Ndihmoni fëmijët me autizëm duke blerë dy librat e shkrimtarit Arbër Selmani

Shkrimtari Arbër Selmani ka marr një tjetër iniciativë në ndihmë të fëmijëve më autizëm, shkruan KultPlus.

Autori i librit “Kosova në 14 tregime kulturore”, që u promovua në vitin 2021, fitimet nga shitja e librave i ka dedikuar në ndihmë për fëmijët me autizëm, njejtë po vazhdon edhe sot.

Kësaj radhe, në bashkëpunim me Librarinë Dukagjini, Selmani ka vendosur që dy pjesët e librit ‘Kosova në 14 tregime kulturore 1 dhe 2’ të vijnë me ofertë prej 15 euro, ku përveç që mund të kontribuoni në bamirësi ju do të lexoni intervistat me 28 personazhe të artit kulturor shqiptar.

“Kom nevojë për ndihmë! Prej vitit të kaluar, kur libri im ‘Kosova në 14 tregime kulturore 2’ ka dalë në shitje, mbi 3000 euro totale të fitimit nga shitja kanë shku te fëmijët me autizëm, te Shoqata “Autizmi” – Prishtinë dhe Shoqata “Autizmi” Prizren. Sot, bashkë me ndihmën e Librarisë Dukagjini, kemi vendosë që dy pjesët e librit me intervista shumë intime gazetareske me i shitë për 15 euro, si set i librave, dhe kuptohet fitimet me vazhdu me shku për fëmijët me autizëm”, shkruan Selmani.

Libri i parë përmbledhë gjithsej 14 intervista që në fokus kanë rrëfimin e karrierës dhe jetës së 14 personazheve si: Xhevat Syla, Mixha Ramë, Adelina Thaqi Meta, Agim Qena, Luan Hajra, Hana Cakuli, Lala Meredith-Vula, Naser Berisha, Rifat Kukaj, Bajram Bylykbashi, Malda Susuri, Zake Prelvukaj, Kenneth Andresen dhe Abdullah Konushevci. Ndërsa libri i dytë, gjithashtu i përberë nga 14 tregime kulturore, mes tyre: Luan Hajra, intervistë me fëmijët e Agim Qenës, intervistë me vajzën e Mixhës Ramë etj.

“Juve që ju njoh e nuk ju njoh, juve që jeni miq të mi e keni ndikim te qytetarët, personalitete të çfarëdo fushe, ju ftoj që edhe me i ble dy librat, edhe me e shpërnda lajmin. Kurgjo nuk po boj vet, gjithmonë gjithçka me ndihmën tuaj e të lexuesit, me përhapë letërsi e me promovu bamirësi….”, shkruan Selmani.

Kujtojmë që në muajin qershor, shkrimtari ka promovuar edhe librin e tij më të ri ‘48 piano’, libër ky që përmban poezi dhe prozë poetike të cilat autori i ka shkruar në një periudhë 12 vjeçare. Njëherit, ky është libri i katërt i autorit.

Ky libër është dedikim i Selmanit për babain e tij si dhe përmban edhe njërën prej poezive më të dashura të autorit. / KultPlus.com

2318 euro për fëmijët me autizëm nga shitja e librit ‘Kosova në 14 tregime kulturore -2’

Autori i librit ‘Kosova në 14 tregime kulturore -2’, Arbër Selmani, ka njoftuar se nga shitja e këtij libri  në këtë vit janë mbledhur 2318 euro e të cilat janë dhuruar donacion te Shoqata ‘Autizmi’, përcjell KultPlus.

‘Kosova në 14 tregime kulturore-2’ përmbledh gjithsej 14 intervista që në fokus kishin rrëfimin e karrierës dhe jetës së 14 personazheve si: Xhevat Syla, Mixha Ramë, Adelina Thaqi Meta, Agim Qena, Luan Hajra, Hana Cakuli, Lala Meredith-Vula, Naser Berisha, Rifat Kukaj, Bajram Bylykbashi, Malda Susuri, Zake Prelvukaj, Kenneth Andresen dhe Abdullah Konushevci.

E të gjitha mjetet e siguruara nga shitja e këtij libri shkojnë për Shoqatën ‘Autizmi’

KultPlus ua sjell postimin e plotë të Arbër Selmanit:

2318 euro këtë vit për fëmijët me autizëm!

Sot e dërgova te Shoqata “Autizmi” – Prishtinë edhe donacionin e fundit për këtë vit, prej shitjes së librit tim të dytë. Gjithsejt, në tri donacione, janë mbledhë 2318 euro, për të cilat e falenderoj edhe i përulem secilit e secilës prej juve! PA JU nuk është e mundur as bamirësia, as blerja e librit, as kjo ndihmë. Paçit veç t’mira.

