njësive shkencore universitare dhe senateve të universiteteve.

Pati mirëkuptim për bashkëpunimin ndërinstitucional edhe në procesin e mëtejshëm, duke përfshirë hartimin e ligjit tashmë në proces për shkencën, që do të harmonizojë më tej dy ligjet kuadër të dy institucioneve. Akademia e Shkencave dhe MASR do të bashkëpunojnë edhe për miratimin e projektligjit për deontologjinë në kërkimin shkencor, përshtatje e kodit europian të kërkimit shkencor.

U diskutua edhe për mundësinë e ndryshimeve pozitive edhe në organizimin e institucioneve shkencore sot në Shqipëri, që ka problemet e veta, por ka vend për ndryshime.

Pati mirëkuptim për të hedhur hapat e nevojshëm edhe në këtë pikë, dhe në këtë kuadër u përmendën projektet e mëdha akademike për një enciklopedi shqiptare, për një fjalor të madh të shqipes dhe për një histori të popullit shqiptar, që kërkojnë sinergji të mëdha ndërinstitucionale.

Në fund, kryetari i Akademisë së Shkencave akad. Skënder Gjinushi u shpreh se dy institucionet kanë qëllime të përbashkëta në veprimtarinë në zhvillimin e arsimit dhe shkencës në Shqipëri.  /atsh/ KultPlus.com