Qendra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë, 55 shfaqje për tre muaj

Qendra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë ka ofruar në 3 muajt e parë të vitit 55 shfaqje teatrale.

Shifrat bëhen të ditura nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti e cila shprehet se, “15 shfaqje janë në janar, 19 në shkurt dhe 21 shfaqje teatrale në mars”.

Gjithashtu ministrja ka bërë të ditur dhe numrin e spektatorëve gjatë këtyre tre muajve në këto shfaqje.

Në janar këto shfaqje u panë nga 1454 spektatorë, në shkurt nga 1626 spektatorë dhe në mars nga 2166 spektatorë. Në total në tre muajt e parë të vitit 5246 spektatorë shijuan shfaqjet teatrale nga trupat e Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë.

Këto shfaqje u interpretuan në kopshte, teatër, pallat kulture dhe në Durrës.

Në Qendrën Kombëtare të Kulturës për Fëmijë, të vegjlit e talentuar mësojnë edhe instrumente të ndryshme muzikore. Gjithashtu u bë një kohë e gjatë ku në këtë Qendër fëmijëve u mësohet aktrimi, piktura dhe skulptura.

Qendra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë, merret me zhvillimin e talenteve të fëmijëve të ciklit 9-vjeçar, synon që edhe në vitin pasardhës të realizojë shumë projekte të tjera si shfaqje të ndryshme për fëmijë, ekspozita me piktura e skulptura, etj./atsh/KultPlus.com

Fotografi turk shfaq bukurinë e syve të fëmijëve që shkëlqejnë si gurë të çmuar

Abdullah Aydemir, një fotograf nga Stambolli, beson se i gjithë universi mund të fshihet në sytë e fëmijëve. Ai bën fotografi që mund t’ju hipnotizojnë menjëherë me dukjen madhështore të fëmijëve që takon në rrugë.

Portretet e tij kapin bukurinë e modeleve të tij të vogla dhe ne nuk mund t’i heqim sytë nga fotot e tij të mrekullueshme.

Më poshtë gjeni disa nga fotografitë e fëmijëve që sytë e tyre krahasohen me gurë të çmuar./21Media / KultPlus.com

Pa familje dhe të pashoqëruar, shumë fëmijë nga Kosova jetojnë të vetëm në Itali

Fëmijët në Itali janë kthyer në shkolla. Në mesin e nxënësve që janë kthyer në bankat e shkollës, janë edhe shumë fëmijë të mitur të pashoqëruar, të cilët kanë mbërritur të vetëm në shtetin italian.

Ministria italiane e Punës dhe Politikës Sociale e ka publikuar raportin e sivjetmë për të miturit e huaj të pashoqëruar në Itali. Nga ky raport del se më së shumti fëmijë të huaj të pashoqëruar në Itali vijnë nga Kosova dhe Shqipëria, shkruan Gazeta Express.

Në 100 të mitur të pashoqëruar, 32 vijnë nga Kosova e Shqipëria (dy vjet më parë ishin 11), 21 nga Bangladeshi, Pakistani e Afganistani (përqindja u trefishua), 19 nga Afrika Mesdhetare dhe 17 nga Afrika nën-Sahariane (ishin 36 dy vjet më parë). Në statistikë, refugjatët “politikë” shfaqen nën titullin “të tjerët”; numerikisht jo shumë të rëndësishëm, por njerëzisht dhe politikisht shumë të rëndësishëm.

Ndryshe nga të rriturit, të miturit nuk mund të refuzohen ose dëbohen nga Italia, shkruan e përditshmja italiane “Il Fatto Quotidiano”. Strukturat e shtetit italian kujdesen për ta derisa ta arrijnë moshën madhore, duke u siguruar akomodim, kujdes shëndetësor dhe edukim.

Për ta ofrohen të njëjtat forma të mbështetjes si për të miturit italianë në vështirësi ose pa mbështetje familjare. Çdo gjashtë muaj, Ministria e Punës dhe Politikave Sociale harton një raport për situatën e këtyre fëmijëve.

Raporti ministror tregon se janë 5 mijë e 16 fëmijë të huaj të pashoqëruar në Itali, nga të cilët 4 mijë e 778 janë meshkuj dhe 238 femra. 64% e tyre janë 17 vjeç, 24% janë 16 vjeç, ndërsa 12% janë 15 vjeç ose më të rinj. 13 mijë e 151 fëmijë të kësaj kategorie ishin në Itali dy vjet më parë, ndërsa 7 mijë e 272 në vitin 2019. Kështu, në dy vjet numri ka rënë për gati dy të tretat. Një shkak për këtë është se 16-17-vjeçarët e viteve të kaluara tani janë rritur.

Pasi mbërrijnë dhe regjistrohen në Itali, këta të mitur vendosen në vende të caktuara. Ndërkohë, Gjykata rajonale për të Mitur cakton një kujdestar për ta. /KultPlus.com

Letra e një nëne: Mund të kisha liri, por zgjedha të kem fëmijë

E paramendoj ndonjëherë se si do dukesha unë po të mos kisha fëmijë? Do të nxitoja për punë dhe ti kryej të gjitha detyrimet. Do shkoja në drekë me miqtë pa u shqetësuar për asgjë.