Prej një thirrjeje times personale, veç për tri javët e fundit janë mbledhë rreth 500 euro. Po e falenderoj këtu, te ky donacioni i fundit, sidomos shoqen time Zana Hoxha e cila me ekipin e saj i kanë ble 20 kopje të librit këtë fundvit, dhe shoqen tjetër Rudinë Jakupi e cila poashtu i ka ble 5 kopje për veten dhe kolegët e saj. Jam tepër i nderum që më keni ndihmu prej marsit të këtij viti kur libri ka dalë në shitje.

Sot, për fatin e mirë, edhe këngëtarja e shoqja ime Dafina Zeqiri e vizitoi Shoqatën Autizmi. Dafina, shitjet fizike të albumit të saj të fundit i ka dediku për këtë shoqatë dhe mirëqenien e këtyre fëmijëve, dhe edhepse nuk më takon mu me e thonë, shuma që po dhurohet donacion prej Dafinës është përtej pritjeve e parashikimeve, e kjo më gëzon shumë. Dafina sot premtoi që nuk do të ndalet me kaq, dhe kjo ish dashtë me shërby si inspirim për çdo artist tjetër! Besa as unë nuk do të ndalem me kaq!

‘Kosova në 14 tregime kulturore -2’ prej ditës së parë e ka pasë efektin e vet te blerësi dhe te shpirti bamirës. Emocionalisht, plotësohem sa herë që e shoh që artistët ndihmojnë në kauza. Sot, këtij plotësimi iu shtua edhe një shtresë tjetër. Për me e përfundu, e falenderoj prapë secilin dhe secilën që e ka ble librin tim (fizikisht në Kosovë apo edhe e ka porositë për në diasporë), sepse keni ndihmu jetërat e plot fëmijëve me autizëm, në Prishtinë dhe në Prizren. Shëndet, dashni./KultPlus.com

Libri i Arbër Selmanit mbërrin në Zelandë të Re, do të jetë pjesë e Universitetit të Auckland

Libri ‘Kosova në 14 tregime kulturore -2’ nga gazetari dhe poeti kosovar, Arbër Selmani, ka mbërritur në Zelandë të Re ku do të jetë pjesë e Universitetit të Auckland, përcjell KultPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë autori përmes një postimi në Facebook, ku tutje shton se studentët që mësojnë për shqipen dhe Ballkanin, do të lexojnë për personazhet e këtij libri, si njohje me artin e kulturën në Kosovë

Njoftimi i plotë i tij:

“Good news! Libri jem i dytë ka mbërri në Zelandën e Re dhe ka me qenë pjesë e Universitetit të Auckland! Studentët që mësojnë për shqipen dhe Ballkanin kanë me lexu për personazhet e librit ‘Kosova në 14 tregime kulturore -2’, si njohje me artin e kulturën në Kosovë. Faleminderit Virgil Anthony për idenë dhe mbështetjen. Ky vjen si super sukses për mua dhe shkrimet e mia gazetareske, edhe ato letrare .“/KultPlus.com

‘Kosova në 14 tregime kulturore-2’ promovohet edhe në Prizren

”Kosova në 14 tregime kulturore-2” nga Arbër Selmani, më datë 23 prill në Ditën Botërore të Librit, duke filluar nga ora 17:00 do të promovohet në Kino Lumbardhi në Prizren, shkruan KultPlus.

Kjo do të jetë një mundësi edhe për ta takuar autorin, disa prej personazheve në libër por dhe për ta blerë librin, i cili kushton 10 euro. Ndërkaq, të gjitha fitimet nga shitja e librit do të shkojnë në ndihmë të fëmijëve me autizëm dhe organizatën ‘Autizmi’ në Kosovë.

Intervistat e përfshira në librin ‘Kosova në 14 tregime kulturore – 2’, flasin për jetën dhe punën e këtyre njerëzve: Xhevat Syla, Mixha Ramë, Adelina Thaçi Meta, Agim Qena, Luan Hajra, Hana Cakuli, Lala Meredith-Vula, Naser Berisha, Rifat Kukaj, Bajram Bylykbashi, Malda Susuri, Zake Prelvukaj, Kenneth Andresen dhe Abdullah Konushevci.

Realizimin e librit e ka ndihmuar Komuna e Prishtinës nga subvencionet e saj vjetore.

