Autorja Imeri do të ndihmojë fëmijët me autizëm me të ardhurat nga libri “Shpirt i Ngjyrosur”

Autorja Mandy Hale në një libër të saj kishte shkruar se nuk ka asgjë më të bukur se dikush që bën gjithçka për t’ua bërë jetën të bukur të tjerëve, shkruan KultPlus.

Njësoj ka bërë edhe Fatlinda Imeri, e cila së fundmi përmes librit të saj “Shpirt i ngjyrosur” do të mundohet t’i ndihmojë sadopak fëmijët të prekur me autizëm.

Ajo njofton se 70% e të ardhurave nga shitja e librit të saj me poezi, do të shkojnë për shoqatën “Autizmi” në Prishtinë”.

Libri është një përmbledhje me poezim të shkruara që nga vitit 2011 deri më tani.

Ndërkaq, të gjithë të interesuarit për të blerë librin mund të kontaktojnë me autoren, derisa ai deri tani është duke u shitur vetëm online. /KultPlus.com

Ndihmoni fëmijët me autizëm duke blerë dy librat e shkrimtarit Arbër Selmani

Shkrimtari Arbër Selmani ka marr një tjetër iniciativë në ndihmë të fëmijëve më autizëm, shkruan KultPlus.

Autori i librit “Kosova në 14 tregime kulturore”, që u promovua në vitin 2021, fitimet nga shitja e librave i ka dedikuar në ndihmë për fëmijët me autizëm, njejtë po vazhdon edhe sot.

Kësaj radhe, në bashkëpunim me Librarinë Dukagjini, Selmani ka vendosur që dy pjesët e librit ‘Kosova në 14 tregime kulturore 1 dhe 2’ të vijnë me ofertë prej 15 euro, ku përveç që mund të kontribuoni në bamirësi ju do të lexoni intervistat me 28 personazhe të artit kulturor shqiptar.

“Kom nevojë për ndihmë! Prej vitit të kaluar, kur libri im ‘Kosova në 14 tregime kulturore 2’ ka dalë në shitje, mbi 3000 euro totale të fitimit nga shitja kanë shku te fëmijët me autizëm, te Shoqata “Autizmi” – Prishtinë dhe Shoqata “Autizmi” Prizren. Sot, bashkë me ndihmën e Librarisë Dukagjini, kemi vendosë që dy pjesët e librit me intervista shumë intime gazetareske me i shitë për 15 euro, si set i librave, dhe kuptohet fitimet me vazhdu me shku për fëmijët me autizëm”, shkruan Selmani.

Libri i parë përmbledhë gjithsej 14 intervista që në fokus kanë rrëfimin e karrierës dhe jetës së 14 personazheve si: Xhevat Syla, Mixha Ramë, Adelina Thaqi Meta, Agim Qena, Luan Hajra, Hana Cakuli, Lala Meredith-Vula, Naser Berisha, Rifat Kukaj, Bajram Bylykbashi, Malda Susuri, Zake Prelvukaj, Kenneth Andresen dhe Abdullah Konushevci. Ndërsa libri i dytë, gjithashtu i përberë nga 14 tregime kulturore, mes tyre: Luan Hajra, intervistë me fëmijët e Agim Qenës, intervistë me vajzën e Mixhës Ramë etj.

“Juve që ju njoh e nuk ju njoh, juve që jeni miq të mi e keni ndikim te qytetarët, personalitete të çfarëdo fushe, ju ftoj që edhe me i ble dy librat, edhe me e shpërnda lajmin. Kurgjo nuk po boj vet, gjithmonë gjithçka me ndihmën tuaj e të lexuesit, me përhapë letërsi e me promovu bamirësi….”, shkruan Selmani.

Kujtojmë që në muajin qershor, shkrimtari ka promovuar edhe librin e tij më të ri ‘48 piano’, libër ky që përmban poezi dhe prozë poetike të cilat autori i ka shkruar në një periudhë 12 vjeçare. Njëherit, ky është libri i katërt i autorit.

Ky libër është dedikim i Selmanit për babain e tij si dhe përmban edhe njërën prej poezive më të dashura të autorit. / KultPlus.com

Buzëqeshja e Leon Arifit pushtoi ekranin gjigand të Times Square-it

Leon Arifi ishte ndër protagonistët e ditës së sotme që zuri vend në njërin ndër ekranet më të famshme në botë, atë të Times Square-t që gjendet në New York, shkruan KultPlus.