Ky lloj i grave mund të ketë fëmijë një ditë, por tani mendja e saj nuk e paramendon se si do dukej mëmësia në jetën e saj. Unë akoma mund të isha ajo grua pa fëmijë. Por në vend të kësaj, unë zgjodha të kem fëmijë – edhe ato 3 fëmijë në 5 vjet.

Mund të kisha një mëngjes të qetë dhe të pi një filxhan kafe rehat deri sa përgatitem.

Në vend të kësaj, unë zgjodha të kem fëmijë.

Mund të kisha fundjava ku do flija gjumë deri vonë.

Në vend të kësaj, unë zgjodha të kem fëmijë.

Mund të kisha më shumë para në bankë.

Në vend të kësaj, unë zgjodha të kem fëmijë.

Mund të kisha një makinë të lezetshme.

Në vend të kësaj, unë zgjodha të kem fëmijë.

Mund të udhëtoja në botë dhe të shihja Parisin, Londrën, Pekinin, Stambollin.

Në vend të kësaj, unë zgjodha të kem fëmijë.

Mund të kisha mbrëmje romantike me të dashurin tim.

Në vend të kësaj, unë zgjodha të kem fëmijë.

Mund të kisha flokë të stiluara në mënyrë të përsosur dhe veshje elegante.

Në vend të kësaj, unë zgjodha të kem fëmijë.

Mund të kisha një shtëpi të dizajnuar bukur me mobile luksoze.

Në vend të kësaj, unë zgjodha të kem fëmijë.

Mund t’i kaloja vitet e fundit duke u përpjekur për karrierë, duke qëndruar vonë në zyrë pa u shqetësuar për asgjë, përveç afateve dhe qëllimeve.

Në vend të kësaj, unë zgjodha të kem fëmijë.

Mund të kisha një stomak të sheshtë, pa shenja strijesh.

Në vend të kësaj, unë zgjodha të kem fëmijë.

Unë mund të isha e lirë të bëja gjithçka që dua, sa herë që dua.

Në vend të kësaj, unë kam fëmijë. / KultPlus.com

Policia identifikon 58 fëmijë lëmoshëkërkues në Kosovë

Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore (DHTQNJ) në kuadër të angazhimeve të vazhdueshme në parandalimin e dukurive negative, në veçanti luftën kundër abuzimit me fëmijë, ka përpiluar një plan operativ të emëruar “Identifikimi i fëmijëve në situatë rruge si viktima të mundshme të trafikimit”.

Sipas njoftimit për medie, ky plan u implementua në qershor 2019 dhe është zbatuar në gjithë territorin e Kosovës, nga të gjitha njësitë e drejtorisë kompetente policore dhe akterët tjerë relevante, transmeton Koha.net.

Gjatë zbatimit të këtij plani operativ ka rezultuar me, identifikimin e 58 fëmijëve lëmoshëkërkues, prej tyre 21 shtetas kosovarë dhe 37 shtetas shqiptarë. Gjithashtu, me identifikimin e 42 lëmoshëkërkuesve të rritur, prej tyre 6 shtetas kosovarë dhe 36 shtetas shqiptarë.

Ata thonë se janë ngritur kallëzime penale ndaj 8 personave të dyshuar për veprën penale “keqtrajtim apo braktisje e fëmijës”, neni 243 sipas Kodit Penal të RKS-së

“Të gjithë fëmijët lëmoshëkërkues kanë qenë të shoqëruar nga familjarët e tyre dhe të pajisur me dokumente. Në prani të punëtorit social, të gjithë fëmijëve lëmoshëkërkues u është plotësuar formulari për shënimet e lëmoshëkërkuesve dhe janë marrë në pyetje familjarët e tyre, me qëllim të identifikimit të viktimave potenciale të trafikimit me njerëz”, thuhet në njoftim.

Gjatë marrjes në pyetje nuk është identifikuar asnjë viktimë e trafikimit.

Fëmijët të cilët nuk kanë rezultuar viktima të trafikimit me njerëz janë ndërmarrë disa masa.

Sipas njoftimit, është konsultuar prokurori përkatës, janë iniciuar 8 raste ‘keqtrajtim apo braktisje e fëmijës’ sipas nenit 243 të Kodit Penal të Kosovës dhe janë dorëzuar kallëzime penale kundër 8 të dyshuarve, prindërve të fëmijëve lëmoshëkërkues, ndërsa janë identifikuar 21 fëmijë si viktima të kësaj vepre penale,

Thuhet se, të gjithë fëmijët e hasur duke kërkuar lëmoshë (58) janë referuar në (qendrat për punë sociale (QPS) përkatëse.

“Pas trajtimit të rasteve veç e veç dhe verifikimit të rrethanave, në konsultim me Prokurorinë dhe QPS-të përkatëse, shtetasit e Shqipërisë janë referuar në drejtorinë përkatëse (DMH) për trajtim të mëtutjeshëm sipas kompetencave’, thuhet në njoftim. / KultPlus.com