Promovimi do të mbahet duke respektuar të gjitha masat qeveritare në mbrojtjen nga covid-19.

Në Prishtinë libri gjendet në Librarinë Dukagjini, Librarinë Artini, Librarinë Buzuku, në SOMA Book Station, në Dit e Nat, në Fondacionin 17-të dhe në KultPlus Caffe Gallery. / KultPlus.com

Arbër Selmani promovon ‘Kosova në 14 tregime kulturore – 2’, në ndihmë fëmijëve me autizëm

Fotografitë: Laura Hasani

Personazhë që kanë kontribuuar në artin kosovar, përkundër veprës shpesh i mbulon pluhuri i harresës, por për të dokumentuar personazhë të tillë përmes librit, po kujdeset autori Arbër Selmani.

14 tregime të rrëfyera nga personazhë të tillë me një mjeshtëri dhe gjallëri emocionale, por të shkruara me një thjeshtësi magjepsëse, Selmani i ka sjell mbrëmë përmes ciklin e dytë të librit ‘Kosova në 14 tregime kulturore’, promovimi i secilit ndodhi në Librarinë Dukagjini në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Libri përmbledhte gjithsej 14 intervista që në fokus kishin rrëfimin e karrierës dhe jetës së 14 personazheve si: Xhevat Syla, Mixha Ramë, Adelina Thaqi Meta, Agim Qena, Luan Hajra, Hana Cakuli, Lala Meredith-Vula, Naser Berisha, Rifat Kukaj, Bajram Bylykbashi, Malda Susuri, Zake Prelvukaj, Kenneth Andresen dhe Abdullah Konushevci. 

Ky promovim që rreth vetes kishte mbledhur shumë dashamir të fjalës së autorit, solli në vëmendje edhe kauzën e tij kryesore e që ishte mbështetja e fëmijëve me autizëm dhe shoqatës ‘Autizmi’ në Prishtinë, ku të gjitha mjetet e grumbulluara nga libri do të ju dedikohen atyre. Një iniciative kjo që është duartrokitur nga të gjithë e madje edhe ka frymëzuar edhe autorë të tjerë që të veprojnë njëjtë.

Ideja e autorit Arbër Selmani, ishte të krijojë një libër ku dokumentohet arti dhe kultura në Kosovë nga personazhë të ndryshëm dhe mosha të ndryshme. Personazhet në libër nuk barazohen, por ata janë një peshë e fushave të ndryshme të artit. Libri ka një format interesant sepse mund të prezantohet tek publiku si përfaqësim nga Kosova. 

Të pranishëm gjatë natës së mbrëmshme ishin edhe njerëz të cilët kanë kontribuar në artin dhe kulturën e Kosovës ndër vite, në një formë apo tjetër. E në mesin e tyre ishte edhe Xhevat Syla, njëri ndër personazhët e librit. Syla tregoi për KultPlus se përshtypjet e para të tij për idenë e librit ishin jashtëzakonisht të mira ku pastaj edhe pasoi zhvillimi i rrëfimeve në një bisedë mes Sylës dhe autorit i cili incizonte tregimet e rrëfyera në siluetën e atmosferës. 

Edhe pse vetë Syla gjithmonë bazohet në normën letrare, gjuhën letrare dhe shkruan në gjuhën standarde, megjithatë përjashtim ishin disa trajta të cilat janë shpalosur në dialektin gegë për qëllim të autencitetit të rrëfimit, prandaj veçantia e Arbërit, mahniti figurën e njohur Xhevat Syla, i cili në përfundim të tekstit ishte befasuar me përkujdesjen e madhe të Arbërit. Arsye e këtij befasimi ishte rrjedha e rrëfimit e cila morri kahje të lezetshme, të këndshme, të lirë dhe mjaft shoqëror. Syla iu drejta autorit “Mos qofsha në lëkurën tënde që të nxjerrësh tekstin nga ky rrëfim”.

Ndonëse vështirësitë nuk munguan për shkak të COVID-19, pasi pothuajse një viti angazhim, vjeshta solli realizmin e idesë që mbrëmë u kurorëzua me botimin e librit. Talenti, dëshira e madhe për librin dhe krijimtarinë lë prapa të gjitha pengesat e mundshme. Jeta është e pasur me një larmi shumëngjyrëshe dhe natyrisht njeriu ka çka të rrëfejë, prandaj ndoshta është edhe problem përzgjedhja e asaj se çka dëshiron të shprehësh. Por kjo përzgjedhje nuk ishte e vështirë për Arbër Selmanin i cili me një mjeshtëri dhe kujdes arriti në fundin e lumtur.