Në fotografi, Leoni i buzëqeshur shihet me Fjolla Rracin e cila në mënyrë vullnetare ndihmon fëmijët e të rriturit me sindromin Down dhe ata me autizëm.

Buzëqeshja e Leonit padyshim që sot ka pushtuar pikërisht zemrën e New York-ut.

Ndërkaq, lajmin e bëri të ditur vetë Fjolla përmes një postimi në rrjetin social Faceook:

Leon, kjo foto osht ba n’shkolle, aty ku çdo dite t’lume tu t’msu ty une kam msu prej teje!
Sot e ke hijeshu New York-un e mu ma ki hijeshu jeten vite ma pare!!

Shtese: Sahere flasim n’telefon t’lutna mos me m’harru, sot po t’lutna prap!’
/ KultPlus.com

Biri im, të kërkoj falje që nuk jam i pavdekshëm

Nga Edmond Tupja

“Ges, ti i ke dhënë një kuptim të ri jetës sime, unë mësova prej teje të kuptoj Tjetrin, të mposht vetveten, egon time, sa herë që kjo është e domosdoshme; mesova të heq dorë nga shumë gjëra në emër të dashurisë që ushqej për ty, të të dua edhe kur ti me godet, edhe kur ti më gërvisht, pra, edhe kur më dënon e ndëshkon me dhunë; mësova të luftoj ndryshe, edhe kur e di që nuk do të fitoj, mësova ta shoh, ta dëgjoj, ta nuhas e ta prek botën me syrin, veshin, hundën e dorën tënde dhe kështu, ta kuptoj duke e filtruar edhe përmes ndërgjegjes së tjetrit, aq më tepër kur tjetri je Ti!

Sigurisht, Ges, unë të kërkoj të falur që nuk kam arritur të t`i plotësoj të gjitha, që nuk po të shkëpus dot nga autizmi, të kërkoj të falur për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen tënde, të kërkoj të falur që nuk jam i pavdekshëm, por i përkohshëm ashtu si edhe nëna jote, sepse brenga jonë më e tmerrshme është mendimi që një ditë të frikshme, ti do të gjendesh vetëm, pa njeri pranë për t`u kujdesur për ty, për të të dhuruar të paktën një grimë mirëkuptim e dashuri. E di, ti nuk ke as motër e as vëlla, ke vetëm një gjysmë vëlla nga ana ime, por që jeton prej vitesh në Kanada dhe që atje e ka ndërtuar jetën e vet; sot kanë ardhur kohë të tilla që njerëzit vdesin të vetmuar, madje edhe prindër që kanë lindur, rritur e nxjerrë në jetë dy, tre, katër a më shumë fëmijë, sepse, siç thuhet, secili ka fatin e vet.

Po ty, po sivëllezërit e simotrat e tua me autizëm, çfarë fati ju pret? Sikur të paktën të kishte institucione për të vetmuarit si ti, si të tjerët që të ngjajnë, në mënyrën që ne, prindërit e tu, prindërit e tyre t`i mbyllnim sytë të qetë deri diku duke menduar se ti, djali ynë, se fëmijët e tyre me autizëm, nuk do të ndiheni të braktisur, edhe më të vetmuar sesa jeni sot që ne jemi ende gjallë. Ges, unë nuk jam besimtar, megjithatë, një buzëmbrëmje dimri anonim, tek mendoja të tashmen tënde të trishtuar dhe të ardhmen tënde të zymtë, pasi ti më kishe dendur me grushta e flakur përtokë si një thes me kashtë të kalbur, rashë në gjunjë dhe i drejtova dëshpërimisht këtë lutje njerëzore Fatit, Rastësisë, Natyrës apo Zotit, pak rëndësi ka: “ O Ti, i Mistershmi, i Gjithpushtetshmi, i Pashmangshmi! Shëroje Gesin tim të pafajshëm! Nuk të kërkoj, nuk të përgjërohem ta bësh gjeni, apo talent, jo, bëje thjesht normal, a më dëgjon, a më kupton, thjesht N-O-R-M-A-L, si shumica e fëmijëve të kësaj bote, të kësaj jete! Bëje normal që ai të jetë të paktën i zoti i vetes, të arrij të mbijetoj edhe kur të gjendet përfundimisht vetëm pas vdekjes së prindërve te tij. Plotësoma këtë dëshirë dhe jam gati të ta fal jetën time!

Të ta fal jetën time? Kjo do të ishte fare e thjeshtë për mua, madje do te ishte diçka parajsore, sepse TI e di, për mua përtejvdekja, pra, pavdekësia, është zinxhiri i trashëgimtarëve: Gesi njeri normal, i biri ose e bija e Gesit, nipat e mbresat e Gesit e keshtu, nga hallka në hallkë, deri sa të ketë jetë mbi rruzullin tonë tokësor. Atëherë, bëmë që të vuaj tmerrësisht, që të gjitha sëmundjet më të llahtarshme të botës të bien mbi mua- sidë, lebër, Alzheimer, kancer, skizofreni, delirium tremens etj., etj. – njëra me e mynxyrshme se tjetra, dhe unë të jetoj duke vuajtur, duke lënguar, duke u përpëlitur njëkohësisht si në nëntë rrathët e Ferrit te Dantes dhe duke kaluar nga njëra torturë në tjetrën, vetëm e vetëm që Gesi të bëhet normal, a më dëgjon, NORMAL!”./KultPlus.com

Përmes artit, arkitekti shqiptar nga Finlanda në ndihmë të fëmijëve me autizëm

Situata e Covid -19 ka bërë që shumë njerëz të jenë më kreativ gjatë kohës së izolimit të tyre. Kështu ka ndodhur edhe me arkitektin kosovar Lulzim Behxheti, i cili prej vitesh jeton dhe punon në Helsinki të Finlandës. Ai njihet si arkitekti i shtëpive ekologjike dhe është vlerësuar me shumë çmime ndërkombëtare.

Gjatë kësaj kohe ai ka realizuar portrete të ndryshme të miqve e personaliteteve shqiptare në një teknikë të veçantë me një laps e një letër të thjeshtë blloku. Kjo nismë nisi si një komunikim me miqtë në mungesë të tyre.

Duke parë që portretet në FaceBook u pëlqyen, ai nisi ta zgjeronte hartën e miqve, duke përfshirë edhe ata virtualë. Pas këtij pasioni dhe malli për miqtë lindi dhe ideja për ndërtimin një fondacion bamirësie të quajtur “ Vjosa “ me seli në Helsinki në mbështetje të fëmijëve me autizëm.

Qëllimi është hapja e një ekspozite në Bruksel e hapi tjetër mbajtja e një mbrëmje Gala në Prishtinë për të nxjerrë punimet në ankand. Të ardhurat që do të mblidhen do të shkojnë në ndihmë të fëmijëve me autizëm.

Arkitekti nuk është i fokusuar vetëm tek fëmijët me këtë sindromë, por edhe tek adoleshentët që kanë nevojë për një trajtim ekstra në këtë moshë delikate, në mënyrë që të fillojnë të jetojnë të pavarur, duke u integruar në shoqëri e duke u bërë pjesë e tyre.

Në galerinë e këtyre portreteve mund të përmendim familjen Ora ( të këngëtares Rita Ora ) atë të Kastriotëve, Adi Krasta, Vjosa Osmani, etj. Ambasadore e këtyre portreteve është princesha, siç e quan vetë arkitekti Alea Mehaj, Miss Bota për fëmijë, e cila jeton në Norvegji.

“E kam bërë miken më të mirë. Bashkë me të dhe me të tjerët synojmë të bëjmë mrekulli. Më e pakta që mund të bëjmë është shitja e portreteve, ndërkaq maksimumi që mund të bëjmë është t’i ndërtojmë 30 shtëpi modulare, të gjitha prej druri, për fëmijët me autizëm. Kam kontaktuar edhe me Shoqatën e personave me autizëm në Finlandë, për të na dhënë instruksionet e tyre se si të ndërtohen këto shtëpi. Ideja është që këto shtëpi do të ndikojnë që fëmijët me autizëm të ndihen të pavarur kur të arrijnë moshën madhore. Por, ato mund të përdoren edhe në formë të shkollave, për parashkollor dhe ciklet tjera” – përfundon ai. / Living / KultPlus.com