Në promovimin e këtyre tregimeve unike, Xhevat Syla nuk hezitoi që të thotë se arti është i pakufishëm, mundësitë e shprehjes ekzistojnë dhe nuk duhet që asnjëri të ngurrojë që të shfaq talentin, pavarësisht në cilën fushë i posedojnë ato. Po ashtu, ai sugjeron tendencën për perfeksionim, për të arritur synimin e dëshirave tona.

“Çka më la përshtypje është nocioni ‘tregime kulturore’, nocion ky i cili ndoshta del jashtë normave letrare dhe teorike por megjithatë e përgëzoj Arbërin për lirinë dhe guximin që ai t’i emërtojë ashtu sepse vërtetë ato edhe të tilla përjetohen. Ndjehem i nderuar që jam në mesin e gjithë personazheve të tjerë dhe që pata rastin të shpalosë diçka nga jeta ime, krijimtaria ime dhe mendimet e mia”, tha Syla për KultPlus.

Ndërsa, atmosfera letrare e cila shoqërohej me prezencën e aromave të librave, u përcoll edhe me përkujtimin e Agim Qenës, njëri ndër karikaturistët më të njohur kosovarë dhe autor i personazhit komik shumë të njohur “Tafë Kusuri”. E këtë përkujtim më së miri e shpalosi mbrëmë edhe motra e tij, aktorja e njohur Melihate Qena, e cila u shpreh për KultPlus se rrëfimi i botuar në këtë libër për Agim Qenën është një rrëfim i mirë, i ngrohtë, si pasojë e sinqeritetit të fëmijëve të Agim Qenës, të cilët me kujtimet dhe artin e thellë brenda tyre e shpalosin si mos më miri këtë tregim, gjithmonë duke vlerësuar qasjen objektive.

Kritikat nuk munguan as edhe për mungesën e respektit ndaj artistëve dhe artit në përgjithësi. Sipas Melihate Qenës, 20 vitet e fundit kanë qenë një periudhë jashtëzakonisht e vështirë për artistët, ndonëse ajo beson që kjo mund të tejkalohet por me shumë vështirësi, gjë që s’duhej të ndodhte në një shtet të ri si Kosova i cili do të duhej të kishte një vizion më të gjerë sepse pa kulturë nuk ka as shtet, pa kulturë nuk ka as civilizim, pa kulturë njeriu nuk është njeri.

“Arti është vetë jeta, ku thellimi në botën e brendshme është padyshim një shpëtim”, përfundon Qena.

Pra, këto katërmbëdhjetë tregime dhe rrëfime përmbajnë njerëz të fateve të ndryshme, që shënuan dhe ende shënojnë kulturën dhe artin shqiptar, e përmes këtij libri do të mbesin dëshmi edhe për gjenerata e ardhshme.

Komentet pozitive nuk munguan as për shkrimtarin, Arbër Selmani, i cili deri më sot ka botuar dy libra. Ai gjithashtu është shumë i njohur edhe për poezitë e tij, e në veçanti për poezinë ‘Kur vdiq baba’, e cila deri më sot është përkthyer në shumë gjuhë të botës dhe ka marrë një shpërndarje të madhe në rrjetet sociale, e ku së fundmi është botuar edhe në revistën e njohur amerikane ‘Songs of Eretz Poetry Review’.

Selmani ka bërë të ditur për KultPlus se krahas kësaj ai do të bëjë edhe një përmbledhje të shkrimeve të tija letrare, pjesë e së cilës do të jetë edhe poezia ‘Kur vdiq baba’. Ndërkohë ai do të vazhdojë edhe në të ardhmen për të botuar libra për të ndihmuar kauza të tjera, po njëlloj edhe si ajo e mbrëmshmja, mbështetja për fëmijët me autizëm.

Në mesin e falënderimeve autori për ndihmën e realizimit të librit falënderon Komunën e Prishtinës posaçërisht Adrian Berishën dhe Blerta Bashollin. Kurse në veçanti edhe gazetën KultPlus, ku u botuan fillimisht këto tregime.

Për të gjithë të interesuarit librin mund ta gjeni në librarinë Dukagjini, librarinë Buzuku, librarinë Artini – Toena, SOMA Book Station, Dit’ e nat’, KultPlus Caffe Gallery dhe Project Space (Shtatëmbëdhjetë). Po ashtu mund të blihet edhe nga shqiptarët në diasporë, me anë të platformës, Librariashqiptare.ch . Dërgimi bëhet në të gjithë Evropën. / KultPlus.com